MENDIME TË PAKREHURA (LIV)

(nga Stanislaw Lec*)

Edhe pse jetoi gjatë, nuk arriti dot që ta mbërthenin në këmishën e hekurt të opinionit publik.

Zotat lënë trashëgim atributet dhe subjektet e tyre.

Karkaleci i detit skuqet, pasi vdes. Ja një delikatesë për t’u dhënë shembull, te një viktimë!

Edhe unë kam parë një herë një mrekulli. Ishte koha kur ndodhnin mrekulli.

Gabimi bëhet gabim kur, në lindje e sipër, ka vlerën e së vërtetës.

Pashë një ëndërr të keqe: sikur burokracia kish marrë përmasa hipertrofike në një shtet që po e fitonte luftën kundër analfabetizmit.

Çfarë na mban në këtë glob, veç forcës së rëndesës?

“Me eunukët mund të flasësh gjatë”, thoshte një zonjë haremi.

Vetëm të vdekurit mund t’i ringjallësh. Të gjallët është më vështirë.

Kur një shtet kalon momente krize historike, ka shumë që kruajnë hundën. Vijnë më shpesh nga familje ku, të kruash hundën, konsiderohet diçka tejet e shëmtuar.

Gjithçka është në duart e njeriut. Prandaj duhet t’i lajë shpesh.

Edhe Profetit mund t’ia rruash mjekrën!

Faktet lakuriq ashtu do të mbeten, edhe sikur t’i veshësh sipas modës së fundit.

Budallallëku është nëna e krimit. Por baballarët janë shpesh gjenij.

Nëse nuk kam shpirt, mos vallë kjo ndodh ngaqë më kanë ndëshkuar pse nuk besoj te shpirti?

Gjatë rikrijimit të krimit, kufoma nuk e njohu vrasësin.

Preferoj tabelën “Ndalohet hyrja” ndaj tabelës “Nuk ka dalje.”

Ruajuni, satiristë! Hijenat i mprehin dhëmbët edhe në pasqyrat deformuese.

Gjithnjë do të gjendet një eskimez që t’u tregojë banorëve të Kongos si të luftojnë vapën e madhe.

“Ndiej si më rriten flatrat,” tha miu. Ku doni të dilni, zoti lakuriq nate?

Mendimi i thellë ka nevojë për lartësi.

Ndoshta Zoti vendosi të më bëjë ateist?

Pantallonat konsumohen edhe kur je ulur në fron.

Dritaren që sheh nga bota mund ta mbulosh me gazetë.

Jam i bukur, jam i mirë, jam i fortë, jam i zgjuar. Dhe unë vetë i kam zbuluar të gjitha këto!

Balta krijon ndonjëherë përshtypjen e thellësisë.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin