ILUZIONE TË KUJTESËS (II)

Efekti Mandela ilustron një mekanizëm – të pavetëdijshëm – modifikimi të kujtesës kolektive; nuk është i vetmi, as më efikasi, sidomos kundrejt të ashtuquajturit Efekti Rashomon, që e ka marrë emrin nga një film i Akira Kurosawa, Rashomon, i vitit 1950. Në atë film, një vrasje përshkruhet në katër mënyra të ndryshme, kontradiktore mes tyre, nga katër dëshmitarë. Që këtej, efekti Rashomon ilustron dhe ndoshta shpjegon pse dëshmitarëve okularë mund t’u besosh vetëm deri në një farë pike, madje edhe kur janë në mirëbesim.

Në narratologji, kjo lidhet njëfarësoj me figurën e rrëfimtarit jo-të-besueshëm (unreliable narrator[1]) – i cili “nuk thotë të vërtetën” brenda universit narrativ përkatës. Si edhe në efektin Rashomon, rrëfimtari jo-i-besueshëm mund ta shtrembërojë realitetin pa dashur, ngase nuk arrin ta lexojë saktë (është naiv, ose psikotik, ose fizikisht a mendërisht i gjymtë) ose ngaqë i përzgjedh faktet (“faktet”) që rrëfen, ndaj atyre që lë jashtë. Kështu, një dëshmitar naiv mund ta lërë jashtë rrëfimit të vet faktin që, para se të binte zjarri, ish ndier erë gazi; sepse nuk ka qenë në gjendje të vendosë lidhje shkakësore mes rrjedhjes së gazit dhe zjarrit pasues.

Disa rrëfimtarë-jo-të-besueshëm gënjejnë me vetëdije, sepse ashtu u intereson. Kjo ka ndodhur rëndom në historiografinë totalitare, kur historiani e ka një ide se çfarë ka ndodhur, por është i detyruar – nën një imperativ politik dhe ideologjik – që ta rrëfejë ngjarjen ndryshe. Në shembullin që patëm sjellë, të themelimit të PPSH-së, të rrëfyer nga teksti zyrtar i Historisë së PPSH-së (te Bindje dhe Vërtetësi), autorët e dinin mirë se kush kish marrë pjesë në mbledhjen e themelimit, sikurse e njihnin mirë rolin që kishin luajtur, në lëvizjen komuniste në Shqipëri, Popoviçi dhe Mugosha. E dinin dhe gënjyen me “omision”, ose duke i lënë këta pa përmendur.

Përkundrazi, mësuesi i Historisë së Partisë, në shkollë, me gjasë e pat mësuar “të vërtetën” nga teksti zyrtar i Historisë së PPSH-së; prandaj, kur ua rrëfente nxënësve themelimin, nuk është se po gënjente – veç po u përcillte fëmijëve një gënjeshtër, nëpërmjet besnikërisë ndaj institucionit (tekstit). Prandaj le të themi se, në totalitarizëm, jo-i-besueshëm nuk ishte ky apo ai rrëfimtar, por krejt sistemi që përftonte dhe sanksiononte narrativat historiografike.

Historinë e Luftës Na-Çl e kanë shkruar historianët e regjimit të Hoxhës, veteranët partizanë të UNÇSH dhe politikanët e lartë të kupolës, duke filluar nga Hoxha vetë, në kujtimet e tyre. Por atë histori e kanë shkruar edhe të tjerë: misionet aleate, historianët jugosllavë me akses në dokumentet përkatëse dhe arkivat e PKJ-së në Beograd, ballistët dhe zogistët, intelektualët që nuk iu bashkuan Frontit, dhe më në fund, edhe italianët dhe gjermanët vetë, që ishin pala humbëse. Shfletuesit e këtyre versioneve historiografike gjenden gjithnjë përballë efektit Rashomon – meqë u duhet të shohin, përtej synimit narrativ për të vërtetën, pengesat dhe kufizimet perceptive dhe ideologjike të dëshmitarëve.

Historiografisë staliniste-enveriste, e cila vijon sot e kësaj dite të sundojë, në mos me gjë tjetër, me thjesht masën mbytëse të teksteve dhe narrativave që ka përftuar, nuk mund t’i zësh besë – sepse rrëfimtari i saj kolektiv është jo-i-besueshëm. Kjo nuk do të thotë që gjithçka e rrëfyer në tekstet historiografike zyrtare të asaj kohe, për Luftën NAÇL, është gënjeshtër; meqë ashtu korrigjimi do të mund të bëhej shumë thjesht. Rrëfimtar jo-i-besueshëm është ai që nuk i zë dot besë edhe kur thotë të vërtetën; sepse vetë raporti i këtij “personazhi” me të vërtetën është i komprometuar. Si rregull, nga një historian jo-i-besueshëm të vjen një kombinim të vërtetash, omisionesh dhe gënjeshtrash, ku të vërtetat janë në shërbim të gënjeshtrës dhe të manipulimit ideologjik.

Për t’u kthyer tek analogjia me filmin e Kurosawa-s: le të themi se ka ndodhur diçka e madhe, Lufta NAÇL. Le të themi edhe se, nga të katër dëshmitarët e kësaj lufte, vetëm njëri u lejua ta rrëfente dëshminë e vet, ose të ofronte rrëfimin e vet; tre të tjerëve iu mbyll goja, iu pre gjuha, iu zu fryma. Në këto rrethana, dëshmia objektivisht e kufizuar e njërit, pushtoi edhe hapësirën e lënë bosh nga dëshmitë e të tjerëve që u lanë pa rrëfyer; dhe ky pretendim, për të monopolizuar të vërtetën historike, po bën tani që rrëfimtari kolektiv historiografik i regjimit të diskreditohet edhe më keq; madje edhe në ato instanca – në fakt të shumta – kur ka thënë të vërtetën.

Për më se 40 vjet, Lufta NAÇL e rrëfyer nga historiografët e certifikuar të regjimit shërbeu si kryerrëfim (grand narrative[2] e njohur edhe si metanarrative) për Shqipërinë e Hoxhës, duke e legjitimuar; në vetvete, por edhe në bashkëvajtje me grand narrativat e mëdha të antifashizmit, që sunduan në të dy anët e Europës dhe gjetiu në botë, pas Luftës II Botërore. E veçantë e këtij kryerrëfimi, tek ne, është se u absolutizua, duke i dëbuar alternativat, ose duke i mbrehur këto në qerren e vet: që nga fetë, te mitet kombëtariste të Rilindjes. Kolapsi i vitit 1990, edhe në kontekstin e rënies së Murit të Berlinit dhe të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e të kampit socialist, e futi shoqërinë shqiptare në krizë, si shumë të tjera; duke ia hequr kryerrëfimit të deriatëhershëm besueshmërinë. Nuk munguan përpjekjet për ta zëvendësuar këtë kryerrëfim me të tjerë – Bashkimi Europian, Amerika, kombëtarizmi i rikthyer me Skënderbeun dhe pastaj me Kosovën e kështu me radhë – por asnjë nga këto nuk arriti të legjitimojë klasën në pushtet me po aq efikasitet si ai i Luftës për pushtetin totalitar. Nga ana tjetër, teksa versioni zyrtar i historiografisë staliniste-enveriste për Luftën NAÇL u vu me të drejtë në pikëpyetje, dhe rrëfimtarët e saj rezultuan si jo-të-besueshëm, kjo nuk çoi gjë në ndonjë pranim të përgjithshëm të pluralizmit, edhe në historiografi, ose të idesë se e shkuara vërtet mund të jetë një, por rrëfimi i saj, prej historianëve, nuk mund të jetë veçse plural – si rrëfimet e dëshmitarëve në filmin e Kurosawa-s. Përkundrazi, demaskimi i kryerrëfimit të LANÇ u interpretua, nga disa palë, si carta bianca për të imponuar – kulturorisht – kryerrëfimet e tyre, alternative; paçka se rrëfimtarët e këtyre janë ndoshta po aq jo-të-besueshëm sa edhe ata të mëparshmit. Por, që fitimtarët gënjyen, kjo nuk u jep gjë të drejtë madje as morale humbësve që të imponojnë tani versionet e tyre historiografike; dhe me pjesët e censuruara a të shtrembëruara nga historiografia zyrtare, sado t’i zhvarrosësh e t’i rindërtosh, nuk është se mund të krijosh ndonjë kryerrëfim të ri dhe aq më pak efikas. Vetëm pluralizmi do të mund të kthente një farë drejtpeshimi intelektual dhe moral në përfytyrimet tona kolektive për të shkuarën e afërt – por shoqëria jonë, aq e gatshme për të zëvendësuar një monizëm me një tjetër, për pluralizëm nuk është ende gati; sikurse është po aq e papërgatitur për të jetuar pa kryerrëfime (grand narratives).

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi në mediat. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Termin dhe konceptin e ka përdorur i pari Wayne C. Booth, në The Rhetoric of Fiction, 1961.

[2] Këtë koncept po e përdor sipas Jean-François Lyotard-it (një shpjegim këtu), edhe pse jo për të ilustruar tezën e tij. Termi kryerrëfim është sajuar prej meje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin