MENDIME TË PAKREHURA (LIII)

(nga Stanislaw Lec*)

Edhe logjika ka anën e vet të dobët: është e palogjikshme, për të gjithë ata që nuk e kuptojnë.

Eh, ata bumerangë të rremë, që kthehen pa i hedhur akoma!

Të drejtën për të zotëruar pendë duhet ta kenë vetëm ata që mund të bëjnë me to flatra.

Ka parazitë që ndihen shkëlqyeshëm në nofullat e luanit.

Ai njeri ka mbetur skicë.

“Inxhinierët e shpirtrave” bënin kujdes që këto të mos prodhoheshin me materiale të ndezshme.

Jo të gjithë ata që e fillojnë garën arrijnë ta mbarojnë. Por në mbërritje i presin shumë më tepër njerëz se ç’i përcollën.

Karakteristika më e dukshme e përtacisë mendore është aktiviteti i pareshtur.

Njeriu lind, jeton dhe vdes në hapësirën e një fraze.

Satira vret, nuk fyen.

E urrej Gutenbergun, shpiku gabimet e shtypit.

Disa fe kanë adhuruar martirët, të tjera xhelatët.

Për frazën “Z. ha jashtëqitjet e veta” u interesuan ekonomistët.

Edhe minierat e kujtimeve janë shtetëzuar.

Mos e vër zilen e alarmit në orën e fundit.

Ndonjëherë gratë ndajnë shtrat me ca që nuk do të guxonin të uleshin me to.

Ka epoka të heshtjes të mbushura ding me procesverbale fjalimesh.

Ka mendime që mbajnë parukë të pakrehur.

Çfarë fantazie! Nga duhma e kanaleve, të përfytyrosh Venezian.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

1 Koment

  1. “Ka epoka të heshtjes të mbushura ding me procesverbale fjalimesh.”

    Është kaq aktuale, sa natyrshëm të vjen në mendje një tjetër mendim i pakrehur:

    “Sa tërmete – të paregjistruara nga sizmografët – ka pasur, kur binin portretet nga muret!”*

    *nga “Mendimet e Pakrehura” të mëparshme (LII)

Lini një Përgjigje te TeutaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin