CODEX CALIXTINUS

Ata që kuturisin të nisen më këmbë drejt katedrales së Santiagos në Spanjë, nuk është se gjithë kohën mendojnë çastin kur do të ndodhen para saj. Kujtoj se dëshira ime e parë ishte të mbërrija se, jashtë çdo konsiderate, ka edhe çaste që rraskapitja të shtyn të pyesësh nëse e ke mendur mirë atë punë që po bën. Pastaj, nëse mbërrija, atëhere mendoja të mos e privoja veten nga dëshira për të vizituar thesarin e katedrales. Dhe, këtu e ndjej se urgjentisht më duhet t’ju siguroj se thesari i një katedraleje nuk përbëhet fare nga arka me monedha ari, të mbledhura në vite nga peshkopë cingunë që mbajnë në qafë çelësin e sëndyqeve prej dërrase të trashë të përforcuar me gozhdë farkëtari, pafille dhe zinxhirë hekuri. Endrra ime ishte të kqyr disa çaste një tekst gati 1 000 vjeçar, Codex Calixtinus.

Pesë librat që e përbëjnë atë, nuk kisha pritur të shkoj e t’i njoh në Santiago. Një kopje të Codex Calixtinus, që ndryshe mban edhe titullin Liber Sancti Jacobi e sillja prej vitesh nëpër duar. Dhe, me kohë besoj se kisha krijuar njohje të mirë me të.

Në tërësi, veç pjesës së tij liturgjike, Codex Calixtinus përmbledh legjendat rreth Shën Jakut që qarkullojnë edhe sot e gjithë ditën gojë më gojë. Gjen në të edhe përshkrime të ngjarjeve të kohës, e madje edhe një cikël partiturash muzikore këngësh polifonike, më të hershmet të dokumentuara ndonjëherë në Perëndim. Por nga të pesë librat që e përbëjnë Codex-in gjithnjë më ka tërhequr Doracaku apo Guida e pelegrinit e murgut frëng Aymeric Picaud, ku ai përshkruan plot detaje udhëtimin e tij për haxhillëk në Santiago të Kompostelës, ndërkohë që nuk ngurron të shajë e përgojojë banorë të zonave nga kalon, të mbledhë legjendat urbane të kohës etj..

Dhe meqë librin e dija thuajse përmendësh, në atë rrugëtimin që zgjaste me muaj e nuk mbaronte kurrë, kisha kënaqësinë të shtyja kohën duke gjetur fshatrat, kishat, malet, lumenjtë madje edhe urat për të cilat flet murgu ynë. Dhe vetja më dukej se e kisha kallauz, me ndryshimin e vogël se ai ecte rreth një mijë vjet para meje!

Në majë të Pirenejve, aty ku erërat e Mesdheut përplaseshin me ato të Afrikës dhe Atlantikut kërkova dhe gjeta vendin ku sipas murgut tim, Karli i Madh (Sharlëmanji, ai që konfiguroi politikisht Evropën dhe që njihet si ati i saj), kishte venë gjurin në tokë dhe me sytë nga Spanja ngriti kryqin lart dhe i drejtoi një lutje Shën Jakut (që me siguri nuk do ta ketë patur mendjen aty, sepse tamam në atë vend, gjatë kthimit, ushtria e Karlit të Madh do të masakrohet nga fshatarët baskë dhe madje do të vritet edhe Rolandi, komandanti i praparojes, vrasje kjo që do të jetë në origjinë të epikës së famshme evropiane, Chanson de Roland). I them këto sepse kjo epope është temë qendrore e një libri tjetër, edhe ai pjesë e Codex Calixtinus, Historia Karoli Magni et Rotholandi.

Por nuk ishte kjo ngjarje që më frenoi të bëja edhe unë një lutje. Ajo as më pengoi që të vija edhe unë gjurin në tokë, të ngrija lart një hu që e kisha shkulur diku dhe të ktheja sytë me mirënjohje nga qielli për ato një mijë kilometra që kisha bërë deri aty. Nuk e kisha besuar! Dhe zbritjen e shpatit spanjoll të Pirenejve e nisa i përfshirë nga entuziazmi që më ngjallte mendimi se tashmë nuk më kishin mbetur veçse një mijë kilometra të tjera!

Debati për autorësinë e këtij teksi madhor, është tjetër problem, por nuk po ju ngatërroj me këtë punë sepse qëllimi i këtij shkrimi është një ngjarje tjetër, krejt e paimagjinueshme, e cila u bë shkas që Codex Calixtinus të vihet në qendër të vëmendjes botërore. Dhe një gjë të tillë, nuk e di pse (në fakt, tani e di), njerëzve që kisha rrotull, për shumë kohë ua tregoja vetëm me zë të ulët. Eshtë hera e parë që po ngre zërin.

Udhëtimi për të cilin po flas të lodh së tepërmi, por mua më tërhiqnin edhe gjëra që të tjerëve nuk u binin shumë në sy. Pa dashur të përsëris ato që kam thënë në librin Santiago de Compostella, Çabej, Tiranë, 2013, më mahniste ideja se prej më shumë se njëmijë vjetësh, me një copë letër në dorë që quhet credenciale, pelegrinët kalonin pa pengesë kufijtë e kontrolluara mirë të perandorive dhe mbretërive të kohës (që nganjëherë ishin edhe në luftë e armiqësi me njëra-tjetrën), hynin në toka të shkreta e në pyje të frikshme, të sigurt se nuk do u vinte gjë e keqe e madje, shpesh merreshin në besë nga zotërit lokalë. Të thuash se Zona Shengen e ditëve tona, nuk është aspak gjësendi e re.

Veçanërisht njohjet që t’i sjell hera, darkat e përbashkëta, fjetja në shtretër ngjitur apo mbi njëri-tjetrin me gra e burra nga të gjitha kombësitë, profesionet e shtresat sociale, bëhen shkas për miqësira që shpesh zgjasin me vite. Me kusht që të bësh sikur nuk ndjen erën e djersës, pordhët ( jo gjithnjë me tonalitete lirikë edhe pse shpesh grazioso, maestoso, con brio dhe, sipas rastit, staccato apo legato), pa përmendur atë çka ishte më e padurueshme për mua, gërhitjet e tmerrshme! Për më tepër aty nuk shihesh mirë nëse merr batanijen në kurriz e del jashtë. Dhe unë kurrë nuk dola me bindjen prej misionari të duroj deri ne fund gjithë ç’ishte për t’u duruar. E në kushtet e një intimiteti të tillë, natyrshëm bëhen edhe pyetje për jetën e secilit.

Dhe ndërsa këmbenim informacionet për njëri tjetrin, vëreja se origjina ime shqiptare tërhiqte vëmendjen diçka më shumë. Por nuk dua të besoj se imazhi që projekton Shqipëria nuk u përputhej  mirë me dimensionin shpirtëror e iniciatik të atij udhëtimi. Gjithsesi, para rrethanash të tilla, është e këshillueshme të buzëqeshësh dhe të marrësh gjithçka me të lehtë. Madje, kur dikush, një pedagog i ri i sociologjisë, Paul C. që udhëtonte bashkë me një shoqen e tij, Selinën, mbase edhe më kureshtarë për shkak të profesionit, më pyetën për praninë disi të shpeshtë të shqiptarëve në kronikat gjyqësore, unë u shpjegova shumë seriozisht se kjo vjen ngaqë shqiptarët e kanë mjaft të mprehtë sensin e drejtësisë sociale. Kujdesen të ulin ca dhjamin e tepërt të atyre që kanë më shumë. E tepër t’ju siguroj se jashtë bisedave me shqiptarë, jo vetëm banditët, trafikantët, proksenetët, vrasësit e paguar dhe ata me listë (në pritje që të paguhen), por as qeveritarë tanë nuk lejoj të m’i shajnë!

Gjithsesi, shumë shpejt e kupton se gjithkush rrethohet nga një mikroklime a mikromjedis që është në përmasën e njohjeve dhe frymës së marrëdhënieve që krijon vetë.

Të tre, pasi zbuluam edhe pasionin e përbashkët për mbretërit mitikë wisigotë të Galicisë, bëmë qindra kilometra bashkë, madje mbërritëm në të njëjtën ditë në Santiago, por unë diçka më përpara. Se është e rëndësishme që secili të ecë me ritmet e veta dhe aty kisha mësuar se nëse është e lodhshme të ecësh më shpejt se sa mundesh, po aq e lodhshme është edhe të ecësh nën ritmin që mundesh.

Shoh se për herë të fundit në shënimet e mia, praninë e Polit dhe Selinës e kam regjistruar pasi i kisha paraqitur shën Jakut nderimet e mia te altari i katedrales që mban emrin e tij. U ktheva përsëri te shkallët e hyrjes së saj dhe ata të dy i dallova që larg, ndërsa po afroheshin të kapur për dore përmes sheshit Obradoiro, si për të mbajtur njëri tjetrin të mos binin nga lodhja e madhe. Ndërkohë që të tjerë rrotull lëshoheshin në gjunjë para Katedrales, pa i përmbajtur dot lotët, ata të dy u kthyen nga njëri-tjetri dhe u puthën gjatë. Shumë gjatë. Si të takoheshin pas një mungese njëqind vjeçare!

Unë shkova të gjej hotel dhe ndërsa të tjerët po përgatiteshin të shihnin ceremoninë e butafumeros, u interesova të di se ku gjendej thesari i Katedrales. Një dhjak i ri më tha se për librin që interesohesha, duhej të merrja drejtimin e arkivit të katedrales, por një tjetër që dëgjoi pyetjen time, më këshilloi të shkoja te Muzeu i katedrales.

Dhe aty ne muze duhet t’i bësh ballë tundimit të mos humbasësh midis sa e sa relikeve të famshme për t’u përqendruar aty ku duhej, te Codex Calixtinus. Ndenja diçka më gjatë, mbase për shkak të një vesi, mbetje e një profesioni të mëparshëm, që më shtynte të kuptoja nëse isha përpara një kopjeje apo tekstit origjinal. Përqark shihja një numër fare të vogël pelegrinësh dhe turistësh që lëviznin ngadalë, si edhe shoqërinë e heshtur të kamerave elektronike.

Epilog

Ditë më pas, ndërsa po nxitoja të shkoja në punë, mora një telefonatë nga Poli, I cili kur ishim ndarë më kishte njoftuar se do të qëndronin ca kohë në Madrid, po qe se nuk gabohesha. Edhe pse nuk e dëgjoja mirë, sepse isha në metro, kujtoj se më pyeti nëse kisha venë re gjësendi të veçantë gjatë kalimit tim në katedralen e Santiagos. Jo, i thashë. Ka ndodhur diçka e pabesueshme, tha ai, po të dërgoj një link të El correo gallego.

Ndërkohë kisha zbritur nga metroja dhe me të mbërritur në zyrë, klikova mbi linkun që kishte ardhur në adresën time. Menjëherë para syve të mi u shfaqën titujt e mëdhenj të gazetës lokale të qytetit të Santiagos, El correo gallego: Robo del siglo: desaparece el Códice Calixtino de la Catedral de Santiago. (Vjedhja e shekullit. Zhduket Codex Calixtinus nga katedralja e Santiagos).

Në ethe, sa m’u duk se menjëherë në gjuhë m’u shfaq afta, nisa të kërkoj detaje që të bindesha se (nuk) ishte e vërtetë. Veçse në pak çaste, hoqa dorë. Ajo ngjarje ishte në faqet e gazetave më të mëdha të botës. Të gjitha flisnin për zhdukjen e dorëshkrimit më të shenjtë të Spanjës (Santiago është shenjti mbrojtës zyrtar i saj) dhe të një prej librave më të çmuar të krishterimit…

Nisa të kërkoj me nervozizëm telefonin, deri sa të kuptoja se e kisha në dorë dhe, i alamuar pyeta: Pol, kur ka ndodhur? Eshtë zbuluar mbrëmë, më thotë ai, por sipas analizave të para që dëgjoj këtu, ngjarja do të ketë ndodhur diçka më herët, mbase ditën që mbërritëm ne në Santiago. E pamundur, i thashë. Deri mbasdite ishte aty! E po, tamam atë mbasdite është zhdukur.

Fika menjëherë ordinatorin, se m’u duk se prej tij do të shfaqeshin gishta të drejtuara nga unë. I hoqa edhe prizën. Kisha nevojë absolute për qetësi deri sa të gëlltisja atë lajm. Por dhe të kuptoja se çfarë kishte ndodhur, ani se pak shpresoja.

Mbi të gjitha kurrë nuk do të mund të kuptoja si kishte ndodhur që pas thuajse një mijë vjet rrugëtimi drejt tij, Codex Calixtinus të zhdukej tamam mu para syve të një shqiptari!

(c) 2019, autori.

10 Komente

    1. Ksamil, ki ca mëshirë!!!

      Ose meqe dole ne kete shteg, ta kishe ngritur edhe ca steken. Te gjithe autoret qe po paraqiten keto dite ne panair, kritika dashamirese e mediave shoqerore i sheh diku midis Shekspirit dhe Kafkes. Mua me ke lene ne kat te pare:-((

    1. Vetem mos harro te mbash parasysh se ai ka bere letersi ne ate veper (dhe nuk eshte me e mira pune e tij), ndersa une jam ne krahun tjeter, pershkruaj diçka qe ka ndodhur ne te gjtha detajet e dhena ketu!Pra, objektivisht çdo lloj perqasjeje mbetet e pamundur:-))

        1. Meqë ra fjala e, meqë jemi në kohë panairi e paraqitjeje përkthimesh, dikush më tha se gjatë kalimit në një stendë, kishte vënë re se një nga librat e këtij shokut që perifrazon terthorazi, atë të famshmin me titullin “Gostia”, së voni ia paskëshin përkthyer me titullin « Bashkëpirja» (si të thuash: ja, kthejeni kapakun e ketij libri qe te shihni brenda se çfarë marrëzirash nxirrni nga goja kur uleni e pini bashke).

          Gjithmonë kam menduar se cilësia e përkthimit nuk varet thjesht nga niveli i njohjes së një gjuhe, por nga përdorimi i mirë i saj.
          Se ndodh edhe që, sa më e madhe është njohja, aq më të vështirë e ke t’i bësh zap njohuritë që ke, sidomos kur përkthen në kushtet e krizës së shenjtë të ruajtjes së dimensionit atdhetar të përkthimit.

          Se mund te linde edhe pyetja, po sikur, ne kushtet e nje krize te tille, të higjenes gjuhesore pra, dhe besimit te patundur në prodhushmerise e lartë të ndajfoljes “bashkë”, përkthyesve të tillë t’u ngarkonin te perkthenin romanin e njohur “Bordeli”? (me autore Sophie BONNET) apo qoftë edhe tekstin e ndonje serie televizive si Sex and the City?

  1. Dicka qe edhe une ateisti e lexova me kenaqsi. Me kujtoi jo vetem zboret e dikurshme, jo vetem te ashtuquajturat rastesi te cuditshme (parakuptohet: hyjnore), por edhe teorite konspirative! Nuk dua ta banalizoj rrefimin e bukur me lart, po te them, se D. Kokonozi eshte i pari ne listen e te dyshuarve per vjedhjen e kodeksit! ne kete rast perdoret fjala kosovare: ani, s’kemi cfar ti bejme!

      1. Ju e patet dyshimin e pare brenda vetes, padiskutim edhe miku juaj i udhetimit do e kete patur instiktivisht nje dyshim te tille, kur ju dha lajmin ne telefon! Pikerisht, kjo shaka e jona permban ne fakt brenda saj nje brenge te madhe, mjaft te madhe, te cilen e dallojne ata qe e kane perjetuar ne nje narrative te metejshme perballjen e individualitetit te tyre si njeri me klishene e prejardhjes kombetare! Ju, si njeri i matur, i qete, i afirmuar, ne moshe besoj, i kompromisit ndoshta, nuk duhet te keni patur “shancin” ta perjetoni kete zhvillim te metejshem konfrontimi. Ndaj dhe theksoni anen e jashtme te ketij fakti, ate shakatore. Une desha te theksoj ne komentin tim me shume anen brengesore te narratives se kesaj klisheje! Nga fakti se kam perjetuar problem pas problemi gjate viteve te fundit, (i fundit me ka cuar ne gjyq mw 18 dhjetor), probleme keto ne te cilat individualiteti i njeriut mbulohet/ dominohet nga prejardhja kombetare, ndonese kjo nuk behet hapur; pra as mua dhe as juve nuk ju thuhet hapur, se dyshoheni ne x-vjedhje per faktin se jeni shqiptar!

  2. ju qe rrekeni ti shpetoni civilizimit me gjithefare ritesh te stisura, nuk ju ben fajde lutja te Shen Kristofi (Saint Christopher), andaj edhe elektricisti.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: