SKLLAVI JAKOB

Ngjarje e jetuar

Zonja e bujtinës ku do kaloja natën u ul përballë meje dhe më pyeti se nga vija dhe ku po shkoja. Ndërsa vëreja se përgjigjet e mia nuk është se i interesonin fort, dera u hap dhe brenda hyri një burrë i fuqishëm që mbante në dorë një broke të madhe me kafe. Faleminderit, Jakob – i tha gruaja, duke i dalë përpara – me të tjerat merrem unë. Burri përkuli pak kokën dhe mori të ikë. Ah, Jakob – u kujtua ajo – sot fëmijët dalin më herët nga shkolla. Mund të shkosh t’i marrësh që tani. Qenin ushqeje pasi të kthehesh.

Një copë herë e humba fillin e asaj që po tregoja, më hutoi sa shpërqëndrimi i gruas aq edhe vështrimi jo fort miqësor i burrit që mendova se duhej të ishte i zoti i shtëpisë. Gjithsesi, i tregova  zonjës së bukur të asaj bujtine familjare, se vija nga Parisi dhe po shkoja me këmbë për haxhillëk në Santiago të Spanjës. Deri në Santiago? Ajo nuk bëri asnjë përpjekje të fshihte habine e saj se si mund të më shkonte mendja se do të mund të mbërrija një ditë atje, në atë gjendje rraskapitjeje siç isha. E dija mirë se krejt pa dashjen time, madje kundër dashjes sime, u përcillja të tjerëve një imazh që nuk përkonte gjithmonë me atë që isha në të vërtetë. Për të mirë a për të keq. I mësuar tashmë me një gjë të tillë, e hapa gojën vetëm për t’i thënë se tani më pëlqente të vizitoja fshatin. Ajo u ngrit të më tregonte një dhomë me katër- pesë shtretër ku do të flija atë natë, pastaj kthinën e dushit dhe së fundi kuzhinën ku do të haja darkën dhe mëngjesin e së nesërmes.

Fshati qe vërtet mjaft i vogël dhe njerëzit ishin disi të heshtur e jo shumë ta afrueshëm. Këtë e vura re edhe kur zbrita te mejhania. M’u desh të porosis nje gotë verë që i zoti i saj të marrë  mundimin të më tregonte se kufiri spanjoll ishte tre ditë larg prej aty. Dhe vetëm pas gotës së dytë, saktësoi: tre ditë e gjysmë. Duket se aty nuk ekzistonte informacioni falas e madje, saktësia e tij varej nga shuma që vije në tavolinë. Klientët e tjerë ishin mësuar aq shumë me pelegrinët që kalonin andej, sa nuk më vunë re fare.

Jakobi ishte kthyer me kohë nga shkolla bashkë me fëmijët dhe nga kati i sipërm i shtëpisë dëgjova zërin e tij tek po këndonte me ta këngën e fratit Zhak që e kishte zënë gjumi dhe nuk u kishte rënë kambanave të mëngjesit. Dhe këtë, Jakobi e bënte ndërkohë që vendoste mbi një kanistër teshat e thara që sapo i kishte mbledhur në një tel në oborrin e shtëpisë.

Kur po kaloja para kuzhinës qëndrova një çast sa për të përshëndetur zonjën që po nxirrte tenxheret nga zjarri. Ajo mbase e ndjeu se vështrimi im u zgjat si shumë mbi trupin e saj dhe u kthye nga unë për të më njoftuar se darka ishte gati.

Nxitova të lë xhupin në dhomën e gjumit, por kur u ktheva nuk e gjeta më zonjën aty. Almiset e të ngrënit po i shtronte Jakobi. Ishte ai që mori pjatën time dhe e mbushi me një gjellë erëmirë që dukej se ishte përgatitur me zarzavatet që pashë të rriteshin në kopshtin rrotull shtëpisë. Isha i sigurt se për të mbërritur atë nivel shijeje do të kishin zier gjatë me një zjarr të ngadalshëm, në prani të një cope të hatashme mishi. Jakobi, diç u vu të bubërronte në dollapin e madh të kuzhinës dhe u kthye prej andej me një pllakë dërrase ku dergjej lakuriq një sallam i madh, i thatë. Mori një hanxhar kasapi dhe, pasi më këqyri më vërejtje, qëlloi fort mbi sallam. Në pak sekonda e shndërroi në rrotulla të barabarta që mbështeteshin të pafuqishme në krah të njëra-tjetra. Të fundit e nguli në majën e atij hanxharit dhe e rrasi në gojën e tij të madhe.

Në fillim më vinte si për  të qeshur tek e shihja të bënte një punë për të cilën nuk më dukej fort i përgatitur, por më tej u preka shumë kur ai kujdesej që gota ime e verës prej dheu të pjekur të mos rrinte asnjëherë bosh. Por tavolina ishte aq e madhe sa edhe krahu i tij i gjatë mezi arrinte deri te gota, ndaj qeshë i detyruar ta mbushja vetë me atë çka kishte mbetur në fundin e një damixhane të mbështjellë me kashtë. Ku është zonja e pyeta dikur, si për muhabet, se heshtja e tij filloi më bezdiste ca. Ai ngriti sytë lart nga tavani. Po merret me fëmijët, më tha.

Ka një zakon të vjetër, të paktën një mijë vjeçar në këto anë. Mund të qëllojë që në bujtinat ku pelegrinët kalojnë natën, ushqimi të jetë disi i racionuar, sipas të korrave dhe shiut që ka rënë, por për verën nuk ka kufi. Pelegrinët kanë të drejtë të pijë pa hesap, sa t’u dojë qejfi. E gjitha është përfshirë në pagesën fillestare, nuk ka më çmim shtesë. Detyra e të zotërove të bujtinave është të kujdesen të ndërrojnë shishet, sapllaket apo damixhanat e shteruara mbi tavolinë. Kjo qe arsyeja që nuk po e kuptoja sjelljen e Jakobit, që nuk luante vendit për të sjellë ndonjë shishe tjetër.

Dikur, u ngrita vetë, dhe pa vështirësi gjeta një sergjen plot shishe vere që i kishte zënë pluhuri, pas një koleksioni hekurash hekurosjeje të vjetër. Mora një, i fryva ca dhe u ula ta zbraz ngadalë, pa ndërmjetësinë e asaj kupës prej dheu të pjekur. Dhe atë çast për herë të parë gjeta rastin ta shoh më me vëmendje bashkëngrënësin tim të heshtur. Duhej të ishte aty te dyzet vjetët. Flokët i kishin marrë arratinë me kohë, por më bënte përshtypje mjekra e tij e kuqe në majën e së cilës ishte pleksur një gërshetëz. T- shirt-i që mbante në trup kishte një grykë aq të haplluar sa linte t’i dukej edhe kërthiza e barkut.

Gjithnjë sikur unë të mos isha fare aty, Jakobi u ngrit të ushqente macen që i ishte afruar te këmbët. Pastaj  e vuri në sup dhe iu afrua sqollit të lante pjatat. Ndonëse e ndjeva se mund të kisha ndonjë problem të vogël me drejtpeshimin, u ngrita më këmbë dhe i shpreha gatishmërinë time që ta ndihmoja. Nuk pranoi. Pa e kthyer kokën më tha se kishte më shumë shanse që unë t’i thyeja pjatat dhe kjo nuk i pëlqente zonjës. Dhe nëse nuk i pëlqente zonjës, nuk i pëlqente as atij. Unë qesha. Ai nuk qeshi. Desha t’ia rrëmbej atë macen nga supi dhe t’ia lija varur te mjekra, sa kohë që ai i kishte duart e zëna me pjatat. Por hoqa dorë. Në vend të maces, mora një tjetër shishe vere te ai sergjeni që kisha zbuluar vetë dhe shkova ne dhomë.

Ende vazhdoja të kthehesha nga të gjitha anët në shtrat, pa mundur të gjej rehat, kur pashë se edhe Jakobi hyri në po atë dhomë dhe u shtri të flejë me gjithë rroba në shtratin ngjitur. Nuk po shkon të flesh me gruan lart, e pyeta duke u ngritur ndenjur. Duket se ai e mori keq, sikur i thashë se po qe se nuk shkon të flesh ti me të, po shkoj unë. Se vetëm kështu e shpjegova që edhe ai u ngrit menjëherë. Nuk është gruaja ime, më tha duke u përpjekur të më shquajë mirë në errësirë për të kuptuar se çfarë mendje kisha. Po nuk ka burrë ajo, e pyeta, se gjithë ato kalamaj që pashë… Tre, tha ai, ka vetëm tre kalamaj të edukuar dhe të tre i ka bërë me një burrë që dy vjet më parë iku bashkë me një pelegrinkë nja dhjetë vjet më të re. Iku e nuk është kthyer më.

Ndjeva një turbullirë të madhe në kokë, atë turbullirën e njohur kur mëson se rendi që ke ndërtuar me aq mundim në mendje dhe me të cilin gjykon botën që të rrethon, nuk është aspak ai i duhuri.

E mblodha veten shpejt dhe u ngrita të shkoj në kuzhinë, i sigurt se Jakobi po më ndiqte me kujdes, se mos ndërroja drejtim e shkoja më tutje. Mora një shishe tjetër te sergjeni dhe e lashë midis dy shtretërve tanë. Ndërkohë që po kërkoja me duar mbulesën time, që të rehatohesha disi, Jakobi zgjati dorën, mbërtheu shishen nga gryka e nisi ta rrëkëlleje me nge në gurmazin e tij. E prita me durim dhe frikë se mos asfiksohej, por ndërkohë përpiqesha të kuptoja se nëse nuk ishte burri i të zonjës së shtëpisë, cili ishte ky njeri dhe çfarë dreqin bënte aty?

Në të vërtetë nuk doli të ishte punë mjaft e ngatërruar. Ai më kërkoi të shkoj të marr edhe një shishe tjetër dhe vetëm pasi e boshatisi edhe atë, më shpjegoi se edhe ai ishte pelegrin si unë. Kishte vajtur në Santiago te katedralja e shenjtit, por ndryshe nga shumë të tjerë, kishte vendosur të kthehej po me këmbë në Filipvilë të Belgjikës, qyteti ku banonte. Veçse duke u endur maleve për muaj të tërë, atij nuk i kishte mbetur as edhe një kacidhe në xhep. Dhe prej tij mësova se kur dikush nuk kishte me se të paguante, pronarët e bujtinave familjare pranonin që në këmbim të fjetjes dhe ushqimit ai të punonte gjatë ditëve të qëndrimit aty. Të paguante me punën e tij, pra.

Jakobi më kërkoi të shkoj të marr edhe shishen e fundit, të cilën para se t’ia lë atij te këmbët, u kujdesa ta zbraz gjysmën në grykën time. E megjithatë ajo nuk ndikoi fare për të ma fashitur sadopak tronditjen që më kishte shkaktuar rrëfimi tij. Kisha një si parandjenjë që isha kthyer mbrapsht në kohë dhe kisha prekur me duart e mia një forme skllavërie. Në mos nga ajo e kohëve të lashta fare, të paktën qe fjala për një formë bujkrobërie mesjetare. Jakobi fatkeq duhej të punonte në atë shtëpi, jo për një rrogë, jo për të ushqyer kalamajtë dhe blerë një fustan të bukur për gruan e tij dhe një palë çorape për babain plak, por për një kafshatë bukë. Hiç më shumë! Ishte diçka që e kisha të vështira ta pranoja se ndodhte në shekullin tonë. Atij nuk i thashë asgjë për të mos e rënduar, por së fundi e kisha kuptuar përse-në e gjendjes së tij të përzishme.

Mendova ta pyes të paktën për sa para kishte nevojë dhe t’i jepja menjëherë shumën e duhur, për ta çliruar, veçse druhesha se kjo do ta fyente. Natyra e tij e mbyllur duhej të qe edhe shprehja e një karakteri të vështirë e të ndjeshëm që mund ta merrte gjithçka për keq. E megjithatë e ndjeja se duhej të bëja diçka.

Ideja që po flija pranë një skllavi bëri që nata të më dukej fort e gjatë dhe në fill të orëve  m’u bënë lëmsh periudhat historike dhe zhvillimet sociale të shoqërisë njerëzore. Më dukej se sa herë lëvizja në shtrat për të shtriqur këmbët, ekzistenca ime shtrihej sa në kohën e Neronit aq edhe në atë të bejlerëve të Myzeqesë që për të kaluar moçalet, u hipnin në qafë fshatarëve të butë të atyre anëve para shtëpisë se të cilëve qëllonte që u thyheshin rrotat e qerreve.  Më dukej se çdo orë që kalonte aty, Jakobi përvëlohej nga malli të shikonte të afërmit e tij, por e kishte të pamundur të vraponte drejt tyre pa shlyer atë kafshatë bukë që kishte ngrënë. Dhe për këtë lante enët, ushqente macen e shtëpisë e kushedi ç’punë të tjera. E kotë të them se sa e papranueshme ishte kjo për etikën time.

Në mëngjes nuk e preka fare tasin e kafesë që Jakobi kishte lënë për mua në tavolinë, para se të shkonte të dërgonte kalamajtë në shkollën e fshatit. Prisja me padurim të shihja të zonjën e shtëpisë. Kur së fundi e dëgjova të zbriste shkallët, u ngrita në këmbë dhe i kërkova të flasim veç. Ajo ndaloi te dera e kuzhinës. Pse veç, më tha, këtu nuk ka njeri tjetër veç nesh. Dhe me lëvizje të matura, por me shumë hir, mbushi një filxhan kafeje për vete dhe u ul përballë meje. Po të dëgjoj, më tha. Zonjë, sa më duhet t’ju paguaj, që ta lironi skllavin tuaj, i thashë ftohtë, por duke e parë me ngulm në sy, si për ta penguar të hartonte shifra marramendëse në mendjen e saj, që do të kishin për efekt të më kthenin edhe mua në gjendjen e Jakobit. Dhe kjo m’u duk një strategji e suksesshme. Jo ndonjë gjë të madhe, tha ajo, ai nuk është skllavi im, mund të ikë kur të dojë. Dëgjo, zonjë i thashë, këtë nuk mund të pranoj. Këndej kalojnë aq shumë pelegrinë dhe po qe se ju do t’i ushqenit të gjithë falas… Prandaj po ju flas sinqerisht, më thoni sa më duhet t’ju paguaj që Jakobi të ketë të drejtë të shkojë e të takojë gruan e tij. Ka grua, më pyeti menjëherë ajo. Këtë nuk e di, i thashë, në mos grua do të ketë dikë tjetër që e pret, mbase nënën ose babain që mund të jenë në shtratin e vdekjes dhe nuk u del shpirti pa parë të birin. Më thoni, pra, sa ju detyrohem për të!  Ajo buzëqeshi. Më pyesni seriozisht, tha. Po, ia ktheva me vendosmëri.

Jakobin e pashë që larg të kthehej nga shkolla e fëmijëve dhe nxitova t’i jap lajmin e gëzuar, t’i them se nga ai çast, ai ishte i lirë të nisej në shtëpi të tij. Veçse m’u duk se nuk më kuptoi mirë. Atëherë i shpjegova se kisha rregulluar gjithçka me të zonjën e bujtinës (nuk i thashë se kisha negociuar gjatë për çmimin e lirimit të tij) dhe ai nuk kishte më asnjë detyrim të vazhdonte të rrinte ngulur aty. Po ti, kush je ti, më pyeti ai. Si kush jam unë? Kemi gjithë natën që bisedojmë bashkë dhe sot në mëngjes më pyet se cili jam?

Ai ngriti sytë nga dritarja se mos na shihte e zonja e shtëpisë dhe më tërhoqi fort nga krahu, nën gjethet e një pjergulle. Kush ta dha ty drejtën të bisedosh për mua, më pyeti kërcënueshëm. Gjendja jote, Jakob, i thashë seriozisht. Nuk mund të jem i qetë kur dikush që kam pranë vuan mungesën e lëvizjes së lirë. Nuk po të marr vesh fare, ia bëri ai duke ndjerë vështirësi frymëmarrjeje, ti nga ke ardhur këtu që të më çash trapin mua? Nuk e kuptova se çlidhje kishte kjo, por i tregova menjëherë se nga ishte origjina ime. Ke ardhur që nga Birmania të fusësh hundët në jetën time, bërtiti prapë ai. Desha t’i them se nuk ishte fjala tamam tamam për Birmaninë, por ai që nga ai çast nuk më la më të shqiptoj as edhe një rrokje. Nuk ke sy të shohësh, se këtu më duan të gjithë veç asaj, ulëriu me sa kishte në kokë. Nuk e ke vërejtur se fëmijët lozin e kërcejnë me mua si të isha i ati tyre, nuk e ke vënë re se macja nuk më largohet nga supi? Nuk ke sy të shohësh se vetëm pak ditë kam këtu dhe qeni i shtëpisë nuk pranon ta hajë veçse nga dora ime? I shikon ti të gjitha këto?

Kur mendova se erdhi një çast që nuk mund ta ngrinte dot zërin më lart se aq dhe do të rendte në kuzhinë të merrte atë hanxharin me të cilin preu sallamin, Jakobi u lëshua në sofat dhe mbërtheu kokën midis dy duarve të tij. Nuk e dëgjova të qajë, por nga mënyra se si i shkundej trupi, nuk duhej të ishte larg.

Hodha çantën time në kurriz dhe gati si në majë të gishtërinjve, u nisa të vazhdoj rrugën time të gjatë.

Prangat nganjëherë nuk duken, thashë me vete, ndërsa kalova tutje oborrit të shtëpisë, por kjo nuk të bën më pak skllav. Vetëm atë çast i rashë në të se jo marrëveshja ime me të zonjën e bukur të shtëpisë, por edhe ari i të gjithë botës nuk do të mund ta shpëtonte Jakobin nga skllavëria ku kishte rënë.

(c) 2019, autori.

16 Komente

  1. Mbyllja e rrefimit:

    “Prangat nganjëherë nuk duken, thashë me vete, ndërsa kalova tutje oborrit të shtëpisë, por kjo nuk të bën më pak skllav. Vetëm tani i rashë në të se jo marrëveshja ime me të zonjën e bukur të shtëpisë, por as ari i të gjithë botës nuk do të mund ta shpëtonte Jakobin nga skllavëria ku kishte rënë.”

    Meqe rrefimin e ke ne vete te pare, po te drejtohem ty si autor, perndryshe do t’i isha drejtuar heroit shpetimtar te tregimit. A te ka ndodhur ndonje here qe dikushi me qellimin me te mire, qe duke menduar se po te ben ndonje te mire, te beje dicka qe per ty jo vetem nuk eshte e mire, por mund te jete e bezdisshme, e panevojshme, ose edhe e demshme? Pas kesaj mund edhe te ndodhe qe ai tjetri te habitet se si ti nuk je mirenjohes per te miren ( e pakerkuar). Ne kete rast atij/asaj mund edhe ti shkoje ne mendje qe sheh pranga qe ti nuk i sheh. Ne kesi rastesh, megjithate nuk dihet si eshte e verteta, a ka pranga me te vertete qe ti nuk i sheh dhe ai qe perpiqet t’i kepuse i sheh, apo nuk ka ndonje prange reale gjekundi dhe ato jane ne fantazine e shpetimtarit.

    1. Po te ishim ne fushën e psikologjise, te studimit te sjelljes se nje individi a grupi ne nje rrethane te caktuar, nuk do t’i lëvizja asgjë ndërhyrjes tende. Ne letërsi per mua nuk funksionon e njëjta logjike. Nuk ka asgje ne kete tregim qe mund te lejoje te kuptosh se gjithçka do te “pritet holle” nga narratori, nuk eshte aty qellimi. Ate vete te parin, autori nga ana e tij e trajton me nje fare ironie qe ne fillim, duke i veshur tiparet romantike e pak te dala kohe, te atyre qe u ngriten dikur kunder skllavërisë (por me dy shekuj vonese). Dhe prej ketu ngrihet pyetja: a trajtohet subjekti ne përshtatshmëri me aq sa kupton ky narrator dhe a jepet “zgjidhja” ne përputhje me aq gje? Besoj se nuk eshte gjithnjë e nevojshme qe personazheve t’u vishet koeficienti intelektual i Stephen Hawking-ut. Gjithsesi tregimi i mesiper “aq mban”. (
      Ne rastin e pyetjes suaj, besoj se nje situate e tille u ka ndodhur te gjithëve ne jete, ndërkohë qe ne letersi ajo eshte sublimuar me ate qe njihet si komedi keqkuptimesh, qe ka dhene disa nga veprat me te medha letrare.

      Jashte këtyre versioneve, kur autorit i qellon here pas here te kaloje atyre aneve (se mbasi ben pelegrinazhin e pare, nuk ndalesh me kurre), ai gjen kohe te kthehet ne ate bujtine per te pire nje kafe ne prani te nje familjeje te madhe e te lumtur, qe ne France e quajnë edhe “familje e kompozuar” sepse edhe ai miku kishte nje vajze te vogel ne Belgjike, qe tashme i është bashkuar atyre.

  2. Krejtesisht dakord, pergjigja juaj eshte ajo qe shpresoja. Perndryshe… nejse nuk ia vlen me te shkojme tek perndryshja, sepse mund te fillonim ndonje komedi keqkuptimesh. Flm.

  3. Mua shkrimi më pëlqeu shumë. Në konceptin modern, dhe sidomos pas eksperiencës amerikane me skllavërimin e popullsive afrikane, vetë skllavëria identifikohet jo pa të drejtë më dhunën e pastër, dhe jo aq me aktivitetet njerëzore që e privojnë njeriun nga liria.

    Por, në konceptin politik dhe filozofik që nga Platoni tek Makiaveli ka qënë dashuria për jetën, dhe mungesa e guximit për ta riskuar atë për dicka të epërme, që është konsideruar si shënjë e pastër skllavërimi.

    1. L.A. une e marr me qejf si te vertete kete qe thoni ju, por per mua mbetet nje tregim dashurie. E verteta eshte se gjithmone kete teme e kam trajtuar diku gjetke, ne oret e saj te zymta, te point break dhe asnjehere aty ku lind.

      U ndodha nje here ne nje avant premiere te nje filmi ne France dhe per t’i respektuar ata qe me ftuan u ngrita dhe thashe dy fjale.Ne fund afrohet regjisori dhe me thote se ç’ishte e verteta asnjehere nuk i kishin shkuar ne mendje interpretimet e mia, por tha, faleminderit prej teje se tani e di se çfare te them per ca kritika qe me behen. Degjo, i thashe, une vij nga nje kulture marksiste, dua nuk dua, dhe me kete rast i citova nje thenie te Engelsit (qe ne fakt ai eshte filozofi i vertete se Marksi mbetet ekonomist dhe estet): shpesh here ne nje veper rezulton te shohim krejtesisht tjeter gje nga ajo qe autori mendon se ka shprehur (me duket se po fliste per nje roman te Eugen Su-se). Prit pak, me tha ai, do ta mbaj edhe kete shenim!

    1. Alba, kjo nuk perjashtohet, por nje mundesi e trete eshte se mbase shpresonte qe prangat e reja (qe po i kerkonte vete) te ishin ca me te lehta se ato qe kishte njohur deri atehere. Shkurt, bente ate qe bejne te gjithe ne nje çast a ne nje tjeter, kerkonte ekuilibrin e pranueshem.

      1. E thashe kete sepse diku lexova se pasi u hoq skllaveria ne SHBA pati skllever qe u kthyen tek pronaret .Te lire nuk ishin ne gjendje te mbijetonin.

  4. Nuk ishte qëllimi im tua “bëja pis”… Ne asnje menyre nuk e mora keshtu, perkundrazi nuk isha i sigurte nese rrefimi im meritonte interpretimin tend.

    1. E thashë në thonjëza. Mund ta kisha thënë edhe si “kontaminim”, në vënd të “bëj pis”.

      Por në mëndjen time një vepër artistike është e mirë kur meriton më shumë se një interpretim. Vepra në fjalë ndoshta meriton si interpretimin tim ashtu edhe atë të komentuesve të tjerë këtu, të cilëve u ka provokuar sensibilitete të tjera. As ato nuk mu dukën të pamerituara

  5. Një pjesë nga Seneca’s De Tranquillitate Animi:

    Diogenes’s only slave ran away from him, and when he was pointed out to Diogenes, he did not think him worth fetching back. “It is a shame,” he said, “that Manes should be able to live without Diogenes, and that Diogenes should not be able to live without Manes.”

  6. Dasho, me pelqeu shume tregimi. Do te doja te lexoja dhe te tjera prej teje. komentet per “skllaverine” kane hikur ne drejtim krejt tjeter. E vetmja artifice, sipas meje, pra subjektive kuptohet, eshte zhbirilimi yt, sipas meje jo i sinqerte, per te kuptuar Jakobin pasi u mor vesh qe ai s’ishte i shoqi i bujtineshes se bukur. Nuk e di por aty u bera gati te prisja ndonje horrllik shqiptari…sepse dukej se te kishte kapur nje dalldi e tille…mekat, te ka mbetur merak besoj.
    Edhe nje here me pelqeu shume pena jote. Ndersa cinizmi ne pergjigje te komenteve, jo vetem ne kete rast, nuk ka qene tendi ne vitet qe te kam njohur.

    1. Lec, po me ve ne siklet se u kthehem poshte e perpjete nderhyrjeve me siper dhe nuk gjej ndonje gje te qortueshjme te vetja, aq me pak cinike.

  7. Te kalosh (vertikalisht) nga skllaveria antike, tek bujkroberia mesjetare, e me pas tek skllaveria e sotme moderne, gjithashtu te kalosh (horizontalisht) nga idete e komunitetit “primitiv” tek ato te lirise “absolute” te individit, pervec ketyre te pershkruash edhe dimensionin e trete te natyres (njerezore, ne kete rast), dhimshurise, perkushtimit, dashurise, te gjitha keto ne nje tregim, i ke thene te gjitha. Ndoshta ndaj tregimi eshte terheqes dhe mjaft i bukur.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: