HA E MOS BAJ ZA

Artan Fuga proteston, te një shkrim i përcjellë nga TemA, për vëmendjen e tepruar që po u jepet në Tiranë zgjedhjeve në Kosovë.

“E çfarë rëndësie ka se kush zgjidhet a nuk zgjidhet kryeministër i Kosovës!” thotë ai. “A thua se u caktua trashëgimtari a trashëgimtaria e mbretëreshës së Anglisë!”

(Fotografia e autorit, në faqe, zë më shumë vend se shkrimi, i cili nuk kuptohet se ç’është dhe nga është marrë.)

Në vështrim të parë, ndërhyrja tingëllon absurde: se kush do të bëhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës ka rëndësi objektive – për shumë konsumatorë të informacionit, edhe në Shqipëri.

Fuga vazhdon:

“një këngë e mirë, një dramë e mirë e vendosur në skenë, një studim i mirë ka mijëra herë më shumë rëndësi se emërimi i një kryeministri.”

Për këtë ia vlen të diskutohet. Por kryeministri emërohet me bisedime, marrëveshje dhe vota; ndërsa këngën e mirë, dramën e mirë, studimin e mirë etj. sot nuk ka kush ta nxjerrë në pah – sepse kulturës sonë ia kanë eliminuar autoritetet.

Dhe një vepër arti a një studim i mirë nuk mund të zgjidhen me votën e popullit; as të shoshiten nga po ato media që merren me zgjedhjet në Kosovë; dhe as të sinjalizohen me parathënie.

Fuga kam përshtypjen se rreh tjetërkund: te monotematika e informacionit, ose “politika në plan të parë”, siç e quanin dikur. Ai do të ketë marrë mbrëmë telekomandën dhe do të ketë vënë re se në çdo kanal televiziv flitej për rezultatet e zgjedhjeve në vendin fqinj.

Interesi është vetvetiu i shpjegueshëm; ekzagjerimi pështjellon.

Se këtu ka diçka që nuk shkon. Interesi për bashkëkombasit në Kosovë është një gjë, por paroksizmi një gjë tjetër.

Ata që janë të papunë e të deprimuar, që nuk kanë para t’u paguajnë fëmijëve shkollën e lartë, që nuk u vjen uji, që janë të sëmurë por nuk paguajnë dot ilaçet… nuk është se e vrasin fort mendjen për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës. Lotaria amerikane me siguri i tërheq më shumë si argument.

Me fjalë të tjera: informacioni që japin mediat është qëllimisht difuz, qëllimisht i pashënjestruar.

Shtrohen çështje me të madhe, por pa ndonjë ngulmim për t’i thelluar. Edhe diksioni i folësve të lajmeve, në TV, është i tillë që të shenjojë distancim dhe enigmë; a thua se askush nuk shpreson dot se ngjarjet mund edhe të shpjegohen ndonjëherë a diku.

Rrallë dëgjoj lajme në TV shqip; por kur më qëllon, gjithnjë më duket sikur këta gazetarë u qasen ngjarjeve me pasionin intelektual të një telekronisti sportiv: rëndësi ka që gjërat të mos mbeten pa u pikturuar me fjalë – jo organizimi i tyre në një sintaksë aksioni çfarëdo.

Duke i njësuar tematikat, mediat në fakt ia imponojnë publikut axhendën e vet; në kuptimin që i detyrojnë të gjithë ata që duan të marrin vesh se ç’bëhet, të ndjekin një lajm të caktuar – të zgjedhur sipas kritereve jo dhe aq transparente.

Mediat, pra, rregullisht zgjedhin të vënë politikën në plan të parë; dhe brenda politikës, çështje të pushtetit dhe të kuadrit.

Ajo çfarë ndoshta ka ndier Fuga, është që publiku nuk e ndryshon dot këtë; është i vënë me shpatulla për muri. Nuk ka alternativë. Ose alternativat i ka të rreme.

Dhe unë tani pyes: pse nuk e ndryshon dot publiku këtë?

Fare thjesht: sepse publiku vërtet paguan diçka (një abonim në Internet ose në një paketë televizive dixhitale) që të marrë informacion, por nuk paguan dot për të marrë këtë dhe jo atë informacion.

Në masën dërrmuese, informacioni ofrohet falas; ose mbase duhet të them: “falas.” Publiku e “paguan” këtë informacion falas duke hequr dorë nga e drejta (liria) për të zgjedhur.

Në periudhën totalitare, pamundësia për të zgjedhur mes alternativave ishte integruar në sistem. Sot kjo pamundësi vjen e kamufluar si “pluralizëm” kanalesh dhe burimesh (me dhjetëra kanale televizive, portale Interneti, uebsajte gazetash dhe gazetarësh, etj.) – edhe pse lajmet në thelb riciklohen nga një burim tek tjetri.

Këtu Fuga mund të kish pyetur – dhe mbase ka pyetur vërtet: kush i zgjedh vallë lajmet që i shërbehen publikut, po të njëjtat, nga qindra burime dhe të futura në mes qindra reklamash të ndryshme?

Kush e vendosi që, meqë jemi në temë, informacioni për zgjedhjet në Kosovë duhej të zinte kryet e vendit, siç ankohet Fuga?

Publiku ka fare pak në dorë në këtë mes, sepse publikun nuk e pyet njeri. Ndryshe nga konsumatori pagues i shtypit dikur, që e ruante të drejtën elementare për t’i kërkuar përgjegjësi burimit të informacionit, publiku sot, i nginjur me informacion falas, nuk ka kujt t’i kërkojë përgjegjësi, sepse askush nuk i detyrohet asgjë.

Kujt i intereson, sa për të sjellë një shembull, lajmi që Lukaku do të luajë (a nuk do të luajë) këtë të diel, i rimarrë nga çdo faqe Interneti shqip që më del përpara? Të ketë kaq shumë ndjekës të Lukakut në Shqipëri? Apo vallë të jenë interesat e kanaleve televizive që transmetojnë ndeshjet e kampionatit italian të futbollit, apo të Champions League?

Ndonjëherë të japin këtë shpjegim: “epo, me diçka do ta mbushin.” Mua më pëlqen ky shpjegim. Sepse pikërisht materialet e përdorura për mbushje, të japin një ide se çfarë qarkullon lirisht në tregun e informacionit.

Një tjetër gjë që me siguri e shqetëson Fugën, është natyra efimere e lajmit; ose fakti që informacioni nuk ruhet më (edhe pse magazinimi i informacionit – storage – kurrë nuk ka kushtuar më pak se tani). Sot është më lehtë të gjesh një artikull të botuar në gazetën “Liria kombëtare” në vitin 1926, se një artikull të botuar, bie fjala, në gazetën “Shekulli” në vitet 2000-2010 (unë kam pasë botuar te kjo e fundit op-eds rregullisht; me qindra shkrime të miat që sot nuk i gjen më). Mjetet e informacionit masiv qëllimisht e refuzojnë funksionin e arkivit: duke u dhënë artificialisht materialeve që përcjellin karakteristikat e atyre mesazheve që vetë-shkatërrohen; ose më mirë, duke përqafuar atë që e kanë quajtur planned obsolescence; në kuptimin që virtyti për t’u avulluar dhe zhdukur pa lënë gjurmë brenda pak ditësh madje ia shton vlerën një lajmi, meqë ashtu i hapet vend lajmit pasues, gjithë duke u mënjanuar precedenca të pahijshme.

Çfarë nuk duhet ngatërruar me uebsajtet dhe portalet e vdekura, të cilave u ka ndalur zemra, njëlloj si atyre orëve mekanike, në çastin e katastrofës: “do t’u kenë mbaruar paratë,” të thonë.

Shumësia e kanaleve, burimeve dhe portaleve të informacionit vjen kështu vetëm si iluzion i pluralizmit; sepse përfaqëson një shumësi interesash private të pronarëve, etj.; por jo të publikut vetë. Si efekt pervers i këtij iluzioni, publikut mund t’i krijohet bindja se përtej kakofonisë informative nuk ka asgjë tjetër që të meritojë vëmendje. Ngado që të kthehesh, lajmit për Lukakun nuk i shpëton dot.

Po të kish pasur më shumë nge, Fuga mbase nuk do të kish lënë pa vënë në dukje edhe që, sado që lajmet për zgjedhjet në Kosovë dhe debatet për kryeministrin e ardhshëm praktikisht ia kanë bllokuar publikut horizontin informativ, sërish ato lajme, debate dhe analiza – të paktën në masë të madhe – nuk e ndihmojnë publikun të kuptojë më mirë zhvillimet politike atje dhe të orientohet përballë propagandës, gënjeshtrave, fake news dhe bullshit-it nga public relations; por, si rregull, e pështjellojnë publikun edhe më keq. Informacion mbase ende ka, por informacionit nuk i del zot më askush. Aq më tepër kur një pjesë e mirë e lajmeve prodhohen nga zyrat politike ose nga gazetarët vetë. Le të mos kemi iluzione: mediat nuk kanë aq synim (nuk po them mision se nuk dua t’ia lëndoj kujt bon sensin) të informojnë, sa ç’kanë synim të bëhen pjesë e aksionit politik.

Kjo mbase edhe do t’i jepte një përgjigje, sado të brishtë, vajtimit të Fugës që “politika i ka marrë vendin artit, letërsisë, shkencës, fesë, filozofisë…”

Jo për gjë tjetër, po ngaqë politika është në vendin e vet; dhe në vendin që ia ka bërë vetes. Që nuk flitet më për art, shkencë, fe dhe filozofi, kjo më shumë ndodh ngaqë politika dhe interesat e të fuqishmëve nuk besojnë se mund të nxjerrin ndonjë gjë nga arti, shkenca dhe të tjerat preokupime të holla (franceze) të Fugës. Kush vallë ka akoma shpresë se, në portalet, vendin horoskopit do t’ia zërë një ditë astronomia?

Sa për publikun, nuk më mbetet veç të shtoj se informacioni është tepër i vyer, për t’u marrë i tëri falas; në kuptimin që ti, që nuk paguan për t’u informuar, në të vërtetë je duke paguar me dizinformim. Ndërkohë, është rritur brezi ndoshta i parë, që nuk e kupton mirë ç’do të thotë ta blesh informacionin ose ta ushtrosh të drejtën tënde për informim përkundrejt një pagese; ta blesh informacionin jo ngaqë edhe ata që informojnë kanë nevojë për mjete jetese; ose ngaqë është më mirë që t’i marrin paratë prej teje, se prej interesave pak a shumë okulte; por edhe ngaqë, duke paguar, ti i jep informuesit tënd përgjegjshmëri.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi në media të tjera.

4 Komente

  1. Jam dakort me shkrimin e Fugës, vetem ne pjesen kur flet për rëndësine që i duhet dhene hapesires se artit ne vend te politikes ne televizion gjithashtu jam plotesisht dakort me shtjellimin qe i behet ketu gjendjes se informacionit dhe hapesires televizive Shqiptare.
    Vetem mendoj se mungon diçka pa u sqaruar; perse Fuga mendon qe shqiptareve duhet t’i interesoje trashegimtari/ja e mbretereshes se Anglise me shume se zgjedhjet ne Kosove? Kosova ne fund te fundit eshte realitet i prekshëm i yni, ngjarjet e se ciles duhet te na interesojne, ndersa trashegimtari i fronit te anglise, perveç nje lloj ceremonialiteti formal, nuk ka rendesi praktike as per anglezet vete (ne cdo tabloid apo gazete prestigjoze angleze hiq ato te show bizit gjen shume me shume hapesire per Boris Johnson, Corbyn e Brexit sesa per familjen mbreterore).
    Çfare dua te them eshte qe po, jam dakort qe artit dhe kultures i duhet dhene shume me shume hapesire dhe rendesi sesa politikes tone qe nuk eshte politike, por ka ngjarje politike qe duhet te kene rendesine dhe hapesiren e tyre. Per mua me mire do te ishte te shikoja ne nje televizion shqiptar dokumentare mbi Anarkistet ne luften civile te Spanjës, vepren e Passolinit, arkitekturen Inkase, ndikimin qe pati “Pittura Metafisica” ne Surrealizem etj. Por gjithashtu do te me interesonte shume me shume te ‘tej’informohesha mbi fatin e Kosoves sesa te humbja 2 ore duke pare ceremonine e kurorezimit te trashegimtarit/es te fronit britanik, qe perveç nje kozmopolitizmi te zbrazet dhe nje lloj mondaniteti gati patetik, nuk përçon asgje tjeter.

  2. Gazeta tema nuk para i jep fuges hapesire, por kete radhe pse flet kunder VV i merr shkrimin nga facebook. Kur ta marre vesh Fuga, do i hipi inati.

  3. Në fakt çdo Shqiptar i mirë, pavarësisht nga bindjet politike, duhet t’i ketë vlerësuar zgjedhjet në Kosovë, jo vetëm si shumë të rëndësishme, por edhe estetikisht të këndëshme. Duke filluar mga dorëheqja fisnike e Haradinajt, deri tek rotacioni po aq i kulturuar dhe fisnik. Kjo sa për të sqaruar mendimin tim mbi zgjedhjet në Kosovë, por jo për të irrituar edhe më shumë Fugën
    Por, si për dreq u ngula sot para ekranit online me disa debate në studio televizive. Të gjitha rreth krizës politike shqiptare.
    Më duket se humba gjysmën e qelizave të trurit. S’ka shpresë. Nuk më bën derman as muzika.

Lini një Përgjigje te L.A.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin