WRONG FLOOR

Më 6 shtator 2018, Amber Guyger – në atë kohë oficere e policisë në Dallas (TX) – u fut në apartamentin e Botham Jean, llogaritar në një firmë auditimi, dhe e qëlloi të zotin e shtëpisë për vdekje, teksa ky po hante akullore.

Arsyeja e kësaj katastrofe: apartamenti. E rraskapitur pas një dite të gjatë pune, Geyger parkoi makinën në katin gabim, kaloi në korridor dhe kur arriti tek dera “e vet”, filloi të dyshonte se diçka nuk ishte në rregull, ngaqë e gjeti pak të hapur.

Botham Jean

Shqoi pastaj në gjysmerrësirë një siluetë, i bërtiti që “të tregonte duart” tek nxori pistoletën nga këllëfi, por kur tjetri filloi të thoshte “hej, hej, hej,” me zë të lartë, Amber hapi menjëherë zjarr.

Vetëm pasi Botham kish rënë përdhé dhe po jepte shpirt, Amber e kuptoi se nuk gjendej në apartamentin e vet, por në një apartament një kat më lart.

Pse-të e këtij aksidenti nuk kanë të sosur.

Hetuesit sqaruan se Amber, për të arritur tek apartamenti “i vet”, kish ecur përgjatë një korridori me 16 dyer apartamentesh – e megjithatë nuk e kish vënë re se nuk ishte në katin e duhur.

Hetuesit gjithashtu mësuan se, 93 banorëve të tanishëm të pallatit u kish qëlluar, në rrjedhë të viteve, të parkonin në katin e gabuar; dhe 46 banorë, në një nga dy katet e përfshira në këtë katrahurë, kishin provuar, të paktën një herë, të hynin në një shtëpi që s’ishte e tyrja.[1]

Me sa duket, arkitektura e pallatit dhe e vend-parkimit i pështjellonte banorët; me gjithë përpjekjet për zgjidhje praktike (me “kate parkimi”). Jo “makinë për të jetuar në të”, siç do të thoshte Le Corbusier (“a house is a machine for living in”), por “makinë për të vrarë me të” (“a machine for killing with”).

Përtej metaforave, në ngrehina të tilla, shpesh labirintike, armiqësore dhe pa pika të qarta referimi, njeriut s’i hyn më në punë sensi normal i orientimit.

Vend-parkimet janë të njëjta, vazot me lule të njëjta, ashensorët të njëjtë, llambat të njëjta, korridorët të njëjtë, dyert të njëjta; të lyera me të njëjtën bojë siç e lypin rregullat dhe kondicioni urban post-modern i mjedisit të shumëfishuar mekanikisht, ku i vetmi kontekst tërësisht i identifikueshëm është vetja (vetëdija).

Për të shkuar në shtëpinë e vet, njeriut s’i mbetet veçse të memorizojë një varg udhëzimesh specifike. Të ndjekë shigjeta dhe të lexojë numra, si të ishte në një stacion treni, spital a aeroport.

Antropologu frëng Marc Augé e pat formuluar konceptin e jo-vendit (fr. non-lieu), për hapësira si hotelet e mëdha, supermarketet, aeroportet, qendrat komerciale, autostradat – si vende transiti, që imponojnë anonimitet. Janë vende që, për t’u orientuar, duhen lexuar – sepse komunikojnë me ty nëpërmjet shenjave.

Por edhe një pallat banimi mund të përçudnohet në një non-lieu. [2]

Atje ku syri dhe veshi nuk vijnë më në ndihmë, vendin orientimit intuitiv ia zënë koordinatat – të gjesh shtëpinë tënde çdo ditë, si ai udhëtari i shkalafitur gate-in në një mega-aeroport.

Pallati ku jetonin Amber-i dhe Botham-i ishte katandisur, në fakt, në hartë.

Në kontrast dramatik me këtë gjeometri hiper-moderne të vendbanimit bie vendimi i viktimës, Botham, për të mos e kyçur derën e apartamentit të vet.

Jemi mësuar me klishe morale, për ca mëhalla idilike kaq të sigurta ndaj krimit, ku banorët “i lënë dyert e shtëpive hapur.” Por të hysh në apartamentin tënd, në një hapësirë abstrakte si pallati në fjalë, dhe ta lësh derën megjithatë të hapur, është tjetër gjë.

Jo aq gabim, sa refuzim i të jetuarit në paranojë. Pa çka se ky refuzim i kushtoi jetën Botham-it.

Pa e ndezur as dritën, ky ish rehatuar në divan, kish ndezur televizorin dhe po hante akullore nga tasi, në qejf të vet; mishërim i relaksimit, përballë vrasëses që mbase edhe po ia dëgjonte hapat në korridor.

Apartamentet e këtyre të dyve ishin njëri mbi tjetrin, por jetët nuk u ishin takuar kurrë deri atëherë. Kishin dëgjuar kollitjet, këpucët, rënkimet e njëri-tjetrit; përpëlitjet e tjera të jetës së përditshme në hapësira identike – por kishin mbetur megjithatë po aq larg, sa po të jetonin në qytete të ndryshme; po ç’them, në shtete të ndryshme, në kontinente të ndryshme.

Si oficere policie, Amber-it ia kërkonte profesioni të ruante një nivel të caktuar paranoje; të përkthyer në vigjilencë. Një qytetar i zakonshëm, i futur në apartamentin e gabuar, do t’i kish thënë tjetrit: “Kush je ti? Çfarë po bën?” – duke e sulmuar, si të thuash, me fjalë. Pyetje në vend të plumbave.

Por Amber vjen nga një profesion ku mund edhe të komunikosh duke qëlluar me armë.

Policja nga Dallas-i është e bardhë, madje bjonde (e bardhë dyfish); viktima Bothan ishte i zi, nga Karaibet. Polici i bardhë që vret një afrikan-amerikan: a nuk e kemi ndeshur pak më shpesh se ç’e mban mendja, këtë farë fabule?

Raca mund të ketë luajtur rol në paranojën e Amber-it, në frikën e saj jo dhe racionale mos i kish hyrë një i zi “keqbërës” në apartament; siç mund të ketë luajtur rol edhe në shkujdesjen e Bothan-it nga Karaibet, që e pat harruar derën e apartamentit të hapur; por kësaj vrasjeje i shkojnë rrënjët më thellë se raca.

Atje ku Amber u ndie e super-rrezikuar, Bothan-i ish ndier tepër i sigurt, i mbrojtur ndaj së keqes; madje përtej së keqes.

Të dy kërkonin siguri në foletë e tyre; por Amber paskësh qenë gati ta mbronte hapësirën personale me armë, ndërsa Bothan as që e përfytyronte brishtësinë e së vetës.

Por, në analizë të fundit, kjo është një histori me dy “intruders”: ai i supozuari, që e pagoi këtë me jetë; dhe intruder-i real, që kish qenë vetë Amber-i, edhe pse pa e ditur.

Për Borges-in, do të kishin qenë i njëjti person; dhe dy apartamentet e tyre, aq identike, i njëjti apartament; dhe vrasja vetëvrasje.

Në gjyq, e pandehura tha, e penduar mes lotëve, se “do të doja që ai plumb të më vriste mua.”

Gjykata e dënoi ish-oficeren e policisë në Dallas me 10 vjet burg. Një raport për gjyqin dhe më shumë mund ta lexoni këtu.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Te një pallat ku kam jetuar për disa vjet në NYC, më ka qëlluar edhe mua, të paktën një herë të provoj të hyj në apartamentin poshtë timit; kjo ngaqë ashensori është ndalur në katin e gabuar. Për fat të mirë, kjo ngatërresë nuk është shoqëruar me humbje jetësh.

[2] Ta lëmë derën hapur pasi hyjmë – ja një gabim që e bëjmë shpesh, në apartamentin tonë. I vetmi ngushëllim: personi që jeton sipër nesh nuk është polic, dhe poshtë nesh nuk jeton njeri.

26 Komente

  1. Denimi duhet te apelohet per e pakta 28 vjet sa kerkoi prokurori.perdorimi i forces vdekjeprurese eshte ne rastet kur je ngecur ne nje situate pa rrugedalje .ne kete rast ai qe ajo mendoi se ishte intruder ishte brenda ajo jashte me mundesi shpetimi .the castle doktrine aplokohet kur je brenda shtepise tende .si oficere policie duhej ti kishte dhene komanden te mos levizte,duke qene se ishte ne pozicion te mbrohej duhej te therriste per back up etj .justifikimi se u tremba per jeten nga nje zezak qe po hante akullore ne qejf te vet ne apartmentin e tij por qe une mendova se ishte imi nuk pi uje ne kete rast .

  2. nje rastesi banale qe bazohet ne aq e aq te verteta te hidhura te kultures qe prodhojme edhe me intensivisht na t’shekullit t’ri. T’i ftillosh nje per nje, kupton thellesisht hallet dhe problemet e Amerikes. Dhe jo vetem.

  3. Me sjell ndermend kete pasazh nga Tocqueville:

    “The most formidable of all the ills which threaten the future existence of the Union arises from the presence of a black population upon its territory; and in contemplating the cause of the present embarrassments or of the future dangers of the United States, the observer is invariably led to consider this as a primary fact.”

    Veprimi i polices duket si nje refleks i kushtezuar. Ajo eshte nje viktime, ne kete rast, po aq sa edhe i ndjeri qe vdiq. Por eshte viktime e vetes. E si pasoje, pa shpetim.

    1. Kur e shkruante këtë budallallëk Tocqueville-i, në Amerikë ende nuk ishin shfaqur shqiptarët racistë – që janë “embarrassment” për shqiptarët e tjerë. Shpresoj që ta kesh sjellë këtë citat këtu, Ksamil, thjesht ngaqë nuk e ke kuptuar sa toksik që është.

      Ky argument nuk vazhdon më tutje.

      1. “Shqiptaret racist” ? dhe embarrassment – Dixit…. Et salva facta est anima mea. Me siguri Peizazhet e Fjales do i shpetoje syrit te venger algorithmik.

        Nejse. Nuk eshte hera e pare Xhaxha, qe merr kete rruge. Por ama, per mua, kjo rruge eshte me e lehta. Dhe jo gjithnje me e mira. Kur u zgjodh Obama, ne nje koment timin pata permendur se tashme kishte ardhur koha e eunukeve. Edhe atehere more te njejtin shteg, duke e lidhur cdo gje me ngjyren e lekures. Pa u thelluar. Pa pyetur e kerkuar spjegim. Thjesht vure yllin e verdhe dhe aq. Pavaresisht se cfare qendronte mbas fjaleve te mia, ishte ideja se per mendimin tim tashme politika ishte ne dore te njerezve te padukshem te “oborrit mbreteror” (megjithese fotozhenise skenike te Obames, ajo ishte vetem aq e asgje me teper) dhe vendimet i merrte Citigroup e jo personi qe shprehte dhe misheronte vullnetin e popullit. Dhe keta njerez te padukshem per mua ngjanin me eunuket e koheve te shkuara, te cilet jo rralle kane qene nje faktor shume i rendesishem politik. ( 3-4 vjetet e fundit ma kane kthyer idene ne bindje absolute).

        Edhe ne rastin ne fjale, asgje nuk ka te beje me racizmin. Si “budallalleku” i Tocqueville ( meshire Xhaxha me lehtesine e etiketimit), si fjalet e mia.
        Tocqueville shkruan ne nje kohe ku “political correctness” nuk kishte lindur akoma. Do te ishte interesante te dihesh se cfare ka verejtur ai, per te arritur ne nje perfundim te tille. Ne fund te fundit s’po flasim per nje “budalle”. Nga ana tjeter, perpjekja e pare per emancipim te shoqerise amerikane eshte qe prej 1775 e tehu. Shto ketu edhe 3-4 trilion dollare qe shoqeria amerikane ka investuar per barasniveluar fushen e veprimit te anetareve te saj. Dhe kur sheh qe refleksi i pare i njeriu te bardhe, i cili , mbas 245 vjetesh, kur gjen nje njeri me ngjyre ne nje vend qe ky i fundit nuk duhet te jete (edhe i pasakte qofte ky perceptim, sic ndodhi ne situaten e pershkruar ne shkrim) eshte qe te vetembrohet, atehere perfundimisht ketu dicka eshte gabim. Dicka eshte gabim me narrativen ( ne pergjithesi). Dicka eshte gabim me njeriun dhe prishmerine prej tij, dicka tjeter mungon ne diskutimin per problemet e mprehta apo me pak te mprehta qe ka shoqeria amerikane.

        Civilizimi eshte, thone, one skin deep. Gerrice, dhe nen te jane te gjitha paragjykimet e njeriut.
        Pse duhesh te sillesh zonja ne ate menyre? Nuk ka arsye. Ajo eshte lindur dhe edukur ne nje periudhe kur e gjithe makineria shteterore, politike, kulturore, ekonomike, etj etj, i eshte nenshtruar nje ideologjie, sunduese tashme, ku barazia kerkohet dhe imponohet me ligj, fiat. A ishte i bazuar vendimi i saj ne pervojen e vet personale? A ishte i bazuar ne psikozen, qe ekziston ne nje segment jo te vogel te shoqerise amerikane, ne lidhje me mbajtjen dhe perdorimin e armeve? A ishte i bazur ne impulset e nje subkoshience te shoqerise amerikan, e cila, ne kushte te caktuara overides cdo kanon ekzistues, mbi sjelljen e nje njeriu te civilizuar? “Prejudice”, thoshte Burke, “is of ready application in the emergency…”

        Pra sic e shoh, tema eshte shume interesante. Dhe racizmi nuk eshte pjese e diskursit.

        Megjithate logu eshte i yti. Pjesemarresit mund te shkruajne ne nje menyre qe ti pershtaten pritshmerise ndaj tyre. Ose mund te shkruajne ashtu sic mendojne. Pa reserva, por duke respektuar te zotin e vendit.
        Jam perpjekur te bej te dyten. Nese eshte kuptuar ndryshe, kerkoj ndjese. Nuk ka qene qellimi im.

  4. Tekste te tilla duhen lexuar më me shume qetesi, per te mos thene vemendje. Autori nuk sjell ketu kroniken e zezë te dites te cilen mund ta gjeni gjithandej. Edhe une lexova disa te tilla qe nuk shpjegojne asgje. Ne kete shkrim ai vetem sa niset nga nje kronike te tille per te na sjelle ne forme eseje te shkurter analizën e nje problematike te mprehte sa e rendit psikologjik aq edhe sociale, dramen e vertete e shpesh te padukeshme te individit te diteve tona ne kushtet e ngushtimit dhe uniformimit te pashmangshem te Lebensraum.

    1. Sa bukur! E kam parë atë film dy herë – të parën në Shqipëri, te RTJ-ja; të dytën ma pat dhënë një kolege ruse në DVD. Më pëlqente shumë ajo gruaja (aktorja polake); por kundërfigura mashkullore më irritonte, me mjaullimat e tij.

  5. Ndaj si Ksamili idene e refleksit te kushtezuar, një zezak ne shtepi, ne kushtet e stereotipizimit shkakton frike e argresivitet irracional. Vrasja eshte aksidentale dhe fajin me shume e ka shoqeria amerikane qe nuk ka arritur as per se largmi konceptin e unitetit si shoqerite latine. Amerika mund te perfaqesoje nje komb politik, por eshte larg procesit te etnogjenenzes,
    Nuk e kam degjuar, por besoj se do kete qene nje rast i mire perdorimi politik, me demokrate e republikane te rreshtuar ne llogoret e tyre, me qellim shtrengimin e radheve dhe mbajtjen e parcelave te tyre politike ne dem te cfaredo koncepti unitar dhe me mediat perkatese qe i kane fryre zjarrit. Republikanet kane shfajesuar me argumente policen dhe demokratet qe i kane fryre diskursit antiracist.
    Gjynah ai zezaku i shkrete qe iku per dhjame qeni ne shtepine e vet, gjynah edhe policja qe iku dem e propagandes politike.
    Me kujtoi ate historine e atij qe i vodhen lopen dhe i thane te gjithe, pse nuk e mbylle kasollen me dryn, ti e ke fajin.

    1. “…dhe fajin me shume e ka shoqeria amerikane qe nuk ka arritur as per se largmi konceptin e unitetit si shoqerite latine”
      Di, iu ktheva disa here kesaj fraze. Ka nje problematike shume komplekse. Natyrisht ke te drejte kur flet per shoqerine amerikane dhe jo per qeverine e saj. Ishte qeveria amerikane qe ne vitet 60 organizonte policine me qellim qe studentet me ngjyre te mund te futeshin ne auditorin e nje universiteti pa u linçuar nga studentet e bardhe. Po a eshte e njejta shoqeri qe “nuk ka arritur as per se largmi koneptin e unitetit si shoqerite latine”?

      Bonne question! Nuk di shume per shoqerine amerikane (se edhe kur shkoj ne Amerike rri me shqiptare), por eshte hera e pare qe po degjoj se “shoqerite latine” paskan arritur konceptin e unitetit. Ndonse nuk e them nje gje te tille per Portugaline, qe ndryshon disi nga te tjerat, une nuk di shoqeri me te fragmentarizuar se Italia (ku edhe meridionalet qe emigronin deri vone ne veri shiheshin si zgjebe e vertete (ka nje literature te plote per te, pa folur per frakturen sociale qe e karakterizon ate vend per arsye historike) nuk ka vend me te perçare ne pikepamje sociale e politike se Spanja (pa permendur scismen e viteve te fundit), pa folur per Francen ku jetojne disa bote paralelisht e ne urrejtje qe nuk zbutet kurre ndaj njera tjetres (dhuna e jelekverdheve jane vetem nje shprehje e saj), ku deri vone edhe ashensoret midis studenteve dhe profesoreve ishin te ndare nga njeri tjetri, sikunder ato te padronve e puntorve, te zoterve te shtepise e sherbyesve etj..
      Kur i sheh nga afer keto shoqeri (qe bashkejetojne per arsye te tjera superstrukturore) e kupton se me e afert eshte dita kur njerzimi do te shuhet nga nje ere e re glaciale se sa dita kur ne vendet latine do te zgjidhet nje president me ngjyre apo mysliman qe duhet te jete ekuivalenti i tij ne Europe (sa per te sjelle nje fakt perse nuk duhet gjykuar pamja)…

      1. Lyss, i referohem shoqerive latino-amerikane, sepse nuk besoj se ka te krahasuar me shoqerite latine te Europes. Problemet e shumta qe kane keto te fundit, i ke pershkruar mire, por kane me shume karakteristika te problematikave qe do i quaja te nje etnogjeneze nisur nga disa etni latine te bashkuara ne nje shtet-komb.

        Ne keto vende shtet-kombi ka cuar para etnogjenezen, qe italianet, francezet e spanjollet te ishin jo nje shumesi etnish neolatine shume te ngjashme mes tyre, por nje etni unike.
        Franca perbehet nga disa etni latine, nisur nga gjuhet neolatine qe perfshin, dy madhoret te pranuara qe ne kohen e mesjetes, veri-jug, oli e oc, por edhe brenda oil ka disa gjuhe, thone gjuhetare te ndryshem.
        Problem i ngjashem ne Itali e Spanje.
        Ne France e Spanje, 1 etni dominon mbi te tjerat, ajo frenge ne kuptimin e mirefillte, qe perfshin Parisin, Orleanin e Ile de France, kurse ne Spanje etnia kastiljane qe eshte spanjolle ne kuptimin e mirefillte. Ne Itali pak me ndryshe per shkak te karakterikave historike (bashkimi i vonet, ekzistenca e Romes etj)

        Ketyre problematikave u mbivendosen edhe çeshtje te natyres sociale, ekonomike e kulturore.

        Kurse ne dy Amerikat problemi themelor nuk ka qene bashkimi i etnive neolatine te ngjashme brenda nje shtet-kombi, por i racave / fenotipeve te ndryshme.

        Amerika Latine ka suksese te medha ne unitetin le ta quajme racor, qe e demostron numri i madh i metiseve. Jo se nuk ka probleme te natyres racore, por kane qene gjithnje duke rene dhe mund te flitet edhe per njefare uniteti.
        Kurse USA, ka qene dhe eshte vendi i aparteidit, nga çdegjojme prej miqve edhe lagjet vazhdojne te fiiltrohen vazhdimisht ne kuptimin racor ( gje qe ne fakt ndodh rendom edhe ne Europe me lagje emigrantesh, te cilet qellojne te jene edhe afro-aziatike nga pikepamja fenotipike/racore).
        Nje vend qe mbahet prej korrekteses politike eshte ne krize te rende, sepse korrektesa politike eshte si puna e marksizem-leninizmit, mos dil nga vija e Partise dhe shokut Enver.

        Nga ana tjeter, nuk duhet te jesh ndonje politolog qe te kuptosh se republikanet konceptojne Ameriken e vjeter te te bardheve, 90% te bardhe ne 1940, kurse demokratet jane per Ameriken e re me ekuilibra te rinj racore.

        Ne kuptimin me te gjere te mundshem, mungon nje maxi teori qe te shpjegoje sesi sfidohet me sukses procesi historik i etnogjenezes, dmth krijimi i nje etnie nisur nga grupime te ndryshme, gjuhesore, racore, kulturore e fetare.
        Roma i beri te gjithe qytetare romake, por kjo nuk pengoi zhdukjen e Romes dhe qytetarise romake dhe krijimin e nje shumesie etnish. Njejte me gjithe Perandorite, duke perfunduar me Jugosllavine, ku u ngjiz etnia sllavo-maqedone, e cila sot po duket si realitet i ri etnik ne Ballkan.

        Gjithe kjo levizje njerezish qe eshte vene ne funksionim prej shekujsh ne dy Amerikat dhe prej 60-70 vjetesh ne Europe e qe do te vazhdoje, a ka kjo ndonje maxi teori qe shpjegon se ku do shkoje gjithe ky milet qe leviz, qindra miliona njerez, çfare do krijohet ne shoqerite ekzistuese te strukturuara sipas modelit te shtet-kombit.

        Kjo eshte edhe pyetja per SHBA-ne, keta dhjetera milione hispanike qe shkojne te banojne ne nje shtet ne konflikt historik racor mes te bardheve e te zinjve, si do te integrohen, çfare fytyre do kete Amerika ?

        Se nqs do te shkonin dhjetera milione ne Brazil prej cfare race e kulture e marrim me mend qe behen braziliane e do flasin portugalisht heret a vone, do uniformohen ne shoqerine braziliane. Po Amerika ?

  6. Tocqueville ka një vepër të shkëlqyer në dokumentimin e demokracisë amrikane. Por le të jemi realist se shumë gjëra nuk ka pasur mundësi t’i parashikonte. Një nga këto është që shoqëria amerikane ka kaluar në aspektin komunikativ politik dhe shoqëror nga një shoqëri “representative industriale”, në një shoqëri “informative” (këtë do ta shpjegoj më vonë.) Përndryshe ai i ka parë shumë gjëra me syrin dhe paragjykimet e kohës së vet.

    Megjithatë, gjëja më e rëndësishme që ai ka dokumentuar në veprën e vet historike është se shoqëria dhe ngrehina e shtetit amerikan u formuan mbi dy baza rigoroze dhe të pavarura nga njëra tjetra, besimi fetar në shoqëri, dhe besnikëria ndaj ligjit në aferat shtetërore. Këtë nuk e thua dot për shumicën e shteteve europiane dhe kolonive të tyre, përfshi këtu edhe amerikën latine dhe jugore. Besimi fetar vazhdon të jetë i rrënjosur në amerikë në shumicën e etnive që e përbejnë atë, qofshin me ngjyrë apo të bardhë, cifutë apo katolikë, etj. Kështu që në këtë kontekst më të vështirë për tu integruar në shoqërinë amrikane e kanë ateistët sesa ndonjë katolik që vjen nga jugu i amerikës. Përshëmbull, një shqiptar ateist në Amerikë, do ndiente boshllëk sepse as nuk e frekuenton dhe as e kupton dot shooqërinë amerikane, përveçse në aspektin e të përditëshmes: punë dhe gjumë. Ndaj Shqiptarët, ndonëse janë të numërt, nuk krijojnë dot komunitet / përbashkim. Përndryshe, pavarësisht nga zhurma. shoqëria amerikane është post-raciste.

    Por le t’i kthehemi shkrimit dhe asaj që thashë më lart, që shoqëria amerikanë në aspektin komunikativ është shoqëri informative, jo representative, sikurse e dëshmon edhe vetë tragjedia e sjellë këtu dhe tituli i shkrimit The Wrong Floor.

    Më 1935 një economist austriak Oskar Morgenstern do të botonte esenë Perfect Foresight and Economic Equilibrium dhe disa vjet më vonë në Amerikë në bashkëpunim me matematicienin John von Neumann do të botonte “Theory of Games and Economic Behavior”. Argumenti bazë i këtyre teorive ështe se nuk është gjë aftësia për të parashikur që i bën aktorët racional në një system ekonomik, por informacioni që ata marrin dhe mundësia e komunikimit të informacionit në nivele të ndryshme.

    Qysh atëhërë, pas luftës së dytë botërore dhe Great Depression, Amerika është e obsesuar me “perfect foresight”. Ndaj edhe zgjidhjet e problemit, për mirë apo për keq, edhe në këtë rast do kërkohet tek mundësimi i më shumë informacioneve, më shumë shënjave, më shumë ngjyrave, në rrugë, në parkim, në koridore e kështu me radhë.

    Pyetja është nëse “perfect foresight” ose racionaliteti që vjen si pasoj e sasisë dhe cilësisë së informacionit i kontrollon dot instiktet njerzore?

  7. Kemi mitin amerikan si “melting pot “ dhe realitetin qe ka qene gjithnje larg ne masa te ndryshme ndaj idealeve te larta qe predikoheshin .Gjenia e amerikes eshte se realitetin ka mundur ta afroje pak nga pak ne menyre pergjithesisht paqesore ndaj mitit qe predikohej .Ka pasur gjithnje nje dualitet midis amerikes si vend I mundesive ne teori dhe si vend I paragjykimeve etnike ,klasore e raciale ne realitet .Diskriminimi etnik e racial duket te kete qene haraci per te realizuar enderren amerikane.Te gjitha grupet etnike i jane nenshtruar nje kalvari diskriminimi derisa kane zene vendin e tyre .P.sh lincimi me brutal ne jug nuk eshte bere ndaj zezakeve por ndaj emigranteve italiane .Paragjykimet ekzistojne ndaj te gjitheve , zezaket e vuajne me hapur per shkak se ngjyra e lekures i ben te identifikueshem .

    1. Po si nuk qenka “melting pot”? Asgjë nuk predikohet që nuk është e saktë.

      Vetëm në Queens, New York City, që ka popullsi të njëjtë me të Shqipërisë dhe në një sipërfaqe equivalente ekzaktësisht 63 herë më të vogël, besohet se fliten më shumë gjuhë se në çdo vënd tjetër të rruzullit, dhe besohet se është përfaqsuese e çfarëdo etnie që mund të imagjinohet. Por është edhe origjina e Prsidentit Amerikan Donald Trump, që për shumë konsiderohet racist, ksenofob e ku e di unë se çfarë.

      Dua të them që faktet janë një gjë dhe zhurma politike dhe mediatike është tjetër.

      1. Po flisja ne kontekstin historik .Cdo grup etnik I eshte nenshtruar nje diskriminimi .Dikur irlandezet ishin sinonim I injorances,dembelllekut ,varferise,alkoholizmit ,krimit etj .Italianet po ashtu .Neper vite ata munden te shpetonin e barra I mbeti grupeve te sapo ardhura apo zezakeve qe duket se s’kane per te shpetuar kurre nga paragjykimi .
        Shiko se c’thuhej per irlandezet dikur :
        “The emigrants who land at New York, whether they remain in that city or come on in the interior, are not merely ignorant and poor—which might be their misfortune rather than their fault—but they are drunken, dirty, indolent, and riotous, so as to be the objects of dislike and fear to all in whose neighbourhood they congregate in large numbers.” —James Silk Buckingham
        https://www.google.com/amp/s/www.theroot.com/when-the-irish-weren-t-white-1793358754/amp

        1. Si irlandezet dhe italianet ishin katolike dhe Amerika protestante i ka diskriminuar katoliket. .E vetmja gje e mire qe ka pase Amerika kane qene hapesirat e medha qe iu moren indianeve, pa me ate nivel diskrimini fetar e racor qe ka pasur, ne Amerike do ishin vrare njerezit me çomange si ne Ruanda e Burundi. Gje qe mund te ndodhe sapo te shtohet dendesia dhe te mos kete me pasuri e hapesire.

  8. Po më duket pak pa kuptim që ta mbështetni me kaq këmbëngulje diskutimin te konflikti racial – në një kohë që nuk është vërtetuar se raca luajti ndonjë rol tek aksidenti në fjalë; dhe në një kohë që shkrimi im më lart, siç e sqaroi edhe Lyss-i, rreh diku tjetër.

    Po sjell, megjithatë, një shembull për ilustrim. Unë jetoj në një lagje të New York-ut të përzier, shumë të përzier – që është duke “u zbardhur” (Prospect-Lefferts Garden, në Brooklyn). Ka shumë të zinj nga Karaibet, sikurse ka hebrenj dhe arabë dhe hispanikë dhe të bardhë gjithfarësh. Kam shtatë vjet që jetoj këtu, por nuk jam ndier ndonjëherë i kërcënuar prej “racës tjetër”. As unë as shoqja ime.

    Kohët e fundit, për shkak të “gentrification”, ka një dyndje të bardhësh, kryesisht studentë që vijnë nga Amerika e brendshme, pa eksperiencë kontakti multi-racial. Këta i qasen ndryshe jetës në komunitet dhe mënyrës së komunikimit me rrugën.

    Dhe ja çfarë ndodhi një ditë. Një i zi, me probleme mendore, filloi të bënte zhurmë në park dhe, me gjasë, të kërcënonte kalimtarët. Normalisht njerëzit do ta kishin injoruar. Unë do ta kisha injoruar. Por ca nga këta të ardhurit e rinj lajmëruan policinë. Policia erdhi dhe, kur ky tipi filloi t’i kërcënonte me një shishe të thyer, qëlluan dhe e vranë.

    Pse ndodhi kjo? Ku ishte racizmi, ku dhuna e policisë dhe ku keqinterpretimi i kodit të rrugës nga të ardhurit rishtas? Pse këta u ndien aq të kërcënuar, nga një homeless pak i çartur, në një kohë që banorët e vjetër të lagjes as do ta kishin kthyer kokën për ta parë?

    Janë shumë pyetje që unë s’u përgjigjem dot; por gjithnjë më duhet të mbaj parasysh marrëdhëniet shumë të komplikuara të racizmit me urbanizmin në SHBA.

  9. “…gje qe mund te ndodhe sapo te shtohet dendesia dhe te mos kete me pasuri e hapesire…” . Di, qellon nganjehere qe humbet ne qafa malesh (duke kontempluar dhe eksploruar ca peizazhin, sigurisht), por gjithmone del atje ku duhet! Ketu, kam pershtypjen se duhet pranuar se me i shqetesuar per kete problem ka qene Adolf Hitleri (jam perpjekur te flas me gjere per kete ide te tijen ketu ne ptf duke recensionuar librin e tij te famshem). Me gjenialitet te pashoq ai kuptoi thelbin e problematikes se shekujve te ardhshem, luften per habitat, Lebensraum (i cili pervertohet kur mungon, gje qe synon te shpjegoje edhe shkrimi i Ardianit, ne madhesi te themi laboratorike, por ne natyre, ne jete), veçse A.H. gaboi duke e shtyre me tej dhe inkorporuar darvinizmin social ne ideologjibe e tij dhe kjo e shtyu te luftoje per zgjidhjen me te gabuar te mundeshme. (Ketu shtoi se termi Lebensraum eshte krijuar nga te tjere dhe ai e perdori vetem nje here) Po t’i shtosh kesaj edhe problemet klimatike (zhvendosjen aktuale te mijra e miliona veteve drejt veriut e per ironi te fatit, shumica drejt Gjermanise) kjo vetem se e pershpejton kete problem te identifikuar aq saktesisht prej tij.

    Dhe siç duhej pritur, nje zgjidhje (e mundeshme por qe kerkon kohe), per kete problem vjen nga nje … çifut. Yuval Noah Harari, eshte ai qe ne vend qe te vritemi me njeri tjetrin (me çomage siç thua ti) propozon (ne menyre racionale, shkencore dhe jo si fantashkence) pergatitjen e njerzimit per te lene token dhe marre zgjerim (populluar) planete te tjera (kam recensionur ketu ne ptf ndonje nga librat e tij).

    1. 40 % e popullsise jeton prane brigjeve te oqeanit .Brendesia eshte e zbrazur .njerezimi do gjeje menyra per te mbijetuar .Do te modifikoje gjenetikisht bimet ,qe psh ne vend te nje viti do te duhet vetem 2 muaj per te rritur grurin.Apo do te krijoje mishin artificial te krijuar ne laborator .Rreziku me I madh vjen nga perparimi i teknologjise qe I ben armet e shkaterrimit ne mase gjithnje e me te lira .10 mije vite te revolucionit agrar e tehu jane si sekonda krahasuar me 2.5 milione vite te evolucionit biologjik te Homo sapiens.Ndersa teknologjikisht jemi te avancuar psilologjikisht nuk jemi shume larg Homo sapiens te 70 mije viteve me pare .Me nje fjale njerez qe zoterojne nuclear hardware controllohen nga te njejtat impulse psikologjike te njerezve qe ne dispozicion te tyre kishin vetem shkopinj e gure .

    2. “…nje zgjidhje (e mundeshme por qe kerkon kohe), per kete problem vjen nga nje … çifut. Yuval Noah Harari, eshte ai qe ne vend qe te vritemi me njeri tjetrin (me çomage siç thua ti) propozon (ne menyre racionale, shkencore dhe jo si fantashkence) pergatitjen e njerzimit per te lene token dhe marre zgjerim (populluar) planete te tjera (kam recensionur ketu ne ptf ndonje nga librat e tij).”

      Pikerisht kjo eshte fantashkence shqeto. Mos flisni budallalleqe.

  10. Me kete qe thua kam frike se Y. N.Hariri do te nxehet e do te te lere vetem ne kozmodrom. Ai eshte i bindur ne ate qe thote dhe nga mijra vete qe e kane recensionuar neper bote (googlo per kete) askush nuk i ka thene se po flet budallalleqe, term mjaft i papapelqyer ky i diskutimeve nder shqiptare per çdo ide qe lind kudo ne bote. Diskutohet per kohen se kur por ne horizont nuk duket tjeter mundesi te “zgjerimit” te njerzimit. Ju qe flisni keshtu jam i bindur se diçka duhet te dini. Nga ana ime, duke mos qene ekspert i fushes (prandaj konform temes permenda vetem finalitetin e ideve dhe jo menyren e realizimi te tyre), nuk po e zgjes me.

  11. Ne lidhje me kete teme po me duket mjaft interesante nje levizje qe filloi dje ne Paris. Emertohet si Rébelion international dhe ka bllokuar nje qender tregtare ne Place d’Italie e cila cilesohet si “simbol i kapitalizmit”. Parashikohen dy jave mosbindje civile ketu e ne 60 nga qytetet me te medha te botes.
    Ideja e bllokimit te hapesirave te tilla synon te preke dinamiken e hapësirave te mondializuara te kryeqyteteve te cilat jane konceptuar per te favorizuar mobilitetin e elitave dhe per pasoje behen pengese per te tjeret, ne mos kercenim.
    Ka shume qe shpjegimin e kësaj levizjeje e gjejnë te libri i M. Lussault i titulluar De la lutte des classes à la lutte des places qe mund te përkthehet Nga lufta e klasave te lufta per vende, qe ketu ka kuptimin hapsire. Ideja eshte se me te pasurit priren te « hane” dhe te marrin me shume vend ne mjedise nga me te ndryshmet, pa menduar fare per mobilitetin e komunitetit. Dhe ne kete pikpamje ai i quan ata hapsirofagë.

    Keshtu pra (ndersa tema e ketij shkrimi analizon problematiken e shumëfishte qe pjell hapësira e ngushte per banim) levizja ne fjale synon te denoncoje edhe faktin se me te pasurit konsumojnë me shume vend edhe ne qendrat komerciale, muzete, vendet e konsumimit te kultures te cilat ata i shohin si « mall per hapsirofoget ».
    Gjësendi mjaft interesante te pakten ne syte e mi, per te kuptuar natyrën e lëvizjeve sociale ne shoqerite postindustriale, ku duket se dominon nje kompozante e forte politike.

  12. Lyss pa dashur te merrem me udhetimet nderyjore, te cilat kane kosto te medha per teknologjine e sotme, por as me ushqimet gjenetikisht te modifikuara, edhe pse spo dime cfare po hame sot (njeriu qenka qenie e forte), do thoja se mbipopullimi eshte garanci per migrimin dhe rrjedhimisht luften. Migrim masiv qe nuk ka sjelle lufte, nuk ka ne historine e njerezimit. Nuk besoj se eshte e rastesishme qe partite, por edhe temat qe terheqin me shume politikisht vitet e fundit jane te lidhura majtas me problemet klimatike dhe ekologjike, te cilat thuhet se pakesojne habitatin e njeriut, kurse djathtas me ndalimin/kontrollin e migrimit si kyc per ruajtjen e hapesires dhe pasurive.
    Ne fund te fundit a nuk eshte edhe tema per optimizimin e hapesires, qe te parandalohen aksidente e incidente. Po per kete eksperte duhet te jene japonezet, nqs jane te verteta ato qe thuhen rreth organizimit te hapesires ne qytetet japoneze.
    p.s ate gjenialitetin e Hitlerit e the qe te vertetoje ate tezen se sa me shume zgjatet nje debat ne rrjetet sociale aq me shume gjasa ka te permendet Hitleri 🙂 Si tip batute kjo, po zona te ndryshme te globit kane kaluar shekuj mbipopullimi e shekuj nenpopullimi. Psh gjate kohes se sumereve, 4-5 mije vjet me pare, Iraku i jugut, ose Bagdat deri ne det, llogaritet se kishte rreth 1.5 milione banore, kurse ne shek 19 gjithe Iraku, perfshire Mosulin ne veri kishte 2 milion banore. Pra ne Irak , dendesia e popullsise me e larte ne kohen e sumereve, sesa te Perandorise Osmane. Egjipti ne antikitet llogaritej ne kulmin e tij , nga 5-7 milion, kurse ne shekullin 19, 4 milion, pra dendesi me te larte ne kohen e faraonit Pramses, sesa ne kohen e sulltan Pekmezit.
    Me apo pa Hitler, historia e gjen menyren te stabilizoje popullaten ne raport me burimet.

    1. Para se te mberrijme ne hapesire, kam frike se do shkojme ne Afriken e Jugut.

      Megjithate, thank you boomers. Keni qene gjithnje nje frymezim per ne.

      1. Nuk e kuptova kush ishin ju e ne, megjithate mbipopullimi ose nenpopullimi jane te lidhura edhe me sistemet politike dhe inkuadrimin e nje shteti apo rajoni ne nivel gjeopolitik.
        Zonat qendrore ekonomike jane te tilla edhe politikisht ose per shkak te politikes dhe mbajne njerez pothuaj pa limit, persa kohe qe ka periferi te nenpopulluara, te varfera e qe funksionojne si tregje per eksportet e zonave qendrore, por edhe per kapitalin, krahas mallrave.
        Mbipopullimi i periferive, psh i Afrikes qe eshte periferia e Europes, do shtyje masivisht popullaten e periferise drejt qendres.
        Nje sistem politik ne periferi qe refuzon statusin nderkombetar te kolonise se importit, eksportit te fuqise punetore e lendeve te para dhe turizmit ekzotik goditet fuqimisht nga misionare te Qendres, qe nga intelektualet e deri tek sherbimet sekrete.

        Ketu nuk eshte ndonje çështje boomersi apo kolonizimi te planeteve te tjera, po kjo eshte menyra si ka funksionuar gjithnje bota dhe si funksionon, nje qender e mbipopulluar qe e garanton miqreqenien fale ekzistences se nje periferie sa me te madhe.

        Ne fakt periferia ska qene ndonjehere e mbipopulluar ne baze te kritereve le ti quajme objektive, pasuri natyrore, siperfaqe toke te punueshme, klime etj, por behet e mbipopulluar per shkak te arsyeve politike qe mbajne gjalle dikotomine qender-periferi.

        Amerika e Jugut ska asnje shtet te mbipopulluar ne kuptimin e kritereve objektive, megjithate vershojne drejt Amerikes, sepse e kerkon dikotomia.
        Afrika si kontinent mund te kete me shume pasuri natyrore totale edhe se vete Azia e ndoshta edhe toke bujqesore, por edhe pse ka disa here me pak popullsi shihet si e mbipopulluar, pikerisht per shkak te dikotomise.

        Qendra normalisht me hipokrizine e saj, i zgjidh problemet djathtas me parrullen ti ndihmojme ne shtepite e tyre ( e drejte ne parim, por e pasinqerte), kurse majtas me nje sjellje prej karitasi, a thua se u zgjidh puna e 100 milione njerezve dhe kjo e zgjidhi problemin e shtepive te tyre.

        Meqe keto jane hipokrizi ku investohet lek i madh dhe askush nuk ka per ta ngacmuar realisht çështjen ne thelbin e vet, eshte qasje utopike te merresh me gjithe njerezimin.

        E vetmja qasje realiste eshte te merresh me nxjerrjen e vendit tend nga statusi i kolonise se importit, eksportit te fuqise punetore e lendeve te para dhe turizmit ekzotik(zakonisht bregdetar ose tip safari/malor), drejt modelit ekonomik dhe sistemit politik qe ka Qendra.
        Sigurisht kjo ka koston e perballjes me misionaret e Qendres, qofshin te huaj e qofshin vendas.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: