FJALËT SHQIPE – LISTA DHE PËRDORIME (II)

Fjalorin e parë etimologjik të shqipes e pat hartuar Gustav Meyer-i, edhe pse përpjekjet për të sqaruar etimologji fjalësh shqipe patën filluar shumë më herët – tek e fundit, edhe Franz Bopp-i në ato pak etimologji u mbështet, për ta klasifikuar shqipen si gjuhë indo-europiane.

Mirëpo në kohën e Gustav Meyer-it shqipja nuk njihej mirë; dhe studiuesit e kishin më të lehtë dhe të volitshme të merreshin me shqipen më mirë të dokumentuar dhe më të lehtë për t’u arritur, të ngulimeve arbërore në Greqi dhe arbëreshe në Itali. Çfarë edhe shpjegon pse te Meyer-i, por jo vetëm atje, leksiku periferik i të folmeve të ngulimeve dhe i letërsisë arbëreshe, i ndikuar thellë nga gjuhët fqinje, është përfaqësuar në Fjalor në një mënyrë që nuk i përgjigjet realitetit leksikor jo vetëm të shqipes sot, por edhe të shqipes së atyre kohëve.

Këtë specifikë të studimeve etimologjike të hershme e ka vënë në dukje me qartësi të madhe Çabej; duke shpjeguar edhe se, përqendrimi i hershëm te leksiku i ngulimeve e pat deformuar tablonë e historisë së leksikut të shqipes.

E megjithatë, fjalët e trajtuara nga Meyer-i janë bërë tashmë pjesë e traditës etimologjike në albanologji; në mënyrë të tillë që albanologët e mëvonshëm, përfshi këtu edhe Çabejn vetë, kanë qenë të detyruar t’i marrin parasysh në studimet e tyre, duke i komentuar, miratuar ose hedhur poshtë sipas rastit.

Të folmet arbërore dhe arbëreshe kanë vendin e tyre specifik, në studimet e historisë së shqipes; por ato ndikime dhe zhvillime, që kanë ndodhur në të folmet, pas shkëputjes së tyre prej trungut ballkanik, duhen trajtuar veçan; në kuptimin që një pjesë e madhe e greqizmave dhe italianizmave, që dalin në të folmet dhe në variantet letrare përkatëse, nuk janë pjesë e historisë së shqipes ballkanike. Etimologët do të merren me to, sepse etimologët do të merren me gjithçka që i ndihmon të kuptojnë jetën e shqipes në rrjedhë të shekujve; përndryshe, pesha specifike e elementit leksikor të ngulimeve larg Shqipërisë, edhe në studimet etimologjike, ka ardhur duke u ulur, dora-dorës që ka përparuar njohja e leksikut në trojet e shqipes në Ballkan.

Për ta theksuar sërish: prania e fjalëve nga të folmet e ngulimeve, që kanë pësuar ndikim të thellë nga gjuhët rrethuese (greqishtja dhe italishtja), në studimet albanologjike është efekt anësor i një aberracioni subjektiv – dhe pikërisht, pamundësisë së studiuesve të shekullit XIX që të njihnin shqipen e Ballkanit; këto fjalë vazhdojnë të trajtohen në fjalorët etimologjikë për hir më tepër të vijueshmërisë së dijes, traditës etimologjike dhe faktit që disa prej tyre janë dokumentuar mjaft herët dhe nuk mund të lihen mënjanë.

Me gjithë traditën e pasur albanologjike, shqipes dhe kulturës shqiptare ende i mungon një fjalor etimologjik për përdorim nga lexuesi me formim të përgjithshëm; përfshi këtu edhe Fjalorin e Topallit, i cili u drejtohet specialistëve. Duke parë interesin e madh të publikut, për çështje të origjinës, përfshi edhe origjinën e fjalëve, ky fjalor divulgativ ndoshta do të ndihmonte për të shpjeguar qoftë edhe vetëm dallimin midis huazimit të një fjale, si dukuri e shkëmbimit kulturor mes dy gjuhëve, dhe një fjale të huazuar, të cilën gjuha tashmë e ka bërë të vetën. Mosha e fjalëve gjithashtu ka nevojë të ndriçohet – një huazim nga latinishtja në lashtësi nuk mund të krahasohet me një huazim nga italishtja në shekujt XIX-XX. Në fakt, shumë njerëz që flasin për etimologji nuk e kuptojnë se për çfarë po flasin; sa kohë që nuk e kanë të qartë se fjalët nuk e bartin me vete historinë e prejardhjes së tyre.

Përndryshe, fjalorët etimologjikë – të tipit të Meyer-it, Çabejt, Orelit ose Topallit – nuk kanë gjë synim të provojnë këtë ose atë; por vetëm të sqarojnë rrugëtimin e fjalëve të shqipes në kohë; duke përcaktuar gjuhën burimore dhe kohën e hyrjes së një fjale, për huazimet; dhe pozicionin brenda sistemit rrënjor të indo-europianishtes, për fjalët e trashëguara (po lë mënjanë, si triviale, fjalët e prejardhura). Një etimologji e argumentuar mirë i shërben jo vetëm fjalës vetë, por edhe formulimit të rregullsive fonetike, të cilat pastaj mund të përdoren për etimologji të tjera. Nga ana tjetër, historia e shumë fjalëve plekset me historinë materiale të objekteve, teknikave, veshjeve e kështu me radhë; shpesh duke shërbyer si i vetmi burim që kemi, për të marrë vesh si jetonin shqiptarët dhe para-ardhësit e tyre në lashtësi.

Dhe nga ky këndvështrim, kontributi i huazimeve është i pazëvendësueshëm; sepse huazimet dëshmojnë, sado tërthorazi, për kontaktet mes popujve – dhe një gjuhë që ka huazuar shumë, është gjuha e një kulture të ekspozuar ndaj kontakteve të shumta me botën. Nëse shqipja është gjuhë indo-europiane për shkak të karakteristikave të saj themelore: gramatikore, fonetike dhe leksikore, ajo është gjuhë europiane për shkak të strukturës së leksikut të saj të huazuar. Fjalët me prejardhje latine, greke, sllave, italiane (dhe veneciane) dhe osmane, që janë integruar në rrjedhë të shekujve në leksikun shqip, janë dëshmi e historisë së folësve të gjuhës, të cilët kanë dhënë e kanë marrë me popujt përkatës.

Origjina e fjalës i intereson leksikologut, historianit të gjuhës, historianit dhe specialistit; por në përgjithësi nuk ka lidhje me rrafshin e përdorimit të saj. Kjo interferencë, e vetëdijes shpesh gjysmake të “pasaportës” së një fjale në ligjërim, jo gjithnjë i shërben përdorimit. Vetë folësi nuk ka arsye ta dijë, bie fjala, që fjala kovaç është huazim nga sllavishtja; sepse kjo vetëdije nuk do ta ndihmojë që ta përdorë fjalën kovaç më mirë a me efikasitet më të madh. Informacioni gjendet në fjalorin etimologjik; por ky informacion duhet përdorur me kujdes. Në përgjithësi, pastrimi i fjalëve nga ligjërimi, në bazë të së dhënave etimologjike, është formë e racizmit gjuhësor; një fjalë mund të hiqet nga një tekst për arsye praktike (gjuhësore, komunikative), por jo ngaqë ka biografi të keqe. Këtu nuk dua të diskutoj shumë purizmin si ideologji dhe as zbatimet e purizmit në kulturën e gjuhës; por vetëm të vë në dukje se purizmi, që të funksionojë në baza “shkencore”, ka gjithnjë nevojë për fjalorët etimologjikë; pa çka se vetëm amatorët ngulin këmbë për ta ngatërruar diakroninë me sinkroninë dhe për t’i mbështetur politikat gjuhësore mbi të dhënat për historinë e fjalëve.

Fjalori etimologjik është pjesë e studimit historik të një gjuhe, jo manual i politikave gjuhësore (leksikore) për t’u ndjekur – këtë nuk duan ta kuptojnë shumë prej atyre që shqetësohen nga “numri i madh” i huazimeve që gjejnë te Çabej ose te Topalli. Sikurse u orvata të tregoj tashmë në pjesën e parë të këtij shkrimi, çdo fjalë shqipe e regjistruar në fjalorët dhe në tekstet – në çdo periudhë të historisë së shqipes së shkruar – meriton të etimologjizohet; nuk ka fjalë më të meritueshme se të tjerat; edhe pse një fjalë e trashëguar mund të rezultojë, në analizë të fundit, më e dobishme për studimin, se një huazim periferik kontakti. Por gjuhëtari nuk mund t’i vërë vetes “detyrë” se si t’i orientojë etimologjizimet e veta, përveçse kur bëhet fjalë për parime të natyrës metodologjike. Për shembull, Çabej, si vazhdues i studimeve etimologjike të Joklit, i dha gjithnjë përparësi shpjegimit të historisë së fjalëve me mjete të brendshme të gjuhës, ndaj krahasimeve me gjuhë të tjera; dhe kjo e ndihmoi të arrinte rezultate të jashtëzakonshme, në kërkimet e tij etimologjike, të cilat shënojnë një kapërcim cilësor dramatik, edhe në raport me etimologjitë e Joklit, të cilat sot i tregojnë fort shenjat e moshës.

Etimologjia nuk është shkencë e saktë, por një kombinim i metodave rigoroze me subjektivitetin e etimologut; çfarë duket veçanërisht qartë në ato raste kur një fjale nuk i gjendet dot prejardhja, dhe që për shqipen nuk janë të pakta. Si edhe në fusha të tjera të dijes, paqartësitë e sotme mund të çelin rrugën për zbulime të nesërme; dhe nuk do të ishte çudi sikur në shtresën e trashëguar, por të pashpjeguar mirë të shqipes të gjendeshin përgjigje për një numër çështjesh dhe misteresh që ende i mundojnë studiuesit; duke filluar nga marrëdhëniet parahistorike mes shqipes dhe greqishtes së vjetër, për të cilat unë besoj (dhe shpresoj) se nuk është thënë ende fjala e fundit. Një tjetër fushë premtuese – gjithnjë për mendimin tim – do të ishte hulumtimi i strukturave dialektore në shqipen e antikitetit, në bazë të trajtimit fonetik të diferencuar të huazimeve latine, ose të faktit që tinguj dhe grupe tingujsh të njëjtë në fjalët latine kanë dhënë reflekse të ndryshme në shqipen. Për këto dhe të tjera perspektiva, etimologjitë e sigurta përfaqësojnë gjithnjë pikënisje të domosdoshme.

Dhe më në fund, le të mos harrojmë se studimet etimologjike të leksikut shqip, përfshi këtu edhe fjalorët, kanë për objekt shqipen, jo gjuhë të tjera. E thënë kështu, kjo mund të tingëllojë si truizëm, por në të vërtetë harrohet shpesh nga albanologët “alternativë”, të cilët në masë të madhe nuk merren aq me leksikun e shqipes në vetvete, sa ç’e përdorin këtë leksik si platformë drejt gjuhëve të tjera – etruskishtes, shumerishtes, gjuhëve semite, dhe kushedi ç’tjetër; ose për të shpjeguar lirisht njësi onomastike (toponime, antroponime, etj.). Janë pikërisht këta, që edhe kanë vënë alarmin për “huazimet e shumta” në fjalorin e Topallit dhe në Studimet Etimologjike të Çabejt; pa çka se objekt i hulumtimeve të tyre nuk është pothuajse asnjëherë shqipja.

(fund)

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

12 Komente

  1. A është e arsyeshme të mendohet që fjalët e gjuhës shqipe janë të ndara në përqindje për nga prejardhja në të njëjtin raport me prejardhjen e fjalëve që përcaktojnë ditët e javës? Dy/7 janë kalke gjuhësore (e hëna, e diela); 3/7 huazime (e marta e mërkura dhe e shtuna) dhe 2/7 e tjera – fjalë të brendëshme të shqipes, për më tepër, në këtë rast me etimologji të vështirë, do të thosha të errët. Dhe risia pastaj, ndryshimi nga gjuhët e tjera: janë të dhëna në dativ. Ka më bukur? Në shtatë fjalë aq të rëndomta ke gjithçka brenda.

    1. Pa pasur ndonje pretendim shkencor, desha vetem te permend ketu dicka qe me kujtohet nga shkolla e mesme lidhur me etimologjine e veshtire te se Enjtes dhe se Premtes. Do te kete qene ndonje ore gjuhe, letersie a folklori, por mbaj mend qe diskutohej tamam kuptimi i diteve te javes dhe per te Enjten u tha qe Jupiterit (te cilit i dedikohet e Enjtja) ne shqipen e vjeter (!?) i thone Enjti, kurse per te Premten ( qe i dedikohet Aferdites, Venusit, Veneres) u tha qe po ashtu ne ate shqipen e vjeter i thone Hyjnesha Premte. Edhe po te mos jete e sakte, te pakten ploteson ate kuader te pergjithshem qe pothuaj ne te gjitha gjuhet dite e javes i jane dedikuar nje trupi qiellor.

  2. fjale origjinale s’ka .kemi fjale qe jane me afer burimit te tyre indoeuropian dhe fjale te tjera indirekte indoeuropiane si huazime te latinishtes ,greqishtes e sllavishtes .
    Mbijetesa e shqipes nga albanologet sot ,interpretohet si shenje e resilience te kultures shqiptare apo thjesht fati ngaqe te paret e shqiptareve jetonin ne zona jashte interesit te romakeve keshtu qe I shpetuan asimilimit ?

    1. Sidoqë ta sjellësh, duke pasur parasysh se në Ballkan ka pasur shumë zona të romanizuara rëndshëm, i bie që para-ardhësit e shqiptarëve të kenë jetuar në ndonjë zonë më pak të romanizuar. Qëllimi i romakëve nuk ishte të romanizonin, as të “shkombëtarizonin”, por të siguronin sundimin e tyre politik dhe ekonomik. Që këtej, sërish i bie që para-ardhësit e shqiptarëve të mos kenë përbërë ndonjë rrezik për Romën në Ballkan. Pa e përjashtuar doemos hipotezën e prejardhjes së shqipes nga një dialekt ilir, duhet pasur parasysh që ilirët kishin shtrirje të gjerë në Ballkan, edhe pse jo patjetër homogjene. Huazimet latine të shqipes kanë karakteristika të tilla që ta afrojnë më shumë me latinitetin lindor (rumanishten, etj.) se me atë perëndimor (dalmatishten). Shqipja dhe rumanishtja janë aq të afërta si gjuhë (leksik, fonetikë, morfologji, sintaksë), sa mund të mendohet se kanë jetuar për një kohë në kontakt të ngushtë. Megjithatë, jo çdo element latin i shqipes i përket latinitetit lindor. Mua personalisht më duket shumë e vështirë që bregdeti i sotëm shqiptar të jetë banuar në mënyrë të vijueshme nga shqiptarët dhe para-ardhësit e tyre; dhe aq më tepër qytetet. Prania e elementit etnik shqiptar, në rripin bregdetar, do të ketë qenë më tepër e llojit baticë-zbaticë, ardhje dhe tërheqje. Një tjetër karakteristikë të bën të mendosh: sasia shumë e pakët e huazimeve të shqipes nga greqishtja e vjetër – po të kemi parasysh se, në antikitet, greqishtja ka qenë më dominuese se latinishtja, në zonën ku jetojnë sot shqiptarët. Një arsye për këtë është se folësit e asaj forme të shqipes që pat marrë shumë nga greqishtja e vjetër më pas përfunduan të asimiluar, ose dolën nga skena. Duke qenë shqipja e atëhershme krejt orale (e pashkruar), bashkë me ata folës u zhdukën edhe lidhjet e shqipes me greqishten e vjetër. Një tjetër arsye do të ishte se shqipja e sotme vjen nga një zonë larg ndikimit të qytetërimit grek, por relativisht afër atij latin. Fakt është që edhe terminologjia e krishterë e shqipes, të paktën pjesa themelore e saj, është latinisht; edhe pse krishterimi në vijën bregdetare duhet të ketë folur në krye greqisht. Sërish, ndoshta duhet të heqim dorë nga të konsideruarit e shqipes në lashtësi si strukturë kompakte dhe homogjene, për të pranuar një shtrirje të saj në formë arqipelagu, me ishuj gjuhësorë që pastaj u lidhën mes tyre për arsye historike (dyndjet sllave). Kjo do t’i jepte shqipes një natyrë të ngjashme me atë të arbërishtes së Italisë në shekujt XVI-XIX – ose me tipare jo-organike. A është shqipja e tillë? A janë tiparet e saj rezultat i përzierjes mekanike të dialekteve të një popullsie që u gjend së bashku për arsye si të thuash aksidentale? Nuk di të them.

      1. Hipoteza gjuhësore e autorit, e hedhur në komentin më lart, për shqipen “në lashtësi jo i si strukturë kompakte dhe homogjene, [por si] një shtrirje…në formë arqipelagu, me ishuj gjuhësorë që pastaj u lidhën mes tyre për arsye historike (dyndjet sllave)” mund përputhet me tezën historiografike e Prof. Pëllumb Xhufit për ekzistencën e një shumësie Arbërish gjatë Mesjetës së Hershme [shih Pëllumb Xhufi, Árbërit e Jonit, Onufri, 2016, ff. 1260-1264]

      2. Zoti Vehbiu, per mendimin tim , ju jeni disi i fosilizuar ne nje parim te vjeter e tashme te ndryshkur i cili duhet ripare.
        Mendimi (koncepti) qe studiuesit lejojne te nenkuptohet; se aty ku shtrihej sundimi romak flitej latinisht, aty ku gjenden mbishkrime greke ishte koloni e saje e te tjere si keto. Por sipas nje mendimi racional a mund te perhapet nje gjuhe ne antikitet ne menyre homogjene pa sistemin e arsimimit ne mase i cili eshte nje fenomen i koheve tona? Ne rastin e dyte, popullsite e antikitetit , ne kohet kur flitet per kolonizime si Durresi apo Apollonia, ishin aq te medha sa te formonin popuj te tjere me permasa pak a shume si ata vete? Apo eshte me e arsyeshme te mendohet se; me krijimin e nje GJUHE TREGTARE e cila ngjizej nepermjet nje kontakti me individe, te cileve u mesohej kjo gjuhe dhe si rjedhoje perbenin uren lidhese ndermjet vendasve dhe tregtareve. Keshilloje nje arsyetim te guximshem mbi disa pikeveshtrime si keto, nga ana juaj. Studiuesit dhe autoret e huaj nuk jane hyjni, ata edhe gabojne , jane njerezore. Ne trevat ilire, romaket kontrollonin fillimisht vetem rruget tregtare, me kalimin e kohes, popullsite limitrofe afroheshin vetvetiu , thjesht per oportunitetin e mirqenies qe ky fenomen u ofronte. Si rrjedhoje, influenca e kesaj pranie, kthehej ne dominim gjithnje e me te gjere te territoreve. Kjo me duket nje qasje e nje sjelljeje te natyrshme te popullsive ne ate kohe edhe nga pikpamja antropologjike (e cila shpesh nuk perfillet nga shume historiane).

        1. O Adriatik, para se të gjykoni fosilizimin tim, përpiquni ta lini komentin tuaj tek tema e duhur. Ose më mirë, hiqeni këtej dhe vendoseni atje ku e ka vendin – tek shkrimi për arkeologjinë. Dhe, meqë po ia lejojmë njëri-tjetrit këshillat, ju këshilloj edhe unë të hiqni dorë nga gjykimet personale dhe të mjaftoheni me parashtrimin e mendimit tuaj për temën.

  3. Çfarë edhe shpjegon pse te Meyer-i, por jo vetëm atje, leksiku periferik i të folmeve të ngulimeve dhe i letërsisë arbëreshe, i ndikuar thellë nga gjuhët fqinje, është përfaqësuar në Fjalor në një mënyrë që nuk i përgjigjet realitetit leksikor jo vetëm të shqipes sot, por edhe të shqipes së atyre kohëve.

    Që të bëhet më i kuptueshëm argumenti po sjell statistikat që ka bërë vetë Meyer-i për fjalorin e vet. Nga rreth 5140 fjalë që trajtoi, 1420 ishin huazime romane, 540 sllave, 1180 turke, 840 nga greqishtja e re, 400 fjalë të trashëguara nga fondi ie dhe, rreth 730 fjalë që ngelen pa shpjegim.

    Sa i ndikuar mund të jetë leksiku periferik i ngulimeve arvanite apo i një ishulli gjuhësor duket edhe nga një fjalor i thjeshtë si ai që u përgatit nga Marko Boçari (po përdor botimin kritik nga T. Jochalas), ku nga rreth 1500 fjalë shqipe, rreth 25% janë huazime nga greqishtja dhe 12% nga turqishtja.

  4. Kjo puna e huazimeve me duket se po aq sa deshmon\zbardh ‘autoktonine’ ballkanike te shqiptareve po aq edhe peshtjellon ceshtjen e vend-zhvillimit te sakte te etnogjenezes se shqiptareve, dmth nga nje ane kemi shtresen me te vjeter te huazimeve latine (Latinishtja klasike shek. I BC- III AD) – gje qe nuk egziston tek Rumanishtja!! – nderkohe nga ana tjeter nje pjese e konsiderueshme e huazimeve latine vijne nga Latinishtja Vulgare shek. IV AD- IX AD, ketu qendron e perbashketa thelbesore me Rumanishten sepse pikerishte ne kete hark kohor (sidomos mes shek II-V AD) zhvillohen nderveprimet\ndikimet e ndersjellta gjuhesore mes proto-shqiptareve dhe proto-dakorumeneve, ne nje zone specifike te Ballkanit qendror: Provinca e Moezis Superiore(ku perfshihet edhe Dardania!!), por problemet me kete skenar jane te shumta:

    1)Si mund te shpjegohet karakteri perendimore (qe perkon me Romancen Dalmatike-bregdeti lindor Adriatik ) i disa huazimeve si psh drejt, shenjt, denje etj krejt ne dallim nga Romanca Dako-rumene, nderkohe qe proto-shqiptaret po ‘sorrollateshin’ ne Ballkanin qendror ne fqinjesi me proto-rumenet, plus qe pikerisht ne kete periudhe proto-rumenet latinizohen ne masen mbi 80% ndersa proto-shqiptaret ne masen mbi 30% ne te njejten zone gjeografike me te njejten dinamik e rrethana… akoma me interesant eshte fakti qe ai i ashtuquajturi “substrat”(fjale para dhe jo-latine te leksikut te dy gjuheve) mes shqipes dhe rumanishtes, ne fakt perben ne mase te madhe ndikim te proto-shqipes ne drejtim te proto-rumanishtes (sic e pohojn edhe Cabej, Ismajli, Matzinger, Orel, Rusakov etj) shqyrtoni psh fjale si thark, mosh, shtrunge, gelbaze etj etj qe jane fjale te ndertuara ekskluzivishte brenda proto-shqipes !!!

    2)Huazimet greke te lashta, rreth 37 njesi (nga Olberg, Beeks etj ) faqja 40 referenca 20 https://www.albanologie.uni-muenchen.de/downloads/publikationen-demiraj/gjurme-te-substrat.pdf , plus akoma me intrigante behet kjo pune nese merren ne konsiderate edhe dhjetra Konjate-isoglosses mes Greqishtes dhe Shqipes nga V.Orel: https://pbs.twimg.com/media/DyB_nrHXQAkwdO6?format=jpg&name=large, pra shtrohet pyetja llogjike nese proto-shqiptaret ishin historikishte popullsi ballkano-qendrore, si dreqin duhet ta shpjegojm kete afinitet dhe keto huazime para-romake te lashta, nderkohe qe ne Moezi me aq sa di une nuk kishte qofte edhe ndonje koloni greke, nderkohe asesi nuk hasen te tilla kongruenca\perqasje mes Rumanishtes dhe Greqishtes – gje qe perben nje arsye me shume per te skartuar hipotezat e origjines dako-trake te shqiptareve, pervec atyre gjuhesore qe edhe vet Matzinger (dora vet !!) e pranon haptazi mungesen e afiliacionit mes proto-shqipes dhe gjuheve te lashta te Ballkanit lindor & verilindor !!?

  5. Nese me lejoni te shtoj dicka, ne lidhje me idene interesante te ‘Arqipelagut gjuhesore’, (ne analogji me Arbereshet e Italise, dhe Arberoret e Greqise, te keta te fundit nje trajte te ngjashme shperndarje bashkesise arberisht-folese e hasim sidomos ne Peleponez\More, ku sot egzistojne te tilla komunitete ne cdo cep te Peleponezit, dikur – shek XV – pervecse deshmohen me dendur, verehet edhe nje lidhje\pervijim fizik mes ketyre bashkesive, pra ky lloj modeli tkurrje\asimilimi\evoluimi gjuhesore mund te sherbeje per te zbardhur ceshtjen e proto-shqipetareve e kesisoj edhe te gjuhes shqipe) ne rastin e ‘Romania Submersa’ te Ballkanit verior, duhet te vecojme egzistencen e nje folme Romance te ndermjetme\hibride mes Dalmatishtes (Romance ballkano-perendimore) dhe Dako-rumanishtes (Romance ballkano-lindore) pra behet fjale per te folmen latine te Panonise & Dalmacise veri-lindore e ashtuquajtura ‘Panonishtja e humbur-Lost Pannonian’, si parantez pikerishte nga kjo zone vinte edhe Shen Jeronimi, qe ne shek V AD deshmon egzistencen e gjuhes lokale jo-latine – sermo vulgaris – ‘ilirishten’ e Panonise.Pra hipotetikishte mund te hamendesojme nje bashkegzistence shumeshekullore te te folmes Latine te Panonise dhe asaj lokale ‘ilirishte’ (kerkoj ndjese nese per hir te argumentit, guxoj ta cilesoj hipotetikishte si proto-shqipe..), qe deri diku mund te shpjegonte karakteristikat e dy-anshme te huazimeve latine ne shqipen. Por per te pervijuar e persiatur arsyetimin, ky rrjet-arqipelag bashkesish duhej me doemos te shtrihej me ne lindje e juglindje duke rene ne kontakt me proto-dakorumenet ( pra vatra burimore e proto-shqipes duhet te perfshije pervec Moezise edhe Panonine-Dalmacine verilindore ), nderkohe emigrimi i tyre ne drejtim te jugut (dhe koezioni gjuhesore i mevonshem) mund te shpjegohet fare mire me zhvillimet historike – Dyndjet barbare shek V-VIII AD -, gjithesesi, fatkeqsishte cdo gje mbetet ne rrafsh hipotetik !!

  6. Shkruan autori: “dhe kjo e ndihmoi [Çabejn] të arrinte rezultate të jashtëzakonshme, në kërkimet e tij etimologjike, të cilat shënojnë një kapërcim cilësor dramatik, edhe në raport me etimologjitë e Joklit, të cilat sot i tregojnë fort shenjat e moshës.”

    Kuptohet që autori e ka fjalën për studimet etimologjike të Joklit, të njohura e të botuara deri më sot.

    POR, a nuk do të ishte me vend që ky konkluzion për “shenjat e moshës” të marrë parasysh faktin kokëfortë se ENDE sot e gjithë ditën, Fjalori Etimologjik i Joklit, ose “Kryepuna” e tij, për çka është zbuluar deri tani, mbetet krejt panjohur për studiuesit, edhe për faktin se skedat dhe shënimet e dijetarit të shquar janë dhënë në stenogram sipas sistemit Gabelsberger-Noe?

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: