1X10: SHOQËRIA PA SHKOLLË

Titulli: Shoqëria pa shkollë
Autori: Ivan Illich
Shqipëroi: Arjan Gjikola
Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe (2019)

Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Arjan Gjikola

 

1.

Pengesën kryesore në rrugën drejt një shoqërie që përnjëmend edukon ma nxorri një miku im i mirë zezak nga Çikagoja, i cili më tha se e gjithë imagjinata jonë “është e shkolluar”. Ne i lejojmë shtetit të përcaktojë cilat janë deficitet edukuese të përgjithshme të qytetarëve dhe, rrjedhimisht, e lejojmë shtetin të themelojë organizmat e specializuara për t’i “trajtuar” qytetarët përmes shkollës. Kësodore ne bëhemi pjesë e mashtrimit, duke menduar se mund të dallojmë ndërmjet të nevojshmes dhe të panevojshmes në edukimin e të tjerëve – njësoj si brezat e mëparshëm, kur vendosnin ligje që përcaktonin se ç’ishte sakrale dhe ç’ishte profane.

 

2.

Burokracitë e shtetit të mirëqenies sociale mëtojnë se kanë monopol profesional, politik e financiar mbi imagjinatën shoqërore, duke caktuar standarde për atë se ç’është e vlefshme dhe e realizueshme. Ky monopol është në rrënjë të modernizimit të varfërisë. Çdo nevojë e thjeshtë, për të cilën gjendet një përgjigje institucionale, i hap rrugën shpikjes së një klase të re të varfrish dhe të një përkufizimi të ri të varfërisë. Dhjetë vjet më parë në Meksikë ishte e zakonshme të lindje e të vdisje në shtëpi e të të varrosnin miqtë. Vetëm nevojat e shpirtit i besoheshin institucionit të kishës. Ndërsa sot, ta nisësh e ta bitisësh jetën në të njëjtën shtëpi është shenjë ose e skamjes, ose e një privilegji të veçantë. Të vdekurit dhe vdekja i kanë kaluar tashmë nën administrim institucional doktorit dhe agjencive funerale.

 

3.

Edukimi rastësor nuk mund t’i rikthehet më formave që merrte mësimi nëpër fshatra apo në qytezën mesjetare. Shoqëria tradicionale ngjante më shumë me një bashkësi rrathësh koncentrikë strukturash kuptimplota, ndërsa njeriu modern duhet të mësojë se si të gjejë kuptim në shumë struktura, me të cilat është i lidhur vetëm cektësisht. Në fshat, gjuha, arkitektura, puna, feja dhe zakonet familjare ishin në pajtueshmëri – ndërsjelltazi përligjëse dhe përforcuese të njëra-tjetrës. Rritja në njërën prej këtyre strukturave nënkuptonte rritje në të tjerat. Edhe çirakëria e specializuar ishte një nënprodukt i aktiviteteve të specializuara si këpucaria apo këndimi i psalmeve. Edhe po të mos bëhej kurrë mjeshtër apo shkollar, prapëseprapë çiraku jepte kontributin e tij në bërjen e këpucëve apo në krijimin e një atmosfere solemne gjatë shërbesave fetare. Edukimi nuk ia merrte kohën as punës, as kohës së lirë. Thuajse i tërë edukimi ishte i ndërlikuar, zgjaste përgjatë gjithë jetës dhe ishte i paplanifikuar.

 

4.

Ne të gjithë e kemi mësuar jashtë shkollës pjesën më të mirë të asaj që dimë. Nxënësit e mësojnë pjesën më të madhe të koncepteve pa mësuesit, madje shpesh pavarësisht nga mësuesit. Më tragjikja është se shumicës mësimet ia ka dhënë shkolla, edhe pse nuk kanë shkuar kurrë në shkollë.

 

5.

Mësuesi si moralist zëvendëson prindërit, Zotin ose shtetin. Ai e indoktrinon nxënësin me ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar, jo vetëm në shkollë, por edhe në përgjithësi në shoqëri. Ai zë loco parentis-in për çdo nxënës, duke bërë kështu që të gjithë të ndihen bij të të njëjtit shtet.

 

6.

Me ta pranuar nevojën për shkollë, çdokush shndërrohet lehtësisht në gjah për institucionet e tjera. Pasi të kenë pranuar t’ia nënshtrojnë imagjinatën formimit, përmes një mësimdhënieje të planifikuar në mënyrë rigoroze, të rinjtë kushtëzohen lehtësisht që të pranojnë çfarëdolloj forme planifikimi institucional. Kësisoj “mësimdhënia” ua ngulfat horizontet e imagjinatës. Nuk mund të thuhet as që janë tradhtuar, por thjesht janë mashtruar, sepse u është mësuar ta zëvendësojnë shpresën me pritshmëri. Kështu nuk do të habiten, për mirë a për keq, nga të tjerët, sepse u është mësuar se ç’duhet të presin nga gjithkush që është mësuar po si ata. Kjo mbetet e vërtetë, qofshin të tjerët persona apo makineri.

 

7.

Shkolla mëton ta fragmentojë të mësuarit në “lëndë”, të ndërtojë kështu në kokat e nxënësve një kurrikul me këto blloqe parafabrikate dhe ta masë rezultatin me peshore ndërkombëtare. Njerëzit që i nënshtrohen matjes së zhvillimit personal me standardet e të tjerëve herët a vonë përfundojnë duke përdorur të njëjtin kut bash mbi kryet e tyre. Atyre s’është më nevoja t’u tregosh vendin, se futen vetë në vendin që iu është caktuar, ngucen në atë kamaren që iu është mësuar ta gjejnë, dhe në proces e sipër vendosin edhe të ngjashmit e tyre në vendet që iu janë caktuar, derisa çdokush e çdo send të jetë kullandrisur.

 

8.

Kisha e re universale është industria e dijes, që për një kohë gjithnjë e më të gjatë në jetën e individit i siguron atij edhe opiumin, edhe vendin e punës. Çshkollimi, pra, është në themelin e çdo lëvizjeje për çlirimin e njeriut.

 

9.

Sigurisht që shkolla nuk është kurrsesi i vetmi institucion modern që ka si synim parësor formimin e vizionit të njeriut për realitetin. Kurrikula e fshehtë e jetës në familje, shërbimi ushtarak, shërbimi shëndetësor, të ashtuquajturat specializime profesionale, si dhe media, luajnë një rol të rëndësishëm në manipulimin institucional të botëkuptimit të njeriut, gjuhës dhe kërkesave të tij. Ama shkolla skllavëron edhe më thellë, edhe më sistematikisht, meqë vetëm asaj i është besuar funksioni kryesor i formimit të gjykimit kritik. Paradoksalisht ajo përpiqet ta arrijë këtë duke e bërë mësimin për veten, për të tjerët dhe për natyrën, të varur nga një proces i parafabrikuar. Shkolla na prek në një mënyrë kaq intime, saqë askush nga ne nuk mund të shpresojë të çlirohet prej saj nga jashtë.

 

10.

Dyshimi se në konceptin e homo faber-it ekziston diçka strukturalisht e gabuar është i pranishëm te një pakicë në rritje, si në vendet kapitaliste e komuniste, ashtu edhe në vendet “e nënzhvilluara”. Ky dyshim është karakteristikë e përbashkët e elitës së re. Asaj i përkasin njerëz nga të gjitha klasat, nga të gjitha nivelet e të ardhurave, nga të gjitha besimet fetare e nga të gjitha qytetërimet. Ata s’u zënë besë miteve të shumicës: utopive shkencore, djallëzisë ideologjike dhe pritshmërisë për ndarjen e mallrave dhe shërbimeve me njëfarë barazie. Ata kanë të përbashkët me shumicën ndjesinë e të qenit të zënë në kurth, si dhe ndjesinë se shumica e politikave të reja të miratuara me konsensus të gjerë çojnë rregullisht në rezultate që, në mënyrë dalldisëse, janë të përkundërta me synimet e deklaruara. Prapëseprapë, aty ku shumica prometeane e eksploruesve të hapësirës ende i bishtnon problemit strukturor, pakica që po shfaqet në horizont është kritike ndaj deus ex machina-s shkencore, këtij melhemi ideologjik për të gjitha të këqijat, dhe ndaj gjuetisë së djajve dhe shtrigave. Kjo minorancë fillon e formulon dyshimin se vetëmashtrimet tona na lidhin me institucionet bashkëkohore njësoj si zinxhirët lidhnin Prometeun pas shkëmbit. Besimi shpresëplotë dhe ironia klasike (eironeia) duhet të shtien aleancë së bashku për ta nxjerrë sheshit mashtrimin prometean.

19 Komente

  1. Në vështim të parë, duket përkthim i kujdesshëm dhe ftues për ta lexuar librin.
    Sidoqoftë, duke u nisur nga titulli në versionin anglisht,”Deschooling Society” (dhe pa e ditur nga cila gjuhë është përkthyer libri), titulli më afër kuptimit të origjinalit ndoshta do të ishte: “Çarsimimi i shoqërisë”.

    1. duhet ta di Adriani se nga vjen ky llafi arsim, ndoshta arsye, ratio etj.. por shkolla eshte nje forme e procesit te arsimit, arsimimi jo-formal apo informal jane te tjera forma. Ne Shqip me c’kam kuptuar eshte perdorur fjala arsim si ne gjermanisht Bildung, apo anglisht Education, rusisht. Nje koncept pra i pergjithshem, jo i kufzuar te shkolla.

      1. Shqipja ka edhe shkolloj, shkollohem, shkollim, arsimoj, arsimohem, arsimtar, arsimim, sikurse edhe arsej/arrësej që ka dhënë pastaj arsim; por edhe mësoj, mësues; pastaj edukoj, edukim, edukator; dhe më tej nxë, nxënës nga njëra anë, dhe i shkolluar, i mësuar, i arsimuar nga ana tjetër. Nuk duhet kërkuar ndonjë logjikë e hekurt në këto variacione, disa prej tyre janë paralele, u përkasin vatrave të ndryshme kulturore, me terminologji ndonjëherë konkurrente. Ka një prirje, besoj unë, për arsim, arsimoj, arsimtar, etj. të specializohen për burokratishten, ndërsa edukator në stilin e lartë. Përndryshe, edhe unë besoj se arsim i referohet një koncepti më të gjerë se shkollimi. Baza e kësaj arsim është folja arsej, që është popullore (ndeshet në gegnishten veriperëndimore), dhe që rrjedh, në analizë të fundit, nga arsye, si emër edhe si folje; në Malësi të madhe me arsye dishka (sipas Çabejt) përdoret me kuptimin “me e pru në fije”.

  2. Mund t’ju siguroj, nga përvoja personale, që përkthimi i titullit, falë impaktit që ka, është një nga kokëçarjet më të mëdha të përkthyesit (ju lë të imagjinoni, ndjesitë për pjesën tjetër të veprës). Nganjëherë titulli shqip është krejt çarmatosës. Për përkthimet nga italishtja në shqip shpesh mjaftohem me titullin.

    1. Eh, mundimet e titullit… Gjurmët e tyre duken edhe këtu, në copëzën nr. 8, ku haset neologjizmi “çshkollim”, i cili është i barazvlershëm me “deschooling”, por që tingëllon çuditshëm dhe është disi i vështirë në shqiptim për shkak të rreshtimit të njëpasnjëshëm të tre bashkëtingëlloreve, gjë që me siguri e ka bindur me të drejtë përkthyesin, të mos e vendosë në titull.

      Ngandonjëherë, arsyetimi i përkthyesit për bartjen në shqip të titullit, e pasuron materialin e përkthyer nëse dokumentohet dhe i bashkëlidhet atij. Më ka lënë mbresë një i tillë, që lidhet me përkthimin e titullit të poezisë së T. S. Eliot, “The Waste Land”.

      https://imgur.com/a/XifKgzg

      Në fund të ditës, përkthimi rezulton një martesë herë e lumtur dhe herë e vështirë, mes artit të fjalës dhe shkencës së gjuhësisë.

  3. Pune e mire nga ana e perkthyesit, ka fraze te qarte edhe ne shpjegimin e disa koncepteve jo fort te thjeshta. Me kete liber te Illich-it jam njohur se pari ketu e nja dyzet vjet me pare, kur iu be nje paraqitje ne Revisten pedagogjike qe dilte atehere ne Tirane. Dhe (kjo eshte arsyeja qe po zgjatem) qe atehere me kthehej shpesh ndermend, madje nje gje e tille edhe pasi e kisha lexuar te terin. Dhe kjo deri sa krijova nje ide timen per teorine e Illich-it, per deshkollarizmin e shoqerise industriale, qe ne kohen e botimit levizi nga themelet pedagogjine klasike. Eshte vertet shume joshes, tundues (ne fakt duhet nuancuar se ai nuk ngrihet kunder mesimit si i tille por eshte per ndarjen e shkolles nga shteti, kritikon konformizmin e universiteteve etj..) dhe nuk te le rehat me argumentet qe sjell. Te pakten mua me turbulloi. Se fundi u “ndava” prej tij vetem pasi formulove nje arsyetim te thjeshte. Nuk duhet ngritur problemi, nje shoqeri me shkolle apo pa shkolle, po sa te mira e sa te keqija ka nje shoqeri me shkollarizim dhe sa te mira dhe te keqija ka nje shoqeri me rrjete sociale kulturore, qendra dokumentimi e te tjera ide qe nuk me kujtohen tani qe propozon ai per te zevendesuar shkollen. Per mendimin tim, me rritjen cilesore te shkolles dhe veçanerisht me akumulimin e masivizimin e njohurive, verehet nje zhvillim me i pershpejtuar i shoqerise njerzore ne te gjitha fushat (paralelisht me formatimin e keq te brezave te tere, gje qe Illich i shpjegon qarte dhe ka te drejte). Dhe kjo deri sa vetem ne nje nga dhjetveçaret e shk. 20 njerzimi avanconte ne zbulimet e reja, akumulonte njohuri sa 10 000 vjet te tera ne eren parardhese. Dhe duhet te mbyllesh syte qe te mos e kuptosh se kjo ka ardhur paralelisht me masivizimin e shkolles, kur fvj. u be e mundur qe te shkollohej edhe te themi Mendelejevi, rrjeti social kulturor i te cilit ishin fshtaret dhe familjaret e tij bujkrober… dhe nuk do te kishte asnje shans qe nje nga zbulimet me te medha te njerzimit, tabela qe man emrin e tij te zbulohej po qe se ai nuk do te nisej te studionte ne Shen Petersburg (sa per te sjell nje shembell)
    Tashme kur njerzimi po tundohet te projektoje te ardhmen e tij te natyres transhumaniste, problemi qe ngriti illich ne kohen e tij me ngjan i tejkaluar (eshte fatkeqesia e vendeve te tille te mbyllura si Shqiperia qe e njohu ne kohen e tij ate dhe mjaft te tjere), por libri eshte mjaft interesant dhe shpreh nje shkalle inteligjnce te pashoq nga ana e autorit.

  4. Sistemi shkollor si te gjitha institucionet e shoqerise se sotme te cilat u themeluan gjate kohes se revolucionit industrial te makines me avull nuk po reformohen dot me shpejtesine me te cilen revolucioni digital po transformon shoqerine.

  5. Mbas 40 vjetesh, ne hindsight ( medemek mbas te vjelave), resulton se autori i paska rene gozhdes mu ne koke.

    Sheh nje shkolle gjithnje e me shume ne sherbim te shtetit, sheh nje shkollim te ideologjizuar, dhe si perfundim shef edhe Greta Thunberg, qe per arsye te cilat nuk i kuptoj dot, kalon detin me varke, pritet ne kuvendin e burrave te tokes, ben muhabet dhe i jep mend me androgjinusin Trudo, dhe disa qindra mijra te tjere qe kane dale rrugeve si dervishet rrotullues.

    Nja 800 e pak vite me pare, dy femije, njeri ne France dhe tjetri ne Gjermani, per arsye qe vetem ai Zot e di, iu pat mbushur mendja se po te marshonin drejt e ne Jeruzalem, do tia kthenin ate krishterimit, dhe do i konvertornin te gjithe myslimanet ne te krishtere. Ashtu, duke bere muhabet me njeri-tjetrin, gju me gju. I priten ata me mbreter, princa dhe pape. Disa qindra e mijra vete te tjere, i ndoqen keta dy femijet, neper rruge e neper kanale, duke kercyer edhe ata. S’e kam idene nese kishte derivesh qe rrotulloheshin ne ate kohe apo jo. Por femijet thane, se meqe burrat me mustaqe, kishin nja 100 vjete qe ishin zhytur ne gjak deri ne gju tek provonin per ta bere Jeruzalemin te krishtere, kjo pune behesh vetem me llafe, Ato te femijeve. Dhe sa per detit, sapo turma e tyre te mberrinte ne Brindizi, Zoti, do ua ndante ujin dhe ata s’do kishin nevoje te paguanin ndoke, me anije, qe ti conte ne anen tjerer. Sic u nis, kjo pune, ashtu edhe u bitis. Me qindra femije mbeten rrugeve, ca dhe me shume u shiten si skllever. Dhe babain e gjermanit, e vari fshati, per kusuret e te birit.

    Mbaj mend ne 2008, erdhi ne qytet Al Gore. I shkulen gjithe femijet dhe e mbushen pallatin e sportit per te degjuar mesian e papune, qe kish vendosur te shpetonte planetin,duke u bere me avjon personal. Menyra e organizimit me nzorri mallin e xhaxhit. Atij tonit. S’eshte se me pyeti njeri per femijen tim a te merrte pjese ne ate shplarje trushe apo jo. Po une nuk u merzita. Hic fare. I thashe tim biri se kur Al Gore te spjegoje se pse oqeani Arktik pati temperatura subtropicale ketu e 100 mije vjet me pare, atehere do te heq dore nga kafja, nga makina, nga komputeri, nga telefoni, nga rrushi ne mes te dimrit, nga avokado, nga avjoni, nga te ngrohtit ne dimer dhe te ftohtit ne vere. Deri atehere, te gjitha cfare thuhen jane genjeshtra, me nje shkalle te tille paturpsie ( the science is settled, thote mesia, edhe ai femija autist andej nga veriu i Europes), sa qe do s’do te detyrojne ti futesh seriozisht studimit te cinizmit.

    Ka nja dy-tre vjet qe shkolla ketu, nen hyqmin e shtetit, ka vendosur tu spjegoje femijeve se qe ne shkolle fillore, ata qe duan, mund te gdhihen cuna te vegjel, e te ngrysen vajza te vogla apo vice versa. .Qofte kjo edhe pa aprovimin e prinderve. Mjafton qe te kene deshire per te kapercyer ylberin, se shkolla dhe shteti do ti ndihmoje me gjithshka, duke filluar qe nga hormonet , gjinia ( jane bere nja 200 deri tani me duket) e deri tek peremri.

    Jordan Peterson flet gjere e gjate per te keqen qe ka kapur shkollen e sotme, e se si, vlera e saj ne formen ekzistuese jane te nje natyre ideologjike, me teper se sa didaktike( altro che pedagogji klasike, Lyss). Ai e artikulon ne menyre shume te qarte se shkencat shoqerore nuk kane shpetim, dhe se te vetmet dege qe akoma kane nje vlere sociale, jane ato te shkencave ekzakte ( edhe per nja 10-15 vjet keshtu, shton diku Peterson, se edhe aty ka per te hyre “krymi”).

    https://www.youtube.com/watch?v=OlaVI1QeQsg

    Si perfundim, po patet femije , sa te mundeni, hiqini nga sistemi shkollor publik, shtyjini, sa te jete e mundur drejt shkencave te sakta, ose zanateve, dhe nese keto jane te pamundura, atehere, si puna e pelhures se Penelopes, ate cfare e ben shkolla gjate dites, shprisheni deri ne fund gjate nates, cdo nate, pa pushim e nderprerje.

  6. Për këtë libër më ka vënë në dijeni për herë të parë Ardiani (Vehbiu, sigurisht) pas një komenti timin para këtu e 4-5 vjet më parë ku i sugjeroja artikullshkrueses (Presja) të merrte parasysh shkollën si “koqet” nga mund ta kapte “problemin” (e ecurisë jo fort shpresëdhënëse të shoqërisë), megjithëse nuk bija dakord me arsyetimin e saj se pikërisht andej duhej kapur problemi e jo nga “koka”. Më pati mbetur merak atëherë që nuk e vazhdova dot temën (të shkruarit është tejet angazhues për mua) prandaj po gjej rastin për ta vazhduar këtu në njëfarë mënyre.
    Që nga ajo kohë deri sot vetëm sa jam bindur gjithnjë e më fort – nëse kam pasur nevojë të bindem akoma – se arsimi i detyruar publik është ideja më e çmendur dhe me pasoja më katastrofale e gjithë modernitetit, “unaza që i lidh të gjitha të tjerat”. Megjithatë librin nuk e kam lexuar, siç nuk kam lexuar as ndonjë literaturë tjetër për t’u përmendur mbi këtë temë, përveç disa artikujve të John Taylor Gatto-s, ndër të tjera autor i dy librave me titujt mjaft domethënës Dumbing Us Down (“Si po na budallepsin”) dhe Weapons of Mass Instruction (“Armë të udhëzimit në masë”) dhe i cili ka një histori interesante si mësues për rreth tridhjetë vjet në shkolla të ndryshme të Nju Jorkut ku pati fituar për katër vjet rresht, në mos gabohem, çmimin e mësuesit më të mirë në shtetin e Nju Jorkut.
    Nuk kam lexuar literaturë kritike për arsimin megjithëse arsimi ka qenë një ndër temat më themelore që më ka preokupuar vazhdimisht përgjatë 8-9 viteve të fundit. Ose mbase pikërisht për këtë arsye nuk kam dashur ta konsumoj me lexime, ngaqë për mua është çështje mbi të gjitha personale dhe prandaj kam dashur të ruaj një këndvështrim sa më të kulluar mbi përvojën vetjake. Sepse fundja në mos më mjaftoftë kjo e fundit si material me 16 vitet që përmban, vështirë se çfarëdo literature do të më bënte derman.
    Çfarë i bën prindërit t’i shpien fëmijët në shkollë me aq përkushtim e sakrifica, morale e materiale, somnambulisht, pa e çuar kurrë nëpër mend si mundësi të mos e bëjnë këtë gjë? Pa e vënë kurrë në pikëpyetje vlerën dhe domethënien e gjithë këtij procesi… Megjithë frustrimin që kanë përjetuar vetë gjatë procesit në fjalë dhe frustrimin që përjetojnë dukshëm bijtë e tyre… Megjithëse, po t’i bien qoftë për një çast kalemit, është e qartë se në tërë ato vite stresi e vuajtjesh vetë kanë nxënë shumë pak në raport me kohën dhe mundin që u ka vjedhur shkolla, u kanë mbetur në mend akoma më pak dhe u kanë hyrë apo u hyjnë në punë pak fare ose aspak… Nga ana tjetër, megjithë përkushtimin që tregojnë për t’i shkolluar fëmijët, kurrë nuk bëhen kuriozë çfarë u mësohet atyre në shkollë dhe çfarë ata mësojnë realisht. Raporti i tyre me këtë proces është krejtësisht abstrakt: ata paguajnë, regjistrojnë fëmijët, afirmojnë vazhdimisht autoritetin e shkollës tek ta – madje edhe mbi ata vetë e duke minuar, pa e kuptuar, të tyrin si prindër – dhe kundrejt kësaj kërkojnë notën dhe diplomën.
    E gjitha kjo nuk ndodh ngaqë arsimi publik është i detyruar. Në pjesën më të madhe të botës, me pak marifet nuk është fort e vështirë t’i bëhet bisht këtij detyrimi. Edhe atje ku nuk mund t’i bëhet bisht, ky detyrim mund të përmbushet në mënyrë subsersive duke siguruar që fëmijët t’i mbijetojnë këtij institucioni të paktën duke mos i gënjyer për atë se çfarë ai përfaqëson. Por çështja është se, më shumë se i detyruar, arsimi publik praktikisht është i dëshiruar, madje i adhuruar. E pra, si është e mundur kjo? E vetmja përgjigje e mundshme është se shkolla është pikërisht e kundërta e asaj që pretendon të jetë: një proces stupifikimi që vetëriprodhohet perpetualisht. Ky pa dyshim është një proces kompleks ku luan rol çdo aspekt teknik sipas kohës dhe vendit, që nga vitet e shkollës deri tek pesha e çantës që kalamajtë duhet të mbajnë në kurriz e tek dizenjimi estetik i librave. Si aspekt teknik konjitivisht destruktiv kryesor do të thoja se në formë, me kohën dhe përkushtimin që parashikon, shkolla është e projektuar për polymath-ë, për njerëz që dijen do ta kenë angazhim kryesor për tërë jetën, kurse në përmbajtje është për të prapambetur mendorë. Në këtë mënyrë shkolla ua bën nxënësve të vështirën të lehtë dhe të lehtën të vështirë. Ua bën të lehtë dijen në përgjithësi, sepse në fakt nxënia e një kapaciteti të gjithanshëm dhe vendosja e bazave të forta metodologjike në një sërë fushash si dhe i një metodologjie të dijes në përgjithësi, është i vetmi rezultati i natyrshëm që pritet prej vitesh të tëra studim të përditshëm si preokupim kryesor. Nga ana tjetër ua bën të vështirë nxënien reale të një subjekti nëpërmjet një sërë mënyrash djallëzore, duke e shtrirë procesin (si mësimi i alfabetit në rreth 3 muaj, mësimi i gramatikës në 8 apo 12 vjet, mësimi i një gjuhe të huaj (bëhet fjalë vetëm për bazat) po ashtu në shumë vjet, etj.), duke mos lejuar përqendrimin në një subjekt të vetëm si dhe nëpërmjet sistemit të testimit që, siç krijon stres të jashtëzakonshëm te fëmijët por edhe në marrëdhëniet e tyre me prindërit, në fund të ditës nuk është as serioz.
    E gjitha kjo ka një qëllim dhe një rezultat: rrënimin e marrëdhënies së natyrshme të njeriut me dijen, të strukturave të natyrshme epistemologjike tek njeriu, për ta bërë këtë plotësisht e përfundimisht të varur nga institucionet në marrëdhëniet e tij me veten, në intimitetin e tij më të thellë.
    Nga ana tjetër konjitivisht, të paktën tek një pjesë e viktimave, ky rrënim nuk është aq fatal sa të mos lejojë një formim gjysmak por funksional përmes sistemit universitar, i cili nga njëra anë e betonon tredhjen e shpirtit të realizuar përmes arsimit parauniversitar dhe nga ana tjetër i çliron në mënyrë të kontrolluar rrugët konjitive duke formuar ekspertë në shkallë të ndryshme sipas projektit të piramidës sociale, të cilët janë në gjendje t’i kryejnë më së miri funksionet që u jepen, por jo edhe të vënë në pikëpyetje domethënien e tyre. Është pikërisht arsimi universitar – i ardhur me tipare të ruajtura në përgjithësi nga periudha klasike, edhe pse po degradon me shpejtësi – ai që krijon iluzionin se arsimi publik ka sjellë “zhvillimin” (përveç asaj se ky “zhvillim” mbetet për t’u peshuar kundrejt asaj që njerëzimi ka humbur për ta arritur).
    Por problemi më i madh është se shkolla funksionon si motori kryesor i shpërbërjes së familjes përmes shkëputjes së lidhjeve epistemologjike – rrjedhimisht edhe emocionale e psikologjike – mes brezave dhe njëkohësisht ushqehet më tej nga kjo shpërbërje. Me çdo brez që bluhet në këtë mulli, fëmijët mësojnë gjithnjë e më pak nga prindërit dhe prindërit dinë e kuptojnë gjithnjë e më pak nga bota e brendshme e fëmijëve të tyre. Prandaj këtyre u duhet të përballen në vetmi të thellë e pa kurrfarë udhërrëfimi me proceset e natyrshme fiziologjike e psikologjike të rritjes, të cilave u mbivendosen të gjitha proceset e panatyrshme të së padiskutueshmes shkollë, si cinizmi i mësuesve (dikur ishte dhunë fizike e psikologjike deri në brutalitet), shoqëria arbitrare dhe e imponuar (edhe ajo gjithmonë cinike dhe shpeshherë e dhunshme), deri tek zgjimi i pahirshëm i përditshëm dhe qëndrimi ulur në stol për orë të tëra. Në mungesë të një karakteri shumë të fortë – që, duke qenë diçka që ushqehet kryesisht nga identiteti dhe virtyti organik familjar dhe komunitar, në këto rrethana bëhet gjithnjë e më i rrallë – shpëtimi imediat gjindet ose tek tredhja e vetes, ose tek dalja nga vetja duke përqafuar identitete e vese me natyrë shpesh mazokiste, të promovuara nga të tjera industri që nga ana e tyre ushqehen kryesisht nga industria e arsimit, ndër të cilat kryesorja është pornografia dhe promiskuiteti, tashmë të bashkëshoqëruar gjithnjë e më shumë nga homoseksualiteti dhe çoroditja gjinore, prej ku individi (i lavdishëm i Perëndimit), përjashtuar mrekullitë, e ka të pamundur të kthehet më tek vetja dhe tek qenia e tij organike. Çka kontribuon më tej akoma në zhdukjen e familjes.
    Si ka arritur puna deri këtu? Për zhvillimin historik të arsimit publik nuk mund të them gjë. Për këtë lipset lexuar literaturë. Gatto thotë se origjinën e ka në sistemin ushtarak prusian. Gjithashtu diku përmend se kur është shpallur për herë të parë arsimi i detyruar në SHBA, në Massachusetts, njerëzit kanë bërë luftë për të mos i dorëzuar fëmijët – reagim më se i natyrshëm ndaj një kërkese kaq të marrë. Por nuk po merrem me këtë pjesë dhe me verifikimin e këtyre të dhënave. Me interes do të ishte edhe krahasimi i arsimit publik modern me teori dhe praktika të ngjashme paramoderne, si Republika e Platonit, sistemi spartan, sistemi osman i devshirmesë e kështu me radhë. Por edhe kjo është temë tjetër. Pyetja që do të bëja këtu është kjo: Çfarë force dhe çfarë premise qëndron pas arsimit modern?
    Po t’i pyesësh prindërit se pse i çojnë fëmijët në shkollë, nëse do ta kapërcejnë disi habinë nga një pyetje e tillë dhe do të rreken të japin ndonjë përgjigje konkrete, besoj se shumica pak a shumë do të thonë “që fëmijët të kenë një punë, pozitë a jetë më të mirë”. Ndonjë hoxhë konformist do thoshte se edhe në Kur’an thuhet “lexo”, apo ndonjë intelektual gjynafqar do llomotiste diçka për “t’u bërë i ditur”, por edhe këta zëra mund t’i konsiderojmë pa frikë si shprehje të hipokrizisë që shkolla imponon tek viktimat e saj (edhe Greta e shkretë tha “duhej të isha në shkollë”) dhe t’i fusim tek të parët. Pa përjashtuar se ka edhe idealistë të sinqertë të cilët besojnë deri në fund tek një botë më e mirë e ndriçuar nga drita e arsimit, nga ata që rëndom përfundojnë në kampe pune të detyruar kur fryn ndonjë “wind of change” e mbrapshtë. Gjithsesi ideja në thelb mbetet e njëjtë: për një jetë më të mirë. Këtu, në këtë botë, në “Mbretërinë e Njeriut” siç shprehet Tage Lindbom.
    Që shkolla të ofron mundësi për një jetë më të mirë, më troç për të fituar më shumë para, a në daç pushtet, sigurisht, është fund e krye mit, siç është edhe Mbretëria e Njeriut. Dikur shkolla kishte prestigj (për çfarëdo që vlen prestigji), por sot edhe prestigji ka pësuar inflacion. Megjithatë njerëzit vazhdojnë t’i falen shkollës, t’i kërkojnë shtetit që t’ua arsimojë fëmijët e të protestojnë kur shtetit nuk i arrin krahu në ndonjë guvë fatlume. Basti im është që do vazhdojnë pa u ndalur, përderisa të vazhdojë ajo që gjendet në gjenezën e në thelbin e kësaj marrëzie: shekullarizimi, ndryshe çshenjtërimi, feja e Antikrishtit i cili e shet të bardhën për të zezë e të zezën për të bardhë, dijen për injorancë e injorancën për dije. E vetmja rrugë kthimi prej kësaj pike – kthim personal mbi të gjitha, pasi çështja e madhe nuk është “çshkollimi i shoqërisë”, por “çshkollimi i vetes” – është shenjtërimi: i botës, i njeriut, i dijes; shenjtërimi i të mësuarit, i prindit si mësues dhe i fëmijës si nxënës.
    “Lexo” është fjala dhe urdhri i parë në Kur’an. Sipas rrëfimit, ëngjëlli tri herë ia përsëriti këtë fjalë Muhammedit dhe tri herë e shtrëngoi fort pasi mori përgjigjen “Nuk di të lexoj”, si për të shkundur prej tij kuptimet profane dhe për ta bërë të hapet ndaj kuptimit të shenjtë të fjalës, dhe vazhdoi: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi. E krijoi njeriun prej embrionit. Lexo; Zoti yt është më Bujari. Me anë të penës njeriun e mësoi. I mësoi atë që nuk e dinte.”

    1. nuk dhe ndonje alternative per edukimin ne mase… shkolla, edhe e modeluar si nje ushtri apo fabrike, eshte i vetmi institucion qe mund te edukoje me kaq eficience dhe efikasitet per republiken, diktaturen e madje teokracite, apo cfaredo lloj sistemi politik qe synon te kontrolloje dhe te ushqeje njekohesisht masat. Eshte nje institucion modern per modernitetin. Edhe ajo online, ose neser e udhehequr nga Inteligjenca Artificale, do te kete te njejten model. Me miliardat e robve ne planet eshte e pamundur te mos standardizohet ky proces per ta percjelle dijen me kosto sa me te ulet dhe rendiment te larte.

      1. Alternativë për edukimin në masë unë nuk kam. Një nga efektet madhore të arsimit publikut është kushtëzimi i njerëzve për të menduar kolektivisht. (Individualizmi i famshëm i Perëndimit vlen vetëm kundër familjes dhe bashkësisë organike, por nuk guxon kurrë të drejtohet kundër strukturave ideologjike si shteti, kombi e më tej.) Prandaj edhe shpëtimi kërkohet gjithnjë kolektivisht dhe ideologjikisht. Alternativa ime është individuale: kam vendosur të mos i çoj fëmijët e mi në shkollë. Në disa vende ekziston si alternativë edhe shkollimi në shtëpi. Pa dyshim që është një alternativë shumë më e mirë se shkolla në shumë aspekte thelbësore, por personalisht as atë nuk do ta zgjidhja sikur të më ofrohej si mundësi, pasi nuk dua as program të përcaktuar nga nuk e di se kush.

      2. Dp. nuk e kisha vene re se diskutimi ka vazhduar. i ke te drejte, nuk ka institucion me me efikasitet se shkolla dhe zgjidhja duhet gjetur brenda saj e ju duke e suprimuar ate (edhe pse mua me vjen per mbare teoria e Ilich-it sepse shkoja ne shkolle vetem per t’u bere qejfin prindërve).
        Do te sjell pastaj shembullin francez ne lidhje me problemin ne fjale.
        Ivan Illich-i kur u emrua te punoje ne nje sesion te kishes se portorikanve ne Nju York vërejti angazhimin e sinqerte dhe total te te gjithëve qe shkolla ku jepte mesim te bazohej mbi drejtesine soiciale dhe jo te perfitonin ata qe kishin me shume mjete, financa. Keshtu ai vuri re se me gjithe mesimedhenien me baza krejt te reja, perseri pati akumulim te pasurise tek, jo më te më të pasurit, por te ata qe ishin… me te miret.

        Ketu ai kuptoi mekanizmin e çuditshem te rezultatit te kundert te asaj per te cilen nje institucion ishte krijuar (me pas do te thote se eshte pikerisht automobili qe do te pengoje qarkullimin (dhe per ketë jemi dëshmitarë te gjithe te pakten dy here ne dite kur shkojmë ne pune e kur kthehemi ne shtepi), shkolla do te pengoje arsimimin (gje per te cilen po flasim), mjeksia mjekimin etj. Per kete te fundit ai dha shembull vete kur u diagnostikua me kancer dhe nuk pranoi ta mjekoje dhe keshtu jetoi edhe … 20 vjet. (per te medikamentizimi i tepert jep rezultate te kunderta).

        Per t’i gjetur zgjidhje problemit te vertete qe ngre Ilich-i ne lidhje me shkollën (natyrisht, problemi qe ngritur që nga korifejte e iluminizmit), Franca nuk mbylli shkollat por investoi me miliarda euro per t’u dhënë shanse edhe atyre qe nuk kishin.

        Keshtu, duke vërejtur se pas shkolles, femijet nuk kane te njëjtën ndihme nga prinderit per t’i ndihmuar te mesojne e te bejne detyrat, sepse jo te gjithe kane kohen dhe arsimin e duhur (puntore, bujq etj.), atehere u verejt se pikerisht ketu duhet bere diçka. Dhe ndryshe nga sa lexova te nje gazete shqiptare, se femijet franceze hane dreke ne shkolle dhe rrine pasdite deri ne darke ne mjediset e saj sepse ka shume femije me prinder te divorcuar, e verteta eshte se qendrimi i femijeve franceze ne shkolle eshte nje zgjidhje e rendesishme qe i ka dhene politika pabarazive sociale.

        Duke ndenjur pasdite ne shkolle dhe duke bere detyrat nen mbikqyrjen e nje mesuesi, i cili i ndihmon te gjithe ne mënyrë te barabarte Franca ka kapur problemin qe ne origjine, jep zgjidhjen e saj pikërisht ne periudhën e femijenise dhe adoleshencës, aty ku fillojne çarjet dhe diferencat e medha sociale…
        Dhe kjo kushton shume, jashtëzakonisht shume. Kjo eshte arsyeja qe buxheti i arsimit (edukimit) ne France quhet buxheti nacional, sepse eshte me i madhi nga te gjithe…

  7. Interneti po demokratizon shancet ne aksesin e barabarte ndaj njohurive .nj femije I varfer ne kalkuta bangkok apo ne malet e pukes me nje tablete $30 dhe nje lidhje WiFi ka te njejtin akses ndaj leksioneve te MIT sa dhe nje femije amerikan I klases se mesme .

    1. Me supozimin qe femija i varfer i Kalkutas, Bangkokut dhe sidomos ai i maleve te Pukes te dije anglisht ne nivelin qe duhet per t’i kuptuar leksionet e MIT, se nuk e besoj se mund te behet kjo pune me Google Translator.

      1. Google translate eshte permiresuar shume .kame vene re artikuj te perkthyer me google translator ne shtypin shqiptar ne nivel pothuaj profesional.mund ti shikosh vete websites te iniversiteteve te ndryshme qe leksionet sidomos te shkencave ekzakte i kane interactive dhe te animuara.me pak perpjkje edhe dikush qe nuk e di gjuhen mire mund te ushtrohet me to .

        1. Jam dakord. Cfare perkthehet me Google translator ne shtypin shqiptar del me cilesi me te mire se shume shkrime “origjinale”, megjithese aty ketu vihet re ndonje budallallek i cilesise edhe me te mire. Nuk e besoj qe subjekte te veshtira te nivelit universitar te matematikes, fizikes apo kimise te pervehtesohen lehte ne stilin “Tom and Jerry”. E shumta mund te jene te tipit 5 dardha (vizatim) +2 dardha = 7 dardha, dhe interaktiviteti mund te jete qe femija nga Puka te shtoje edhe nje dardhe tek kufiza e dyte e ti behen 8 dardha. Nejse, mbase po dalim jashte temes. gjithsesi po deshe na jep ndonje link ku mund te shohim ndonje leksion te tille. Flm.

    1. Dhe ju mendoni se keto lloj njohurish mund te kuptohen e pervehtesohen nga kushdo qe i degjon? Kam pershtypjen se keto lloj leksionesh jane me shume per studente qe jane te rregullt neper keto klasa, por mund t’iu kete shpetuar ndonje gje gjate klases, ose nuk kane pasur mundesi te jene te pranishem, keshtu u jepet mundesia te degjojne sa here te duan leksionin. Tashti nuk e di per ate rioshin, a rioshen ne Bangkok, por mos me thuaj qe ne Puke, madje edhe ne Tirane, mund te gjesh me shume se zero te interesuar per kete subjekt. Dakord, jane on-line, po cfare impakti kane?

      1. Nuk flitet me siguri absolute pa I njohur njerezit .shembujt gjeografike isolla si ilustrim te faktit se njohuria e cila ishte dikur monopol I metroploeve tani nepermjet teknologjise vihet ne dispozicion te shteesave dikur komplet te perjashtuara .teknologjis eshte atje apo pothuaj atje qe nje video ne gjuhe te huaj ta perketheje nepermjet CC ne gjuhen e memes .you can’t be what you can’t see .edhe nese nuk te pregatisin komplet ne nivel prefesional te pakten u ngjallin interesin besimin guximin enderrat pasionet per profesione qe njerezve te periferise dikur as iu shkonte ne mendje te enderronin .ne kushtet e shqiperise me shkolla fshati me 4-5 nxenes apo me gjysmen e popullsise ne kurbet venia e gjithe programit mesimor ne internet ,te animuar,ze ,figure dhe tekst eshte menyra me me efektive e arsimimit .

Lini një Përgjigje te AlbaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin