TË VËSH UJËT NË ZJARR

Arsyeja formale për shoqërimin në polici të dy punëtorëve të mediave – nuk po dua t’i quaj “gazetarë”, sepse ky term shënjon një figurë tjetër profesionale – ishte “përhapje paniku”. Argumenti më çon te një opinion i anëtarit të Gjykatës së Lartë të SHBA Oliver Wendell Holmes Jr., në 1917, i cili pat shpjeguar se askujt nuk i duhet lejuar “falsely shouting fire in a theater and causing a panic”, çka është përdorur dhe vijon përdoret për të argumentuar pse fjala e lirë që është (konsiderohet) e rrezikshme dhe e rreme nuk meriton të mbrohet. Për t’u vënë re: duhet që fjala të jetë e rreme, pra folësi ta dijë (të jetë i vetëdijshëm) që është duke gënjyer; një punonjës i teatrit që kujton se po bie zjarr përnjëmend, nuk mund të dënohet kur ia lajmëron këtë sallës[1]; po ashtu, duhet që fjala të shkaktojë vërtet panik[2]. Pavarësisht nga fama madje prestigji që ka marrë, ky argument është shumë i vështirë për t’u mbrojtur – sidomos po të lihen mënjanë pasojat reale që mund të ketë shkaktuar akti ligjërimor.

Çështja me dy punëtorët tanë të mediave duhet parë në kontekstin e vet – dhe pikërisht: një katastrofë natyrore si tërmeti, e tillë që t’i tmerrojë njerëzit në mënyrë gati irracionale; një shoqëri të papërgatitur për përballimin e emergjencave civile; struktura të paqarta për informimin e publikut nga autoritetet, në raste emergjencash të tilla; dhe sidomos, mosbesim i publikut ndaj autoriteteve, prej të cilëve shumë njerëz janë mësuar të dëgjojnë të pavërteta. Pra – një krizë e mekanizmave të informimit publik, e cila shërben si premisë e panikut.

Kush i lajmëroi njerëzit që të dilnin nga shtëpitë, sepse pritej të binte një tërmet në aksh orë etj., mori përsipër një rol që nuk i takonte: këto lloj lajmërimesh duhet t’i japë vetëm një autoritet i caktuar. Normalisht, qytetarët e informuar e dinë sa nga duhet t’i marrin lajme të tilla – por situata pas tërmetit nuk mund të quhet normale, dhe mekanizmat mbrojtës të rendit nuk funksionojnë mirë.

Më në fund, për t’u shqyrtuar është edhe efekti i këtyre lajmeve – që rezulton të jenë botuar online. Ka një mendim që mediat online komunikojnë tashmë jo me publikun e gazetave dhe të TV-it, por me përdoruesit e rrjeteve sociale; madje shpesh funksionojnë si shtesë e këtyre rrjeteve. Shumë prej portaleve, përfshi këtu edhe “Syrin”, marrin lajme (content) drejtpërdrejt nga Facebook-u dhe ua japin për lexim sërish lexuesve të Facebook-ut. Roli i tyre është ta mbajnë lakun të mbyllur dhe, sidomos, të mos lejojnë kontaminime nga realiteti, ose nga bota përtej Internetit.

Njerëzit që i financojnë këto portale duhet ta dinë se, ajo çfarë bëjnë, nuk ka lidhje me të drejtën e publikut për informacion; është fjala për aksesorë të pushtetit, dhe në përgjithësi, të politikës – e cila, për ta thënë me historianin Henry Brooks Adams, nuk është veçse “organizimi sistematik i urrejtjes”. Njerëzit që punojnë në këto portale nuk kanë shans të zhvillohen profesionalisht, për të arritur në statusin e gazetarit; por mund të gjejnë gjithnjë vend në zyrat e public relations të politikanëve të lartë.

Prandaj edhe dëmi material dhe moral që mund të ketë sjellë paniku i rremë i përhapur prej “Syrit” as mund të krahasohet me dëmin intelektual, moral dhe social që shkaktojnë lajmet e rreme, shpifjet, pornografia, shija e keqe, kulti i konsumit të spikatur, sulmet ad hominem dhe modelet e “virtytit” praktik që promovohen prej të ashtuquajturës gazetari të portaleve. Pushteti, i cili sot trash zërin kundër dy qyqarëve që as vetë nuk e dinë se çfarë kanë bërë, është vetë pjesë e këtij degradimi të informacionit; sepse prej kohësh dhe sistematikisht e ka rekrutuar të vërtetën, si mercenare për betejat e veta meskine.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi në mediat e tjera: kopjuesit do të ndiqen sipas ligjit.


[1] Është edhe historia e klounit që tregon Kierkegaard-i, i cili bërtiti “ZJARR!”, sepse zjarr po binte vërtet; por publiku nuk e besoi, sepse kujtoi se po bënte shaka, si kloun që ishte. Kush duhet arrestuar në atë rast? Publiku?

[2] Nuk di si do të mund të interpretohej argumenti, në rastin e Teatrit Kombëtar në Tiranë: kur kanë qenë vetë autoritetet që kanë ulëritur sa e sa herë FIRE! FIRE!

4 Komente

  1. Kush i lajmëroi njerëzit që të dilnin nga shtëpitë, sepse pritej të binte një tërmet në aksh orë etj., mori përsipër një rol që nuk i takonte: këto lloj lajmërimesh duhet t’i japë vetëm një autoritet i caktuar.
    Ah, jo jo!
    Nuk eshte ky akti ilegal- uzurpimi i altoparlantit qe lajmeron!
    Akti ilegal eshte shperndarja aktive e nje rrene te sofistikuar.
    Akoma nuk dihet nese edhe e kane krijuar kete rrene apo i ka ardhur ne tavolinen e punes nga gjetke.
    Kjo po, qe ha analize! Te shohim…

    1. Po ja, përmende ti Top Channel-in, kush të pengon? Dhe shpjegoje pse dhe si. Unë e lashë jashtë, sepse e kisha shkrimin për ata që u thirrën në polici. Merru ti tani me ata që nuk u thirrën.

      (nuk e kuptova atë që “Top Channel-i sipas meje ka gazetarë.” Pse sipas meje?)

  2. Dikur ne shba e ne bote pati plot grupe fetare qe besonin e predikonin haptazi ne media se ne vitin 2000 do te vinte fundi i botes e nuk I akuzoi njeri per perhapje paniku .

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin