LIBËR I RI

Këto ditë doli nga shtypi dhe filloi të shpërndahet në libraritë libri im më i ri, Gjuha e thyer, gjuha që thyen, shënime për lirinë dhe vargonjtë e fjalës publike në Shqipërinë totalitare, botuar nga Botime Çabej, në gjerdanin Excipere (është libri im i katërt në këtë gjerdan, pas Fraktaleve të shqipes, Shqipes totalitare dhe Fjalë për fjalë).

Libri është rezultat i përpjekjeve disavjeçare të gjuhëtarit dhe të qytetarit brenda meje, për t’i dhënë një përgjigje sado të pjesshme pyetjes: si funksiononte shtrëngimi (koercioni) ligjërimor në totalitarizëm? Dhe më tej, çfarë i shquante politikat dhe qëndrimet ndaj lirisë së fjalës, në Shqipërinë totalitare, nga politika dhe qëndrime të ngjashme, në vende të tjera totalitare, si Bashkimi Sovjetik i periudhës së Stalinit dhe më pas dhe vendet e Europës Lindore pas Luftës II Botërore? Duke qenë unë vetë produkt dhe viktimë ligjërimore e atyre politikave dhe duke i përjetuar në vetë të parë tundimet dhe rreziqet e fjalës së lirë, gjatë viteve 1960-1980, e kam pasur të qartë se vetëm distanca nga ajo kohë, ose mundësia intelektuale për t’u organizuar mendërisht në një klimë tjetër të shprehjes, do të më lejonte të paktën të filloja t’u përgjigjesha pyetjeve të tilla. Si hap i parë drejt këtij synimi më shërbeu edhe studimi në trajtë eseje Shqipja totalitare, i botuar gjithnjë në gjerdanin Excipere të Botimeve Çabej, në 2009; ku rrekesha të skicoj përçudnimin e shqipes publike nga regjimi totalitar, ose rekrutimin mujshar të ligjërimit publik shqip nga regjimi i viteve 1945-1990. Ashtu m’u hap njëfarësoj rruga për të hulumtuar më tej dukuri të tilla si censura, auto-censura, dosja si një lloj ligjërate e zhdrejtë, përgjimi e spiunimi, thashethemi, raportimi, teoritë e komplotit, paranoja, indoktrinimi, dizinformimi, provokimi, propaganda, konformimi, shpëlarja e truve, disidenca, alegoria, parodia dhe skizofrenia, të cilat veç e veç dhe së bashku ndihmojnë për të kuptuar burgun ligjërimor ku i mbante qytetarët e vet regjimi në ato vite. Vend të dukshëm në libër zënë format e rezistencës diskursive ose të ligjërimit subversiv, i cili nuk mund as duhet të identifikohet me të folurit “kundra” dhe as me zbatimin në sallat e gjyqeve të nenit famëkeq 55 të kodit penal, kundër “agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit” a të ligjeve të ngjashme. Liria e fjalës publike është parë edhe nga një perspektivë performative (pragmatike), ku aktet ligjërimore individuale marrin kuptim në kontekste sociale specifike, por edhe shërbejnë për t’i krijuar dhe riprodhuar ato kontekste. Veçanërisht jam ndalur në problematikat e letërsisë artistike në përballje me kufirin politik dhe ndonjëherë policor midis “çfarë mund të thuhet” dhe “çfarë nuk mund të thuhet”, i bindur se letërsia në totalitarizëm ka shërbyer edhe si teatër i fjalës, herë tragjik dhe herë komik, herë heroik dhe herë karnevalesk; duke u rënë shkrimtarëve barra që të na japin zë të gjithëve ne të sallës.

Që në krye e kam ditur dhe as jam munduar ta shmang natyrën relativisht subjektive të disa prej analizave dhe përfundimeve në librin e tanishëm. Shtypja e fjalës së lirë nuk ka qenë e njëjtë për të gjithë – çfarë do të tolerohej për një palë, do të ndëshkohej rreptë për një palë tjetër; në kuptimin që politikat shtypëse të regjimit ishin të njësuara në parim, por të diferencuara sipas shtresave sociale dhe raporteve të tyre specifike me pushtetin totalitar. Disa përjetime në trajtë kujtimesh, të cilave u referohem në libër kanë qenë karakteristikë sa e brezit tim dhe e statusit tim social brenda shoqërisë totalitare, aq edhe e viteve të rinisë sime, të cilat përndryshe qëlluan të ishin edhe më të rëndat, në kontekstin e lirive dhe të drejtave të individit. E megjithatë, këto përjetime, që kanë zënë vend në libër, janë të miat – si banor i kryeqytetit të viteve 1960-1980 dhe pjesëtar i një shtrese të mesme që, edhe pa qenë objekt të drejtpërdrejtë të persekutimit politik dhe policor nga regjimi, ishte dëshmitar i heshtur i këtij represioni. Të tjerë bashkëqytetarë të mi, por që kanë jetuar në provincë; ose kanë qenë “të prekur” politikisht a të deklasuar; madje më keq akoma, që kanë jetuar në internim, e kështu me radhë, kanë eksperienca të ndryshme nga të miat. Mosha ngre peshë gjithashtu: një ish-partizan kish tjetër raport me fjalën publike nga një sekretar rinie; sikurse një drejtor i një institucioni qendror do ta kontrollonte fjalën e vet më me kujdes se një karrocier. Dua të besoj se subjektivja në këtë libër, së cilës detyrimisht i referohem, është edhe e një segmenti social relativisht përfaqësues për Shqipërinë totalitare; por gjithsesi nuk mjafton për të mbuluar dhe shpjeguar edhe eksperiencat e të tjerëve. Njohja dhe urtësia, në këtë fushë, do të arrihen vetëm pjesë-pjesë dhe me rrugë kumulative.

Vitet e fundit ka pasur një rritje të shënueshme të interesit për jetën e përditshme në vendet totalitare, veçanërisht në Bashkimin Sovjetik të periudhës staliniste dhe më pas. Janë botuar një numër i madh studimesh të shkëlqyera, përmes të cilave homo sovieticus profilizohet në sfondin e shtypjes policore por edhe të përpjekjeve për normalizim dhe mbijetesë; studime që më kanë ndihmuar edhe mua, tërthorazi, për t’u organizuar dhe, veçanërisht, për të rafinuar metodën e analizës në libër. Regjimi totalitar në Shqipëri adoptoi shumë praktika dhe politika nga stalinizmi, madje i vazhdoi ato me këmbëngulje, në mos i thelloi, edhe pas “rrëzimit” ideologjik të Stalinit në vitin 1956, në Bashkimin Sovjetik dhe kudo gjetiu në Europën Lindore. Disa dukuri e zhvillime karakteristike për represionin e fjalës së lirë në Kampin Socialist, përfshi këtu edhe disidencën si formë proteste nëpërmjet fjalës, shoqëria shqiptare pothuajse nuk i njohu – në një kohë që, të paktën gjatë viteve 1960, regjimi i Tiranës u tundua jo pak nga praktikat e Revolucionit Kulturor në Kinën e Maos. Nëse në marrëdhëniet kulturore me botën inercia e orientimit sovjetik vazhdoi edhe për shumë vjet pas prishjes së madhe të fillimviteve 1960, kufizimet në lirinë e shprehjes gjatë periudhës së vetmisë së madhe, ose të izolimit të viteve 1970-1980 shpesh iu detyruan një rikthimi në praktikat sociale konservatore të patriarkalizmit tradicional (p.sh. seksofobia). Nëse regjimi vetë mbijetonte dhe riprodhohej nëpërmjet ritualeve represive të përditshme, energjitë e mëdha sociale të shpërdoruara në luftën kundër “shfaqjeve të huaja” mund të shpjegohen veç si dëshpërim i një kaste gerontokratësh, të cilët nuk dinin ç’të bënin më me pushtetin, përveçse të mos e lëshonin nga duart.

Në tetor dhe deri nga mesi i nëntorit do të jem, kohë pas kohe, në Tiranë, për të marrë pjesë në takimin a takimet me lexuesit. Këtë herë, me mbështetjen dhe mirëkuptimin total të botuesit, arritëm ta shmangim daljen e një libri të ri mu ditën e parë të Panairit; ashtu të interesuarit, dashamirët dhe kureshtarët do të kenë boll kohë që ta marrin veprën në dorë, veçanërisht nëse kanë dëshirë të angazhohen në diskutim. Ëndrra ime si autor është që libri të diskutohet para një auditori të ftuarish që e kanë në mos lexuar, të paktën shfletuar; në mënyrë që edhe mundësinë e një bisede me ta ta përjetoja si privilegj. Veçanërisht shpresoj që ky libër t’u interesojë lexuesve më të rinj, që nuk e kanë jetuar drejtpërdrejt dhunën ndaj fjalës së lirë; ose më mirë, këtë dhunë e përjetojnë tani në forma shpesh krejt të tjera. Teknikat e kontrollit ligjërimor sot u janë përshtatur teknologjive dhe sensibiliteteve të reja; çfarë do të thotë, të paktën për mua që i njoh edhe ato të vjetrat, se individi i ditëve tona nuk është aq i lirë gjuhësisht sa ç’kujton. Tek e fundit, totalitarizmi – ashtu siç e përjetuam ne – kapitulloi edhe ngaqë nuk ishte aq eficient në riprodhimin e marrëdhënieve të pushtetit; por le të mos harrojmë se çdo elitë do ta ruajë sundimin e saj edhe duke kontrolluar dhe vënë në punë ligjërimin publik të Tjetrit. Ky është një debat që do të doja shumë të nxisja, nëpërmjet këtij libri – i cili merret me një periudhë tashmë të mbyllur, por që i ka paraprirë së sotmes.

Në rrjedhë të viteve të fundit, temat e librit janë marrë e rimarrë, në masë të konsiderueshme, te “Peizazhe të fjalës”; prandaj lexuesit nuk do t’i vijnë si tërësisht të panjohura ose të reja. Tashmë Interneti, përfshi këtu edhe Facebook-un, më ka mësuar që të shkruaj në kontakt të vijueshëm me të tjerët; por shpresoj që botimi i librit të shihet, nga ky lexues që më ndjek prej vitesh, jo si përmbyllje e një cikli refleksionesh, por si platformë për të kaluar në një nivel tjetër. Indoktrinimi ligjërimor mua vazhdon të më interesojë edhe në raport me çfarë po ndodh sot në Shqipëri dhe nuk e përjashtoj që t’i kushtohem seriozisht në të ardhmen – me kusht që interesimi im të bashkëtingëllojë me tuajin.

Ardian Vehbiu
11 shtator 2019

Shënim: sa më lart mbështetet pjesërisht në tekstin hyrës të librit.

3 Komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin