HAPËSIRA E SHKRIMIT ELEKTRONIK (III)

nga Natasha Porocani (Shuteriqi)

Ç’po ndodh me shqipen e WhatsApp-it?

1-Italianizmi. Tashmë është e pohuar jo vetëm nga analistët dhe sociologët shqiptarë por edhe ata të huaj, se hapja drejt kulturës italiane në vitet `90, integrimi kulturave të ndryshme lokale, pak a shumë në këtë periudhë dhe më pas, pas viteve 2000 dominimi i kulturës anglo-saksone mbeten tri faktorët më të rëndësishëm në evoluimin që pësoi shoqëria shqiptare në përgjithësi, por edhe në formësimin e formatimin e një brezi të ri, i cili ndër të tjera, nisi të prezantojë përdorime të veçanta grafike fillimisht në tekstet e shkruara në përgjithësi e më vonë në ato elektronike.
Në fillim ishte ndikimi italishtes. Sipas studiueses N. Shkëlzeni ky që në fillim të viteve `90 u bë një faktor shumë i fuqishëm ndikues për shkak të afërsisë gjeografike, raporteve shumëvjeçare mes dy kombeve, emigracionit shqiptar të njëzet viteve të fundit dhe konsumimit të lartë të prodhimeve mediatike italiane. Italishtja është një gjuhë studimi, duke qenë se janë të shumtë studentët shqiptarë që çdo vit frekuentojnë universitetet italiane, është një gjuhë pune për sa kohë që një numër i madh emigrantësh shqiptarë punojnë dhe jetojnë në Itali. Por gjithashtu, italishtja është edhe gjuha e televizionit, e zhanreve të argëtimit, spektakleve, kinemasë dhe modës. Të gjitha këto arsye e kanë bërë italishten një nga gjuhët më të njohura, sidomos nga të rinjtë, që u rritën në kontakt të vazhdueshëm me televizionin italian.

A:-Ciao
B.-(emoji)
A:-Ci6 n4?
B:-Ku do shkjm?
A:-Ms bej figon, skr se di ti…

2-Anglikalizmi. Por sigurisht, ndikimi më dominant është ai i anglishtes. Roli i anglishtes në gjuhët kombëtare tashmë është kthyer në fenomen. Kjo jo vetëm për shkak të teknologjisë e cila është e ndërtuar pothuaj krejtësisht ose pjesërisht në anglisht, por edhe sepse pozicioni udhëheqës që ajo ka marrë në komunikimin ndërkombëtar sugjeron shpeshherë kode të cilat janë tashmë ndërkombëtarizuar. Por këtu duhet të ndezim sinjalin e alarmit, sepse shumë formate anglosaksone po e dëmtojnë shqipen dhe leksikun e saj. Duke qenë se nuk është ky fokusi i punimit tonë, do të ndalemi vetëm te disa shkurtesa që tashmë janë akomoduar në përdorimet elektronike të të rinjve në shqip. Për këtë po sjellim shembuj të trajtuar nga Lorenzzeti e Schirru, të cilët në punimin e tyre e kanë dëshmuar etimologjinë e disa shenjave grafike në italisht, që përkojnë me të njëjtin historik edhe në shqip.
Në kontekstin anglez gjejmë një traditë të disa shenjave grafike që gjenezën e tyre ose momentin e tyre të përhapjes maksimale e kanë patur në praktikën e shkrimit mesjetar: është rasti i të ashtuquajturës “dhe-komerciale”, shenja &, që paraqet interpretimin e shtypur të neksusit dorëshkrimor grafik e që përdoret zakonisht për lidhjen latine “e”, e cila në anglisht i përgjigjet vlerës paralele të “dhe (and)”; ose kërmilli i famshëm, shenja @, e cila buron nga një ligaturë e thjeshtë, në një shkrim kursiv siç është ai që përdoret zakonisht nga tregtarët, midis shkronjës a me një vijë mbivendosjeje që ka vlerën e një shenje shkurtimi: në botën anglo-saksone është parafjala që prezanton një adresë. Prandaj, përdorimi i tij, në kontekstin e komunikimit të informacionit, informon për adresat e postës elektronike.

Në shqipen elektronike, i kemi akoma më të pasura pranitë e shkurtimeve në anglisht si thnx (faleminderit), hi (përshëndetje), x (për) etj.

A: -O plak. Wt the fck
B:-Yep or burr srz e kam
A:-Kush tha
C:-barmeni.
A:-Vrj atij esht like bord
Ose
A:- Dksh nice
B:-thnx

3-Kompozimi matematikor. Po kaq e pranishme po bëhet edhe dukuria e kompozimeve mes numrave dhe fjalëve të huazuara herë nga italishtja e herë nga anglishtja: një numër i vetëm shërben për të treguar korrespondentët fonetikë dhe në brendësi të kompozitës trupëzohet duke ideuar një fjalë. U2 (unë gjithashtu), Ci6 (je?, a mundesh, a je disponibël, etj), B4 (më parë), 4ev (përgjithmonë). Ka edhe raste nga shqipja, por më të pakta p.sh.ver8, po shkj pr 5hkim. Jemi në fazën kur këto përdorime po e zgjerojnë territorin e tyre të përdorimit dhe po krijojnë një sistem shkurtimesh që nuk ka ekzistuar më parë. Sepse ndërsa gjurmojmë të tilla kombinime dhe kllonime, mos harrojmë që operatorët matematikorë x, y, z, +, -, , , , , janë përdorur gjerësisht si shkurtime në gjuhën e shkruar shumë kohë më parë.

4-Zhargonet. Dukuria që po zë gjithmonë e më shumë vend dhe që nuk është më dukuri ngushtësisht gjuhësore por në fakt ka marrë gjithmonë e më shumë karakter sociolinguistik, është prania e zhargonit të rrugës në komunikimin elektronik dhe jo vetëm. Nëse e hedhim vështrimin përtej dialogimit në rrjet, do të konstatonim se këngët e rrymave më moderne sot në shqip përdorin disa varietete zhargonesh (shpesh edhe dialektesh) aspak prestigjioze dhe që janë edhe larg vlerave dialektore lokale. Kështu i referohemi një lloj repi apo popi i cili ka ngjeshur disa zhargone të dialekteve dhe nëndialekteve të Kosovës, duke u bërë kalke të formateve të tilla të këngëve në anglisht. Në stilin amerikan këto këngë të ardhura si forma rebelimi, jo vetëm që janë ndërtuar duke u bazuar në stilin e rrugës, por edhe me leksik të marrë nga përdorime të vrazhda të shtresave të së rinjve të emargjinuar. Ky fenomen, i lokalizuar fillimisht në muzikë u shtri edhe në komunikimet elektronike të të rinjve. Qarkullimi i elementeve të shënuar në kuptimin banal shpjegohet me tendencën e gjuhës rinore për të dalluar veten nga norma gjuhësore referencë për arsye shprehëse ose lojërash, ose thjesht për të shënuar një distancë gjenerative në lidhje me gjuhën më formale. A është një varietet dialekti, një mundësi shprehjeje më e gjerë e më e pasur se dialekti vetë, apo edhe se standardi? Gjykojmë që kjo pyetje kërkon një studim të thelluar, por në rastin e komunikimit elektronik me qëllim dialogimin, janë kontekstet ato që derivojnë përgjigje akoma më komplekse. Sepse ngërthehen faktorë linguistikë por edhe socialë, psikologjikë e kulturorë, që realizojnë një komunikim i cili po aq sa largohet nga standardi po aq largohet edhe nga vetë dialekti. P.sh

A:- ca thue bab
B:-e vrl
ose
A:-shtoje crrilin
B:-me ca
A:-krenin thuj
B:-e pash iher
Ose
A:-ps fryhet ai?
B:-esht maçu.

5-Dialektizimi. Futja e disiplinuar e standardit në komunikimin shkollor e më tej pas vitit 1972, për fat solli një ngushtim të dallimeve mes gjuhës së fëmijëve të sotëm krahasuar me prindërit e tyre. Sigurisht që dialektet u lanë pas dore, por ata gjithsesi gjalluan, siç e analizuam më lart. Ndërsa në shkollë mësohej gjuha standarde, në shtëpi flitej në dialekt. Por shteti ndikoi fort që standardi të ciklohej edhe në rrethe të ngushta familjare. „Pas daljes së vendimeve të Kongresit Ministria e Arsimit nxori Urdhër që të përfshihej krejt shkolla shqiptare në zbatimin e këtyre vendimeve. Në Urdhrin nr. 4 datë 26/12/1972, për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, jepeshin udhëzime të prera për rrugën që do të ndiqej për këtë objektiv:

“Përfundimet e Kongresit të Drejtshkrimit të njihen nga të gjithë punonjësit e arsimit brenda muajit janar 1973. Të bëhet e qartë se populli shqiptar ka tashmë vetëm një gjuhë letrare”

Kjo do të thoshte se prania e elementeve dialektore në shqipen e shkruar nuk mund të lejohej përveçse për arsye stilistikore, politike apo edhe të trajtohej si një atavizëm i shkrimit të autorit. Por pas viteve `90 dialektet u gjallëruan, ndoshta si një nevojë rebelimi ndaj mungesës së lirisë. Të rinjtë i rivitalizuan ato edhe nga marrëdhëniet me të afërmit, por mbi të gjitha – nga adoleshenca e tutje – në kontaktet me bashkëmoshatarët.

A:-a pr shkdr locen je tu fol ar zylyfa (je duke folur për Shkodrën dashurinë, nënën, loken, etj, more ballukemënjanë?)
B:- po mer naqe me tthn zog ashtuje (po mor djalë, me të thënë zog i saj)

6. Diskursi i koduar. Duke mos qenë dukuri e izoluar shqiptare, nevoja për të falsifikuar gjuhën në përdorim i ka orientuar të rinjtë që të eksperimentojnë dhe hulumtojnë kanale të reja shprehëse duke e bërë komunikimin e tyre të gjallë, të ri, ngacmues. Në kuptimin tonë ka një shumësi shenjash dhe fushash leksikore të përdorura nga grupe të veçanta njerëzish. Në këtë gjuhë përfshihen terminologji ekskluzive të mjedisit të tyre (shoqëri me benefite, e pa përmas, snuk, naçut), përdorim të zhargoneve më pak ose më shumë të kodifikuar (më pak i kodifikuar, p.sh llumbaç,barbon më shumë i kodifikuar zhvendosja kuptimore deri në eufemizëm e fjalës respekt). Kjo bën që komunitete gjuhësore të caktuara si p.sh ato gazetareske t`i qëmtojnë zhargonet më pak të kodifikuara, sikundër edhe të mos i kuptojnë të tjerat.

Kodet gjithmonë kanë ekzistuar në gjuhën tonë. Ky fenomen ka shoqëruar jetën sociale dhe politike të popullit tonë, brenda territorit të Shqipërisë ashtu edhe në Kosovë e më tej. Vetëm se në ndryshim nga fenomeni i tanishëm, kodifikimet kryesisht politike, kanë ndodhur për të siguruar fshehtësinë e komunikimeve. Periudha më e afërt që na e dëshmon këtë është periudha e luftës së II Botërore, por edhe ajo e diktaturës, kur klasat shoqërore u detyruan të kodifikonin komunikimet e tyre për arsye që tashmë janë të evidentuara.

Siç shihet synimi është ai dallon kodet e të rinjve nga kodet e njohura në historinë tonë.

Nëse i rikthehemi gjuhës së të rinjve sot, shumica e termave dhe shprehjeve vijnë direkt nga rruga, nga shkolla dhe nga mjediset e takimeve të pasdites; disa shprehje nuk janë gjë tjetër veçse rivendosje të dialektit të gjyshërve ose fjalëve të njohura, por që marrin një kuptim tjetër; shprehje të tjera rrjedhin nga mesazhet promovuese televizive, nga telefilma, nga tekstet e muzikës moderne, videot. Për të gjitha këto, pohojmë se shkrimi elektronik ka çuar në një varësi më të madhe kulturore nga media. Nga ana tjetër ky sistemi ri është një mënyrë shumë e shpejtë e komunikimit mes të rinjve dhe i jep jetë një gjuhe të re dhe origjinale me të cilën ata dallojnë veten nga brezat paraardhës. Për rrjedhojë diskursi që realizojnë të rinjtë në komunikimin e shpejtë elektronik, mbetet larg diskurseve tradicionale të kushtëzuara nga kontekstet dhe konektorët, madje i shpërfillin grafikisht dhe në të shprehur këto të fundit. P.sh Një diskurs tradicional do të ishte:

Dy shokë që diskutojnë për të shkuar në kinema.

Drini: Alba çfarë po bën? Nesër në orën 7 do shkojmë në kinema me ata të klasës. Do vish edhe ti me ne?

Alba:-Varet.

Drini:- Nga se varet?

Alba:- Nëse vjen edhe Eri, nuk vi sepse kam bërë fjalë me të dhe ai është shumë i pasjellshëm.

Ndërsa në kodet e tyre vjen ky tip diskursi:

Drini:-O alb cb? T shkr se e kemi len nsr nga mbsd per kinema me ato t kls do vish?

Alba:- Pff varet s di

Drini:- Ps varet? Ti vj perher pse sdashke kshu

Alba:- Po erdh ai eri nk vij km be llafe me ate. Esht cop barboni skm nrv ta dur

Për sa i përket shkurtimeve të fjalëve shqip të përdorura rëndom në këtë lloj shkrimi, atëherë do t`i gruponim sipas këtyre tipologjive.

-shkurtime të fjalëve deri në pikën që të jenë të qarta brenda kontekstit:
nesër-nsr; bibliotekë-bbl; shkollë-shkll; etj.

-shkurtime me synim tkurrjen e fjalës:
-varet-vr; çfarë-cfr; nuk-nk; drejt-dr; etj.

-fjali të tëra të shkurtuara vetëm me bashkëtingëllore zakonisht:
çfarë po bën?-cpb; të dua shumë; tdsh; shihemi nesër-shnsr; etj.

Nga sa pamë vërejtëm se synimi i kodeve dhe shkurtimeve është i dyfishtë: komunikimi në kohë reale dhe nevoja e vetidentifikimit të grupit. Synimi i tyre është të identifikojnë veten në grupet e mëdha të komuniteteve gjuhësore nëpërmjet të tjera dimensioneve linguistike herë të qarta, herë të kodifikuara, herë sarkastike e herë eufemistike. Ky është edhe synimi i kodeve të reja që ata krijojnë dhe jo që të shkatërrojnë gjuhën shqipe.

Por gjuha shqipe është një gjuhë me fleksibilitet të lartë. Ajo ka mënyra, kohë foljeje, rasa për emrin, mbiemrin, përemrin, ka trajta ta shkurtuara, larmi gjymtyrësh, etj. Pra a është e përshtatshme shqipja për një mutacion të tillë? Po parimi fonetik i shqipes a do ta pranonte këtë dukuri?

Këto elemente që i analizuam pra po përdoren nga të rinjtë për t’u vetidentifikuar, për t’u dalluar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Me sa duket faktorëve socialë, kulturorë, politikë etj, po i shtresohen edhe faktorë gjuhësorë, madje po determinojnë. Ky detaj sociolinguistik është kthyer në një labirint ku jo çdokush mund të hyjë. Duhet të njohësh çelësat linguistikë që të mund të kuptosh këtë grup të ri, i cili sa po vjen e po e thellon dallimin me pjesën tjetër të shoqërisë. Gjithsesi nëse gjykojmë zakonin e shkurtimit të fjalës, përdorimin e emoji ose shfuqizimin e përdorimit të shenjave të pikësimit, të gjitha na përzihen pa asnjë logjikë me rezultatin e gjenerimit të një produkti përfundimtar për të cilin ende nuk jemi të qartë, është një hibrid, një mutacion, apo një mënyrë që do t`i mbetet vetëm shkrimit. Sepse, ndërsa në sms një individ shkruan: “Çpb”, kur e ndeshim të njëjtin individ në rrugë, pa dyshim që ai na pyet: çfarë po bën?

A duhet të trembemi atëherë nga sa po ndodh? Koha le të flasë.

(fund)

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

———————
1.-Me termin „cenim“ nuk kuptojmë dëmtim apo rrënim të fenomenit, por thjesht ndryshimin e tij të prekshëm.
2- Përdorim foljen „përdorje“ në vend të emrit „përdorim“, sepse gjykojmë që në dy llojet e artikulimeve folja e siguron më mirë imazhin e një lëvizjeje tërësore të materialit gjuhësor.

Bibliografi
Baron,N., Letters by Phone or Speech by Other Means: The Linguistic of Email, in “Language & Communication”, 18,1998, f. 134
Combrettes, Quelle (s) grammaire (s) pour eseigner la variete? në Quel français enseigner? La question de la norme dans l’enseignement/apprentissage, Edition de l’Ecole Polytechnique, f. 25
Dinale C. (2001), I giovani allo scrittoio, Esedra, Padova, fq 51’55.
Fare comunicazione (Teoria ed esercizi), Carroci editore S.p.A,Roma, 1 edizione, novembre 2006, fq 80
H.Hysenaj, http://www.shkenca.org/pdf/gjuhe/standartizimi.pdf fq 2
Marco Nobile, I prestiti, digitali: studio di interferenze, linguistiche, Universita degli studi di Salerno, 2017, fq 39- 57
Udhëzim për vitin shkollor 1972-1973, RTPSH, Drejtoria e arsimit dhe kulturës, Drejtoria e arsimit të mesëm, Nr. 205

Rreth Autorit

Natasha POROCANI (SHUTERIQI) Diplomuar në gjuhë shqipe dhe letërsi. Doktoruar në fushën e gjuhësisë së aplikuar, autore e një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në Shqipëri e diasporë.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin