FLORILESH, OSE PSIKANALIZË E EMIGRACIONIT

për O.A.

nga Idlir Azizaj

Ditën e emigracionit të madh, kur refugjati vendosi ta linte vendin, erdhi këtu. Këtë e vërtetojnë dhe arshivat e lajmeve të kohës.

Dhe erdhi pikërisht në këtë vend, ku mbërriti sot kjo grua.

Aty mbërriti dhe ajo me të shkuarën e saj.

Aty rrinte e vështronte vetë atë të shkuar. Që aty, nga aty, i ngjante si kallaj i shkrirë.

Ashtu zhvendosej ajo, në një hapësirë të dyfishtë, nëpër historinë e saj. Ishte më shumë një hapësirë e dyfishuar nga histori e saj.

Derisa një djalë u shfaq aty në breg. U shfaq befas si dhe ai sekseri vite më parë.

-Ti e di ku mund ta gjej, më ndihmon dot? – e pyeti ajo sekserin.

-Edhe bëhet, po ta bëjmë njëherë bashkë, tha sekseri.

-S’kam ç’të të bëj, tani që iku ai, e pa lënë gjurmë, tha e fejuara.

Nga ky breg ku mbërriti ajo tani.

Aty erdhi edhe ajo një ditë, më vonë. Sa për të ikur në kërkim të refugjatit në vend tjetër. Ku mbërriti edhe ajo më pas. E njëkohësisht priste klientë me para, që i duheshin për atë kërkim.

E kjo e bënte gruan të dyzohej tani aty në breg. Grua e çarë më dysh, e quante veten dhe ajo. Njëlloj me aktoret në rol pa zë, rrinte e verifikonte vend-vështrimin.

Ky ishte vendi nga ku vështronte. Ku vështrimi mbinte. Sajë lodhjes, nën lodhjen e madhe as e merrte për vështrim.

Si rrjedhim dalloi një vajzë më tej në breg. Kjo vajzë shkrihej në pamje, ndërsa gruaja shkrihej me përdorimin e inkonshientit.

Kështu ngrihej në rangun e sendit. Haste lëvizjet e fytyrës së saj. Por pa krijuar aspak ndonjë imazh narcisik. Këtu ajo jetën e vinte para si pasqyrë.

Dhe ndiqte disa klishe. Madje bëhej drita e atyre klisheve. Këto foto të saj në të shkuarën fëshfërinin, bubërronin njëlloj si fletët e librit nga ku dilte atëherë. Nga libri i jetës së saj.

Dilte prej andej dhe shoqëronte dikë drejt vend-ngjarjes. Për të shkruar drejt një vendi ku ajo shkiste në marrëzi!

Vajza trazonte rërën në breg. Teksa gruaja shkrihej me përdorimin i inkoshientit, u shfaq nëna e të fejuarit që kishte ikur nga ky breg. Ajo e mbante peng asokohe. E lënduar nga ikja e djalit në vend tjetër.

-Ti e di mirë ku ka vajtur djali, por s’do të ma thuash, rënkonte nëna e refugjatit e qëronte fasulet.

-Po jo, vërtet s’e di, më mban lidhur kot, tha e fejuara e priste qepën, e lotët që dilnin as i merrte parasysh.

-Bën ti sikur s’di, do të më vdesësh mua nga marazi e të mbetesh vetëm të bësh pastaj ç’të do qejfi, tha nëna e refugjatit një ditë.

Pas kaq kohësh, gruaja mbështetej tani në pasurinë e mjeteve të veta. Në atë të shkuarën si hekur i nxehtë. Pleksej me rininë e vet e sinjalizonte dhimbjen.

Kështu e maskonte deficitin.

E gjendej befas nën lakuriqësi. Sa për maskë bëhej dhé. Disi shkiste drejt qendrës së vështrimeve. Djali dhe vajza bënin një kala me rërë në breg. Dhe gruaja e kishte parë edhe një herë një gjë të tillë.

-Hera e parë që shoh det me sy, sa i madh qenka, i tha ajo të sapofejuarit.

-Unë do hidhem njëherë për vete, po nuk është i ngrohtë në ktë kohë, tha i fejuari.

-Po unë s’di as not, as notin s’ma ke mësuar, tha e fejuara.

-Se mos di gjë tjetër ti, tha me vete i fejuari.

-Për atë punë ti s’di gjë as për mua, desh tha e fejuara.

Pranë kalasë zhvendosej ajo tani: monolog zëlartë si pasioni. Dhe ashtu haste pa e ditur në një eponim.

Në distancë të vogël nga ajo vajza e lëshonte vështrimin për të shenjuar një jo-vështrim. Me atë vërë-vështrim mandej përshkruante pa fjalë pragun që ndan dy vdekje.

Pastaj dallga erdhi e u plas në breg. Çka imitonte kredhjen e një refugjati në det kur vendosi të largohej drejt vendeve të tjera. Këtë e vërtetonin vetë arshivat.

Gruaja ndalte, nën dhimbjen lakuriqe. Djali më tej kërceu së gjati mbi rërë. Atëherë gruaja me dyfish-hapësirë, u bë mungesa e saj dyfishe në hapësirë. Dhe dukej ajo veç gryka e një bluze të thurur me kokrra rëre nga bregu. Ku qe kthyer sikundër uji i detit te retë pasi ka braktisur mes nesh kripën.

Në shëtitjet e saj ajo shfaqej vërdallë sa për të humbur pastaj në ajër. Ashtu dhe thuprat nëpër formën e shportës që i përmban. Thuprat në shportë, vërtet pa kokë e pa këmbë, tregojnë pa dashur lëvizjen si treten rrugës drejt natës përmes ditës: përpikmëria, rregulli, gjumi.

Kështu e nxiste gruaja dhimbjen. Njëlloj dhe dallga i hidhej kalipeç bregut. Ashtu dhe refugjati kish çarë ujin.

Me zor e ndiqte ajo veten në vendngjarje. Sa arrinte ta pandehte për shkretëtirë. Në trupin ku kishin shkitur sa e sa klientë i rridhnin grimca rëre përtej shkëmbinjve të shkrirë.

Aty koka e saj përsëritej. Sa për trupin, i mbetej në rang sendi.

Vetëm në profil rrinin djali dhe vajza tjetër, vetëm deti ishte para. Hijet e atyre dyve binin përdhe në profil me tokën. Mbi rërë të dyja hijet ishin gjakshprazur. Dhe mbi rërën ku kishte hyrë sy, shkarravisnin bukurinë e prostituimit të saj.

-Shikoje atë gruan matanë, shikoja syzet si e i ka, s’kam parë syze dielli si ato, tha njëra hije.

-Duket si e huaj, tani që e shoh me kujdes, më ngjan me ato figurat që gdhendin nëpër monedha, tha hija tjetër.

-Nejse, nga veshja duket çik vulgare, tha tjetra.

Kështu rrinte ajo e kujtonte veten. Ashtu bëhej mit. E në mungesë të shpirtit verifikonte vështrimin.

Shkiste; e po ashtu edhe gjestet e saj në shkretëtirë.

Ajo shprazej. Dukej krejt ndryshe mënyrës si dyzohet diçka në sytë e subjektit. E maskonte veten në zotëruese të zbrazëtisë në qendër të vështrimeve. Bënte prapë ndonjë orvatje drejt së qenit çuditërisht e trefishtë.

Në çastin e mbërritjes së nën-unit ajo e hasi një eponim.

Dhe dallga e shprishi kalanë e rërës. Pastaj uji bubërroi shkumë në breg ku ajo ndodhej me duart lakuriqe.

Ishte ky sinjali i kënaqësisë për një emër që etiketonte personin e saj me aq kujdes: Lolavëra Stein*.

Dhe fare ulët fliste, i drejtohej vetes, me atë zërin që dikujt i vjen nga shumë larg edhe kur s’ka errësirë përreth. Zëri tregonte se me hap e dhunonte ajo këtë hapësirë, Lola Verbstone, që për klientët përdorte emër tjetër.

-Ti gënjen, s’ka mundësi, ç’ne me ksi emri ti, i tha klienti me dorën në xhep.

-Ler paratë dhe ik, s’ke pse qëllon me shkelma, njeri jam dhe unë më duket, i tha gruaja në vendin tjetër.

-Njerëz si ty i bëj me kum unë te bregu detit, i tha klienti dhunshëm.

Ashtu e dhunoi refugjati ditën kur erdhi këtu për t’u larguar nga vendi. Para se të kridhej në det. I pa-parë. Pa parë*. Madje as shpresën ngaqë e shpikin orë e pa kohë. As veten biles që tash e dinte për peshk. Në det krejt kufijtë e atdheut shpupurishur mes flokëve, flora e këtij ishulli beter. Aty, më pranë larg ditës. E gjurmën si violonçel do e kishte ai, sikur veç të shkelte dot në det!

(c) 2019, autori.


Detaje :

* Romani « Lol V. Stein » i Duras ka frymëzuar këtë rrëfim.

*Teza bazë e « Psikanaliza e zjarrit » e G. Bachelard është se « njeriu fillimisht imagjinon, pa sheh ». Pra, vështrimi ynë paraprihet nga strukturat e mitet rreth njeriut. Duket emigracioni i ashpër anashkalon këtë « normalitet » kulturor. Më vonë, si vijim, W. S. Burroughs denonconte klishetë njerëzore, me postulatin « çka shohim kushtëzohet shumë nga ato që dëgjojmë ».

2 Komente

  1. Stil i bukur! Me kujtoi vertet dialogjet e Marguerite Duras dhe atmosferen intime me shume shtresa perceptimesh, projeksionesh, e ndjenjash midis njerezve. Vetem titulli sikur te ishte pak me poetik… me hermetik, mbase do t’i shkonte me shume permbajtjes (mendimi im).

Lini një Përgjigje te EvaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin