SHKRIMI, DORA, MUZIKA

Mbaj mend të kem lexuar diku – por tani nuk e kujtoj dot me saktësi se ku – për mënyrën si ndikoi, në stilin e të shkruarit, kalimi nga pena në stilograf. Ideja ishte që, kush përdor penë, detyrohet ta ndërpresë herë pas here rrjedhën e të shkruarit, për ta ngjyer penën në bojë. Stilografi, përkundrazi, lejon shkrim të pandërprerë. Që këtej, pauzat në tekstet e shkruara me penë kanë edhe origjinë, si të thuash, mekanike; dhe koha sado e shkurtër që shkruesi e njom majën e penës në bojë, i jep këtij edhe një shans për t’i rimenduar ato që po shkruan. Procesi mund të studiohet edhe sot: duke ndjekur, në dorëshkrimet me penë, mënyrën si vjen e hollohet e zbehet gjurma e bojës deri sa ajo befas ntrashet e forcohet sërish. Të ketë lidhje mes kësaj nevoje për furnizim me karburant në ajër, si ajo e bombarduesve strategjikë, dhe ritmit të frazës, të stilit dhe të ideve në tekst?

I përkas një brezi që filloi ta mësonte bukurshkrimin me penë: njollat e bojës, apo “laparosjet” siç i quante mësuesja ime e fillores, më kanë shoqëruar për të paktën deri në klasën e katër, bashkë me ca kallamarë sferikë, si anijet kozmike të filmave vizatimorë, që rridhnin e lëshonin nga të gjitha anët. Majat e penës i blinim në kinkaleri: kushtonin 1 lek të vjetër copa. Ëndrra jonë e atëhershme ishte të kalonim te stilolapsi, që nuk ishte dhe aq i përhapur. Më pas, do të vinte dita kur të na dhuronin për datëlindje stilografin kinez. Një i tillë më ka shoqëruar besnikërisht deri në fund të viteve 1980 – mjafton ta shoh (sepse e kam akoma) që të më vijnë në mendje vitet e gjimnazit dhe pastaj të universitetit, me mijëra faqe leksione “të mbajtura shënim”.

Stilografi të ndihmon të harrosh që je duke shkruar; ligjërimi që flet tek ti, kalon njëfarësoj, nëpërmjet lojës së imët me tre gishtat e dorës, nga mendja në faqen e letrës. Nuk di të them nëse gjërat që kam shkruar atëherë mund të quhen stilografike edhe nga stili; i fundit tekst që kam shkruar me dorë nga fillimi në fund ka qenë Kulla e sahatit – me stilograf, në një zyrë në mes të Manhattan-it; si të zbavitja veten me një performancë retro.

Shumë gjëra patën ndodhur ndërkohë. Edhe pse nuk e kam provuar të shkruar drejtpërdrejt në një makinë shkrimi, u mësova shumë shpejt ta bëj këtë në kompjuter. Sot nuk shkruaj dot më me dorë, përveçse shënime – madje edhe këto, sado të shumta dhe të domosdoshme për të organizuar idetë, i hedh gjithnjë e më shpesh në ekranin e një tablete, me penë elektronike.

Nëse ka pasur ky ndërrim “veglash” ndonjë domethënie apo jo, këtë ende përpiqem ta kuptoj. Nietzsche-ja, i cili e përjetoi vetë revolucionin teknologjik të makinës së shkrimit, ka shkruar në një nga letrat private: “Veglat tona të shkrimit veprojnë edhe mbi mendimet tona”. Friedrich A. Kittel, nga libri i të cilit Gramophone, Film, Typewriter (Stanford University Press, 1999) e kam marrë këtë citat, gjen edhe një lidhje mes stilit aforistik të veprave të vona të atij filozofi dhe teknologjisë së re. Një ndikim të ngjashëm të makinës së shkrimit në stil e pat dyshuar edhe T.S. Eliot, pasi filloi t’i shkruajë poemat e veta me makinë: “në vend të fjalive të gjata, me të cilat kisha rënë në dashuri, tani nxjerr nga dora gjëra të shkurtra, staccato, si proza frënge moderne. Makina e shkrimit ndihmon qartësinë, por nuk më duket se inkurajon finesën (subtlety).”

Te leksionet për Parmenides-in, Heidegger-i e përmbledh dilemën kështu: “Shkrimi mekanik e privon dorën nga rangu i saj në lëmin e fjalës së shkruar dhe e degradon fjalën në mjet komunikimi.”

Si i apasionuar që kam qenë pas shkrimit me dorë, gjithnjë jam prirur ta afroj me vizatimin, dhe, në analizë të fundit, me pikturën: dora vizaton në faqe simbole me natyrë gjuhësore. Te vizatimi ka një diçka jo thjesht kinetike, por edhe koreografike: shumë kultura, edhe pse jo detyrimisht jona, e afrojnë shkrimin me bukurshkrimin – mjaft të përmend rolin që luan kaligrafia në kulturën arabe dhe në kulturën kineze. Ky aspekt vizual i të shkruarit anulohet krejt nga të shtypurit me makinë; sepse këtu vizatimi ia lë vendin “vulës”, dhe të shkruarit ia lë vendin “vulosjes”.

E megjithatë, nga eksperienca personale, që kur kam filluar të përdor tastierën e kompjuterit për të shkruar, gjithnjë më ka shkuar mendja te një marrëdhënie mes të shkruarit me majë të gishtave në tastierë dhe të luajturit e një instrumenti muzikor, për të bërë muzikë. Sikurse më ka shkuar mendja që mjeshtria ime, sado rudimentare, për të luajtur në kitarë dhe, shumë më keq, në një piano elektronike, më ka ndihmuar për t’u ndier mirë përballë tastierës së kompjuterit. Edhe vetë termi që përdorim, tastierë, përçon një farë uniteti të thellë, ose solidariteti kuptimesh, mes dy veglave që konfigurohen – sërish në analizë të fundit – nga mekanika e dorës (e duarve). Edhe bishti i kitarës, që nuk i ngjan, në dukje, tastierës së pianos dhe asaj të kompjuterit, sërish merr parasysh gishtat, koreografinë e tyre, aftësitë limit për të vallëzuar mbi të, hapjet dhe distancat; aq sa të më bëjë ta përfytyroj si projeksion të dorës mbi dru.

Sërish më duhet të pyes: çfarë domethënie mund të ketë ky kalim, nga natyra vizatimore e shkrimit me dorë, te natyra muzikore e shkrimit përmes një tastiere; çfarë ndikimi mund të ketë sjellë në stil dhe në ritëm dhe në artikulimin e tekstit (ligjërimit); dhe më në fund, cilat janë efektet e shkrimit vetëm “muzikor” në brezin e atyre që nuk e kanë përdorur shkrimin me dorë si instrument bazë për të shkruar?

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin