LAPSLLËK

Ka qarkulluar një barceletë, në kohën e Luftës së Ftohtë: amerikanët investuan nuk di sa qindra mijëra dollarë në një projekt, duke “zhvilluar” një stilolaps që të mund të shkruante në kushtet e mungesës së peshës – për ta përdorur astronautët. Sovjetikët, nga ana e tyre, i këshilluan kozmonautët e tyre që të shkruanin me laps.

Si çdo barceletë, edhe kjo mund të interpretohet në shumë mënyra: mua tani më pëlqen ta shfrytëzoj për të ilustruar si teknologjia e vjetër dhe e sprovuar, të cilën gati e harrojmë që është edhe ajo teknologji, ndonjëherë i ka të gjitha ato karakteristika që ëndërrojmë t’i ketë një teknologji futuriste. Dhe këtu më duhet të kthehem sërish te lapsi.

Të shumtë kanë qenë shkrimtarët që kanë preferuar lapsin, si instrument për të shkruar. Edhe Hemingway i pat dhënë këtë këshillë shkrimtarit të ri: “Përdor lapsin!” – duke e argumentuar kështu: “Sepse të jep një mundësi më shumë për ta përmirësuar ç’ke shkruar; pastaj, kur ta shtypësh në makinë, do të kesh prapë mundësi që ta sistemosh sërish.”

Pse lapsin? Kur kam qenë student, dhe i kaloja netët duke shkarravitur ndonjë varg në krevat, lapsi më lejonte të shkruaja edhe në pozicion horizontal – ose atje ku stilolapsi dhe stilografi nuk do të më bënin në punë. Si kozmonautët rusë.

Ndryshe nga pena, stilolapsi dhe stilografi, lapsi të ofron edhe një iluzion të domosdoshëm: dhe pikërisht, që çfarë po shkruan është ende provizore, e brishtë, larvë; nuk është e thënë mbetet, por mund të bëhet që të mbetet.

Dhe pastaj: tekstin e shkruar me laps mund ta fshish. Jo ta prishësh duke i rënë përsipër me bojë, as ta hedhësh tutje gjithë fletën e letrës – por thjesht t’i biesh përsipër me një vegël tjetër, aq themelore: gomën, mbase edhe për ta përmirësuar, pa e shfytyruar.

Sepse goma vjen me premtimin e zhbërjes dhe zhbërja është më tepër se korrigjim; korrigjimi e lë gabimin aty, e mbulon, e rrëzon përdhe, e shkatërron – por zhbërja me gomë shkon më tej. Gabimi që ishte, nuk është më.

Goma bart jo veç shpresën për përmirësim, por edhe sigurinë e pastrimit, të higjienës tekstuale, të dhjetimit të tekstit: mundësinë për ndërtuesin që t’i zëvendësojë gurët edhe pasi e ka ngritur murin.

Më ka qëlluar që të më mbarojë goma para se të më shkurtohet krejt lapsi nga ana tjetër: tani këtë e gjykoj si shenjë të mirë, meqë paskam fshirë shumë. Për dikë që shkruan, pasiguria është virtyt. Këtë e them jo se ka mbetur ndonjë gjë e denjë për t’u skalitur në gur, nga lapsifikimet e mia të dikurshme; por sepse tani ia kuptoj mundimin – dhe sakrificën – gomës. Sepse në teknologji të gjitha meritat i shkojnë majës prej grafiti, pa çka se punën mirëfilli artistike, heqjen e mermerit të tepërt nga teksti, për të nxjerrë nga ligjërimi tekstin, e bën goma.

Lapsi kërkon edhe një teknologji dhe mjeshtëri aksesore: atë të mprehjes. Mprehësja, që sot ende ua sheh ndonjëherë fëmijëve ta rrotullojnë nëpër duar, si të ishte relike e qytetërimit shumer, ka qenë dikur gjë e lakmuar. I qëruar prej saj, lapsi fillonte të nxirrte një fletë druri të hollë si krah fluture, të cilën me pak mjeshtri mund ta vazhdoje në spiral, pa çka se rezultati ishte gjithnjë mediokër.

Mbaj mend kur, ende i mitur, e admiroja xhaxhanë tim për shkathtësinë me të cilën e “therte” lapsin me thikë kuzhine të zakonshme: duke ia skalitur pjesën konike të ngushtë dhe tejet të gjatë, dhe majën të holluar sërish në përsosmëri (lapsat më të hershëm, çekët e verdhë veze Koh-i-Noor, nxirrnin cifla që kundërmonin aromë pishe; ishin edhe më të shijshëm, për t’u përtypur). Në duart e xhaxhait, asnjë mprehje nuk i ngjante tjetrës, të gjitha vinin njëfarësoj në botë si vepra arti sado modeste; të tilla që të bënin të stepeshe, para se t’ua prishje gjeometrinë. Një laps i mprehur bukur – gjithsesi – kërkonte edhe kujdes në përdorim: përndryshe i thyhej maja, sidomos nën pasionin e një dore dhe mendjeje të paduruar; dhe pastaj bashkë me majën, ikte edhe frymëzimi.

Lapsi i mprehur mirë të thoshte: të paktën nuk do të ankohesh për mua, kur të mos qosësh gjë prapë. Të thoshte: të paktën për armën nuk do të ankohesh dot.

Pasi shkruaja e rishkruaja me laps, duke e vënë edhe gomën rëndshëm në punë, ulesha t’i hidhja (krye)veprat e mia, kaligrafikisht, në të pastër. Edhe gjatë këtij procesi bëheshin redaktime, por vetëm në mendje. Teksti në të pastër nuk toleronte pamjet e ndryshimit. Madje edhe kur, në një etapë të tretë, dërgohej te një kopisteri, për t’u daktilografuar.

Regjimin totalitar e kanë quajtur logokraci: meqë në pushtet ka qenë logos-i. Sipas së njëjtës linjë arsyetimi, mund ta quanim edhe tipografokraci. Kudo në institucionet trokëllinin makinat e shkrimit, që shndërronin në tekste të shtypura dorëshkrimet, duke u dhënë njëkohësisht aurën e zyrtarizimit; para se të dërgoheshin në tipografitë për shumëfishim – ose atje ku shndërrohej ushtariushtri.

Njëlloj siç ka qenë ikonike në Perëndim sekretarja, gjithnjë e portretizuar në filma dhe romane e kërrusur mbi makinën e shkrimit, duke daktilografuar; ose shpesh edhe duke marrë diktim nga bosi, drejtori, jo rrallë edhe autori (që okazionalisht mund të martohej pastaj me të dhe ta përdorte si amvisë të produksionit të vet letrar); ashtu ka qenë ikonike, për një regjim totalitar, daktilografistja, një figurë tashmë praktikisht e harruar; por që luante rol kritik në transformimin e dorëshkrimit në tekst.

Daktilografistja e mirë ishte e shpejtë dhe e saktë; njihte drejtshkrimin në majë të gishtave; gjente në tekst gabime teknike dhe i korrigjonte sakaq. Një daktilografiste e tillë mund të ishte krenaria e institucionit: autorët me pushtet i sillnin dorëshkrimet me porosinë që të daktilografoheshin prej saj.

I daktilografuar, teksti i kthehej autorit dhe të tretëve, për korrigjime të mëtejshme. Tani nuk mund të përdorej më goma – çdo redaktim ishte edhe konfesion, pranim i fajit; në këtë fazë gjendeshin ndonjëherë edhe gabimet politike dhe shënoheshin, me shkrim të shpejtë dore, në anë të faqes. Viheshin pikëpyetje dhe pikëçuditje, hiqeshin vija përmes paragrafëve, për t’i dënuar me vdekje.

Pas kësaj, teksti do të dërgohej në shtypshkronjë.

Përtej fazës fillestare, të lapsit, çdo fazë tjetër e jetës së një teksti do të mbetej, potencialisht, e dokumentuar në arkivat. Makina e shkrimit e godiste faqen e letrës si me plumb (në shekullin XIX e patën krahasuar si shpikje me mitralozin), për të lënë shenja të pashlyeshme. Korrigjimet e minutës së fundit shpesh shtoheshin me dorë – këtë herë me stilograf a me stilolaps, në hapësirat e mbetura bosh në faqe. Versionet kësisoj të ndryshuara ruheshin – sot e kësaj dite ka filologë që mbrojnë disertacione, duke krahasuar tekstet para dhe pas korrigjimeve.

Kjo, sa nuk ishte ofruar teknologjia e të shkruarit në ekran, nëpërmjet pezullimit të dritës. Tastiera e kompjuterit mund të mos ndryshojë shumë nga ajo e makinës së shkrimit sikurse gishta që shtypin tastet janë të njëjtë me ata që mbanin penën (dhe, mutatis mutandis, ata që shtypin tastet e pianos) – por mediumi ku gërvishten shkronjat po: për herë të parë, materialitetin e zëvendëson drita; sikurse e zëvendëson elektromagnetizmi arkivin.

Më kujtohet që, kur nisa të përdor rregullisht kompjuterin, nuk më dukej puna e kryer, pa e përmbyllur nëpërmjet printimit. Aso kohe, herët në vitet 1990, kisha një printer dot matrix që i ngjante njëfarësoj makinës së shkrimit eletrike. Nxirrte nga goja faqe të shtypura, të cilat më ndihmonin, në mënyrën e tyre, për ta mbajtur sekretin e të shkruarit në dritë si diçka mes meje dhe kompjuterit.

Me kalimin e viteve, u mësova që të shkruaj drejtpërdrejt në kompjuter; dhe fillova të mendoj që, përveç lapsit ose stylus-it si mjet shkrimi të lashtë sa qytetërimi, kjo teknologji e re ishte edhe rikthimi triumfal i gomës.

Në të vërtetë, asgjë nuk mund të bëhet më lehtë, kur punon në kompjuter, se të fshish: që nga të fshirët e pjesëve të një teksti (erase), deri te heqja e plotë e një skedari (delete); për të mos folur për çrrënjosjen dhe mizori të tjera që konsumohen në diskun e ngurtë.

Madje kur shkruaja dikur me laps, tekstin e fshirë me gomë një sy i stërvitur ende mund ta deshifronte, ose ta zhvarroste nga harresa; por – përveçse kur të kanë instaluar një program përgjues – editimet që i bën dritës në ekran e fshijnë të shkuarën praktikisht pa lënë gjurmë.

Çfarë abominacioni: mund të kesh një vepër njëmijë faqëshe, që të është dashur vjet për ta shkruar; dhe pastaj, në një moment marrëzie, e hap skedarin në ekran, e përzgjedh krejt tekstin me një CTRL + A, pastaj shtyp tastin DELETE, për ta hequr nga ekzistenca. Edhe zjarrit, ku i kanë djegur dorëshkrimet dhe librat dhe ku i djegin akoma, do t’i duhej më shumë kohë për t’i transformuar fjalët e tua në hi.

Qytetërimet – na thonë – ngrihen mbi praktikën e të shkruarit; sepse teksti i shkruar, pavarësisht nëse në gur, në baltë të pjekur, në pergamenë a në papirus, e kundërshton të folurit, duke e fiksuar në materialitet. Faza ku kemi hyrë tani, ajo e të shkruarit në dritë, së bashku me opsionin nuklear të super-gomës fshirëse, kurrsesi nuk mund të mendohet si vijim i natyrshëm i së vjetrës.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

10 Komente

  1. Si lapësIST i hershëm dhe konservator i sprovuar në përdorimin e këtij objekti – si dhe duke qenë se për mua mbetet mjeti i vetëm, së bashku me ndonjë bllok të rastit, që i kundërvë metodës së shënimeve në kompiuter – kam bindjen se është dhe një virtyt tjetër i cili na ysht që të mos i ndërpresim marrëdhëniet me këtë kryevepër të teknologjisë: dija se gërvishtja dhe paskëtaj lënia gjurmë mbi letër janë dy veprimtari të cilat dora-dorës, me kalimin e çasteve, nisin të humbasin atë që mund ta quajmë “aurën” e tyre.

    Dua të them se sa më shumë shkruajmë, aq më shumë mprehtësia e majës i lë vendin një trashësie që ka pak të bëjë me estetikën e të shkruarit (nuk i referohem dhe aq bukurshkrimit se asaj dëshire, mbase të cekët dhe që mund ta kuptojë vetëm kush mban shënime me laps, për t’i skalitur shkronjat mbi letër).

    Çka na shtyn që të lidhim, njëkohësisht me lapsin, edhe një marrëdhënie të vazhdueshme me mprehësen, deri në çastin kur ky farësoj erotizimi i herëpashershëm mes dy objekteve të shkojë drejt përmbylljes – atëherë kur lapsi humbet paraqitjen e vet prej hamshori (kundrejt mprehëses) dhe aftësinë për të qenë një mjet i rehatshëm në dorën tonë.

    Pra, një lloj përkohshmërie e vetive të veta estetizuese – në rastin tim, të paktën – duket se “ushqen” kënaqësinë e pamohueshme për të mos rreshtur se e përdoruri lapsin dhe së ia përdoruri kufizimet e veta kohore.

    Ne një intervistë të mesit të viteve 1970, dhënë për një televizion italian, shkrimtari i mirënjohur belg Georges Simenon – i njohur për aftësinë e tij të jashtëzakonshme krijuese (10-12 ditë mesatarisht për një roman), por disi më pak si lapsIST i regjur që ishte – tregon se para hyrjes në procesin e përditshëm dhe jashtëzakonisht të disiplinuar të të shkruarit, ai rreshtonte para fletores plot 10 lapsa të mprehur me merak të madh (krahas 6 apo 7 llullave të mbushura dhe të gatitura për t’u ndezur). Ato katër-pesë orë të pandërprera që Simenon-i shpenzonte mbi tavolinën e punës zgjasin saktësisht sa aftësia e lapsave për të pasur majë të mprehtë, duke kaluar nga njëri tek tjetri. Mandej, çdo pjesë e shkruar në këtë mënyrë, kalonte në të “pastërt” nëpërmjet makinës së shkrimit.

    1. Rrofsh Ardian! Shumë shkrim i bukur. Si shtesë të shkurtër a mund të më tregosh pak për lapsat shqiptare? Ku prodhoheshin? Cila ishte marka (apo markat)?

      1. I dashur Gianni, ka pasur gjithnjë lapsa të prodhuar në Shqipëri, por nuk i blinim: ishin të cilësisë së ulët, grafiti iu thyhej menjëherë, drurin nuk ua mprehje dot mirë (ishte dru plepi) dhe nuk kishin gomë. Me lapsat kinezë nuk konkurronin dot. Nuk më kujtohet marka e lapsave vendës – me gjasë, kanë qenë të markës “laps”… Por pas ndërprerjes së tregtisë me pakicë me RP të Kinës, dikur në fund të viteve 1970, lapsat kinezë u bënë të vështirë për t’u gjetur. Unë kisha mbledhur nja 20-30, dhe i ruaja për një ditë të zezë (për opus magnum-in tim)!

  2. Punën time të parë (atë me rrogë e kam fjalën) e fillova në kapërcyell të kohëve. Atëhere ende përdorej daktilografimi në hedhjen në letër të punës krijuese apo shkencore.
    Në qendrën time të punës kishim një daktilografist – të jashtëm, meqë nuk ishte personel i brendshëm – , i cili ishte tmerrësisht rigoroz në punën që bënte. Ai po ashtu kishte mësuar të dallonte se cila punë bënte e cila jo. Prej tij mora komplimentin e parë professional – krenaria që pata kur daktilografisti ynë më lëvdoi për përpunimin e frazës nuk kishte të dytë…. Aty mësova të çmoj përvojën. Daktilografisti ynë symprehtë kishtë kaluar me mijëra e dhjetëra mijëra faqe nëpër duar në karrierën e tij modeste prej dakrilografisti. Ai njëkohësisht funksiononte edhe si korrektor gjuhësor por edhe si redaktor teknik: me përulësi e mirësjellje u afrohej kolegëve për t’u sugjeruar se mos mbase në vend të filan fjale do të kishte qenë në fakt më me vend të vinin fistek fjalë.
    Ai funksiononte si instancë sipërore e shkrimit… midis të shkruarës efemere me laps dhe përjetësimit në shtypshkrim qëndronte daktilografisti yne, si një cerber që sigurohej që shkrimet tona të ishin mjaftueshëm të mira që kështu të mos mund të ktheheshin mbrapsht e t’I nënshtroheshin ripërtypjes së lapsit të rëndomtë.

  3. Tani ke stylus ne surface pro apo pencil ne ipad e tjera lapsa ne e-reader si Remark, Sony, Boox etc., vec njohjes se shkrimit, kane edhe gome. Mund edhe te kafshohen apo pastrohen dhembet me te, pa u thyer apo helmuar.

    Per mua qe me skadon lexueshmeria e shkrimit mesatarisht pas 2-5 h, apo disleksike te ngjashem ne vuajtje, PC eshte nje bekim. Njeriu nuk duhet te kete frike nga shkaterrimi i nje vepre, nese eshte e shkruar te firoje gjekundi (ruhet edhe ne cloud! ), i rikthehet prape e ndoshta e shkruan me mire.

    1. Asnjë nga pajisjet me stylus nuk e replikon dot përvojën e të shkruarit në letër. Kjo për shkak të karakteristikave fizike të grafitit dhe sidomos të letrës – e cila nuk i ngjan fare xhamit të një ekrani. Ndryshe nga xhami, letra i jep pak rezistencë lapsit, që pastaj përjetohet si “kruarje” (Çabej e ka shpjeguar edhe foljen “shkruaj” të shqipes si të ardhur nga “kruaj”). Kam përdorur herë pas here një tabletë Wacom të lidhur me një desktop, për të vizatuar (si Krypa) dhe më ka pëlqyer tekstura e saj; por ende nuk kam gjetur dot një pajisje që të më japë kënaqësi kur ta lëviz penën mbi sipërfaqen e shkrimit. Jam kurioz të provoj reMarkable, një tabletë që ka marrë shumë vlerësime pozitive – por këtë me kusht që të ma dhurojë kush: 500 USD për një pajisje kaq niche nuk jam ende gati t’i shpenzoj.

  4. Pershendetje autorit.
    Shkrim shum interesant dhe rezonon ne artin figurativ me vizatimin, Matisse asnjeher nuk e zhdukte linjen e mepareshme plotesisht, por linjen korigjuese te saje e mbivendoste mbi te meparshmen, keshtuqe ajo krijonte jo vetem me thellesi ( jo ne kuptimin e hapesires) por the previous image qendronte aty si nje fantazem e saj, dhe ky ishte nje proces i tere sa i qellimshem por dhe rastesor, nje nga draftsmenet me spektakolar te viteve 60-70 si Richard Diebenkorn e beri metode- koncepti ne fakt nuk ishte i ri, vinte nga Michelangelo, ne nje nga vizatimet per crucifixion Krishti duket si me kater duar etj, etj…pra nuk eshte vetem ceshtje teknike apo koncepti por the kenaqesia e PROCESIT, pra te jete evidente aty, se si korigjihet gjate ndertimit deri ne fazen finale ( ne fakt, ne art ska faze finale).
    Ta mbyll me letersine…sikur te mbivendoseshin te gjitha korigjimet te mbivendosura a do te ishte vepra me interesante te kapte te gjithe procesin e ndryshimit (te fshirjes dhe rifshirjes) se shkrimit !!!???

  5. Duam s’duam, lapsi mbetet mbret absolut në arkivat dhe bibliotekat serioze. Aty as që mund t’i shkojë ndërmend kujt që të përdorë medium tjetër përveç lapsit. Disa institucione, madje, me krenari venë në përdorim të kërkuesit edhe lapsa me logon institucionale.
    Meqë u përmend etimologjia e fjalës “shkruaj” këtu, a mund të pyesim për etimoligjinë e termit “laps”? Vallë vjen nga latinishtja “lapis”, për “gur”?
    Sa për markën “Koh-i-Noor”, që qarkullonte nê Shqipërinë e periudhës komuniste, më ngjan se ishte Made in Czechoslovakia. Më vonë, natyrisht, dolën lapsat jo-cilësorë të Ndërmarrjes së Prodhimit të Mjeteve Mësimore “Hamid Shijaku”.
    Lidhur me makinën e shkrimit, kam parasysh se ato ende janë të modës në disa mjedise. Kurse daktilografisti, apo daktilografistja, gjatë punës rutinore për kalimin e dorëshkrimit, me lapës apo me stilolapës, në trajtën e daktiloshkrimit – në disa raste ishte personi që mësonte e ruante sekrete. Cerber i vërtetë, jo vetëm i cilësisë, por dhe i konfidencialitetit.

    1. Fjalën laps Topalli e jep si nga italishtja lapis, e cila vjen pastaj nga latinishtja lapis, lapidem. Për t’u shënuar se italishtja matita, që përdoret zakonisht për lapsin sot, vjen nga emri i mineralit haematites, në shqip hematit.

Lini një Përgjigje te Edon QesariAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin