PRIVATIZIMI I SIGURISË NË UNIVERSITETE

nga Arjan Shahini

Vetëm nga kontratat me shtetin, kompanitë private të sigurimit qarkullojnë miliona euro në vit. Vendimi i fundit të qeverisë për t’u futur në këtë treg me “policët në pension” (Illyrian Guard, VKM 177/2019) argumentohet se ka lidhje me cilësinë e shërbimit dhe koston. Edhe pse mund të diskutohet nëse policët “barkderra” e në moshë të thyer mund ta ofrojnë atë në cilësinë e duhur dhe kjo nismë nuk përbën thjeshtë një sektor të ri punësimi për “grupet e dhunës” në fushatat elektorale, vendimi është i dobishëm edhe për luftën ndaj krimit të organizuar. Është fakt që në vendet e Evropës Lindore (Serbi, Rusi etj.) kompanitë e sigurimit kanë lidhje me krimin e organizuar. Ato organizohen, drejtohen dhe popullohen nga ish-sportistë, ish-policë, ushtarakë e (ish-) agjentë të shërbimeve sekrete, të aftë për të ushtruar dhunë. Rasti i kompanisë Balili & Co, që kur i kërkuari K. Balili ishte shpallur në kërkim, kompania e tij ruante prokurorinë e Sarandës (Ora News, 16 Dhjetor 2017), e dëshmon këtë dukuri edhe për Shqipërinë. Së bashku me largimin e lojërave të fatit nga faqja e qytetit, një tjetër industri bazë e krimit të organizuar, nismat e qeverisë mund të jenë ndërmarrë edhe si pjesë e politikave në luftën ndaj krimit të organizuar. Megjithatë, kjo nismë vështirë se mund të zgjidhë problemin e keqadministrimit të fondeve nga institucionet publike për shërbime dytësore, siç është ai i  sigurisë.

Kryeministri E. Rama e argumenton kështu vendimin e krijimit të kompanisë gjysmë-shtetërore të sigurisë: “për të dhënë shërbime për objektet e rëndësisë jo të veçantë dhe për të futur në tregun e deformuar dhe jashtë çdo standardi të sigurisë së objekteve, një trupë të re, që do t’i krijojë mundësi shumë prej punonjësve që tanimë janë në një moshë të caktuar dhe nuk kanë më mundësi të na japin atë efikasitet që kërkohet, që të bëjnë një kalim të butë nga dalja nga shërbimi në Policinë e Shtetit, në daljen në pension.”  (Opinion.al, 4 Prill 2019). Por deri tani nuk është publikuar ndonjë raport se sa do të kursehet nga angazhimi i një kompanie shtetërore, duke qenë se pagat në sektorin e sigurisë private janë relativisht të ulëta. As ka ndonjë analizë qeveritare, të publikuar, në lidhje me eficiencën e këtyre kompanive.

Për kureshtjen time pashë transfertat që Opendata.al vëzhgon në programin e saj të monitorimit të shpenzimit të buxhetit për periudhën 2014 deri tani, në gusht 2019. (Përkundër disa OJQ-ve që nuk i publikojnë të dhënat primare, dataset-in e këtij studimi, që më kushtoi vetëm disa minuta për ta scrape-ur nga OpenData.al, e gjeni këtu).

Nga ana e kompanive, ka një përqendrim të lartë të kontratave shtetërore për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve në disa kompani, edhe pse numri i kompanive në tërësi është relativisht i lartë dhe tregu i fragmentuar (HHI index=0.032). Nga 2014 deri në mes të vitit 2019, 10 për qind e kompanive (28 nga 261) kanë marrë rreth 75 për qind të shumës totale të paguar nga shteti (rreth 61.5 milionë EUR). Gjatë kësaj periudhe vetëm 16 kompani (nga 261 të regjistruara nga transfertat) kanë përfituar mbi 1 milion EUR nga institucionet shtetërore, ndër to edhe Balili & Co.

Kompanite pçivate te sigurimit dhe insitucione qe i pajtojne

Janë rreth 600 institucione shtetërore që kanë angazhuar kompani të ruajtjes dhe sigurimit privat për periudhën 2014-2019. Vetëm 10 institucione kanë  shpenzuar mbi 1 milion EUR gjatë kësaj periudhe, ku mbizotërojnë universitetet dhe spitalet. Tregu është konsoliduar prej 2015.

kompanite private te sigurimit sipas vitit

Përmasat e mëdha të shpenzimeve në shërbimet dytësore, (primare për spitalet është ai mjekësor, dhe për universitetet mësimdhënia dhe kërkimi), shpjegojnë edhe konfliktet ndërmjet drejtuesve, si p.sh. ai që lindi ndërmjet rektoratit dhe dekanit të fakultetit të ekonomisë në 2014-2017. Universitetet publike shpenzojnë shuma të konsiderueshme për ruajtjen e mjediseve universitare, sidomos në raport me tarifat studentore, me fondet për kërkimin shkencor që janë thuajse joekzistente dhe me investimet në infrastrukturën mësimore.

Kompanite private te sigurimti dhe universitetet

Universiteti dhe kompanite private te sigurimit

Nuk përjashtohet pra ndikimi i praktikave korruptive në tenderët për pajtimin e këtij shërbimi. Tregues janë ndryshimet e theksuara ndërmjet viteve dhe ndërmjet institucioneve që nuk përputhen me përmasat e tyre për nga numri i studentëve apo hapësirave. Lipset këtu një analizë e thellë edhe në raport me shpenzimet e tjera.

Shpenzimet per ruajtjen dhe sigurine nga universitetet publike 2019

Marrim rastin e Universitetit të Elbasanit, të cilit prej 2014 i shërben Kumria-1. Ky universitet edhe pse e ka zvogëluar numrin e studentëve, ka rritur shpenzimet për t’i kënduar Kumria, ku prej 2014 shpenzimet janë mesatarisht rreth 240 mijë EUR në vit. Prej 2014 shpenzimet për sigurinë janë rritur mesatarisht me 15 për qind në vit, e numri i studentëve ndërkohë bie mesatarisht me 7 për qind. Në vitin 2016 universiteti ka rritur me rreth 50 për qind shpenzimet për sigurinë, kur numri i studentëve ra me rreth 9 për qind. Po ashtu janë rritur shpenzimet për sigurinë në vitin 2018 me 20 për qind, edhe pse numri i studentëve vazhdonte të binte, me 10 për qind. Kostoja ka shkuar nga 9 EUR për student në vitin 2014, në 30 EUR për student në vitin 2018.  Patjetër që Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të merret me këtë universitet, se sikur u vëzhgua edhe në shpenzimet për mobilitetin, ky universitet tejkalonte çdo standard shqiptar dhe është duke shpërdoruar fondet publike dhe tarifat e studentëve.

Sa do ta zgjidhë privatizimi i mëtejshëm i sigurisë çështjen e rendit? Së pari, edhe me krijimin e kompanisë shtetërore kemi sërish një institucion që, konceptuar si njësi ekonomike, i largohet kontrollit demokratik. P.sh. mungon kontrolli ndaj veprimtarive të këtyre kompanive që kanë të bëjnë me vëzhgimin e paautorizuar, përgjimet e ndjekjet, për të cilat një pjesë e këtyre kompanive private kontraktohen nga individë apo kompani për qëllime shantazhi. Së dyti, nuk dihet se si do të zgjidhet problemi i keqadministrimit të fondeve në universitetet publike, të cilat bëhen shkas edhe për keqpërdorimin e shërbimeve të sigurimit për synime private. Jo pak herë, të motivuara nga fitimet e konsiderueshme, këto kompani kanë shkelur ligjin për t’u shërbyer administratorëve të cilët i kanë pajtuar, p. sh. në keqtrajtimin ndaj studentëve gjatë revoltave studentore në vitin 2018, në pjesëmarrjen aktive në konfliktet ndërmjet rektoratit dhe dekanit Dhori Kule të Universitetit të Tiranës etj.

(c) 2019, autori.

1 Koment

  1. Dhuna nder shume ish pjestare policie, sigurimi, ushtarake, etj., ka qene e njohur me kohe; mjaft e debatuar u be kjo teme aty mes viteve ’80, kur te gjithe shihnin cdo te djele te Beograd 1 (ne mos gaboj) serialin “Miami Vice” me Don Xhonson, etj., qe e prekte kete teme. Por ne rastet e perfolura me siper ne shkrim, duket nuk kemi patjeter ish-police dhunues, sesa “barkderra” qe presin pensionin ne kompanite private te sigurimit, si dhe ata te fakulteteve qe mbyllin syte ndaj cdo lloj fenomeni negativ, si konsumi dhe shperndarja e droges, etj. Duket se edhe nje kod pune per ‘ta nuk ekziston, sepse edhe vecorite e njerit sektor nga tjetri ndryshojne. Ndaj per momentin behet palle ariu dhe ky kaos i shkon ambientit aktual shqiptar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin