MIRË ARDHSH, VËLLA BORAT

Gjatë episodit të tretë të serialit televiziv Da Ali G Show (HBO), “gazetari reporter” nga Kazakhstani, Borat Sagdiyev, ndoshta më i njohuri nga personazhet e aktorit Sacha Baron Cohen, mbajti një fjalim të shkurtër, me cilësinë e mysafirit në një mbledhje rutinë të Komisionit të Trafikut të Oklahoma City.

Në fjalim e sipër, Borati rrëfeu një histori sa të trishtuar aq edhe dramatike, për një grua që kish valëvitur flamurin kazakh në publik, çfarë kish shkaktuar pastaj ndërhyrjen e Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik. Incidenti do të mbahej mend më pas si “masakra e Tishnikut”; dhe qëlloi që pikërisht ditën e mbledhjes të Komisionit të Trafikut në Oklahoma të kish pasur 14-vjetorin. Me ç’rast, Borati i ftoi të gjithë të mbanin 10 minuta heshtje, për të nderuar kujtimin e viktimave.

Komisioni i Trafikut në Oklahoma City ish mbledhur atë ditë vërtet; pa e ditur “të vërtetën” për Boratin dhe kamerat e tij; natyrisht, askush nuk kish dëgjuar gjë ndonjëherë për masakrën (imagjinare) të Tishnikut; por për hir të njerëzillëkut, mendjes së hapur ndaj mysafirit nga larg dhe ngushëllimit që “ç’të keqe ka”, askush nuk e vuri në diskutim nevojën për ta përkujtuar atë ngjarje sa të rëndë, aq edhe të largët.

Tek e fundit, jo pak masakra të tilla kanë ndodhur anembanë botës; dhe pak minuta heshtje veç mirë u kanë bërë anëtarëve të Komisionit të trafikut në Oklahoma City (ah, përfitimet e heshtjes!); sikurse na bëjnë mirë të gjithëve, kur i kujtojmë, duke pëshpëritur me vete: kurrë më!

Tani, pas kaq e kaq vitesh, mbase është rasti që të mendohet për t’u ngritur një monument viktimave të Tishnikut – edhe pse imagjinare – në Parkun e Tiranës. Madje duke ftuar me këtë rast edhe Boratin vetë, për t’i treguar botës dhe sidomos Rusisë se Shqipëria e vogël e ka zemrën të madhe.

Apo e kam gabim?

Të vrarët gjatë grushtit të shtetit në Turqi, të cilëve sapo iu ngrit monumenti, janë realë; por kjo nuk i bën gjë pjesë të realitetit shqiptar dhe aq më pak të ceremonialit të Shqipërisë.

Monumenti në fjalë duhej të ish refuzuar që në propozim, me politesë dhe vendosmëri; meqë heqja e tij tani nuk do të jetë pa kokëçarje politike. Mbase më lehtë do të ishte të ngrihet, diku në ndonjë nga ferrishtet e pyllit orbital të Tiranës, një Park i Vullnetit të Mirë Diplomatik, ku të ftoheshin miqtë e mëdhenj të Shqipërisë të ngrenë monumente për viktimat e tyre: aty mund të vijnë të ndërtojnë SHBA-të dhe Britania e Madhe, Qiproja Turke dhe Qiproja Greke, Katari, Sudani i Jugut, Izraeli, Axerbaixhani, Kurdistani, Muxhahidinistani, Bosnja, Kili, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kazakhstani, Ukraina, Afrika e Jugut, Vatikani dhe çdo shtet a territor tjetër që dëshiron; madje edhe Turqia mund të ndërtojë një monument të dytë. The more the merrier.

Një park i tillë do të rikthente në mendjet qytetare edhe idenë tashmë të narkotizuar të Parkut Multi-Konfesional, që pat kultivuar dikur për Bulevardin e Madh në Tiranë – nëse nuk gabohem – i njëjti kryebashkiak që tani nuk ua kurseu kundërshtarëve të monumentit turk qortimin etik përkatës, duke folur kështu:

Në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre.

Shkelje e kësaj natyre… Se kujt do t’i shkonte vallë në mend ta shkelë këtë natyrë ferracake përreth Tiranës, aq më tepër për projekte mirëfilli politike? Por por por… Nëse ky Park Multi-Diplomatik realizohet një ditë, atëherë do të jetë edhe më e lehtë për Boratin që ta vizitojë Shqipërinë, për të mbajtur fjalimin inaugural; duke ftuar të pranishmit të mbajnë minuta heshtje (në mos dhjetë, të paktën shtatë) për masakrën e tij aq misterioze të Tishnikut. Tek e fundit, a nuk e pat nisur edhe Borati vetë karrierën televizive me emrin Kristo Shqiptari?

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi nga mediat e tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

3 Komente

  1. Lali Eri, i ripagezuar si Lali Pleri ( per nder te fisit ilir te plerejve ose prej rrenjes i.e ple-u, dmth plot,plus,polis etj) nuk humb asnje rast per te treguar se ka shtyllen kurrizore te nje amebe dhe qe u flet perkrasve e votuesve te tij, sikur keta te fundit ne vend te trurit te kene nje kokerr gruri. Nqs Borati do e dinte kush eshte Lali Pleri, Kristo Shqiptarin nuk do e linte pa patriot. Eshte kurioze ne Shqiperi mungesa e figurave serioze, Borati do kish nxjerre nje goxha film me the Glorious Nation of Albanistan.

  2. Vendosja e memoralit (nuk i thënkan më “përkujtimore”?) është me siguri pasojë e ndonjë anomalie në vazhdimësinë kohore – hapësinore, ku interferenca nga një botë paralele kapërcejnë kufijtë e hapësirës tonë banale tredimensionale duke na arritur vetëm si fragmente, të cilat ne pastaj, për shkak të mungesës së një konteksti gjithëpërfshirës logjik ndër-hapësinor, nuk jemi në gjendje t’i japim shpjegim të arsyeshëm.
    Unë do të besoja, që në atë botë përtej, Shqipëria është ende pjesë e Perandorisë Osmane, e cila nuk ka rënë kurrë; dhe nëse është vërtetë kështu, atëherë është afërmendsh që ai objekt përkujtimor të ngrihet atje ku është. Pyetja më imediate që shtrohet, ose mund të shtrohet, do të duhej të ishte, që nëse vërtetë është kështu, pra që po përjetojmë një ndërprerje të një (ose edhe disa) universeve paralele, si është e mundur që një pjesë e njerëzve e vënë re këtë anomali dhe disa të tjerë jo. Për shembull kryebashkiaku i Tiranës i universit tonë do të duhej t’i kishte të gjitha arsyet e imagjinueshme, për të mos e mundësuar ngritjen e atij objekti përkujtimor, pa u rrezikuar t’i prishte hatërin askujt. Siç duket në atë dritare ndër-dimensionale që është hapur mund të ketë ndodhur edhe shkëmbimi aksidental i dy kryebashkiakëve, dhe ky aktuali i Tiranës vjen nga një dynja tjetër. Problemi lipset të jetë shumë më kompleks, ngaqë edhe kur dikush shket në një realitet tjetër (ose “i shket mëndja”; mund thuhet në një mënyrë më sportive), do të duhej të kishte institucione të tjera të Republikës së Shqipërisë, të cilat filtrojnë (ose e kanë për detyrë të filtrojnë) veprimet e administratës shtetërore lokale me ambicie diplomatike aksidentalisht dhe njëkohësisht fatalisht të përshpejtuara. Pra do të duhej që një instancë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë t’i kishte dhënë një zgjidhje tjetër kësaj pune. Të jetë çarë edhe atje barriera e dynjasë tonë dhe të kenë shkarë edhe atje ata tanët tek ata dhe ata të tyret të kenë shkarë tek ne?
    Sidoqoftë, unë, që vdes për interferenca ndër-hapësinore, po shkoj një herë nesër në Tiranë për ta verifikuar direkt në vendin e çudisë.

    1. Une sapo u ktheva nga ai vend dhe … pasi e pashe ne televozor indinjaten e nje te intervistuari, (sepse lajmet e TV nuk dhane ndonje lajm per kete perkujtimore!!!), u nisa per ta pare vete ku ish. U vertita me kot kodrave te liqenit artificial, pyeta disa njerez, perfshi edhe zyrtare (police), dhe ky monument me dilte here kendej liqenit, here andej matane. Se fundi ika pa e gjetur, sepse vapa po me pervelonte. Duket ky monument kishte ne vetvete hilene orientale, te futmen nga mbrapa pa e pare, talljen dhe perqeshjen prapa krahve, sic nuk mund te ishte ndryshe me nje cope mishi te huaj.

Lini një Përgjigje te piftoAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin