NXËNËSIT E ZELLSHËM TË MZIUT

nga Arbër Zaimi

Shqipëria tash tre dekada qeveriset nga politikanë që si plan kryesor për zhvillimin ekonomik kanë shndërrimin e Shqipërisë në vend ku mund të shpëlajnë paratë të gjithë ata që janë të interesuar. Ekonomia e shpëlarjes ka edhe binjaken e saj në rrafshin e estetikës politike, dhe ajo është shpëlarja e fytyrës. Në shkallë vendi kjo bëhet përmes fushatave për brand-Albania, që synon ta shesë sapunin për djathë, apo vendin e pazhvilluar e me probleme të mëdha strukturore për faj të politikës, si vend të mundësive, bukurive të mëdha, virgjërive natyrore, dhe kulturës ekzotike të vendasve përfaqësuar nga një kryeministër me poture e i zbathur. Në shkallë diplomatike kjo bëhet duke e shitur titullin «mik i madh i shqiptarëve e i Shqipërisë» tek prurësi i parave, me të parë. Në shkallë individuale e biznesore, bëhet duke angazhuar mediat për të mirëmbajtur imazhe e riprodhuar buzëqeshje, si dhe duke hequr rëndom nga qarkullimi mediatik lajmet e paleverdisshme apo të pakëndshme. Një nga format e shpëlarjes, është ajo e keqpërdorimit të çështjeve apo temave me rëndësi të mirëfilltë e me ndjeshmëri të lartë publike për të mbuluar agjenda jo fort simpatike, apo dështime e krime.

Shpëlarjen e fytyrës dhe të duarve përmes uzurpimit dhe keqpërdorimit të temave të denja për respekt, nuk e kemi shpikur ne. Ponc Pilati e justifikoi dënimin me vdekje të Mesisë përmes hedhjes në votim popullor. Siç duket qysh atëherë shumicat e heshtura elektorale – ky thjeshtëzim shfytyrues i demokracisë – përdoreshin rëndom për të legjitimuar mizoritë e tiranëve. E me popullarizimin e arsimit dhe me shpërndarjen më të gjerë të mundësive për mendim e vetëdije kritike, nga periudha moderniste e këtej, studiues e kritikë, por edhe aktivistë politikë kanë vënë në dukje disa dukuri të sofistikuara të shpëlarjes së duarve e fytyrës. Kështu psh. whitewashing – fenomeni i ndryshimit të historisë zyrtare, për të fshirë prej saj meritat e kundërshtarit ideologjik, apo padrejtësitë që një shtet i ka bërë qoftë një pjese të banorëve të tij, qoftë ndonjë vendi tjetër në botë. Apo purplewashing – praktika që justifikon shpesh ndërhyrje koloniale e diskriminim racist, kinse si ndërhyrje legjitime ndaj personave e vendeve që kanë mentalitet të prapambetur e diskriminues ndaj grave. Apo pinkwashing – që është e njëjta, veçse në vend të grave, përdoret kinse ndjenja e solidarizimit me LGBT-të. Greenwashing është një term i ngjashëm, që justifikon apo mbulon politika të neveritshme, kinse në funksion të një agjende ambientaliste. Kështu në Tiranë drunjtë në park e dimë se shpesh mbillen si fushata mediale, vetëm sa për të mbuluar të zeza të tjera. Psh., sa herë ndërtohen kulla të tjera të larta që mbysin qytetin, sa herë avancojnë mbi qytetin mafia e betonit, asfaltit e çimentos, del buzëqeshja veshtullore e kryebashkiakut bashkë me ndonjë VIP të estradës, teksa ngul ndonjë dru në park, kinse «politikë e gjelbër». Në të njëjtën logjikë u tha se u mbollën në Parkun e Tiranës 251 rrape të sjellë nga Turqia, me rastin e ngritjes në po atë park të përkujtimores për 251 turq të rënë në Turqi në 15 korrik 2016, në mbrojtje të pushtetit të R.T. Erdogan-it përballë një grushti shteti. «Dhurimi» i rrapeve nuk ishte arsyeja e ngritjes së përmendores, por vetëm paketimi i saj me etiketë ambientaliste.

Po të kishte qenë se Rama e Veliaj do të ishin mbështetës vlerorë të Erdogan-it, atëherë monumenti përkujtimor për erdoganistët e vrarë në 15 korrik 2016 nuk do të ishte ngritur fshehurazi e tinëz. Por, askush nuk ka dyshim se po të kishte ecur ndryshe historia, po të kishte rënë asokohe Erdogan-i e të kishte fituar Gulen-i, ky i dyti do të ishte sot mik për kokë i pushtetarëve tanë dhe mbase përkujtimorja do t´u ngrihej të rënëve nga pala kundërshtare. As me Gulen-in nuk i lidh asgjë vlerore, por do t´i lidhte pushteti nëse ai do të fitonte, e sot për sot i lidh me të kapitali i investuar në rrjete shkollash e biznesesh, dhe një farë mbështetjeje që ky e ka nga SHBA.

Shkurt, politikanët shqiptarë nuk kanë dilema vlerore, kur nderojnë «miq të mëdhenj të atdheut». Në fakt, ata thjesht po shesin një nderim në mënyrën më mesjetare. Fillimisht vlerësojnë pushtetin «e mikut të madh» dhe mundësinë për të fituar prej tij (deklarativisht atdheu; korruptivisht ata vetë), pastaj vënë një çmim, e pastaj japin nderimin.

Sigurisht, nderimi i ngjarjeve e figurave nga vende mike është praktikë në secilin vend. Por shpesh këto figura zgjidhen që të mos jenë ndarëse në vendin përkatës, që nesër nëse ndërrohet qeveria të mos detyrohet të ndërrohet edhe përmendorja. Zgjidhen figura nga bota e artit, kulturës, shkencës, e nëse bëhet fjalë për figura historike, zgjidhen figura me pranim mbarëkombëtar në vendin që nderohet. E gjithsesi, nderimi nuk bëhet fshehurazi, si i trafikuar nga dera e pasme. I bërë kështu, fshehurazi, përkujtimi në Tiranë i të rënëve në Turqi nuk duket si nderim, por si e kundërta e tij.

Pse fshehurazi? Së pari, pushteti në Shqipëri është rigorozisht orientalist (sipas termit të Edward Said-it, pra përbuzës i orientit dhe gati për ta luftuar atë, sipas termit të Samuel Huntington-it të konfliktit mes qytetërimeve). Një gjeneratë politikanësh e formuar me adhurimin e perëndimit shpëtimtar gjatë viteve ´60-´80 në Shqipërinë e izoluar, e cila edhe komunizmin e sheh si fenomen lindor, dëshiron jo thjesht perëndimin, por një perëndim toksik, që ende nuk e ka parë veten në pasqyrat e racionalizmit, iluminizmit apo të modernizmit. Këto pasqyra ku është filtruar vetëdija perëndimore e ku është themeluar fakulteti i saj kritik, janë edhe vetë historikisht perëndimore, dhe vonë kanë zënë vend në vendet e tjera. Pra, mund të themi se perëndimi dëshirohet e dashurohet në një mënyrë joperëndimore nga politikanët shqiptarë (ndoshta edhe nga një pjesë e opinionit). Pa filtra kritikë e vetëkritikë, pa sens të pavarësisë vetjake, të ndjenjës së detyrës që rrjedh nga imperativi kantian, të konceptit të historisë e politikës shtetërore që rrjedh nga Hegeli e nga mohuesit e tij e kështu me radhë. Dashuria e pushtetarëve shqiptarë për perëndimin del pra se është «lindore», andaj posesive, xheloze, moskuptuese e mosduruese ndonjëherë gjer në urrejtje ndaj tjetrës.

Së dyti, duke u ndjerë të përbuzur nga ajo që adhurojnë e pushtetit të së cilës i tremben, pushtetarët shqiptarë detyrohen t´i kërkojnë pazaret tjetërkah, por jo fort haptazi. Po të kishte patur integrim evropian, dhe investime ekonomike nga vendet perëndimore, Edi Rama mbase s´do ta kishte ngritur atë përkujtimore. Por, integrimi evropian dhe investimet ekonomike perëndimore nuk vijnë në një vend kaq «joperëndimor», ku qeveris ligji i më të fortit, korrupsioni, paparashikueshmëria. Në një vend që dashuron perëndimin në mënyrë toksike «lindore», siç thamë më sipër.

Kjo situatë e çoi Ramën në oborrin e Erdogan-it. Meqë vendi nuk është tërheqës për investime perëndimore, sepse askush nuk mund të konkurrojë me pastruesit e parave, atëherë duhen gjetur mbështetës gjetiu. Paaftësia e politikës për ta afruar ekonominë me perëndimin, e detyron atë të shohë në lindje. Alternativa të tjera jo-perëndimore nuk ka, për shkak se Rusia e Kina, me të drejtë, janë tabu për diplomacinë shqiptare, kështu që Turqia nuk është aspak e papritur.

Por, një diplomaci e një shteti normal e funksional, nuk respektohet as në rajon e as në botë nëse funksionon kështu. Kësisoj ata e kanë shndërruar politikën e jashtme të Shqipërisë në një pazar të madh ku negociohet servilizmi dhe përulja, gjë e cila gjykohet me përbuzje nga diplomacitë e tjera.

Sigurisht pushtetarët shqiptarë, nuk mund të shfaqin në politikën e jashtme diçka ndryshe nga vlerat që kultivojnë brenda vendit. Diplomacia e Shqipërisë reflekton përuljen ekstreme përtej çdo dinjiteti, madje edhe përtej të drejtës ndërkombëtare, nëse ashtu e lyp «i forti», sepse edhe në Shqipëri kështu është rregulluar shoqëria, me përulje ekstreme të më të dobëtve, madje edhe të vetë ligjit. Çka s´përulet para skifterëve vendas, thyhet, e në skenën globale këta skifterët tanë që u bie të përfaqësojnë Shqipërinë e që nuk njohin botëkuptim tjetër, shndërrohen menjëherë në pula.

Sikleti diplomatik i pushtetarëve skifterë-pula nuk është se mos turpërohen para botës, aq më pak para opinionit vendor, me ndonjë shkrim si puna e këtij. Halli i tyre i vetëm është se mos vendosen përballë ndonjë situate ku pushteti nuk konfirmohet ashtu siç parashikohej. Psh. kur Rama ofendoi Trump-in, duke besuar se sipas sondazheve dhe «ekspertëve» ai nuk kishte asnjë gjasë përballë Clinton-it, rezultati i mëpasmë e vuri atë vetë dhe Shqipërinë në siklet. E këtë siklet ai u përpoq ta mbulojë, ta shpëlajë duke bërë çmos që të binte në sy, jo si aleat i SHBA-ve, po si shërbëtor i zellshëm. Kjo gjë prodhoi bufonata të mëdha, si në rastin e anijes japoneze të goditur në Gjirin Persik. Kur vetë kryeministri japonez në vizitë në Teheran thoshte se nuk beson që e kishin bërë iranianët atë gjest, Rama doli si kryeministri i parë që pohoi (pa e pyetur kush), se e kish bërë pikërisht Irani. Ose si në rastin më të rrezikshëm për ne, kur pranoi të ndryshojë doktrinën e politikës së jashtme sa i përket Kosovës, vetëm për shkak të një shkelje syri të marrë nga diplomati amerikan J. Bolton, i njohur më parë për qëndrimet e tij negative sa i përket Kosovës. Këto punë nuk bën t´ia faturojmë si përgjegjësi Trump-it, sepse nuk është ai që po e detyron Ramën të jetë servil. Të mos harrojmë se si edhe paraardhësit të tij, Obama-s, Rama iu qas në të njëjtën mënyrë, duke ofruar të marrë mbetjet e armëve kimike që nuk i pranoi asnjë vend tjetër, e duke lejuar që Shqipëria të bëhet bazë e një sekti politik misterioz e luftarak iranian. Pra, nuk njeh mënyrë tjetër pos servilizmit.

Të tillë diplomaci të bazuar në sondazhe e në vendosjen e bastit tek «më i fuqishmi» Rama ka bërë dhe herë të tjera. Psh. duke u shprehur publikisht kundër BREXIT-it, gjë e cila ka gjasa ta vendosë edhe përballë B. Johnson-it në pozitë po aq qesharake sa ç´u vendos përballë Trump-it.

Po si ia bën kjo diplomaci bastoresh, kur fuqitë përplasen? Psh. kur Turqia ftohet me SHBA-në? Në kësi rastesh halli është i madh. Nevoja për ombrellën globale amerikane nga një anë, dhe nga ana tjetër e madhe është edhe nevoja për ndonjë kacidhe apo investim nga Turqia, në kushtet kur mungojnë tërësisht qoftë politikat për forcimin e ekonomisë së brendshmi, qoftë investimet nga jashtë.

Kushdo që e njeh sadopak kastën e pushtetshme të Shqipërisë në tre dekadat e fundit, e di mirë oportunizmin e saj të pafytyrë, i cili ka funksionuar edhe kësaj radhe. Ngritja e përkujtimores (memorialit, sipas burokratishtes së re), sigurisht është blerë. Nuk është blerë me dyzinat e drunjve mbjellë në park, këtë sapo e thamë. Por është blerë me afrimin e kryeministrit Rama me presidentin Erdogan, që u kurorëzua me një takim «të përzemërt» në Ankara, tre ditë pas ngritjes së përmendores në Tiranë. Pas atij takimi Rama mori zemër sa i përket projektit për kompaninë ajrore «shqiptare» Air Albania, e cila do të financohet nga kapitali shtetëror e privat turk (po ky a është një rast i albanianwashing? Pse duhet që një investim i huaj të paketohet me romantizëm, për të shfrytëzuar dashurinë legjitime që secili njeri mund të ketë për vendin e vet?).

Në këtë kuptim, Edi Rama e Erion Veliaj janë njësoj me kryetarin e bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun, i cili u bë i famshëm për emërtimin e rrugëve me emra qytetesh të botës e politikanësh të ndryshëm, madje edhe biznesesh, në mënyrë krejtësisht qesharake. Qarkulluan artikuj në gjuhë të huaja me ekzotizmin servil të Kamzës së Mziut, i cili thuhej se e shiste një emër rruge me një çmim të ulët, 500 euro. Kështu Mziu vuri emra politikanësh kontroversialë të huaj, si Berlusconi etj. në rrugët e Kamzës, e rrugica qorre të gjata vetëm disa metra mbajnë ende emra hijerëndë, nga Tokio në Lisbonë e nga Oslo deri në Kanberrë. Një «mzi» tjetër, gjatë zgjedhjeve presidenciale vuri edhe ai bast për më të fortin dhe i ngriti shtatore Hillarisë në Sarandë. Dikur qibarët Rama e Veliaj do të kenë qeshur edhe vetë me këtë majmunëri. Por ja që, diplomacia e tyre nuk është gjë tjetër, veçse perfeksionim dhe mbarëkombëtarizim i praktikave të Xhelal Mziut. Një politikë e tillë nuk e shpie Shqipërinë në Evropë. Duhet një dinjitet evropian për të shkuar atje, jo si servilë e si lypës, por si bashkëpunëtorë e aleatë.

© 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Arbër Zaimi është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka studiuar Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, dhe është lexues i etshëm i filozofisë. Përkthyes, publicist, i interesuar ndër të tjera për kapacitetet emancipuese e kritike, në politikë e kulturë. Jeton në Tiranë e Prishtinë.

Author Archive Page

3 Komente

  1. Persa i takon perkujtimores erdoganiste, duke pare qe Albin Kurti ka qene i vetmi politikan kosovar qe ka shkuar vjet ne perkujtiminin e pucit ne ambasaden turke, duke pare viziten e sivjtetshme ne Turqi dhe takimin me njerezit e Erdoganit se fundmi ne Palestine, nuk kuptohet qarte nese autori po flet si aktivist i VV-se apo si shtetas i Shqiperise, i shqetesuar per gjendjen ne vend.

    Perkujtimorja erdoganiste eshte provokim per komunitetin europianist, komunitetin nacionalist e/o patriotik, komunitetet katoilke, ortodokse dhe bektashie, por nje sfide me te madhe dhe me te plote e perben per ate grup katolikesh, qe prej 30 vjetesh thone se jane edhe patriote edhe europianiste, prej te cileve pritet qe ta shkaterrojne perkujtimoren, perndryshe dalin llafazane e llogjexhinj.

    Anekend jugut jane duke u ngritur perkujtimore ushtaresh greke, por rendom me eshtra fshataresh shqiptare te zonave e jo rralle edhe ushtaresh te panjohur italiane qe kane ngelur atyre viseve.

    Trajtimi i veçuar i ngjarjes tregon nga njera ane hipokrizine e zakonshme ne kete vend, nga ana tjeter shqetesimin e kote te europianistit se Shqiperia do te perfundoje ne krahet e Lindjes.
    Shqiperia eshte nje vend 70 kilometrash prej Italise dhe 700 kilometrash prej Turqise, keshtu qe sado te perpiqen Erdogani e Ertogrulli, edhe sikur te mos jete Amerika, nuk ka per ta lejuar Italia nje Turqi te vogel ne Adriatik. Te pakten jo sa te kete shtet italian.
    Gjeopolitika eshte si puna e gjakut, nuk behet uje.

    Dergimi i nje cope sovraniteti drejt Ankarase, duke qene i bashkerenduar prej forcave politike, tregon te njejtin vullnet historik te elitave politike per autonomi te plote ne vend. Mesazhi eshte qe nuk do te kete integrim europian, i cili do u kushtoje autonomine, dmth karriget e tyre. Shqiperia eshte nje pakete e plote, ato ne krye, prano ose mos prano.
    Gjeja per te cilen duhet te shqetesohen europianistet eshte si te heqin kete elite politike me forcat e tyre, po jo per ndonje shkarje lindore. Elita politike do shkoje ne lindje, perendim, veri, jug, kozmos, nendhe apo ndonje dimension tjeter, mjafton te ruaje karriget.

  2. Keto tallje qe ben Erdogani me kete vend permes ketyre perkujtimoresh pa lidhje fare me vendin ku ngrihen, tregon tashme se ky vend eshte ne grahmat e fundit te tij shpirterore. Nje fryme e re do te kerkohet dhe kjo do te jete fryma erdoganiste, e cila ka nisur te zere vend mire ne Shqiperi e do te perfshije ne te ardhmen hapur edhe te ashtuquajturit “gyleniste”. Gjuha turke eshte tashme gjuha e trete ne Shqiperi pas shqipes dhe anglishtes, por se shpejti mund te zere edhe vendin e pare ne komunikim.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: