TRASHËGIMI E RËNDUAR

Kur të shkruhet ndonjëherë historia e demokracisë në Shqipëri. Kur të shkruhet…

Weber-i flet për një trilogji të legjitimitetit demokratik: tradicional, legal-racional dhe karismatik. Raymond Aron-i e përmbledh qëndrimin Weberian kështu: “njeriu u bindet udhëheqësve të konsakruar nga zakoni, të përcaktuar nga arsyeja dhe të ngritur më lart se të tjerët nga entuziazmi.”[1]

Këtu e më poshtë po dua të ndalem tek elementi i parë i trilogjisë: tradita. Dhe pikërisht: nëse ekziston një traditë e legjitimitetit politik tek ne, dhe në çfarë mishërohet ajo sot.

Në të shkuarën, shqiptarët – edhe pse jo doemos Shqipëria dhe shteti shqiptar – kanë jetuar nën perandori (osmane), nën mbretëri (Zogu), nën një regjim demokratik-popullor (totalitar).

Nga ky i fundit, mbase kemi trashëguar bindjen agresive se “jemi të gjithë njëlloj”, e cila pastaj mishërohet në praktikat folklorike të demokracisë, duke filluar me urrejtjen a përçmimin e elitave.

Nga mbretëria e Zogut – që zgjati pak – mbase kemi trashëguar tolerimin indiferent të mjeljes amorale që ia bëjnë pushtetit elitat; mekanizmin e shpërndarjes dhe mirëmbajtjes së privilegjeve; idenë e “monarkut” si personin që mishëron, detyrimisht unik dhe i pakontestuar, dorën e fortë që i duhet vendit.

Se ç’kemi trashëguar politikisht prej Perandorisë Osmane, përtej dritëhijeve dramatike të sistemit të mileteve dhe një lloj instinkti a tundimi provincial për autonomi – këtu gjërat vijnë e ndërlikohen.

Tundohem fort të besoj se nga periudha osmane kemi trashëgim nocionin e selisë së pushtetit jashtë hapësirës gjeografike të shtetit; bindjen se Shqipëria, pavarësisht nga rendi politik, e merr fuqinë politike nga jashtë vetes. Gjeometrikisht, këtë do ta krahasoja me një vanishing point që gjendet jashtë imazhit, por në marrëdhënie me të cilën merr formë dhe mund të lexohet imazhi.

Gjetiu e kam quajtur këtë dukuri perandoria zero. Duke pasur parasysh me këtë një perandori që, pavarësisht nga nëse ekziston realisht apo jo, duhet të ekzistojë, si pikë referimi absolute për elementet e realitetit politik konkret.

Perandoria zero, në Shqipëri sot, është burimi kryesor de facto i legjitimitetit të elitës në pushtet; meqë ua lejon udhëheqësve të shtetit dhe të politikës të paraqiten si ndërmjetësues (zëdhënës, përfaqësues, sekserë) midis shoqërisë shqiptare dhe Perandorisë.

Kjo do të thotë që elitat politike dhe jo vetëm, në Shqipëri, ndihen rehat në rolin e tyre prej përfaqësuesish jo të atyre që i kanë zgjedhur, por të një Perandorie imagjinare – karakteristika kryesore e së cilës është që gjendet jashtë territorit politik të brendshëm dhe, ashtu, për së jashtmi, i jep këtij territori formë, duke shërbyer edhe si burimi kryesor i legjitimitetit të elitës (e cila luan, në këtë rast, rolin e rripave të samarit).

Kështu ka qenë, tradicionalisht, roli i elitave politike tek ne: si kontakte preferenciale a mëkëmbës të fuqive të huaja ose ekzekutues të patronazhit në provincë. Për këto elita, sovraniteti duket sikur ka vetëm vlerën e një mundësie për të zgjedhur padronin përkatës.

Këto 20-30 vjetët e fundit, selia e Perandorisë zero është luhatur midis “Europës” dhe “Amerikës”, çfarë do të ishte edhe pasqyrimi gjeografik (gjeopolitik) i një tensioni midis elitizmit (teknokratizmit) – Europa; dhe populizmit – SHBA.

Shpjegimi që dëgjon, për anomali të tilla, është se elitave politike në Tiranë u duhet ky lloj patronazhi për të mbijetuar; një shpjegim që nënkupton se, jashtë patronazhit, shteti i tanishëm shqiptar nuk mbijeton dot në formën që ka.

Ose, me fjalë të tjera, që sistemi politik i adoptuar në Shqipëri është artificial, jo organik; i kopjuar mekanikisht nga vende dhe kultura të tjera; një shartim që nuk ka zënë, sepse nuk mund të zinte – sepse ishte i papajtueshëm (incompatible) me realitetin dhe sepse elita që e mori përsipër ta adoptonte rezultoi në masë të madhe oportuniste dhe mercenare.

Bindjen e elitave se, nëpërmjet kopjimit të formave dhe të procedurave institucionale mund të ndillnin edhe në Shqipëri frymën demokratike moderne të vendeve Perëndimore model e kemi quajtur, gjetiu, një formë të kultit të kargove.

Gjasat janë që, prej vitit 1990 kur u rrëzua sistemi totalitar, shteti shqiptar ka mbijetuar në mënyrë inerciale, ose si një pacient komatoz, në reanimacion. Ndaj një pacienti të tillë, patronazhi prej fuqive të Perandorisë zero nuk mund të ketë veçse efekt paljativ. Në fakt, perandoria zero mund të jetë thjesht emër tjetër për reanimacionin gjeopolitik.

Lufta politike sot në Tiranë nuk artikulohet si ndonjë përpjekje idesh, programesh a vizionesh, por si garë – do të thoja e turpshme – se cila prej palëve gëzon favorin dhe mbështetjen më të madhe prej Perandorisë. Në vija të trasha, ky farë karshillëku risjell në skenë akuzat e dikurshme për anti-jugosllavizëm dhe anti-sovjetizëm, që qarkullonin në kulisat e regjimit enverist. Mjaft të sjellësh në përfytyrim torsionet që ka shkaktuar i ashtuquajturi “gjylenizëm” në konfigurimet politike të Rilindjes[2]; praninë obsesive të “Sorosit” në përplasjet politike për pushtet; ose edhe faktin që, mes kërcënimeve serioze që u bëhen politikanëve nga kundërshtarët e tyre është “refuzimi i vizës amerikane.”

Në periudha krizash, sistemi zakonisht paloset nën vete dhe i kërkon ndihmë traditës. Se cilës traditë pikërisht, këtë e ilustron letra që Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, u drejtoi ambasadave në Tiranë, për t’u kërkuar që Shkodra të vihet nën protektoratin ndërkombëtar. Në atë letër, Ademi i referohej në mënyrë eksplicite Komisionit Ndërkombëtar që qeveriste Shkodrën në vitet 1913-1914.

Shumëçka nga tradita otomane gjen te kjo dëshirë: jo vetëm nevojën për një Perandori Zero, por edhe ëndrrën e një autonomie të mbrojtur nga jashtë dhe, në analizë të fundit, një gjakim për sistemin e mileteve.

Letra e Ademit nuk mund të gjykohet e shkëputur nga konteksti – ose nga të gjitha ngjarjet politike që çuan në zgjedhjet e 30 qershorit pa pjesëmarrjen e opozitës; dhe ku qeveria e Ramës mori përsipër të ushtrojë kompetenca të jashtëzakonshme, në rrethanat e një krize institucionale dhe kushtetuese.

Me Parlamentin të katandisur në një togë gardistësh të kuq kinezë; dhe gjyqësorin të sakatuar nga “reforma”, shteti shqiptar është reduktuar në ushtrimin e kulluar të pushtetit, nga një forcë politike e organizuar rreth kryeministrit Rama.

Arsyeja kryesore, që Rama nuk ka dhënë dorëheqjen, nuk ka të bëjë me mbështetjen nga zgjedhësit, por me mbështetjen nga patronati i lartë – ose të gjitha ato forca, institucione dhe faktorë ndërkombëtarë të cilat e preferojnë, mbase me të drejtë, ndaj alternativës.

Ngjarjet e muajve të fundit – me deputetët e opozitës që dogjën mandatet, Presidentin Meta që shfaqi një fytyrë krejt të re, në mos të diskutueshme, dhe protestat e përsëritura, por shterpe të PD-së – konfirmuan edhe dështimin total të kultit të kargove; duke provuar se institucionet demokratike nuk mund të importohen, si të ishin pantofla ose lavatriçe.

Shteti i sotëm shqiptar është një sistem institucionesh politike i dalë nga reformat e tranzicionit; institucione të cilat janë rebeluar ndaj vetë natyrës kalimtare të këtyre reformave. Ngaqë tani edhe perspektiva e hyrjes së Shqipërisë në BE sa vjen e mjegullohet, atëherë tranzicioni nuk është më rrugëkalim drejt një sistemi politik të ri, por qëllim në vetvete – duke mishëruar dëshirën lakuriq për pushtet. Arsyet për këtë duhen kërkuar edhe në marrëdhëniet preferenciale që vendosën këto institucione mbikëqyrëse të tranzicionit me patronatin ndërkombëtar: çfarë na sjell sërish te klientelizmi, ose ekskluziviteti i kontakteve.

Tranzitokraci, do ta quaja këtë lloj shteti; të drejtuar nga tranzitokratët. Me gjithë retorikën pro-demokratike dhe mbështetëse të “reformave”, padronëve të Shqipërisë u intereson para së gjithash stabiliteti ose statu quo-ja; dhe më duket paradoksale që këtë lloj stabiliteti t’ua garantojnë pikërisht njerëzit që duhej ta nxirrnin varkën në bregun tjetër, ose tragetuesit e zgjedhur pikërisht prej tyre.

Shqipëria ka adoptuar një kushtetutë e cila nuk pasqyron traditën politike shqiptare, dhe as atë kulturore, sociale dhe antropologjike. Parimet e kësaj kushtetute burojnë nga tradita politike të tjera – gjermane, frënge, italiane, skandinave; deri-diku edhe amerikane dhe britanike; ato kanë formë, por jo kuptim, në realitetin shqiptar.

Çfarë edhe provon se bindja utopike, e fundviteve 1980, se demokracia mund të “eksportohet” tashmë gjen te Shqipëria ilustrimin më dramatik të dështimit të saj.

Duke iu falur Perandorisë zero, sistemit të patronazhit dhe kultit të kargove, elitat politike po e kthejnë Shqipërinë në territor; çfarë edhe i bën qytetarët të kërkojnë për një jetë më të mirë gjetiu. Dhe këtu tradita otomane vjen sërish në ndihmë – duke qenë Shqipëria në atë kohë jo shumë më tepër se truall, madje zonë kufitare, borderland, me një popullsi të stërvitur për të ruajtur dhe mbrojtur periferinë e Perandorisë. Si edhe sot, çdo shqiptar që kërkonte fat më të mirë, do ta kërkonte duke u arratisur nga ky burg me periferi të përjetshme.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht marrja dhe kopjimi i tekstit nga media të tjera. Kundërvajtësit do të ndiqen ligjërisht.

 


[1] Për sa më lart, shih Yves Mény, Popolo ma non troppo, Il malinteso democratico, Il Mulino, Bologna, 2019.

[2] Këtu duhet përmendur edhe eventi, ende tejet i paqartë, i ngritjes nga Bashkia e Tiranës së një përmendoreje në Tiranë kushtuar 251 qytetarëve të vrarë gjatë grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016 në Turqi.

5 Komente

  1. Shpjegimi social-politik dhe kulturor-antropologjik më bindës i tranzicionit shqiptar që kam lexuar, këtu në PTF dhe gjetiu; komplimente, A.V.
    [I parë me syrin e ekonomistit, tranzicioni shqiptar është një fenomen që shkon shumë më tej përmasave vetëm ekonomike, shumë më i thellë se sa vetëm ekonomia, brenda të cilit tranzicioni ekonomik as mund të kuptohet, as të tejkalohet, pa shpjegimin dhe përshtatjen ndaj faktorëve sociologjikë, kulturorë dhe politikë që përcaktojnë – madje vendosmërisht kështu – natyrën dhe fatin e Tranzicionit. It’s not the economy, stupid!]

  2. Mendoj se ne thelb eshte çështja e sovranitetit, i cili ndan shtetasin inga nenshtetasi. Ne revolucionin freng, tek deklarata e te drejtave , art. 3:
    “Il principio di ogni sovranità risiede essenzialmente nella nazione: nessun corpo, nessun individuo può esercitare un’autorità che non ne emani espressamente” (Dichiarazione dei diritti del 1789, art. III)

    Keshtu lindi il cittadino/qytetari/ shtetasi ne revolucionin freng, iu mor sovraniteti mbretit dhe iu shpernda bashkesise se qytetareve te quajtur komb/nazione, ku secili mori pjese te barabarte. U nda sovraniteti nga 1 qe e kishte mbreti ne 30 milione pjese, sa banore kishte Franca asokohe, ne ombrellen e konceptit te kombit, sepse kombi ndahet ne 30 milion pjese, kurse mbretin apo diktatorin nuk e ndan dot ne pjese.

    Ky koncept nuk hyri asnjehere ne Shqiperi, as ka hyre e as ka per te hyre.

    Sovraniteti ka qene perhere jashte bashkesise se shtetasve, jashte kombit dhe perkohesisht ( 1961-1984) ne duart e Enver Hoxhes.

    I. Qemali e kishte çuar ne Vjene e Rome, ashtu si Vidi.
    Esat Toptani te bleresi me i pare, po nuk ia bleu kush e perfundoi si dihet.
    Zogu fillimisht jugosllaveve pastaj Italise.
    Enveri fillimisht jugollaveve, pastaj sovjetikeve e prej 1961 e mori per vete.

    Keto 30 vjet, iu dergua Uashingtonit e nje cope Brukselit. Keto ditet e fundit po i jepet nje cope Erdoganit.

    Shqiptari ngeli gjithe jeten nenshtetas.

    Si thote Shmiti, sovraniteti reduktohet ne te drejten reale per te shpallur lufte, pra per te identifikuar armikun e per ti deklaruar lufte.

    Vetem Enveri prej 1961 e ka pasur kete te drejte per vete, e sidomos pasi doli prej Traktatit te Varshaves ne 1968.

    Nga pikepamja e sovranitetit te popullit, si koncept i politikes se brendshme, shtetasi gezon sovranitet nqs eshte i bindur se mund te identifikoje armikun publik, ti deklaroje lufte e ti beje lufte. Ky armik publik zakonisht eshte tirani apo diktatori, por mund te jete edhe oligarkia apo aristokracia, pra cdo individ apo grupim individesh te cilet perpiqen ti grabisin sovranitetin.
    Amerikanet ne pjese te madhe e kane kete bindje, ne Shqiperi veshtire se i ben dot 10 vete.

    Nga ana tjeter nuk do harruar se 30 vjetet e fundit, kane qene vite qe kudo ne Europe, ka pasur nje lufte ndaj sovranitetit, sidomos prej 1992 , me qellim krijimin e BE-se si shtet mbikombetar, me pak fjale Brukseli ka marre vazhdimisht sovranitet prej shteteve europiane. Vetem vitet e fundit ka levizje sovraniste qe kerkojne rikthimin e sovranitetit tek kombet perkates.

    Prandaj edhe eshte e kuptueshme qe shqiptari eshte lene nenshtetas ne funksion te integrimit europian. Shqiptaret qe per shkak te historise, nuk e dine cdo te thote te jesh shtetas, jane mese te kenaqur me delegimin e sovranitetit drejt Brukselit, mjaft qe te jene nenshtetas te barabarte me europianet.

    Sigurisht qe behet e veshtire ti kerkosh llogari ndokujt, jane te gjitha gjerat bashke kunder shqiptarit si shtetas.
    Pastaj ca demokracie do beje nenshtetasi, eshte humoristike si hipoteze. Si te thuash qe perieket e sklleverit e Athines do krijonin demokracine athinase.

Lini një Përgjigje te Lindita ThanoAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin