BOTA E LULEVE

Në kapitullin për lulet te “Libri i çajit”, Okakura, përshkruan me një dashuri dhe lirizëm mallëngjyes, botën e luleve, duke i dhënë luleve të njëjtën hierarki vlerash, ashtu sikurse njerëzit, kafshët, shpendët dhe çdo organizëm tjetër i gjallë. Okakura, që vihet në rolin e “avokatit të luleve”, proteston për konsumimin dhe shpërdorimin e tyre, duke i drejtuar kryesisht velat e kritikës së tij, stilit të jetesës së shoqërive perëndimore. Okakura bëhet zëri i këtyre viktimave bimore dhe u bën thirrje njerëzve, që të vetëdijësohen për keqtrajtimin, që u bëhet luleve, mbasi në të kundërt, lulet do e “braktisin” tokën dhe braktisja e botës së gjelbër, simbolizon zhuritjen e bukurisë dhe shëmtinë e jetës në tokë.

Por, në fund, Okakura, duke parë, se si vdekja e luleve, bën pjesë ne ciklin biologjik jetë – vdekje, krijim – shkatërrim, ditë – natë, si idhtar i Taoizmit dhe Teaizmit (filozofise së çajit) kërkon, që flijimi i luleve, t’i nënshrohet estetikës dhe ligjit të së bukurës.

 

 

Në grinë drithërake të një agimi pranveror, kur zogjtë mes pemëve, pëshpërisin notat e tyre mistike, e keni ndjerë se si u flasin partnerëve të tyre për lulet? Nderimi i luleve duhet të ketë filluar në të njëjtën kohë me atë të poezisë së dashurisë. Njeriu primitiv, duke i dhuruar kurorën e parë me lule të dashurës së vet, u ngrit mbi kafshën. U bë njerëzor se arriti të ngrihej mbi instiktet e tij barbare. U lartësua në nivelin e artit, sepse u qartësua mbi vlefshmërinë e të pavlefshmes.

Në dhimbje dhe gëzime, lulet janë miqtë tanë besnikë. Hamë, pimë, këndojmë, kërcejmë dhe flirtojmë me to. Martohemi dhe pagëzohemi në stolinë e luleve. Nuk guxojmë të vdesim pa to. Kemi adhuruar në praninë e zambakut, kemi medituar me lotus – in, kemi luftuar me trëndafilin dhe krisantemën tok. Jemi munduar madje të flasim, edhe në gjuhën e luleve. Si mund të jetonim pa to? Të tremb ideja e një bote të cunguar, pa lule. çfarë ngushëllimi sjellin lulet në jastëkun e një të sëmuri, çfarë drite lumturie në errësirën e shpirtrave tanë të lodhur! Embëlsia e tyre e paqtë na zgjon besimin e humbur në univers, ashtu si vështrimi i gjallë i një fëmije te bukur, rigjallëron shpresat tona të humbura. Edhe kur mbulohemi me dhe, përsëri, lule te pikëlluara, zgjaten mbi varrin tonë.

Sado e trishtë të tingëllojë, ndërkaq, nuk mund të fshehim faktin, që pavarësisht lidhjes sonë të ngushtë me lulet, niveli ynë nuk është më i lartë se ai i kafshës. Provoni të gërvishtni lëkurën dhe ujku qe fshihet nën të, nuk do vonojë të skërmisi dhëmbët. Thuhet, që njeriu në dhjetë vitet e tij të para është kafshë, në njëzet vite lunatik, në tridhjetë, dështak, në dyzet, mashtrues dhe në pesëdhjetë, kriminel, mbasi nuk ndaloi kurrë së qënuri kafshë.

Më thoni, lulet e mia të sjellshme, lotë të yjeve, që prekni me kokat tuaja bletët kur ato këndojnë për vesën dhe rrezediellin, a e dini, se cfarë fati i tmerrshëm ju pret? Endërroni, përkunduni, lozni të shkujdesura në flladin e butë të verës, për sa kohë ju ngelet. Nesër, një dorë e pamëshirshme, do shtrëngojë qafën tuaj. Do ju çrrënjosin, do ju gjymtojnë, do ju heqin zvarrë, larg nga shtëpiza juaj e qetë.

Lule, nëse ndodheshit në tokën e Mikados, do takonit, një krijesë me gërshërë dhe një sharrëz. Do ju prezantohej si «Mjeshtri i Artit Floral». Do pretendonte para jush, që ishte mjek dhe ju instiktivisht do e urrenit, mbasi e dini, që doktori do gjithmonë të zgjasi dhimbjen e pacientëve të vet. Do ju këpuste, do ju përthyente, do ju shtrembëronte në pozicionet, që ai mendon se do ju shkonin më shumë.

Shpërdorimi i tepruar i luleve në shoqëritë perëndimore, arrin të tejkalojë edhe mënyrën sesi Mjeshtrat e Lindjes, trajtojnë lulet. Numri i luleve që priten çdo ditë për të stolisur sallat e vallëzimit dhe të mbledhjeve në Amerikë dhe në Evropë dhe, që flaken ditën tjetër, është jashtëzakonisht i madh. Nësë do i ndërthurnim të gjitha lulet e flakura bashkë, me siguri, që do formonim një kurorë, për një kontinent të tërë. Para këtij përçmimi për jetën, që tregojnë Perëndimorët, faji, që rëndon mbi Mjeshtrin e Artit Floral, duket i papeshë. Ai, të paktën, respekton ekonominë e natyrës. Përzgjedh “viktimat” e tij me dhembshuri dhe merak dhe pas vdekjes së tyre, nderon “eshtrat” e tyre.  Νë Perëndim, parada e luleve ngjan të jetë pjesë e fantazmagorisë së pasurisë. Ku shkojnë gjithë ato lule, kur mbaron argëtimi? Nuk ka gjë më të trishtë se ikona e një luleje të vyshkur, të hedhur pamëshirmërisht në një kapicë jashtëshqitjesh.

Përse të lindin lulet kaq të bukura dhe kaq të pafata? Insektet kanë thumb, mund të na pickojnë. Madje edhe kafsha më e butë, reziston, kur e sulmojnë. Zogu, që njerëzit i duan puplat e tij për të zbukuruar kapelet e tyre, mund të fluturojë dhe të shpëtojë nga përndjekësi i tij. Kafsha leshtore, që zonjat lakmojnë qimen e tij për pellushet e tyre, mund të fshihet kur ndjen ardhjen e njeriut. E vetmja lule, që me sa dimë, ka krahë, është flutura. Gjithë lulet e tjera janë në mëshirë të fatit, përpara shkatërrimtarëve. Edhe sikur të klithin nën agoninë e vdekjes, britmat e tyre, asnjëherë nuk do mbërrijnë në veshët tanë. Sillemi gjithmonë brutalisht me lulet, që na duan dhe na shërbejnë heshturazi, por do vijë koha, që « miqtë » tanë do na braktisin për mizorinë tonë. E keni vënë re, që lulet e egra, çdo vit, sa vijnë e rrallohen ? Ndoshta të mençurit e tyre, i kanë këshilluar të largohen nga kjo botë, në mënyrë që njeriu të bëhet më njerëzor.

Shumë gjëra mund të thuhen për kultivuesin e luleve. Njeriu i vazos është më i dhembshur dhe më i civilizuar se njeriu i gërshërës. Ndjekim me kënaqësi se si përkujdeset për ujin dhe diellin, që u nevojitet luleve, vërejmë urrejtjen e tij për parazitët, tmerrin që e kap nga ardhja e ngricave, agoninë e tij kur vonojnë të çelin gonxhet, entuziazmin e tij kur gjethet marrin shkëlqimin e tyre të bukur. Në Lindje, arti floral është shumë i vjetër, aq sa ekzistojnë shumë mite e këngë mbi dashurinë e një poeti dhe të lules së tij të dashur. Me zhvillimin e qeramikës, në dinastitë Tang dhe Sung, krijohen enë dhe vazo te mrekullueshme, që zbukurojnë pallate të stërstolisura.

Madje, në atë kohë, ekzistonte një njeri i ngarkuar në funksion të çdo luleje, i cili përkujdesej dhe pastronte gjethet e saj me një furçë të butë, e bërë me qime lepuri. Shkruhet, që lulet bozhur duhet të laheshin nga nje vashë e bukur, e cila duhej të ishte plotësisht e veshur, ndërsa lulet e kumbullës duhet të ujiteshin nga një murg i gjatë dhe i zbehtë. Në Japoni, një nga veprat më të njohura të teatrit No, “Hachinoki”, krijim i periudhës Ashikaga, bazohet në historinë e një kalorësi te varfër, që një natë të acartë, që s’kishte dru për tu ngrohur, këputi lulet e tij më të dashura, që të ngrohej një murg endacak. Murgu, ishte në realitet, Hojo – Tokiyori i miteve tona dhe flijimi nuk ngeli pa shpërblim. Kjo dramë lirike, shkakton akoma shumë mallëngjim në publikun teatral të Tokios.

Masa te rrepta merreshin për mbrojtjen dhe ruajtjen e luleve delikate. Perandori Huen Sung i dinastisë Tang, varte zilka mikroskopike të praruara në degët e pemëve të kopshtit të vet, që të dëbonte zogjtë. Ishte po ai, që u nis një pranverë, me muzikantët e oborrit të vet të argëtojnë lulet, nën tingujt e butë të melodisë. Ekziston një përshkrim i vjetër, që sipas gojëdhanës i përket Jiotsune, heroit mitik japonez dhe, që ruhet në një manastir të vjetër, Bëhet fjalë për një pllakatë, e cila i kushtohet një peme kumbulle, ku shkruhet: “Kush guxon të këpusë një degë nga kjo pemë, do dënohet me prerje gishti”.

Ndërkohë, edhe në rastin e luleve, që mbillen në vazo, me të drejtë mund të mendojmë për egoizmin e njeriut. Përse t’i marrim lulet nga shtëpia e tyre dhe të duam të çelin në një ambient të huaj? Nuk është njësoj, sikurse të kërkojmë nga zogjtë që cicërojnë, të çiftëzohen të mbyllur në kafazë? Kush mund te vërtetojë, që orkidetë nuk asfiksohen në vapën artificiale të serave tuaja dhe, që nuk shikojnë me përgjërim drejt qiellit të tyre të Jugut?

Por, le të mos bëhemi kaq sentimentalë. Sikurse tha Lao-tse: « Toka dhe Qielli janë të pamëshirshëm”. Kobodaishi tha: “Rridh, rridh, rridh, rridh, rrjedha e jetës ecën përpara. Vdis, vdis, vdis, vdis, vdekja i vjen të gjithëve”.  Kudo që të kthejmë sytë, përballemi me katastrofën. Vetëm Ndryshimi është i Përjetshëm – përse të mos mikpresim vdekjen, si jetën? Janë dy anët e së njëjtës medalje – Nata dhe Dita e Brahmës. Vetëm përmes shpërbërjes të së vjetrës, bëhet i mundur rikrijimi. Përse të mos “shkatërrojmë” lulet, nëse në këtë mënyrë zhvillohen forma të reja, që fisnikërojnë idenë e Botës? E vetmja gjë, që kërkojmë, është të marrin pjesë në flijimin tonë për të Bukurën. Do çlirohemi nga pesha e mëkatit, duke u përkushtuar në Pastërtinë dhe Thjeshtësinë. Kjo ishte ideja e Mjeshtrave të çajit, kur vendosën të caktojnë ritin e Adhurimit të Luleve.

 

Fragmente nga “Libri i çajit”

Përktheu: Eleana Zhako

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin