TRANSAKSIONI

Deri sa Gajtani të na sillte Bibikën, porosia ishte të bënim sikur po luanim në oborrin e pallatit. Por frika dhe padurimi na kishte paralizuar të treve. Rrinim si të shushatur rrëzë murit dhe kafshonim thonjtë. Nganjëherë edhe lëviznim, por nuk dinim ku të shkonim. Ktheheshim aty ku ishim dhe prisnim ata të dy. Në rast rreziku duhej t’u bënim shenjë të vazhdonin rrugën. Në të kundërtën, Gajtani do ta fuste Bibikën te shtëpia e Noshit. Ky ishte i vetmi midis nesh që banonte në katin e parë.

Në fillim ata kishin menduar për shtëpinë time, pa më pyetur mua. Në panik e sipër u detyrova t’u kujtoj se banoja në katin e gjashtë. Mund ta ngjisnim atje Bibikën po të deshën, por duhej të kujdeseshin të merrnin edhe ndonjë parashutë me vete, po qe se vinin prindërit e mi.

Ideja se në rast rreziku mund të hidhnim Bibikën nga dritarja na kaloi në mendje të gjithëve, por pritëm ta shprehnin të tjerët. Meqë kjo nuk ndodhi, hëpërhë e lamë mënjanë si mundësi. Kështu ndodhi që zgjodhëm shtëpinë e Noshit. Prej aty mund t’ia mbathnim kollaj duke u hedhur nga dritarja. Po qe se Bibika nuk pranonte, le të rrinte aty. Ne e kishim gati akuzën se ajo kishte hyrë vetë nga dritarje për qëllime që nuk i dinim.

Kjo garanci që kishim nuk e zbuste ankthin që na torturonte tek mendonim çastin kur do të ndodheshim vetëm për vetëm me Bibikën, të shtrirë në këmbët tona. Asnjëri nga filmat që kishim parë nuk na ndihmonte të kuptonim vazhdimin e historisë. Zakonisht, aty ata priteshin.

Në variantin e parë, Bibika duhej të na shihte vetëm kur të hynim të gjithë në dhomë, të zhveshur e me rroba në dorë (që të ishim të gatshëm t’ia mbathnim sa më shpejt, siç thashë). Por vetëm pasi t’i kishim dhënë paratë Gajtanit. Pastaj ishte vetë Gajtani që kishte ndërruar mendje. Që Bibikës të mos i binte të fiktë nga emocioni (kështu na tha), ne do të prisnim në kuzhinë dhe do të hynim njëri pas tjetrit në dhomën kur ajo priste lakuriq (këtë e kërkuam ne, se koha nuk premtonte të merreshim me angari të tilla). Gjithnjë pasi t’i kishim paguar Gajtanit detyrimin tonë. Ishte ai që kujdesej për mbajtjen e llogarisë dhe të kontakteve me Bibikën. Se duhet thënë që këtë të mirë prej tij e kishim.

Deri atëherë edhe hipur mbi ëndrrat tona më të mbrapshta nuk arrinim deri te Bibika. Ishte pak më e madhe se ne, por kur ajo shfaqej në anët tona, ndryshe nga sa ndodhte me vajzat e tjera, para të cilave ne shpalosnim zemërgjerësisht tërësinë e njohurive tona leksikore në fushë të erotizmit, me Bibikën bëheshim të heshtur, madje melankolikë, merrnim pamje gjyhnaqarësh. Na turbullonte fytyra e saj vezake, sytë që i ndryshonin ngjyrë nga kafe në të gjelbër (gjë që më vonë, do ta bënte Gajtanin të nxirrte përfundime të rëndësishme për jetën tonë të fshehtë seksuale) dhe flokët që herë i mblidhte pas e herë i lëshonte përpara sa shpesh ne i shihnim vetëm buzët e saj të kuqe, sepse hunda i humbiste midis faqeve të kërcyera e si të prera pakëz nën mollëza. Pastaj ishin këmbët dhe cicat e saj të mëdha. Këto të fundit dukej sikur e shtynin anash  njëra tjetrën, si të ishin ngarkuar me polaritet të kundërt elektrik. Kjo ishte gjësendi mjaft e vlerësuar, edhe pse debatet mbeteshin gjithnjë të hapura e të zjarrta me ata që i parapëlqenin të afruara e pa shumë hapsirë në mes.

Vegimet tona të surbullosura vazhduan deri një javë më parë kur Gajtani na shastisi duke na thënë se Bibika ishte qejflie (vetëm më vonë na tregoi se për nje përfundim të tillë e kishte ndihmuar afërsia e ngjyrës së syve të saj, me ato të maces së tij në periudhën e shumëzimit). Kërcyem përpjetë. Një vajzë qejflie ishte gjithnjë e bukur, e dëshirueshme si më parë por me një status disi më proletar.

Duke qenë për natyrë mjaft praktik, Gajtani nuk ishte kufizuar të shihte ëndrra si puna jonë. I kishte dalë para në rrugë Bibikës dhe megjithse qe ngritur në majë të gishtave, asaj i ishte dashur të përkulej ca që ta puthte në të dy faqet, se tamam një dëshirë të tillë të ngjallte gjithnjë një çun i pastër e me flokë të ndarë me vizë anash si ai.  Me t’u ndodhur në afërsi të veshit të saj, Gajtani i kishte thënë se ajo i pëlqente shumë. Ajo ishte hutuar disi dhe u desh të kalonin disa çaste që të kuptonte mirë atë që kishte dëgjuar. Pastaj i kishte kaluar dorën mbi kokën dhe i kishte pëshpëritur në vesh: po të ma thuash dy herë, do të kërkoj 100 lekë, po ta mbyllësh me kaq, vetëm 50.

Heshtjen e tij të gjatë me gojën hapur Gajtani më vonë deshte ta paraqiste si periudhë reflektimi, sikur po studionte problemin nga të gjitha anët. Në të vërtetë vetëm se fitonte kohë të mblidhte veten. Nuk e kishte pritur aq shpejt. Por Bibika nuk e kishte lënë shumë gjatë ashtu dhe e kishte nxitur t’i jepte përgjigje, se kishte mamanë në spital dhe duhej të ikte sa më shpejt. Gajtani u rrit e u regj vetëm në ato pak sekonda. Por ai 50 lekëshi i ishte dukur shumë. Sikundër ne, edhe ai e dinte mirë se mamaja e Bibikës nuk ishte e sëmurë. Ajo vetëm se shtrohej çdo vit në maternitet dhe vinte prej andej me nga një bebe në dorë. Nganjëherë edhe me dy. Dhe fqinjëve u thoshte se njërin e kishte bërë vetë, tjetrin ia kishin dhënë falas. Ne ishim të mendimit se ajo e bënte këtë që të na mbyllte gojën ne që nganjherë ishim gati të besonim kishte fjetur me dy burra njëherësh, siç flitej.

Bibika e tregoi natyrën e saj të afërt me njerzit e thjeshtë duke i dhënë Gajtanit  edhe një shans të fundit: e uli çmimin në 40 lekë, me shënimin se një zbritje të tillë po e bënte vetëm për të, se i dukej djalë i edukuar. Mundim i kotë. Gajtanit edhe ai 40 lekëshi i ngjante gjithnjë para e madhe. Ajo i ktheu kurrizin e iku. Më mirë e mbaj përe vete, tha se sa ta jap falas!

Të nesërmen, pas një nate të ethëshme hesapesh, GAjtani i kishte propozuar një çmim shumice. Bibika nuk e kishte kuptuar menjëherë. Më saktë e kishte keqkuptuar. Kishte menduar se do të shkonte në shtrat me Gajtanin tre herë dhe ai do ta paguante për dy herë. U bë gati të pranonte, por puna ishte ndryshe. Me durim dhe një thjeshtësi të mahnitshme Gajtani i kishte shpjeguar Bibikës se ai do të sillte tre shokët e tij më të ngushtë, duke shtuar menjëherë se që të tre vinim nga familje të mira. Secili prej tyre do t’i jepte nga 20 lekë dhe në fund ajo do të ikte me 60 lekë në dorë. Se për të si ndërmjetës, për Gajtanin pra, shërbimi do të ishte falas.

Këtë herë ishte Bibika që heshti gjatë e gjatë, duke bërë llogari me gishtat që i mbante pas vetes. Thonin se ishte mjaft e pranishme në aksionet rinore të Organizatës së lagjes, por në artimetikë kishte ca vështirësi. Kjo e shtyu të shkojë në shtëpi ku u vu të kërkojë një fletore me kutia, në kurrizin e të cilave kishte gjithnjë një tabelë shumëzimi. Së fundi doli te dritarja dhe i tha “po”, duke shtuar se i zinte besë atij për përbërjen e mirë politike të familjeve tona.

Atë mbrëmje tek po ndaheshim, Gajtani si të ishte kujtuar rastësisht, na tha se Bibika ëndërronte të bënte dashuri me ne të gjithë. Po t’i besoje atij, që kur i kishin ardhur të përmuajshmet ajo vetëm atë ëndërr shihte. Lajmi se pa dijeni tonë ne ishim objekt i ëndrrave të Bibikës, qe sa befasues as edhe eksitues. Thotë se i dukeni meshkuj të vërtetë, shtoi ai.

Pas një nate ëndrrash të mundimshme erotike që na kishin bërë të kullonim djersë, ne u mblodhëm përsëri të nesërmen dhe, duke ndërprerë njëri tjetrin, e pyetëm se si mund të rregulloheshin detajet e kësaj pune. Nuk ka asgjë për të rregulluar, na siguroi ai.  E shumta do të duhet t’i bëjmë ndonjë dhuratë. Por kur mësoi se ne ishim të vendosur të merrnim gjësendi nga çanta e tualetit të mamave tona, për t’ia dhënë asaj, ai na e bëri të qartë se duhej ta mbyllnim atë punë  duke i dhënë nga njëzet lekë, që edhe këtë duhej ta cilësonim me hatër, për shkak se vinim nga  familje të mira.

U ftohëm ca, por së fundi pranuam duke i thënë se njëzet lekëshin do t’ia jepnim vetë në dorë, pasi të shihnim Bibikën lakuriq. Nuk ishim shumë të bindur për ndonjë gjest qoftë edhe gjysmë humanitar të Gajtanit. Më dukeni shumë vulgarë, tha i dëshpëruar ai. Ajo ka aq mendim të lartë për ju, sa e lini pa gjumë dhe ju silleni sikur të hynit te dyqani i mishit për një bërxollë dhe jo në sekretet e zemrës së një vajze.

U ndjemë keq. Ai kishte të drejtë. Mosmirënjohës ishim. Por kjo nuk e pengonte Gajtanin të mbetej i sjellshëm në çdo rrethanë. Ishte pjesë e natyrës së tij. Edhe kur ishim allnuar dhe qëllonte që unë dilja në rrugë me prindërit, ai ndërronte trotuar dhe vinte të më fliste mua dhe të përshëndeste prindërit e mi. Nuk harronte edhe t’i thoshte tim ati se këshillat që i jepte ai herë pas here kur shiheshin në rrugë, i kishin vlejtur shume në jetën e tij. Babait i bëhej qejfi edhe pse nuk i kujtohej se çfarë këshillash i kishte dhënë. Por kur Gajtani largohej, ai gjithnjë më thoshte: Do të bëjë përpara, ky djalë, jo si puna jote!

Pra, kishim arsye të panumërta ta admironim dhe ta kishim zili Gajtanin. Pa llogaritur pastaj se atij i shkonte gjithçka që vishte, që nga çorapet e gjata të bardha e deri te një papijon i vogël që vinte nganjëherë në qafë, kur shkonte në ndonjë dasmë me prindërit e tij. Na kishte treguar se e kishte trashëgim nga gjyshi, që kishte qenë ftues gjyqi, në një kohë tjetër. Ëndërronte të kishte një të dytë, se ai ishte ca i vjetër. Për këtë kishte biseduar edhe me Çetin, rrobaqepësin e lagjes sonë, që punonte fshehurazi natën. Ai e kishte siguruar se mund t’ia bënte pa merak një të ri, edhe pse coha prej mëndafshi kushtonte ca shtrenjtë.

Ndërsa prisnim, u hap një bisedë që, meqë ishte rasti, synonte një farë njohje, popullarizimi e qasje disi më pak libreske të anatomisë femerore.

– Mirë cicat, po atë kushedi si do ta ketë ajo! – ia bëri Lefi, papritur, sikur ato fjalë t’i kishin shpëtuar nga një monolog i thellë me veten.

– Si gjithë të tjerat, – ia ktheu Noshi, me një kompetencë që nuk të linte të dyshoje se ishte në një terren të njohur.

– Ah, po! – e kapi menjëherë veten Lefi, si të mos e kuptonte as vetë si kishte ndodhur që e kishte harruar një gjë të tillë.

Mua më mahniti mirinformimi i tyre, por nuk desha të shpalos paditurinë time duke u bërë ndonjë pyetje hardalle.

Së fundi Gajtani dhe Bibika u shfaqën në fund të rrugës. Ai ecte si i ngeshëm, por tinëz ktheu kokën nga ne që të  sigurohej se nuk kishte asnjë rrezik. Pastaj të dy u kthyen te hyrja e pallatit dhe si ngjitën ato pak shkallë të katit të parë, u futën te shtëpia e Noshit. Sipas fjalës, derën e lanë të hapur.

Me gjunjët që na dridheshin, ne nxituam pas tyre. Duke spërdredhur trupin, për të mos hapur shumë dyert, rrëshqitëm drejt e në kuzhinë. Ata sapo kishin mbyllur pas vetes derën e dhomës së prindërve të Noshit.

U ulëm në një divan dhe mblodhëm duart para vetes, që të dukeshim sa më të qetë. Kishim rënë dakord që Gajtani të ishte i pari.

Menjëherë më pas dëgjuam Bibikën që qeshte dhe pastaj ca pëshpërima të mbytura. Meqë ishte dikush që dinte se çfarë bënte, ishim të sigurtë se atë çast Gajtani po kalonte ngadalë gishtërinjtë e tij mbi krahun e saj të zhveshur dhe ajo qeshte, ndërkohë që ai ndjente drithërimin e lehtë të lëkurës së saj që tkurrej. Mbyllëm sytë që ta përfytyronim më mirë një gjë të tille, por befas Bibikës i shpëtoi një klithmë e mbytur, duke na shtënë në dyshim se ku mund t’i kishte shpënë vërtet ato gishtat e tij Gajtani. Pastaj ajo u qetësua dhe nisi të qeshë përsëri si më parë. Mbase atë çast Gajtani po i tregonte ndonjë histori interesante, por tek zgjatëm veshët, kuptuam që po flisnin me shifra, sikur të ishin në një konsultë matematike. Nëse kështu e donte rasti, pra, po qe lojrat matematike me mbledhje e zbritje kishin një dozë erotizmi brenda dhe ishin gjëja që e eksitonte më shumë Bibikën, nuk është se ne të tjerët e kishim punën shumë mirë.

Por deri sa të vinte ai çast, secili bënte si mundte për të mataruar ankthin që e mundonte. Lefi u ngrit dhe vuri syrin te vrima e çelësit. Pastaj u kthye nga ne e tha:

– Mua, dua të më lini ca kohë më shumë. Gratë e marrin për mungesë respekti, kur nxitohesh.

– Asnjë minutë më shumë se të tjerët, – ia bëri Noshi me kordat vokale që i zhuzhuritën si të thara në diell, – Çmim i barabartë, kohë e barabartë.

– Një grua duhet ca kohë ta sjellësh në qejf më parë, – këmbënguli Lefi, – Jo ashtu, t’i hidhesh menjëhere përsipër si gomar!

– Ne do e gjejmë gati, – ia bëri Noshi, – angarinë e pjesës së parë do ta kryejë Gajtani.

Kjo nuk i pëlqeu shumë Lefit që përplasi grushtet më njëri tjetrin dhe nisi të qëllojë në ajër, si një boksier që shprehte padurim për të hyrë në ring.

Befas Noshin e zuri kolla. Dukej mjaft nervoz dhe ngadalë u ul në gjunjë. Pastaj u shtri përdhe. I thamë ta mbante ca veten se pas Gajtanit, ishte radha e tij, si i zoti i shtëpisë. Ai nuk na u përgjigj fare dhe ne vinim rrotull, të hutuar.

I shqetësuar nga zhurma jonë, Gajtani doli menjëherë nga dhoma (për çudinë tonë jo duke shkundur këmbët e mbërthyer pantallonat). Ishte ai që e kuptoi se Noshit i kishte rënë të fiktët. Më bëri shenjë t’i sjell një gotë ujë dhe i vuri gishtin në pjesën e poshtme të syrit.

– Sa të vijë në vete ky, po futem unë, – Lefi bëri një kërcim pupthi në vend dhe shkoi të hapë derën. Gajtani e zuri nga bluza dhe i bëri shenjë t’i jepte më parë lekët, siç e kishim lënë. Lefi, që vërtet dukej se kishte harruar, ia hodhi të këmbët njëzet lekshin e tij dhe hyri me vrull në dhomë.

Ne e ngritëm Noshin në divan. Aty ai hapi sytë dhe Gajtani i tha se po qe se ndihej në formë, ishte gati ta nxirrte Lefin jashtë që të respektohej rradha e vendosur më parë. Noshi i mbylli sytë përsëri. Mua m’u duk se Gajtani u shqetësua pak. Kisha përshtypjen se mendonte për atë njëzet lekshin që do t’i mungonte llogarisë së Bibikës. Noshi, si të mendonte edhe ai të njëjtën gjë, futi dorën në xhep dhe gjithnjë pa i hapur sytë fare i zgjati Gajtanit njëzet lekshin e tij. Dukej se hiqte dorë nga gjithçka.

– Kur të jesh gati, na thuaj, – ia bëri Gajtani i kënaqur, por nga ai çast nuk u kujtua më për Noshin, që e zuri gjumi vërtet.

Nga dhoma ku kishte hyrë Lefi erdhën ca klithma e britma që na ngrinë gjakun. Kur menduam se gjendja u qetësua ca, ato u përsëritën në trajta nga më të pa besueshmet. Pastaj ra një heshtje të gjatë, që ndërpritej më rrallë nga ca britma gladiatorësh.

– Shko, futi ti tani, – më tha Gajtani, – vetëm kur të shohë ty do të kujtohet se jemi vonë.

Unë u ngrita më këmbë, duke u përpjekur heroikisht të ruaj ekuilibrin, por pa e ditur mire se çfarë do të bëja aty brenda. Pastaj ato ofshamat dhe britmat e frikëshme që vinin nga brenda dhomës, më shtinë frikën se mos Bibikës i tekej të na akuzonte për përdhunim. Këtë frikë ia shpreha edhe Gajtanit, ndërsa i dhashë njëzet lekëshin tim.

Ai më rrahu lehtë gjoksin tim, për të më qetësuar.

– Të gjitha gratë ëndërrojnë të përdhunohen, në jetën e tyre. Të paktën një herë! –

-Edhe nga katë vetë?

-Numri nuk ka rëndësi, – ia bëri ai duke më treguar një orë të varur në mur.

E vështrova një copë herë me adhurim dhe hapa derën vendosmërisht, por për pak desh u rrëzova mbi trupin e Lefit. Krejt lakuriq, ai m’u duk si një krap i madh që e kishin nxjerrë në breg dhe hidhej e fërgëllonte nga njëra anë e dhomës te tjetra, ku kalimthi vura re se kishte nje fotografi të vjetër të babait të Noshit me uniformë partizane dhe pushkë në krah dhe me tutje një tabllo me trëndafila të bëra me punëkryqe.  Vetëm Bibika e vuri re praninë time, por kjo nuk e turbulloi shumë, edhe pse m’u duk se më vështrimin e saj pyetës deshi të dinte se sa veta kishte ende aty pas derës.

Lefi, u ngrit përsëri duke kërcyer deri në tavan dhe u vërsul mbi të. Si rrëmoi një copë herë nëpër gjoksin e saj, si të kërkonte gjësendi që i kishte humbur aty brenda, ai ngriti duar dhe nisi t’i kruante veshët. Dukej se ishte i bindur se bënte një gjest erotik të pashembullt. Bibika mbylli sytë, e bezdisur, por kjo atij iu duk si shenja më e sigurtë se ajo ishte afër ekstazës. U ngrit më këmbë dhe duke kërcyer herë nga njëra anë e saj e herë nga tjetra, nisi të ofshajë me zërin që ngrihej gjithnjë e më tepër. Dukej se kjo e trembi edhe vetë Bibikën, sa e alarmuar ktheu sytë nga unë me shpresë se do të kuptonte se çfarë po ndodhte.

Unë lëviza si për t’i ardhur në ndihmë, por nuk dija çtë bëja më shumë. Lefi, ngjante si në finalen e një riti demoniak. Dukej kjo ishte shenjë se kishte përfunduar faza e parë e “sjelljes në qejf”, ndërkohë që më ngjante se Bibika, as që e besonte më se do të dilte gjallë prej aty. .

E zuri paniku dhe u ngrit e rendi drejt derës. Lefi iu vërsul nga pas dhe si e shtriu në shtrat, ra në gjunjë, te këmbët e saj, me kokë të zgjatur përpara si një piton ruajal. Pastaj ia ngriti rrufeshëm rrobat dhe futi kokën nën to. Bibika ulëriu me të madhe, nga frika. Nuk do të habitesha aspak po qe se matanë dritares së asaj dhome do të ishte mbledhur një turmë e madhe njerëzish të shqetësuar. Gajtani hapi derën që të sigurohej se nuk kishte asnjë të vdekur në dysheme, por e pati të vështirë ta gjente ku ishte Lefi deri sa unë ia tregova me gisht, aty, me kokën midis këmbëve të Bibikës.

Nuk e di sa zgjati një osmozë e tillë. Dikur Lefi u ngrit përsëri në gjunjë dhe nisi të zbresë nga lartësitë e tij erotike. Më vështroi mua mjaft i habitur dhe si i zënë ngushtë mblodhi menjëherë  teshat e doli jashtë.

Unë kisha filluar të ndjej një lloj marramendje. Edhe pse më dukej se tani bota nuk kishte më asnjë sekret për mua, gjithë ç’kisha parë më kishte zhgënjyer. E kisha të vështirë të besoja se nëpër një rrethanë të tillë kishin kaluar edhe prindërit e mi. Më dukej e pamundur. Nuk ishte gjësendi në lartësinë e autoritetit të tyre. Nuk është se nuk e kisha një ide të përafërt se çfarë ndodhte në shtratin e një çifti, por në biseda gjëra të tilla paraqiteshin të mbuluara nga misteri i romantizmit. Nuk m’u duk se kishte gjë të tillë në atë kërleshje hienash. Desha të besoj se ka edhe ndonjë marifet tjetër më të fisëm që na e mbajnë të fshehtë. Nuk i përfytyroja dot prindërit e mi të përfshirë në një ndërmarrje të tillë aq të drejtpërdrejtë, aq fizike.

– Po ti, çfarë pret? – dëgjova Bibikën që po më shikonte me dyshim ndërkohë që sytë e mi gravitonin të magjepsur rreth seksit të saj, sa kisha përshtypjen se kisha dalë në një dimension tjetër dhe përpara vetes shihja të rrotulloheshin thellësitë e mjegullnajave siderale, nga ku me pak vëmendje mund të dëgjoje të vinin edhe ca tingujt të largët muzikorë.

Edhe kur i trembur, largova sytë prej aty nuk arrija të shihja gjë tjetër. Një imazh i tillë qëndronte gjithnjë si i varur me pinsekë në retinën e syve të mi. Veçse në thellësi të vetes sime diçka qe shembur. Ashtu ishte shkalafitur dhe çakallosur edhe im atë një sekondë para se qelizat e mia të njoftonin praninë e tyre duke notuar gjithë entuziazmë si ato kafshëzat parahistorike që nxitonin të linin pjesët e ujshme të oqeanit botëror për të mbërritur në tokën e shumëdëshiruar?

Kisha nevojë urgjente të merrja përgjigje për ato pyetje.

– Kështu kanë bërë edhe ata? – guxova të pyes.

Duket zëri im do të ketë qene gati-gati i padëgjueshëm sepse ajo ktheu kokën të më shihte.

– Çfarë? – pyeti.

– Kështu kanë bërë edhe prindërit…

Kujtoj se të paktën në çastin e fundit nuk i thashë “prindërit e mi”, por “prindërit tanë”, si të isha i interesuar më shumë për një opinion objektiv, të paanshëm, të pandikuar nga lidhjet familjare.

Rezultati zero.

– Shko e pyet nënën tënde, po deshe! – ia bëri Bibika, nuk e di përse mjaft e kënaqur dhe, duke ulur rrobat që Lefi ia kishte mbledhur shuk te gryka, u ngrit e iu afrua derës.

Aty pati idenë thellësisht pedagogjike të mos dilte jashtë pa më thënë:

– Bile, ta kishe pyetur para se të vije te unë.

Unë kisha nevojë të qëndroj edhe disa çaste ashtu, nën përshtypjen mpirëse të zbulimit që sapo kisha bërë, dhe të atij imazhit që ishte fiksuar me pineskë në  sytë e mi, që më tej, kur lëvizja kokën  vazhdoja ta shihja edhe te perdet e mëdha të dhomës, në tavan, te syprina dy kanateshe e raftit të rrobave, te fotografia me partizan, te kurrizi i derës.

Nuk e di për çfarë arsye, por disa kohë nuk u takuam me njëri tjetrin. Mbase kishim nevojë të tresnim me veten fundin disi të mjerueshëm e pa shumë lavdi të pafajësisë sonë relative, aty, midis këmbëve të Bibikës. Kjo deri ditën kur Noshi u ngjit lart te unë dhe kërkoi të bisedonim sa më shpejt. Nuk kishte ndodhur asnjëherë kështu. Më zuri frika se Bibika mund të ishte shtatzënë dhe se tani duheshin mbledhur përsëri para për të rritur fëmijën e saj, në qofshim më fat dhe ajo nuk merrte edhe një të dytë falas në maternitet. U vesha dhe sakohë që nuk kishim dalë ende në oborrin e pallatit, mësova se ai vërtet kishte ndeshur në rrugë Bibikën, por ajo vetëm sa i kishte thënë me shumë zemërim: qelbanikë, që nuk mbani fjalën!

Mbeta pa gojë. As unë, as ai dhe as Lefi që shkuam ta takojmë nuk deshëm të besojmë se njëzet lekëshat tanë nuk kishin mbërritur kurrë te duart e saj. Do të kishte ndodhur ndonjë keqkuptim, ndonjë ngatërresë llogarish. U drejtuam menjëherë te shtëpia e Gajtanit, por motra e tij na tha se nuk ishte aty.

I pari që e takoi pas tre ditësh isha unë. Veçse rrethanat ishin të tilla që nuk mund t’i drejtoja dot asnjë pyetje. Prindërit, të cilët që nga ajo ditë, i vështroja më me dyshim se më parë, kishin vendosur të më merrnin me vete në kinema, meqë nuk u dukesha fort mirë. Pra, as që bëhej fjalë t’i lija ata më këmbë dhe të shkoja t’i kërkoja shpjegime Gajtanit.

Ishte ai vetë që ndërroi trotuarin dhe u afrua te ne. U zgjat në majë të gishtave që prindërit e mia ta puthnin në faqe dhe më rrahu supin mua në shenjë miqësie të vjetër, tashmë edhe më të fortë sepse na lidhte aventura e përbashkët me Bibikën.

Vetëm atë çast vura re se në qafë ai kishte një papijon tjetër, fringo të ri, që mbërthente hijshëm jakën e këmishës së tij të hekurosur dhe ngrirë me kollë niseshteje. Na buzëqeshi ëmbëlsisht dhe iku duke na uruar të kalonim një mbrëmjen sa më të mirë. Mua më shkeli syrin.

-Do të bëjë përpara, ky djalë, – tha babai duke tundur kokën.

Pastaj u kthye nga unë, por iu duk e tepërt të shtonte : jo si puna jote!

 

(c) Autori

2 Komente

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: