Reklama

LEKSIK I UDHËKRYQEVE

  1. KAPELË është huazim i ri nga italishtja CAPPELLO, e cila nga ana e vet është vazhdim i një latinishteje të rindërtuar *CAPPELLUS, si diminutiv të CAPPA. Kjo e fundit, edhe në italishte edhe në latinishte, është emri i pelerinës a i mantelit. Në kohë të vjetra, CAPPELLO ishte një cep i pelerinës me të cilin mbulohej koka, dhe që e quanin edhe CAPPUCCIO (shqip KAPUÇ). E njëjta fjalë, por në gjininë femërore, ka qenë CAPPELLA, një pelerinë e shkurtër; veçanërisht e njohur në Mesjetë ka qenë ajo St. Martin de Tours, e ruajtur nga mbretërit merovingianë (sipas legjendës, Martini e preu pelerinën e vet përgjysmë, për t’ia dhënë njërën gjysmë një lypësi; po atë natë pa në ëndërr Krishtin të veshur me gjysmë-pelerinën; gjysmën tjetër Martini e ruajti pastaj si relike); madje aq e njohur, sa – me antonomazi – fjala filloi të përdorej vetëm për atë pelerinë; dhe pastaj, me metonimi, për vendin ku ajo ruhej e më në fund, për çdo kishëz ose vend në kishë të destinuar për kultin e një shenjti të caktuar, brenda një strukture më të madhe që e përfshin (me priftërinjtë që shërbenin të quajtur KAPELANË). Një teori tjetër, është që fjala vjen nga latinishtja mesjetare CAPELLA, me kuptimin literal “strehë, tendë, kupolë (e altarit)”. Në çdo rast, fjala shqipe është gjithashtu KAPELË, si fjalë e hyrë prej italishtes. Shprehja A CAPPELLA, në italishte, ka kuptimin e të kënduarit në grup ose solo pa shoqërim instrumental, siç këndohet në KAPELË.

Referenca:

Treccani online, Online Etymology Dictionary, Dizionario etimologico online, Wikipedia; Topalli, Kolec, Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe

  1. Fjalët shqipe KASKË dhe KASKETË janë të dyja huazime nga gjuhët neolatine, me gjasë nga italishtja (CASCO dhe CASCHETTO); më e zakonshme është KASKETË, që shënjon një kapelë burrash të thjeshtë, me strehë; ndërsa KASKË është më teknike, si sinonim me HELMETË. Origjina e fjalës është spanjishtja CASCO, me kuptimin “kafkë, helmetë”. Nga frëngjishtja e mesme CASQUE fjala ka kaluar në anglishte si CASK, duke shënjuar një enë për lëngje, “bute vere, fuçi” (khs. “The Cask of Amontillado” e Poe-s); dhe pastaj CASKET, “kuti e vogël për stoli, sëndukth”, me një prapashtesë zvogëluese. Kjo CASKET, në anglishten e Amerikës, mori pastaj edhe kuptimin “tabut, arkivol”, sidomos për një arkivol të shtrenjtë. Nëse etimologjia qëndron (ka edhe një version tjetër, që e nxjerr anglishten CASKET nga frëngjishtja e mesme CASSET), atëherë shqipja KASKETË dhe anglishtja CASKET janë në thelb e njëjta fjalë, edhe pse të mbushura me verëra të ndryshme. Fjala tjetër anglishte për arkivolin, COFFIN, vjen nga frëngjishtja e vjetër, COFIN, me kuptimin “shportë”; frëngjishtja nga një latinishte COPHINUS, që ka sërish kuptimin “shportë”, dhe që vjen nga greqishtja κόφινος, me të njëjtin kuptim. Fjala greke ka hyrë edhe në shqip si KOFIN “kosh i madh i thurur me purteka që përdoret për të mbajtur pemë” (khs. si kofini pas të vjeli); përkundrazi, shqipja QEFIN, që duket sikur e ka një lidhje kuptimore me anglishten COFFIN, është në fakt huazim nga osmanishtja dhe, në origjinë, fjalë arabe (KUFN).

Referencat:

Treccani online, Online Etymology DictionaryDizionario etimologico online, Wikipedia, Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe

  1. Sikurse e shënon Çabej, shqipja BREKË është huazuar nga latinishtja BRACAE, me kalimin a:e të zanores tematike të shpjeguar si pasojë e shumësit të singularizuar. E njëjta fjalë latine, këtë herë si pjesë e një fjale tjetër, ka hyrë në shqipe me fjalën BENEVREKË, nga turqishtja BENEVREK, të cilën, nga ana e vet, turqishtja e ka huazuar nga greqishtja e re (ἀ)πανωβράκι, fjalë e përbërë, ku pjesa e dytë, βρακί (βράκα) me kuptimin “kilota”, “brekushe”, “brekë”, vjen në analizë të fundit nga e njëjta latinishte BRACAE si BREKËT në shqipe. Siç shënon Çabej, duke iu referuar Skokut, fjala turke u përhap edhe në gjuhë të tjera të Ballkanit.

Referenca:

Çabej, SE, II, Wikipedia

  1. Kush e ka pasur pasion futbollin në vitet 1960-1980 e me siguri edhe më herët, do ta mbajë mend fjalën GOLAVERAZH, që përdorej – siç do ta shohim, gabimisht – për të shënjuar diferencën mes golave të shënuar dhe golave të pësuar nga një skuadër futbolli, ose edhe thjesht raportin e këtyre golave si thyesë: 36:16. Më rrallë ka qenë përdorur PIKAVERAZH, në sportet me pikë. Të dyja fjalët nuk i gjen në Fjalorin e vitit 1982 dhe në fjalorët pasues. Burimi i parë i kësaj GOLAVERAZH duket të jetë anglishtja GOAL-AVERAGE, “numri i golave të shënuar, pjesëtuar me numrin e golave të pësuar” (fr. MOYENNE DE BUTS); sot kjo masë statistikore nuk përdoret më, sepse është zëvendësuar nga “GOAL DIFFERENCE”, ita. DIFFERENZA RETI. Meqë në shqipe fjala AVERAZH nuk përdoret, atëherë do të supozojmë se GOLAVERAZH është huazuar e gatshme, nga ndonjë gjuhë ku shqiptohet me -zh fundore. Kjo mund të jetë rumanishtja, me GOLAVERAJ, fjalë të cilën Dicționarul explicativ al limbii române (i vitit 2009) e shpjegon si “raportul sau diferența dintre golurile marcate și cele primite de o echipă la unele jocuri sportive, care departajează între ele două echipe aflate la egalitate de puncte (raporti ose diferenca mes golave të shënuar dhe atyre të pësuar nga një ekip në disa lojëra sportive… etj.),” duke e nxjerrë nga një frëngjishte GOAL-AVERAGE (sot, me gjasë, e vjetruar dhe e zëvendësuar nga një moyenne de buts si e ndryshme nga différence de buts),différence arithmétique entre les buts marqués et les buts encaissés”, e cila gjithashtu mund të ketë qenë burimi i shqipes: edhe rumanishtja edhe frëngjishtja e përdorin fjalën rëndom për “diferencën e golave”, jo raportin pjesëtimor. Kuptimi “golat e shënuar dhe golat e pësuar nga një skuadër futbolli gjithsej gjatë një turneu a kompeticioni” duket të jetë zhvillim i brendshëm i shqipes. Për t’u shënuar se, në turqishte, diferenca në gola është AVERAJ, fjalë që turqishtja e ka huazuar nga frëngjishtja. PIKAVERAZH është formim analog brenda shqipes.

Referenca:

Dexonline (https://dexonline.ro/), Wikipedia

  1. Shqipja PULË është huazim i vjetër i gjuhës nga latinishtja PŬLLUS, që ka pasur po atë kuptim, por edhe ka shënjuar të vegjlit e kafshëve, në përgjithësi (khs. edhe shqipen PULISHT). Kjo fjalë ka dhënë në italishte POLLO dhe në frëngjishte POULE; latinishtja PŬLLUS, nga ana e vet, si e krahasueshme me greqishten e vjetër πῶλος dhe shqipen PELË, si fjalë të fondit indo-europian. Ngjashmëria e saj me anglishten POOL, me kuptimin “bilardo”, por edhe “depozitë (në kumar)” “dorë letrash”, ose “bashkësi interesash” ose “grup”, si në shprehjet GENE POOL, CAR POOL duket si rastësore, por në fakt nuk është: kjo POOL, në anglishte, vjen nga frëngjishtja POULE dhe, me gjasë, i referohet një loje popullore në Mesjetë, të quajtur “JEU DE LA POULE”, ku lojtarët luanin me para, duke u përpjekur të kapnin ose të gjuanin me gur një… pulë. Nuk ka lidhje me fjalën tjetër POOL, me kuptimin “pellg” dhe, më tej, “pishinë.”

Referencat:

Treccani online, Online Etymology Dictionary, Dizionario etimologico online, Wikipedia, Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe (K. Topalli)

  1. Fjalën QOSHK, me kuptimet “1. Kënd, skaj, qoshe; 2. Kthinë e dalë përtej murit të shtëpisë; 3. Barakë a dyqan i vogël për të shitur gazeta, etj.” Dizdari e jep si të ardhur nga turqishtja KÖŞK (e shkruan KÖSK, por do të jetë gabim shtypi); nuk është e njëjta fjalë me KÖŞE, e cila ka dhënë shqipen QOSHE, edhe pse të dyja këto, në turqishte, i sjellin si me të njëjtën origjinë nga persishtja. Për t’u shënuar se turqishtja KÖŞK ka shtegtuar pastaj në shumë gjuhë europiane, me gjasë në shekullin XVII, për të dhënë fjalë si KIOSQUE (fr.), CHIOSCO (ita.), KIOSK (angl. & gjerm.), etj., term i arkitekturës për një ndërtesë zbukuruese në parqe dhe kopshte (GAZEBO, BELVEDERE); dhe më pas një barakë për shitje artikujsh të konsumit të përditshëm, zakonisht në një vend publik – të tilla si gazetat, pije freskuese, etj. Që këtej ka hyrë sërish në shqipe, si KIOSK. Me të njëjtën origjinë, QOSHK dhe KIOSK kanë hyrë në shqipe me rrugë të ndryshme, në kohë të ndryshme.

REFERENCA

Treccani online, Online Etymology Dictionary (English), Topalli, K., Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, Dizdari, T., Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe

  1. SHAH, si emër i lojës, ka hyrë në shqip nga turqishtja, edhe pse burimi i kësaj fjale, që ka shtegtuar në gjithfarë gjuhësh anembanë botës, është persishtja SHÂH dhe si vektor i përhapjes së saj ka shërbyer arabishtja.[1] Në frëngjishtjen e vjetër, kjo fjalë u huazua si ESCHÉS (shumës i ÉCHEC), nëpërmjet spanjishtes, për të shënjuar fjalën që thotë njëri prej lojtarëve, kur kërcënon mbretin e kundërshtarit (kjo fjalë pastaj, falë disa shndërrimeve kuptimore të pazakonshme, mori edhe kuptimin “dështim”, që e ka në frëngjishte edhe sot). Vetë loja e shahut në frëngjishte është ÉCHECS. Nga frëngjishtja e vjetër, ESCHÉS, e mori edhe anglishtja, për ta shndërruar shkallë-shkallë në CHESS. Si fjalë sinjalizuese të kërcënimit për mbretin kundërshtar (shqip: SHAH!), anglishtja ka CHECK, të cilin e nxjerrin nga frëngjishtja e vjetër ESCHEQUIER (që shënjon edhe tabelën e shahut). Meqë një kërcënim ndaj mbretit e ia kufizon shumë lirinë për lëvizje lojtarit që mbrohet, kuptimi i figurshëm “pengesë a kufizim i papritur” zhvilloi me kohë nuancën “akt kontrolli, verifikimi, pengimi a kufizimi”, si dhe “mënyrë për të ekspozuar a parandaluar gabimet a mashtrimet”, ose “kontroll”, që ka sot fjala CHECK. Që këtej, edhe termi financiar CHECK (me versionin drejtshkrimor CHEQUE) për një porosi me shkrim për të tërhequr para në bankë, e cila ka hyrë edhe në shqipe si ÇEK, ku përdoret edhe figurativisht (khs. çeku i bardhë). Fjala anglishte përdoret sot edhe në shprehje të tipit CHECK-IN, CHECK-OFF, CHECK-OUT etj., të cilat i dëgjon ndonjëherë si ndërkombëtarizma.

Referenca

Online Etymology Dictionary, Dizdari, T., Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, Wiktionary

  1. Sipas Fjalorit të shqipes së sotme, fjala SHARABAJKË, e cilësuar si krahinore, ka kuptimin “karrocë me katër rrota, që tërhiqet nga dy kuaj.” Shqipja do ta ketë marrë – me ndërmjetësimin e ndonjë gjuhe tjetër, përfshi edhe gjuhën Romani (të romëve) – nga frëngjishtja CHAR À BANC që e ka edhe anglishtja CHARABANC, literalisht, “karrocë me vende për t’u ulur” (Kolec Topallit i ka shpëtuar lidhja me fjalën frënge, dhe e nxjerr fjalën shqipe si me etimologji të paqartë, duke shtuar ndonjë sugjerim që nuk qëndron, si parashtesën ÇARRA-, lidhjen me pjesoren e foljes BAJ ose, alternativisht, emrin BARKË). Mbase ngaqë kjo lloj karroce lëkundej në të ecur ose ecte shëmtuar, ose për ndonjë arsye tjetër të ngjashme, fjala ka marrë edhe kuptimin figurativ “grua që s’e mban veten mirë në të veshur e në pastërti”, që edhe ky sot më tingëllon i vjetruar. Por unë e mbaj mend të përdorur, në fëmijërinë time në vitet 1960-1970, si sharje dhe fjalë përbuzëse për vajzat dhe ndoshta gratë jo tërheqëse (në të folmen qytetëse të Tiranës); tashmë të shtrembëruar me etimologji popullore në SHURRABAJGË ose si një kompozitë e dy emrave ekskrementalë, SHURRË dhe BAJGË (shurrë-a-bajgë). Me gjasë, nga ky ri-etimologjizim popullor që ka prekur vetëm përdorimin e fjalës si sharje, do të ketë dalë në atë kohë edhe sharja ë, që ka qenë përdorur (por shpresoj të mos përdoret më), të paktën mes kalamajve, për një vajzë jo tërheqëse, që nuk vishet as mbahet mirë ose që nuk tregon interes për djemtë. Ndoshta me këtë lidhet edhe SHURRUFULL, një term i ligjërimit të thjeshtë të qytetit të Tiranës, sharje për vajza antipatike, që unë e kam dëgjuar zakonisht të përdorur nga djem prepubescentë.

Referenca: Topalli, K., Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe.

  1. Kush si unë ka pasë mbledhur pulla poste në vitet 1960-1970, do t’i mbajë mend fjalët SPILOJ, SPILOHET, E SPILUAR, që përdoreshin me kuptimin tejet teknik të një pulle të dëmtuar – pse ishte hequr keq nga zarfi dhe ishte pjesërisht e grisur, i mungonte një a më shumë dhëmbëza, ose vinte pak e rrjepur, pse shtresa e poshtme i kish mbetur e ngjitur në zarf. Më dendur përdorej mbiemri prejpjesor, E SPILUAR, për një pullë kësisoj të dëmtuar, që vlente më pak se të tjerat. Kur na qëllonte të hiqnim ndonjë pullë nga një zarf, duhej të bënim kujdes që të mos e “spilonim”, për ç’arsye edhe e futnim më parë pjesën e zarfit me pullën sipër në ujë të ngrohtë, që të zbutej zamku, pastaj e hiqnim pullën nga zarfi dhe e linim diku të thahej. Heqja “në të thatë” nuk rekomandohej, sepse ashtu pjesë të pullës do të mbeteshin të ngjitura në zarf. Tani që m’u kujtua kjo fjalë, e cila përndryshe më duket sikur mungon në fjalorët e shqipes (të paktën ata që kam unë), mendova se duhet të vijë nga ndonjë italishte e tipit “spillare”; dhe në fakt, në italishte dëgjon të thuhet FRANCOBOLLO SPILLATO, që e ka prejardhjen nga folja SPILLARE. Në italishte, SPILLARE do të thotë “kap me kapëse metalike” (SPILLO – karficë, kapëse) dhe përdoret në gjuhën e shkresarisë; SPILLATO do të ishte një dokument ose fletë letre e kapur me kapëse. Në leksikun e postës dhe të filatelisë italiane, SPILLATO u referohet pullave të postës dhe zarfeve përkatëse që i kanë kapur a lidhur kësisoj dhe kapësja metalike i ka dëmtuar, duke u hapur vrima, ose duke e grisur letrën a pullën, ose duke lëshuar ndryshk. Ndërkohë, dyshoj se kjo SPILLATO në italishte është përzier njëfarësoj me SPELLATO, nga folja SPELLARE, e cila ka mes të tjerash kuptimin “zhvoshk, rrjep, heq lëkurën a cipën”; prandaj edhe ndesh ndonjëherë, së paku në katalogët e filatelistëve, në togun FRANCOBOLLO SPELLATO, që do të ishte pikërisht ajo pullë poste “e rrjepur” nga zarfi, dhe për pasojë me shenja dëmtimi. Shqipja E SPILUAR, për pullat e postës me dëmtime, i referohet kuptimisht më shumë këtij termi të dytë, edhe pse për nga forma duket sikur vjen nga SPILLARE. Janë dy terma që janë përzier së bashku, ndoshta që në italishte, dhe pastaj kanë hyrë në zhargonin e filatelisë shqip përmes kontakteve mes të apasionuarve, nga të dy anët e Adriatikut.
  2. ROSKOP, ndonjëherë edhe rroskop, mund të ketë dalë sot nga qarkullimi, por përdorej ende mbase deri nga fundi i shekullit XX për të shënjuar një orë dore të lirë dhe të cilësisë së keqe (“pa gurë”), që nuk e maste mirë kohën, ose prishej shpejt. Zakonisht në ndërtime si orë roskopesahat roskop, por edhe më vete (ç’e ke atë roskop; të ta shes unë ty këtë roskopin tim? shiko se mos ta hedhin dhe të japin ndonjë roskop). Fjalorët e shqipes që kam mundur të konsultoj nuk e kanë. Duhet ta ketë origjinën nga një markë orësh, të quajtur kështu nga mbiemri i fabrikantit të tyre Georges Frederic Roskopf, një gjerman i nayralizuar zviceran, i pari që krijoi dhe hodhi në treg një model orësh dore të lira, për “masat punonjëse”. Me kohë, këto orë u njohën me emrin Roskopf. Se nga cila gjuhë ka hyrë fjala në shqipe, kjo mbetet për t’u sqaruar – edhe pse, në çdo rast, do të ketë ardhur së bashku me orët e importuara, zakonisht orë xhepi. Me rezervë, do të shihja si burim të fjalës atë gjuhë ballkanike, tek e cila Roskopf është thjeshtuar në Roskop, edhe pse këta emra sendesh konsumi shtegtojnë lehtë sipas rrugëve tregtare. Nuk po verifikoj dot nëse fjala ka qenë përdorur në turqishte, gjithë duke supozuar se orët e xhepit ndër shqiptarë duhet të kenë hyrë përmes tregjeve të Ballkanit osman.
  3. SARAÇINESKË. Këtë fjalë, me kuptimin “duq me të cilin hapet e mbyllet rrjedha e një lëngu a e një gazi” (Topalli) nuk e kanë as fjalori i 1954-ës, as ai i 1980-ës, edhe pse përdoret rëndom në industri dhe në ligjërimin popullor, për të shënuar një lloj valvule me obstruksion mekanik; por që ndryshon nga rubineti, sepse nuk kontrollon gjë derdhjen e lëngut.SaraKolec Topalli, te Fjalori i vet etimologjik, e shpjegon si “huazim i ri nga italishtja saracinesca, prej emrit të popullsisë arabe të saraçenëve në periudhën e kryqëzatave”, edhe pse, e thënë kështu, nuk kuptohet se çfarë lidhje ka kontrolli i rrjedhës në një tub, me saraçenët e Mesdheut në Mesjetë. Në fakt, në italishte saracinesca ka shënuar një lloj porte të kështjellës, ose të mureve rrethuese të një qyteti a të një ndërtese të fortifikuar, që mund të ngrihej ose të ulej me zhinxhirë. Mendohet se kjo lloj porte përdorej nga saraçenët, në fortesat e tyre; ose, anasjelltas, përdorej në kohën kur vendësit mbroheshin prej inkursioneve të saraçenëve. Në italishte, saracinesca shënjon edhe qepenët e dyqaneve dhe një lloj grile dritaresh, (e quajtur edhe persiana), për shkak të mekanizmit të njëjtë që përdoret për t’i lëvizur dhe funksionit të ngjashëm.Bibliografia:Topalli, Kolec, “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe.”
    Enciclopedia Treccani, zëri saracinesca.
  4. DALLAVERE. Këtë fjalë, që veç shqipes e kanë edhe greqishtja dhe bullgarishtja, e kanë nxjerrë (Çabej, Dizdari) nga turqishtja dalaveré, që sot del me kuptimet “truk (angl. trick), dredhi, manipulim, mashtrim, intrigë, ngatërresë, skemë (piramidale), vjedhje (me mashtrim), sajim”; po ashtu, borsa dalaveresi ka kuptimin “manipulim i tregut”, seçim dalaveresi është “manipulim i votës” etj. Në të gjitha këto kuptime, mbizotëron ideja e “mashtrimit”, e “trukimit”. Fjala e turqishtes është shpjeguar si nga italishtja (venecianishtja) dare-avere, term teknik i kontabilitetit, që i referohet sistemit me hyrje të dyfishtë (partita doppia, double entry), meqë dy seksionet e një llogarie, ose dy kolonat, titulloheshin në atë gjuhë njëra “dare” (ose “addebitare”) dhe tjetra “avere” (ose “accreditare”). Dallimi i sotëm kuptimor mes dare-avere dhe dalavere është domethënës, edhe pse jo i pakapërcyeshëm: rëndësi ka të gjejmë se ku, në cilën gjuhë ka ndodhur. Me sa shoh, kjo gjuhë nuk mund të jetë italishtja, por turqishtja osmane ose greqishtja; madje, po të kemi parasysh se fjalët italiane të fushës së kontabilitetit me gjasë hynin në osmanishte si terma, përmes llogaritarëve grekë, ndoshta edhe mund të themi se fjala ka ndërruar kuptim paralelisht në të dy gjuhët, në regjistrin vernakular (në mjedise ku transaksionet mes tregtarëve shihen gjithnjë me dyshim) dhe veçanërisht në ato kontekste ku dalavere, gjithë si term teknik, u është referuar spekulimeve financiare. Për krahasim, sjell këtu turqishten alışveriş, me kuptimin “shitblerje, tregti, këmbim, të marra e të dhëna”; por që në shqipen bisedore ka marrë kuptimin “marrëveshje të fshehta, tregti jo e pastër”, duke ndjekur një trajektore ndryshimi të ngjashme me atë të kalimit nga dare-avere në dalavere (të kombinuar me keqësimin e përgjithshëm në konotacion të fjalëve turqisht, pas Rilindjes). Kujtoj këtu edhe që këtë dalavere, në turqishte, e shpjegojnë alternativisht edhe nga turqishtja e vjetër talamak + vermek.
  5. Shqipen QEVERIS e kanë nxjerrë nga greqishtja κυβερνάω (kybernáō), term i detarisë, me kuptimin “drejtoj anijen me timon”, dhe që këtej edhe “qeveris”; të krahasohet edhe frëngjishtja gouvernail “timon i anijes”, që vjen nga latinishtja gubernaculum “timon”, nga latinishtja guberno, që e lidhin me greqishten κυβερνάω (kybernáō) – duke e shpjeguar kalimin k > g si të ndërmjetësuar nga etruskishtja. Çerdhja e fjalës latine, e reflektuar nëpërmjet formave të saj të ndryshme në gjuhët europiane (to govern, government, governo, gouvernment, gouverner) përfaqësohet në shqipe në trajtën GUVERNATOR, e cila ka në thelb të njëjtën prejardhje me qeveris (emri qeveri është formim regresiv nga folja, me rënie të mbaresës -s, njëlloj si stoli nga stolis dhe habi nga habis; emri dhe mbiemri qeveritar është neologjizëm, njëlloj si qeverisës dhe qeverisje). E njëjta rrënjë greke ka hyrë në shqipe, për së treti, me fjalën KIBERNETIKË, term i popullarizuar nga matematikani amerikan Norbert Wiener në 1948, për të shënjuar “teorinë a studimin e komunikimit a të kontrollit.”
  6. Siç rrëfen Henry A. Davidson, te A Short History of Chess (Greenberg Publisher, 1949), ajo figurë e shahut që ne sot e njohim me emrin fil ka pasur më shumë emra dhe kuptime simbolike se çdo figurë tjetër. Në versionin e lashtë indian të lojës, e quanin gaja ose Bishophasti, të dyja me kuptimin “elefant,” duke qenë elefanti element madhor i formacionit luftarak të kohës në Indi. Persianët e përkthyen këtë gaja në gjuhën e tyre, si pil; dhe pastaj arabët e morën nga persianët dhe e bënë al fil, sërish me kuptimin “elefant”. Prej arabëve, fjala kaloi në gjuhët europiane si alfil (kështu sot e kësaj dite në spanishte), duke u përçudnuar në italishte më parë si delfino, dhe pastaj duke u identifikuar me alfiere – që në atë gjuhë ka kuptimin “flamurtar” dhe që e shpjegojnë si nga spanjishtja alférez, e cila nga ana e vet prej arabishtes al-fāris “kalorës”. Nga ana tjetër, edhe të diturit mes shahistëve në Europën mesjetare nuk i jepnin dot dum konceptit të “elefantit” për figurën në fjalë, sepse në oborret mbretërore të kohës dhe në fushën e betejës kish vërtet mbretër e mbretëresha, kala dhe kuaj, ushtarë dhe oficerë – por jo elefantë. Nga kjo përpjekje për t’i dhënë një interpretim këtij al-fili, francezët e deformuan fjalën në fol dhe pastaj në fou (fjalë e njëjtë me fool të anglishtes), duke shënjuar kështu lolon e oborrit mbretëror. Ndërkohë, në anglishte, dhëmbët e elefantit që kish figura në kokë u interpretuan si mitra e një peshkopi; dhe kështu figura filloi të quhej bishop, çfarë nuk binte ndesh me praninë e përhershme të klerikëve të lartë në oborret mbretërore dhe në komandat ushtarake të Europës mesjetare, mu në krah të mbretit a të mbretëreshës. Në gjuhë të tjera, si gjermanishtja, figura u quajt Laufer (“vrapues” dhe pastaj edhe “kalorës” dhe sidomos “kasnec, lajmëtar”), dhe me këtë kuptim u përhap emri i saj edhe në gjuhë të tjera europiane si ato skandinave, sllave e ndonjë tjetër. Nga gjuhët e tjera europiane, vetëm rusishtja e ruajti konceptin indian-persian të elefantit, dhe vazhdon të përdorë sot e kësaj dite emrin слон (me kuptimin “elefant”). Shqipja fil vjen nga turqishtja fil; por në shqipe, ndryshe nga në turqishte, lidhja mes kësaj fjale dhe elefantit sot pak a shumë ka humbur, sidomos në brezat e rinj që preferojnë elefant (por fjalori i 1980-ës e ka, edhe me kuptimin “elefant”); pa çka se tema fil rishfaqet në fjalën fildish. Fili i shahut ka në shqipe edhe një emër tjetër, oficer; sikurse edhe në ndonjë gjuhë tjetër të Ballkanit, p.sh. në bullgarishte dhe si kalk edhe në greqishte (αξιωματικός), sidoqë në greqishte përdoret rrallë e tek edhe τρελός, kalk (huazim semantik) i frëngjishtes fou. Për t’u shënuar se kjo oficer nië shqip, për filin, nuk ka zënë vend mirë, meqë shahistët preferojnë idiomatiken fil.
  7. Fjala PANUKËLL, PANUKLLA sot ka mbijetuar më shumë në mallkimin “(të) shp(ë)laftë panuklla” (me versione të ndryshme) të ligjërimit bisedor dhe thjeshtligjërimit, edhe pse folësit si rregull nuk ia dinë kuptimin fjalës vetë. FGJSSH nuk e ka. Topalli, te Fjalori etimologjik, e jep me kuptimet “pece, shtupë, sukull, copë rrobe me të cilën lahet trupi i të vdekurit para varrimit (sipas how_the_plague_reshaped_the_world_1050x700ritit islamik)” dhe e ilustron edhe ai me mallkimin të shpëlaftë panuklla, duke e cilësuar si “fjalë krahinore të Elbasanit”. Mendon se “mund të jetë huazim prej italishtes panno “leckë, pece, copë pëlhure”, pannicolo “membranë”. Ndërkohë, në greqishte, πανούκλα (panúkla) ka kuptimin “murtajë” (sëmundja); po ashtu edhe në aromanishtja (vllahishtja) panukle. Brenda mallkimit “të shp(ë)laftë panuklla”, kjo fjalë pranon edhe kuptimin “leckë me të cilën lahet trupi i të vdekurit”, edhe kuptimin “murtajë”. Te mallkimi më lart, kuptimi “murtajë” tingëllon më bindës për arsye mirëfilli semantike – si sëmundje, murtaja ka më shumë “agjenci” se lecka me të cilën lajnë të vdekurit, prandaj edhe mund të përdoret më lehtë si kryefjalë; me kuptimin e dytë, do të pritej diçka si “të shplafshin me panukëll” (khs. “të prufshin në pallto”). Meqë fjala përdoret në Elbasan, ka të ngjarë të jetë huazim nga arumanishtja panukle me kuptimin “murtajë”; ndërsa shpjegimi i drejtpërdrejtë i shqipes nga italishtja pannicolo nuk bind nga pikëpamja formale; por edhe huazimi i drejtpërdrejtë nga greqishtja nuk përjashtohet. Me gjasë, arumanishtja e ka marrë fjalën nga greqishtja; ose edhe arumanishtja edhe greqishtja janë reflekse të fjalës latine (mesjetare), siç thotë Çabej (SE VI, te lema pe).
  8. Emrin KAPTER, me kuptimin “Gradë nënoficeri e shkallës së dytë, më e lartë se e rreshterit; ushtaraku që mban këtë gradë (në ushtritë që kanë grada)”, Çabej (SE V) e ka shpjeguar etimologjikisht si të “sajuar pas rreshter, toger e pas gjase nën ndikim të kapiten-it”. Këtë shpjegim e ka rimarrë edhe Topalli në Fjalorin e tij etimologjik, duke e cilësuar fjalën si “krijim i brendshëm në fushën e terminologjisë ushtarake”. Më gjasë ka që fjala të ketë hyrë në shqipe nga rusishtja каптёр, каптeр (shqiptuar kaptjor, kapter), me kuptimin “magazinier” (në një repart ushtarak); një galicizëm, të cilin e shpjegojnë si shkurtim të frëngjishtes capitaine d’armes. Huazimi do të ketë ndodhur në periudhën kur ushtarakët sovjetikë dhe ushtarakët shqiptarë të shkolluar në Bashkimin Sovjetik merreshin me organizimin (logjistikën) e ushtrisë shqiptare.
  9. KULUFRUTHI E mbaj mend nga fëmijëria shprehjen “ia këndoi kulufruthin”, por nuk më kujtohet dot kuptimi i saj; ka qenë e tironçes të rrugës, dhe kështu me intuitë anoj ta interpretoj si “i bërtiti, e bëri për një lek (qepaze)”, edhe pse kjo nuk më ndihmon gjë për kuptimin e fjalës kulufruth – që gjithsesi e ruan lidhjen me fruth. Por fruthi është sëmundje, ndërsa kulufruthi diçka që, origjinalisht, është kënduar – ndoshta një lloj kënge rituale ose formule.
    Kaq sa për intuitën time. Te Çabej (SE, IV) e gjej fjalën si kollofruth, brenda lemës fruth; ku shpjegohet si “të kënduara fetare që i bënin motit foshnjës që e kish zënë kolla e mirë ose fruthi” – duke qenë kollofruth, sipas këtij autori, një formim me kollo-. Në fakt, te punimi i Xhuvani-Çabej për parashtesat e shqipes, kjo kollo- identifikohet në një numër fjalësh pak a shumë të errëta dhe të përfshira në formula rituale ose poetike (mjeshtër kollopjeshtër), mes të cilave emra kollovezhgë, kolloprifte, kollopan(e) dhe ndajfolje si kollotumba dhe kollokotrum; këtu mund të bëjnë pjesë edhe fjalë të tjera me etimologji të errët, si kollovar. Autorët e afrojnë kollo- me parashtesën kolo- që e gjenë në kolopuç, kolovajzë, kolovatem e ndonjë tjetër, dhe të dyja i afrojnë me sllavishten kolo, “rreth”.Te Fjalori etimologjik i Topallit shoh tani që kulufruth është forma e kësaj fjale në shprehjen gegërishte “me i këndue kulufruthin”; dhe ky autor kollofruth e shpjegon si “fjalë që thonin priftërinjtë përpara fëmijës së sëmurë për ta shëruar” – duke dalë kështu kollofruthi/kulufruthi si një lloj yshtjeje rituale (chant) që synon t’ia largojë sëmundjen fëmijës. Për t’u shënuar që Topalli nuk e përmend gjëkundi as etimologjinë e Çabejt, as atë të Xhuvani-Çabej: do t’i ketë shpëtuar.
    Nuk del e qartë, nga Topalli, nëse këtë mund ta bënin vetëm priftërinjtë (siç thotë ai) apo edhe hoxhallarët; apo mos edhe kushdo tjetër, me autoritetin për ta bërë – për shembull një plakë e shtëpisë ose e fshatit. Gjithsesi, kollofruthi/kulufruthi me këtë kuptim do konsideruar si fjalë e vjetruar, dhe lidhja etimologjike me fruthin nuk është më e tejdukshme; ndërsa “ia këndoi kulufruthin” do të ketë marrë në krye kuptimin figurativ “e përcolli matanë” dhe eventualisht “i tregoi vendin”, edhe pse unë s’e mbaj mend ta kem dëgjuar ndonjëherë të përdorur kështu. Fjalori i 1980-ës për “i këndoi kollofruthin” jep “e braktisi dikë a diçka; hoqi dorë prej një pune”, duke saktësuar se është e ligjërimit të thjeshtë.
    Një kërkim çfarëdo online tregon se kulufruth tashmë po shënjon – nëpërmjet metonimisë – një sëmundje të papërcaktuar, me gjasë fruthin: “e ka zënë kulufruthi”, “i raftë kulufruthi”, “ti qenke bo i bukur fort me t’hongërt kulufruthi”, “mos të ka zënë gjë kulufruthi që shkarkon dy bajga njëherësh?”, “se po na del kulufruthi i kokës”, “sa hyra këtu më zuri kulufruthi”. Këtë kuptim bazë e regjistron edhe Fjalori i 1980-ës, madje duke e nxjerrë si të parin për fjalën kollofruth. Brenda këtij qerthulli përdorimesh të reja, gjithnjë bisedore, shprehja i këndoi kulufruthin/kollofruthin sa vjen dhe izolohet kuptimisht: në qoftë se kulufruthi perceptohet si ndonjë lloj sëmundjeje, atëherë lidhja kuptimore me foljen këndoj nuk motivohet dot më.
    Për mua, mekanizmi i shndërrimeve kuptimore është ky: nga kulufruthi si formulë a yshtje rituale kundër fruthit ka dalë shprehja literale “i këndoi kulufruthin”; dhe pastaj shprehja është figurativizuar, dora-dorës që kuptimi konkret i fjalës kulufruth ka humbur, siç ndodh rëndom me një kategori fjalësh që vjetrohen për arsye kulturore. Me kalimin e kohës, i këndoi kulufruthin është përdorur kryesisht në kuptim të figurshëm “braktis, heq dorë, i bëj naftën” (ose në ndonjë nga kuptimet idiosinkratike të miat, që i përmenda më sipër), por brenda këtij kuptimi emri kulufruth nuk luan më rol interpretues, duke e humbur kuptimin leksikor njëlloj siç e ka humbur, ta zëmë, fjala dum, në shprehjen i jap dum; dhe që këtej, folësve u ka ardhur natyrshëm lidhja me fruth dhe ri-interpretimi i kulufruth si një lloj sëmundjeje (jo domosdo të ngjashme me fruthin).Në përgjigje të shënimit tim për kulufruthin, mikja dhe kolegia Ledi Shamku më la këtë koment në Facebook:

    ç’më çove mall me këto fjalë që i kam ndi kushsa herë poshtë tanës rrushit t’oborrit tim, xhep i nji rrugice qorre fare afër sates rrugicë po ashtu e verbët 😂

    Atëhere: po dëshmoj si i kam ni un: sa herë që n’vapë unë e moma Feti gatunim te kuzhina verore n’fund t’oborrit e duhej me i nej gjellës ke kryet pra zjermit cipër, moma vente dorën te gusha edhe shfrynte:
    – Qyqja na dul kulufruthi. Morëm yll, për Zotin!
    – Mome, ça o kulufruthi?
    – T’kuqtë e modh, nji gjo si fruthi po mo e sertë.

    “Me ta knu kulufruthin” nuk e kam ni prej saj, po ne gjithë ato kontekste që ke shënuar ti në analizë, ajo thoshte: “me ta knu KËLHUQEN”. Se ça ishte kjo KËLHUQJA e se ça muzike e shoqnonte, kët s’e di.

    Çfarë e fut kulufruthin në një kategori me fruthin – madje moma Feti nuk lë shteg për diskutim, kur shpjegon se kulufruthi është “t’kuqtë e modh, nji gjo si fruthi po mo e sertë”.
    Shpjegimi më bëri të mendoj edhe për etimologjinë që i është dhënë fjalës fruth: G. Meyer-i e bashkon me urth dhe hurdhë dhe, në analizë të fundit, e afron me një rrënjë i.e. që ka kuptimin “lara, quka”, Oreli e lidh me një sanskritishte sphúrjati me kuptimin “bie bubullima, gjëmon” dhe Topalli e nxjerr nga latinishtja forunculum me kuptimin “i thatë, lungë, çiban”, “për shkak të puçrrave që dalin”; por asnjë nga këto etimologji nuk bindin shumë, në krahasim me atë të Çabejt, që e nxjerr nga një bazë i.e. ruth/*rudh, me kuptimin  “i kuq”, duke shtuar se tek emri i kësaj sëmundjeje “ruhet kështu në shqipen fjala indo-europiane për “kuq”, që përndryshe është mbuluar nga kuq, që është e burimit latin (*cocceus). E njëjta rrënjë indo-europiane, por në kushte të tjera fonetike, ka dhënë në shqipe ndryshk (Çabej, SE IV). Për rrugën e hyrjes në shqipe të kuq nga latinishtja, vjen në vështrim tregu ose konteksti kulturor, duke shënjuar në fillim fjala latine një pigment ose diçka të ngjashme, të importuar; dhe vetëm më pas duke u përgjithësuar, në dëm të fjalës më të vjetër, vendëse.
    Etimologjia e Topallit, që e nxjerr fruth nga latinishtja forunculum duket pak si e tërhequr për flokësh, nga pikëpamja kuptimore: puçrrat e fruthit nuk u ngjajnë furunkulave (çibanëve), janë diçka tjetër. Nga ana tjetër, ajo shpjegon mirë hundorëzimin e zanores tematike te frûth, që dëgjohet edhe sot në gegërishte. Nga ana tjetër, te Çabej shoh që fruth përdoret në shqipe edhe për skarlatinën dhe erizipelën, sëmundje që identifikohen më lehtë nga skuqja, sesa nga puçrrat.
    Çfarë më sjell edhe te dëshmia e Ledi Shamkut më lart, ku sërish fruthi (dhe kulufruthi) lidhen me “të kuqtë” dhe, me metonimi, me zjarrin (“morëm yll”, më thotë Ledi, do të thotë “morëm zjarr”, në të folmen e Tironës). Mbase atëherë edhe te fjala këlhuqe, në shprehjen “me ta knu KËLHUQEN”, ka lidhje me kuq (i kuq), duke qenë edhe këlhuqja ndonjë sëmundje që shfaqet me skuqje të përgjithshme të lëkurës…
    Tani po më thonë se në Gjirokastër më del kudhufruqi përdoret me kuptimin “më hypën vapa, skuqem shumë nga vapa” – si në shprehjen “mos u vish trashë se (d)o të t’dali kudhufruqi”. Edhe këtu më duket se kudhufruqi i referohet skuqjes dhe temperaturës, që shoqërojnë disa sëmundje ngjitëse. Në popull këto sëmundje – nga fruthi te rubeola, rozeola dhe sëmundje të tjera ekzantematike nuk diferencoheshin dot mirë, për shkak të simptomave shumë të ngjashme.

  10. Fjalën BË(R)RNÚT e dëgjon akoma në ligjërimin bisedor të Tiranës dhe gjetiu në Shqipëri, me kuptimin “shumë keq” – p.sh. “kushtet ishin bërrnut”, “kam qenë bërrnut kohët e fundit nga humori”, “e ka biografinë bërrnut”, “Vlora ishte bërrnut për femra”, “spitalet në Shqipëri janë bërrnut”, etj. (shembuj të nxjerrë nga Interneti).
    Edhe pse gramatikisht i paqartë, ky mbiemër del zakonisht në pozicion predikativ (kallzuesor) dhe tipikisht shoqëron folje si jam, gjej, kam etj.
    E kanë lidhur me fjalën burrnot, e cila shënjon(te) një pluhur të përftuar nga fletët e thara dhe të fermentuara të duhanit dhe që, i përzier me erëra të mira, përdorej për t’u thithur me hundë (fr. tabac à priser, gj. Schnupftabak, angl. snuff); qejflinjtë e burrnotit ndonjëherë edhe teshtinin, pasi e thithnin pluhurin.

    SchnupfendeDamen

    L. Boilly, Schnupfende Damen in Frankreich, 1824

    Që me Gustav Meyer-in, burrnot në shqipe dhe në gjuhë të tjera ballkanike (serbo-kroatisht burmut) është lidhur me turqishten burun otu, që sikurse sqaron edhe Dizdari në fjalorin e vet, literalisht ka kuptimin “bar hunde”. Për t’u shënuar këtu në anë se burun e turqishtes, me kuptimin “hundë”, ka hyrë në shqipe edhe me toponimin Karaburun, “hundë e zezë”.
    Mbetet për t’u sqaruar lidhja midis burrnotit, si drogë rekreacionale dhe kuptimit “shumë keq” që ka zhvilluar fjala bërrnut. Dizdari jep për burrnot edhe kuptimin “sasi e vogël, mikroskopike, pa rëndësi” (angl. pinch), që i referohet praktikës së marrjes së burrnotit në hundë dhe ndonjëherë edhe nën gjuhë; dhe nga vogëlsia kalohet pastaj në përçmim ose konstatimin se diçka vjen në cilësi shumë të keqe; por më shumë ka të ngjarë një zhvillim tjetër metaforik, që e lidh përçmimin në kuptimin “shumë keq” me sekrecionet e hundës që i shton praktika e të thithurit të burrnotit.
    Sa për zhvillimet kuptimore të papritura që marrin fjalë të tilla, me ngarkesë emocionale të fortë negative, bërrnut mund të krahasohet edhe me ibret, një huazim tjetër nga turqishtja osmane, që ka pasur origjinalisht kuptimin “shembull, ndodhi nga e cila duhet nxjerrë mësim” (Dizdari) por që sot ka mbijetuar kryesisht në shprehjen (për) ibret, ndonjëherë të zgjeruar në për ibret të Zotit (ose ibret ke Zoti, në të folmen e Tiranës); dhe që praktikisht askush nuk e lidh më me konceptin e shembullit. Në fakt, zhvillimi kuptimor duket të jetë ndërmjetësuar nga një ngushtim i kuptimit “shembull” në “shembull i keq.”

  11. Zogun carduelis carduelis shqipja e quan, përveçse kryeartëz, edhe GARDALINË, fjalë që i ngjan shumë italishtes cardellino, emër i të njëjtit zog; edhe pse do të ketë hyrë në gjuhë prej fjalës në dialektin venecian, që sot tingëllon gardelín, por që më parë do të ketë pasur patjetër formën gardellino, siç na e dëshmon edhe një koncert i Vivaldi-t për flaut (Op. 10 nº 3, RV 428), “Il Gardellino” (i njohur edhe si “Il Cardellino”); meqë kompozitori ishte, sikurse e dimë, venecian. Për shkak të ngjashmërisë fonetike, me emrin e zogut është ngatërruar termi për gjyqtarin anësor në futboll, i huazuar nga italishtja guardalinee, por që ka përfunduar, në shqipen bisedore, si gardalinë; dhe më pas kjo gardalinë ka ndihmuar në konsolidimin e shndërrimit fonetik të emrit të zogut nga gardelinë (formë që i rri më besnike origjinalit në venecianishte dhe që ndeshet edhe sot në të folmet e shqipes) në gardalinë (shndërrim që, megjithatë, duhet ta ketë zanafillën te asimilimi i thjeshtë i e-së në a).
  12. KOLINOZ. Në kulturat e dominuara nga tregu, ndodh rëndom që emrat e markave tregtare të përfundojnë të përdorura si emra të përgjithshëm – p.sh. aspirinë nuk ndihet më si emër tregtar (i Bayer-it), por shënjon një bar të caktuar (acidin acetilsalicilik).
    Fjalë të tilla si vazelinë, velkro, najlon, teflon, valium, celofan i përkasin kësaj kategorie; sa i përket shqipes, këtu do të hynin fjalë si figaro, që ka shënjuar locionin pas rroje, ose të tjera arkaizma, si qumësht milk, për qumështin e kondensuar (sipas fjalës MILK që shquhej mirë në etiketat e kutive konserva të këtij lloji qumështi të importuar nga Kina; ku mbishkrimi i plotë lexonte Condensed MILK); djathë bebe, një emër për djathin e shkrirë; sapun venus, një emër për sapunin e tualetit në përgjithësi – për ta dalluar nga sapuni i rrobave; milva, një emër për pluhurin larës, sipas markës së një produkti gjermanolindor (MILWA, në mos gabohem); sata,  për autobusin urban, sipas një kompanie italiane që e kryente këtë shërbim qytetar dikur, e që quhej, pikërisht, me akronimin SATA; etj.
    Këto ditë rastësisht dëgjova një bashkatdhetar, më të ri se unë, që i quajti brisqet e rrojes (angl. safety blades) brisqe astra, sipas markës të prodhimit çek të atyre produkteve gjatë viteve 1970. Mbaj mend, nga fëminia, që gjyshja ime, e cila kish kaluar ca vite të rinisë në NYC, e quante insekticidin, çdo lloj insekticidi, flit, sipas një marke të njohur në Amerikën e paraluftës; unë fëmija kujtoja, për një kohë të gjatë, se flit quhej produkti vetë, jo marka.
    Dukuria nuk është e re. Tek Çabej (ku tjetër), kam lexuar që emri i armës së krahut karajfile, që ndeshet në këngët popullore, vjen nga marka e fabrikës Carlo & Figlio, që i prodhonte këto armë në Itali, gjatë shekullit XIX (edhe pse nuk jam i sigurt nëse emri karajfile është zgjeruar kuptimisht me kalimin e kohës, për të shënjuar edhe pushkë jo doemos të atij modeli).
    Fjalë e kësaj kategorie është edhe kolinoz, e cila ende përdoret për të shënjuar pastën e dhëmbëve (ja një shembull i tanishëm), edhe pse fjalorët e shqipes e kanë lënë jashtë.
    Natyrisht, kjo fjalë shqipe vjen nga marka e pastës së dhëmbëve Kolynos, që nisi të prodhohej në fillim të shek. XX në Gjermani (Dresden), dhe ishte e para pastë dhëmbësh e miratuar nga American Dental Association.
    Me sa mbaj mend, NISH Profarma në Tiranë prodhonte vetëm një lloj paste dhëmbësh, në tubeta ngjyrë të gjelbër të hapur, të markës Kolinoz. Logjikisht, kjo markë do të jetë marrë nga vendet e Lindjes; ku dihet se kishte disa fabrika të licensuara, që para Luftës II, për ta përdorur – p.sh. në Hungari.
    Sipas këtij burimi, emri komercial kolynos vjen nga greqishtja kolyo nosus, “parandalues sëmundjesh” ndërsa sipas këtij burimi tjetër, nga kombinimi i dy fjalëve greqishte që duan të thonë “zbukurues” dhe “parandalues sëmundjesh”.
    Gjithsesi, në vitin 1937, pasta e dhëmbëve Kolynos shitej në 88 vende; dhe pas gjase në atë kohë do të ketë hyrë edhe produkti, e së bashku me të fjala, në shqipe. Kuriozisht, edhe në Paraguay fjala kolinos rezulton e përdorur, së paku në thjeshtligjërim, me të njëjtin kuptim: “pastë dhëmbësh”.
  13. SUFICIT Një term i ekonomisë me prejardhje interesante: suficit (anglisht surplus, “tepri të ardhurash në krahasim me ç’pritej”; italisht eccedenza). Raporti antonimik i kësaj fjale me deficit është sa i tejdukshëm, aq edhe misterioz; sepse suficit nuk ndeshet gjëkundi, në asnjë gjuhë perëndimore. E vetmja gjuhë europiane ku e kam ndeshur, është serbo-kroatishtja, ku përdoret me të njëjtin kuptim si në shqipe. Mund të supozohet, me logjikë, se fjala ka hyrë në shqipe nga serbokroatishtja gjatë viteve 1945-1948, ose pikërisht në periudhën kur regjimi komunist në Tiranë po i merrte modelet e kontabilitetit nga Beogradi. Në serbokroatisht, fjala duhet të jetë formuar, pas gjase, si pseudo-neolatinizëm, mbi bazën e deficit (ndoshta sipas modelit deficient/suficient).
  14. Emri BUTAFORI, që shenjon sendet që përdoren në një shfaqje teatrale, së bashku me mbiemrin butaforik, janë nga ato fjalë që përdoruesit e lëçitur priren t’i konsiderojnë si librore, ndoshta për shkak të përshoqërimit me eufori, nga njëra anë, euforik, metaforik nga ana tjetër. Gjithnjë e më shpesh i gjen të përdorura, në ligjërimin libror, edhe me kuptime figurative (butafori si “diçka e inskenuar”, butaforik si “fals, teatral, sa për sy e faqe, për konsum të publikut”, etj.).
    Në të vërtetë, etimologjia e fjalës të shpie në një drejtim krejt tjetër. Origjinën, siç e ka vënë re në një shënim të vetin Çabej, kjo e ka tek italishtja buttafuori, tekstualisht “ai që nxjerr përjashta me forcë” e që sot përdoret kryesisht me kuptimin “roje në një klub nate ose bar, që nxjerr përjashta të dehurit ose rrëmujaxhinjtë” (anglisht bouncer); por që ka qenë përdorur edhe në kuptimin “në kompanitë teatrale, person që ka për detyrë të zbrazë skenën para se të ngrihet perdja, të kontrollojë tekstin e pjesës, të paralajmërojë aktorët kur këtyre t’u vijë radha për t’u futur në skenë dhe t’u japë në dorë sendet që duhen për rolin, të kujdeset për zhurmat dhe tingujt, etj.” (kuptim i nxjerrë nga Treccani). Megjithatë, në italishten letrare nuk më rezulton të ketë pasur ndonjëherë një fjalë të tillë si *buttaforia; prandaj prejardhja e fjalës shqipe duhet kërkuar ndoshta në rusishten бутафория (butaforíya), që ka të njëjtin kuptim me shqipen butafori (të shihet, bie fjala, fjalori i Ushakovit, ku fjala përkufizohet si “sende që duhen për të pajisur skenën ose ndërtuar dekorin e një pjese teatrale” (anglisht props); ndërsa fjalori i Ozhegovit, shton edhe kuptimin “që kërkon të duket, fallco”. Njëlloj si shqipja, edhe rusishtja përdor mbiemrat relativë бутафорский dhe бутафорный. Pas gjase, kalimi nga italishtja buttafuori me kuptimin “punëtor skene, ndihmës-regjisor” në rusishten бутафория me kuptimin “sende të rekuizitës të skenës”, do të ketë ndodhur në rusishten, meqë shqipja e përdor fjalën vetëm në kuptimin që kjo ka në rusishte. Që këtej, mund të supozohet se fjala butafori ka hyrë në shqipe nëpërmjet kuadrove që kishin studiuar për teatër në Bashkimin Sovjetik, dhe që kishin nevojë për një fjalë që të shenjonte sendet e rekuizitës (anglisht: props).
    Prej rusishtes, fjala ka shkuar edhe në rumanishten, si butaforie, me kuptimin “tërësi objektesh prej kartoni të presuar (it. cartapesta, fr. papier-mâché), ose letre, tekstili dhe zamku ose allçije, që përdoren për të realizuar dekorin në teatër ose në kinematografi” (shih shpjegimin këtu). Rumanishtja gjithashtu përdor mbiemrin butaforicme të njëjtat kuptime si shqipja.
    Çuditërisht, shumë burime online për rusishten бутафория dhe gjuhë të tjera kulturash me ndikim të fortë rus (lituanishtja butaforija, finlandishtja venäjä, ukrainishtja бутафорія dhe disa faqe në hebraishte, pas gjase nga autorë hebrenj që shfrytëzojnë burime të rusishtes) e nxjerrin këtë nga një formë pseudo-italishte *buttafuoria (e cila nuk më duket se është dëshmuar gjëkundi për këtë gjuhë).
  15. Një fjalë kurioze: NËN(Ë)DAJA, për të shenjuar gjyshen nga ana e nënës. Ndryshe nga shumë gjuhë të tjera indo-europiane, shqipja bën dallim leksikor mes tezes dhe hallësxhajës dhe dajës. Këto dallime në gjuhë i përkasin një periudhe relativisht të vonë, po të kemi parasysh se fjalët e lashta të farefisnisë, si gjyshi/gjyshja, ungji, emta, kunati, kunata, nipi, mbesa nuk e shfaqin këtë karakteristikë. Antropologjikisht, ekzistenca e termave të tillë si tezedajë dhe nënëdajë i referohen një mendësie ku farefisnia në krahun amnor perceptohet si cilësisht e ndryshme nga ajo në krahun atnor. Përndryshe, për fëmijën, nën(ë)daja nuk është vetëm gjyshja, por edhe vendi gjeometrik i një familjeje alternative, ose i një universi familjar paralel. (Diçka si shtëpia e Babazotit, ku shkonte ndonjëherë heroi rrëfimtar i romanit Kronikë në gur). Të kihet parasysh edhe rëndësia e dallimit mes krahut atnor dhe krahut amnor të lidhjeve të gjakut, në organizimin e jetës në malësitë e veriut. Durham ka një pasazh për këtë. Dhe meqë jemi në temën e emrave të farefisnisë, është për t’u vënë re edhe se shqipja, së bashku me gjuhë të tjera, nuk e sheh të arsyeshme të dallojë leksikalisht mes nipit (mbesës) si “grandson” (“granddaughter”) dhe nipit (mbesës) si “nephew” (“niece”). Në rrethanat kur e njëjta gjuhë kujdeset të dallojë mes tezes dhe hallësdajës dhe xhajësgjyshes dhe nënëdajës, do të thoja se një asimetri e tillë tregon se leksikalizimi i dallimeve farefisnore (ose organizimi leksikor i familjes) ka vepruar më hollësisht nga perspektiva e fëmijës (nga poshtë lart), sesa nga ajo e plakut (nga lart poshtë).
  16. LETËR, KARTË: Shqipen letër e nxjerrin nga italishtja lettera dhe në analizë të fundit nga latinishta littera “shkronjë, epistull”, edhe pse kuptimi i materialit mbi të cilin shkruhet (angl. paper, ita. carta), i mbështetur në një metonimi, nuk ka qenë i zakonshëm as në italishte as në latinishte, çfarë do ta bënte letër një nga ato raste kur zhvillimi kuptimor ka kaluar nga abstraktja drejt konkretes, aq sa në shqipen e sotme letër, me kuptimin “mesazh i shkruar” na duket si metonimi e bazuar në kuptimin “material mbi të cilin shkruhet”. Por shqipja e ka pasur këtë kuptim (“paper”) që herët, siç e dëshmojnë edhe autorët e vjetër, por edhe fakti që italishtja carta e huazuar me këtë kuptim (“e ku shkruhenë në kartë…”) ka mbetur më e kufizuar në përdorim. Nga ana tjetër, edhe Buzuku edhe Bogdani e kanë létërë për “tekst i shkruar, libër”, jo për paper (Buzuku: qi nukë janë shkruom ndë këtë letërë non sunt scripta in libro hoc; për Bogdanin, shih Omari, Anila, Leksiku i veprës së Bogdanit). Italishten carta, nga ana e vet, e nxjerrin nëpërmjet latinishtes charta nga greqishtja χάρτης, që shënjonte fillimisht një fletë papirusi dhe pastaj pergamenën dhe më në fund, letrën e zakonshme. Si huazim në shqipe, me kuptimin “paper”, kjo kartë bashkekziston me letër por pa e shmangur ngjyrim lehtësisht arkaik-libror; por mbetet aktive me kuptime të tjera (p.sh. kartë krediti, karta e Atlantikut, kartë identiteti) dhe në shprehje të tipit kartë e djegur, luajti kartën e fundit, etj. Greqishtja χάρτης është huazuar edhe ajo në shqipe si hartë (Topalli). Folja hartoj, megjithatë, nuk lidhet me këtë rrënjë, por ka një etimologji tjetër, meqë e kanë shpjeguar (Çabej, te arëtonj) si huazim nga greqishtja mesjetare ἀρετή, “virtyt, zotësi, shkëlqim.”
  17. MACE – Emrin e maces (Felis catus), me versionet maçe, mackë, maç, etj. shqipja e ka huazuar nga sllavishtja e Ballkanit (skr mačka, sllavo-maqedonisht мачка), me gjasë nga një formë më e vjetër (protosllavishte e rindërtuar), *maca, që gjykohet si onomatopeike – e rrjedhur nga tingulli që lëshojmë për ta thirrur macen, khs. italishten micio. Khs. edhe rumanishten pisică “mace”, me shqipen pis-pis-pis, që përdoret për të thirrur macen; dhe emrin përkëdhelës pisonare që përdoret në Jug (Gjirokastër) për macen. Përndryshe, rrënja proto-indoeuropianishte për mace është kattā, e cila shfaqet në anglishten cat, gjermanishten Katze, latinishten e vonë cattus, bullgarishten kotka, greqishten γάτα, etj. Mendohet se indo-europianishtja nuk ka pasur një fjalë të vetën për macen, sepse ajo kulturë ende nuk e njihte si kafshë shtëpiake; dhe se fjala mund të ketë origjinë nga Egjipti; çfarë shpjegon edhe afrinë me arabishten qut, qiṭṭa, dhe turqishten kedi (osmanishten kädi) me të njëjtin kuptim; çfarë edhe përkon me sa dihet për origjinën e maces, si kafshë shtëpiake. Që shqipja nuk merr pjesë në ekuacionet indoeuropiane të bazuara në rrënjën kattā, kjo do të thotë se (1) ose është ndarë nga trungu indoeuropian para se fjala të hynte në indoeuropianishte ose (2) të parët e shqiptarëve të sotëm nuk e njohën macen deri vonë, ndoshta pse kjo është më karakteristike për ekonomitë e bazuara në bujqësinë, që rrezikohen më shumë prej minjve (jo për ekonomitë pastoraliste, ku macja nuk i hyn kujt në punë). Ndryshe nga mace, emri i një kafshe shtëpiake të ngjashme, qen, të cilin e kanë nxjerrë tradicionalisht si huazim nga latinishtja canem, duhet të jetë i trashëguar në shqipen (sipas një shtjellimi të plotë të David Lukës), çfarë pajtohet edhe me strukturën semantike të leksikut të trashëguar të shqipes, që është mjaft i pasur me fjalë të sferës dhe të ekonomisë pastorale. Etimologjia e fjalës, në shqipe, duhet të ketë parasysh edhe që kjo gjuhë e ka një fjalë të vetën për felis lynx (ita. lince), luqerbull/rrëqebull, të cilën e kanë shpjeguar si të ardhur nga një rrënjë qelb (që i përgjigjet foljes qelb), me parashtesë dhe prapashtesë; të krahasohet kjo edhe me emrin e kafshës tjetër, qelbës (mustela putorius), që në anglishte është polecat (të vërehet pjesa e dytë e kompozitës në anglishte, cat). Mënyra si është quajtur felis lynx në shqipe tregon se shqipfolësit, kur filluan ta përdorin fjalën rrëqebull, nuk kishin ende fjalë për macen dhe, me gjasë, nuk e njihnin si kafshë shtëpiake (të krahasohet kjo me mace e egër, një formim relativisht i vonë). Çfarë tërthorazi konfirmon që macja do të ketë hyrë ndër shqiptarë gjatë kontakteve me sllavët e jugut, bashkë me praktika të tjera të ekonomisë bujqësore. Shqipja maçok vjen nga maçe; dac mendohet si onomatopeike; kotele për G. Meyer-in vjen nga sllavishtja e vjetër kishtare kotelь (“maçok”), ndërsa qete, fjalë që dëgjohet në fshatrat e Shqipërisë së mesme, duhet të jetë turqizëm.

© 2019-2020, Peizazhe të fjalës™. Ndonjë nga këto analiza ka dalë tashmë në blogun Shqipologji™ (https://shqipologji.wordpress.com/).


[1] Emri më i vjetër i lojës është CHATURANGA, fjalë e sanskritishtes që ka kuptimin “me katër gjymtyrë” duke iu referuar katër ndarjeve të ushtrisë: këmbësoria, kalorësia, elefantët dhe qerret: pjesa e parë, CHATUR, i përgjigjet, mes të tjerash, shqipes KATËR. Fjala sanskrite u huazua si CHATRANG (SHATRANJ) në persishte, dhe nga persishtja, nëpërmjet arabishtes, kjo fjalë u huazua në spanjishte si AJEDREZ, në portugalishte si XADREZ dhe në greqishte si ZATRIKION (ζατρίκιον).

Reklama

2 Komente

  1. Në mos gaboj, “Partizani” humbi një kampionat nga ata të parët e Pasluftës në favor të “Dinamos”. Dolën me pikë të barabarta, por “Dinamo” kishte një goal average më të mirë, ndërkohë që differenza reti e “Partizanit” ishte abisale (kish shënuar mbi 100 gola). Vite më vonë rregulli ndryshoi, por jo fjala: golaverazh.

  2. Breke dhe pule jane hamendje etimologjike.

    Wiki thote qe bracae e latinishtes vjen nga keltishtja e kjo nga gjermanishtja e shkohet tek rrenja *bʰreg- / *bʰrag-. Kalimet jane me ndoshta, ne fakt nje bh i.e ne latinisht do jepte f, keshtu qe e vetmja gje e sigurte eshte qe latinishtja vete e ka huazuar nga dikush, nuk dihet se nga.
    Nga pikepamja gjuhesore argumenti nuk mban, pastaj nga pikepamja historike jemi ne erresire nese fjala ne shqip vjen nga indoeuropianishtja apo latinishtja apo nga keltishtja edhe sikur ta zeme te vertete qe keltishtja e ka marre nga gjermanishtja.

    Te pulë format pelë e pulisht duhen sqaruar mire, meqe kemi ruajtje te l nderzanore dhe forma indoeuropiane e propozuar per fjalen eshte kaq universale, saqe shpjegimi i etimologjise ne shqip qendron tek ruajtja e l nderzanore e moskthimi ne ll. Aq me teper qe nese vjen nga pullus duhet shpjeguar pse ll ka dhene l ne shqip megjithese nderzanore, dmth pse rregulli eshte kthyer kokeposhte.

    Forma e supozuar i.e polH dhe per shqipen pele si polna do shpjegonte ruajtjen e l, por tek pule nuk shpjegohet. Perndryshe i.e polH mund te jape lirisht edhe pule ne shqip.

    Ketu me siguri nuk na vjen dot ne ndihme Topalli se duhet verifikuar per vete.

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: