MENDIME TË PAKREHURA (XLIX)

(nga Stanislaw Lec*)

Është përtej fuqive të njeriut që ta thotë të vërtetën: se kjo nuk ekziston.

Ah, bota do të ish më e bukur, sikur të mos kish kaq shumë gra të bukura.

Gjithçka është thënë – por jo gjithçka është raportuar.

Mund t’ia shisni shpirtin edhe një ateisti.

A e dobëson shtyllën kurrizore keq-ushqyerja kulturore?

Mos e përdorni katarsis-in si purgativ!

Të jetë që parajsa t’i kërkojë botës ekstradimin tonë?

Truri elektronik do të mendojë për ne njëlloj siç vdes për ne karrigia elektrike.

Poeti është spiun i fantazisë në vendin e realitetit.

Disa mendime të vijnë natën. Habiteni?

Kufijtë midis qiellit dhe ferrit janë të lëvizshëm, por kalojnë gjithnjë brenda nesh.

Shkëmbim i lirë i unanimitetit.

Është dhelpër! Ndonjëherë vishet si ujk me lëkurë qengji.

I shoh të gjitha si të ishin operetë? Ngaqë më pëlqen fundi i lumtur.

Për t’ia garantuar martirizimin, Zoti i dha të birit pamjen e një hebreu.

Sa shumë fjalë ka përftuar heshtja!

Si mund ta pikturosh botën me ngjyra të gëzuara, kur ke në dispozicion vetëm të bardhën dhe të zezën?

Jam i padrejtë! U jap të drejtë vetëm atyre që e kanë.

Mos lër të të nxjerrin nga rruga, as ata që ecin në të njëjtin drejtim me ty.

Besimi bën mrekullira. Në bazë të parimit të reciprocitetit.

U ngrit në majë të gishtave, për ta lehtësuar dheun.

Njerëz të pabanuar.

Ia këputën qafën këngës së mjellmës.

Letargjia e liturgjisë.

Bashkekzistenca i paraprin ekzistencës.

Kundërshtarët gjithnjë i jepen drejtësisë. Në cirqet e Romës ua jepnin luanëve.

Kur egërsirës i bien dhëmbët, kujdes se mos kanë qenë ata të qumshtit.

Rreshterët besojnë se është merita e tyre që njerëzit mbajnë hapin e vetes.


 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin