TRAKTORISTËT E KADARESË

Para dy ditësh, publikova te Peizazhet një shkrim ku argumentoja nevojën për transparencë, në lidhje me honorarin e Çmimit Kadare që u është dhënë realisht fituesve (Me këtë çmim fitojnë të gjithë).

Ky shkrim mbështetej dhe referohej mbi një informacion të përcjellë nga mediat në Tiranë dhe në Kosovë, se njërit prej fituesve, Musa Ramadanit, nuk i është dhënë honorari (p.sh. (këtu dhe këtu).

Aty përsëritja edhe një qëndrim timin të shprehur edhe më herët, se emërtimi i një çmimi letrar sipas një autori që është i gjallë dhe aktiv, si Kadareja, është gabim.

Tani shoh se ndaj këtij shkrimi paska reaguar Alda Bardhyli te Gazeta Liberale, me një përgjigje që rrëshqet menjëherë në ad hominem, siç edhe mund të pritej.

Ndërhyrja ime e fundit kontekstualizohet tani si në vazhdën e “qëndrimeve të mia të njohura për të mohuar çdo gjë që lidhet me emrin e Kadaresë.”

A thua se fakti që një ent privat ka vendosur ta quajë një çmim me emrin e një shkrimtari me prestigj, e mbroka këtë çmim nga kritikat, sepse përndryshe u “mohoka” emri përkatës.

Sipas së njëjtës logjikë, mund të ngrihej dikush dhe të thoshte se emrin e Kadaresë në fakt e ka përdhosur ai ent që ia ka dhënë emrin një çmimi tani të përfolur keqaz.

Por unë refuzoj të jem pjesë e kësaj komedie ku po duan të më tërheqin pa arsye.

Kur më cilëson si “detraktor të vjetër të Kadaresë” (mos e humbisni këtu epitetin të vjetër – si në ca tablo sinoptike që i dimë, qëndrimet e mia të tanishme i kanë rrënjët që në Vitet e Luftës Nacional-Çlirimtare) Alda Bardhyli vetëm sa e fut vullnetarisht veten në një grup njerëzish që duan të ndërtojnë status dhe reputacion, duke i ndenjur me leckë në dorë statujës prej kartoni që ia kanë ngritur shkrimtarit.

Le të mos harrojmë se ç’u bë shkas për këto radhë: lajmi se çmimi “Kadare” nuk i është paguar njërit prej fituesve, Musa Ramadanit.

Pyes: a është sulm dhe “detraksion” ndaj Kadaresë të kërkosh transparencë në lidhje me këtë çmim?

Pyes: çfarë do ta “detraktonte” Kadarenë e Bardhylit dhe të Institutit Pashko, më shumë se insinuata e shprehur publikisht – nuk po them mundësia – që këta mund të mos kenë qenë tërësisht transparentë me çmimin e tyre?

Them publikisht, sepse thashetheme që honorari i çmimit Kadare nuk u ishte paguar fituesve qarkullonin prej kohësh në Tiranë – por deri kur doli lajmi për Ramadanin, i kisha gjykuar si pa bazë dhe si të padenja për vëmendje. Por tani jo më…

Pyes: çfarë i pengon këta njerëz, duke filluar nga Bardhyli, që të japin një shpjegim të qartë të mënyrës si e kanë livruar honorarin prej 10 mijë eurosh të çmimit në vite, në vend që të përshkruajnë tani pa lidhje aktivitete anësore dhe public relations?

Pyes: pse vallë po e shpërndajnë vëmendjen, duke nxjerrë nga sirtari këta “canards” të vjetër, të A.V. “detraktor” të Kadaresë?

Lajmin për Musa Ramadanin nuk e dhashë unë, as e nxora unë në faqet e para të mediave të Tiranës. Apo mos vallë unë duhet t’i kisha qëndruar larg këtij muhabeti, për shkak të rrezikut se mos më akuzonin sërish si “detraktor”, siç edhe bëri tani Bardhyli?

Pyes: ç’dreqin hyj unë në këtë katrahurë?

Vetë Kadareja, në një reagim që jep për KultPlus, ndaj lajmit se Ramadanit nuk i është dhënë honorari, distancohet nga e gjithë kjo, duke shpjeguar:

Obligimi i jurisë dhe i entit që e jep çmimin, është që fituesi të shpërblehet me shumën e shpallur. Në qoftë se kjo nuk kryhet, mund të thuhet se mungon kryekëput serioziteti.

Të kërkosh transparencë, për një çmim letrar, nuk ka lidhje me “detraktimin” e Kadaresë. Ngaqë Alda e njeh mirë qëndrimin tim ndaj veprës së Kadaresë dhe predisponimin tim miqësor ndaj njeriut Kadare – meqë kemi bashkëpunuar më se një herë në këtë lëmë – e kuptoj sa ngushtë do të jetë ndier, kur ma ka vendosur këtë etiketë tani.

Më kërkohet nga Gazeta Liberale që të shkruaja qoftë edhe një rresht për “vlerën letrare të çmimit në fjalë, për librat fitues apo autorët pjesëmarrës.”

Mirëpo “Peizazhet” ka botuar një seri shkrimesh kritike (jo recensione), nga Oltion Kadaifçiu, kushtuar të gjitha veprave fituese të çmimit Kadare (me përjashtim të kësaj të fundit). Ku ka ndodhur kjo gjetiu?

Pa çka se për peshën letrare të çmimit vetë është herët për t’u shprehur.

Përkundrazi, ka qenë honorari prej 10 000 eurosh që e ka shquar këtë çmim nga të tjerët – meqë shkrimtari shqip ka gjithnjë nevojë për mbështetje të tillë financiare. Çmimi Kadare nuk të bën gjë automatikisht pasardhës a trashëgimtar të Kadaresë, por 10 000 euro janë 10 000 euro.

Dhe është sofizëm i madh ta lidhësh peshën kulturore të çmimit me emrin “Kadare” – sepse ky nuk ka qenë ndonjëherë nismë e Kadaresë vetë dhe as e ndonjë institucioni që i është përkushtuar emrit dhe prestigjit të këtij autori.

Përkundrazi, është dhe mbetet përgjegjësi kulturore e Institutit Pashko – dhe ndoshta edhe e Alda Bardhylit e cila ka një përgjegjësi administrative në procedurat e organizimit dhe të dhënies së çmimit – që të kujdesen për të mos ia cenuar prestigjin emrit që kanë zgjedhur për çmimin.

Gjithsesi, s’kam asnjë lidhje me këtë komedi – dhe as jam tunduar ndonjëherë të marr pjesë, si autor, në konkurrim.

Përpjekja e Bardhylit dhe e gazetës “Liberale” për të zhvendosur vëmendjen dhe për t’u kthyer te klisheja e mjerë e A.V. si “detraktor i vjetër” i Kadaresë është thjesht patetike.

Kam treguar gjithnjë interes për veprën e Kadaresë. Vetëm kohët e fundit kam botuar në Peizazhe esetë që vijojnë:

Ëndrra a la carte (I)
Ëndrra a la carte (II)

Dy pjesë të një interpretimi të ri të romanit “Pallati i ëndrrave”, në kontekstin shqiptar të viteve 1980; kondensim i pjesëmarrjes sime në një seminar në The Bernard & Anne Spitzer School of Architecture, The City College of New York, në dhjetor 2018, kushtuar atij romani.

Edhe këto, “Qëndrime të mia të njohura për të mohuar çdo gjë që lidhet me emrin e Kadaresë?” Lexoji, Alda, pastaj eja të më akuzosh sërish për detraktor të njohur dhe mohues total… Po pak cipë, xhanëm?

Fati i universit osman në veprën e Kadaresë

Prometeu i rilidhur

Prapë një interpretim i ri i prozës së njohur së Prometeut – ku Kadareja jo vetëm nuk mohohet, por edhe pohohet me një mënyrë dhe nivel që Instituti Pashko nuk e ka bërë dot dhe as mund ta bëjë, sado flamuj të tundë dhe sado emra të mëdhenj të shkruajë në mur. Lexojeni, o lejfenë të kulturës – por pa e kopjuar në doktoratat tuaja madhështore!

Kauri arkitekt

Një analizë e ligjërimit të këtij personazhi te romani Kështjella, në kontekstin e konflikteve epistemologjike të Rilindjes europiane.

Pashallarët në nëntë pamje

Vepër e këputur

Dy analiza zero-jargëshe të poemës “Në mesditë byroja politike u mblodh”.

Të shkosh ku të shpien shkronjat

Një analizë tekstologjike e dorëshkrimit të poemës “Në mesditë byroja politike u mblodh”.

Gjithashtu janë publikuar, në “Peizazhe” analiza shumë të mira të veprës së Kadaresë nga kolegë dhe bashkëpunëtorë të revistës (Ilir Yzeiri, Eda Derhemi, Agron Alibali, Arb Elo dhe të tjerë).

Le të gjykojnë dhe të flasin lexuesit dhe kolegët për natyrën dhe cilësinë e këtyre kontributeve të mia dhe të kolegëve në revistën e drejtuar prej meje, për të kuptuar më mirë veprën përkatëse. Pa harruar se vepra letrare e Kadaresë nuk është në qendër të interesave të mia intelektuale, si autor dhe kritik.

Materialet janë publike dhe në dispozicion të së gjithëve.

Me dhjetëra mijëra vizitorë dhe lexues, sidomos nxënës të shkollave dhe studentë të universiteteve, i shfletojnë ato falas çdo ditë – ndryshe nga, bie fjala, arkivat e gazetës “MAPO” (deri dje, seli qendrore e Çmimit Kadare), që sot i kanë zhdukur nga rrjeti, siç ndodh rregullisht me arkivat në mediat e Tiranës.

Jam marrë prej vitesh me këtë vepër sepse e kam gjetur me interes dhe jo për t’i bërë kujt qejfin; pa u financuar nga njeri, madje edhe i sulmuar hap pas hapi nga njerëz që – kushedi pse – e kanë shpallur veten si kalorës e shqytarë të Kadaresë.

Unë preferoj të merrem me veprën – jo me hagjiografinë e këtij autori; sepse hagjiografia nuk më intereson.

Pyes më në fund: po si nuk më kritikuan një herë seriozisht, të gjithë këta entuziastë dhe traktorë të Kadaresë, xhanëm? Si nuk më goditën një herë me një dajak që nuk ka qenë i porositur?

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

(P.S. Sot Peizazhe të fjalës kremton 12-vjetorin.)

15 Komente

  1. Nder biseda marr ndonjehere shembullin qe sjell Montanelli per konfliktin e tij me Berlusconi-n, zanafilla e te cilit simbas Indros, vjen nga kultura impreditoriale qe solli Berluska ne politike. Per ta perkthye ne kushtet e mendesise sone, ne mungese te kultures se punes impreditoriale, kultura po trajtohet me kooperativizem.

  2. Hmmm, sidoqofte pak ne siklet te kane vene, se ja, ke reshtuar gjithe ato punime te tuat kushtuar veprave te IK.
    I ke listuar me deshiren e mire dhe qasjen bamirese qe Alda te lexoje se paku nje prej tyre dhe, nderkohe qe behet me e mire, te ndihet keq per fjalen e pamencur qe nxitoi te shkruante.
    Dhe te mendosh qe Kadare nuk hyn fare ne gjithe kete:)

    1. Më intereson vepra e Kadaresë, prandaj kam shkruar – por kjo s’ka të bëjë me hagjiografinë, as me afshet dhe afishet e atyre që nuk rrojnë dot pa një idhull të pikturuar bukur me varak. Më intereson vepra e Kadaresë, përtej komedisë me traktorë dhe detraktorë, ku duan të më futin, të bindur se atje më vënë kollaj poshtë. Sa për Aldën, përpiqem më shumë ta kuptoj, se ta akuzoj. Sepse çështja është e thjeshtë dhe s’ka të bëjë as me mua, as me Kadarenë:

      1. A është thënë deri vonë, publikisht dhe nga të katërmbëdhjetë anët, se fituesi i çmimit Kadare merr 10 mijë euro?

      2. A i kanë marrë fituesit e deritanishëm të çmimit këto 10 mijë euro? Musa Ramadani thotë se nuk i ka marrë.

      3. Apo vallë duhet besuar deklarata e tanishme e “statusit”, te Gazeta Liberale, se ato 10 mijë euro përfshijnë edhe shpenzime dhe aktivitete të tjera të lidhura me çmimin? A ka qenë kështu që në fillim? Apo është ndryshuar rregullorja?

      4. Nëse duhet besuar kjo e tanishmja, pse nuk është bërë asnjë përpjekje për ta sqaruar opinionin publik, nga ana e institucionit që e jep çmimin?

      5. Dhe e fundit: pse nuk flasin fituesit e çmimit, njerëz të gojës dhe të penës, dhe të thonë: PO, kemi marrë 10 mijë euro ose JO, kemi marrë vetëm një pjesë të honorarit sepse ashtu ka qenë kontrata, etj.? Apo do marrë edhe kjo heshtje si pjesë e kontratës së çmimit?

      Është e drejta e një personi të interesuar, si unë, që t’i kërkojë këto gjëra në publik, pa iu ekspozuar epiteteve dhe etiketave dënuese. Unë nuk jam dorëjashtë në këtë punë – si shkrimtar, dua të jem i mirinformuar për dinamikën e çmimeve letrare që jepen në Shqipëri. Deri më tash, unë nuk e kam idenë se si është vepruar me Çmimin Kadare – por po krijoj një ide të qartë se si e pëson kush bën pyetje për mënyrën si është dhënë çmimi.

  3. Cili ka kohe ne krize per mospagese te kredise qe ka marre tek banka Credins. Credinsi e hoqi fare, vuri administrator fuqiplote Ardian Civicin, por e hoqi edhe ate ne mars, tani eshte nje i panjohur. Mapoja u shit ne janar tek ish kryetari i Bashkise se Rrogozhines, i partise çame.

    Nga peradoria e Cilit kane mbetur vetem borxhet pa paguar dhe intitucione e cmime te pavlera, si instituti Pashko e Cmimi Kadare apo besoj nga emri, se nuk e kam shfletuar ndonjehere, Gazeta Liberale.
    Pas liberales Sude ne Tirane zbarkoi edhe liberali tjeter Cili.

    Qe Kadareja pranoi ta lidhe emrin me personin ne fjale eshte nje mister qe skam per ta kuptuar ose pranuar ndonjehere. Tani ta gezoje çmimin me emrin e tij, te kthyer ne çmim barcalete.

    Duhet pyetur edhe Shkelqim Cela, Emigranti i Peshkut, nese i eshte paguar gje.

    Sa per Alda Bardhylin, xha xha, ka ngelur vetem pa i thene bukeshkale. Te them te drejten bej pak habi sa seriozisht e ke marre, qofte se ti e di sa te besueshem/reliable jane njerezit, qofte se njollen e detraktorit te Kadarese nuk po e heq dot as Wikipedia. Taksirat e ke te shkruash ca kritika lavderuese per Kadarene, ta zeme per mjeshterine e fjales, perndryshe me kete stil heqja e njolles eshte si puna e Sizifit.

  4. I vështirë për t’u honepsur është fakti, që njerëz të angazhuar në Shqipëri apo në hapësirën gjeografike apo virtuale shqipfolëse të fushës e kulturës, si edhe zonja në fjalë, në momentin që ju mbarojnë argumentet, ju kthehen sulmeve personale. Pozicionimet e ngarkuara me epitete “traktorë” dhe “detraktore” janë kinezëri dhe unë i jam shumë mirënjohës Kadaresë, që ishte i pari (dhe i vetmi) që m’i hapi sytë për të dalluar gjëra të tilla në kohë shumë të errëta.

    Tani sot në këtë botën që jetoj unë, ku shkruhet e lexohet bajagi, një reagim i tillë si ai i publikuar në Gazetën Liberale do të ishte i paimagjinueshëm. Domethënë do të ishte një lloj vetëvrasje intelektuale e një shije të keqe; për autoren e të cilës dikur më vonë do të flitej lidhur me këtë temë vetëm me zë të shuar dhe në një oktavë më poshtë, dukë i lënë fjalitë vartëse të paartikuluara; pak a shumë në modusin, “për kë-ka-ikur nuk flitet keq dhe e mbyllim këtë muhabet me kaq”.

    Situata, që një medium që vetë-titullohet: “Gazeta Liberale” shkruan në këtë frymë, është i vetmi komponent argëtues në këtë histori, që u dukëka për faqe të zezë.

    Fajin e ka Kadareja, që e lë emrin e tij të mirë të përdoret nga forume, të cilat në mënyrën e punës së tyre nuk lënë përshtypje serioze. Mirë do të kishte qenë, që të mos kishte një çmim Kadare fare, as në gjallje e as pas vdekjes së shkrimtarit. Sikur Shqipëria të mos ishte një republikë bananesh, ndoshta dikur atë çmim mund ta jepte shteti, por shteti shqiptar është në atë derexhe, që çdo gjë të artë që do ta zinte me dorë do ta kthente në bakër (për të mos përdorur gjë ndonjë fjalë tjetër).

    Tani, që atë çmim e konstrukton një iniciativë private shqiptare, kjo nuk ka asgjë të mirë. Gjithnjë në këtë botën time, ku shkruhet e lexohet shumë, iniciativa private që japin çmime janë shumë të përkushtuara për promovimin e letërsisë. Natyrisht që në një farë mënyre janë edhe interesa marketingu, por kur i jep një çmim një shkrimtari apo përkthyesi, je duke komunikuar edhe me një auditor apo publik më të gjerë, i cili për nga natyra e tij është intelktualisht shumë të zgjedhur dhe i leçitur, pra që nuk e ha sapunin për djathë. Gjërat lipsen të jenë në një ndërvarësi proporcionale.

    Nuk është vendi këtu për të analizuar se cili në të vërtetë është emri i Kadaresë (për mendimin tim ka shumë të tillë; unë kam një timin, që e kam shumë lart, por me hyqmin e Zotit, shumë larg prej atij, ku të tjerë si kjo Gazeta Liberale dhe zonja në fjalë e mbajnë atë figurë prej kohësh si hajmali), por është fakt objektiv, që ai emër është shumë i lartë. Kur një iniciativë private shqiptare e bllokon atë çmim sot duke i vënë sipër tabelën “xanun”; dhe e bën këtë që në gjallje të autorit, pra një e tillë iniciativë me interesa parakapitaliste të drejtpërdrejta ekonomike (në Shqipëri nuk ka interesa të tjera publike përveç atyre parakapitaliste ekonomike), tregon për mendimin tim, që e gjithë ngrehina është një lojë marketingu, ku shumëkush, duke përfshirë detyrimisht dhe pashmangshmërisht edhe autoren Alda Bardhyli, duan t’i varin vetës një meritë, një stoli dhe të ngrehen. Prandaj them që Kadareja e ka falin për këtë, ngaqë ai njeri, apo kush tjetër në rrethin e tij kujdeset për figurën e tij serioze, nuk qenka i sensibilizuar në atë formë, që ai emër nuk po përdoret konform rregullave të një etike të zakonshme për vlerësimet eventuale në fushën e letërsisë.

    Unë kujdesem shumë për t’i kuptuar gjërat në thelbin e tyre; gjë që e bëj nga ambiciet intelektuale që kultivoj, por edhe për arsye banale në përditshmërinë profesionale, akoma nuk e kam kuptuar se si funksion ai çmim. Duket sikur është një lëvizje për promovimin e letërsisë i financuar kryesisht nga çmimi vetë, i cili pasi i jepet autorit (kur i jepet) i merret atij prapë për arsye që nuk kanë të bëjnë më me krijimtarinë por mbulimin e shpenzimeve për një gjë apo një tjetër. Pastaj kur ja dhënkan atij atij autori e nxjerrin për të bërë gjëra publikisht, që mbase ai autor edhe do t’i bëjë, por edhe mund të mos dojë; por gjithsesi, e nxjerrin të bëjë gjëra argëtuese për një publik shik dhe të ngazëlluar që rreth shuplakë. Pra në një lloj burse komplimentesh ku fjala e mirë dhe simpatitë janë falas dhe narkotizojnë paqshëm. Mirë fare edhe kjo, por me punën e shkrimtarit, pra të atij shkrimtari, që ulet në tavolinën e vet, shkruan, boton, blihet dhe lexohet (dhe kaq!) ky çmimi ka pak të bëjë. Nuk duket sikur atë çmim dikush e marrka në mënyrë pasive duke shkruar literaturë. Siç duket u dashka shkruar edhe lutje; mundësisht edhe më një tabelë excel të atashuar.

  5. Ne kushtet kur fituesi nuk merr realisht asgje, se edhe botimi paguhet me te drejtat e autorit, prej te cilave autori privohet, ky cmim eshte thjesht fushate marketingu per UET press dhe kiosken UET. Po doli gje prej te dejtave te autorit, aq me mire. Me solli ndermend nje cmim qe jep Zamir Mane, 2 milion leke te vjetra, per fituesin e gares se projektit me te mire te biznesit. Zamir miliarderi me 2 mije dollare mban nen kontroll nje pjese te ideve te reja ne treg. Per tu rikthyer tek cmimi Kadare, pyetja qe el vetiu; po vete Kadareja, a eshte i vetedijshem qe lidhja e emrit te tij me skllaverimin e autorit ( vetem fituesi i pare e ka permbushur kontraten sipas Bardhylit), nuk eshte as ne nder te letersise e as ne nder te tij ? Ne kushte te tilla kontraktuale do te ishte ne nder te Kadarese qe ti bente dalje ketij cmimi farse.

    1. Kështu si vajti puna, në këtë formë dhe me këtë nam, çmimit më mirë do t’i shkonte emri i pronarit… Do t’i rrinte përkryer, si kostum i prerë pas trupit.

      1. Meqë jemi te biznesi i madh, kur do të vijë dita që ndonjë sipërmarrës albo, ndonjë magnat i shërbimeve funerare a ndonjë tycoon i vajrave vegjetale, të krijojë një çmim të madh letrar – p.sh. Çmimi “Marquez-Shekspiri” nuk do të ishte keq – dhe t’ua shiste autorëve të shkretë… Do të thuhej: Çmimi “Marquez-Shekspiri”, 6 000 euro për fituesin – por këto para do të duhej t’ia paguante fituesi, mu gjatë ceremonisë, komitetit organizativ, përkundrejt ekspozimit të veprës, leximit në publik, recitimit, citimit, përkthimit në gjuhë të mëdha, përkthimit në gjuhë të vogla… Mos ju duket çudi: sa shqiptarë e kanë blerë me para të thata zërin përkatës në ato enciklopeditë e tipit Who’s Who, që të dërgonin pastaj një certifikatë të bukur me postë për ta vendosur në mur? Të paktën ky çmim “Marquez-Shekspiri” do t’i shërbente drejtpërdrejt edhe ekonomisë kombëtare – me kusht që të gjitha taksat t’i merrnin përsipër organizatorët.

        1. Zakonisht, butaforia e biznesmenëve albo është edhe për mua burim dhe objekt ilariteti por kjo e çmimit ku u bëjnë zbor shkrimtarëve me vite të tëra për “ta merituar” shpërblimin është e trishtueshme. Periudhë 18-24 mujore obligimi për autorët, shkruante zonja e nderuar, që këta “ta promovojnë këtë iniciativë e në të njëjtën kohë veprat e tyre sipas modaliteteve të shkruara në statusin e çmimit “Kadare” në evente e takime të ndryshme“, por edhe këtyre kritereve që kanë vendosur vetë nuk u përmbahen se vetëm fituesit të parë, i katër viteve më parë, i është dhënë deri tani shpërblimi, ndërsa tre të tjerëve siç duket nuk u kanë mbaruar akoma obligimet për të shlyer. Si shërbim me parapagim. Ha!

        2. Parimi qe ndiqet eshte; je i lire per gjithcka, je i lire edhe te jesh skllav. A konkurove me vullnet te lire, po, kjo eshte kontrata e skllaverise, je i lire ta pranosh, je i lire te mos e pranosh. Liria nuk eshte e plote nqs njeriu nuk eshte i lire qe te jete skllav. Si puna e plotfuqise se Zotit, a eshte Zoti i plotfuqishem ne rast se nuk ka fuqi te zhduket ? Ne Shqiperi liria per te qene i lidhur kembe e duar me partine, bosin apo marreveshje e kontrata te paligshme apo mashtruese, duket te jete legjitime, ne vizionin liberal, anarkoliberal apo pseudoliberal te shqiptareve. Kontratat duhet te prishen kur mungon buona fede apo si i themi kur ka hile brenda. Mirepo ja qe edhe autoret jane te lire te jene te lidhur kembe e duar, e ne fund te fundit te varesh ne qafe cmimin Kadare ia vlen barra qerane edhe sikur te mos vijne leket e cmimit. Nuk eshte as ne interes te fituesve qe te thone gje publikisht se del te kene nje cmim barcalete, qe deshmon edhe nje here se ne Shqiperi te gjithe jane te lire te jene te lidhur kembe e duar.

  6. Kaq shume rendesi kam vene re te kete pasur ketu tek peisazhet forma, sa edhe jashte deshires per te rene ne roberine e saje, kam rene qe kam rene aty. Per format e ndertimit sintaksor e stilistikor e kam fjalen. Tani shoh se po hapet dhe problemi i formave gramatikore: perdorimi inflacionist i nyjes -së- . Kemi humbur dhe librat e vjeter. Tani hajde e gjeje si eshte kjo pune ne internet.

    1. Kjo është njësoj sikur në momentin e rënies SË kovave me mut nga qielli të kritikosh ata që rrinë poshtë, sepse cepin e jakës SË këmishës e kishin lënë pa hekurosur. Në Shqipëri, Realja ka përmbysur Virtualen prej kohësh. SË-të e librave të shkollave fillore duhen kritikuar, e jo ato të internetit, sepse në shkolla fillore ka katedra … në internet gjithkush gjen apo bën katedër e hipën sipas qejfit.

  7. Kadaresë, si provincial që është, paçka se ka shëtitur gjysmën e botës, i pëlqejnë lëpirjet … edhe ato të Henrit, provincialit Naim Çili. Pyetja është: ç`faj ka traktoristja Alda Bardhyli, që është lindur e rritur në Shqipërinë e Kadaresë dhe Çilit? Si mund ta kuptojë traktoristja problemin e transparencës dhe etikës, personale dhe institucionale, që u vu në diskutim këtu, në PTF? Maksimumi, traktoristët, që nga Kadaretë, Çilërat e Bardhylërat, mund të kuptojnë funksionin e sistemit, sepse i vjen prej shpirtit garues që i ka ngulitur në mendësi vetë sistemi njësoj si qenit të Pavllovit, por jo problemin … problemi i sistemit nuk kuptohet aq kollaj prej traktoristëve, sepse në mos për gjë tjetër u duhet të pranojnë në rradhë të parë që janë traktoristë të devotshëm që ngasin një dumdum në arat e Shqipërisë, paçka se hiqen sikur ngasin Mercedesë në Berlin apo Limusina në Nju Jork.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin