TA NISËSH LETËRSINË ONLINE

(Tekstin më poshtë ma dërgoi Adela Radovani, shkrimtare online – nëse më lejohet ta quaj kështu – në përgjigje të anketës që u pata dërguar miqve dhe kolegëve para pak kohësh, ku u kërkoja të më tregonin se çfarë i motivonte të publikonin në Internet. Mora një përgjigje më të plotë, të cilën mendova ta botoj më vete. Adela si autore është formuar – është duke u formuar – brenda mediumit dhe ka vendosur me letërsinë një raport të ndërmjetësuar nga rrjeti social, bashkëndarja e teksteve dhe tensioni mes miqësisë dhe anonimitetit. Jua rekomandoj prozën e saj, nëse e frekuentoni Facebook-un. AV)

Momente të ndryshme të historikut tim si shkrimtare amatore i harroj, por fillesa, shkëndija e parë, një ngjarje e vogël që ka ndodhur dikur në moshën 8 vjeç, nuk më shqitet nga mendja. Muajin e parë të shkollës, që nga klasa e tretë e deri në fund të gjimnazit na vinin të shkruanim një tregim me eksperiencat tona në tremujorin e nxehtë, tip “si i kalove pushimet verore”, ose “përshkruaj një ngjarje gazmore në plazh.” Mësuesja atë vit na premtoi se do na lejonte t’i lexonim para klasës. Unë nuk kisha qenë as në plazh e as me pushime, familje ime konservatore dhe çik si kurnace nuk e quante të denjë të shpenzoje për qejfe, e ndaj shkrova sesi humba rrugën me gjyshen duke shkuar te puna e re e hallës. Para këtij tregimi, nuk kisha shkruar asgjë që i ngjante sadopak letërsisë. Të them që dëshira më lindi aty për aty, në moshën tetë vjeç e jo më parë, do të ishte e gabuar, ishte tjetër gjë mendoj se e nxiti atë tregim prej gjashtë faqesh fletoreje. Motivimi ishte se dikush do më dëgjonte duke e lexuar, pra, të tjerë do mund të gjenin kënaqësi prej kësaj pune. Ekzibicionizmi dhe dëshira për të kënaqur të tjerët, që të mund të thonin që vajza është e talentuar, e këndshme, e pranueshme, ishte një emocion i paprovuar të cilin e ruaj edhe sot. Sigurisht, pastaj vura re që procesi i krijimit më kënaqte dhe mua vetë, çfarë s’ishte fort e papëlqyeshme. Por pa këtë shkëndijë, pra mundësinë për të qenë e lexuar nga të tjerët, unë nuk besoj se do isha ulur aq herët për të krijuar.

Herën e dytë që shkrova, ishte sepse pashë diçka në klasë që më tronditi. Pra, një burim i brendshëm, një nevojë për t’u shprehur dhe për të tejçuar ndjenjat, mendimet dhe reflektimet. Por e theksoj, ishte faktor i dytë, që forcohej nga ideja që do mund të lexohet, komentohet, vlerësohet, ose kritikohet nga moshatarë dhe mësues, prindër e fis që nuk ngurruan të thonin, kjo nuk merr vesh nga kjo punë. Jam e bindur që kanë pasur të drejtë.

Me letërsinë në internet jam njohur fillimisht nga mangat, ekuivalentët e comics në Amerikë, libra me dialogë dhe vizatime të cilat në atë kohë dhe besoj ende, piratoheshin ndër të rinj që kanë dëshirë t’i lexojnë. Më pas, një botë tjetër zbulova, atë të letërsisë së emërtuar “fanfic” ku autorë amatorë ose jo, marrin pa të drejtë fitimi karakteret dhe botët e realizuara në filma, libra dhe produksione të tjera dhe krijojnë histori të reja, alternative, të ngjashme ose krejt pa lidhje me origjinalin. Fanfic (fan fiction) është një zhanër i cili botohet thuajse tërësisht online, shkak i të drejtës së autorit. Shkrimtarët marrin njohje në internet dhe ndonjëherë donacione por vetëm kaq, e për më tepër, veprat e tyre, së bashku me fanart (piktura origjinale të bëra nga piktorë amatorë ose profesionistë të veprave të dikujt tjetër), krijojnë bazën e fandom, grupi i madh i fansave që diskutojnë dhe pëlqejnë së bashku filmin, librin, serialin e caktuar. Dy prej fandoms më të mëdha të momentit që njihen shumë edhe në Shqipëri janë ai i Harry Potter dhe Games of Thrones. Është e mundur që për Harry Potter të jenë shkruar deri më sot miliona tregime të shkurtra dhe disa mijëra novela. Disa arshiva në internet mund të japin ide të qarta të këtyre shifrave.

Sigurisht, edhe unë pata kohën e sprovës sime në këtë zhanër, në kohën e gjimnazit kur dhe koha për të shkruar që më e madhe. Facebook për mua është një rrjet social i ri. Mundet që të kem nisur ta përdor aty nga viti 2015 dhe përpara tij, kisha hequr dorë nga letërsia, artet dhe çdo gjë tjetër që nuk kishte të bënte me profesionin tim si farmaciste. Disa nga shoqëria e asaj kohe bënin share poezi të shkurtra, tre autorë sidomos, Klodian Kojashin, Elhaid Cufin dhe Flutur Mustafën. Në prozë i bëhej share Filozofisë Urbane të Albatros Rexhajt. Kontakti i parë me letërsinë shqip të botuar online e në facebook ishte negativ, sidomos duke marrë parasysh sa dobët por edhe sa shumë reagime merr Elhaidi. Unë nisa të shkruaj sepse një njeri për të cilin kisha një lidhje intelektuale dhe romantike, më nxiti që të kthehesha në fushën që prej vitesh nuk e prekja. Le të themi që më mbushi mendjen që palumturia ime e thellë vinte nga mosshfrytëzimi i atyre aftësive sado të vogla që kisha në të shkruar.

Gjer në atë pikë e kisha të ndarë mendje që do isha një farmaciste sa më e zonja, që shpesh nuk do të thotë as gjë të madhe e as gjë të mirë, dhe nuk do merresha me gjithologji. Dhe mirë nxitja e tij, por dhe qindra like, komente, reagime, miqësi të reja, biseda interesante që të tjerët të cilët e merrnin guximin të shkruanin mirë a keq qoftë, më bënë të ndryshoj mendje, ngadalë. Si fillim me histori nga puna në farmaci të cilat janë çdo ditë më interesante sesa unë dhe kolegët e mi do dëshironin, por dhe të thjeshta për t’u treguar. Mos të harrojmë, kisha humbur shumë nga aftësitë e mia të vjetra, kisha humbur fjalor, gjuhë të huaja, aq sa mund të them, Adela 18 vjeç ishte shumë më e ditur se Adela dhjetë vjet më vonë.

Mendoj që ne, e këtu po fus në një thes plot shkrimtarë amatorë dhe të botuar që shkruajnë të paktën nga një tregim ose poezi në javë, e konsiderojmë si punë me rëndësi të madhe atë që bëjmë se ndryshe, nuk do e bënim. Disa syresh janë të zhanrit të humorit, disa tragjikë, disa të nëndegës së feminizmit, të tjerë të aktivizmit vullnetar: disa e kanë ngritur në nivel mediatik, si Lolita, një grup i cili herë pas herë shkruan copëza të gjata e të shkurtra ironizuese, të cilët janë tashmë të përfshirë dhe ndikues të mëdhenj të opinionit publik. Fama e Lolitës u ngrit nga tregimet e saj të shkurtra dhe ironizuese nga bota e fshatit korçar e fierak, po aq sa nga dy rreshtëzat goditëse mbi politikën. Me aq sa kam vënë re, ndodh më tepër që një shkrimtar i njohur me libra të prekshëm të fillojë të botojë online sesa një shkrimtar i internetit të kalojë në llojin tjetër. Janë dy botë të cilat rreken të kapin si pre lexues krejt të ndryshëm, ose lexues me pritshmëri të ndryshme. Ndoshta vite më parë ishte e rastit që, nëse një autor bëhej i famshëm sa duhej në internet, prej tij pritej që të botonte diçka fizike, kjo për të finalizuar vitet e punës me audiencën e internetit. Gjithnjë e më tepër zbehet kjo tendencë, gjithnjë e më tepër thellohet hendeku midis letërsisë së botuar e asaj online. Ndërsa interneti të limiton edhe stilin, edhe gjatësinë, është krijuar një formë e caktuar e të bërit art në internet: duhet të jetë i asimilueshëm, estetikisht modern, me tone depresive dhe reale, shpesh i shoqëruar me skema, foto, skica. Nëse personalizohet, akoma më mirë, interneti e pëlqen dramën dhe të ashtuquajturat ditarët e jetës së përditshme.

Për mua botimi në internet ma ndryshon qasjen tërësisht nga le të themi, kur jam duke shkruar tregim që do dua të botohet fizikisht (një ditë). Është tërësisht më personal nëse është shkrim i destinuar për Facebook, më pak i thelluar, më provokativ. Shpesh u referohet ngjarjeve të rastit që cilat edhe muaj më vonë nuk do kuptoheshin dot shpejt e qartë për shkak të mungesës së shpjegimeve në tekst. Nga ana tjetër, shkrimi që planifikohet të postohet në faqen time personale, nxitet nga mundësia për lexues, një mundësi e cila buron nga lehtësia e shpërndarjes, fakti që mbetet falas dhe e lirëgjindshme për të gjithë që kanë një telefon të thjeshtë, internet dhe “miqësinë” time e cila nuk është e limituar. Është fast-food por nuk mendoj që është e keqe. E kush i thotë jo sot sufllaqes?

Lehtësia në rastin e letërsisë online është për të dyja palët, lexuesi nuk ka nevojë të fusë dorën në xhep e as të ndahet nga rrjeti social ndaj të cilit është tashmë i varur, dhe autori nuk ka pse t’u hyjë debateve me redaktorë, botues inatçorë e klanorë për të mos arritur në dorën e syrin e shumë njerëzve. Sidomos letërsia bashkëkohore shqiptare e vuan mungesën e lexuesit, shumë i ndjekin në faqet online por pak i lexojnë veprat e tyre që mund të jenë të mira, por kush e di? E prapë, autori i kurrëbotuar e vuan mungesën e seriozitetit me të cilën e trajtojnë dhe do donin të merreshin më seriozisht, në këto raste ata ndjekin rrugë të mesme, hapin blogje, lidhen me shkrimtarë të tjerë dhe bashkëpunojnë në grupet e ndërtuara dhe këto në Facebook. E prapë me aq sa vë re, një autor online e ka librin e botuar sa për ta vënë në cover të profilit të tij, sepse audiencën e ka tashmë të fituar dhe nuk pret t’i shtohen të tjerë nga katër kopje që shet në vit. Mendoj që përkthimi, esetë, poezitë, tregimet dhe gjithçka tjetër e cila botohet fillimisht në internet e mbeten ose jo aty, është tentativë e përbashkët për të bërë letërsi në kushte të reja, në një mjedis ku libri po bëhet objekt luksi dhe zbukurimi.

© 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

12 Komente

  1. Kur flet per nje “shkrim amator” dhe shton se ai eshte “i sinqerte…”, ka vertet diçka qe mbetet pezull, nje perzierje cilesoresh qe i mban ne dore e nuk di ku t’i vesh. Ta marrim nga e para. Koci veren se kemi te bejme me nje “shkrim…” pa e specifikuar me tej se ciles gjini i perket. Eshte term qe te shpeton “nderin e kultures”, shume gjitheperfshires, por jo i pavend. Nen kasketen “shkrim…”, mund te derdhesh tonelata llojesh, por jo letersine artistike, jo ate qe ne web e shoh te cilesohet si “fiksion”. Pra ne kete kuptim autorja (qe nuk e njihja, por duke i besuar shijeve te A. Vehbiut, do te interesohem ta ndjek me tej) jep disa kujtime e mbresa nga fillimet e saj ne fushen e letersise (me nje informacion per mua te ri e interesant, qe me shtyn ta marr me seriozisht letersine ne linje, qe gabimisht me eshte dukur teper intimiste, gati efimere dhe tmerresisht e ndikuar nga nje auditor jo fort i pergatitur, dhe me potencial “emocional” mjaft te fuqishem e me ndikim jo gjithnje pozitiv ne vleresimet qe jep, gje behet shkak zhgenjimesh ta rende kur autoret ndeshen me nje auditor me te paanshem), por ka rendesi te themi se te gjithe jemi dakord se autorja ka bere nje “shkrim” por jo letersi.Per kete eshte dakord edhe Koci.
    Ne kete kuptim, nje shkrim i çfadoshem, qe tregon nje çast, apo çaste te ndryshme te jetes apo te nje veprimtarie nuk ka se si te jete amator edhe po te doje vete ai qe e ka shkruar.
    Po ta thjeshtojme pak (per ta pare me mire), fvj., diten e pare te punes se gjithesecilit prej nesh nuk mund ta tregoje kerkush me mire se ne vete, as shuplaken e pare qe ka ngrene, as… (kut duhet saktesuar se t eshkruarit e tyre “keq” nuk duhet barazuar me “amatorizmin”, jane gjera te ndryshme). Pra, nje gje e tile nuk ka si te jete pune “amatoresh”, aty brenda shkrimesh te tille elmente te jetes qe sjell gjithsecili jane krejt te paperseritshem. Por me nje kusht qe je jene te sinqerte. Ja u kthyem prape te Koci, i cili nga ana e tij pranon qe shkrimi eshte “i sinqerte”. Dhe ky eshte i vetmi cilesor qe i shkon ketij “shkrimi”, ketyre lloj shkrimesh personale, se mund te bien edhe ne mekatin e te sajuarit te gjerave te paqena. Dhe Koci me te drejte mund ta perceptonte edhe si te “pasinqerteé dhe askush nuk mund ta kundershtonte. Por ai nuk e ben kete. Koci thote se “shkrimi …eshte i sinqerte”. Tani, ate “amator” Koci duhet t’i gjeje nje vend ku ta vendose, se aty ku e shohim duket ca arbitrar…

  2. Dashnor më vjen mirë që me një resht e pak të bëra të bësh goxha analizë.
    Ti si publicist i thekur meresh shumë me fjalën “shkrim” kur në fakt në faqe është etiketuar për “tekst”.
    Ndoshta ke të drejtë, por mua më duket më e plotë “shkrim” edhe pse duket e përgjithshme dhe nuk specifikon rastin. Prapë më vjen më ëmbël në veshë.
    Adela duket që ka ëndra, pasion dhe të bën ta ndjekësh në vijimësi për çfarë shkruan. Por rrëfimi në vetë të parë sado i mirë të jetë mendoj që mbetet pak “uni-st” dhe nuk e kalon pragun e vetes.
    Temat universale dalin nga vetja dhe bëhen pronë e të tjerëve.
    Tani përcaktimi “amator” (e kam fjalën për stilistikën)duket pak “i vrazhdë” por ky është mendimi im.
    Ndoshta s’është kështu.
    Por unë e them ashtu, pa u menduar shumë që ndoshta më mirë do ishte po të stëhollohej mendimi duke “i rënë nga Kina”.
    “Gjërat më madhështore në këtë botë janë të thjeshta”, shkruan Marx.
    Panvarësisht seç mendojmë ne, rëndësi ka që Adela të ndjekë me pasion ëndrat e saj dhe unë i uroj suksese.
    Fakti që mendimi për çka shkruan ajo gëlon, do të thotë që aty “ka jetë”.
    Të pëshëndes.

    1. Koci, tekstin më lart autorja ma dërgoi në përgjigje të ca pyetjeve shumë specifike që i kisha bërë, për dossier-in që po përgatitja dhe që pastaj e nxora këtu në shumë pjesë. M’u duk se duhej të dilte i plotë, edhe pse gjithnjë në kontekstin e materialit tjetër; aq më tepër që krijuesve të brezit të Adelës shpesh u lexojmë tekstet, por nuk ua njohim rrugën që i ka çuar deri atje. Por çfarë është shkruar më lart i përket një rrafshi tjetër nga letërsia që krijon Adela.

    2. Koci, nuk kishte asgje shokuese apo skandaloze ne nderhyrjen tende, ajo vetem se ju ben nder qe u ulet e shkruat per nje autore te re, gje qe nuk e beri askush me perpara. Mua me dha shkas per te thene nja dy fjale per fenomenin interesant te gjetjes se fjales se duhur (dhe jo te kusherires se saj te pare) per fenomenin e duhur, gje qe nuk nenkupton e edhe une te kem bere zgjedhjen me te drejte.
      Shoh se DI i ka kushtuar nje analize te zgjeruar frazes se autores, qe syon te kerkoje saktesim dhe shprehje me te precizuar te asaj qe ka (ose mund te) kete gjelluar fillilmisht ne mendjen e autores e qe nganjehere del ne forma te te peraferta, madje te papritura.
      Personalisht mendoj se problemi (meqe po flasim per te) i letersise ne linje eshte, per te mos thene autoerotizmi i saj, nombrilizmi i saj. Duke u marre e kerkuar rrotull vetes, eshte fort e mundeshme te prek nje rreth me te gjere lexuesisht qe kane dale nga e njejta martice sociale, qe jane formuar ne te njejtat kushte… Por sikunder ne rastet e autoerotizmit edhe ne kete rast lexuesi i mbyll syte me mendimin se merr kenaqesi nga objekti i fantazmuar, nderkohe qe ai vetem se eshte “viktime e fisme” e dopamines se tij. Prova e vetme mbetet kur te bjere ne duart e nje lexuesi tjeter, te formuar ndryshe.
      Edhe une te pershendes perzemerisht.

      1. Lyss, te ishte vetem problem saktesimi bjere ketu. Xha xhai vete e ka ngritur disa here problemin se sot nuk po merret vesh me ca eshte shqip e ca jo. Eshte hera e pare qe degjoj per Adelen, nuk e njoh fare, por do te thoja qe problemin qe verej une ( i cili mund te mos jete fare problem) nuk eshte i zgjidhshem, as me hapje librash gjuhesie apo fjalori dhe as me leximin e 100, 200 apo 1000 librave ne letersi shqip apo perkthim te mire. Dyshimi im eshte se problemi eshte i pazgjidhshem, ne kuptimin qe autorja flet vetem shqipen zyrtare dhe e flet keq per shkak se komuniteti ku jeton e punon e flet keq. Pastaj percjell keq ne te shkruar ate qe e flet po aq keq. Perndryshe nqs autorja eshte folese apo degjuese e toskerishtes mund te shkoje nje muaj per verim ne ndonje mal te Toskerise, te flase sa me shume me banoret e zones, e nqs eshte gege te shkoje po nje muaj verim ne ndonje mal te Gegerise dhe te filloje te shkruaje ne gegerisht. Nqs e ka letersine me pasion, sikunder thote, pastaj nqs eshte pune pelqimesh fejsbuku, krijimi i nje personazhi ne rrjetet sociale, si e do moda e sotme, po humbasim kohen kot.

        1. Te shoh shume pesimist, i dashur. Fakti qe ti e refuzon nje forme te tille te shprehuri dhe bashke me ty edhe shume te tjere (dakord, ende jemi larg diskutimit te vertete qe duhet te perfshije shtjellimin e sujektit, ndertimin e personazhve te besueshem, risine qe sjellin etj., etj, qe do te meritonin “letersite e mediave te reja”), kete, gjendje megjithate e shoh si kalimtare. Dhjete vjet me pare shkruhej shume me keq dhe protestonin vetem dashamiresit dhe specialistet e gjuhes tani shoh se rrotull tyre ka nje opinion te tere qe vjen duke u zgjeruar, qe kerkon te pakten korrektesi te shprehuri. Per mua kur nje gjndje e tille refuzohet te gelltitet symbyllur, kjo eshte shenje se duhen pritur dite me te mira. Problem i perhershem do te mbetet shqipja epike e atyre qe kane ikur mjaft te rini nga Shqiperia dhe qe jane aktive me forumet shqiptare. Duhet t’i duash shume qe te mos vihesh te ulerish, tha.

        2. Lyss, ndoshta ke te drejte nqs e shohim si çeshtje e bulmetit te ketij stani. Po edhe xha xhait, si njohes i mire i gjendjes, i duhet dhene besueshmeri ne perzgjedhjen e bere. Ne kete kendveshtrim optimist doemos duhet shpresuar se autorja ka per ta konceptuar besimin tuaj, jo si medalje treditore ne internet, por si pergjegjesi e shtuar.

  3. Me beri kurioz debati dhe hyra ne fb te lexoj gjene e pare nga autorja. Tregimi Djegja

    Të thuash ishte vapë, do qe pak. Dielli të farfullinte mbi ballë si të qe një prozhektor i madh i drejtuar vetëm mbi ty, si nga ata të stadiumit. Unë një herë të vetme i kam parë dhe ngaqë isha fëmijë, më bënë shumë përshtypje. Ishin me katër rreshta llampash të bardha, të fuqishme, të fusnin vapë. Atë herë që qeshë në stadium ishte një ndeshje miqësore Shqipëri-Itali, midis skuadrave të futbollistëve pensionistë dhe të rinj, kampionë të vjetër me tule që tundeshin dhe djersë që ngjiste mbi barqe të fryra.

    Problemet qe shoh une si lexues mesatar jane te panumerta.

    Titulli hyn tek nje forme jo fort fatlume gramatikisht, eshte Djegia apo Djegja, dmth une si lexues mesatar has menjehere me nje kategori problematike.

    Ne fjaline e pare
    Të thuash ishte vapë, do qe pak.

    Forma me e tretshme eshte

    Të thuash ishte vapë, eshte pak ose Të thuash ishte vapë, ske thene gje.

    Perdorimi i formave ishte dhe qe ne te njejten fjali nuk eshte diçka e lakmueshme dhe autorja i perdor edhe me tej.

    Fjalia e dyte:

    Dielli të farfullinte mbi ballë si të qe një prozhektor i madh i drejtuar vetëm mbi ty, si nga ata të stadiumit.

    Ketu dielli farfullin perben nje koncept guximtar, qe prej ciles epoke dielli farfullin mbi balle ?

    Forma si te qe, ne kushtet e formes pararendese te farfullinte do ishte e zevendesueshme me te ishte.

    Fjala prozhektor eshte fjale e shemtuar, por ketu ska faj autorja.

    Perdorimi i krahasimit si nga ata te stadiumit, kur eshte perdorur nje si te qe me pare e ben ridondante fjaline.

    Fjalia e trete:

    – Unë një herë të vetme i kam parë dhe ngaqë isha fëmijë, më bënë shumë përshtypje.

    nga pikempamja sintaksore do te ishte me rrjedhshme forma:

    – Unë i kam pare një herë të vetme dhe ngaqë isha fëmijë, më bënë shumë përshtypje.

    Biles me mire duke e hequr fare peremrin se po flet ne vete te pare dhe peremri behet i tepert.

    – I kam pare një herë të vetme dhe ngaqë isha fëmijë, më bënë shumë përshtypje.

    Mund te zevendesohet edhe shume pershtypje si forme e ftohte me pershtypje te madhe.

    Fjalia e radhes :

    – Ishin me katër rreshta llampash të bardha, të fuqishme, të fusnin vapë.

    Te fusnin vape mund te zevendesohet me te hynte vape dhe perderisa nuk u perdor -prej- llampash te bardha, mosperdorimi i që e ben fjaline shume ekonomike; te pakten nje pikepresje.

    — Ishin me katër rreshta llampash të bardha, të fuqishme; të fusnin vapë.

    Vijme tek fjalia e fundit, me e gjata e problematikja:

    – Atë herë që qeshë në stadium ishte një ndeshje miqësore Shqipëri-Itali, midis skuadrave të futbollistëve pensionistë dhe të rinj, kampionë të vjetër me tule që tundeshin dhe djersë që ngjiste mbi barqe të fryra.

    Fillojme me formen jo fort fatlume Ate here. Me logjike mund te ekzistoje por -ate here- nuk mbaj mend ta kem lexuar ndonjehere.

    Vazhdojme me fatkeqesine e te perrdorurit njera pas tjetres format qeshe dhe ishte. Ishte mund te zevendesohej lirisht me -luhej- nje ndeshje.

    Me tej format e pashquara tule qe tundeshin dhe djerse qe ngjiste jane inferiore ndaj atyre te shquara, kur fjalia thekson pikerisht faktin, prandaj edhe dallimi eshte midis te shquares dhe te pashquares, kur thekson perdoret e shquara.
    Pra tulet qe u tundeshin dhe djerset qe ngjisnin .

    Me vjen keq, por tipologjia dhe numri i problemeve te perfillshme dhe te paperfillshme eshte i llahtarshem, per te mos thene qe nuk duhet te lejohet me ligj te shtetit qe statuset e fejsbukut te kene nje dendesi te tille problemesh, e jo me nje tekst letersie.

  4. Edhe mua ma vret syrin në dy-tre raste përdorimi i shqipes në tregimin më sipër. Sidoqoftë nuk besoj se çështja është e thjeshtë. Shkrimtarët e pas 90-tës kanë lexuar të njëjtin fond librash si edhe ata para tyre. Pse zgjedhin këtë gjuhë dhe jo atë me të cilën u formuan? Unë mendoj se ata e perceptojnë formulimin gjuhesor letrar me të cilin u formuan si të pa forcë, sado i lëmuar të jetë ai gjuhësisht. Mendoj se ky është debati që ia vlen të bëhet .

  5. Po shtoj edhe diçka. Natyrisht, nuk ka nevoja ta kesh Q.I-ne (koefiçientin intelektual, ne kete rast) mbi 200 per te kuptuar se nje shkrimtar i permasave te Kadarese i mungon sot peizazhit te letersise shqipe. Por niveli mesatar i pergjithshem i letersise eshte mjaft me i larte se ai i 30-40 vjeteve me pare, ku jashte rastit te mesiperm, rralle gjeje diçka qe te linte mbresa, ne mos per nivelin artistik, te pakten per te vertetat qe thoshte (ketu nuk po flas per letersine e mrrekullueshme te burgut, por jo posaçerisht ate te shkrimtarev te ndeshkuar, por shenimet, rrefimet dhe intervistat e njerezve te zakonshem qe me aq thjeshtesi tregojne tmerret qe kane kaluar). Kjo me shtyn te mendoj se sot, qofte aftesite shprehese e artikuluese “kombetare” jane mjaft me te perpunuara e mbi te gjitha rrahin te nje tematike me realiste e te vertete, se sa hipokrizia morbide qe na kishte llangosur dikur. Sot gjen shkrimtare qe kane ç’te thone, qe dine te thone e mbi te gjitha qe nuk sforcohen te genjejne e te telefosen pas nje realiteti qe nuk ekziston, nuk kane nevoje per nje gje te tille dhe nje zot e di se sa pozicion i mire eshte ky.
    Marr vazhdimisht libra nga miq, te njohur e nganjehere te panjohur qe me kerkojne t’u them ndonje mendim, shtoji ketyre librat qe me dhurojne edhe ato pak qe blej ne Tirane dhe besoj se kam pozicion jo te keq per te thene se niveli mesatar i letersise eshte ku e ku me i mire se me pare. Por, dhe kete e them me keqardhje, vetem nje here ne dhjete raste ka nje fare perkitshmerie midis librave te mire qe botohen dhe atyre qe vleresohen me çmime.

    Nuk them edhe se letersia ne linje eshte po aty per nga niveli. Me ngjan se i ka te gjithe elementet e nje letersie te pelqyeshme, por nga “gabariti” me duket sikur eshte dhe perjetesisht do te mbese si nje “muzike dhome” (e bukur, por e degjon ne “dhome” dhe aty mbetet), ne krahasim permasen qe i jep vetiu letersise ideja se destinacioni i saj eshte botimi ne leter, kjo sikur ndikon qe ne adn-ne e saj, nuk te shtyn te nxitosh, i jep vizion me te gjere prozes se konceptuar te vihet ne prove nje here tjeter, dhe ku nuk vuan nga pritja e rezultateve imediate, siç ndodh me fvj. krijimtarine ne fb, ku verehet nje lloj ankthi dhe urgjence per te terhequr nje vleresim pozitiv. Disa madje edhe e kane kuptuar si funksionon ky mekanizem dhe e perdorin me sukses, pak intimitet personal, qe te tjeret druhen ta pohojne, ca fjale impudike etj., etj… por qe gjithsesi veshtire se e gjen te njejtin impakt ne ate letersine e vehikuluar ndryshe.
    Perpiqem te kuptoj edhe pervojat letrare te vendeve me teknologji me te hereshme, me masive e me te zhvilluar dhe verej se rituali i vertete i leresise vazhdon te sillet rreth librit te botuar, ndryshe nga ndonje kengetar (nuk e di pse), ende nuk kam njohur ndonje shkrimtar te shquar qe ka mbire nga fb-ja, natyrisht ka te tille qe bejne emer ne internet, por duket sikur jane ne nje faze gati paraletrare dhe jeta e tyre e vertete si shkrimtare fillon pasi jane diktuar ngandonje botues i njohur. Mendimi im.

Lini një Përgjigje te albaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin