MICHEL FOUCAULT NË PRIZREN

 nga Saranda Vinca

            Jam zënë në kurthin e pyllishtës sime (Saki)

 

Propozim modest

Shpesh herë është spekuluar se ku ndodhej saktësisht filozofi Michel Foucault gjatë protestave të Majit 68 në Paris. Vendndodhja asokohe e filozofit që pat denoncuar mekanizmat e pushtetit deri në rang mjekësor e seksual, ka sjellë mjaft pikëpyetje: nëse kishte marrë pjesë drejtpërdrejtë në oponencën social-politike më emancipuese në Francën e pas-Luftës? Biografët e tij nuk hedhin poshtë supozimin se Foucault ndodhej atëherë larg Parisit. Se kishte zgjedhur botën orientale, Marokun. E prej atje shqyrtonte, me gjasë, në distancë e nën këndin e një qytetërimi paralel e margjinal, ofensivën studentore e intelektuale kundër pushtetit konservator.

Tymnajën e këtyre përsiatjeve e trazoi dhe më një tjetër mendimtar i rëndësishëm. Pikërisht M. Blanchot, i cili shkruante i baraslarguar nga filozofia e nga kritika letrare. Bëhet fjalë për një lloj të shkruari që tregon mospërkitje ndaj asnjërës nga këto kategori, gjithë duke i bërë të dyja të tejkalojnë vetveten, duke mohuar aktivisht vetveten.

Çka nuk le në harresë as devizën e poetit dramaturg Kleist. Ai pëlqente më shumë marionetat sesa aktorët e gjallë; dhe shihte mes të parave pika nevralgjike autentike. Nuk është e kollajtë të thuhet se kjo afri me kukullat e bënte t’i nënshtrohej një detyre « tradhëtore » : Si poet donte të ndihte vendin e tij të hakmerrej vazhdimisht ndaj vetvetes!

Njëlloj kujdesi (entretien) të tillë i propozon vetes dhe teksti Blanchot: iniciativën për ta lënë filozofinë në fushëbetejë me vetë fjalën filozofike. Edhe gjatë shkëmbimit (entretien) me të. Në librin “L’entretien infini”, libër i “padenjë” për epokën tonë higjeniste, korrekte, mondialiste e çuditërisht kombndjellëse, ai ka mizorinë të na verë para Brechtit të harruar sërish. Më saktë, para ekspresivitetit, me të cilin dramaturgu kontestues akuzon dialogun për tirani. Atë lloj dialogu që denonconte në teatrin borgjez, tashmë krejt të shkëputur nga monotonia kozmike e skenave të lashtësisë.

Shpesh ia faturojnë këtyre tezave të veçanta izolimin e Blanchot në heshtje shembullore, tërheqjen totale nga jeta publike, asnjë intervistë në RTV, modestinë e mungesës së tij fizike, madje edhe në kolokiumet në nder të tij.

Sidoqoftë, në njëfarë mënyre ai e pat ciflosur ca heshtjen. Veç për të lyer më në gri (si përherë në tekstet e tij) legjendën kaotike mbi vendndodhjen e Foucault në Maj 68. Dhe ai garantonte se e kish pikasur kokën energjike të Foucault pikërisht mes valëzimeve të lëvizjes së Majit, në Paris, ndërsa protestat shkundin nga apatia Republikën V franceze, që pat inauguruar gjenerali De Gaulle.

Disa përkujtimore të kohëve të fundit në Kosovë, nxorën më në fund në skenën historike e politike të vendit protestat e Majit 68 në Prizren (1). Evokim me fort pak detaje. Dhe duke përfituar nga vobektësia e këtyre fakteve sa i përket kësaj lëvizjeje paralele kosovare; e duke përfituar dhe nga kontributi i filozofisë me subjekt evenimentin, nuk rrihet pa hamendur diçka. (Për sa hamendja s’pretendon të bëjë koncept, e nuk e trullos rrjedhën e filozofisë). E për pasojë të propozojmë se M. Foucault gjendej asokohe … në Prizren, në maj 68. Propozim ky mëse modest. Që ndoshta lidhet me nënqeshjen (gjithsesi lehtë të artikulueshme) se ç’kërkonte një filozof i atij rangu në Kosovë. Apo nga pabarazia e protestave më me natyrë kombëtare në Prizren 68 krahasuar me ato më konceptuale të Parisit sorbonar. Nisemi thjesht nga përbashkësia e germës « p » të dy shenjuesve « Paris » e « Prizren ». Pra, një probabilitet (p), nisur thelbësisht nga rangu i gjuhës. Sesi banon mandej aty qenia : me qira, si pronar, apo në strehë provizore (gasterbajtere) këtë një « zot » e di. Ç’ka mund të jetë fare mirë ai Zoti që Heideggeri ateist pat lypur në fund të jetës së vet.

Satyricon i Modestisë

J. Swift, autori i Guliverit e mendonte si « melancholy » gjendjen njerëzore asokohe. Propozimet modeste që ofronte për kapërcim, nën atë “flamur” skicoheshin. Për rrjedhim, nga një kënd i pazakontë ai fillonte analizën : për të zhbiruar situatën njerëzore, mori në shqyrtim … bishtin e fshesës.

Autorë të tillë të bëjnë të ulësh kryet mirë. Mirëpo ky akt s’qëllon fare i pavlerë (çdo liliput ka Guliverin e vet). Dhe me gjasa për të gjetur përtokë një pishtar. Po jo dosido. Sepse mundësia s’është e paktë të hasim një pishtar, nga ato të marshimit të flaktë të rinisë, me rastin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit (2). Pishtari ka parakaluar hapësirën e gjithë qytetit. Natën, me sivëllezër është renditur në majë të kalasë së vjetër. Ka qenë pjesë e një vije zjarri tërthor ekranit të natës. Në majë të dorës së aktivistit, koka e zjarrtë ka çarë pyllishtën, dhe vetë ka qenë pjesë e një pyllishte kalimtare zjarri, teposhtë monopatit që zbret nga qielli në Prizren.

Pishtari ka qenë pjesë e një imazhi fort mbresëlënës. Estetikisht flet vërtet shumë. Duket ka imituar mizanskenat e tragjedisë së vjetër. Ai pikëlim zjarri tërheq pas vargjet e poezisë me gjasa legjendare:

Me qepallat puq te mitra ku bujis drita
Si ecin nëpër të heronjtë e Ditës :
Kali Vala, Afro Sperma, Yahoo Krifa, e Ago Dhija …

Këto emra i lidh bashkë veç ecuria e përbashkët, e padukshme e popujve dhe gjuhëve në atë çka përbën metrazhin e mitit : Kalevala, heroi i epikës finlandeze, kali yahoo i Guliverit, afro (afros, shkuma e greqishtes së vjetër, sciuma, scum = sperma në anglishte popullore, çka për vete buron nga miti, që Afrodita rrjedh nga testikulat e Uranit), çka na kujtojnë yllin e agut (Afroditën, apo Venusin që vjen si vala në breg), yllin e parë (‘dhyja’ të sanskritëve, nga ku rrjedh dhe fjala Zeus ; çka ndoshta na ka lënë në shqip ‘ditën’, ‘dijen’, ‘hyjninë’ e yllin (Hylli i dritës quhej gazeta e Fishtës).

Por, të gjejmë pishtarin një herë. Flaka e tij ka avulluar. Ka pamjen e bishtit të fshesës së Swiftit. Dora që e pat mbajtur në pelegrinazhin solemn ndoshta tash mban një qofte, apo po merr para borxh (life still goes on). E marrim pishtarin, e ngremë ; dhe në mungesë të një fjale precize mbi ndjesinë që lë, flasim me termat gjoja të pafajshëm të Swiftit : Ky pishtar i konsumuar, deri dje ka pasë lulëzuar në pyll ; e ka qenë plot lëng në deje ; me gjethe e sytha mbuluar ; por tashmë duket krejt e kundërta e ç’ka qenë : një pemë që vjell flakë, me tym në vend të rrënjëve, etj. etj.

Këtu modestia rrezikohet mjaft. Edhe pak futemi në skenën e përshkuar nga një autor fort bestseller, si M. Houellebecq, në skenën sataniste që përshkuan te « Thërrmijat elementare ».

Aq elementar sa duhet mbivullneti për të mos e parë këtë marshim (sa fantazmik e sportiv) në qershor, Prizren, me syrin e Lojnave olimpike të L. Riefenstalit ; të artistes fort të talentuar, që vetëm sa u shtoi këtyre lojnave mustaqet e fyhrerit. Natyrisht duke u vënë përsipër këtyre mustaqeve dhe logon e pesë rrathëve, simboli i Lojnave, që çdo fillestar i psikanalizës e di se japin nyjat borromeane. “Lidhja” (knot) dhe lëvizja (lojnat) të martuara kështu bashkë, kushedi nën ç’lloj kantizmi, që arsyeja i kullon si djersa e mundit për bashkim. Dhe ky në kuptim sa më të gjerë.

Por ne jemi gjuhë e vockël (paçka në ka kaluar apo jo M. Foucault në territorin e saj, sipas propozimit). E për sa s’ia lejojmë dot vetes të kompozojmë një tezë me titull : Psikanaliza e lojnave Olimpike, të paktën atë kohë ja dedikojmë vetvetes.

Voodoo Migjeni

Para do vitesh, lajmi se dikush pat thyer me vare pllakën e varrit të Migjenit në Shkodër, nuk bëri « eveniment » mediatik. Por, arsyeja e kësaj përdhosjeje, u pat shpalosur gjerë nëpër TV. Përdhosja, që u vërtetua se vinte nga banorë të orientimit katolik shqiptar, nuk pajtohej as me nderimin e fesë ndaj institucionit të vdekjes. Por duke qenë se përdhosësi vinte nga shtresa e « persekutuar prej E. Hoxhës », banorit katolik iu la gjithsesi marzhi për t’u justifikuar. E nga ky vend modest i së tashmes (ku i persekutuari ynë shkel duke ndenjur ngrohtë në të shkuarën e vet të hidhur), ai « sqaroi » pak a shumë, si vijon : Migjeni e kish lënë veten të përdorej nga komunizmi shqiptar !

Atëherë pat nisur dhe emulacioni i shfrenuar letrar (simbolik) Fishta-Migjeni, i njëanshëm, i pabarabartë. Kësaj pabarazia iu shtua në fakt dhe një opinion që e trajtonte Migjenin si më konceptualin nga poetët tanë të shkuar. Duke theksuar se, mënjanë vestizheve epiko-legjendare e wagnerizmit ca të tepruar fishtian, Migjeni për herë të parë pat « shpikur sy » në poezinë shqipe, e futi aktualen për të zhbiruar autentikisht popullin real ; dhe se nga ditirambi i tij niçean mund të ndjehej para kohe njëfarë flladi foucaultdian në gjuhën tonë.

Shpejt, sekti i neo-migjenianëve u pat themeluar në vijim. Ekspozita, katalogë arti të bëra minutën e fundit mbështollën përshpirtjen e Migjenit në 100 vjetorin e lindjes. Sepse gara e ethshme, një lloj loje olimpike kritike eseistike, mes ithtarëve, e mënjanon përherë zgjidhjen e enigmës nëse afshi i garës lidhet kryesisht pas shembullit ku kapen. Qoftë edhe shpejt e shpejt. Ndoshta përshtat jetës modeste që poeti ynë kishte bërë në aq pak vjet. Mandej pasuan lexime të stërholluara të vargjeve të tij : të muzikalizuara, në ambiance, në ritëm blues. Migjeni, bëri ç’bëri « pranoi » të futej në YouTube, në FB. Mbetej veç hyrja në parti. Dhe për këtë duhej gjetur derman.

Koha lypte një Migjen sa konceptual, aq dhe nacional. Sekti i neo-migjenianëve, në modestinë rajonale që na karakterizon si biçim kompleksi, solli këtë risi më në fund : lavde Migjenit, por duke e liberalizuar pak; e diç më okult (mësim ky i vyer neoplatonist).

Dukej si fort e lehtë të shihje në këtë organizim një shuplakë kalorësve fishtianë. Kishte dallim natë e ditë nga trashëgimia e paprogramuar fishtiane. Atë që malësorë me taban e merrnin thjesht si stafetë prindërore, orale. Ndërsa neomigjenizmi kalonte si pjesëtar ‘i hequr’ i substratit partiak politik. Nuk qe e dukshme kollaj. Sepse si çdo risi, që ka për bisht avatarin, solli në dritë (më të zbehtë kësaj here) vërejtjen, disi kuislinge : se Migjeni po përdorej nga partia e ideologjia për herë të dytë.

Një aksion i tillë i bindet mandej doemos luftës me kohën. E pasojë e kësaj palo lufte është që vendi e hapësira t’i shkojnë në vartësi. Të paktën si e vërtetojnë promovimet partiake, që me « bekimin » e Migjenit nuk bëhen as në Shkodër, as në Pukë, ku i dha mësim fshatit. Por në bllok të Tiranës, te vakëfi i zhurmës, te vrima e zezë e energjisë rinore shqiptare. Migjeni doli për vota. Si lypsar, është ca e tepruar ta thuash ; sepse liderë, filozofë, ministra e shoqëronin. Dhe me kitarë në dorë, pasi:

Gjini njerzor asht një kitarrë e gjallë
Mbi të cilën Shenjti e Kopili përftojnë melodina …

Përveç ekzigjencave të larta, puna për kombin bart dhe virtytin ta zdrypë dikë, e me ngazëllim, në vendin që s’i takon. Bie fjala, në atë të aktorit, recituesit, apo udhëheqësit artistik. Pesha e rëndë që bart fillestari, i shton gjithsesi duhmën pathosit recital partiak. Kështu, pa dashje i bashkëngjit vargjeve shqiptaromadhe të Kutelit edhe fraza të Migjenit denoncues. Ashtu si denoncon studiuesi hebre bashkëngjitjen pro-nazi që Heideggeri i bëri vargjeve të Hölderlinit: « njeriu e banon poetikisht botën ». « Deri këtu s’ka ende problem”, thotë profesori hebre. Porse filozofi i Pyllit të zi shton dhe kushtin për këtë banim sublim: “gjuhën e zgjedhur të qenies ». And that made the whole difference …

Në këtë filozofi praktike (sofia), ideologu partiak, gjatë pauzës universitare, i hyn mundimit të bëjë Hamletin, instrukton aktorët. Për fantazmë ka kombin, detyrimisht. Nëse grekët e sotëm janë gjithsesi praktikisht halë e kauzës sonë, rezultati i kësaj mençurie të aplikuar nuk duket dhe aq katastrofë : dalja e dytë e Migjenit nga letrat shqipe.

Por ndoshta aksion ky me gjasë për t’i dhënë dërrmën komunizmit të shkuar. Dhe mu para ish-banesës së të pashqitshmit E. Hoxha, Elvis Presley, Kim Wilde puqen në remix në Charles pub (shkruan Migjeni: Se nuk vdes kurrë shampanja) ; klub i njohur për valët house-music, ku rinia mbase në tollovinë e skenës politike fatale, do bujë :

-sepse do këtë përherë Karnera (3)
(si E. H. edhe të njëjtat iniciale tjera).

Është ky pishtari i ftohur i marshimit në Prizren që na flet pa dashje për Migjenin. Më saktë, koka e pishtarit na kujton grushtin e malësorit të mërdhezur para malit që s’bëzan. Por ky paralel as që rri në këmbë pa informacionin më sipër. Gjithë duke patur parasysh flakërimën e tij (pishtarit) në qiellin e errët të atmosferës sonë historike e rrafshnaltës gjeopolitike. Në këtë sfond, imazhet e marshimit të qershorit në Prizren teposhtë kalasë, përçonte një flashback fatlum : skenën ku dhitë e Skënderbeut, me pishtarë ngjitur brirëve, u lëshuan thepit, t’i krijonin otomanëve iluzionin fort strategjik për një ushtri sasiore. Pak rëndësi ka të mëdyshemi nëse kjo skenë është thjesht version i historisë sonë zyrtare. Mungesa e kritikës orientaliste të shpirtit të kombit tonë, po aq të manipuluar sa çdo tjetër, ky përbën konsensus jo fiktiv.

Parë nga kafet e Prizrenit në qytet, marshimi-pishtar përkonte çuditërisht me pikëlimin e qirinjve në Tiranën e viteve 96, gjatë “ikjes së dritave” çdo dy orë. (Në një kopje teknike, vetë dritat në Shqipëri i kujtonin pa da banorëve ikjen e bijve refugjatë). Në distancë kohore tashmë, ky « informacion » (që marshimi po u jepte kosovarëve pa hiri) i formonte këta drejt përngjitjes së sentimenteve të përbashkëta; doemos nën perspektivizmin e bashkimit të mundshëm kombëtar.

Ende brenda kuadraturës së rivendikimit të riteve identitare, dikush që u var pak mbi murin e kalasë përposhtë, e përjetoi kalimthi këtë skenë: si imitim të territ e flakës mbi Serbi gjatë bombardimeve të Natos. Enkas, kjo vendosje në pozitat e armikut kufitar e tradicional – të strukur asokohe nën atakun ndërkombëtar – ia rrëmbente, ia përvetësonte vuajtjen, hallin kundërshtarit. Por ceremonia po e rimorkionte errësirën me pishtarë ; kështu teza e njëfarë « mazokizmi kombëtar » , me synim afatlargët mbizotërimi, duket u shty për shqyrtim indefini.

Deri këtu çështja ishte e çimentuar në intervalin e njohur to be or not to be (në rang kombëtar, doemos). Derisa një tjetër pishtarmbajtës, i qasur nga media, e siguroi opinion e përgjithshëm: Ky lloj procesioni nuk është ekskluzivitet i Ku-Kluks-Klanit. (Ishte apo jo gazetarja e Klan Kosovës, pak rëndësi ka, ndryshe si do bëhej qesharake në të dy rastet ?).

Kjo frazë ama fliste më shumë nga ç’transmeton media direkt. E ajo që s’i intereson debatit televiziv është pikërisht terri i pikësuar nga pishtarët, nga ku lindi ky katekizëm i llojit të ri, anasjellas : gjenerimi i pyetjes prej përgjigjes. Ose në terma më sartristë: përgjigja i paraprin pyetjes. Me këtë rinovim modest në procedurën e instruktimit doktrinor të kishës katolike, Kosova paraqiti një qasje të dytë reale ndaj domenit të krishterë, pasuar konvertimit të I. Rugovës asokohe në komunitetin e Sant’Egidios.

Kështu i takonte pyetjes vërtitja, përpëlitja postume, pa ndonjë farë efekti për përgjigjen që u ofrua. Ishte ofruar doemos në favor të krijimit të një jete kombëtare rituale, ritualiste. Ofertë, blatim gjendjes sonë kasaphanë ekonomike politike, ku miti mund të sjellë palcën e një kocke të re ndër subjektet shqiptarë, me jetë po aq të desakralizuar sa dhe organizmat ku po bëjmë garë të hyjmë.

Melodia e kputun … e mitit

Marshi i pishtarëve në 10 qershor në Prizren, nuk mund ta donte veten pa treguar dhe prirjen e forcës politike organizuese për një dozë të ndjeshme të mitikes. Përkrah aktivitetit të rafinuar politik herë pas here, kujdesi për një background ritualist, simbolik, nuk përjashtonte lidhjen me fasadën mitologjike.

Sidomos në kohët sot, kur miti shihet si mjet tejkalimi të një realiteti (sidomos perëndimor) të çshenjtëruar.

Specialistët e mitit nënvizojnë me ngulm se « religjion » është fatkeqësisht term i pamjaftueshëm, i vakët, me të cilin ne sot zëvendësojmë rëndom gjënë e shenjtë. Dhe e mbajnë atë larg ngarkesës fetare, shenjtërisë monoteike. Rrëfimet mitike, nëpër transmetimet transkulturore, paraqesin ndodhinë, një eveniment, por ku historikja është një ndër pjesëtaret e universit njerëzor. Nuk bën çudi që sot miti paraqitet i “degjeneruar”, bosh, pa ndikim thelbësor në psiken njerëzore.

Ky degjenerim i mitit, si dhe i dëshirës për t’iu rikthyer në mënyrë të verbët (për kundërshti të modernes, për klash qytetërimi, për rivendikim të drejtash, etj) duket ka ngritur në pah anën më të vobektë të këtij termi, pra religjionin. Ndoshta këtu burojnë dhe karikatura të rrezikshme fetare, integrizmat ; pathosi i krishterë që u rrit në Francë pas djegies së Notre Dame etj…

Për politikën, duket se petku mitik i garanton iniciativës, lëvizjes apo dhe strategjisë politike një sukses imediat, ose inkursion më fitimtar. Vetë instrumenteve të luftës politike, e protestës, megjithë impenjimin e gjerësinë e tyre, u mungon precedenti mitik ; “e kësisoj mbeten jashtë pragut të mitologjisë” (Eliade).

Në viset tona është loja jo e pamenduar që manipulon një lojtar politik si E. Rama. Jo vetëm look-u që i pat dhënë vetes (tesha ekscentrike, çitjane përzier me atlete mode, një miks i esadistit dhe raperit pasanik) ; e look-un Tiranës, pasi e shndërroi qytetin real në galeri arti me një kurator të vetëm (duke e vrarë kështu qytetin me art, artisti-shtetar që u bë pronari i parë i gjithë heterotopive (4). E kjo veti « mahnit » disa ndërkombëtarë. Deri dhe « bomba » e tij në Beograd, deklarata antiprotokollare për pavarësinë e Kosovës (çka e çimentoi si « bacën e ri » në sytë e popullit kosovar) vinin nga lider i një vendi pa peshë gjeopolitike, pa ushtri të rangut të Turqisë, aspak kanosës, potencialisht bosh. Por gjithsesi mitformues, qoftë dhe afatshkurtër, siç analizon Gore Trancon këtë personazh politik.

Është si duket virtyt i realitetit tonë (shumë të bardhë e oksidental) që t’i lerë “heronjtë civilizatorë” të mitologjive të gëlojnë në peizazhin e mangësisë së shpresës, skamjes ekonomike. Politika hyn e bën ritualin e saj, që paraqitet si rit i të tjerëve me këtë rast. Sikundër imitimi që dikush (apo një popullsi) i bën arketipit mitologjik, si kundër-reagim ndaj rrethanave të vobekta e problematike personale.

Melankoli e flamurit

Por ishte flamuri kombëtar ai që në këtë rit përkujtimor të Prizrenit pati varur kokën, si bëjnë shpesh flamujt. Por kësaj here ai imitonte kryet e fundosura të mitologut (sërish ajo “fytyra e fundosur” e poezisë së Migjenit). Kur shihte përdorimin e strukturës së mitit, të asaj çka evokon kaosin paraprak botëkrijues, të shkojë e të struket te një komb specifik. Flamuri var kryet po aq. Ka të drejtën të ndihet i përdorur dhe ai. Njëlloj si miti vetë, atë ditë. Atë ditë ai nuk ish më rrëfime që paraqesin sesi bota është mundësuar më në fund, sesi lindja, e vdekja, e dhembshuria, kanë lindur një ditë. Por qe historia specifike e të qenit; e të qenit shqiptar në veçanti. Miti, kokulur, si flamuri, u ndie si kamerier i një promemorieje kronologjike lokale.

Mes pishtarëve të ngrehur në majën e kalasë në Prizren, flamuri i blerë në tregun karakteristik kishte dalë për pazar në një market kreacionist lokal, me datë fikse, 1878.

Nuk ishte faji i të rinjve shqiptarë, të pacenuar nga ritet e shkuara të komunizmit tonë. Afshi si pjesëmarrës për herë të parë në një ritual kaq dramatik, as që e vinte re mitin e bllokuar brenda epistemës së lodhur kombëtare. Kantilena e kombit po aq mund të këndojë atë melodinë: Ka gjithmonë një herë të parë. Atë që miti anakronik i këndon përvojës origjinore.

Të pacenuar nga gjimnastika e mëngjesit e kohës së shkuar, i riu shqiptar e mori pishtarin, si një gotë me birrë te Charles club. Dhe me flakë, si i takon kësaj fisnikërie të zhvirgjërimit mitik, e lëvizi mitin teposhtë shpatit, në një përfaqësim, një Vorstellung. Lëvizja nga përfaqësimi te zgjedhjet e te fushata elektorale, zinxhiri verbal mbetet tej tij mandej, logjikë asociative brendagjuhësore. Nëse i riu pishtar do fitojë në zgjedhje, duhet përshëndetur, sinqerisht, por dhe me shumë shqetësim.

Po të kish flamuri gojë, do rrëfente ndoshta sesi strategjia partiake lë pas dore organizimin e pacentralizuar popullor lidhur me ritet që kërkon të përjetojë. Dita pagane e verës (në Shqipëri e Rugovë), Pelegrinazhi në malin Tomor etj, janë ende shëtitje popullore nëpër peizazhin e përvojës « religjioze » apo tej-përditore, ku partia thjesht sa shkon për vizitën e rastit. Irrupsioni i body politic partiak në sfondin e shpirtërores tejhistorike e para-sociale të miteve (aq duha sa i ka mbetur) e redukton mjaft nivelin e zbulesës që i sjell kjo përvojë njerëzve. Dhe kultura e madhe botnore shembuj ka të na sigurojnë për këtë. Gjithë struktura mahnitëse poetike e « Komedisë » së Dantes del thjesht si një fabul e fshehur me finesë, kur në fund rezulton se krejt shkrimi i saj qenkësh veç lumturimi për ri-vendosjen e kishës në Vatikan, prej ku e pat shkulur Konstantini !

Atëherë, ç’punë ka Migjeni në këtë marshim forestal, në këtë uturi wagneriane në Prizren, që të bën t’i turresh me vrap Maqedonisë ? (5)

Të gjithë flamujt kanë atë pjesën si prej Batmani, dhe mantis religiosa, ose lakuriqi nate (bat) kur janë të shkrehur, çka ndodh më shpesh. (Vetëm era i sjell evenimentet, ankohej materialisti Lukrec; e flamujt janë bërë t’i mbajnë lidhur). Edhe ky flamur i blerë në treg ishte ulur sipër kupolës së qytetit për të thënë, kryefundosur, që anakronizmi bashkëkohor plehëron simbolikën kombëtare. Çka siguron transpozimin e rolit të objekteve. Nën duhinë e magnetizmit e hipnozës ; e huaj si teorizim, por autoktone si përjetim.

Një objekt i këtillë duket grushti : ai i Recitalit të malësorit. Tani që dhe Migjeni (neo) ka bërë ndryshime, YouTuber, tifoz i partisë, grushti i malësorit të tij e shkuli zemrën, i mblodhi gishtat, dorën fort. Dhe ashtu e mbajti.

Kokë, pilë, hocus, pocus

Në një alegori mbresëlënëse Arigo Boito (asokohe libretist i Verdit), pat përmbledhur mirë natyrën e pangopësisë dhe arrivizmit fatal. Rrëfimi tregon një fajdexhi të prapë që ëndërronte të mblidhte shumën prej 1 milion florinta. Dhe i mungonte veç 1 florintë monedhë ari për ta plotësuar grykësinë. Befas iu kujtua një kreditor të pashlyer (Foucault e etiketonte botën tonë perëndimore si « borxhlie»). Në ëndërr e pa sesi ky i erdhi në shtëpi natën. Me zor ia mbushi mendjen që t’ia merrte monedhën. Atëherë i vobekti pa rrugëdalje ja ktheu 1 florintën e fundit, me të cilën fajdexhiu plotësonte 1 milionëshin. E i la në dorë, e shkoi. E fajdexhiu e mblodhi dorën, grusht, fort, aq fort e shtrëngoi gjatë natës. E në mëngjes, u ngrit ta hidhte monedhën te thesi i parave. Por nga shtrëngimi dora asesi s’i hapej ; gishtat nuk i bindeshin. Grushti i qe bërë më i fuqishëm nga ç’duhej …

Ia huazojmë në parantezë Boitos, në zgjatim të kulturës së fajdes, si pjesë e popullsisë që pat përjetuar firmat piramidale në 1997. Sublimi nacional dhe prerogativat e një bashkimi të mundshëm kombëtar tolerojnë deri dhe inkuadrimin e Vefës e Sudes në peizazhin historik të unifikuar.

Si personazh motrik po sjellim lopën, nga zoologjia njerëzore e Sakit, satiristit anglez që citohet në krye të shkrimit. Një lopë, nga ato, që ndryshe nga macet, ‘nuk na e venë veshin në biseda, as na futen poshtë shtratit natën’. E kjo lopa në fushë ka mirësinë e shëndoshë të mos vërejë as trenin (historik) që i kalon anash. Sa s’ka për të parë, në këtë tren alegorik të ardhmërisë, as përpjekjet e udhëtarëve në lojën kokë a pilë nëse do bëhet apo jo kombi ynë ? Në do arrihet bashkimi ? Pa e parë sesi monedha e lojës nuk po dilte nga grushti i mbledhur me forcë ; monedha e shtrënguar më shumë nga ç’duhet sajë pasionit. Shtrënguar që të mos hidhet në qarkullim, në këtë treg liberal ; ku çdokush mund të luajë si në bursë me nacionin ; tashmë kur fetishizimi marksist i mallit i ka lënë vend mallit të fetishizuar për një komb që ndoshta s’ka qenë kurrë si duam ne me zor të ketë qenë.

As do kish fjalë (lopa gjithmonë) për të na udhëzuar më kot, ndërsa harxhonim pasurinë (alegorike si dielli i Migjenit), nëpër doktorë (si në tregimin e Boitos) për të hapur grushtin e spanuar. Pa rezultat. Derisa të dëgjonte lopa (si dëgjoi politika shpërthimin e Gërdecit): shpërthimin e dinamitit në grushtin e bllokuar, e dorën më në fund të shqyer ; e monedhën, që s’ka qenë kurrë aty brenda, po veç në mendjen e fajdexhiut (kështu mbyllet tregimi i Boitos).

Migjen kolonial?

Ky shpërthim skandaloz i grushtit tonë me monedhën e çështjes kombëtare, e lë të paktën të papërfillshëm eliminimin e hipotezës sonë: mbi ndodhjen e M. Foucault në Prizren në Maj 68. Ose pishtari fort fanar i marcia su Prizren na e dogji në dorë (pa u ndier) këtë propozim në kufijtë e modestes. Po aq modest dukej sfondi atë natë në këtë procesion, veç sa për të inskenuar djegien e “Shtrigave të Salemit”.

Grushti i malësorit të Migjenit është imazh e tekst. Çka e bën atë të ndryshojë konotacion në kontekstin ku futet, ku gjendet. Mund të jetë grushti i të vetëdjegurit protestues në Tienamen. Sa dhe grushti i Xin Jiping (6) duke u betuar para byrosë për besnikëri të linjës, duke ia përshtatur nacionalizmin e ri kinez tregut global aktual. (E ne na mbetet të « lumturohemi » se të paktën një kolonializëm tjetër masiv i bën konkurrencë patriotizmit hegjemonik të Trumpit). Sepse teksti në vetvete është kolonial, universalist. Ndërkohë që do duhej të bënte të mundur, të fabrikonte veç kontekste paralele, këndore me veten. Si një protestë e konceptualizuar mirë. Dmth afatgjatë. Dmth: që do linte lulëzimin e protestave alternative, në rast të gjendurit papritur në pushtet.

I riu me pishtar (që pas marshimit e përdor si shkop të mbështetet pak) gjen tash kohë të pyesë: përse rreket të “kënaqet tue qeshë” ai malësori i Migjenit? E me zemrën e malit në dorë? Ndoshta ngase nuk është shaka e vogël përvetësimi ose koncentrimi i protestës. Madje shaka e rëndë se, para përvetësimit të burimeve kontradiktore në favor të kauzës, kush i bie nesër të mbetet “jashtë” për të protestuar në vijim? Përfytyro një Lul të vocërr, që duket sikur nuk proteston, vetëm ngaqë këpucët i ka më të shqyera se gojën. Dhe forma e tij e protestës (në potencë) nuk i bën ballë shtjellës marramendëse, vorbullës masive ku “revoltohen” (në kuptimin e rrotullimit) A. Jashari e A. Baleta e A. Badiou e S. Zizek edhe … I. Mustafa. Luli i vocërr fare një pikë duket në këtë lakore të gjerë, ku ekstremet e kundërta puqen nën udhëzimin e Nicolas de Cues. Është vocërrak i pafuqi në këtë qerthull ritualist, ku ai përfaqësohet, por me shpejtësinë e dritës. (Me po atë shpejtësi që pishtarët ndriçuan veç kalimthi parullat Drejtësi për Astritin kësaj here në muret e Prizrenit).

Jashtë leverdisë, themi se është Migjeni që qesh, në fakt, sipas atij nocionit kohor ku e ardhmja vjen nga e shkuara. Tue qeshë ndoshta me vlerën që ka miti veç si simbol, nëse jeta e përditshme mbetet nën sipërfaqen e tij, e shërben veç për qarkullimin e ritualit. Tek e fundit paraja e bën këtë më hapur (nën petkun e “fuqisë blerëse”). Ose në rastin e Lulit (sot më i vocërr se kurrë, të paktën nuk kish BE në kohën e Migjenit) i bie ndërmend papritur se jeta e kombit, sado e shëndoshë, nuk përkon me jetën e tij.

Ka komunizëm kolonial, doemos, por Migjeni i ka shpëtuar. Sajë një kozmogonie të mahnitshme, që doemos i referohet larg e larg këngëve legjendare anonime të origjinave. Atyre që indigjenët i quajnë ende sot “fabula reale” e jo “trille dytësore”. Ndërsa poeti ynë ironizoi idhtë hocus pocus biblik, ai “shpiku” një popull të lotit:

-rrokulliset nga ftyra e bie në tokë, e thërrmihet
e ndër thërrmija të vogla t’lotit nga një njeri lindet.

Ja që paska një Migjen “kinez”; në vargjet e tij rezonojnë rrëfenjat kozmogonike të mitit Pangu: sipas legjendës së lashtë të Kinës, lotët e tij pollën mandej lumenjtë e krijesat parake. Popull fantastik i lotit; si ai me bazë kokrra misri i rrëfenjave para-kolombiane të Amerikës ende të pakolonizuar.

Shaka deri në lotë të Mbinjeriut kjo. Shakaja që shqyen gazit malësorin nuk është fort e vocërr: ndryshe s’do mund të quhej dot “pushtet, ose pronar i protestës”.

Ja pra që M. Foucault në Prizren nuk ka patur. Ose nëse po, ne, thotë profesori i filozofisë A. Brossat, ne në Paris 8 (të themeluar nga M.F) nuk kemi dëgjuar gjë.

Mi-ve-ni

Por flakët e pishtarëve në këtë marshim nuk janë të pa-absorbueshëm edhe nga sytë më indiferentë. Madje kjo kategori preket më shumë. Ndoshta sajë një gandizmi social e politik, që në Kosovë nuk është pa histori. Mjerimi ynë njerëzor, më shumë se ajo “kafshata” që interpretohet shpesh nga grykët tona të sotme, mbetet këmbëngulja për të hyrë në histori, gjithë duke qenë brenda saj kokë e këmbë. Kësisoj pishtarët e ritualit përkujtimor të Prizrenit iu dukën indiferentëve të Prishtinës një dyndje pagane drejt një orgjie mishpjekëse e barbekju në pyllin ku mërzejnë simbolet. Më shumë si militantizëm kundër konsumit të mishit, një trupë teatrore vajzash ka filluar tashmë provat për shfaqjen me titull Miveni. Shënon kjo versionin e parë vegan të teksteve të poetit. Millosh Vegan Nikolla, ky personazh i dramës në fjalë, do të kundërshtojë në skenë aplikimin që politikat “karnivore” të vendit i kanë bërë metaforave të tij. Skena e pishtarëve në vargan është përdorur si alegori, edhe këtu. Për efekt teatror është shtuar ky detaj : para pishtarëve flakë qëndrojnë gati strukur nëpër shtigje (Holzwege): goranë, muhaxhirë, ndonjë serb ; ose ndonjë krijesë tjetër, që në skenar emërtohet “shqiptarovogli”. Shumë kujdes i është kushtuar, mesa duket, reflektimit mbi ndikimin që idetë rrezik përçojnë në organizëm. Sa për referencat e mundshme ushqimore që trupa ka gjetur nëpër veprën “ e hollë” të Migjenit, këto mbeten në suspens deri në premierë. Jepet vetëm një indikacion në fletëpalosje, kjo pjesë e shkëputur nga Karl Ristikivi (7):

Papritur shkopi i pelegrinit zë myshk
e rrënjë dhe lulka dalin prej tij.

Elementet tërësisht vegjetale të kësaj strofe e kanë nxitur median të presë një shfaqje të përmasave vegjetariane. Përkrah lëndës krejtësisht « kontemporane » është ndërkallur gjithsesi një monolog i Penelopës së Homerit. Ku heroina citon besimin e asaj kohe se elementet bimore e minerare janë thelbi i njeriut. Ky element i vocërr mitologjik është futur pa shumë bindje, por për efekt marketingu pas marshimit të fundit në Prizren. Në pritje të mbarimit të reprizave të shfaqjes së Georg Büchnerit në teatër të Prizrenit, shumë zyrtarë ndërkombëtarë kanë prerë biletat për shfaqjen e re. Në rrjetet sociale madje flitet për të sikur ta kishin parë tashmë.

 

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara


 

Shënime:

  1. Shumë pak të dhëna ka mbi këto protesta fiks në Maj 68 në Prizren. Përciptazi dihet se ato synonin përmirësimin e jetës së “krahinës autonome” dhe disa ndryshime në shoqëri. Karakteri “shqiptar” i protestave ka qenë doemos i pranishëm në atë periudhë sundimi të RF të Jugosllavisë.
  2. Një marshim simbolik natën, me 141 pishtarë përkujtues të 141 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit u organizua nga LVV në 10 qershor në këtë qytet.
  3. Carnera, boksier italian i njohur i kohës së Migjenit
  4. Heterotopi, është një nga koncetet më kryesore në veprën e M. Foucault, si hapësira të imagjinares.
  5. Parodi kjo e filmit të W. Allen, kur personazhi del me nerv nga opera duke thënë: Sa herë dëgjoj Wagner më vjen të pushtoj Poloninë!
  6. Kur presidenti kinez lëvdoi bujshëm tregun liberal në World Trade Forum, liderët perëndimorë ndien një ekzaltim gati religjioz. Por strategjia kineze rezultoi më me kulisa. Kina po përballej më një Europë, ku përvoja e humbjes së shenjtërores (sacré, që argumentuam më lart) është më akute se kudo. Këmbëngulja për një skenë sociale laike, në një shoqëri shumëfetare, kur baza shkollore e shtetare mbetet thelbësisht ajo judeo-krishtere, duket se po zhvidhoset. Përpos kësaj trandje spirituale, Europa po jeton dhe shkarthjen totale të kolonave tradicionale të ideologjisë, që ndanin vijat e bindjet ideopolitike. Xin Jiping erdhi në pushtet duke u betuar për besnikëri ndaj komunizmit. Betim në sallën e statujave të themeluesve të PK kineze. Por tashmë duke martuar revolucionin permanent të Maos me të ardhurat permanente të Milton Friedmanit, korifeut amerikan të liberalizmit. Ndërkohë që ideologjitë e vjetra shthuren përditë në Perëndim, Jiping e shtoi dhe më dozën e ideologjisë moniste në Kinë. Duke ndryshuar dhe kushtetutën e vendit, për t’u zgjedhur president ad eternam. Veçanërisht strategët kinezë, sipas analistëve, kanë mikluar mirë boshin që ka lënë në Perëndim gjithë jeta sociale: me kohë tashmë i ka zëvendësuar mitologjitë e vjetra me karikatura konsumi. Dhe i ka bërë të zbrazen nga krejt konotacioni i shkuar i shenjtores si materie, dhe jo thjesht religjionit. Mitet zbritën në rang fabulash letrare dhe entertainment (Hollywood). Këtë përvojë e pat nisur në fakt Greqia e vjetër, qysh pas vërejtjeve të Ksenofanit ndaj fabulimeve mitike të poetëve grekë. Synimet koloniale në Europë, Jiping pikërisht në Greqi i nisi: në takimin me Cipras, në një Athinë borxhlie e të varfëruar në gjirin e Euros. Qysh atëherë BE është detyruar të përjetojë ngushticën e ndjesisë ambigue ku e ka futur Kina e Jiping, në këtë Karibdë e Shila të sotme (dhe a nuk i thonë kinezët ‘Shila’ Greqisë edhe sot e kësaj dite?). Në Italinë krejt të çafaretur ideopolitikisht mandej, jo larg Vatikanit, presidenti kinez zaptoi edhe një territor tjetër, ndoshta sajë motos së habitshme: komunizëm-nacionalizëm-treg. Ashtu si etërit e kishës, që patën shpikur kontabilitetin, Kina njihet për vëmendjen ndaj llogarive. Strategët kinezë të Jiping, duke u rrekur të ringrenë Udhën e Mëndafshit, mendojnë të kolonizojnë tregun me anije e maune mallrash deri në Europë. Ndoshta të bindur se mund të “realizojnë” profecinë e vjetër krishtere, sipas së cilës Krishti me anije mallrash do të shfaqej herën e dytë. Porse këto përsiatje na takojnë ne, pjellave të historicizmit. Profecia në fjalë vjen nga epoka para-historike, para-sociale, legjendare; çuditërisht këtu bëhet fjalë për një krishterim më “indigjen”, paralel me bestytet e fiseve oqeanike, ose mitit të quajtur “cargo cult”. Sipas tij, para-ardhësit mitologjikë do të shfaqeshin me anije me sende të reja, e për t’i pritur duhej që fiset të zhduknin çdo mall aktual nga faqja e dheut. Kjo ide “radikale” fort anakronike (në kuptimin: larg sensibilitetit tonë aktual), por dhe instalimi trishtues i hegjemonisë kineze, të paktën largon nga skena filozofë me kolltukë në Washington, si Fukuyama; e fundi i historisë ndoshta nuk do vijë nën urdhrat e State Department.
  7. K. Ristikivi, ndoshta poeti kryesor i Estonisë; kaloi një jetë më se modeste e të tërhequr në ekzil. Autor i ciklit të 12 romaneve historike mbi basenin e Mesdheut. Vepra e tij, ndoshta përtej madhështisë së E.Gibbonit, mbeti pa u përhapur, për shkak të gjuhës së vogël.

8 Komente

  1. E lexova me shumë mundim, po s’mora vesh gje. Autorja rrihte diku, po gjuha figurative për mua mbeti e paqartë. Me duket se autores i mungon guximi për t’i thënë troq mendimet.
    Heres tjeter inshalla ma mire.

  2. Më pëlqeu shqipja e përdorur në shkrim – shumë e përpunuar, madje filozofike, që nuk e ndesh shpesh – bashkë me qasjen nga drejtime të ndryshme dhe rrahjen shumëplanëshe të ngjarjes që u bë zanafilla e shkrimit, marshimit simbolik të LVV në Prizren.
    Vetëm se ky i fundit do të ketë qenë tepër i kamufluar, sepse edhe vetë google-i i plotëfuqishëm dështoi në përpjekjen e nxjerrjes së ndonjë lajmi për këtë marshim mit-krijues wagnerian, me pishtarë dhe flamurë në Prizrenin natësor, që të bën t’i turresh me vrap Maqedonisë. Nëse ia doli që të ngjizej atë mbrëmje beharore, miti kombëtarist do të jetë ende embrional, në mos veç një ëndërr e një nate vere…

  3. Thënë sa më sipër, unë nuk besoj se shoqëritë shqiptare të sotme në Kosovë dhe në Shqipëri janë në gjendje të krijojnë ideale dhe mite të reja që mund ta ngrenë kombin në një stad më të lartë. Ne vetëm konsumojmë nga mitet e së shkuarës (Skënderbeu, lashtësia ilire etj.) ndërkohë që si individë dhe si shoqëri ne sot vrapojmë pas kulteve gjithëfarësh që na kënaqin nevojat dhe instinktet më bazike njerëzore – kulti i të fortit (i gaxhgaunit), i të Madhit, i trafikantit, i hedonistit dhe i falemi kryekultit të p a r a s ë – por ku idetë, idealet dhe mitet nuk luajnë më asnjë rol. Është kohë tranzicioni, tha.

    1. Vonesa në publikim vjen ngaqë vetë WordPress-i nuk i lë të kalojnë komentet që përmbajnë links, duke dyshuar se mund të jenë SPAM; prandaj edhe i vë automatikisht në moderim. Ashtu duhet t’i miratojë një moderator manualisht.

  4. Një shkrim shumë i hollë i autores së talentuar, që mëton përgëzime.

    Së fundi, a nuk mund të pranohet se, vërtet, M. Fouceault ka qenë bash në Prizren në protestat e vitit të famshëm 1968? [por jo aq edhe në 1984-tën e Orwell-it]?

    Ndoshta M. Fouceault “asht kenë përnjimend” [për ngjyrim po përdorim variantin katolik shkodran të foljes] i pranishëm në Prizrend përmes “gogolit” të Zefit të vocërr të Zadrimës, alias Zef Ndokë Simon Ndocit, lemun në katundin Fishtë me 23 tetor të vjetit 1871, dhe i pagëzuem si Gjergj i madh i Fishtës, nga mësuesi i vet edhe ma i madh Leonardo de Martino.

    Poeti i madh kombëtar, madje i propozuem me u ba i tillë edhe me ligj të Kuvendit të shtetit amë (përfytyroni sa absurde kishte me kenë sikur M. Foucault të çmohej në Francë me dekret apo me ligj), nuk mund ta pranonte praninë në Prizrend në vitin 2019 të migjenianëve veganë, pasues ëndërrimtarë të Millosh Gjergj Nikollës, i cili bash kishte capërlue mitin e madhështisë së pacenueshme të poezisë kombëtariste, dhe doemos kundërsllave (kujtojmë edhe Europën, kurvën e motit) të Zef Ndok Simonit të vocërr, alias Gjergj Fishta i madh!

    Ka “kenun”, pra, M Fouceault, i pranishëm në Prizrend, bash për me na kujtue se sa dam i bajmë vedit na shqyptarët, sidomos kur “rrnojmë” me mite të fryme e të stërfryme nga vetë ne, [“pse nuk ka muze të Zef Ndokë Simon Ndocit në Fishtë”, shkruante para do kohësh nji opinionist i shpeshtë në Tiranë, pa sjellë arsyen e vërtetë, që prona tashma asht e tjetërkujt, dhe shteti nuk ndërhyn dot].

Lini një Përgjigje te gjilpëraAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin