LETËRSIA E SOTME SHQIPE NË RRJET (I)

Në këtë hapësirë kemi folur shpesh për letërsinë shqipe bashkëkohore, librin dhe leximin, autorin dhe lexuesin; duke u dhënë përparësi problemeve, vështirësive, pengesave. Më pak i kemi kushtuar vëmendje krijimit, qarkullimit dhe konsumit të letërsisë në Internet dhe veçanërisht në rrjetet sociale. Jo sepse e kemi nënvlerësuar – si autor, unë jam kujdesur ta ruaj gjithnjë një prani në Facebook, veç pranisë tjetër, të natyrshme përmes “Peizazheve të fjalës”; por sepse letërsia në këtë medium vjen si risi dhe të gjithë ne, që reflektojmë për të, nuk i kemi ende mjetet e duhura teorike dhe metodologjike për ta analizuar.

Para se të masivizohej Interneti dhe Uebi 2.0, një autor ose do t’i botonte krijimet e veta në libra dhe shtyp – zakonisht revista letrare ose faqe letrare të gazetave – ose do t’i riprodhonte dorazi dhe do t’ua shpërndante pak miqve, për kënaqësi private. Në vija të trasha, botimi – si hallkë e pavarur në qarkullimin letrar – funksiononte edhe si filtri që, teorikisht, do të ndante shapin nga sheqeri; meqë dorëshkrimin e shihnin specialistë të ndryshëm (redaktorë, korrektorë), para se ky t’i shkonte lexuesit në dorë. Për këtë arsye, botimi përfaqësonte, në vetvete, një lloj certifikate cilësie për veprën, sa kohë që palë të treta e kishin gjykuar këtë si të denjë për lexim. Me përjashtim të shkrimtarëve të mirënjohur, të konfirmuar, zotër të fushës dhe të lexuesit, autorët e tjerë gjithnjë duhet të kujdeseshin për t’i dorëzuar shtëpisë botuese ose redaksisë së revistës një dorëshkrim të botueshëm dhe t’ia pranonin vetes mundësinë gjithnjë reale të mosbotimit.

Përhapja e pajisjeve elektronike dhe të app-eve të posaçme të leximit, por edhe nga rritja eksponenciale e numrit të lexuesve të ekraneve, u shkaktuan kokëçarje të mëdha ekonomike botuesve. Sikur të mos mjaftonte kjo, botimet në Shqipëri hynë në një fazë krize, të shkaktuar nga një kombinim problemesh për të cilat kemi folur. Shumë autorëve iu dha mundësia të botonin vepra pa fre, përkundrejt një pagese; por këto vepra nuk i lexonte kush, madje edhe kur dhuroheshin. U prish raporti sa midis librit dhe lexuesit, aq edhe midis librit dhe kritikës letrare; dhe shumë shtëpi botuese filluan të mos pranojnë më dorëshkrime nga autorë relativisht të panjohur.

E megjithatë, shtysa për të shkruar dhe për t’ua dhënë krijimet të tjerëve është më e fortë se çdo pengesë dhe ngecje në modelet standarde të qarkullimit letrar. Nëse librat e autorëve bashkëkohorë nuk shiteshin dhe nëse revistat letrare e kishin të vështirë ta mbanin kokën mbi ujë, uebi 2.0 dhe rrjetet sociale u ofruan – në momentin e duhur – si kamerdare shpëtimi për të gjithë ata autorë që, përndryshe, do të ndiheshin të dëshpëruar përballë tregut. Zgjidhja, sado e pjesshme dhe ekonomikisht e pambajtshme, erdhi nëpërmjet refuzimit të modelit të tregut dhe përqafimit të një modeli tjetër – atë të dhurimit të teksteve. Dhe kështu, Facebook-u, së bashku me sistemet satelitore të blogjeve letrare, revistave online dhe platformave të tjera të specializuara, filloi të shërbente edhe për t’i vënë në kontakt autorët me lexuesit, këtë herë pa ndërmjetësinë e institucioneve tradicionale të botimit.

Cilido prej nesh që ka një llogari në Facebook do t’i ketë parë postimet e shumta të teksteve me natyrë letrare – nga aforizmat dhe vinjetat, te poezitë dhe tregimet e shkurtra e më tej; edhe origjinale edhe të përkthyera. Për ta kuptuar se çfarë po ndodh pikërisht, modeli i thjeshtë autor/tekst/lexues tani nuk vlen më; sepse Facebook-u letrar si ekosistem ngërthen në vete një tipologji të larmishme edhe autorësh edhe lexuesish. Autorëve rrjeti social u ofron mundësinë për të arritur, në çast dhe falas, komunikimin me mijëra lexues; lexuesve mundësinë për të konsumuar, sërish në çast dhe falas, nga një meny letrare e larmishme. Unë si autor të dhuroj një copëz letrare, dhe ti si lexues më dhuron vëmendje. Kjo praktikë kërkon një platformë teknologjike të posaçme, për të funksionuar; e cila e ndikon marrëdhënien autor/lexues në një mijë mënyra: duke seleksionuar, duke prioritizuar, duke përforcuar feedback-un pozitiv, e kështu me radhë. Që praktika ka pasur sukses tregon, megjithatë, se të gjithë ata që përfshihen gjejnë diçka për të përfituar. Çështja, që po dua ta trajtoj në këtë dossier, e cila besoj do të vazhdojë me disa shkrime të njëpasnjëshme, është nëse ky sukses, përveçse psikologjik, është edhe letrar.

Siç e thashë, prapa modelit ku unë postoj një copëz letrare dhe që një mik imi (friend) në FB e lexon, qëndron një tipologji e larmishme. Në vijim po përpiqem ta zbërthej këtë tipologji, duke u nisur nga statusi letrar i autorëve dhe natyra e teksteve të publikuara.

  1. Tekste të botuara tashmë në libra ose gjetiu, të cilat autorët i sjellin për të promovuar librat e tyre, ose për t’u dhënë lexuesve një shije të çfarë i pret në libër: p.sh. një fragment romani.
  2. Tekste ende të pabotuara, por që po bëhen gati të botohen në një libër dhe që autori i nxjerr si teasers, ose për ta mbajtur të gjallë pritjen e lexuesve, për librin që do të dalë herët a vonë.
  3. Tekste të pabotuara, nga një autor përndryshe i botuar; dhe që nuk është e thënë të jenë krijuar për t’u botuar përtej hapësirës online.
  4. Tekste të pabotuara nga autorë që nuk kanë botuar gjetiu dhe që janë ende në kërkim të librit të tyre të parë; në kuptimin që ende synojnë të kenë, herët a vonë, një libër.
  5. Tekste nga autorë që ndihen mirë në Facebook (ose në çdo rrjet tjetër social a hapësirë tjetër virtuale) dhe që mjaftohen me postimin në Internet. Këta autorë janë zakonisht digital natives dhe e shohin si “të huaj” botën e editorisë dhe të librit.

Si autor veprash fiction (Maks Gjerazi, Bolero, dy vëllimet e z. Shyti) aktiv prej gati 20 vjetësh në Internetin shqip dhe në rrjetet sociale, unë i kam provuar të pesë llojet e mësipërme – meqë edhe kam nxjerrë në rrjet tekste tashmë të botuara (Bolero), edhe kam nxjerrë një numër të madh teasers të pabotuar për vepra në proces botimi (z. Shyti), edhe kam postuar rregullisht tekste pa e pasur ende një plan të mirëfilltë botimi (Maks Gjerazi) por që më pas janë botuar, edhe kam postuar tekste (poezi, përkthime) të cilat nuk është se kam ndërmend t’i botoj si libër – edhe pse nuk i dihet. Megjithatë, jam i vetëdijshëm se përvoja ime me rrjetin kufizohet nga formimi dhe pritjet e mia specifike, si autor i një brezi të caktuar, themelisht i lidhur me botimin tradicional – pa çka se mundësia për të publikuar lirisht online më ka ndërmjetësuar edhe librat e botuar.

Në këto rrethana, hyra në kontakt me një numër miqsh dhe kolegësh të cilët i postojnë krijimet e tyre dhe përkthimet e tyre letrare në Facebook, për t’i pyetur se çfarë marrëdhëniesh kanë me rrjetet dhe publikimet online dhe si ndikojnë këto në krijimtarinë e tyre. I përzgjodha të anketuarit në bazë kriteresh subjektive – miqësisë, vlerësimit që kam për krijimtarinë e tyre, shpeshtësisë me të cilën më dalin përpara postimet e tyre, e kështu me radhë; por gjithnjë duke u përpjekur të ruaj një drejtpeshim midis kategorive të autorëve (të njohur, më pak të njohur, të botuar, të pabotuar, etj.) dhe duke u kujdesur të marr mendimin e llojeve të ndryshme të autorëve. Prurjet e tyre do t’i sjell, të komentuara, në pjesët e ardhshme të kësaj eseje, me bindjen se ashtu do të kemi, të gjithë, një ide më të plotë për këtë dukuri të re, që është komunikimi letrar në rrjetet sociale dhe, në përgjithësi, online.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin