NJË BABË DEMOKRATIK

Gjesti i fundit i Presidentit të Republikës – i ashtuquajturi “zhdekretim” i zgjedhjeve – përveçse e futi e shtetin në një krizë të re të thellë, u shoqërua edhe nga një shpërthim i pashembullt mllefesh, talljesh dhe lapërdhish në mediat dhe rrjetet sociale, kundër Ilir Metës.

Kemi diskutuar nëse ky “zhdekretim” kishte apo jo kuptim juridik dhe për pasojat e kësaj gafe të mundshme në statusin e Presidentit.

Por tani po dua të vë në dukje se, duke parë reagimet e palëve dhe të qytetarëve, shoqëria shqiptare në tërësi (përfshi edhe klasën politike) dhe opinioni publik nuk tregon respektin e duhur për figurën e Presidentit të Republikës dhe rregullisht e ngatërron këtë figurë me personin fizik që qëllon të jetë zgjedhur në atë post.

Përdhosja e Ilir Metës është, në fakt dhe nga çdo anë, përdhosje e shtetit.

Këtë që po ndodh me Ilir Metën e kemi parë dhe dëgjuar të ndodhë më parë me Bujar Nishanin, Bamir Topin, Alfred Moisiun dhe kështu me radhë; të gjithë presidentë të republikës të zgjedhur dhe të gjithë të përqeshur, nga politika dhe nga publiku.

Me sa duket, shoqëria shqiptare nuk arrin ta pranojë këtë lloj organizimi të majës së shtetit, që sanksionon Kushtetuta.

Thonë se projektuesit e parqeve i lënë ndonjëherë pa shtruar rrugicat mes lëndinave, për të parë se ku do të kalojnë njerëzit; dhe vetëm më pas i shtrojnë, duke ndjekur shtigjet e rrahura prej këmbëve.

“Parku” i Kushtetutës së sotme është sa rezultat i kompromiseve mendjevogla të partive politike, aq edhe kopjim kushtetutash nga vende të tjera, me tradita sociale dhe kulturore të tjera nga tonat.

Ata që thonë se “kushtetuta është e mirë”, harrojnë se kjo “e mirë” është relative; dhe se një kushtetutë e mirë duhet edhe të respektojë traditën e shtetit përkatës, aq edhe të respektohet prej shtetasve.

Trajtimi që i bëhet Presidentit të Republikës Ilir Meta në mediat është i papranueshëm; pa çka se personi Ilir Meta mund të jetë zgjedhur në atë post pas marrëveshjesh të paprincipta mes palëve ose edhe mes individëve me pushtet real në Shqipëri.

Aq më e rëndë është kur sheh se kundër këtij njeriu janë lëshuar pikërisht ata që e vendosën në post: çfarë është tallje edhe me shtetin, edhe me qytetarët. Është edhe kjo përdhosje e shtetit, nga ana e politikanëve. Të thuash se zgjedhësit e Metës qëllimisht donin një President të dobët!

Nëse shoqëria shqiptare nuk ka kapacitet të respektojë një figurë kushtetuese së cilës ky respekt i gjithanshëm ia përcakton thelbin, atëherë ky President, me këto kompetenca që ka dhe me mënyrën si zgjidhet, nuk vlen për Shqipërinë.

Prandaj ndoshta është koha për ta menduar seriozisht mundësinë e një kushtetute të re dhe të një republike të re; në kuptimin që Shqipëria të jetë Republikë Presidenciale dhe Presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Nëse shqiptarët po sillen politikisht në mënyrë të tillë, që ta tregojnë hapur se njohin vetëm lidershipin individual të pakontestuar – të cilin tani e mishëron figura e kryeministrit – atëherë le t’ia kursejmë shtetit dhe vetë qytetarëve energjitë e humbura me konfliktet President/Parlament/Qeveri.

Nëse presidencializmi do të ndihmonte edhe për të dobësuar partitokracinë, aq më mirë. Nëse presidencializmi do të ndihmonte për ta tkurrur politikën nga vëmendja e qytetarëve dhe sidomos e publikut të mediave, aq më mirë.

Vëreni çfarë po ndodh prej muajsh në Shqipëri: një grusht njerëzish, në përgjithësi të pashijshëm dhe që nuk do t’i doje t’i kishe as në lagje, e kanë kapur peng vëmendjen e njerëzve, duke i detyruar këta t’i ndjekin, 24 orë në ditë, në kacafytjet e tyre për pushtet.

Sot pushteti në Shqipëri është de facto në duart e një njeriu të vetëm, Edi Ramës; edhe pse Kushtetuta nuk ia jep kryeministrit një pushtet të tillë. Askujt nuk duket t’i bëjë përshtypje kjo – sa kohë që opozita thjesht kërkon ta rrëzojë Ramën, për ta zëvendësuar me një të vetin; ndërsa të dyja palët “ndërluftuese” i bashkon me ngazëllim përbuzja për pushtetin soft të Presidentit të Republikës.

Prandaj ndoshta është koha për të menduar për një asamble kushtetuese, e cila t’i japë shtetit shqiptar një ligj të tillë, që të adresojë të gjitha dështimet praktike të ligjit themeltar të mëparshëm.

Le të marrin, pra, qytetarët e Shqipërisë dhe shteti i mitur shqiptar atë për çfarë paskan mirëfilli nevojë: një babë demokratik.

© Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

2 Komente

  1. Nje nga avantazhet do te ishte kufizimi i mandateve ne dy, gje qe nuk eshte per tu hedhur poshte, po te kemi parasysh se makthi i mandatit te trete e nxjerr rregullisht opoziten ne rruge qe ne mandatin e dyte.
    Pak a shume induksioni politik do te thoshte keshtu, Rama e humbet pushtetin pas dy vjetesh, kushdo qe e merr, do te vjedhe sa ti duhen per te marre mandatin e dyte, Rama apo kush pas tij, do te dale ne rruge per te mos lejuar nje mandat te trete.
    Qendrimi ne krye te partive per me shume se dy mandate ben me te qendrueshem mekanizmin e kopsitjes se votave dhe ben me te kercenueshem kreret partiake edhe per institucionet e drejtesise, meqenese pas 8 vjetesh opozite mund te merret mandati i trete dhe te ndodhe hakmarrja.

    Riciklimi i shpejte i ekzekutivit eshte i domosdoshem, sepse ekzekutivi eshte gjithnje me i forte se legjislativi dhe gjyqesori. Edhe sikur ta quajme vendin Republike Gjyqesore, prape ekzekutivi do te jete me i forti.

    Nje nga arsyet qe keta jane te gjithe ne rregull me Rep. Parlamentare dhe jane kunder presidencializmit eshte se cdokush e di qe ne parlamentarizem ka mundesi te dale ne pension duke qene ne krye te partise.
    Kjo jetegjatesi eshte me leverdi edhe per ata qe jane poshte, meqe e kane te sigurte qe nje besnikeri ndaj nje individi politikisht afatgjate do te jete garancia me e mire per karrierat e benefite te tjera.

    Praktika e perqendrimit te metejshem te pushtetit prej Kryeministrit gjate mandatit te dyte duket e arsyeshme ne funksion te mandatit te trete. Renia e mbeshtjetjes dhe entuziazmit eshte fiziologjike pas 8 vjetesh ne pushtet, keshtu qe mekanizmi i kopsitjes se votave duhet te jete i persosur, gje qe behet me mire nepermjet nje hierarkizimi te qarte e thuajse ushtarak. Nga ana tjeter, pas 8 vjetesh pushtet, cfare mund te votohet eshte Individi/Kryeministri, sepse askush nuk beson me tek stafi apo programi qeverises.

    Pra njerezit nuk do ta votonin me Kryeministrin per nje mandat te trete radhazi, sepse kryetar i partise, me nje staf te mire e program te shkelqyer, qe do te beje reforma te tjera, por do ta votonin per Mbret, pra ne emer te sigurise e garancise se nje vijueshmerie te rendit te gjerave.

    Ne Shqiperi nuk mund te votohesh per Mbret nqs nuk paraqitesh si fuqiplote. Keshtu Rames i duhen te gjitha pushtetet e mundshme dhe socialistet do ta mbeshtetin kunder cdo principi te mundshem demokratik, ne emer te sigurise dhe garancise se vijueshmerise te rendit te gjerave,

  2. “Me sa duket, shoqëria shqiptare nuk arrin ta pranojë këtë lloj organizimi të majës së shtetit, që sanksionon Kushtetuta.”

    dhe si ta pranoje kur presidenti ne twitter ben trolling duke publikuar video te enver hoxhes?

    presidenti! perfaqesuesi i shtetit dhe i unitetit kombetar! prfisni kur te nxjerre dhe ndonje meme!

Lini një Përgjigje te Dies IraeAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin