RADIOGRAFI ZËRASH

Po dyshoj fort se çfarë po ndodh këto ditë, me publikimin e disa regjistrimeve nga tabloidi gjerman “Bild” (e ashtuquajtura electiongate) i ka shumë atribute të një PSYOP-i (psychological operation).

Te Wikipedia gjej këtë përkufizim të PSYOPS: operacione që synojnë t’i përcjellin informacion të përzgjedhur publikut, për të ndikuar në emocionet, motivet dhe arsyetimin objektiv dhe, në analizë të fundit, sjelljen e qeverive, organizatave, grupeve dhe individëve.[1]

(Meqë burimi i materialeve të regjistruara mbetet, në rastin e tanishëm në Shqipëri, i paqartë, kjo që po ndodh do të klasifikohej si PSYOP gri.)

Impakti i këtyre regjistrimeve në opinion e tejkalon jo vetëm informacionin e ri që ato i japin publikut, por edhe informacionin që mund të nxirret prej tyre në mënyrë objektive.

Publiku jo gjithnjë arrin të mbajë parasysh se bëhet fjalë për regjistrime të paverifikuara, me legjitimitet të diskutueshëm, por që po i jepen në shkelje flagrante të ligjit; dhe sidomos, që këto regjistrime janë vetëm një pjesë e vogël dhe e përzgjedhur, e materialeve në dosjet përkatëse.

Si edhe në rastin e “Babales”, kushdo që po e drejton këtë operacion synon të provokojë ose të paktën të përshpejtojë ndryshime në rendin politik ekzistues nëpërmjet manipulimit të opinionit publik dhe sugjestionimit të elitave.

Momenti se kur u bënë publike këto leaks përkon me shkallëzimin e protestave të opozitës pas djegies së mandateve prej deputetëve të saj dhe të përpjekjeve të presidentit Meta për t’i anuluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Mund të mendohet, pa rënë në konspiracionizëm, se bëhet fjalë për veprime të bashkërenduara.

Nëse regjistrimet mund të besohen deri në fund, fushata zgjedhore e PS-së rezulton shumë problematike, para-mafioze, në mos me shkelje flagrante të ligjit dhe të fair play demokratike. Por edhe dhënia e këtyre regjistrimeve një gazete gjermane për publikim është po aq shkelje e ligjit, në mos e kushtetutës.

Të gjitha këto ndodhin në një atmosferë krize politike dhe kushtetuese, ku institucionet kryesore të shtetit janë ose të paralizuara, ose krejt të çorientuara; dhe ku po mungojnë deri edhe strukturat kushtetuese minimale të ndërhyrjes në raste të jashtëzakonshme.

Pas paralizës së gjyqësorit dhe të Gjykatës Kushtetuese, e kishte radhën Parlamenti të gjymtohej nga djegia e mandateve dhe pastaj Presidenti, që të dilte kundër vetes. Në krahasim me të gjitha këto, publikimi i regjistrimeve nga “Bild” mund të duket si gjë e vogël, por që vjen i amplifikuar nga vetë histeria kolektive e momentit.

Nuk mund ta bësh publikun me faj, që nuk arrin të vlerësojë objektivisht se çfarë përfaqësojnë tamam këto regjistrime.

Nëse PS-ja dhe strukturat qeverisëse, në qendër dhe në bazë, e kanë ndarë pushtetin me organizatat parakriminale dhe kriminale, siç dyshohet dhe akuzohet gjerësisht, kjo nuk mund të provohet nga regjistrimet e botuara nga Bild. Është diçka që publiku edhe e di, edhe nuk e di; një informacion i pranuar dhe i mbajtur pezull, midis konfirmimit dhe përgënjeshtrimit.

Rruga e vetme për ta provuar këtë bindshëm, është ajo e gjykatës.

Problemi më i madh i opozitës nuk është PS-ja, as koluzioni i pushtetit me krimin; por fakti që ajo, opozita, nuk i ka liderët e duhur dhe as kapacitetet e duhura politike, për t’u mobilizuar dhe për ta fituar luftën politike në kutitë e votimit.

(Ky është edhe problemi më i madh i PS-së – mungesa e një kundërshtari politik solid dhe serioz.)

Këtë problem opozita nuk mund ta zgjidhë dhe madje as ta maskojë me marifete mediatike, si kjo e rrjedhjes së bisedave telefonike mes qehallarëve të PS-së. Argumenti se “ky (Rama) i ka kapur të gjitha dhe nuk të lë” është argumenti i humbësit.

Përndryshe, edhe sikur regjistrimet e Bild-it të përmbanin një smoking gun, kjo nuk është se do t’ua shtonte njerëzve besimin se opozita është “ndryshe nga këta”. Mjafton një arsyetim gjakftohtë, për të nxjerrë përfundimin se vullneti për të ndërhyrë në ecurinë e zgjedhjeve ka të bëjë me deficitin moral të klasës sonë politike në tërësi; dhe të mospajtimit midis sistemit republikan, liberal, pluralist dhe demokratik që sugjeron Kushtetuta nga njëra anë, dhe instinkteve politike të shqiptarit të sotëm në pushtet, i cili përgjithësisht nuk e ndien obligimin moral për shërbim publik.

Dhe kur imperativi moral mungon, nuk ka transparencë, të vullnetshme ose të siguruar nga një palë e tretë (përgjimi) që ta kompensojë këtë gjymtim moral të politikës; sepse për nga vetë natyra e saj, politika nuk mund të funksionojë, përveçse si një ekuilibër dinamik mes publikes dhe jo-publikes, asaj që thuhet hapur dhe asaj që mbahet e fshehtë, skenës dhe prapaskenës.

Nëse zhvillimet e tanishme, përfshi edhe psyops, do të kishin një efekt pozitiv, ky nuk mund të jetë veçse forcimi i bindjes, në publik, se Shqipëria ka nevojë për më pak qeveri, më pak politikë, më pak ushtrim kapilar të pushtetit nga ana e një elite, sidomos kur kjo elitë është kaq profesionalisht dhe etikisht e padenjë sa kjo e tanishmja. Në kuptimin që, pikërisht tani, duhen gjetur mënyra kushtetuese dhe thjesht politike, për të mos e lejuar elitën drejtuese që të dëmtojë aq sa ç’do të kish dashur.

Përndryshe, fushatistët politikë të së nesërmes thjesht do të urdhërohen t’i bëjnë bisedat e tyre në Whatsapp, i cili ofron enkriptim më të sigurt.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Përkufizimi është i psyops të ndërmarra nga ushtarakët; por asgjë nuk më pengon që ta përshtat për rastin tonë; aq më tepër kur nuk mund të përjashtoj interesin dhe rolin e ndonjë agjenture të huaj në destabilizimin e tanishëm të Shqipërisë.

13 Komente

  1. Bild i publikon se e ka ne agjende ti nxjerre gjithcka jashte Gjermanise si te korruptuar e mafioze, se ate lexues ka (te djathte, ksenofob, injorant). Vec qe publikimi i bisedave ne anglisht duket qe synim eshte audienca jo ne Gjermani. Ose ndoshta se shpejti do te vine ne Shqiperi, Kosove e Maqedoni me ndonje gazete bulevardi te tyren.

    Qe regjistrimet jane problematike dhe tregojne rrumpallen institucionale, kete nuk e mohojne tjerrjet, spinning, e PS. Une them se keto i dhane dermen e fundit imazhit te Rames. Po meqe ne Shqiperi kane ngelur kryesisht pleqte dhe te rinjte pinjolle te ish-kuadrit te regjimit te kaluar, keto fakte mbi blerjen e votave dhe ndikimin e bandave nuk do te kene asnje pasoje. PS do te fitoje zgjedhjet e populli do te vazhdoje te tkurret deri sa te te filloje kriza e pensioneve, banesave etj. Shqiperia do te deklaroje faliment e me aq mbyllet kapitulli i shkurter i pavaresise. Vec nese keta te Vetevendosjes ne Tirane do te rigjallerojne shpresen e andaj fillon cikli serish.

    1. Cikel serish nen parimin e perpetuum mobile nuk ka! Duhet nje energji e jashteme, apo e brendshme e pazbuluar ose e pa rritur deri me tani, qe cikli te rinise. Cikli vazhdon, por duket drejt fundit. Cfare ngelet, eshte pyetja e madhe: kush do vij me pas? Dhe kjo ben qe njerezit te besojne se cikli do vazhdoje edhe ca, edhe kur ai ne fakt ka nisur te xhiroje kot.

  2. Nuk arrij te kuptoj dicka: cfare quhet Publik? D.m.th cfare e konstituon Publikun ne Shqiperi?

    Pyes meqenese ne shkrim thuhet se “Nuk mund ta bësh publikun me faj, që nuk arrin të vlerësojë objektivisht se çfarë përfaqësojnë tamam këto regjistrime”.

    Askush nuk po gjykon ne histeri kolektive kryeministrin apo ministrat dhe as po i lincon kush. Publiku ne Shqiperi, sipas asaj qe mendoj une se kuptohet ne shkrim, eshte indiferent tashme. Nuk befasohet, as kapet mat nga skandale te kesaj natyre. Pasi pergjimi dhe publikimi i tyre jane asgje me shume se nje libret i nje bindjeje se politika dhe krimi jane nje. Pak rendesi ka nese teknikisht keto pergjime apo te tjera e bejne me faj apo me me pak faj, kryeministrin, ministrin apo deputetin. Ato jane thjesht konfirmime te asaj qe “publiku” e di tanime.

    Politika po zhvishet lakuriq pikerisht sepse ka shtyre tutje piken kritike te skandalit per veten dhe per menyren si ushtron pushtetin. Asgje me teper.

    Nga ana tjeter, pergjimet nuk i ka pergenjeshtruar kush. Ato kane 3 vjet ne dispozicion te prokurorise. E cila as mbyll hetimet dhe as ecen perpara. Pra rruga e gjykates eshte shmangur nga politika. Prokuroria ka nisur hetim per nxjerrje sekreti qekurse keto materiale(per Durresin) rrodhen ne Zerin e Amerikes dhe prape nuk ka rezultat.

    A eshte shpifje dhe keqdashje po te them se ky bllokim hetimor eshte i qellimshem?
    Nga ana tjeter pyesim: a nuk ishte Gjykata e Larte qe e nxori te pafajshem Ilir Meten nga pergjimi me Dritan Priftin? Sigurisht qe nuk e ka vene kush ne diskutim ate vendim, por ja qe edhe Bibla ndonjehere pergenjeshtrohet nga vegimet apo endrrat.

    Po i kthehem pyetjes se fillimit: cfare quhet publik? Po publiku i brendshem socialist, ai qe rekrutohet per te votuar dhe gjykuar valle nuk ka pergjegjesi se ka lejuar te korruptohet duke heshtur dhe te inkrimohet duke bere sikur nuk e di se me ke po siguron votat?
    A nuk eshte vota per nje te inkriminuar akt i vetedijshem korrupsioni?

    E perseris: per aq sa e shoh une, nuk ka histeri kolektive. Per here te pare nje pjese e madhe qytetaresh nuk mobilizohen emocionalisht nga kjo qe po shohin. Jo sepse nuk e duan vendin, por sepse eshte naive te kapesh ne befasi pse hajdutet jane filmuar duke vjedhur.

    1. Ke te drejte persa i takon publikut. Publiku i PS nuk habitet aspak e i duket normale, se te gjithe vjedhin e bejne, ashtu si publiku i LSI-se e PD-se, pas mbeshtetjes qe i dha Saliu Metes, nuk u habiten aspak per bllokun e Metes, se ata jane te gjithe me bllok ne dore. Puna eshte se per bllokun e Metes, publiku i PS-se doli ne protesta dhe Rama tha qe perballe bllokut me ze e figure une nuk mbaj pergjegjesi per cfare mund te beje “populli” ndaj qeverise. Mua me duket se publiku i PD-se dhe LSI kane te njejtin legjitimitet qe pati publiku i PS-se ne janar 2011. Shperfillja e plote e skandaleve tregon qe publiket perkates nuk e cajne koken as per demokracine, as per ligjin, as per voten, as per korrupsionin, pra qe konceptet e demokracise dhe shtetit ligjor jane pune angari dhe votuesit jane thjesht hipokrite dylekesh, se ka edhe hipokrizi me klas.

    2. Shkruan:

      Nuk arrij te kuptoj dicka: cfare quhet Publik? D.m.th cfare e konstituon Publikun ne Shqiperi?

      Në kontekstin e shkrimit më lart, me publik kam parasysh të gjithë ata që e marrin informacionin nga mass mediat e Tiranës.

        1. Vetëm një elitë intelektuale në Shqipëri e lexon Bild-in (pun intended). Dhe, gjithsesi, materialet edhe të Bild-it edhe të Zërit të Amerikës iu përcollën publikut të konfeksionuara nga mediat e Tiranës. Nga sa shoh unë, këto media shërbyen si megafon, por jo më shumë – duke i marrë lajmet që media të huaja i kishin përgatitur për publikët e tyre dhe duke ia sjellë këtij tonit, i cili gjithnjë supozohet si omnivor, ose si një lloj grope septike. Mediat – pavarësisht se quhen kështu – nuk ndërmjetësuan, por vetëm sa bënë korrierin, me zell prej kalamani; dhe nuk e kam fjalën për muhabetet që bëhen darkave në kafenetë televizive, të cilat janë diçka midis histerisë dhe teatrit absurd. Normalisht, do të priteshin analiza, do të kishte gazetarë që do të shkonin të bënin reportazhe në zonat e dyshuara për shitje votash, të tjerë që do të intervistonin juristë, të tjerë akoma që do të prezantonin – bie fjala – gazetën “Bild” te publiku, të tjerë që do të shpjegonin se pse u zgjodh pikërisht kjo “Bild” për këtë punë, të tjerë që do të përshkruanin kontekstin e këtyre përgjimeve – duke filluar nga datat, kronologjia, prokurorët që i urdhëruan dhe natyrën e dosjeve, të tjerë që… Besoj se nuk ka nevojë të vazhdoj; edhe ngaqë tani po flas për gazetarinë, ndërsa muhabeti ishte për mediat – dy gjëra të ndryshme dhe, në rastin e Tiranës, shpesh të papajtueshme.

  3. Ka disa arsye qe pergjimet jane autentike. Pjerin Ndreu nderhyri tek Opinioni dhe tha qe kishte te drejte qe kishte kerkuar deklarimin e hapur te votes nga drejtori i shkolles pasi ai ishte kryetar i PS-se. Nuk e ka kuptuar qe me ligj nuk shtrengohet as Edi Rama te deklaroje voten e vet. Gjiknuri tha vetem qe ishin muhabete miqsh, por nuk kontestoi gjerat e thena si te paverteta. Rama tha se ashtu ai flet me qindra drejtore fushatash, po jane nxjerre fjalet nga konteksti. Tahiti kerkoi publikisht falje per fjalorin e perdorur duke konfirmuar keshtu autenticitetin per pjesen e vet. Pra 4 te interesuarit e PS-se, nuk kane kontestuar autenticitetin e atyre qe kane thene tek pergjimet. Me duket e tepert qe te mos dyshoje i pergjuari po te dyshojme ne te tjeret, duket si anomali logjike. I bie qe i zoti e shet, tellalli nuk e jep.

  4. Ajo që të intrigon është se këta e dinin që përgjoheshin, dhe përsëri nuk e ςαήiή tραπin (pun intended).

    Me sa duket Dhori Sallaku i ka pas përdorur përgjimet për presion, jo për hetime. Këta duhet të kenë pasur shumë siguri se ato nuk do shkonin ndonjëherë në gjykatë. Mos harrojmë se për ta neutralizuar, për Dhorin u përdor Ambasada Amerikane.

    Po ashtu, nuk e di nëse është e qartë për publikun se këto përgjime nuk vlejnë më në gjykatë si prova sepse u kanë kaluar afatet proceduriale? Të paktën çështja e Dibrës që po ndjekim tani. Që këto përfunduan në Bild, është më mirë, them unë, se të përfundonin në recycle bin.

    Përndryshe shtypi i lirë ka qënë gjithmonë disa hapa para organeve të luftës kundër krimit, si për denoncimin dhe ndëshkimin e tij. Dhe në vënde me sistem drejtësie shumë herë më superiore si Amerika (Watergate).

    Në historitë e përmendura,të paktën rasti Babale, mund të konsiderohet si investigim i mirëfilltë gazetaresk, për aq mundësi sa ka një gazetar në Shqipëri. Që doli nga dyert e opozitës është e kuptueshme, sepse i kundërvihej Ministrit të Brendshëm, dhe dikujt me eksperiencë në prokurorinë e Enver Hoxhës. Dhe ky investigim një rezultat e pati – një kriminel që endej i lirë në qytet shkoi më në fund të kryente dënimin e vet. Dënim ky i dhënë nga një institucion shumë herë më i besueshëm se institucionet shqiptare. Që propaganda e Rilindjes ka bërë të vetën për ta minimizuar rastin “Babale”, i cili në fakt duhej të quej me emrin “Xhafa” sipas mbiemrit të kriminelit të vërtet që përfundoi pas hekurave, është fatkeqësi.

    Meqënëse jemi duke folur për elita, edhe të heshtura, e mban mënd më njeri emrin e gazetarit që rrezikoi çdo gjë dhe shkoi në Vlorë të kryente përgjimin?

  5. Nuk e kam ndjekur regjistrimin e pare te BILD-it, as ato te Babales nuk e di pse bejne fjale. Por sot degjova regjistrimin e sapo dale. Nga pikpamja ligjore nuk pashe as edhe nje element krimi dhe kundra-vajtje. Pra, nuk duket gjekundi nje pohim per manipulim votash. Por nga ana etike dhe morale do thoja se mu duk sikur po flisnin ca sarhoshe mejtanesh, ca me turp per Sajmir Tahirin, qe flet me keq se llumi i Tiranes: as mos e caj k… , i thote dikujt ne telefon. Duke degjuar keta lloj sarhoshesh, qe drejtojne shtetin shqiptar, se si flasin dhe komunikojne, kupton pse nga PS-ja nuk dalin me njerez te tjere per ta drejtuar kete vend. Njerezit e drejte e te ndershem nuk kane me guximin te dalin ne mejdan, e s’kane si te dalin se jane pak, ndersa llumi po e zapton te gjithe vendin.

    1. Imer apo Ymer Lala nxori vajzen e vet deputete me siglen e PDIU-se, kur ne Diber ska asnje kokerr cami. Eshte kopsites votash. Si i kopsit shihet tek te meparshmet. Nga keta kopsitesit me interesanti per mua ka qene Dritan Prifti. Ky kishte ringjallur modelin feudal ne Myzeqe. Ne kohen e pare beu i jepte cifciut nje lope, ky i detyrohej beut gjysmen e qumeshtit dhe gjysmen e vicave. Kurse Dritan Prifti jepte lopen per nje vit, fshatari mbante qumeshtin dhe vicin, por ne krye te vitit i dorezonte Dritanit lopen, te cile Dritani ia jepte dikujt tjeter per nje vit. Keshtu fshatari te vetmin detyrim kishte votat e familjes, kur ti duheshin Dritanit. Eshte edhe per tu gajasur edhe per te qare, po Dritanit i funksiononte sistemi feudal dhe njerezia ishin te kenaqur. Sa per fjalorin, ky fshat kete bulmet ka. Mund te ishin kursyer ca ne rruajtje.

  6. Ngjan sikur publikimi i pergjimeve – patjeter shkelje – ka cenuar te Verteten e Zgjedhjeve te vitit 2017, edhe pse me aq sa marr vesh une nga publiku, “bindja” eshte se z. Rama fiton serish.

  7. Ne qofte se mbeshtetemi te gjykatat shqiptare per te provuar bindshem ne PS-ja eshte organizate kriminale (jo vetem ndan pushtetin me te tilla), atehere do mbeshtetemi te gjykatat qe Ilir Meten e kane nxjerre te paster si kristali nga akuzat per korrupsion me nje vendim 5 pro e 0 kunder.

Lini një Përgjigje te n!Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin