MJEKIMI SI ART

Te një artikull i Jerome Groopman në The New Yorker (The Troubled History of Psychiatry), ku përshkruhet edhe efekti terapeutik i barnave psikotrope duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XX, lexoj mes të tjerash këtë thënie që, sado pa dashur, më jep një pamje, sado të pjesshme, të psikiatrisë në të ardhmen:

Për një psikiatër, të japë një recetë mbetet po aq art sa edhe shkencë.

(For a psychiatrist, writing a prescription remains as much an art as a science.)

Përkufizimi i mjekësisë në përgjithësi, dhe i psikiatrisë në veçanti si art gjithnjë më ka tërhequr; po aq sa ç’më ka trembur dhe më tremb përkufizimi i mjekësisë në përgjithësi dhe i psikiatrisë në veçanti si shkencë; dhe kjo jo thjesht ngaqë për trupin dhe mendjen nuk dimë pothuajse asgjë.

Por, kur vjen puna te psikiatria, mendoj se barnat e ndryshme në dispozicion të mjekut ndryshojnë, secila, një parametër të caktuar në biokiminë e trurit; nivelet e një neutransmetuesi, një enzime a të një lënde të ngjashme, madje edhe atëherë kur çdo ndërhyrje nga jashtë do të sjellë detyrimisht një pështjellim sistematik, të mendjes dhe të trupit, për të çuar – në rastin më fatlum – në një rivendosje të ekuilibrit.

Dhe kështu e përfytyroj psikiatrin – e së ardhmes – si piktorin; dhe të gjitha këto barna, që veprojnë veç e veç në përqendrimet e neurotransmetuesve, neurohormoneve dhe receptorëve, i përfytyroj si bojërat me të cilat ky piktor, edhe kur synon thjesht të rikthejë normalitetin në një vetëdije të turbulluar a të çakorduar, vetëm sa krijon imazhin e një mendjeje të re, për t’ia mbivendosur së vjetrës, me shpresë se ashtu do ta dëbojë.

Madje kjo do të vlente jo vetëm për psikiatrinë konvencionale, që përpiqet të ndërhyjë në mendje me rrugë kimike; por edhe për psikoterapinë, e cila – në daç e thellë, në daç e cekët – e rithemelon këtë mendje, ndonjëherë deri edhe pa e pretenduar se po restauron ndonjë normalitet të humbur. Edhe psikoterapeuti a psikanalisti modifikojnë, me mënyrat e tyre, kanavacën e mendjes, për ta mbuluar imazhin e vjetër me një të ri; gjithnjë me shpresë se i riu do të sjellë pak më shumë paqe ose dritë.

Dhe nëse akti i të mjekuarit është i ngjashëm me ndërhyrjen e artistit në realitet, atëherë edhe pacienti, pas kurës ose seancës psikoterapeutike ose psikanalizës, del që andej, njëfarëlloj, i transformuar në vepër arti dhe ashtu edhe i shtohet botës; pa çka se ky lloj arti ka për efekt estetik jo të bukurën, por vetëdijen e të sëmurit se diçka e mirë ka ndodhur brenda tij, një lloj kthjellimi ose rikthim i energjisë për të rikomunikuar me botën; ose edhe thjesht i fuqisë për t’u ngritur nga divani ose – në rastin ekstrem – nga balta.

Barnat psikotrope, SSRI-të dhe të ngjashmet me to, nuk do të kishin kështu më shumë vlerë – dhe prestigj – se bojërat që shiten në një dyqan materialesh për artistë; të njëjtat bojëra, në duar të ndryshme, mund të çojnë në kryevepra, sikurse mund të shndërrohen në katastrofa. Tek e fundit, mjek i mirë, dhe në veçanti psikiatër i mirë, nuk do të ishte ai me suksesin më të madh ndaj të sëmurëve, por ai që nuk do ta shpjegonte dot me argumente racionale suksesin e vet, sado të madh.

Analogjia me pikturën ndoshta funksionon më mirë se një analogji me muzikën; pa çka se mendjen nuk e përfytyrojmë dot veçse si një entitet që shtjellohet në rrjedhë të kohës. Ndoshta ngaqë, megjithë instancat e panumërta të mendjes, sërish jemi mësuar të identifikohemi me diçka të përbashkët që kanë këto instanca, ose që të paktën ua atribuojmë ne; atë që filozofët e kanë quajtur “identiteti i subjektit”. Dhe mjeku i mirë, si artist, arrin ta modifikojë këtë identitet në një mënyrë të tillë, që pacienti ta interpretojë modifikimin si restaurim; ose duke krijuar, në terapi e sipër, iluzionin e një normaliteti në të shkuarën, për t’u synuar. Të krijosh një mendje të re, e cila ka bindjen se ashtu është kthyer te vetja autentike – ja një mrekulli, a një vepër arti, që për fat të mirë politika dhe ideologjitë nuk e kanë arritur dot. Që këtej edhe mahnia e tyre, konstante, pas psikiatrisë.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin