HISTORI ROBËRISH

Para disa javësh, një ish-ushtarak i lartë i regjimit të Hoxhës dhe më pas i dënuar politik po prej atij regjimi, “gjenerali 100-vjeçar” Rrahman Parllaku, bisedoi me gazetarin Roland Qafoku në emisionin Debati në Channel One. I pyetur nga intervistuesi nëse kish vrarë kënd gjatë Luftës II, Parllaku u përgjigj kështu:

Si mund ta bësh këtë pyetje? Të vrasin dhe të mos vrasësh nuk shkon. Të jesh në luftë dhe të mos vrasësh nuk ka kuptim. Në luftë të vrasin dhe do vrasësh. Rusët thoshin: Vrite gjermanin se të vret. Një rast ishte ai kur kisha dy robër lufte gjermanë. I vrava sepse nuk kisha ku t’i çoja, nuk kisha ç’të bëja me ta.

I lexuar sot, ky pohim i çlirët i dikujt se ka vrarë dy robër lufte me gjak të ftohtë, “sepse nuk kisha ku t’i çoja” mirëfilli shqetëson. I lexuar sot, në kontekstin e një debati ekstrem dhe emocional, për “krimet komunizmit” dhe për rolin dhe statusin e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, pohimi të detyron të mendosh për “krimet” e Luftës.

Por le të bëjmë një hap prapa, dhe ta gjykojmë dëshminë e R.P. për çfarë është, jo për emocionin që na shkakton.

Vrasja e gjermanëve aty përligjet me “ligjin e luftës”: në luftë të vrasin e do të vrasësh. Edhe pse dy robërit gjermanë nuk janë vrarë në luftë e sipër, as me armë në dorë, as për të marrë hak, për ndonjë krim të tyrin specifik. R.P. e thotë shkoqur: i vrava se nuk dija ç’të bëja me ta. Në kuptimin që, nuk i lija dot të lirë, sepse do të ktheheshin të luftonin sërish kundër “nesh”; por edhe nuk kisha ku t’i çoj, sepse nuk kishte struktura (“kampe”) ku të grumbulloheshin robërit e luftës.

Le të kujtojmë, këtu, se robërit e luftës gjatë Luftës II Botërore duhej të trajtoheshin sipas Konventës së Gjenevës (të vitit 1929); por autoriteti të cilit i bindej R.P. (supozoj Fronti Na-Çl), nuk e kish nënshkruar dhe aq më pak ratifikuar këtë konventë (as Shqipëria e Paraluftës nuk më rezulton ta kish nënshkruar dhe as kam dëgjuar që italianët dhe gjermanët të rënë robër në Shqipëri gjatë Luftës t’i jenë referuar gjëkundi Konventës së Gjenevës për të kërkuar trajtim “njerëzor”). Nuk më rezulton as që autoritetet gjermane, në vitet 1943-1944, ta kenë zbatuar të njëjtën konventë ndaj ushtarakëve të Frontit Na-Çl që kapnin rob (por do ta kenë zbatuar, bie fjala, me ushtarakët anglezë; p.sh. me gjeneralin Edmund Frank Davies, që iu dorëzua gjermanëve pasi u plagos nga ballistët e Haziz Biçakut).

Atëherë si ta gjykojmë sot vrasjen e dy robërve gjermanë nga R.P.?

Vetë R.P. përmend natyrën e luftës, si arsye që e përligj vrasjen; çfarë edhe i referohet tërthorazi edhe të drejtës morale që të jep hakmarrja, aq më tepër në rrethanat e anomisë, ose kur nuk vepron ndonjë ligj tjetër: gjermanët në Shqipëri janë ushtri pushtuese dhe nuk ngurrojnë të vrasin, përfshi këtu edhe të pafajshëm, si raprezalje ndaj diçkaje që nuk u pëlqen. Të vrasë gjermanë është obligim politik i çdo shqiptari që lufton për çlirimin e Shqipërisë, përkrah aleatëve (Edhe ushtaraku britanik  Anthony Quayle, në kujtimet e tij për periudhën kur qëndroi në Shqipëri si pjesë e misionit aleat në zonën e Vlorës, shkruan se misioni i tij atje ishte to kill Germans – te “Eight Hours from England”, Heinemann, London 1945).

Meqë Konventa e Gjenevës nuk vepron ndaj R.P.-së dhe në mungesë të ndonjë direktive specifike nga komanda e UNÇL për trajtimin e robërve të luftës, fati i dy gjermanëve varet në fije të perit – dhe pikërisht, nga vlera e tyre e përdorimit. R.P., që me gjasë nuk ka qenë natyrë “vrastare”, do ta ketë parë likuidimin e dy robërve si zgjidhjen më praktike të mundshme.

Neve sot ajo vrasje mund të na duket si krim. Tek e fundit, ka pasur shumë raste të tjera, kur gjermanët e kapur rob prej forcave të UNÇL nuk janë vrarë, por janë trajtuar si të burgosur – siç tregon historiani Marenglen Kasmi në këtë artikull (Historia e robërve gjermanë të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri).

Madje jo vetëm: vrasja me gjak të ftohtë e dy personave të pambrojtur, aq më tepër “në besën” tënde, duket sikur nuk ka nevojë për ligjin përkatës, që të quhet krim.

Në dëshminë e vet, R.P. nuk përmend nëse vendimin për t’i vrarë ata dy gjermanët ia ka kërkuar ndonjë gjykate ushtarake, qoftë kjo edhe e improvizuar. Njihen raste kur gjykata të tilla, qoftë edhe me status juridik shumë të dyshimtë, kanë marrë vendime për pushkatim jo vetëm të armiqve të kapur rob, por edhe të vetë luftëtarëve të UNÇL, nëse këta kishin bërë shkelje të rënda.

Duket sikur vendimin e ka marrë R.P. vetë, çfarë konfirmon statusin fare të ulët që kishin robërit e luftës, kundrejt autoritetit të Frontit Na-Çl.

Megjithatë, sado që ta refuzojmë moralisht aktin e R.P., nuk mund ta gjykojmë dot si krim; jo sepse nuk ka qenë i tillë, por sepse, për një ngjarje kaq të larguar në kohë dhe me ngarkesë politike dhe ushtarake, këtë mund ta bëjë vetëm një gjykatës.

Veçanërisht për akte të kryera në rrethanat e vështira të Luftës, ku agjencitë janë në modalitet mbijetese dhe ku ndërveprimi me Tjetrin shpesh realizohet nëpërmjet plumbit, krimi ka nevojë për një gjykatës a një gjykatë a një autoritet tjetër juridik për t’u ftilluar më pas; sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje, për të cilat i vetmi ndëshkim që mund të jepet sot, është t’i përcaktosh si krime dhe autorët e tyre si kriminelë.

Këtu vetvetiu vjen në vështrim edhe roli i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit; i cili, siç thuhet në faqen e vet zyrtare,

“ka për detyrë të studiojë dhe të vlerësojë objektivisht krimet dhe dëmet e komunizmit në Shqipëri, t’i zbardhë dhe t’i dëshmojë ato në mënyrë të dokumentuar dhe të pakontestueshme”

Ky formulim duket sikur parakupton që “krimet e komunizmit në Shqipëri” të jenë identifikuar tashmë si të tilla nga një instancë tjetër; sepse, në fakt, nuk më rezulton që Institutit vetë t’i jetë njohur statusi i një gjykate a i një autoriteti tjetër juridik, të tillë që të mund të përcaktojë nëse një akt i caktuar ka qenë apo jo krim.

Çfarë do të thotë, për mua, që ISKPK ka nevojë për një gjykatë a tribunal që t’i identifikojë krimet e komunizmit, me të cilën gjykatë a tribunal të bashkëpunojë aktivisht dhe gjerësisht – edhe duke e furnizuar me dëshmi dhe materiale të tjera të nevojshme, edhe duke i studiuar pastaj më tej krimet e identifikuara si të tilla nga gjykata.

Edhe për një rast relativisht elementar, si ky i ekzekutimit me gjak të ftohtë të dy robërve gjermanë të luftës, ISKPK mund të sjellë dëshmi dhe statistika, si ky shkrim i Ylli Polovinës me titullin emocional “Si u vranë femrat gjermane nga partizanët në Shqipëri”; por nga ana juridike kaq nuk mjafton. Dhe ka arsye që nuk mjafton, të cilat nuk janë thjesht formale: për shembull, fakti që edhe autoritetet gjermane, në bashkëpunim me ndihmësit e tyre në Shqipëri, nuk e kanë mbajtur gjë dorën, kur ka ardhur puna për të vrarë “femra” shqiptare (Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima).

Madje mua më duket edhe se disa nga keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet që kanë dalë rreth veprimtarisë së ISKPK dhe vetë statusit të tij janë shkaktuar pikërisht ngaqë institutit në fjalë, qoftë edhe thjesht për nevoja elementare të punës që kryen, i është dashur të marrë përsipër kompetenca juridike që ndoshta duhej t’i kishte përballuar një institucion tjetër.

Le të përfytyrojmë një gjykatë që të shqyrtojë trajtimin që iu bë tregtarëve të mëdhenj në Shqipëri fill mbas Luftës II Botërore, tatimet e jashtëzakonshme dhe torturat ndaj tyre, për t’i bërë të tregonin se ku “i kishin fshehur florinjtë”. Ky do të përbënte ndoshta një krim tipik të regjimit të Hoxhës, aq më tepër kur kryhej në kontekstin e një ideologjie të shpronësimit; por vetëm një gjykatë e sotme, me instrumentet përkatëse juridike dhe autoritetin përkatës, mund ta ndriçonte si të tillë, a si krim shtetëror, duke e ngritur një shkallë më lart stekën e marrëdhënieve të bashkëkohësisë me të kaluarën.

Dëshmitë e mbledhura nga ISKPK janë tronditëse, ndonjëherë të llahtarshme; analizat e mbështetura dhe të bëra publike nga ky institucion kanë sjellë kontribute të vyera në ndriçimin e historive ende të errëta, të mbuluara nga sekreti dhe bashkëfajësia; por edhe të parave edhe të dytave për fat të keq u mungon aparati juridik; dhe mungesa lë detyrimisht shteg për keqkuptime, subjektivizma, shtrembërime, manipulime dhe abuzime. Aq më tepër që ISKPK-ja vetë nuk më duket se e ka kapacitetin juridik për ta shpallur një ngjarje çfarëdo të së kaluarës si krim (por më korrigjoni nëse gaboj), pa çka se shoqëria shqiptare e ka të qartë se gjatë regjimit totalitar janë shkelur me të dy këmbët të drejtat elementare të njeriut.[1] Por ne jemi aq të qytetëruar sot, dhe aq të distancuar nga mendësia totalitare e regjimit të Hoxhës, sa të mos i ngatërrojmë gjykimet e vlerës me ato të natyrës juridike (ose performative në përgjithësi).

Ndoshta nuk është ky momenti i përshtatshëm për të denoncuar a vajtuar mungesën e një gjykate speciale, teksa shtetit shqiptar i mungojnë, mes të tjerash, edhe Gjykata e Lartë edhe Gjykata Kushtetuese; por herët a vonë do të na duhet t’i kthehemi kësaj teme në nivelin ligjvënës, nëse duam dhe shpresojmë që të ndahemi në paqe nga e kaluara totalitare. Shqipërisë i duhet, pra, një gjykatë qoftë edhe në trajtën e një Tribunali Civil, e cila të punojë përkrah ISKPK-së dhe t’ia formulojë juridikisht qartë objektivat e punës; dhe ta bëjë këtë jo për të identifikuar padrejtësitë; por për t’u dhënë atyre statusin juridik të krimit.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat. Kopjuesit do të përndiqen me rrugë ligjore.


[1] Një alternativë do të ishte heqja e fjalës “krime” nga emri i institucionit – sa kohë që krimet parakuptojnë ekzistencën dhe fuqinë vepruese të ligjeve; duke e zëvendësuar me një fjalë që nuk ka valencë juridike, p.sh. “padrejtësi” ose “tmerre”.

36 Komente

  1. “Krimi” mund të jetë shprehje e një gjykimi juridik, por edhe e një gjykimi moral. Mendoj se ajo që lë vend për debat është statusi zyrtar i ISKPK-së. Përndryshe vështirë se ndokush do të mund ta kontestonte një institucion me po këtë kuadër që do të kish lindur e do të vepronte si iniciativë civile. Por edhe kështu siç është, nuk më duket se ka diçka veçanërisht të tmerrshme në këtë mes për sa kohë shteti njeh zyrtarisht “heronj”, aq më tepër në çështje tejet të diskutueshme si LNÇ-ja që për shumëkënd në këtë vend është, me të drejtë a pa të drejtë, një histori kriminelësh me pasoja të gjalla që i atribuohen. Në këtë kontekst më duket tendencioz zhvillimi i debatit duke i mëshuar kuptimit juridik të termit “krim”.

    1. Nuk besoj se termi shqip krim mund të zhvishet nga pertinenca juridike – në kuptimin që një akt përbën krim në atë masë që ekziston një ligj i cili ta përcaktojë si të tillë. Në italishte nuk është kështu – krimit në shqip i përgjigjet italishtja delitto, ndërsa crimine ka kuptim më të gjerë. Vetëm se kujdes: jurisprudenca italiane nuk e lejon më termin krim që të përdoret me ndonjë valencë juridike.

      http://www.treccani.it/vocabolario/crimine/

      1. Një akt përbën krim edhe për aq sa ekziston një moral që ta përcaktojë si të tillë. Dykuptimësia është përmasë e pashmangshme e gjuhës, prandaj dhe komunikimi është në thelb çështje vullneti për t’u kuptuar, ashtu siç mbetet gjithnjë hapësirë për abuzime demagogjike. Fakti që në italisht këto dy koncepte kanë shënjuese të veçanta nuk do të thotë asgjë, përveç se na kujton edhe njëherë se duhet të kemi parasysh se “krim” ka më shumë se një kuptim prandaj duhet t’i ruhemi abuzimit apo keqkuptimit si në përdorim ashtu edhe në interpretim. Nuk më duket se përdorimi i fjalës “krim” tek “Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit” retorikisht e në vetvete bart ndonjë përpjekje për t’iu mbivendosur në mënyrë abuzive kuptimit juridik, por është krejtësisht i përligjur referuar çfarëdo fjalori dhe përdorimi të gjerë konvencional. Prandaj them se çështja qëndron tek statusi zyrtar i institutit dhe jo tek kuadri konceptual i veprimtarisë së tij. Por për sa i përket statusit zyrtar të një instituti me këtë kuadër, më ngelet të përsëris se sado i kontestueshëm të jetë ky, për sa kohë shteti sot e mot vazhdon të njohë “heronj” të LNÇ-së e më tej, evokimi i objektivitetit shkencor apo juridik kundër “krimit” si cilësim nuk përbën argument të besueshëm, për të mos thënë që ngjan si demagogji.

        1. Të shpjegohem: e solla jurisprudencën italiane në bisedë, sepse mendova se kish diçka që të kish ngatërruar. Meqë lidhjen e pashkëputshme të krimit me ligjin pozitiv, në kuptimin që nuk mund të ketë krim, pa një ligj përkatës, nuk është se e bëra unë në mënyrë origjinale; është i jurisprudencës anglo-saksone. Madje po shkoj pak më tej dhe po them që krimin e përfton ligji: ose një akt shndërrohet në krim, sapo hyn në fuqi një ligj që e paraqet si të tillë. Edhe kjo nuk është imja. Mund të sillja literaturë, por më duket se nuk do t’i shërbente debatit. Krim ka vërtet kuptim figurativ, kur themi “është krim ta lyesh këtë pallat me ngjyrë rozë”; por ky kuptim mund të filtrohet lehtë nga debatet. Nëse flasim për krime të regjimit totalitar, ose “krime të komunizmit”, siç i quajnë disa të tjerë, duhet t’i referohemi një kuadri ligjor specifik. Ti i referohesh një “morali” që e përcakton krimin, por kjo do të kishte ndonjë farë vlere vetëm brenda atyre sistemeve sociale ku nuk ka kufi të prerë midis kodit moral dhe kodit penal – p.sh. në sheriat; ose në teokraci në përgjithësi.

          Përndryshe, Instituti në fjalë mund të studiojë, të dokumentojë, të sjellë dëshmi dhe kështu me radhë, por nuk më duket se ka tagër të tregojë me gisht KRIME dhe pastaj KRIMINELË; përveçse kur e bën duke u paraqitur si palë, në një proces gjyqësor adekuat, gjithnjë në këndvështrimin tim, që nuk e ndan krimin nga ligji. Për mua, nëse nuk ndodh kjo, ose “juridifikimi” i këtij procesi, Instituti jo vetëm që nuk do ta kryejë dot misionin e vet, por edhe do ta diskreditojë atë.

          Flet edhe për “heronj” të LNÇ-së të cilëve vazhdohet t’u njihet statusi. Besoj se kjo ndodh ngaqë shteti i sotëm, republika e sotme, ende është vazhduese juridike e republikës të 11 janarit 1946, e cila doli nga Lufta dhe e mori legjitimimin që andej; këta “heronj” luajnë rolin e shenjtorëve të një RELIGJIONI CIVIL, të cilin e kultivojnë shumë shtete laike si ky i Shqipërisë. Por nuk më duket se ka pasur ndonjë akt të shkëputjes së republikës së tanishme, nga ajo e dalë nga Lufta II Botërore; në kuptimin juridik është i njëjti entitet, i amenduar herë pas here, pavarësisht se 11 janari nuk festohet më (por cila do të ishte atëherë “datëlindja” e shtetit të sotëm?). Dhe kjo do të thotë se, edhe republika e sotme, e merr një pjesë të legjitimimit nga fitorja e Frontit Na-Çl gjatë Luftës II: kundër pushtuesit fashist, kolaboracionistëve dhe forcave të tjera si Balli Kombëtar dhe Legaliteti, të shpallura prej Frontit si “armiq”. Më duket se ky legjitimitet i përcjellë dora-dorës e përligj edhe njohjen e disa heronjve të vjetër, të cilët i pat zgjedhur regjimi totalitar për t’i shërbyer.

          * * * *

          Le të dalim për një çast nga situata në Shqipëri dhe të shohim se ç’ndodh në një vend tradicionalisht katolik, si Italia – ku Papa ruan autoritet moral të padiskutueshëm. Dhe të pyesim: a është krim aborti? Për Papën dhe ndoshta për shumë katolikë, aborti është krim, sepse bie ndesh me parimin e shenjtërisë dhe të paprekshmërisë së jetës, siç përcaktohet nga tekstet e shenjta; por për ligjin e Republikës Italiane aborti, si ndërprerje e vullnetshme e shtatzënisë, zakonisht nuk përbën krim, nëse këtë e dëshiron nëna (ligji 194, i 22 majit 1978) dhe e kërkon që t’i kryhet në një strukturë shëndetësore publike.

          Sërish: një vajzë a grua italiane që kërkon abort pranë një klinike publike po kryen krim apo jo (e njëjta pyetje vlen edhe për mjekët dhe infermierët që do ta realizojnë ndërhyrjen)? Natyrisht jo, nga pikëpamja laike; por për disa katolikë po. Kisha katolike e dënon me rreptësi të madhe çdo lloj orvatjeje për ta ndërprerë shtatzëninë në mënyrë të vullnetshme – duke mbrojtur të drejtën e embrionit për të jetuar. Natyrisht, nuk dua të hap këtu debatin e abortit – por të tregoj se i njëjti akt, që për një pjesë të njerëzve është krim moral i përbindshëm, nuk konsiderohet si i tillë nga shteti. Dhe, doemos, asnjë vajzë grua mjek ose infermier nuk dënohen penalisht pse kanë kryer një abort, në pajtim me ligjin përkatës; por kisha i dënon këta rreptësisht me mënyrat e veta. Çështja është se qëndrimin e kishës ndaj abortit, në një shtet laik, mund ta shpërfillësh pa pasoja legale; ndërsa nëse ligjin e një shteti ke DETYRIM që ta njohësh dhe nuk mund ta shpërfillësh.

        2. Askund nuk pata parasysh kuptimin figurativ të “krimit”, por atë kuptim që i referohet common sense-it, ose kodit moral të një bashkësie. Interesante është se Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe jep së pari kuptimin juridik, pastaj si kuptim kryesor: “2. Vrasje, djegie, shkatërrime e veprime të tjera çnjerëzore, që bëhen nga regjimet antipopullore e reaksionare, nga ushtritë pushtuese etj. Krime barbare. Krimet e fashistëve (e nazistëve, e pushtuesve amerikanë).” dhe në fund kuptimin bisedor “3. Veprim i keq e i dënueshëm që dëmton rëndë dikë a diçka dhe që është në kundërshtim me arsyen e shëndoshë e me qëndrimin e një njeriu të ndershëm e të drejtë.” Në komentin tim unë iu referova kuptimit 3. (që nëse do të isha unë hartuesi i fjalorit do ta jepja të parin, meqë ky kuptim u paraprin dy kuptimeve të tjera, domethënë të tjerat janë të përftuara prej tij) por siç shihet kuptimi 2. është kaftan i prerë për “krimet” që cilëson ISKPK (për të mos folur për ironinë historike në kontekstin e sotëm) dhe nuk më duket se është detyrimisht i natyrës juridike.
          Që sipas jurisprudencës perëndimore në përgjithësi e asaj anglo-saksone në veçanti nuk mund të ketë krim pa ligj apo që krimin në kuptimin juridik e përfton ligji, këtë nuk e kam të vështirë ta kuptoj, por përveç faktit që nuk është se i falem këtij koncepti, nuk e kuptoj pse “krimet” që pretendon të studiojë ISKPK duhen interpretuar sipas këtij rrafshi, përveçse bazuar në arsyetimin se si institucion zyrtar, gjuha e këtij instituti është doemos e vetiu e natyrës juridike. Por nuk e kam të qartë nëse pikërisht ky është argumenti yt. Thënë ndryshe, nëse këtë institut do ta kishte ngritur e do ta drejtonte një person privat me këllqet e veta, a do ta kundërshtoje po me argumentin juridik idenë e “krimit” në të? Apo fundja, nëse unë shprehem këtu për “krime të komunizmit” a do të më kundërshtoje duke thënë se nuk e kam tagrin për të bërë cilësime të tilla? Nuk e besoj dhe prandaj them se çështja në thelb qëndron tek statusi i institutit. E në qoftë kështu, deri këtu parimisht bie dakord. Ama nëse bëhet fjalë për parimin e juridicitetit të shtetit e të gjuhës zyrtare, atëherë këtij parimi le t’i shkojmë deri në fund. Nuk mund të pajtohet ky parim me “heronj” apo me ndonjëfarë “religjioni civil” (unë do ta quaja “zyrtar”), për çfarëdolloj arsyeje. Aq më pak për hir të legjitimitetit të shtetit, i cili nuk ka nevojë të ngrihet mbi tjetër gjë veç nevojës së shoqërisë për arbitrim, përfaqësim dhe vetëmbrojtje. Dhe ç’është e vërteta “heronjtë” në fjalë nuk kanë legjitimuar aspak shtetin, por pushtetin, domethënë regjimin komunist, ashtu siç sot nuk legjitimojnë veçse përpjekjet për ta rehabilituar historikisht atë regjim.

          1. E kam të vështirë të përfytyroj një zëdhënës të Institutit, p.sh. drejtorin Tufa, që të dalë në publik dhe të shpjegojë se kur flet për “krime” dhe “kriminelë” nuk ka parasysh aspektin juridik (penal) të termit, por vetëm kuptimin e përgjithshëm – duke qenë ai i Institutit një diskurs, si të thuash, mediatik ose retorik, gjithsesi përshkrues, por jo “inkriminues”. Edhe pse në Shqipëri ka vite, praktikisht që pas vitit 1990, që lëshohen në ajër akuza nga më të rëndat, por për të mos u çuar më tutje; ose për të mbetur në nivelin retorik – dhe kjo jo vetëm për figura dhe ngjarje të historisë por edhe e sidomos për ato të politikës së sotme. Mua kjo më duket anormale. Për shembull, nuk kalon ditë pa u akuzuar një politikan kryesor – i pushtetit ose i opozitës – se ka vjedhur, ka mashtruar, ka fshehur provat, ka manipuluar drejtësinë, e kështu me radhë; por këto akuza mbeten në ajër, nuk çohen më tutje, siç do të ishte normale. Por në qoftë se akuzat nuk i pason veprimi juridik, atëherë ato nuk kanë më efekt; meqë nuk synojnë të denoncojnë, por vetëm të kodifikojnë diçka që, për mua, nuk mund të jetë veçse lufta e sotme për pushtet. Në kuptimin që përplasjet e tanishme, midis atyre që kërkojnë të rishikojnë vlerësimet historike për Luftën II dhe atyre të tjerëve që i gjejnë këto të fundit ende të drejta, nuk janë veçse teatri i përpjekjeve midis dy grupeve për të marrë a mbajtur pushtetin.

        3. Pikërisht në kuadrin përshkrues do ta kuptoja unë punën e institutit në fjalë, ndër të tjera edhe për faktin se gjasat për zhvillimin e një tribunali për krimet e komunizmit në Shqipëri janë, do të thoja, absolutisht zero, pasi mungon gjithçka e nevojshme për këtë punë: kultura jurisprudenciale e juridike, njerëzit me autoritet të mjaftueshëm në këto drejtime, vullneti i mirë politik, kultura shoqërore e gjithçka tjetër. Përveç kësaj, një tribunali të tillë me kalimin e viteve i bie gjithnjë e më shumë vlera potenciale penale, dhe që tani, sikur të ndodhte, do të kishte përmasa thuajse vetëm simbolike. Prandaj edhe sikur të zhvillohej ky tribunal, në fund nuk do të kishte veçse vlerën e një “gjykimi të historisë”. Çka mendoj se përbën rrafsh “studimi” më shumë sesa “gjykimi”. Në këtë kuptim nuk shoh asnjë problem në konceptin që reflekton emri i institutit. I vetmi problem që mund të ngrihet, e ritheksoj, është statusi zyrtar i këtij instituti, për të cilin nuk është se jam entuziast. Mendoj se po të ekzistonte vërtet vullnet i mirë në këtë çështje, shteti do të bënte një gjë shumë më të mirë po të hiqte dorë nga pozicioni dhe retorika glorifikuese për LNÇ-në, çka nuk mendoj se do t’ia cënonte legjitimitetin, përkundrazi. Por për arsye të koklavitura besoj, edhe kjo gjë duket e pamundur. Në këto kushte ngritja e një institucioni zyrtar si ISKPK vërtet reflekton dhe ushqen skizofreninë shtetërore – për të mos folur për atë shoqërore – por shpeshherë skizofrenia, si tregues rezistence, është faza e fundit e shëndetit më shumë sesa e para e sëmundjes. Në këtë kontekst personalisht uroj që ISKPK të bëjë një punë vërtet të mirë “studimore” duke justifikuar, në mos statusin, konceptin e tij.

    2. Akti shkeputes i republikes se tanishme me republiken popullore te dale nga lufta eshte adoptimi i kushtetutes ne fuqi ne 28 nentor te 1998.

  2. E drejtë që Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit mund të mos ketë tagrin juridik për t’i klasifikuar ngjarjet si “krime”. Por nuk me duket se i mungon gjë tagri shkencor për t’i studiuar dhe klasifikuar si të tilla nga ana etike. Në kuptimin që nëse supozojmë se do funksiononte në mënyrë racionale ky institut disa kritere mund t’i paracaktonte për mënyrën se si do pranoheshin këto ngjarje nga shoqëria sot.

    Po ashtu, nga pikpamja ligjore një gjykatë nuk mund të veprojë dot si e tillë pa një kuadër e legjislacion të mirëpërcaktuar mbi kritere etike, dhe dokumentacion arkivor. Ndaj duhet edhe instituti.

    Mos të harrojmë se një problem madhor me këto ngjarje, që sot i quajmë “krime”, është se kanë qënë pranuar gjërësisht nga shoqëria e atëhershme. Një nga kushtet e funksionimit te përqasjes ligjore është edhe “aftësia prpavepruese” e ligjit (statute of limitations). E kot ta them sa e pamundur do ishte një ndërmarrje ligjore për ngjarje të 70-80 viteve më parë, edhe nëse mbi këto krime do aplikoheshin vetëm “kriteret e së djeshmes”. Por asgjë muk na pengon t’i gjykojmë nga pikëpamja etike (jo juridike) mbi “kriteret e së sotmes”. Edhe nëse do gabonim do mësonim, tha, pa u kushtëzuar nga pesha e “ligjit”.

    Problemi është që sot kemi shumë “krim pa ndëshkim”. Ndaj edhe duhen gjykatat. Jo edhe aq për të përcaktuar “krimin”, por më shumë për të përcaktuar ndëshkimin.

    1. Jam dakord – puna që kryen dhe ka për synim të kryejë Instituti i paraprin punës së Gjykatës – sikurse i praprin punës për hartimin e një projekt-ligji, që do të pasohej nga miratimi në Parlament i atij kuadri ligjor, mbi të cilën të vepronte Gjykata. Por mungesa e hallkave të tjera në proces duket sikur e shtyn Institutin të marrë përsipër punë për të cilat nuk ka kompetencën e duhur.

  3. Një tjetër konsideratë me bëmat e komunizmit (largqoftë se mos po i quajmë krime) është se ndonëse janë bërë në emër të një ideologjie, përsëri janë bërë me qëllimet më të mira (with best intentions).

    Ndryshe nga krimet në emër të idologjive të tjera të shekullit të njëzet si fashizmi, rracizmi, dhe izma të tjerë, apo edhe pastrimet etnike dhe sistematike të kryera nga regjime të ndryshme në emër te nacionalizmave dhe feve, komunizmi ka qënë dhe mbetet më humanitari i ideologjive.

    Të kesh qënë fashist, edhe pa bërë asgjë tjetër, është në vetvete krim në shkallë sipërore. Por, të kesh qënë komunist përkundrazi konsiderohet nder edhe sot e kësaj dite.

    Ndaj, sa kuptim ka ta gjykosh dikë që ka kryer bëma në emër të komunizmit, kësaj ideologjie kaq humanitare, në bazë të pranueshmërisë shoqërore, dhe kur vetë të qënit komunist ka qënë dhe mbetet akti më i lartë humanist që mund të bëhet? Aq më tepër komunistët shqiptar me purizmin e tyre, që nuk i imagjinon dot as duke nënshkruar Konventën e Gjenevës. Kjo e fundit me siguri duhet parë si një moment humbje vigjëlence, se nuk shpjegohet ndryshe.

    1. Po me këtë retorikë nuk shkohet asgjëkundi. Këtu është fjala për të bërë diçka, për të vendosur në mos drejtësinë, të paktën për të dënuar moralisht padrejtësitë që janë bërë. Pikërisht për këtë arsye duhet referimi ndaj ligjit. Ligji, tek e fundit, është yni po aq sa edhe morali – pa çka se shqiptarët, tradicionalisht, janë mësuar ta trajtojnë si diçka që u imponohet nga jashtë.

      Dua të them, me mjete retorike do të hapim një vërë në ujë, siç edhe kemi hapur. Për shembull, janë sjellë një numër i madh dëshmish nga viktimat e komunizmit ose të afërmit e tyre; unë vetë mund të filloj të rrëfej tani për këto viktima, siç i kam dëgjuar historitë në familje, dhe të mos mbaroj as deri nesër në mëngjes. Por me rrëfime të tilla nuk shkon dot larg. Duhet një instancë juridike, që t’i validojë. Mbase disa do të mjaftoheshin me një instancë morale – p.sh. pleqtë e katundit ose kisha ose Dalai Lama; por në një shtet laik instanca duhet të jetë juridike.

      Përndryshe, çdo muhabet për “krimet e komunizmit” do të vihet në funksion të përplasjeve politike të tanishme, përgjithësisht të neveritshme, për të marrë pushtetin dhe për të plaçkitur.

      Empatia më bën ta kuptoj qëndrimin ndaj kësaj çështjeje të një viktime të terrorit komunist – p.sh. një person që e ka kaluar jetën në burg, ose që i kanë vrarë babanë dhe i kanë marrë pronën dhe kështu me radhë. Viktima nuk ka nevojë për gjykatën që t’i thotë se ndaj tyre janë bërë padrejtësi të mëdha ose terror. Por gjykata duhet, mes të tjerash, që të shmangë sadopak mundësinë e abuzimeve të tilla në të ardhmen. Nuk është rastësi që vendet me kulturë dhe traditë më të fortë juridike janë edhe vendet ku të drejtat e njeriut respektohen më fort.

      1. Ardian,

        Dakort. Retorika ndoshta mund të mos çojë gjëkundi. Ndonëse them se po bëj retorikë për të njëjtat arsye që bëni edhe ju: sepse situatat janë absurde. Thjeshtë po i afrohemi problemit nga këndvështrime të ndryshme.

        Përndryshe, nëse i referohemi ligjit, dhe vetëm ligjit, në rastin e veprimit të këtij njeriu të marr si shembull në shkrim, pytja që duhet të shtrohet sipas meje është: a është konsideruar nga Ligjet e kohës në fuqi, veprimi i tij si krim, pavarësisht nga çdo rrethanë lehtësuese, qoftë kjo edhe arsye lufte, që nuk ka lidhje me ligjin?

        E di që do më thonë: Por pushtetin dhe ligjin e kishin gjermanët okupatorë!

        Dhe përgjigja ime do ishte: Atëherë le të mos flasim më për ligj. (sikurse vendosi në të vërtet regjimi komunist)

        Sipas meje, absurdi me shtetin komunist, por edhe pushtimin fashist dhe totalitarizmin, konsiston në atë që njërzve, pa përjashtim, iu hoq me ligj aftësia për t’u mbrojtur përball persekutimit arbitrar nga pushteti. Pra janë vetë ligjet e sistemit, që e inkriminojnë atë, dhe nuk mund të përdoren më si etalon për të vendosur për drejtësi, pavarësisht nga rethanat..

        Po të nisemi nga standartet e sotme, pra të së drejtës për tu mbrojtur përball persekutimit nga pushteti, atëherë vetëkuptohet se krimi komunist ishte krim shoqëror, dhe jo individual. Fakti që ne kemi vendosur me konsensus të konsiderojmë si krime të komunizmit vetëm ato dënime apo akte që janë provuar si të tilla vetëm nëpërmjet sentetncave ligjore për arsye të paramenduara si politike, p.sh. t’i konsiderojmë krime dënimin për agjitacion e propagandë, dhe për arsye të rrethanave, në fakt është prerogativë etike dhe jo ligjore që shoqëria e sotme përdor për të “seleksionuar” krimet e djeshme të sistemit.

        Sikurse janë arsye etike, dhe jo ligjore, përse kemi vendosur që mos i konsiderojmë dënimet për motive të dobëta, si krime sistematike, ndonëse edhe këto të dënuar për motive të dobta janë po njësoj vitima të të njëjtit arbitraritet ligjor, i cili nuk ua siguronte gjë mbrojtjen nga persekutimi i pushtetit as hajdutit të pulave. Pra ky mendoj se është edhe roli i institutuit: jo thjesht për të përcaktuar se cilat akte kanë qënë krime të sistemit, por cilat krime kanë qënë akte ideologjike që duhet të konsiderohen nga shoqëria e sotme si të dënueshme. Por, nëse është kështu, ky lloj akti etik i seleksionimit/denoncimit të krimit, kërkon së paku konsensusin për njohjen/denoncimin e sitemit komunist si sistem kriminal.

        Por të thuash që ka një konsensus në shoqërinë shqiptare përsa i përket sistemit komunist, është të gënjesh veten. Nuk është gjë retorikë të thuash që puritanizmi dhe arbitrariteti i shtetit të djeshëm, janë ulur këmbëkryq sot në shoqërinë shqiptare. Është realitet. Dhe si për ta kompletuar absurdin, ata që nuk njohin asnjë normë etike, janë sot ata që falsin më shumë për ligjin. Janë puritanët e rinj. Case in point – Reforma në Drejtësi.

  4. Zgjidhja me praktike do te kish qene gjymtimi i roberve, duke i i bere te papershtashem per sherbim ushtarak psh nxjerrja e syve ose prerja e nje dore a 2 gishtave te medhenj te duarve, thyerja e ndonje kaviljeje apo gjuri, si mase me pak drastike. Vrasja fsheh hakmarrjen pavaresisht se gjenerali e kthen ne çeshtje praktike.
    Ne fakt shume prej shqiptareve do e kuptonin nje vrasje per motive hakmarrjeje, lufte eshte, krime ka pase plot nga gjermanet, mendja eshte kokerr gruri. Vrasja praktike me gjakftohtesi, sikur nuk tingellon mire, aq me teper kur gjymtimi e realizon qellimin praktik, pa rene ne gjynah.
    Sidoqofte po flasim per nje periudhe kur gjermanet shkaktuan vdjekjen e miliona roberve sovjetike dhe sovjetiket nga 92 mije roberit gjermane qe kapen ne Stalingrad kthyen pas lufte vetem 5 mije.
    Xha Temja me dy roberit e tij veshtire se ngre dot ndonje çeshtje. Po te mos ta kish lene mendja prej moshes do kish thene vrava 2 gjermane ne beteje.

    Edhe pse nuk e tregon dinamiken, vrasja e roberve do te jete kryer menjehere pas ndonje beteje apo nga fundi i saj, meqenese, roberit dhe armatimi i kapur normalisht jane pergjegjesi e komandes se repartit dhe jo i atij qe i ze rob.
    Pra gjasat jane qe xha Temja te kete qene nen adrenalinen e betejes dhe i ka ekzekutuar ne vend. Por edhe mund te kete qene ndonje urdher i para betejes, psh do luftojme e sdo zeme rober, ose beteja ka qene e ashper me humbje te ndjeshme nga partizanet dhe kush kapi rober gjermane i vrau.

    E fundit fare, nuk i kapi rob gjermanet ne Gjermani, ne Serbi apo Greqi, i kapi ne Shqiperi ne lufte asimetrike, pushtuesi sduhet te kete te drejta fare, ngre apo nuk ngre duart, eshte ne vendin e gabuar, koka nuk te eshte falur, keshtu qe pritet. Teorikisht nje rob te tille lufte nuk duhet te kete konvente qe ta mbroje.

    1. p.s Clirimtaret cilesohen juridikisht nga pushtuesit si kriminele, vrases e terroriste dhe kur kapen rob ndeshkohen sipas ligjit ne fuqi per vrasesit e terroristet, zakonisht me vdekje, burg te perjetshem ose 30 vjet burg, ne varesi te krimit. Clirimtari kur kap rob pushtuesin nuk ka pse ta trajtoje si rob lufte, duke qene se ai vete kur kapet rob ndeshkohet si vrases e terrorist, pra clirimtari duhet te kete te drejten e jetes e te vdekjes mbi robin e luftes. Si e zbaton eshte çeshtje tjeter, po nuk duhet te kete konvente qe i mbivendoset se drejtes se clirimtarit per jeten ose vdekjen e robit te luftes, kur ky eshte pushtues.
      Rrahman Parllaku ishte vete zot e vete shkop, zbatoi te drejten qe e pa te arsyeshme, e cila nuk ka pse te kufizohet nga ndonje gje tjeter perpos ndergjegjes se tij dhe sigurisht urdherat e komandes se repartit.

      1. Në fakt, partizanët dhe më pas UNÇL nuk kishin arsye dhe as mundësi logjistike për të mbajtur robër lufte, përveçse me shpresë për t’i shkëmbyer me palën tjetër. Në kushte të caktuara, p.sh. gjatë Operacionit të Dimrit, as që bëhej fjalë për të mbajtur robër. Ku do t’i mbanin? Me se do t’i ushqenin? Neve sot vrasja e dikujt që deri dje luftonte kundër teje por sot të është dorëzuar na duket çnjerëzore, por ne nuk e kuptojmë dot mirë situatën e kujt po ndiqet këmba këmbës dhe mezi gjen një copë bukë për të mbajtur frymën gjallë. Si t’ia shpjegosh atij tjetrit, që mbase gjermani i ka djegur edhe shtëpinë e i ka shkatërruar fermën, që robi i luftës duhet mbajtur me bukë, duhet mjekuar po të jetë i plagosur, e kështu me radhë? Jam i bindur që gjermanët vetë nuk kishin ndonjë iluzion, se çfarë i priste, meqë edhe ata tregoheshin të pamëshirshëm, kur ndeshnin në rezistencë. Aq më tepër, nëse gjermanët i pushkatonin robërit që kapnin, as që mund të shpresonin se mund të shpëtonin jetën e robërve gjermanë, duke i këmbyer. E vetmja mënyrë si mund t’i qasesh këtij problemi, më duket mua, është të vësh në diskutim nevojën e rezistencës së armatosur kundër gjermanëve; të cilët, të paktën në fillim, nuk ishin të dhunshëm vetëm kur u duhej të reagonin ndaj dhunës të së tjerëve. Unë e kuptoj se vullneti për t’i goditur gjermanët varej edhe nga zotimet që kish marrë Fronti Na-Çl jo vetëm ndaj “popullit”, por edhe ndaj aleatëve; por edhe nga nevoja që kishin partizanët (po i quaj kështu për lehtësi) për ndihma nga ana e anglezëve. Por lufta kundër gjermanëve, në Shqipërinë e viteve 1943-1944, nuk mund të konsiderohet “krim lufte”, pa çka se e ekspozoi popullsinë e vendit ndaj vuajtjeve përndryshe mbase të shmangshme. Vlera strategjike e kësaj lufte, në kuadrin e Luftës II Botërore, mund të diskutohet; por moralisht, dhe në atë masë që Fronti Na-Çl luftonte kundër gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ishte rreshtuar në anën e duhur. Krimet e luftës, nga ana e forcave të Frontit, duhen shqyrtuar – besoj unë – brenda kuadrit paraligjor të krijuar nga urdhrat dhe direktivat e autoriteteve të Frontit, i cili për më tepër ishte njohur zyrtarisht nga Aleatët; një arsye më tej pse duhet kombinuar ekspertiza e historianit të kohës me atë të një juristi të specializuar.

        1. Krimet e luftës, nga ana e forcave të Frontit, duhen shqyrtuar – besoj unë – brenda kuadrit paraligjor të krijuar nga urdhrat dhe direktivat e autoriteteve të Frontit

          Nuk e di nëse jeni i ndërgjegjshëm se me këtë përqasje i keni hapur rrugën dy standarteve të ndryshme gjykimi, për ata që ishin pjesë e Frontit, dhe për ata që nuk ishin. Ka kuptim kjo vetëm nëse do besojmë historiografinë komuniste. Por në luftë kishte edhe të tjerë përveç partizanëve.

          1. Punë të koklavitura – dhe një arsye më shumë, besoj unë, për të kërkuar ndihmën e ekspertëve (juridikë dhe historianë). Por unë po flisja vetëm për akuzat për “krime” që u bëhen forcave të Frontit.

        2. Gjermanet kerkuan paqe te njeanshme(nje pjese e shtetit te tyre) por Ajzenhaueri kerkoi dorezimin pa kushte. Diferenca ne keto dy politika solli qindra mijera te vrare.

          A duhet gjykuar kjo krim lufte?

          Ekzistenca e nje krimi nuk ka te beje vetem me ekzistencen e nje ligji, por edhe nje autoriteti konkret. Ligji mund te jete teorik si instance, i nenkuptuar me prerogativat e veta, por autoriteti qe e zbaton ate duhet te kete vazhdimesi.

          Vrasja ne vetvete duhet provuar dhe mandej ndeshkuar. Ajo trajtohet si e tille ne kushtet kur monopolin e dhunes e ka Autoriteti. Si ta gjykosh nje vrasje per vetembrojtje ne vitin 1997 ne Berat? Po nje vrasje per grabitje?

          Si do hetohet ajo, si do provohet dhe mbi cilat prerogativa do vendoset per fajesine? Ekzistonte ligji, por jo Autoriteti.

          Vete ekzistenca e UNCL ishte krim me ligjet e kohes dhe shqyrtimi i akteve te saj marrin karakter penal ne raport me jurisprudencen e kohes. Mund ta shqyrtojme nje krim ne kete menyre?

          Implikimi i Aleateve ne praktika ekstra ligjore ndaj gjermaneve (heshtja per Katinin p.sh) eshte nje arsye se perse nuk pati gjykate per krimet e komunizmit. Nje arsye tjeter eshte edhe fakti se keto krime nuk cenojne rendin nderkombetar, qe e ka kufirin ne piken kritiken te nje konsensusi qe nuk nderhyn dot ne “vetegjyqesine” e komunitetit – komb.

  5. Mire nemcen, po ky katili ka nje interviste tjeter ku flet per xhahiline qe kane kryer ne veri te Shqiperise dhe Kosove, ky me te vetet, kete rradhe mbi shqiptare qe as nuk ishin balliste apo kolaboracioniste. Nje incident ne katundet e Kukesit me ka tronditur vecanerisht, per vete detajet por edhe per reagimin e munguar te intervistuesit tek degjonte per keto vrasje.
    Aty e shtjellon pak me shume justifikimin ky dhe nuk eshte kaq nonchalant me jetet qe ka nderprere andej pari, sa c’eshte me keto gjermanet, se helbete, jane gjalle te bijte dhe nipat e atyre orepakeve.

  6. Nuk me duket argument bindes kjo ceshtja e Parllakut, sidomos kur vete anglezet e kishin problematizuar kete ceshtjen e trajtimit te roberve (ne nje liber te nje koloneli anglez, nuk me kujtohet , te perkthyer, behet fjale per vrasjen e dy italianeve per ti vjedhur kepucet). Pas lufte ka pasur denime dhe kerkesa nga qeveria shqiptare per te ekstraduar persona per krime lufte. Mbi cbaze juridike duhet ti kene bere keto?

    Lufta ka egersine dhe aktualitetin e vete, e keto gjykimet ad hoc jane kot, por disa norma te njerzimit respektohen, e nje nga keto heshtja. Por mire e tha njeri ketu, keta gazetaret jane bere si manjetofona, vetem regjistrojne, nuk pyesin apo te reagojne.

    Perrallat e gjyshit nuk mund te justifikohen kur jane te pamoralshme. Po thuaj qe turpi eshte kthyer ne kapital.

  7. As mish, as peshk, i thone kesaj! Nese Parllaku i ka vrare dy rober lufte, se nuk dinte c’te bente me ‘ta, kjo eshte nje njolle e zeze per ‘te. Edhe ne kohen e Romes dhe para saj, kur Gjeneves nuk i ishte hedhur guri i pare, roberit e luftes ktheheshin ne skllever dhe nuk vriteshin. Ne vetedijen e cilitdo luftetar, robi nuk vritej. Qe ky fenomen u institucionalizua me Konventen e Gjeneves ne shek. XX, kjo vetem sa e zyrtarizon kete praktike dominuese te cdo lufte dhe beteje. Natyrisht qe ka patur edhe popuj qe i vrisnin roberit, por ne Europe kjo nuk ndodhte prej mbi dy mije vjetesh, pervec rasteve te ralla. Ndaj nuk ka pse sterhollohet ky krim qe Parllaku ka kryer! Me moshen qe ka dhe se si flet, Parllaku krijon simpati per veten tek degjuesit dhe shikuesit. Por me kete qe ka bere, meriton nje minus te madh. Sepse ne Luften N.-Cl. jane kapur rober gjermane dhe jane mbajtur te burgosur neper vende te vecanta, sic e dime te gjithe nga librat e shkolles, nga librat mbi L. N.-Cl, nga Dok. e PPSh, biles ka patur edhe shkembime, gjykime, burgosje dhe lirime pas clirimit. Pra, veprimi i Parllakut i ve njolle popullit tone.

    1. Ca krimi e Roma per Toma thua. Ne lufte asimetrike,clirimtare apo partizane, nuk ka rob lufte, sepse pushtuesi e cileson clirimtarin e kapur rob si terrorist dhe e var ose e pushkaton. E di ate ti, birbilejte 13 ne litare vane vete. Keshtu qe pushtuesi i kapur rob varet ose pushkatohet ne baze te reciprocitetit. Nuk ekziston fare krimi, luftetari i lirise e di qe e pret plumbi po u zu rob, ushtari pushtues e di qe e pret plumbi po u zu rob. Tjeter gje eshte kur ka lufte simetrike, mes dy shtetesh te cilat i shpallin lufte njera-tjetres, per te cilat vlen konventa e Gjeneves per roberit e luftes, ose vlejne apo kane vlejtur zakonet e luftes, dmth kane qene subjekte te zakoneve dhe sot jane subjekte te ligjit nderkombetar. Ne rastet e luftes mes shteteve ose subjekteve politike te barabarta, asnjera pale nuk mund ta shpalle tjetren organizate terroriste dhe tia ndeshkoje te armatosurit me denimin me vdekje. Ne rastin tone pretendimi i komunisteve per te qene qeveria legjitime ne Shqiperi doli ne Kongresin e Permetit, megjithese qeveria u shpall ne Berat disa muaj me vone. Ne castin kur pretendon se je qeveri atehere kalon nga lufta asimetrike, clirimtare, partizane ne lufte simetrike, pra shpall luften dhe merr persiper edhe detyrimet ne skenen nderkombetare. Ne ate cast ushtari pushtues, dmth gjerman, mund te quhet rob lufte, por serisht vetem mund sepse qeverine komuniste pala gjermane nuk e njohu si te tille e as i shpalli lufte juridikisht. Pra edhe ne kete rast ushtaret gjermane e zene rob mund te pushkatoheshin pa nje pa dy, per shkak te reciprocitetit, gjermanet zinin rob partizane e i pushkatonin si terroriste, rrjedhimisht roberit gjermane do te prisnin te njejtin trajtim. Komunistet nuk kane bere krime lufte ndaj italianeve dhe gjermaneve, vec ne rast se kane vrare familjare te oficereve italiane e gjermane, por kane bere krime lufte ndaj shqiptareve, duke i justifikuar si ndeshkim i tradhtareve. Nqs do te ishin tradhtare nuk do te ishin as keto krime lufte, se tradhtia denohet me vdekje. Ceshtja rrotullohet aty ku dhemb dhembi, jo tek roberit ekzekutuar nga Parllaku. Trimeri Parllaku s’beri, po as krim nuk beri, ushtroi te drejten e shenjte te clirimtarit ndaj pushtuesit. Parllakun vetem Zoti mund ta gjykoje.

      1. Megjithe futjen e derivateve dhe gjithfare koeficienteve ne matematike, ku ekuacionet vertiten si te duam ne, serish matematika mbetet shkence ekzakte! Keshtu dhe me “luften asimetrike” dhe “simetrike”, qe sjell ti, ngelet te thuhet se roberit e luftes mund edhe te pushkatohen! Mirpo, megjithe keto sofizma dhe teorema qe na sjell ketu, vrasja e roberve ne cilindo kanun shqiptar dhe europian, ne cilendo norme shoqerore te kohes ne Arberi/Shq. dhe Europe, ne cilendo llogjike njerezore qe ka shoqeruar shqiptarin dhe europianin, ka qene e denueshme. Jo se nuk ka ndodhur vrasje roberish, por keto nuk jane deklaruar, sepse binte ndesh me cdo lloj kodi zakonor; nje prove per kete eshte edhe pohimi hapur pas kaq e kaq dekadash i vete Parllakut, i cili donte mos ta merrte me vete ne varr kete mekat, por e tha hapur, dhe mire beri!
        Nje fjale e urte thote, kur armiku dorezohet ne doren tende, je dorzane per ‘te, cfar do te thote, qe duhet te kujdesesh per mirmbajtjen e tij, deri ne nje gjykim te rregullt. Dhe kjo s’ka te bej as me gjermanet, as me shqiptaret, as me serbet, as me greket, as me italianet, as me amerikanet, as me kinezet, etj., por eshte nje ligj njerezor, nje ligj qe ka te bej me evolimin tone, per trajtimin e armiqve kur keta kane rene rob. Paöka pastaj nese eshte lufte fshati, shtetesh, kacakesh, derrbederresh, e cfardo.

  8. Shembullin e R.P. e pata sjellë si prezantim të argumentit tim kryesor në shkrim. Nuk e kisha menduar që do të tërhiqte kaq shumë vëmendje – dhe komente. Përndryshe nuk do ta kisha sjellë. Mbase duhet të kërkoj të falur që i futa lexuesit në qorrsokak. E megjithatë, vrasja e robërve nga R.P., nëse ka ndodhur vërtet, nuk është veç një nga mijëra tmerret që shkaktoi Lufta, në fitues e në të humbur, në viktima dhe në xhelatë. Nuk vlen as për të provuar se në Luftë janë kryer “krime”, dhe as për të na bindur se Lufta është gjithnjë maskarallëk. Se, po të ishte ashtu, janë kryer vrasje dhe masakra ku e ku më të rënda se kjo e R.P., autorët e të cilave ende nderohen, u çohen lule zyrtare te bustet dhe te varret, zgjidhen qytetarë nderi a ku di unë ç’tjetër. Dhe të gjitha këto nuk mund të zgjidhen me emocion, as me vjersha; dhe sidomos jo me inkuizicion; por në mënyrë sistematike, ose me procedurë ligjore. Ky ishte qëllimi i shkrimit, këtë kisha në mendje, jo trallisjet e një methuselahu.

    1. Të falënderoj. Shoh që më i hershmi prej këtyre është i shtatorit 1944, ose kur Fronti kontrollonte një pjesë të mirë të territorit dhe çlirimi i vendit ishte çështje javësh. Tani Fronti i kishte mundësitë edhe ekonomike edhe logjistike të strehonte robër gjermanë, ndryshe nga më parë, prandaj edhe mund t’ia lejonte vetes ndonjë shkëmbim. Veç kësaj, më shumë gjermanë po binin robër të UNÇSh, dhe për këtë do të ketë pasur interesim edhe nga anglezët edhe nga jugosllavët. Më duket çështje kalkulimesh: me fuqizimin e pushtetit të Frontit, një rob i gjallë vlente më shumë se një rob i vrarë. Tani madje Hoxha mund t’ia lejojë vetes të citojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare për trajtimin e robërve të luftës, edhe pse Fronti, me sa më rezulton, nuk kish nënshkruar ndonjë të tillë.

    2. Brezi im, qe vjen direkt pas Ardianit, mesonte ne shkolle mbi luften N.Cl. Rasti i shkembimit te roberve gjermane me partizane vertet nuk zinte faqe te tera ne librat e shkolles, por permendej. Nese dikush lexonte edhe veprat e PPSh per kohen e luftes dhe librat e Enverit, kishte mundesi te njihej me disa raste shkembimesh te tilla. Ndaj dhe veprimi i Parllakut, (megjithe qe ai rrezaton njeri i urte dhe simpatik), eshte veprim i denueshem. E habitshmja ne kete rast eshte: perse kjo teme duhet zgjatur kaq shume, a thua se po diskutohet e gjithe lufta N.Cl.

      1. Edhe unë nuk e mora vesh mirë pse u zgjatëm kaq shumë me R.P.; ndoshta ngaqë incidenti, sado i vogël, ka aq fuqi sa të shërbejë si shembull për relativizimin e moralit në rrethanat e luftës; ose të njerëzillëkut, në rrethanat kur njerëzillëku, me përkufizim, ka dështuar. Nuk dua të mendoj se kjo këmbëngulje për të diskutuar shembullin vjen nga dëshira për të shmangur diskutimin për çështjen kryesore – atë të krimeve të komunizmit në Shqipëri, gjatë Luftës dhe pas Luftës. Ky diskutim duhet bërë ngutshëm, por nuk po bëhet. Ka dy palë që qesin pushkë kundër njëra-tjetrës, në një luftë pozicionesh, por nuk ka arsyetim, mirëkuptim, vullnet për të mbyllur plagët. Të dy palët kujtojnë se janë në të drejtën e tyre morale dhe po rikrijojnë, si fëmijët, betejat e dikurshme. Natyrisht, diskutimi ynë ose kudo tjetër nuk mund të vendosë nëse janë bërë apo jo krime – këtë, e përsërit, mund ta vendosë vetëm një gjykatë e posaçme. Por ne, dhe sidomos të tjerë më të ditur dhe ekspertë se ne, mund t’ia lehtësojnë punën atyre që do të gjykojnë nesër.

        1. Nuk dua të mendoj se kjo këmbëngulje për të diskutuar shembullin vjen nga dëshira për të shmangur diskutimin për çështjen kryesore – atë të krimeve të komunizmit në Shqipëri, gjatë Luftës dhe pas Luftës. Ky diskutim duhet bërë ngutshëm, por nuk po bëhet.

          Kjo nuk vjen, mendoj, nga dëshira për të shmangur diskutimit, por për t’iu shmangur përbaltjes. Diskutimi në Shqipëri po bëhet – në media, në parlament, online – por në formën më të keqe të mundshme, si riluftim donkishotesk i betejave të dikurshme, si projektim i antagonizmit të sotëm politik PS – PD mbi historinë e para 75 viteve, si revansh i vonuar dhe si luftë personale, si “na erdhi rasti në dorë t’ia ngopim një komunistëve/ ballistëve/ fashistëve”; është demaskimi i radhës që i bëhet armikut të klasës. Mjafton të shohësh se si pjesëmarrësit i drejtohen njëri-tjetrit: komunist, ballist, fashist, sigurims apo këlysh i tyre, që të të iki çdo dëshirë për t’u përfshirë në këtë mud-wrestling. Është debat i kontaminuar tashmë, madje keqazi.

  9. Siç mund ta keni parë, ISKPK-ja ka botuar, tani së fundi, një libër të Çelo Hoxhës, ku identifikohen me emër 265 “persona përgjegjës për krimet e luftës” – praktikisht të gjithë ata që udhëhiqnin UNÇL. Listën e plotë mund ta lexoni këtu:

    http://www.panorama.com.al/emrat-lista-me-265-drejtues-te-luftes-qe-akuzohen-per-krime-nga-instituti-i-agron-tufes/

    Pa u futur në meritën e “krimeve” që merr në vështrim autori i studimit, kam përshtypjen se argumenti i tij e bën të domosdoshëm krijimin e një gjykate speciale, për t’i hetuar këto akuza dhe për të verifikuar soliditetin e tyre. Asnjë prej palëve të përfshira në këtë përplasje nuk besoj se ka interes ta lërë këtë punë të ezaurohet në debate televizive.

    Ju kujtoj se po flasim për Luftën Na-Çl, prej së cilës doli ai shtet që ekziston edhe sot; për Luftën Na-Çl që e legjitimoi atë shtet dhe që e rreshtoi Shqipërinë në krahun e Aleatëve. Akuza e Hoxhës është edhe më e rëndë, sepse vjen nga një institut që financohet me fonde publike. Kjo nuk e bën akuzën vetvetiu të padrejtë – përkundrazi, kërkon që argumentet e Hoxhës të shqyrtohen me rrugë formale.

  10. Le të kujtojmë, këtu, se robërit e luftës gjatë Luftës II Botërore duhej të trajtoheshin sipas Konventës së Gjenevës (të vitit 1929); por autoriteti të cilit i bindej R.P. (supozoj Fronti Na-Çl), nuk e kish nënshkruar dhe aq më pak ratifikuar këtë konventë (as Shqipëria e Paraluftës nuk më rezulton ta kish nënshkruar dhe as kam dëgjuar që italianët dhe gjermanët të rënë robër në Shqipëri gjatë Luftës t’i jenë referuar gjëkundi Konventës së Gjenevës për të kërkuar trajtim “njerëzor”). Nuk më rezulton as që autoritetet gjermane, në vitet 1943-1944, ta kenë zbatuar të njëjtën konventë ndaj ushtarakëve të Frontit Na-Çl që kapnin rob (por do ta kenë zbatuar, bie fjala, me ushtarakët anglezë; p.sh. me gjeneralin Edmund Frank Davies, që iu dorëzua gjermanëve pasi u plagos nga ballistët e Haziz Biçakut).

    Një saktësim i vogël: Konventa e Gjenevës e vitit 1929 rregullonte vetëm trajtimin e robërve të luftës të cilit ishin pjesëtarë ose të një ushtrie të rregullt ose të formacioneve milice ose të trupave vullnetare që luftonin përkrah ushtrisë së rregullt të një shteti, por nuk mbulonte pjesëtarë të forcave jo të rregullta si partizanët apo luftëtarë të tjerë të rezistencës. Vetëm pas L2B, në Konventën e Gjenevës së 1949, u zgjerua termi juridik i “robërve të luftës” për të mbuluar edhe formacionet e armatosura jo të rregullta, edhe pse jo në çdo rast, por vetëm kur përmbushin disa kritere strikte si mbajtja e uniformës, organizimi me hierarki ushtarake, mbajtja haptazi e armës, respektimi prej tyre po ashtu i rregullave të luftës etj. Kjo u bë, me sa kam lexuar, nën presionin e BS dhe disa vendeve të tjera të Lindjes, nisur nga përvoja e tyre me rezistencën masive partizane gjatë pushtimit fashist.

  11. Keto jane muhabete kot kur roberit e L2B u vrane e u lane te vdisnin urie neper kampe me miliona. Se nga e gjete europianin e deri tek Roma kete vetem fantazia jote mund te na e rrefeje dhe do mbaj vesh. Une po te rrefej fatin e 2000 roberve te Gazes gjate ekspedites se Napoleonit ne Egjipt e Siri. U pushkatuan te 2000 nga Napoleoni. Roberit ne fjale ishin shqiptare. Po te shpjegoj edhe se kur ziheshin rob njerez te rezistences shqiptare denoheshin me varje, pushkatim ose vdisnin gjate torturave, duke filluar nga Vasil Laci, te cilin e varen. Te gjitha konceptet evolojne po sy per sy e dhemb per dhemb ka nje barazi qe te tremb persa i takon rigorozitetit logjik, keshtu qe shihe nga ky prizem. Nqs e do nga tradita, ke shprehjen zot ne shtepine e tjetrit mos u bej dhe ata roberit kishin ardhur si zot ne shtepine tone. Keshtu qe fati i tyre ishte ne doren e zotit te shtepise, qe ne ate rast ishte Rrahman Parllaku. Parrllaku e vendosi ne autoritetin e zotit te shtepise si do ta ndeshkonte fyerjen. Vendosi ti ekzekutonte, e drejta e tij, po te ishe ti do beje si ta donte ty mendja, po te isha une si ma donte mua e me radhe. Eshte tagri i te zotit te shtepise, e drejta e tij absolute si do te sillet, nuk i hyn ne xhep askujt tjeter. Keshtu qe Parrllaku eshte ne rregull edhe me traditen shqiptare.

  12. Vetë definicioni “Krime te komunizmit” ashtu si përdoret sot qoftë në media, qoftë në komunikimin masiv, qoftë edhe në emërtimin e Institutit që e përmban këtë definicion është i papëercaktuar qartë. Kjo nuk është se vjen vetëm nga papërcaktueshmëria e fjalës “krim” ashtu siç përdoret në shqip dhe që është trajtuar në komentet këtu, por shtesa “të komunizmit” e turbullon edhe më shumë kuptimin. Sipas dëshirës së folësit, ose dy apo trekuptimësisë që mund t’i jepet këtij definicioni mund të synohet:
    1. Krime të komunizmit si ideologji dmth çdo paudhësi që përmban vetë ideologjia si e tillë, duke përfshirë luftën e klasave, diktaturën e proletariatit, shtetëzimet dhe kolektivizimet me dhunë, etj te kesaj natyre.
    2. Krime të komunizmit si sistem në fuqi, që përveç realizimit konkret të figurës së krimeve që përmban ideologjia, shtohen edhe të tjera në formën e krimit shtetëror si dëbime – internime, mohim te drejtash elementare njerzore, që mund të mos përmbajnë figurë të plotë krimi, por në varësi nga këndi i vështrimit mund të shihen si krime ndaj shoqërisë si tërësi.
    3. Krime konkrete ndaj individësh të veçantë si vrasje pa gjyq, torturë me pasojë humbjen e funksioneve të ndryshme fizike.
    Natyrisht që “krimet” e grupit të parë nuk ka si të trajtohen në gjykatë, sepse nuk burojnë nga ndonjë veprim që sjell një pasojë, por ato janë vetë burim potencial i krimeve. Sigurisht që komunizmit mund t’i bëhet “gjyqi” si ideologji, por në varësi se kush e kryeson “gjyqin” përfundimet do të jenë diametralisht të kundërta dhe problemi jo vetëm që nuk do të zgjidhet po do të bëhet edhe më i ndërlikuar seç është tashmë.
    Krimet e grupit të dytë paraqesin një paradoks edhe më makthor nga të parët. Ato krime janë kryer të mbështetura në të ashtuquajturin ligj i kohës, pra nuk mund të kenë qenë krime (juridikisht) në kohën kur u kryen. Një ligj i ri, i ndryshëm mundet që të shfuqizojë ligjin e vjetër, por vihemi në një situatë vicioze, sepse më vonë, ku i dihet, mund të vijë në fuqi PPSH (e Rindertuar) dhe e rehabiliton përsënjëzaj dhe fillojmë nga e para.
    Grupi i tretë i krimeve, të paktën teorikisht mund të shkoqitet më mirë, dmth juridikisht egzistojnë premisat që të cilësohen si krime, por vështirësitë që sjell në pjatë koha që ka kaluar që kur janë kryer mund ta bëjë shumë të ndërlikuar ndëshkimin e fajtorëve.
    Sa i takon R.P. jam i bindur qe me vehten asnjëherë nuk e ka vënë në diskutim drejtësinë e veprimit të tij, madje besoj se kur i ka vrarë robërit gjermanë i është dukur vehtja si Gjergj Elez Alia që po vret bajlozin.

Lini një Përgjigje te r.th.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin