Ç’U BË LLAZARI, PASTAJ?

Po qe se rasti nuk e sillte të përplaseshe pa dashje me të, askush nuk do ta vinte re praninë e saj. As aty në rrugicën tonë, ku muret e shtrembër prej qerpiçi të shtëpive ishin fare të ulët dhe të gjithë ngjanin më të mëdhenj nga ç’qenë. Por jo një grua si Sofia.

Dikur morëm vesh se nuk kishte qenë gjithnjë kështu. Në një kohë tjetër, njerëzit jo vetëm që e shihnin mirë por edhe e ndalonin në rrugë të merrnin të reja për të vëllanë e saj që paskësh qenë kujdestar kishe. Një burrë i mbyllur, i ngadaltë, por fort i çiltër, gati dede. Edhe ai kishte banuar me të motrën dhe macet e tyre në të njëjtën dhomë që e kishte hyrjen drejt e në rrugicë. Dhe me siguri aty do të kishte qenë ende, sikur të mos e kishin arrestuar gjermanët.  Dhe kjo për habinë e të gjithë atyre që mendonin se gjermanët e dinin mirë se çfarë bënin. Për herë të parë pati edhe ndonjë që nisi të dyshojë se gjermanët nuk e dinim mirë se ç’bënin.

Se kishte ndodhur që kur gestapoja ngriti befasisht një postbllok në mes të rrugës mbretërore, një vajzë i qe afruar Llazarit dhe i ishte lutur t’i mbante pak çantën. Ajo pastaj kishte kaluar tutje postbllokut dhe kishte ngritur dorën lart, për t’i thënë se po e priste aty. Kur i kishte ardhur radha Llazarit, ai pa ia kërkuar kush, kishte hapur vetë çantën me mirësjellje, madje edhe duke pyetur ushtarin nëse merrte lajme nga familja qëkishte larg. Dhe brenda i kishin gjetur një armë…

Pas dy vjetësh u mësua se emri tij figuronte në listën me pak emra të atyre që aleatët kishin gjetur gjallë në një kamp pune në Flossenburg. Iku i fundit prej andej sepse nuk pranonte të dilte jashtë derës pa një leje të shkruar me firmën e komandantit të kampit. Pasi i treguan i treguan kufomën e komandantit gjerman, që varej në një trekembësh, ai u detyrua të kënaqet me firmën e një oficeri aleat, por jo pa thënë një lutje për shpirtin e gjermanit që vazhdonte të lëkundej në ajër. Pastaj treguan se ishte nisur të kthehej në këmbë në shtëpi. Dhe lajmi i fundit thoshte se kishte ardhur deri në Durrës, duke bërtitur « Zoti është me aleatët! ». Aty i kishin humbur gjurmët.

Sofia e kalonte kohën duke ushqyer macet, e bindur se i vëllai do të kënaqej shumë kur t’i gjente të gjitha, ashtu siç i kishte lënë. Ishte aq e dhënë pas tyre sa u desh të kalonte shumë kohë që të kuptonte se askush nuk e pyeste më për të vëllanë, pa u mësuar kurrë nëse një gjë të tillë e bënin sepse ishin të sigurtë se tani ai ndodhej jashtë çdo rreziku apo sepse e merrnin vetë me mend se ku mund të ishte.

Unë nuk dija asgjë nga këto, nuk kisha lindur atëherë. Sofia hyri në kujtesën time atëherë kur ajo vetë kishte nisur të ndiqte njerëzit nga pas dhe t’i pyeste për të vëllanë. Por nuk i përgjigjej askush. Atëherë ajo mori zakonin të pyeste pa iu drejtuar kujt. Dilte në rrugë, pasi mbyllte mirë derën që të mos i iknin macet e saj dhe, duke vështruar muret e rrugicës, pyeste: Çu bë Llazari, pastaj? Qe diçka që të shtinte frikën, sepse të dukej se në krah të saj ishte gjithnjë dikush.

Një ditë ndërsa dera nuk ishte mbyllur ende, në brendësi të dhomës  sytë më zunë një fotografi të sajën me të vëllanë, i veshur me një rrobë si për ditë shërbese. Kisha dëgjuar aq shumë për të, sa vetëm ajo fotografi mungonte që të më dukej se e kisha njohur edhe unë.

Në atë kohë, aty kishte nisur të vinte dikush që thoshte se ishte nipi i Sofisë, një djalë  më i madh në moshë se ne. Quhej Pashuk dhe ndiqte një seminar fetar, gjë që e provonte edhe zhguni i tij, gjithnjë i pastër.

E megjithatë, e folura me vete e Sofisë më shtinte frikë. Kështu ndodhi edhe atë ditë kur, me të bërë anash që t’i lija rrugën të lirë të kalonte , ajo ktheu kokën nga unë dhe tha: Ç’u bë Llazari, pastaj?

Pyetja nuk më drejtohej mua, isha i sigurt, por më erdhi aq shumë keq që nuk e dija se ku ishte Llazari, sa mora vendimin e pakthyeshëm që të bëja diçka për të. Si fillim e ndjeva se kisha nevojë për më shumë information, ndaj duke bërtitur nga frika e pyeta:

-Kur, pastaj, Sofi?

Ajo ktheu me vështirësi pjesën  së sipërme të trupit  gjysmë të kërrusur dhe unë pata përshtypjen se ishte hera e parë që vërente ekzistencën time në këtë botë.

Bëri të ikë tutje, por  pastaj ndaloi  dhe si e inatosur ndaj meje, tha:

– Pasi vranë atë që e ngjalli, të thashë!

– Jo nuk më the gjë, – ia bëra unë, disi më i sigurt te vetja.

Kur u ktheva në shtëpi m’u duk se ndjeva një atmosferë të gjallëruar, gjë që nuk më pëlqeu hiç. Babai qe kthyer nga ata kantieret e largët ku qëndronte me muaj të tërë dhe në raste të tilla për nënën time gjithçka ndryshonte. Në të vëretë kisha përshtypjen se ajo vetëm atëherë niste e jetonte. Por për ne kalamajtë niste periudha e një jete minimum; duhej të flisnim ngadalë (mundësisht të mos flisnim fare), të ecnim ngadalë (mundësisht të mos ecnim fare), të luanim ngadalë (mundësisht të mos luanim fare). Dhe mbi të gjitha kishim porosi të prerë të mos hynim në dhomen e tyre, porosi të cilën ishm të ftuar të përsëritnim me zë të lartë për të treguar se e kishim kuptuar mirë.

I rrëmbyer nga ideja që kishte mbirë në kokën time, u futa në mes të të dyve dhe duke bënë një gjest që t’u tërhiqja vëmendjen, pyeta.

– Kush e ngjalli, Llazarin?

Ata u kthyen të shohin njëri-tjetrin.

– I ke bërë detyrat për nesër? – ma ktheu im atë.

– Nuk shkon ende në shkollë, – ndërhyri menjëherë mamaja me zë të ulët e duke i buzëqeshur që të mos e vinte në siklet, por pa munguar të më shihte edhe mua me bisht të syrit, për të treguar  edhe ajo pakënaqësinë për pyetjen time.

E kuptova se nuk mund të mbështetesha te ata për të mësuar kush e kishte ngjallur Llazarin.  As që bëhej fjalë pastaj, të më tregonin se çfarë i kishte ndodhur Llazarit, pasi kishte patur fatin të ishte ngjallur nga ai tipi i panjohur…

Por isha gabuar ca. Nja dy ditë pasi babai kishte ikur  nëna, që përsëri ishte bërë e heshtur dhe e kishte kthyer vëmendjen nga ne kalamajtë, më pyeti se “si ishte puna e atij Llazarit tim”. Nxitova t’i shpjegoj menjëherë se bëhej fjalë për “Llazarin e Sofisë”.

– E mora me mënd, – tha ajo dhe gati e la të binte përdhe hekurin e hekurosjes, që sapo e kishte mbushur me prush,- por ti duhet të dish se asaj ia kanë thënë me kohë se nuk ka prova që Llazari është gjallë. Më kot e pret.

Kështu ndodhi që ajo më tregoi versionin e gjatë të historisë së Llazarit, atë që fillonte nga koha e luftës. Më tha edhe se ajo vajza që i kishte dhënë çantën ditën e kontrollit të gestapos, ishte një shoqja e saj. të cilës i kishte ardhur shumë keq për atë që kishte ndodhur. Kurrë nuk e kishte besuar se gjermanët do të kontrollonin edhe dikë, të cilin e mbanin si të ishte ca… i mangët.

Mbase nga një farë trishtimi që ndjeva në fjalët e saj, nisa të dyshoj se vajza që i kishte kërkuar Llazarit t’i mbante çantën, duhej të ishte ajo, nëna ime. Këtë dyshim e ruaj ende, por atë ditë m’u duk se ishte e rëndësishme që tashmë e dija se “nuk ka prova që Llazari është gjallë”. Dhe që atë ditë nuk mërzitesha fare të rrija me orë të tëra para derës e shtëpisë së Sofisë, edhe pase andej nga fundi i verës te ajo erdhi të bujë Pashuku, që nuk e kishte më atë zhgunin e seminaristit. Dëgjova të thuhet se seminari tij ishte mbyllur për fare.

Por nuk ndihesha shumë i shkurajuar.

Një ditë, pasi mësova se Pashuku ishte nisur të bënte pazar, iu afrova derës së shtëpisë dhe, ndërkohë që dëgjoja Sofinë t’u fliste maceve të saj, përpiqesha të bindja veten se kurrë nuk do të gjeja rast më të mirë për t’i treguar atë çka ksha mësuar për të vëllanë. E merrja me mend se do të ishte një  tragjedi e vërtetë, por duhej ta bëja një gjë të tillë.

– Çfarë kërkon, këtu? – dëgjova shpresëhumbur Pashukun, që ishte kthyer nga pazari më herët se sa prisja unë.

– Asgjë… Dua t’i them një gjë Sofisë.

Ai u sigurua se aty rrotull nuk ishte fshehur askush dhe u përkul mbi mua.

– E pse duhet t’ia thuash ti atë gjënë?

– Se më pyeti vetë një ditë.

– Të pyeti ty? – Ai tundi kokën, duke buzëqeshur me ironi e mosbesim të hapur dhe shkoi e u fut brenda, duke ma mbyllur portën m’u para hundës.

– Nuk ka prova se Llazari është gjallë! – bërtita i dëshpëruar.

Dera u hap përsëri, por nga fytyra e Pashukut ishte zhdukur ajo shprehja e mëparshme që më kishte fyer shumë.

– Nuk ka prova se Llazari është gjallë! – ia përplasa edhe një herë dhe u zmbraps ca hapa.

Ai më bëri me shenjë të ulja zërin.

– Edhe unë ashtu them, – ia bëri ngadalë, – Llazari u bë më i rrezikshëm se vetë Krishti.

U hutova. Edhe ai e ndjeu një gjë të tillë dhe nisi të flasë duke i ndarë mirë fjalët.

– Krishti thoshte se është i dërguari i Perëndisë, apo jo?

– Nuk e di.

– Ta them unë që e di. Por fjalët e Krishtit veçse i bënin njerëzit të qeshnin. Pastaj Krishti ngjalli Llazarin dhe njerzit nuk qeshnin më.

– E kuptove tani?

– Jo.

– Llazari i gjallë ishte prova se Krishtin vërtet e kishte dërguar Perëndia. Nuk mund ta hiqnin dot qafe Krishtin pa kthyer Llazarin në varr. Po, tani?

– Çfarë?

– E kuptove tani?

– Jo.

– Bastard komunistësh! –  ia bëri ai me mllef e dëshpërim.

U përpoqa të kundërshtoj, por ai ma mbuloi fytyrën me pëllëmbën e tij që të heshtja. E largoi për të më vështruar edhe një herë shtrembër e gati me përçmim dhe shkoi të futej brenda, por kur dera nuk ishte mbyllur plotësisht, unë pashë Sofinë. Në të vërtetë pashë vetëm sytë e saj të shkëlqenin në errësirën e dhomës me një si dritë tinëzie.

– Të vjen keq që Llazari nuk është gjallë? – më pyeti duke u afruar te unë.

– Po, i thashë.

Pashukut duket nuk i shpëtuan fjalët e saj dhe ktheu kokën t’i thotë diçka e ta fusë brenda, por nuk pati kohë. Ajo shkundi shpatullat e saj të rrëgjuara dhe u afrua te unë.

– Afrohu dhe mos u dëshpëro, – më tha, dukshëm mjaft e kënaqur nga përgjigja ime, – Llazari jeton dhe quhet Llazar.

I nipi ngriti duart në ajër, fort i pakënaqur dhe iku e u zhduk tutje, në brendësi të dhomës.

Ajo u ndije më mirë dhe vuri dorën mbi kokën time.

– E kanë bërë peshkop të Durrësit, – më tha me sytë që i shkëlqenin gjithnjë, – Ku do të gjenin më të mirë se ai?

Pastaj duke tundur kokën, si për të më thënë se ky sekret duhej të mbetej midis nesh, u kthye të futej edhe ajo brenda, por jo pa u siguruar se asnjë nga macet nuk kishte marrë arratinë.

Në atë çast të shkurtër, sa zgjat mbyllja e një dere, pashë edhe një herë atë fotografinë e saj me të vëllanë, para së cilës digjej një qiri.

Pata dëshirë të shkoja dhe zija vend aty, midis të dyve dhe të mos dilja më prej asaj fotografie.

 

 

9 Komente

    1. E drejte eshte. I perket nje bote tjeter, qe mua me vjen keq qe iku pa u rrefyer ashtu siç e meritonte. Por eshte nje periudhe aq kyçe ne historine e nje kombi, sa besoj se te tjere do t’i kthehen me pas, sepse do te duan te kuptojne se çfare dhe si ndodhi qe nje vend pushtoi veten. E kush me mire se letersia mund ta beje kete?

        1. E kam njohur ate lloj opinioni. Eshte shume i vjeter dhe ndryshe nga sa mendohet nuk kishte ardhur nga brezi midis dy luftarve qe studioni ne Gjermani apo Austri, por nga Stambolli, ku Gjermanise perandorake i jepeshin konçesione te medha, per ndertime hekurudhash, ujesjellesish, tramvajesh etj. Njerzit ktheheshin te mahnitur.(Kur Kajzeri shkonte dhe vizitonte Stambollin ne fillim te shekullit, ne nje fare menyre ai ishte edhe i ftuari dhe mik i Shqiperise, pjese e Perandorise Osmane. Dhe miku nuk pushtohet. (Shih gazetat e kohes). Me tej u politizua (dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe), nderkohe qe kishte nje shumice qe pas pushtimit mendonin se duhej pritur qe ta kuptonin edhe ata qellimin e tyre te vertete, se vete gjermani me siguri e dinin mire se ç’bente. Pastaj ndodhnin ca masakra te vogla dhe njerzit e vinin ne dyshim gjithçka…

  1. Ne rrugicen e Pedagogjikes, sic i thoshim ne ate kohe rronte nje plake e vetmuar qe mbante e ushqente shume mace. Ne ia kishim ngjitur “plaka e mackave”. Nëse ne kete tregim Sofia eshte ngjizur mbi “plaken e mackave” atehere tregimi vlen te kete shenimin “mbeshtetur ne nje ngjarje te vertete”, te pakten sa i takon Sofise dhe maceve, se sa per Llazarin nuk di cfare te them.

    1. Ka diçka prej saj. Por ka edhe nje Sofie tjeter qe banonte te nje rrugice perballe shkolles Kongresi i Lushnjes, ku kisha shtepine ne ate kohe. Ajo ecte e kerrusur dhe nga pas e ndiqtei biri (nja 40 vjeç kur e kam njohur une). Dhe kisha franceskane e Tiranes, ishte jo larg prej aty. Ketij i lane çanten ne dore gjate nje postblloku te papritur… Personi qe ia la, u nis nga fakti se gestapo nuk do te kontrrolloje dike qe i kullonin jarget. Dhe ashtu ndodhi se ndryshe une nuk do ta kisha njohur Llazarin tim:-)).

        1. Kujtesa kolektive eshte e veshtire te percaktohet si funksionon, si seleksionon e si magazinohet, por pa dyshim qe fondi i saj ajo perbehet nga mijra detaje te tilla si ky, qe struken diku e dalin kur nuk e pret.

  2. Drite-hije-drite-hije-drite… Diku nje rrugice e panjohur e nje vendi te panjohur me njerez (njerez dhe jo personjazhe) te panjohur. E megjithate aq e lidhur me shume njerez e vende te tjera, e lidhur me kohra, mite, fe, te shkuara, e lidhur me historine e botes! Por e bukura e ketij tregimi nuk qendronte vetem tek keto sa me siper, por edhe tek stili i thjeshte dhe me humor. Dicka qe lexohet me kenaqi.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
error: Content is protected !!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: