GJUHA SI SHPATË, SHPATA NË DORË

nga Jolka Nathanaili-Penotet

Hapja e faqeve të ngjarjeve të historisë duke se josh ende vrullshëm vendas e të huaj, partizanë e ballistë, fashistë e komunistë, shqiptarë e gjermanë dhe kombinime të tjera të mundshme me aktorë humbës a fitues. Në thelb qartazi procesi i shqyrtimit të ngjarjeve historike ka disa nivele kuptimore dhe do përbënte interes të shmangej maksimalisht hierarkizimi i secilës prej tyre, në mënyrë që leximi i tyre të kryhej sa më qartë e në liri. Liria këtu perceptohet në kuptimin e një presioni sa më të vogël të mundshëm. Niveli i parë kuptimor, ose më i bujshmi është sigurisht ai i lidhur me synimin për pushtet, i cili përkthehet drejtpërsëdrejti me vendim-marrjet mbi shkrimin e ngjarjeve historike. Këtu boritë e megafonat nuk mungojnë, madje do shtoja se bashkëshoqërimi i tyre e ka përndjekur shoqërinë shqiptare që herët pas vendosjes së pushtetit të Hoxhës (që sigurisht në thelb ishte një lloj prifti me gjithçfarë nënkupton ky shënjues në aspektet e ligjëratës).

Aq të mësuar jemi me fanfarat sa mungesa e tyre shpesh na shpërqendron si dikush që humb identitetin e vet, p.sh. dalja e parë jashtë kufijve të Shqipërisë fill pas ndryshimi të regjimit por edhe hyrja e të huajve në Shqipërinë e izoluar, e rrëfyer thuajse pa pikë a presje nga autorët e ‘57 boulevard de Staline: chronique albanaise’.

Ky nivel kuptimor, i lidhur ngushtë me pushtetin duket se vijon të jetë në rend të ditës në Shqipëri dhe kjo vihet re dukshëm, pasi manifestimet e tij janë gjithnjë të njëjta : përsëritje e përpjekjes për të marrë pushtetin dhe për të përvijuar të njëjtën skemë mendore me pamje të re. Kështu së fundmi lindi Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit që tingëllon si njësi diagnostikuese e kuruese e ndonjë instance të lartë penale, ku sëmundja është pa emër (enverizëm, komunizëm, socializëm, totalitarizëm, autoritarizëm?) dhe doktorët sigurisht janë të shumtë, por më të rëndësishmit vijojnë të jenë ata që kanë kuruar vërtet dikur ‘udhëheqjen’ dhe jo keq për hir të së vërtetës, por kur këtë kurë ia aplikuan shoqërisë pasojat ishin katastrofike; teknikat e ndihmës së shpejtë janë gjithnjë të përkohshme dhe nuk mund të shërojnë ‘plagët’ e psikes.

Copëtimi më dysh i trupit social të shoqërisë është pasoja më e prekshme e kësaj strategjie dhe një nga mjetet e preferuara vijon të jetë sërish ‘çjerrja e maskës’ si forma më banale e ripërtëritjes të këtij pushteti. Kështu nga faqja zyrtare e ISKPK lexoj aktivitete si : ‘Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës…’. Çjerrja e maskës – ku maska është vetë rendi simbolik – rregullator i shkëmbimeve të një shoqëri njerëzore, përbën një mision vetëshkatërrues për një shoqëri. Përtej faktit që fytyra e njeriut mund të bëhet objekt edhe i ndërhyrjeve kirurgjikale sot, dhe pa i paragjykuar ato në rastet individuale, në rastet e një aplikimi kolektiv do të ishte fatal. Synimi për të përftuar homogjeni, e shëmbëlltyra të së njëjtit model është në thelb absurd dhe synon in fine fshirjen e vetë autenticitetit të subjektit, gjuhës së tij ashtu siç fatkeqësisht u realizua edhe nëpërmjet gjuhës së drunjtë duke alienuar një popull të tërë për dekada me radhë.

Vura re se ky mision i çjerrjes së maskës, i nisur nga regjimi hoxhist, përvijohet më së miri ende sot ku përftesa politike të tilla si ky institut të ushqyer dhe nga pushteti, i kanë hipur një kali dhe nuk mund t’i zbresin dot, pikërisht ashtu siç pati paralajmëruar, jo pa një farë disfatizmi, një figurë politike shqiptare diku nga fillimi i viteve 90. Që kali po jep shpirt, kjo është mjaft e dukshme sot sidomos në arenën mediatike me interesa krejtësisht të lidhura me pushtetin politik, por mbajtja në lëngim e ligjërimeve rreth të kaluarës përmban elementë të një forme perversitetit të mirëfilltë. Kjo pasi njerëzit mësohen me pozicionet e subjektit që jo thjesht vuan, por i duhet të vuajë sa më gjatë për të mbajtur gjallë rolin e ‘viktimës’ dhe anasjelltas të ‘persekutorit/kriminelit’. Çdo përpjekje për të dalë nga pozicioni i ‘viktimës’ pengon ushqyerjen e këtij cikli të pandryshueshëm, të këtij sistemi dypolesh – ku nuk ka vend veçse për dy trajta të cilat do të qëndrojnë në skajet e kundërta.

Pikërisht për këtë arsye, që në emërtim, ky organizëm ngre lart me të madhe fjalën ‘krim’ në konflikt të plotë të interesit të cilitdo studimi shkencor objektiv që do të kishte kusht lënien e vendit bosh, për rezultatin që pritet. Përndryshe nuk do të bëhej fjalë për studim, nëse rezultati qenka i njohur që në krye të herës; dhe pyetja që ngre çdo studim do të kish ‘vdekur’ qysh në gjenezë. Shpallja paraprakisht e misionit të tyre, gjetja medoemos e ‘krimeve’ i shërben kësaj vene të pushtetit, duke anashkaluar çdo rezultat tjetër të mundshëm që nuk do ta legjitimonte këtë mision. Më kujton dhe historinë e OJF-ve shqiptare, që gjatë periudhës së tranzicionit lëvruan aktivitetet e tyre me fonde të huaja, por rrugës ‘harruan’ dhe e kthyen ‘tranzicionin’ nga mjet në qëllim.

Kështu ISKPK-ja mban me serume familjet të cilat mbase do të donin realisht një formë dinjiteti e drejtësie, por që nuk mund të realizohet veçse në rrugë individuale. Trauma individuale nuk adresohet asnjëherë drejtpërsëdrejti, nuk çahet vatra e saj, përndryshe kirurgët do kishin bërë kërdinë ashtu siç dhe bënë. Shpata në dorë nënkupton vënien në përdorim sërish të një mjeti të dhunës, traumatik. Shpesh herë çfarë ngelet nga trauma janë copëza të kujtesës (dhe rrjedhimisht të harresës) që mund të marrin njëfarë kuptimi vetëm nga vetë personi dhe nuk mund të përgjithësohen. Ndaj çdo formë përgjithësuese a e institucionalizuar është në thelb vetëm objekt i propagandës së pushteteve politike dhe nuk përmbush aspak nevojat individuale apo të së afërmve të tyre.

Kështu lista me 256 kriminelët e LANÇ shëmbëllen më së miri përpjekjet e dështuara dhe keqdashëse të këtyre studimeve të komprometuara që në gjenezë. Nismat nga lart-poshtë në çdo përpjekje të hapjes së librit të së kaluarës janë qëllimisht kundërproduktive, sepse shpallja e ‘kriminelëve’ hedh hi syve, pra përpiqet të anashkalojë gjithë procesin (studimor? hetimor?), i cili në rast të një hetimi nuk mund të jetë veçse subjektiv, e të marrë kohën e duhur dhe të përfshijë aspektet personale, që nuk mund të jenë kurrsesi objektive. Po në rastin e një studimi si duhet të jetë, subjektiv apo objektiv? Mungesa e sinqeritetit në kamuflimin e synimit të organizmave të këtij lloji duhet analizuar më në hollësi, që të lexohen nivelet kuptimore të ligjërimeve publike që ata prodhojnë.

Vihet re se pikërisht këto studime e lista kanë filluar të përftojnë ligjërime e përdorime sipas mllefeve personale edhe pse nga goja e personave të veshur me pozicione publike, institucionale, titullarë universitetesh që përveç impaktin që kanë në edukimin e brezave, njëkohësisht u shërbejnë haptazi interesave politikë së ditës pa asnjë shqetësim. Shpata në vend të penës në dorë me qëllimin për të shkruar me ngut faqen e ‘gabuar’ më shumë sesa atë ‘të munguar’ të historisë, ngelet një përpjekje për të riprodhuar sistemin, dhe rrjedhimisht pasojat e tij (duke përfshirë këtu krimin, se për çdo kriminel të shpallur pa proces të mirëfilltë hetimor por me ‘gjyqe populiste’ shkaktohen të njëjtat padrejtësi dhe polarizime të shoqërisë si në regjimin e mëparshëm). Më bëri përshtypje se si në një shkëmbim me studiues gjermanë u dha shembulli se si Gjermania e paskësh shkruar historinë e luftës së dytë botërore vetëm pas 10 vjetësh. Kohë absolutisht e pamjaftueshme për cilindo proces traumatik për t’u brendësuar e ripërpunuar individualisht nga njerëzit dhe rrjedhimisht lë të kuptojë që kjo nismë ka qenë një direktivë nga lart poshtë, ku interesi rëndom ka qenë politik. Perceptova nga shkëmbimet se interesi më i madh ishte ‘informimi’ i brezave që nuk e kishin jetuar periudhën përpara 90-tës.

Si pasojë e këtyre manovrave deklarative, publicistike dhe fatkeqësisht aspak studimore, lexohet qartazi se skemat mendore të anëtarëve të këtyre organizmave si ISKPK, janë të njëjtat me ato të regjimit hoxhist, dhe nuk shtrohen aspak si përgjigje ndaj nevojave të individëve që patën pasoja nga regjimi hoxhist, por ushqejnë orekse fashash të caktuara vendase dhe të huaja me interesa ende të kamufluara. Ndaj në ‘studimet’ e tyre gjejmë vetëm zëvendësime të emrave të personazheve (heronjtë e 44-45 në kriminelë të sotëm) pa bërë vend për arsyetime apo shpjegime të kritereve të përcaktimit të këtyre kriminelëve (krimi ka gjithmonë autorin, viktimën dhe logjikën e cila duhet zbërthyer, përndryshe do të përsëritet). Vihet re se qëllimi i këtyre ‘studimeve’ paskësh qenë përpilimi i një liste emërore që përmbys valencat e pushtetit, duke shndërruar ‘heroin’ e luftës në ‘kriminel’ të luftës e kështu me radhë.

Në këtë proces, nuk dilet dot nga regjistri imagjinar (rendi i pasqyrës, ref. J. Lacan) duke ricikluar vijën e pushtetit – mjafton të zëvendësohet emri pavarësisht procesit/skemës mendore. Tipari kryesor i rendit imagjinar është se e gjithë ngjarja ndodh vetëm brenda për brenda kornizës së pasqyrës ku personazhi (a) është i vetëm përballë shëmbëlltyrës së tij (a’). Në një bosht [a-a’] të tillë nuk mund të përftohen vetëm figura çiftore: të idealizuara (heroike/viktima) ose të kundërtat e tyre: persekutuese (armiq/kriminelë).

Nga viktima në gjykatës e në viktimë sërish (shpallja kriminelë i jep statusin paraprak të një shpagimi të mundshëm nëpërmjet vuajtjes së dënimit etj) e kështu me radhë cikli historik po përsëriten në pafundësi dhe kësaj here aktorët janë të rinj në moshë, por me skema mendore shabllone dhe po aq të vjetra sa të duket se po përjetojmë fletë-rrufetë e gjyqet e dikurshme. Dihet se indoktrinimi më i frytshëm ndodh në rini, mjafton të vërehen fëmijët se si mësojnë gjuhën në vitet e para të jetës falë procesit të imitimit (në pasqyrë) ndaj ithtarët më të devotshëm i gjejmë shpesh me pak nisma studimore të sinqerta e autentike dhe më tepër numërojmë nisma të financuara ose të përdorura politikisht, ku këta persona janë veglat e radhës së pushteteve me fytyra të ndryshme por me të njëjtën skemë mendore. Në këtë nivel gjuha reduktohet në një gjuhë të padronit, vegël e pushtetit politik që mundet veçse t’i japë një dorë padronit që të sundojë edhe pak më gjatë….

(c) 2019, autorja.

3 Komente

  1. do e doja shkrimin me te thjeshte, por ndoshta kjo ceshtje eshte aq e thjeshte, sa duhet koklavitur per ta kuptuar. Kane kaluar thuajse 30 vjete, dhe historia tashme duhej shkruar edhe per “ata”, e megjithate ka pasur kohe per nje histori jo vetem per “ata”, por per te gjithe ne. Ky diskutimi mbi institutin te nxjerr ne perfundimin: “le te lulezojne mijera lule”, secili me cifligun e tij e parate e tjeterkujt. Cfare nuk mirekuptoj une, eshte ndjeshmeria e disave ndaj nje historie dukshem te falsifikuar te “luftes nacionalclirimtare” me batalione e divizione fshataresh. Mjafton te shohesh mamurrsit dhe lacjanet ne protestat e PD, apo leberit ne ato te PS, partizanet borgjeze te Organizates Politike e kafexhijte konservatore sot, dhe e kupton se c’gjindje kane qene ata “clirimtaret”.

  2. Çdo përpjekje për të dalë nga pozicioni i ‘viktimës’ pengon ushqyerjen e këtij cikli të pandryshueshëm, të këtij sistemi dypolesh.

    Nuk e di se si i imagjnon autorja përpjekjet e viktimave për të dalë nga roli i “viktimës”! Vallë a nuk është identifikimi dhe denoncimi i shkaktarëve te vuajtjeve të tyre vetëm hapi i parë për të dalë nga ky roli?

    Kështu ISKPK-ja mban me serume familjet të cilat mbase do të donin realisht një formë dinjiteti e drejtësie, por që nuk mund të realizohet veçse në rrugë individuale.

    Autorja kur thotë “mbase”, ndohsta nuk e beson vërtet që këto familje duan realisht ndonjë “formë dinjiteti drejtësie” (sic)!?

    Po ashtu drejtësia, aq sa di unë, realizohet së pari nga shoqëria, dhe jo individualisht! Përndryshe kemi vetëgjyqësi. Apo mos është ky një tjetër sebep për të mos i gjykuar institucionalisht këto krime?

    Dhe, së fundi, meqënëse shqetësimi ishte fragmentimi dhe përçarja që hulumtimi i krimeve të komunizmit nga instituti në fjalë i paska bërë shoqërisë shqiptare si shpata në dorë – që sipas autores është i lidhur me një luftë për pushtet  dhe jo një nevoje reale, për të zbardhur krime që u dashkan ende të provohen – do ishte mirë që edhe batuta e Namik Hotit të ishte sjellë e plotë. Namiku, atëherë, nuk foli për cfarëdo lloj kalorsi. Por foli për kalorsin “Malok” që nuk i zbret kalit.  Qysh atëherë, shumë kalorsë i kanë hypur kalit të pushtetit dhe nuk po dinë t’i zbresin. Por faji – bashkë me batutën e Hotit që përsëritet – i ka ngelur vetëm Malokut. Por edhe më shumë i ka ngelur elektoratit që ai ka pas përfaqsuar: aka malokët, shpellarët, katundarët. Kurse qytetaria u ka ngelur atyre që citojnë Namik Hotin.

  3. Po përpiqem të komentoj dy aspekte të ndërlidhura e me rëndësi, i pari lidhur me keq përdorimet e ‘viktimës’ shkurtimisht sepse nuk e kam trajtuar ne kete shkrim sepse kërkon një tjetër vend në një tjetër shkrim. Gjithsesi mendoj se statusi i kësaj pjese të shoqërisë (që e kanë pësuar individualisht por edhe familjarisht) po shpërdorohet dhe po përçudnohet nga politika/pushteti i cili rrezikon t’i tregojë mënyrën/vijën politike se si duhet të ndodhë, psh duke frymëzuar vendosje të drejtësisë – me ‘qëmtimin’ e krimeve kolektivisht e jo individualisht (siç e kërkon çdo proces i mirëfilltë juridik dhe jo politik) se si do bëhet kjo nga një institut studimor ku e ka ‘krimin’ të deklaruar paraprakisht e përpilon lista me qindra emra? përdor ‘mbase’ sepse kujdesem të mos sygjeroj (si poltika) se si duhet ta kryej apo ta tejkalojë një individ traumën e jetuar. As nuk e kam pësuar personalisht dhe as nuk mendoj se është qëllimi i aksioneve-studimore të këtij instituti pikërisht sepse po provokojnë të njëjtën skemë ‘en bloc’ dhe jo rast pas rasti ky personat do duhet të trajtohen një nga një (dhe proceset juridike në rast krimesh realizohen rast pas rasti, pra krim pas krimi dhe jo krime ‘en bloc’ përndryshe ka rsik për propagandë, abuzime, deformime etj. siç ka ndodhur.)

    Aspekti i dytë lidhet sërish me pushtetin dhe jam dakort me ju lidhur me riskun e perceptimin dhe të përçarjes nga thënia e N.Hotit. Sqaroj se leximi im është në aspektin e pushtetit dhe e lë mënjanë nuk është qëllimi im ndaj as nuk e citova emrin e autorit të thënies se e tejkalon atë. Më intereson leximi i përdorimit të pushtetit, çdo kush i hypën kalit ndaj dhe aspektin e parë lidhur me pjesën sa u takon individëve që e kanë pësuar, e veçoj. Nëse nuk tentohet të sqarohet përgjegjësia e atyre që kanë patur pushtet ose përfituar prej tij (në çdo kohë) cikli i polarizimit veçse do fuqizohet. Pushteti nuk ka një fytyrë, apo emër aq më pak përkatësi cilësish krahinore sepse kjo do të sillte automatikisht racizëm. Mendova se ky aspekt doli i qartë nga shkrimi gjithsesi po reflektoj për një sqarim të mëtjeshëm në pjesën e dytë që është një lexim psikanalitik, pra absolutisht personal!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin