NJË POLAK I VËSHTIRË (II)

(ose Polonia – Argjentina 1:1)

I mërguar në Argjentinë prej shumë vitesh, shkrimtari polak Witold Gombrowicz ishte nga të rrallët vëzhgues të shekullit XX, që mund të krahasonte mes tyre, nga një këndvështrim i privilegjiuar, dy kultura dhe dy kombëtarizma njëlloj periferikë, por aq të ndryshëm mes tyre: polakun dhe argjentinasin. Nëse të dyja kombet rreken të maten me hijen e mëngjesit – ose duke u krahasuar orë e çast me kombet e mëdha të Perëndimit – ndryshimet në mënyrën si e përjetojnë ato provincializmin dhe format që u merr paranoja janë ndoshta më domethënëse se edhe trajtat që u merr kombëtarizmi mirëfilli.

Më poshtë po sjell, të përkthyera lirshëm dhe shpesh të përmbledhura, disa faqe të tjera të Ditarit të Gombrowicz-it, këtë herë të vitit 1959, ose gjashtë vjet pas shënimeve që solla në shkrimin e mëparshëm (Një polak i vështirë). Tashmë shkrimtari jeton në dhé të huaj prej 20 vjetësh dhe ka hedhur rrënjë në limbon mes dy botëve. Ashtu i baraslarguar, sheh edhe për ne lexuesit, krahason edhe për ne lexuesit; dhe të paktën për mua, Shqipëria kulturore nis të përvijohet, gjatë leximit, si një entitet tipologjikisht i ndërmjetëm, midis Polonisë dhe Argjentinës; ndonjëherë duke pasur të përbashkëta me këto të dyja anët më problematike, më patologjike të ca konstrukteve ideologjike që jo gjithnjë arrijnë ta negociojnë si duhet distancën që i ndan nga paranoja…

Ja ç’shkruan Gombrowicz-i, këtë herë duke komentuar frymën e kulturës argjentinase, si kulturë kombëtare:

Argjentinasit e shkolluar e dinë mirë se kreativiteti i tyre është i mangët. – Ne nuk kemi letërsi të madhe. Pse? Pse nuk dalin gjenij mes nesh? Anemia e muzikës, filozofisë, arteve tona plastike, mungesa e ideve, e njerëzve… Pse? Pse? Pse jemi kaq shterpë dhe pasivë?

Këto ankime nuk duhen marrë shumë seriozisht: argjentinasve u duhen gjenijtë për të njëjtën arsye që u duhet një ekip futbolli – për të fituar ndeshjet me vendet e tjera. Pikërisht kjo dëshirë për t’i treguar botës, për të mos mbetur prapa, është edhe zhbërja e mendjes së tyre. Meraku i tyre kryesor nuk është si të shprehin pasionet e tyre dhe të ndërtojnë botën e tyre, por të shkruajnë një roman “të nivelit europian”, në mënyrë që edhe Argjentina… të ketë një vepër të denjë. E trajtojnë artin si kampionat botëror të futbollit dhe shqetësohen me orë të tëra pse ekipi i tyre nuk po shënon gola.

Pse kaq pak gola. Mos problemi ka të bëjë me atë fjalë të vogël, “ne” (së cilës unë nuk i zë fare besë, dhe do t’ua ndaloja individëve që ta përdornin)… Sepse sa kohë që një argjentinas flet në vetën e parë njëjës, ai është i njerëzishëm, i përkulshëm, i mirëfilltë… dhe ndoshta, nga disa anë, edhe superior ndaj europianit. Sa më i vogël ballasti, sa më e vogël barra e trashëguar, sa më pak histori, traditë, zakone, aq më shumë liri për lëvizje dhe mundësi për të zgjedhur; është më e lehtë për ta të mos mbeten prapa historisë. Dhe ky avantazh do të kish qenë absolut, sikur jeta në Amerikën e Jugut të mos kish qenë e lehtë dhe të mos kish shkurajuar përpjekjet, guximin, rrezikun dhe këmbënguljen, vendimet kategorike, tragjedinë dhe sakrificën, dhe çdo ekstrem që përfton arenën krijuese, par excellence

Mirëpo, për fat të keq, ky “unë” funksionon vetëm në hallkat më të poshtme të ekzistencës lokale. Argjentinasit nuk dinë si ta ngrenë një hallkë më lart – në kulturë, art, fe, moral, filozofi – sepse këtu gjithnjë kalojnë në “ne”. Por kjo “ne” është abuzim. A nuk ekziston vallë individi në mënyrë që të përdorë “unë”? Kjo “ne” e mjegullt, abstrakte dhe arbitrare, i privon këta nga konkretësia, nga sanguiniteti; ua rrënon aftësinë për të qenë të drejtpërdrejtë… Dhe ashtu argjentinasi fillon të predikojë, të themi, se si “ne” kemi nevojë për histori, sepse ne nuk e hamë dot me kombet e tjera, më historike; dhe fillon të sajojë një histori për veten, duke u ngritur monumente heronjve të panumërt kombëtarë, në çdo cep rruge; dhe duke kremtuar nga një përvjetor të ndryshëm çdo javë; duke dhënë leksione, shpesh pompoze; dhe duke e çuar veten, me fjalë, drejt një të shkuare të lavdishme. Në Amerikën e Jugut, fabrikimi i historisë është një sipërmarrje që konsumon (dhe shpërdoron) kohë pa hesap. Dhe kur është shkrimtar, argjentinasi do të fillojë të vrasë mendjen se çfarë është Argjentina tamam – që të deduktojë pastaj se çfarë lloj argjentinasi duhet të jetë ai vetë… Ky argjentinas i deduktuar, do të krijojë një letërsi, poezi, muzikë të deduktuar, një botëvështrim të deduktuar, parime morale të deduktuara dhe një standard të deduktuar… në mënyrë që gjithçka të zërë vend mirë brenda kësaj Argjentine të deduktuar.

Por asnjë argjentinas nuk do të pyesë ndonjëherë se “Pse nuk jam kreativ?” Pyetja e tyre është: Pse nuk krijojmë dot? Gjithçka shkrihet në atë “ne”.

Kjo dyndje e përbindshme stereotipesh, teorish, abstraksionesh, formash të gatshme të përpunuara gjetiu, është rezultat i asaj që “uni” i tyre mezi arrin të rrijë në këmbë. Dyndja vjen e bëhet edhe më groteske, sepse abstraksioni nuk është në natyrën e tyre. Ka diçka të dhimbshme në nevojën e tyre për të teorizuar dhe paaftësinë e tyre për ta bërë këtë.

Disa prej shkrimtarëve vendës kanë aq kapacitet mendor dhe precizion shprehës, por nuk dalin dot nga bataku vetëm ngaqë kanë ngecur në probleme të trashëguara dhe të vjetruara. Kjo gjithnjë u ndodh mendjeve që janë moderne vetëm në sipërfaqe. Ato kërkojnë gjithnjë fitoren brenda rregullave të së njëjtës lojë, në një kohë që duhej ta kishin përmbysur tabelën e shahut. Të formulosh pyetje të reja – kjo është mënyra më e mirë për t’i hequr qafe të vjetrat…

Jetë pa mundime, jetë provinciale. Këtu kushdo që ka fituar ndonjë çmim, shndërrohet pa një pa dy në “maestro”. Mirëpo maestro do të thotë edhe “mjeshtër”, edhe “mësues”. Dhe meqë askush nuk dëshiron të shkruajë për veten, por vetëm për kombin (ose lexuesit), një shkrimtar jug-amerikan shpesh është edhe lexues, mësues i vegjëlisë, udhëheqës, ndriçimtar (në vija të përgjithshme, është e çuditshme të shohësh sa skolastike është kjo kulturë… aq sa të duket ndonjëherë sikur kombit argjentinas i kanë dhënë formë zyshat). Dhe me pak vullnet të mirë, “maestroja” pëson metamorfozën tjetër: shndërrohet në profet, largpamës, ndonjëherë martir ose hero i Amerikës. Për t’u habitur që në një komb kaq pafajësisht modest, ka kaq shumë pompozitet në shtresat e larta, gati-gati një vetë-fryrje prej fëmije…

(Përkthim imi i lirshëm nga anglishtja. Vende-vende, përmbledhje.)

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: