PROFESORATI QË DUAM

Times Higher Education (15 Maj, 2019) tërhiqte vëmendjen te mungesa e prodhimtarisë shkëncore të pedagogëve të Prishtinës. Referuar raportit (Tetor 2018) të Organizatës për Rritje të Cilësisë në Arsim (Prishtinë), mbi 72% e personelit në Universitetin e Prishtinës nuk i justifikojnë titujt akademikë. Në Shqipëri, sipas një vëzhgimi të A. Shahinit,  gazetares E. Keta dhe kërkuesit T. Muka (Prill 2018, i vetëfinancuar), këto shifra shkonin afërsisht tek 60% për publikimet sipas kritereve ligjore (artikuj në revista me Faktor Impakti, Web of Science) për ata që kanë marrë titujt gjatë periudhës 2008-2016. Shifrat mund të jenë më të larta nëse do të konsideroheshin periudhat e mëparshme.

Tituj dhe botime te indeksuara nga Web of Science

Studimi u krye në bazë të të dhënave të paraqitura nga Ministria e Arsimit, nëpërmjet ndihmës së Qendrës Respublika të avokat D. Matija (pas disa ankesave ndaj ministrisë). U desh puna e disa studentëve dhe e T. Mukës për të digjitalizuar të dhënat, pasi ato u dorëzuan në një formë jo lehtësisht të përpunueshme. Kërkesa ime për të shtënë në dorë bazën e të dhënave për programet e doktoratës u sabotua nga ministria, pasi sollën disa qindra fletë të shkruara me dorë, e të fotokopjuara keqazi e të palexueshme, edhe pse unë e di se ministria ka një bazë të dhënash elektronike. Kërkesa ime për doktoratat dhe titujt profesorë për periudhën para 2008 ka ngelur pa përgjigje.

Nga listat e ministrisë, prej periudhës 2008 ishin dhënë rreth 1371 tituj akademik profesor i asociuar (963) dhe profesor (408). Ndërsa në studim, për shkak të disa problemeve me emrat u morrën në shqyrtim vetëm 1070 profesorë. Grafikët më poshtë i referohen këtij numri.

 

Pedagoge me tituj ne Shqiper per 2005-2017

Për shkak të kuadrit ligjor dhe praktikave disa vjeçare të paqarta nga universitetet dhe Ministria e Arsimit, për rastin e Shqiperisë nuk mund të pretendohet se këto tituj janë të pamerituar. Kështu në shumë vlerësime për titujt profesor janë përdorur indekse të tjera (edhe pse VKM 467/2007 e ka shprehimisht Impact Factor, që nënkupton Web of Science). Është përdorur p.sh. SCOPUS, kur në indeks kanë qenë përfshirë edhe revista shqiptare me cilësi të dyshimtë. Ndërsa botimet me impakt faktor mund të zëvendësoheshin nga monografi (praktikë kjo jo e ndjekur njësoj në të gjitha universitetet). Ministria e Arsimit ka raporte të hollësishme për (mos)zbatimin e kritereve të fitimit të titujve akademikë në universitete, por këto nuk bëhen publike (autori vetë ka kryer raporte për Universitetin e Durrësit dhe të Gjirokastrës para vitit 2013 dhe situata nuk ka qenë e këndshme).

Më poshtë paraqitet një grafik i indeksit SCOPUS, ku vërehet se vetëm një revistë ka një numër të madh botimesh, deri sa SCOPUS e përjashtoi nga indeksimi. Periudha e ngritjes së revistës përkon me promovimin e një numri të madh pedagogësh të Universitetit Evropian të Tiranës. Ndërsa dy platforma të tjera janë proceedings të konferencave.

Revistat ku publikohet më shumë në Shqipëri

Sikur e kemi diskutuar në një studim të mëparshëm bibliometrik, situata është jo premtuese, sidomos kur vërehet në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria qëndron shumë larg Serbisë, e madje pas Maqedonisë. Universiteti i Tiranës ka rekordin më të mirë për publikimet në Shqipëri, e më pas vijnë Universiteti i Mjekësisë. Nga privatet udhëheq Epoka. Më poshtë paraqiten grafikë në lidhje me indeksin Web of Science (Impact Factor), ku janë përfshirë të gjitha produktet (edhe konferencat apo datasets etj.).

Krahasimi i publikimeve me vendet e rajonit.

 

Shperndarja e publikimeve sipas institucioneve

Sikur e kemi diskutuar edhe në një shkrim të mëparshëm (7 Shkurt, 2014), shtysat për të marrë titullin pa merita akademike, kanë ardhur nga vetë politikat dritëshkurtër të qeverisë. Kriteret e forta, si ajo që parashikonte publikimin në revista të indeksuara nga Web of Science nuk kanë gjetur zbatim për shkak të nepotizmit, mungesës së fondeve dhe pamundësisë së studiuesve shqiptar për të konkurruar me kolegët e tyre jashtë vendit. Faktor tjetët i rëndësishëm ka qenë mungesa e etikës të disa pedagogëve, anëtarëve në Këshillat e Profesorëve kryesisht të Universitetit të Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe Gjirokastrës, dhe vendimmarrësve në Ministrinë e Arsimit. Më tej qeveria vazhdon të kontrollojë kriteret për promovimin e pedagogëve edhe pse nuk jep fond të posaçëm për kërkim (reformës së shpallur në sistemin e kërkimit shkencor do i kthehemi në një tjetër kapitull). Qeveria dhe këshilltarët e saj akademikë (që duan të jenë si profesorët në perëndim) nuk e kuptojnë rëndësinë e mësimdhënies: p.sh. duke promovuar edhe me tituj akademik që mund të jepen për merita në mësimdhënie (ngjashëm me titullin docent që ka qenë më parë).

Me daljen e tij në skenë, Taulant Muka, një shkencëtar i ri aktivist, u mundua të orientojë pakënaqësinë e studentëve dhe vëmendjen e kryeministrit drejt kësaj dukurie, sidomos plagjiarizmit. Si u vu re nga dorëheqja e këtij për një kohë të shkurtër pas emërimit si zv/ministër i arsimit, ky problem ishte më i parëndësishmi për studentët, edhe disi problematik për ndjekësit e kryeministrit dhe dekanët e Fakultetit të Ekonomisë e të Drejtësisë që u munduan ta orientojnë revoltën në distancë.

Sidoqoftë, Pakti për Universitetin, platforma e krijuar nga kryeministri si përgjigje ndaj revoltave studentore dhe premtim për përmirësimin e situatës në universitetet publike, e përfshinte “rishikimin e titujve akademik dhe verifikimin e plagjiaturave të doktoratave dhe teksteve mësimore”. Një Vendim i Këshillit të Ministrave e hartuar nxitimthi dhe miratuar në dhjetor 2018 mbi kriteret përfshinte revokimin e titujve akademik pas vlerësimit të një komisioni kombëtar të drejtuar nga Akademia e Shkencave (Kolegji i Etikës). Instrumenti i zgjedhur, bazuar nga në një draft-ligj të hershëm, “Për kodin e sjelljes për integritet në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë” (Korrik 2018), nuk ishte konform Kushtetutës dhe ligjit të arsimit të lartë, pasi cenonte autonominë institucionale dhe akademike, përkufizuar si liri në mësimdhënie dhe në kërkim shkencor. Për më tepër që  ndërhyrja e Akademisë së Shkencave ishte e paligjëruar, pasi ajo vuan vetë nga niveli sasior dhe cilësor i ulët i produktivitetit të saj shkencor (shih shkrimin këtu, 15 Nëntor 2018). Ky funksion duhet ti ngelej universitetit, edhe pse kishte dështuar më parë në rolin e tij.

Ndërsa ndryshimet e fundit ligjore (VKM 112/2018) tanimë përfshijnë edhe SCOPUS për indeksimin e produkteve shkencore, veç Web of Science. Por sërish pedagogë kanë pakënaqësi me këto kritere, sidomos me vendosjen si kriter të konferencave dhe publikimeve në formën e proceedings (zanokisht pa peer review) që jo pak herë janë të një cilësie të ulët në rajon dhe krijojnë hapësira për shmangjen e kritereve si publikimi në revista prestigjioze.

Ndoshta përfshirja e SCOPUS nuk ka qenë zgjedhje e keqe. P.sh. numri i publikimeve për studiuesit shqiptar (SCOPUS 2018) ka ardhur në ngritje. Duke vërejtur se pas 2017 kishte një ulje të vogël, për shkak të largimit të një reviste shqiptare nga SCOPUS. Kjo rritje nuk vërehet në indeksin e Web of Science (shih për Shqipërinë brenda grafikut).

 

Ndërsa cilësia e publikimeve, ose interesi për studimet e hulumtuesve shqiptarë (matur me numrin mesatar të citimeve) duket që ka rënë ndjeshëm (shih shembull të SCOPUS më poshtë – më shumë këtu).

Numri mesatar vjetor per citimet

1 Koment

  1. Asgje e re nga fronti shqiptar i shkencave! Ai kosovar eshte akoma (dhe sic duken bathet, ka per te qene po keshtu edhe ne dekadat e ardhme) per toke dhe i fundit ne radhitjen europiane te studimit shkencor, po te mos llogarisim disa studime xeherore, sic ata quajne mineralogjine, metarlugjine dhe fonderine bashke. Ky shqiptar i kendejmi ka qene, eshte dhe do jete me larte; ne dege te vecanta konkurron me studimet e huaja europiane, por eshte i panjohur dhe i injoruar nga shtypi i huaj. Nga dy revista te rregullta (nga dy ne vit) vazhdon te pakten njera te jetoje, ajo ne anglisht per shkencat natyrore.
    Persa i perket kopimeve, ata qe merren me kete kontroll arrisin vetem te krahasojne punimet e digitalizuara, por nuk i futen nje punimi me themel (ta lexojne), per te pare se sa bagazh dhe cfare ka nga vetja ky studjues.
    Si konkluzion mund te themi: pikiata vazhdon, ne tashme jemi mesuar me ‘te.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin