PËRRALLA NË LESH

(vetëm një mini-spoiler në paragrafin e parë të shkrimit)

Një serial i gjatë televiziv, “Game of Thrones”, i ndjekur anembanë botës, është duke përfunduar – dhe publiku që para se të shfaqet episodi i fundit, po e shpreh me mënyra të ndryshme zhgënjimin. “Nuk është ky fundi që prisnim, sikurse nuk është fundi që meritonin heronjtë e serialit” – këtë opinion e dëgjon dhe e lexon pothuajse kudo, në të gjitha forumet dhe nivelet e kritikës; madje e ndesh edhe në batutat që shkëmbejnë mes tyre personazhet (“I hope I deserve this, truly I do”, thotë eunuku Varys, pak para se ta ekzekutojnë; duke qenë vdekja e dhunshme mënyrë me kosto të ulët, për ta hequr qafe një personazh të tepërt.)

Diçka e ngjashme – po ajo pritje e ethshme dhe po ai zhgënjim – pat ndodhur me serialë të tjerë njëlloj të suksesshëm në të kaluarën: nga “Sopranos” te “Lost”. Edhe pse produksione të tilla tërheqin ajkën e talentit skenarist dhe regjisorial, sërish duket e pamundur, për ekipin e autorëve dhe të producentëve, që t’i gjejnë zgjidhje të kënaqshme harkut narrativ, të tillë që t’u japë shikuesve një katarsis të krahasueshëm me atë që ndiejnë kur përfundon një tragjedi e Shekspirit a një roman i Tolstoit.

Me sa duket, arsyet kanë të bëjnë me vetë strukturën e zhanrit, i cili shtjellohet sipas linjash narrative relativisht të hapura dhe me shumë personazhe, njëlloj si sagat dhe ciklet epike në folklor; por që është parashikuar të përfundojë dikur, ndryshe nga sagat dhe ciklet epike të cilat zakonisht nuk kanë një fillim dhe një fund specifik, por më shumë organizohen në mënyrë të lirshme rreth një numri heronjsh qendrorë. Nëse bota e një vepre të tillë pasqyron pak a shumë me besnikëri strukturat dhe ritmet e botës reale, asaj i duhet që dikur të marrë fund, madje jo vetëm; por edhe të marrë fund në mënyrë të kuptimshme.

Fundi i një romani të gjatë shumëplanësh ose i një seriali televiziv të gjatë bëhet, në të vërtetë, faktor tejet i pranishëm në përjetimin e kësaj vepre nga publiku (në kuptimin që ti nuk do të ngrihesh të shkosh në banjë kur filmit i kanë mbetur edhe pesë minuta për të mbaruar); edhe pse fundi, në vetvete – ose si ndërprerje e botës narrative – nuk është (nuk mund të jetë) pjesë e narrativës. Por ti, si lexues ose shikues, që nga momenti kur e di se seriali është duke mbaruar, fillon t’i perceptosh ngjarjet e rrëfyera ndryshe, duke i interpretuar secilën prej tyre si shkallare që afron drejt mbarimit.

Dhe ky mbarim i shformon, madje i përçudnon edhe ngjarjet vetë, edhe e sidomos personazhet; ndryshe nga ç’ndodh në realitetin “historik”, ku shumë rrallë na qëllon ta përjetojmë një ditë sikur të ishte e fundit e jetës sonë, ose e universit. Bota narrative është vetvetiu më e vogël dhe më ekonomike se ajo realja; dhe detyrimisht më e logjikshme, edhe kur është irracionale ose fantastike. Nëse një serial ka shpenzuar disa episode, për të treguar si aksh personazh po stërvitet për t’u bërë vrasës, atëherë ti logjikshëm pret që ky personazh herët a vonë ta bëjë vrasjen. Është si ajo koburja e Çehovit, që duhet të shkrepë në aktin e fundit, nëse publiku e sheh në skenë gjatë aktit të parë.

Nëse në fillim të dramës, pra, kjo kobure vjen si element i thjeshtë i dekorit, gjatë aktit të fundit valenca e saj narrative vjen duke u rritur, derisa të shtrembërohet jo vetëm statusi i objektit, por edhe pritjet e publikut. Dhe këtë shndërrim të statusit e përfton në masë të madhe shkurtimi i distancës me fundin (të paktën me fundin e pritur prej publikut). Personazhet në skenë ose në ekran ose në tekst “nuk e dinë” që fundi po afrohet; por publiku (shikuesi, lexuesi) e di. Edhe kur je duke lexuar një roman 500-faqesh dhe e sheh sa pak faqe të kanë mbetur, pritjet e tua si lexues ndryshojnë. Kur një seriali 8-vjeçar i kanë mbetur edhe dy episode, një gjë është e sigurt: zhgënjimi yt si konsumator.

Në rrëfime të thjeshta, si përrallat, veprojnë formula narrative pak a shumë fikse: më i vogli i vëllezërve martohet me të bijën e mbretit, ose vajza jetime zbulon që është princeshë, etj. Një i madh, besoj Tolstoi, pat thënë se shumë romane përfundojnë me martesën e protagonistëve, edhe pse atje duhej të fillonin. Megjithatë, narrativat epike gjithnjë organizohen rreth ngjarjesh primordiale, si lindjet, vdekjet, vrasjet, martesat, trashëgimitë, ikjet dhe ardhjet (rishfaqjet). Tradicionalisht, letërsia dhe teatri kanë arritur të përpunojnë një teknikë për t’i përfshirë këto ngjarje në kufijtë e një vepre që ka fillim dhe mbarim. Serialet televizive, të cilat përndryshe përfaqësojnë një risi kritike në kulturën pop bashkëkohore, ende nuk arrijnë; në kuptimin që ende nuk arrijnë të ndërtojnë marrëdhënie “normale” me fundin.

Fundin e një vepre të tillë duhet ta përfytyrojmë si “singularitet” – ose si një pikë zhvillimi ku ndryshimet kaskadë as mund të kontrollohen as mund të parashikohen më. Le të themi, një “vrimë e zezë” që thith botën narrative e veprës. Teksa vepra vetë i afrohet singularitetit, efektet e këtij shfaqen gjerësisht nëpërmjet deformimeve që pësojnë personazhet, në sytë e shikuesit që është në dijeni të singularitetit, ose të faktit që kësaj narrative po i afrohet fundi.

Për shkak të një iluzioni, le ta quajmë interpretativ, ne e ngatërrojmë shpesh fundin e diçkaje me zgjidhjen (angl. denouement), që nuk është veçse pjesa e fundit e një pjese teatrale, e një filmi a një rrëfimi letrar, ku fijet e fabulës kombinohen së bashku dhe çështjet shpjegohen a gjejnë përgjigje. Tipik është denouement-i në romanet ose në filmat policorë, ku fundi përkon me identifikimin e vrasësit (dhe vetë narrativa nuk është veçse një aventurë intelektuale, që synon ndriçimin e një misteri).

Në jetën reale, rolin e këtij denouement-i, sidomos në kontekste me shumë persona të përfshirë, do të ishte fundi i luftës, ose i një revolucioni, si ngjarje që prek njëherësh një numër të madh njerëzish të së gjitha llojeve, shtresave dhe profileve. Për seriale si “Game of Thrones” mund të mendohet si mbyllje logjike momenti kur dikush ulet, ligjërisht, në fronin e shpatave. Por kurorëzimi i një mbreti nuk mjafton, për t’u dhënë zgjidhje të gjitha linjave narrative dhe as për t’u dhënë përmbyllje konflikteve shoqëruese. Personazhe me të cilët shikuesi është identifikuar gjatë viteve, kanë edhe ato nevojë për përmbyllje individuale; por të gjitha këto përmbyllje individuale kanë nevojë, nga ana e tyre, për një “teori” narrative që t’i bashkojë.

Fundi më i natyrshëm i këtyre veprave kaq komplekse do të ishte in medias res: ose mbarimi pa denouement. Publikut do t’i jepej papritur lajmi se seriali nuk do të vazhdojë më – ose më mirë, që “transmetimi live” i botës narrative, për ne të këndejmit, nuk do të vazhdojë më. Kjo do të na bënte të pranonim, të paktën, se seriale të tilla që zgjatin me vjet i ngjajnë botës sonë më shumë se ç’kujtonim. Ky mbarim i paparashikuar ndodh ndonjëherë kur produksioni mbetet pa financim ose dështon komercialisht. Le ta përfytyrojmë si një roman, të cilit i kanë humbur fashikujt e fundit – që mund të jetë edhe gjysma, sikurse mund të jetë edhe vetëm një kapitull.

Siç e thashë, personazhet në ekran ose në tekst nuk “e dinë” që veprës po i vjen fundi; por ne si shikues a si lexues zakonisht e dimë dhe këtë fund e përjetojmë si metaforë të vdekjes. Që mund të jetë vdekja katastrofike e një bote të tërë; por mund të jetë edhe vdekja jote, si subjekti i perceptimit të botës. Tek e fundit, seriale të tilla nuk janë veçse riprodhime intensive dhe rituale situatash narrative reale, me të cilat japim e marrim në jetën tonë të përditshme; dhe të cilave zgjidhja mund t’u vijë edhe thjesht me daljen tënde nga skena. Kjo do të jetë mbase një arsye më tepër, që e kemi të vështirë ta pranojmë fundin – përveçse kur ky na vjen si konvencional, në formën “përralla në lesh shëndeti prej nesh”, ose “and they lived happily ever after.”

Aq më tepër kur ne, si shikues, e kemi të qartë se personazhet nuk është se janë zhdukur krejt dhe i ka tretur dheu – vrima e zezë nuk ua ka thithur ekzistencën, por vetëm virtytin për t’u riprodhuar në mënyrë krijuese. Një episodi të vjetër të “Lost” ose të “Sopranos” gjithnjë mund t’i kthehemi, për t’i parë heronjtë të bëjnë të njëjtat gjëra, e të thonë të njëjtat fjalë në të njëjtat vende dhe me të njëjtat pasoja; brenda këtyre hapësirave narrative, vdekja do të mishërohet si pamundësi për të dalë nga laku i përsëritjes. Edhe kur nuk kemi dyshim për natyrën artificiale të fiksionit, gjithnjë e përjetojmë ndryshe një personazh, kur e dimë se “si do t’i vijë fundi”. Ky efekt prapavajtës me siguri ndikon edhe në analizat e mëpastajme të veprës – dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për ato vepra që e ndërtojnë suksesin e tyre mbi tensionin narrativ, si p.sh. romanet policore.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

12 Komente

  1. Kendveshtrim tejet interesant, por mendoj se me Game of Thrones zhgenjimi i ndjekesve eshte i nje natyre tjeter. Si ndjekes i vjeter i serialit dhe lexues i (deri tani) 2 librave, mund te them se te pakten nga fundi i sezonit 4 eshte sakrifikuar dialogu per hir te skenave hollivudiane dhe materialeve per meme. Duke mos patur dialog cilesor, as zhvillimi i personazheve nuk shihet qarte. Vertet, ne gjithe Game of Thrones vetem Arya, Jamie dhe Sansa tregohen qarte sesi jane metamorfizuar, per te tjeret shumeçka eshte e mjegullt. Jon Snow ringjallet por nuk duket te kete ndryshuar fare.
    Keshtu mendoj se zhgenjimi i shume ndjekesve vjen pikerisht nga nençmimi qe i eshte bere plot-eve te mundshme te serialit qe perfshijne intriga politike, magji, profeci, kompleksitet personazhesh, deshira seksuale etj. I gjithe sezoni 7 ishte nje deshtim nga kjo ane pa folur per serite e para te sezonit 8.
    Sa here qe degjoj ndonje podcast mbi ngjarjet historike dhe kulturat e ndryshme qe popullojne universin e Game of Thrones, habitem sesi 4 sezonet e fundit, hiq dy-tre seri, jane shkruar kaq keq, duke patur gjithe ate material ne dispozicion. Me vjen keq kur degjoj producentet e serialit te flasin me aq pak njohuri dhe aq jashte logjikes -dhe ketu preket dicka te diskutuar ne shkrimin me lart- se serialit/librave/historise.
    Keshtu mendoj se zhgenjimi kryesor i ndjekesve te Game of Thrones, lidhet me shume me nje refuzim te vetedijshem qe producentet i kane bere kompleksitetit intelektual te serialit per hir te krijimit te sa me shume skenave me beteja te gjata (kujtojme ekspediten ne veri te murit ne sezonin 7 , taktikat e palogjikshme te betejes se winterfellit, apo teletransportimet e personazheve ne sezonin 7), si dhe material per meme ( dhenia e nje kohe te tepert televizive te personazheve si Bronn, edhe pse periferike per thelbin e historise).

  2. une e pash te gjithe serialin ne nje muaj. e fillova kur mesova se sivjet perfundon dhe keshtu kisha me shume liri edhe pse kisha presjon nga shoqeria dhe nga bota virtuale gjithe keto vite. ia vlente.

    koburja e cehovit qe thote AV me siper per mua ishte muri. dikur do i vinte fundi.

    nuk me pelqeu qe pash patate ne serial edhe pse ne westeros kush e di patatja mund te kishte nje histori ndryshe.

    nuk me pelqeu qe kishte emra nga universi yne. mund te pranoj anglishten si gjuhe konvencionale, po ashtu edhe alfabetin, por emrat robert, gregor, etj qe kane nje shpjegim ne gjuhen gjermane dhe greke nuk mund ti pranoj. kjo presupozon se edhe ne universin e GoT ka gjermane dhe greke?

  3. Ndersa per mua Game of Thrones nuk ka qene zhgenjyes ne asnje seri e ne asnje sezon (deri tek seria e parafundit te pakten). Kjo sepse si serial i ka pasur kartat e hapura qe ne fillim. Cdo gje mund te ndodhe ne luften e eger per pushtet. Keshtu qe cdo pritshmeri e shikuesve, cdo lidhje me personazhin apo deshirim si pasoje e kesaj lidhjeje, eshte thjesht ne qafe te tyre. Seriali vete u ka dale borxhit qe kur ia preu qafen Ned Starkut ne sezonin e pare. Ka njeqind arsye pse GOT eshte nje serial i mire por une them se kjo eshte arsyeja me e forte. Nje sinqeritet i ashper por prej kavalieri. Ndryshe qendronte puna tek Lost, ku seriali luante lojera mendjesh me ndjekesit e tij.

    Ajo qe thote Arnau qendron deri diku por eshte e kuptueshme dhe ne nivele te pranueshme. Se pari RR Martin, autori i librave nuk e ka perfunduar serine. Serite filmike kane ecur me shpejt per arsye te kuptueshme. Rrjedhimisht ne sezonet e fundit kemi nje ndarje te qarte te filmikes me te te shkruares (qe nuk ka perfunduar akoma). Pra vetvetiu bien elementet letrare e me to edhe dialogjet dhe elementet me multidimensionale qe t’i jep vetem vepra letrare.
    Se dyti, per nga natyra e serialit, nuk mund te merrej me GOT me sterhollime dialogjesh apo dritehije personazhesh pasi kete e ka bere ne sezonet e para. Mua si shikues nuk me intereson me cfare libri po lexon Tyroni apo cfare femijerie ka pasur Littlefingeri te tjera si keto se pastaj i bie te devijohet nga thelbi e te kthehet seriali ne telenovele. Dhe ketu doja ta lidhja me idene e Vehbiut ne shkrim. Nese seriale te tilla do te vazhdojne pafundesisht ato do te kthehen ne telenovela te tipit Beautiful ku personazhet dalin nga nje dhome e futen ne tjetren duke marre neper goje personazhet e tjere. Ndersa lenia pergjysme pa pritur e pa kujtuar do t’i kthente ne drama te absurdit. Eshte si ta lesh seksin ne mes e ti thuash partneres “vishi e shko ne shtepi tani se kjo pune nuk ka fund”. Dhenia fund e nje seriali televiziv eshte e keqja e domosdoshme. E vetmja alternative. Madje madje eshte me e pranueshme te mos e perfundosh nje veper seri letrare se nje veper filmike.

    1. Nuk gjykohet nje liber nga kopertina. As nje film nga treileri. Jo me nje film nga nje foto qe rrezik as producentet nuk e kane leshuar ne treg.

      1. Nuk fola per kopertine, as per trailerin. Evokova estetiken e cila, pazgjidhshmerisht eshte e lidhur me pikturalitetin e nje vepre imazhore (nuk po guxoj ta quaj kinematografike).

        1. Po ti shikoje njehere pastaj flit. Une them se do te pelqej. Ai fotomontazh qe solle nuk eshte fare perfaqesues i filmit. Dicka e sajuar per te terhequr audiencen me se shumti te apasionuar pas video lojrave ose audiencen e re ne moshe. Dmth nje truk banal i marketingut.

        2. Te parit e nje serie televizive eshte tjeter debat (personalisht nuk shikojseri TV ose më sakte, kam pare vetem episodin pilot dhe 2 a 3 episode të sezonit të parë të “Twin Peaks” të Lynch-it. Dhe kaq).

          Por dhe nje here: nuk ka rendesi se ç’foto solla. Mund te sjell (foto me poshte) edhe te tjera nga filmi dhe prap se prap, eshte evidente estetika monstruoze e tij, pikturaliteti i tij ultra-kitsch :

          https://resize-parismatch.ladmedia.fr/r/625,417,center-middle,ffffff/img/var/news/storage/images/paris-match/culture/medias/game-of-thrones-saison-8-episode-2-l-amour-avant-la-mort-1619931/26471803-1-fre-FR/Game-of-Thrones-saison-8-episode-2-l-amour-avant-la-mort.jpg

        3. Kinoditar, kur flet për kitsch dhe ultra-kitsch, a bën dallim midis kitsch-it aksidental (të frymëzuar edhe nga interesat e marketing-ut) dhe atij të synuar me vetëdije nga krijuesit e serialit? Dhe në përgjithësi, mendon se ia vlen të bëhet dallim?

  4. I dashur Stalker. Je gabim ne disa pika.

    1. Je jashte temes se diskutimit. Ketu po diskutohet perceptimi i publikut ndaj serialeve si subzhaner dhe pritshmerite qe krijojne ata rreth fundit ose vazhdimit. Nuk po diskutohet estetika.

    2. Por edhe ne diskutimin e estetikes je gabim sepse nuk gjykohet estetika e nje filmi e aq me shume seriali nga foto. Seriali nuk eshte foto. As kolazh fotosh. Per ate pune as filmi nuk eshte. Por sidomos seriali.

    3. Dhe kjo me sjell te pika tjeter qe ti futesh ne diskutim jo vetem pa pare serialin ne fjale por pa pare fare seriale. Si thua te diskutojme per kriketin pa ja pasur haberin fare. E shumta mund te duket zbavitese e te fusim ndonje batutute. Por nuk ka diskutim.

    4. Mbi te gjitha ti insiton.

    Por ka dicka diskutimi yt. Me ben te mendoj se fotot qe qarkullojne ne internet per GOT nuk jane ato me perfaqesueset dhe nuk jane ato me te mirat. Prandaj them shiko njehere serialin. Eshte serial i kopsitur mire e sidomos nuk i mungon estetikja vizuale.

    Ndoshta keshtu eshte per cdo serial, fotot nuk e perfaqesojne aq mire sa ce perfaqesojne filmin psh. Kjo sepse seriali operon me te tjera mjete, arrin te ty me te tjera forma. Mbi te gjitha nuk eshte i ngjeshur si filmi me vizualitet. Seriali eshte maratonomak e jo sprinter. Ajo qe te duket se eshte dobesia e tij eshte ne fakt forca e tij.

    Cfare i ben serialet qe njerezit lidhen aq shume me to saqe krijojne pritshmeri e te ndihen te zhgenjyer pasi kane blere aksione emocionale ne to? A duhet te mbarojne seriale te permasave te tilla dhe a do te kishte kuptim te mos mbaronin kurre? Une psh do te isha kurioz te dija mendimin tend per to.

    1. @Trekendesh, filmi eshte mbi te gjitha foto.
      Nje histori e mire mund te jete nje liber i mire, por per te qene film i mire kjo nuk mjafton, kerkon detyrimisht fotografi cilesore.

      @Stalker, mos pretendo kinema autoriale nga nje serial si GOT vella, po kerkon qiqra ne hell.
      Meqe ra fjala, edhe Twin Peaks, qe eshte shume po shume larg ketij niveli pop te kinematografise, prape nuk e kap dot filmin. Une hoqa dore mbas dy episodesh. Eshte zhanri qe nuk ta jep kete mundesi.

      Dhe meqe dolem gjithsesi goxha nga tema, lexoja keto dite sesi Rammstein cilesohej ketej andej si nje lloj Rolling Stones version 2.0, dhe kryesisht bazuar edhe tek video e fundit “Deutschland”.
      Vura duart ne koke ! Klip me kitch dhe me cheap une veshtire se kam pare ndonjehere.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: