PELLAZGJISHTJA FITON TERREN

A ka mbetur ndonjë mbishkrim gjëkundi në botë, që t’i ketë shpëtuar “deshifrimit” nëpërmjet shqipes?

Lajmet e kohëve të fundit të bëjnë të mendosh.

“Shekulli” njoftonte dje se “gjendet shkrim më [i] lashtë i gjuhës shqipe se Formula e pagëzimit”.

Autori i këtij zbulimi, me përmasa epokale, është gazetari Albert V. Nikolla, i cili e ka prezantuar zbulimin vetë.

Sipas tij, dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe nuk është Formula e pagëzimit, por shkrimet hetite. “Do të mjaftonte një vështrim i shkurtër në fjalorin shpjegues hetitisht-anglisht dhe në transkriptimet e bëra shkrimeve të kësaj gjuhë, që është më e vjetër se gjuha sanskrite, për ta kuptuar këtë të vërtetë,” u thotë ai lexuesve të “Shekullit.”

Por nuk është ky zbulimi. Nikolla ka vënë në shënjestër një mbishkrim përndryshe të mirënjohur në gjuhën maobite, “i cili çuditërisht është i shkruar nga shkronja pellazge”.

Ja një shembull si procedon autori:

Në Shkrimin maobite, flitet për mbretin Balak, që përshkruhet në Testamentin e Vjetër të Biblës. Emri i gjuhës Maobite, është bashkimi i fjalëve të një fjalie Gege: Ma-o-bi-te, (ma=mba, o bi= është mbi, dhe te=të) (në kuptim semantik : është mbi të( mbi gurë e shkruar=lavdia).  Asnjëherë nuk thuhet se për deshifrimin e shkrimeve të lashta, të gjitha studiuesit kanë njohje dhe përdorin gjuhën gege…

Nikolla e ka fjalën për atë që njihet si “Stela e Meshës” (e ngritur nga Mbreti Mesha i Moabit), të shkruar në gjuhën moabite, me alfabetin fenikas.

Gjuha moabite, ose moabitishtja, mbahet si dialekt i hebraishtes; njëlloj si motra e saj, paleohebraishtja, ajo shkruhej me një variant të alfabetit fenikas.

Nikolla, që sipas biografisë së botuar në fund të shkrimit të tij në “Shekulli” ka mbaruar për gjuhë-letërsi në Tiranë dhe pastaj ka bërë një specializim pranë “Institutit danez të mediave”, për t’u certifikuar si gazetar profesionist, nuk duket të jetë specializuar gjëkundi as për epigrafi, as për historinë e gjuhëve semite (dhe as për indo-europianistikë), siç edhe duket nga ato që shkruan (përfshi edhe përdorimin e termit gjuha gege).

Interpretimet e tij, po të gjykosh nga çfarë ka dhënë si shembull, por edhe nga ideja për ta krahasuar shqipen e sotme drejtpërdrejt me hebraishten e tremijë vjetëve më parë, janë tipike për amatorët pellazgologë, që kohët e fundit po e ngrenë zërin më fort dhe janë duke u organizuar seriozisht.

Shumë nga këta studiues nuk duket se arrijnë ta vënë re se “kontributet” e tyre nuk kanë mirëfilli lidhje as me shqipen, as me historinë e saj; por me historinë e gjuhëve të tjera, të cilat nga ana e tyre nuk kanë nevojë për ato kontribute.

Në rastin konkret, Nikolla kërkon të lexojë me anë të shqipes gjuhë si hetitishten ose moabitishten, të cilat jo vetëm nuk kanë ndonjë lidhje gjenetike mes tyre (njëra indo-europiane, tjetra semite), por edhe tashmë janë lexuar prej dijes.

Për Stelën e mbretit Mesha (emrin e këtij të fundit autori i shkrimit te Shekulli e shpjegon me shqipen “meshë”), më shumë se leximi dhe interpretimi i saj, përbën problem autenticiteti – meqë ka dijetarë që e mbajnë për falsifikim.

Një tjetër mister – këtë herë në nahijet tona – është se çfarë pikërisht i shtyn këta njerëz të mirë por të papërgatitur, që t’u përvishen mbishkrimeve historikisht të vështira, nga zona gjeografike kaq të larguara prej nesh (e që nuk i rrok dot me metodën “mjafton një vështrim i shkurtër”).

Pasioni amatorial për të shpjeguar, deshifruar dhe interpretuar enigma epigrafike anembanë botës nëpërmjet shqipes mund të jetë shenjë e një aberracioni kognitiv që i ka rrënjët në komplekset tona të inferioritetit.

Megjithatë, të gjitha kulturat duket se i përjetojnë dukuri të tilla – që me sa duket lidhen edhe me pamundësinë, e disave prej nesh, që ta pranojnë arbitraritetin e shenjës gjuhësore dhe pluralitetin e gjuhëve.

Çfarë e dallon kulturën shqiptare në këtë moment është jo vetëm guximi i rinuar i amatorëve, ose bindja e tyre se “arritjet” e tyre studimore dhe hipotezat e tyre mund t’ia komunikojnë tashmë haptazi publikut të gjerë; por edhe gatishmëria (do ta quaja abuzive) e mass-mediave dhe disave që mbahen për “intelektualë publikë” për t’u bërë jehonë këtyre “zbulimeve” marramendëse, sikur të vinin nga instanca akademike ose të paktën profesionale.

Duke vepruar kështu, këto media – përfshi edhe televizionet që i marrin këta autorë në studio dhe i vënë të flasin për “gjuhën kozmike” – dezinformojnë lexuesit e tyre jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe duke krijuar idenë e gabuar se dija – historike, linguistike, epigrafike – procedon vërtet në këtë mënyrë, ose nga një zbulim “madhështor” te tjetri.

Përfshirja e Formulës së pagëzimit në këto fantazi grandioze dëshmon edhe ambicien – sërish tipike – të amatorëve të këtij lloji, për t’ia zënë vendin albanologjisë standard: deri dje krenaria e dijes shqiptare.

Ironia në rastin e tanishëm është se Albert V. Nikolla rezulton i specializuar për gazetari dhe duhej ta kish mësuar, nga Instituti Danez i Mediave, se një media serioze nuk mund të përcjellë pozicione të tilla kaq revolucionare në dijen historike-gjuhësore, pa bërë verifikimet përkatëse.

Nga ana tjetër, mediat – përfshi këtu edhe “Shekullin” – kanë përgjegjësi ndaj publikut dhe dijes, që u hapin dhe u japin vend këtyre amatorizmave; po aq përgjegjësi sa edhe institucionet e dijes përkatëse – nga Universitetet Shtetërore dhe Universitetet Private ku studiohet historia dhe dija albanologjike, te Akademia e Shkencave dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, që ngurrojnë të mbajnë qëndrim në publik, duke preferuar të qëndrojnë dorëjashtas.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

28 Komente

  1. Hipotezat lidhur me prejardhjen e shqipes nga pellazgjishtja jane rrezuar prej kohesh nga albanologe shqiptare dhe te huaj, me argumenta te patundshem, keshtuqe s’ka sesi te luhatet teza e prejardhjes se shqipes nga ilirishtja, prej nje gazetari pasionant, me gjithe respektin qe kam persa i perket profesionit, te cilin gazetari ne fjale e ushtron.

    1. HERE ARE SOME CITATION FROM PLATO ”CRATYLUS” IN PAGE 58-59. SOCRATES: Well then, consider whether this pur is not foreign; for the word is not easily brought into relation with the Hellenic tongue, and the Phrygians may be observed to have the same word slightly changed, just as they have udor (water) and kunes (dogs), and many other words. HERMOGENES: That is true. SOCRATES: Any violent interpretations of the words should be avoided; for something to say about them may easily be found. And thus I get rid of pur and udor. Aer (air), Hermogenes, may be explained as the element which raises (airei) things from the earth, or as ever flowing (aei rei), or because the flux of the air is wind, and the poets call the winds ‘air− blasts,’ (aetai); he who uses the term may mean, so to speak, air−flux (aetorroun), in the sense of wind−flux (pneumatorroun); and because this moving wind may be expressed by either term he employs the word air (aer = aetes rheo). Aither (aether) I should interpret as aeitheer; this may be correctly said, because this element is always running in a flux about the air (aei thei peri tou aera reon). The meaning of the word ge (earth) comes out better when in the form of gaia, for the earth may be truly called ‘mother’ (gaia, genneteira), as in the language of Homer (Old.) gegaasi means gegennesthai. In Albanian today we speak this dialect which is called GEGËNISHTE.
      (PLATO, CRATYLOS, pg. 58-59)
      (p.s. This book is treasure of old Albanian Language ! )

      1. Anna, këto që keni thënë më lart ose nuk i kuptoni mirë, ose nuk kanë ndonjë vlerë për temën. Disa nga fjalët e frigjishtes që përmenden, janë fjalë indo-europiane që kanë përkime edhe në shqipen – por kjo nuk i bën gjë të shqipes së vjetër.

        Nuk ka asnjë shans, që një gegaasi ose gegennesthai e kohës së Homerit ose edhe e kohës së Platonit të ketë dhënë fjalën gegënishte në shqipe (e ndjekur nga një zanore si e-ja, një bashkëtingëllore grykore, si g-ja, do të ishte zbutur menjëherë, brenda 2-3 shekujsh; për këtë arsye, në Fjalorin e Shqipes së Sotme gjej vetëm 11 fjalë që fillojnë me ge- dhe mbi 170 fjalë që fillojnë me gje-). Ky gabim mua më tregon se ju mungojnë disa nocione bazë të fonetikës historike.

        Lutem më kuptoni drejt tani që do t’ju them se nuk është vendi këtu, për të diskutuar për interpretimin e Cratylos-it të Platonit. Ekziston një degë e dijes, gjuhësia indo-europiane, që duhet të na shërbejë si pikë referimi; sepse ndryshe nga filozofia greke, ajo ndjek kritere mirëfilli shkencore (përfshi kriterin popperian të falsifikueshmërisë).

        Me fjalë të tjera, le ta bëjmë këtë diskutim në kornizën e gjuhësisë historike-krahasuese (dhe të fonetikës historike). Këto që sillni ju, kanë statusin e epicikleve të Ptolemeut, në sallën e kontrollit të NASA-s.

  2. EDHE NJËHERË MBI KONSPIRACJEN PELLASGJIKE
    Krahasimi gjuhësor pseudo-shkencor ka për qëllim të krijojë lidhje historike mes gjuhëve falë hamendjeve naive. Krahasime të tilla nuk bazohen mbi parimet e përgjithshme të gjuhësisë, ose të metodës shkencore.
    Zakonisht, kjo është një “fushë kërkimi” e lëvruar nga njerëz pa specializimin e duhur në fushën e gjuhësisë së krahasuar. Në Shqipëri, vendin e nderit të kësaj disipline e zënë etimologjitë e rreme.
    Metoda më e zakonshme e zbatuar në këtë fushë është kërkimi i fjalëve që kanë ngjashmëri në shkrim dhe shqiptim. Problemi i kësaj metode ka të bëjë me faktin se metoda e zbatuar nuk është e përcaktuar qartë: kriteri i ngjashmërisë është subjektiv dhe as mund të verifikohet, e as të falsifikohet (K. Popper) – diçka që shkon kundër metodës shkencore.
    Kjo metodë, që shkon pas ngjashmërive të izoluara anashkalon “metodën krahasimore” që kërkon përkime të rregullta e të përsëritura në fonologjinë, gramatikën dhe fjalorin bazë.
    Ndonjëherë, bëhen përpjekje për t’i lidhur dy ose më shumë gjuhë për arsye politike ose fetare, me gjithë mungesën e mbështetjes së komunitetit shkencor.
    P.sh. Herbert W. Armstrong u përpoq që fjalën “British” ta nxirrte nga hebraishtja klasike בְּרִית (shqiptimi hebraisht [brit], dmth. besëlidhje) dhe אּישׁ (shqiptimi hebraisht [ish], dmth. burrë). I bie që “British” ka kuptimin “njeri besëlidhjeje”, pra britanikët janë kombi me të cilin Perëndia i Izraelit lidhi besën.

    Metodologjia
    Nuk ka një mënyrë të qartë dhe universale për të identifikuar krahasimet gjuhësore pseudo-shkencore. Megjithatë, karakteristikat e mëposhtme janë më të zakonshme mes teorive pseudo-shkencore se mes atyre të shëndosha:

    – Mospërdorimi i një metode të pranuar, ose të paktën sistematike për të vërtetuar përkime të rregullta mes gjuhëve. Krahasimet josistematike janë në çdo rast të pafalsifikueshme (kuptimi që i jep Popperi).
    – Dështimi i gjetjeve të provave gramatikore: mëtimet janë të bazuara ekskluzivisht në krahasimin e fjalëve, edhe pse në gjuhësinë e krahasuar provat gramatikore nevojiten për të vërtetuar lidhjen ose marrëdhëniet mes gjuhëve.
    – Copëtimi arbitrar i formave të krahasuara: zakonisht ngjashmëria bazohet vetëm në një pjesë të fjalës së krahasuar (zakonisht rrokja e parë).
    – Anashkalimi i efekteve të morfologjisë mbi strukturën e fjalëve: format e pazgjedhuara krahasohen me forma plotësisht të zgjedhuara dhe anasjelltas.
    – Anashkalimi i mundësisë së huazimit të fjalës.
    – Neglizhimi i historisë: fjalët krahasohen me format e sotme, duke neglizhuar format e dëshmuara ose të rindërtuara të gjuhës në fjalë.
    – Mbrojtja e skenareve fantastike në fushën e historisë, mbi bazën e kinse gjetjeve gjuhësore.
    Këta proponentë nuk arrijnë të botojnë dot nëpër revista shkencore me ‘peer review’, ose ‘shqyrtim nga kolegët’.
    – Pohimi se kritikat ndaj teorive të tyre janë të frymëzuara nga motive antikombëtare, faktorë ideologjikë ose komplote për të fshehur të vërtetën nga ana e komunitetit shkencor.

    Le të marrim për shembull “shpjegimin pellazgjik” të mbishkrimit të Lemnosit.
    Fjala “marasmaf” – sic! – shpjegohet me
    1. m- është trajtë e vjetër e parafjalës “në” të shqipes së sotme (pa marrë parasysh se Buzuku e shkruan ënbë, ëmbë, Kuvendi i Arbërit mpë këtë parafjalë).
    2. ar- është trajta “arë”, po “zanorja ë nuk ka qenë pjesë e emërtimit fillestar”. (Se përse kjo nuk ka qenë pjesë e emërtimit fillestar dhe cili ka qenë ky emërtim fillestar, nuk shpjegohet; se përse zgjidhet ara dhe jo ari, nuk shpjegohet.)
    3. as- është trajtë e vjetër e foljes është të shqipes së sotme (Buzuku e jep ansteh [anshtë], Bogdani âshtë, anshtë).
    4. Maf – është emri i njërit nga personat që dialogojnë… pikërisht pronari i tokës. (Nuk besoj se ka nevojë për koment).
    Pra: “në arë është Maf”.

    E gjepura të tjera si këto, marrë në internet. Etj. etj. etj.

  3. Pikerisht ne morine e shkaqeve te ketille fenomeni qendron edhe mosveprimi, ‘plogeshtia’, pasiviteti i Botes Akademike albanologjike, me permendeni ju lutem nje pasues te denje te Cabejt, Topallit, Sh. Demirajt – pervec rastit te te nderuarit R. Ismajlit – nder shqiptare?! Sot per sot ky profil specifik shkencor eshte ‘pervetesuar’ e mbisunduar nga Gjuhetare te huaj – si i ndjeri – Orel, gjithashtu Matzinger, Schumacher, De Vaan etj qe jo gjithnje shquhen per paanshmeri – packa se nuk me takon mua te gjykoj punen e tyre !! – , jam dakord qe eshte edhe faji i mediave qe u japin hapsire e mundesi Pellazgologeve te shpalosin ‘interpretimet’ e tyre delirante, por besoj se ka vend edhe per ndopak autokritik dobiprurese nga ana e Akademikeve shqiptare!

  4. Nuk dihet nese shqipja e neserme do ta shpjegoje dot shqipen e sotme dhe me siguri qe aty do kete rol shkrimi i Bertit.

  5. Nuk e kam lexuar shkrimin, por nga sa jepet e paraqitur ketu, ka disa gjera qe terheqin me kercitjet qe prodhojne.
    Se pari, shkrime te natyres hulumtuese, sic paskesh pretenduar te jete ky i gaztarit qe na qenkesh zgjuar gjuhetar, nuk botohen ne kolona gazetash, por ne organet shkencore te fushes. Kete duhet ta kish mesuar, ne mos ne shkolle, te pakten ne institutin danez.
    Se dyti, gjuha mund te sherbeje dhe te perdoret nga fantazia, deshirat, apo nga patologjite e nje individi, madje, edhe ne terapite psikanalitike, te cilat mbeshteten me teper tek komunikimi, dhe fare pak tek psikofarmaket, ndersa gjuhesia nuk le shteg per kesi sherbimesh e perdorimesh.
    Se treti, studimi diakronik i gjuhes, dhe i dheniemarrjeve te saj me gjuhet e tjera, kerkon njohuri te thella jo vetem ne lemin e etnolinguistikes, por edhe me gjere. Nese zoteria ka deshire te rishtohet ne kete dege te gjuhesise, mund ta nise me De Saussure-in, sa per te krijuar nje ide nistore, e me pas te ndalet thelle tek Boas, Sapir etj.

  6. Adrian Vehbiu.Sa je lodhur per te hedhur poshte nje artikull te Shekullit,aq me teper te shkruar nga Albert Nikollay.(Keshtu e shkruar emrin ne FB).Por,po ta njihje,s’do ishe lodhur hiç,se niveli llogjik i te nderuarit Albert eshte ..nuk ka percaktues..

    1. Autori më intereson si produkt i një klime intelektuale të molepsur. Ka me dhjetëra të tillë – që nuk mund t’i injorosh, nuk duhet t’i injorosh. Një person që guxon të flasë për një mbishkrim në një dialekt të hebraishtes, pa ditur as hebraishten; që nuk e vë re se alfabeti i përdorur atje është ai fenikas, etj.; e megjithatë beson se mundet megjithatë të dalë në publik dhe të shpjegojë gjëra duke rrokjezuar dhe duke thirrur në ndihmë “gjuhën gege” – gjithë pa qenë totalisht i lënë… kjo është shenjë e një lëngate kolektive. Si ta injorosh?

      1. Para ca ditësh u ndodha dëshmitar i një pohimi tjetër fantastik: emri Moisi ose Mose lidhet me shqipes mësues…I thënë nga dikush me një barrë tituj jo të fushës, ishte gjithsesi një pohim përtej absurdit, sa që nuk lypte asnjë ndërhyrje, përveç zgurdullimit të syve…

  7. Shkrimi i Albert Nikolles -nje nga me te dobtit ne skenen e masturbatorve- tregon edhe njehere haperdamjen e albanologo-pelazgologeve te sotem shqipestanas. Nje here kujtova mos gazetari-historian tallet dhe ben shaka, pasi kishte edhe nje ngaterrim me dy Krispat italiane, por jo, e kishte seriozisht.
    Edhe vete Stela e Meshes duket me te vertete nje fallsifikim i rendomte.

    1. Shkrimi mund të jetë vërtet shumë i dobët, por edhe më shqetësues se një shkrim i dobët është guximi i autorit, dhe i dhjetëra në mos qindra të tjerëve, për të dalë në publik me këto teza. Ky nuk është i pari, dhe as do të jetë i fundit. Është krijuar një klimë ku janë plot ata që kujtojnë se “pa frikë dhe me shkronja të mëdha”, mund t’ia nxjerrin rrënjët gjuhës shqipe, duke i ndarë fjalët në rrokje. Mua kjo më bën të ndërhyj, ose fakti që kjo patologji po merr trajta epidemike. Hollë-hollë, përgjegjësinë më të madhe e kanë redaktorët e “Shekullit”, të cilët nuk e kuptojnë dëmin kolateral.

    2. nje aforizem tamam per ty r.th.; ketu me te djathte- tel mendimet e pakrehura; hidhi nje sy se mbase e gjen…ishte me fantazma

      1. Nuk je pa te drejte! E sidomos po te behej fjale per disa here vetvrasje dhe vrasje, (edhe komenti yt eshte i radhes se vrasesve, me aq sa mundet), do te qellonte akoma me ne *te. Per te qene me te sakte, duhet te kishe dalluar se edhe aforizmi me vargonjte me shkon jo pak! Vetem se nuk shkon ne gojen e vrasesit, te cilet nuk po na ndahen qysh nga koha e pellazgve te luftes se Trojes!

  8. Some of Vehbi’s comments are interesting, something that stands out is his Albanized: “cognitive aberration”.

    I agree totally that this phenomenon, which is on the rise, and will only get worse, is a cognitive abberation.

    This is not something difficult to ascertain though, as even non-linguists can see that the people producing these kinds of etymologies are inept.

    But what I see as troubling is that, all these peizazhe articles from Vehbi really do is performatively scold and insult these individuals and their followers. There is a wholly immoral enjoyment here where Vehbi and his fans get to indulge in their moment of intellectual superiority over the inferior subhuman Albanian rabble which have an “inferiority complex” (logically implicit in this remark is that, Albanians ARE inferior, but only those that don’t accept it are suffering from a complex).

    Rather than asking, what is producing this cognitive aberration? Who has responsibility here? How do we heal or stop this?

    Firstly, and this ties into Vehbi’s remark on “inferiority complex”, those that are responsible for the production and reproduction of this problem are the ones with the inferiority complex.

    They are the linguists, archaeologists, and the academy of sciences of Albania, who in the last 40 years has produced not one memorable scientific work, and don’t dare to tackle problems of ethnogenesis of Albanians, or even attempt to provide a healthy narrative about our history that synthesizes the most up to date archaeology, linguistics, historiography, ethnography, genetics, etc.

    No, instead, they produce nothing, and only scold the inept souls that fill the intellectual power vacuum they have themselves created. They have such a deep inferiority complex, that they glorify and prostrate themselves before the whims of foreign linguists that don’t even know Albanian and only work with word lists, not even daring to put forward new hypotheses or risk their careers by challenging foreigners, etc.

    And the absolute lack of contextualization in analyzing this problem is also troubling. In a moment in which a non-negligible chunk of the archaeological, linguistic, historiographic, and propagandistic infrastructure of Greece is outright hostile and dedicated solely to categorically capturing any domain it can as “hellenic”, be it intellectual (culture, folklore, music), territorial (Vorio Epirus), historical (Skenderbeg = Greek, etc), and likewise from Serbia in the north, (categorically pumping out history channels on media platforms, wikipedia raiding, listing any possible albanian clan or individual as having serbian origins, Skenderbeg = Serbian, etc), how are we not to expect some sort of pathological response?

    The retreat into delirium and delusion is a response to serious trauma and abuse, and the hostility towards the Albanian psyche that is responsible for this retreat is totally being neglected by these publicists. The pelasgo-mania is a pathological symptom and defense mechanism. Unless those who are more competent actively intervene and produce and then disseminate to the public good faith history based on the most up to date research (rather than just abstaining) then it will only get worse.

    Nonetheless, there is also another issue. Like those that espouse relations with pelasgians, those that criticize them also don’t actually seem to even know anything about the actual pelasgian theory.

    These are just some NON-Albanian esteemed linguists that supported a pre-greek Indo-European language in the Balkans, which by convention is coloquially known as “Pelasgian”:

    AJ Van Windekens, Otto Haas, Wilhelm Brandenstein, Weriand Merlingen, Paul Kretschmer, Albert Carnoy, Vladimir Georgiev, Milan Budimir, etc.

    These linguists are all intellectuals of an infinitely higher calibre than the publicist Vehbi and his squawking fans. Likewise, the archaogenetic revolution has also exploded and rebirthed the Anatolian Proto-IE homeland hypothesis (See David Reich of Harvard, Max Planck Institute JENA) and is changing greatly the indo european paradigm. In the last 100 years none of the Indo-European languages like Lycian, Lydian, Luwian, Hittite, were considered Indo-European, and now they are firmly established as such. So too is it with the pre-greek stratum, which was labelled “non-IE” mostly based off of the features with which Luwian, Hittite, etc was considered Non-IE.

    That there are many charlatans and incompetents who attach themselves to this endevaour doesn’t mean that is an irrational one. Its like banning philosophy because a new age quack calls themselves a philosopher.

    No, what needs to be done is that these problems need to be faced, and not ignored or abstained from. Linguistics is only one element of the historiographical argument, and the consensus of linguists is not required for the ultimate argument that we arrive at after the synthesis of the ethnographic, historical, linguistic, archaeological, archaeogenetic, evidence. Albanian ethnogenesis is an important issue that needs to be dealth with and communicated to the public, and it is irresponsible to ignore it and leave it to the nationalist vultures of neighbouring countries to be the sole agents in dissemination of history. Albanians have a subjectivity, otherwise we would not exist. It is time to speak to it.

    Otherwise it is only left to nationalist quacks like Kaplan Burovic to speak for us. Strange that this psychopath nationalist cites Ardian Vehbi as a good scholar.

    1. “No, what needs to be done is that these problems need to be faced, and not ignored or abstained from”

      If you don’t think this is what Vehbiu is doing, then you have not been paying enough attention over the years, and are here as a concern troll. There is no “immoral enjoyment” in any of this, and if you think Vehbiu is in this as just a publicist, then you definitely have not noticed that he has had a horse in this race all along. He has been generous in doling out criticism in equal measure to the Nikolla’s of the world, as well as the academics sitting heavy on their armchairs. But, maybe, this last note of protest hasn’t registered with you, cause you are too busy worrying over the Serb/Greek threat, and therein lies your inferiority – you imagine that the sole role of this kind of work is to fight imaginary battles on nonexistent battlefields. Let me break it to you: we have definitely lost the war if this are the soldiers we are going to battle with. Nikolla is just a publicist, after all.

      I find it concerning that you see the vacuum created by academics as legitimate reason to excuse bullshit, instead of demanding they take up space and not allow these weeds to grow. Now, let’s try to see the long game in this, and imagine that Vehbiu is in fact speaking to and holding a mirror to those sleepy academics. If he was in it for the shits and giggles, the headline alone (a meme by now) would have sufficed for us to burst in collective finger-pointing and ridicule.

      1. Lura, ne ndryshim nga ti qe flet e nuk thua gje, Enkelejda arsyeton rrjedhshem.

        Nuk ka asnje zbrazeti te krijuar nga akademiket shqiptare, te cilin po e mbushin pellazgologet, thjesht akademiket nuk kane kellqe per te thene faqe botes dy-tre te verteta, tashme te vertetuara nga shume indoeuropianiste qe jane marre me shqipen – nje permbledhje gjendet lirisht tek Enciklopedia indoeuropiane e Mallory, Adams -.

        1- shqipja ruan 3 serite e k dhe g indoeuropiane, ashtu sikunder luvishtja, pra nuk jane shkrire si ne kentum e satem, pra protoshqipja dhe protoanatolishtja jane gjuhe te shkeputura nga proto-indoeuropianishtja para se te krijoheshin vazhdimesite dialektore kentum e satem dhe gjuhet kentum e satem.

        2- shqipja ka ruajtur h laringale te konfirmuar si h4 ne fjale si herdhe, ha, hap etj. h laringale ishin shquar ne hititisht, gjuhe anatolike, gje qe konfirmon edhe njehere qe pas shkeputjes se protoshqipes dhe protoanatolishtes, ne indoeuropianisht humben ose ishin duke u humbur laringalet, andaj asnje nga gjuhet e tjera nuk i ka.

        3- protoshqipja mund te barazohet vetem nje gjuhe te lashte ballkanike, te ciles nuk i eshte vertetuar ende natyra kentum apo satem dhe e vetmja gjuhe e tille eshte ilirishtja

        Keto jane te vertetat qe gjuhetaret shqiptare nuk kane kellqe ti thone, dmth i thone me gjysme zeri, se jane te vertetuara, por u kyçet truri sapo u duhet te deduktojne gjera te tjera.

        Ne secilen nga hipotezat e atdheut indoeuropian, protoshqipja dhe protoanatolishtja si parakentum e parasatem, duhet te jene kategorikisht jashte atdheut, si gjuhe apo dialekte te shkeputura nga grupi indoeuropian.
        Meqe si ne hipotezen stepore si ne hipotezen anatolike levizjet e para indoeuropiane jane kah Ballkanit, atehere me logjike te paret indoeuropiane ne Ballkan jane folesit e protoshqipes. Levizje qe logjikisht kane ndodhur para se indoeuropianishtja te ndahej ne dialekte kentum dhe satem.

        Keshtu qe ne rast se ne Greqi ka pasur popull indoeuropian paragrek, ne vend qe te shpiket ndonje gjuhe indoeuropiane qe nuk e njeh askush, le te perdorim briskun e Okamit dhe ta rruajme nje mundesi te tille si pseudo-shkencore, meqenese populli i pare indoeuropian ne Ballkan ishte ai qe fliste protoshqip. Mundesia tjeter do te ishte ndonje levizje protoanatolike ne Greqi, me shume luvike sesa hitite apo aq me pak palaike.

        Etimologjite popullore jane ne rendin e gjerave, kane qene gjithnje ne rendin e gjerave, ne çdo popull ka pasur ka e do te kete etimologe popullore, thjesht pellazgologeve tane ne njefare menyre u ka rene telebingoja. Ata thone qe shqipja eshte gjuha me e vjeter ne Europe dhe kane te drejte, protoshqipja eshte gjuha indoeuropiane qe eshte shkeputur me heret nga gjithe te tjerat ne Europe.
        Ndersa proshqipja ishte shkeputur indoeuropianishtja evoloi ne kentum e satem dhe ishte ne proces humbjeje te laringaleve.

        Akademiket thjesht nuk kane kellqe per te pohuar boterisht ate qe duket qashter, bukur dhe paster.

        Albanologjia nuk duhet te merret me teori bashkekohore e filozofi te gjuhes, se me to merren ne gjithe boten, por te hulumtoje dhe rishikoje gjithçka ne kendveshtrimin e protoshqipes si gjuha me e vjeter indoeuropiane qe flitet sot per sot ne bote dhe te ndahet ne kurganiste apo postkurganiste dhe anatolike.
        Te hulumtojne e botojne ne anglisht dhe tu japin ndihme gjuhetareve te huaj qe sado te dine shqip nuk do te dine kurre aq mire sa nje shqiptar.

        1. DI, këto që thua ti kanë interes për indo-europianistin, por nuk kanë shumë lidhje me temën.

          Problemi me pellazgologët nuk janë sa hipotezat e tyre (objektivat), aq edhe metoda(t) që përdorin për t’i provuar.

          Madje këto të fundit tregojnë se këta janë përgjithësisht amatorë dhe astrologë të albanologjisë.

          Ndërsa për para-historinë e shqipes në raport edhe me kronologjinë e shkëputjes së saj nga trungu IE – kjo përbën interes për indo-europianistët, jo për albanologjinë.

          E kuptoj që ti entuziazmohesh me faktin që shqipja mund të jetë “e lashtë”, edhe në kuptimin që të jetë shkëputur herët nga trungu IE; është një hipotezë që meriton të paktën respekt.

          Por nuk i takon albanologjisë që të merret me këtë çështje dhe aq më tepër ta vërë në fokus të studimit – edhe pse albanologjia mund të përfitonte tërthorazi nëse hipotezat, shpesh të paprovuara dhe të papranuara, që ti përmend në shkrimin tënd, të gjenin mbështetje dhe konfirmim.

          Nëse shqipja është kentum apo satem apo as ashtu as kështu, kjo është punë për indo-europianistët.

          Dhe, në çdo rast, të ftoj ta lëmë me kaq këtë ekskursion në laringalet dhe të tjera mistere të sistemit fonologjik të indo-europianishtes, për të cilat as ti as unë nuk kemi ç’të themi shumë, përveçse të përsëritim çfarë thonë të tjerët (të cilët ende nuk merren dot vesh mes tyre).

          Tema është tjetër. Të lutem qëndro në temë. Jam lodhur duke të ta thënë këtë, sa herë që hyn të diskutosh. Ki parasysh që kam edhe punë të tjera, përveçse të të disiplinoj ty dhe entuziazmin tënd.

        2. Ne fakt une bera nje koment per Luren, duke marre shkas nga shprehja e saj se akademiket kane krijuar nje zbrazeti qe po mbushet nga pellazgologet.

          Detyrat e albanologjise lidhen veçanerisht me prejardhjen e shqipes keshtu qe gershetohen ne shume pika me indoeuropianistiken, nuk ka albanologji diakronike pa indoeuropianistiken, keshtu qe nuk kuptohet se çdo te thuash.
          Indoeuropianistet qe jane edhe albanologe i kane vertetuar pikat e mesiperme, nqs nje indoeuropianist qe eshte keltolog, grekolog apo sllavolog ka probleme, keto vijne nga injoranca e tyre rreth shqipes.

          Po shpjegoj se pellazgologet fitojne terren sepse kane guxim te thone ato gjera te cilat akademiket nuk i thone sepse skane kellqe.
          Nuk eshte aspak çeshtja tek rrokjet apo tek Urim e Thumim, sepse etimologjia popullore po popullore ngelet, por tek fakti qe pellazgologet thone se shqipja eshte gjuha me e vjeter ne Europe.

          Shqiptari mesatar nuk ka per te kuptuar as udhetimin kah etimologjise shkencore as ate kah etimologjise popullore, por i intereson perfundimi, eshte apo jo shqipja gjuha me e vjeter ne Europe, eshte apo jo shqipja apo protoshqipja gjuhe paragreke ne Greqi.

          Pellazgologet thone po eshte edhe gjuha me e vjeter ne Europe edhe gjuhe paragreke ne Greqi. Menyra e tyre e vertetimit eshte e gabuar, perfundimi nuk eshte, sepse perfundimi gjendet lirisht ne hipoteze, e cila i gjen argumentet e veta edhe me metode shkencore

          Kjo eshte tema, akademiket nuk kane kellqe per te pranuar gjithe te verteten dhe ngaqe nuk kane guxim lejojne ta thone pellazgologet.

          Mos u merr me entuziazmin tim, se nuk te ha meraku, por meqe te ha meraku per shqipen ashtu sikunder kritikon pellazgologet, do ishte korrekte edhe tu thoje lexuesve te tu, qe po, ka gjasa qe pellazgjishtja te kete qene dialekt i protoshqipes, ne rast se marrim hipotezen e pellazgjishtes si gjuhe indoeuropiane.
          Meqe te ha meraku per demet qe i shkaktojne pellazgologet shqipes, mund ti drejtosh lexuesit e tu nepermjet indoeuropinistikes, te pakten njohjes enciklopedike te indoeuropianistikes, asaj qe eshte pranuar nga indoeuropianistet albanologe.
          Kaq mund ta besh, por pershtypja ime eshte se nuk do qe ta besh, perndryshe do e kishe bere, nuk te mungon koha per kaq gje.
          Lexuesit e tu jane ne erresire dhe si te tille kane mesuar vetem te shajne. Pergjegjesia bie edhe mbi ty.

          1. Unë nuk jam guru, që t’i ndriçoj lexuesit “e mi”. Për aq sa ç’e kam parë të arsyeshme, u kam sugjeruar të lexojnë Çabejn, Demirajt (babë e bir) dhe Topallin.

            Pellazgologët me këta e kanë inatin – madje dolën edhe bënë demonstratë para Akademisë, kundër Çabejt.

            Çështja nëse është apo jo shqipja “gjuhë më e vjetër në Europë” është pseudo-çështje – sa kohë që esencën e shqipes si gjuhë nuk e përcakton koha se kur u nda ajo nga trungu i gjuhëve IE.

            Përkundrazi, esenca e shqipes – ose tërësia e tipareve që e dallojnë si gjuhë më vete mes familjes IE, është KOMBINIM tiparesh të trashëguara dhe risish.

            Siç të thashë edhe në përgjigjen tjetër, RISITË (inovacionet) janë më të rëndësishme për shqipen se tiparet e ruajtura – dukuri të tilla si nyja e pasme (shquese) dhe lakimi i saj, nyja e parme, paranyjëzimi i mbiemrave dhe i gjinores, nyja e pronorit (i biri), singularizimi i shumësit (Çabej ka një monografi për këtë), trajtat e shkurtra të përemrave, struktura e pësore-vetvetores së tashme, mënyrat dëshirore dhe habitore, e të tjera si këto, janë të gjitha zhvillime të brendshme të shqipes. Dhe që e karakterizojnë shqipen ku e ku më mirë e më thellë se ajo laringalja h4 që mund të jetë ruajtur në ndonjë fjalë.

            Tiparet e ruajtura u duhen indo-europianistëve, për punët e tyre – që janë me rëndësi, por për indo-europianistikën.

            (Vjetërsia absolute u duhet edhe kombëtaristëve, në luftërat e tyre donkishoteske me kolegët, por sërish, kjo ka të bëjë me ideologjinë, jo me dijen.)

            Më jep disa këshilla që nuk i ndjek dot dhe ja pse: pellazgjishtja është krijesë fiktive – sepse nuk i njohim asgjë, as leksikun, as fonetikën, as gramatikën. Mundet që ka ekzistuar, mundet që jo. Por është jashtë objektit të dijes, siç edhe e kanë lënë. Po të vësh re, sot nuk merret askush me të, përveç “tanëve”.

            Për gjuhën që i nënvendoset greqishtes, nëse ka të tillë dhe kjo ka qenë një e vetme (shumë të panjohura), nuk dihet as nëse ka qenë IE apo jo.

            Shqipja hyn në këto hulumtime vetëm tërthorazi.

            Kur them që albanologjia duhet mbrojtur, kam parasysh edhe orvatjet për t’ia minimizuar arritjet në njohjen e shqipes, duke i vënë përpara këta objektiva të paarritshëm dhe utopikë, si ky i prehistorisë së greqishtes.

            Këto të shkruaj unë këtu? Po i kam shkruar!

    2. Do t’ju lutesha që komentet e tjera – nëse do ta vazhdoni këtë temë – t’i shkruani shqip.

      Do t’ju lutesha edhe që t’u qëndroni larg insinuatave personale, nëse shpresoni të vazhdoni të komentoni këtu.

      Nëse keni ndërmend të më drejtoheni sërish personalisht dhe t’i referoheni “dosjes” sime, do t’ju lutesha që të prezantoheshit me mua.

      E kuptoj që mund të keni arsye për të mos shkruar me emrin tuaj në publik. Prandaj prezantimin bëjeni duke më shkruar privatisht, në adresën e kësaj faqeje (peizazhe at gmail).

      Edhe në komunikimin privat, sërish do të preferoja shqipen.

      Kaq sa i takon kodit të sjelljes.

      Sa për argumentet tuaja, të njëjtin aberracion kognitiv e vërej edhe te çfarë shkruani – sidomos kur, pasi rendisni disa linguistë që “mbështetin” një gjuhë IE paragreke në Ballkan, thoni:

      “Këta linguistë janë intelektualë të një kalibri pafundësisht më të lartë se publicisti Vehbi dhe fansat e tij kakaritës.”

      Tezat e Haas-it, Kretschmer-it, Brandenstein-it, Carnoy-t, Georgiev-it, Budimir-it etj. në këtë fushë kanë vendin e tyre në paleo-linguistikën ballkanike, edhe pse zakonisht nuk kanë zënë vend dhe sot konsiderohen si të kapërcyera.

      Gabimi juaj është se më krahasoni mua me ta, në një kohë që unë nuk është se po polemizoj drejtpërdrejt me ta. Kjo është mënyrë – e pështirë do të thoja – për të më lënduar mua personalisht.

      Por insinuatën nuk e lë dot pa përgjigje. Edhe pse unë shkruaj edhe si publicist, i kam fare në rregull kartat e gjuhëtarit; dhe sidomos jam aq në gjendje sa të dalloj çfarë është dije e mirëfilltë, çfarë është padije por e sinqertë, dhe çfarë është gaz intestinal.

      Dhe pikërisht ngaqë jam në elementin tim, i njoh edhe tezat e dijetarëve më lart, edhe kritikat që u janë bërë atyre për t’i hedhur poshtë.

      Besoj se me termin e turbullt “gjuhë IE para-greke në Ballkan” keni parasysh atë që i ka paraprirë greqishtes në trojet ku u fol pastaj greqishtja (dhe u vendosën grekët) herët në antikitet. Dhe në këtë rast, nuk më duket se unë e përjashtoj këtë mundësi – por vetëm sa e quaj të pambështetur, duke iu referuar kritikave të së tjerëve, të cilat më kanë bindur. Qëndrimet e mia, nëse mund të flitet për qëndrime, unë i kam adoptuar nga punimet dhe hipotezat e të tjerëve – nuk janë rezultat i hulumtimeve të mia të pavarura (dhe aq më pak autodidakte).

      Është karakteristikë e dijes që të lejon të formulosh pikëpamje dhe t’u besosh atyre duke u mbështetur në punën e të tjerëve, kolegëve të tu, paraprijësve, ose themeleve të dijes. Kush merret me indo-europianistikë, nuk ka nevojë të përsëritë punën e Franz Bopp-it – por e merr për të mirëqenë. E kështu me radhë. Kuadraturën e rrethit e kërkojnë vetëm ata gjeometristë që janë specializuar në lojën shkopa-cingla.

      Që disa dijetarë, në të kaluarën, kanë folur për këtë gjuhë para-greke dhe kanë gjetur gjurmë të saj në greqishte (e kushedi edhe në shqipe), kjo nuk i shfajëson gjë të gjithë ata amatorë sot, që gjithashtu “flasin” për gjuhën paragreke duke e identifikuar me shqipen.

      Dikush madje mund të niset edhe nga hipoteza të pranuara, dhe sërish të gabojë, duke përdorur metoda tërësisht qesharake.

      Çështja e etnogjenezës së shqiptarëve ka vendin e vet edhe në studimet gjuhësore – por është komplekse dhe kërkon kujdes. Ajo i intereson propagandës serbomadhe dhe serbogreke, po aq sa ç’u intereson kombëtaristëve tanë; por njëlloj i intereson edhe dijes. Propaganda ka punën e vet, shndërron në kakë gjithçka që prek dhe nuk është punë e akademisë – në kuptimin abstrakt – që t’i vërë fre; përveç rasteve kur akademisë i duhet të mbrohet ndaj përpjekjeve të politikanëve, ideologëve dhe zelltarëve gjithfarësh për t’i treguar me çfarë të merret dhe çfarë të synojë të arrijë.

      Albanologjia sot ka vërtet nevojë të çohet përpara, sikurse ka edhe nevojë që të mbrohet nga sharlatanët dhe amatorët. Dhe falë studimeve që janë bërë e vazhdojnë të bëhen, në Tiranë dhe në Prishtinë dhe gjetiu (Vjenë, Mynih, Cosenza, Palermo, Napoli) po përparohet hap pas hapi, nga pak çdo ditë.

      Ajo që institucionet në Shqipëri dhe në Kosovë nuk po e bëjnë dot, është ta mbrojnë albanologjinë ndaj kësaj vale “alternative” – duke preferuar t’i injorojnë pellazgologët dhe t’i shmangen përplasjes me ta.

      Për mirë e për keq, unë nuk jam pjesë e akademisë dhe këtë përpjekje që e bëj, e bëj për hir të besnikërisë që kam ndaj integritetit të albanologjisë shqiptare – të cilën e konsideroj si arritjen më të madhe të dijes kombëtare, gjatë shekullit XX; dhe integritetit tim dhe formimit tim intelektual.

      Nuk është se “zbavitem” duke e bërë; por e shoh si detyrë publike që e bëj, sepse (ende) mundem ta bëj.

      Rreziku më i madh për albanologjinë sot në trevat shqiptare është diskreditimi intelektual – sa kohë që amatorët janë tejet aktivë, ndërsa profesionistët parapëlqejnë të mos përzihen. Historikisht, albanologjia gjatë shekullit XX ka bërë përpara nëpërmjet bashkëpunimeve mes dijetarëve vendës dhe të huaj – duke kaluar nga Meyer-i, Pedersen-i dhe Jokli te Çabej, Demiraj dhe Topalli (po përmend vetëm pak emra kryesorë).

      Edhe sot, ka studiues të huaj që merren seriozisht me temën, në bashkëpunim me studiuesit shqiptarë – pa folur për arbëreshët në UNICAL, Palermo dhe gjetiu në Itali.

      Është në natyrën e dijes që të niset nga e njohura për të shkuar tek e panjohura; prandaj edhe, sa i takon shqipes dhe historisë së saj, tema e një gjuhe para-greke në trojet e Greqisë së lashtë dhe lidhjeve të saj me proto-shqipen (krahas lidhjeve të saj me greqishten e vjetër) nuk ka përparësi.

      Vetë rëndësia që i jepet, brenda fushës, termit “para-greke”, tregon shumë. Askush nuk e vë në dyshim se Ballkani ishte i populluar para se të vinin këtu grekët indo-europianë dhe nga popuj që mund të kenë qenë IE, por edhe që, akoma më me gjasë, kanë qenë jo-IE. Rëndësia e grekëve është jo se e populluan Ballkanin, por sepse E SHKRUAN gjuhën e tyre që herët, ndryshe nga popullsi të tjera në Ballkan, që u kishin paraprirë ose bashkëkohëse me ta. Shkrimi, si praktikë kulturore, e ndan historinë nga parahistoria; sepse shkrimi mund të datohet dhe sepse teksti i shkruar të lejon të bësh krahasime diakronike.

      Në greqishten e vjetër ka shumë elemente që nuk shpjegohen dot si të greqishtes (që nuk ndjekin rregullsitë indo-europiane të pranuara për greqishten); por ka qenë praktikisht e pamundur të vërtetohet nëse këto elemente i përkasin një gjuhe të vetme (Georgievi pat bërë një orvatje të tillë; tani vonë, Martin Bernal tek “Athina e zezë” u përpoq të tregonte se këto janë elemente të gjuhëve semite). Por nuk është gjetur ndonjë ngjashmëri strukturore mes këtyre dhe shqipes, me pak përjashtime. Edhe në shqipe ka disa elemente jo të huazuara, por që nuk ndjekin rregullsitë fonetike të shqipes gjuhë IE. Ndonjë gjuhëtar i merr këto për mbijetoja të një shtrese jo-indoeuropiane.

      Shqipja e dokumentuar, sikurse dihet, ka shumë pak huazime nga greqishtja e vjetër – çfarë të sugjeron se para-ardhësit e shqiptarëve jetonin në një zonë me pak kontakte me greqishten. Kjo nuk përjashton mundësinë që të ketë pasur proto-shqiptarë në kontakt me greqishten e vjetër, të cilët më pas janë asimiluar. Çfarë dua të them, megjithatë, është që rindërtimet gjuhësore brenda shqipes çojnë drejtpërdrejt te rrënjët indo-europiane, pa kaluar gjë përmes elementit para-grek në greqishten e vjetër; dhe studimet etimologjike të shqipes nuk synojnë dhe as duhet të synojnë ndriçimin e elementit jo-grek në greqishten e vjetër. Objekti gjuhësor i albanologjisë është shqipja dhe historia e saj (përfshi parahistorinë), jo greqishtja dhe historia e saj (përfshi parahistorinë).

      Obsesioni ynë me pellazgët dhe pellazgjishten, siç e kam shënuar në një vend tjetër, i ka në fakt rrënjët te përpjekja e apasionuar, e krahut kulturor ortodoks-arbëresh të Rilindjes sonë kombëtare, për t’u provuar grekëve dhe kulturës së tyre se edhe ne, shqiptarët, ishim të denjë për lavdi, sepse edhe ne ishim të lashtë, madje edhe më të lashtë se fqinjët: ja një produkt tipik i shekullit XIX, me doza të forta romantizmi.

      Gjithsesi, me këto punë duhet të merren indo-europianistët e specializuar në fushë; dhe pikërisht specialistët e greqishtes së vjetër arkaike dhe të gjuhëve anatolike. Më duket e çuditshme, që me këtë temë të merren edhe albanologë shqiptarë – sepse të tillë nuk kemi; dhe studimet e parahistorisë së greqishtes nuk janë pjesë e studimeve albanologjike.

      Si fushë, kjo kërkon specializim të thellë dhe përkushtim shumëvjeçar prej murgu. Është më mirë që albanologët shqiptarë dhe ata të huaj të merren me çështje të tjera, më konkrete.

      Aq më e vështirë është fusha e mbishkrimeve të lashta që kanë mbijetuar poshtë e lart në Europë, si ato etruske, ose të Lemnosit, Lineari A dhe të tjera të ngjashme; pa folur për mbishkrime fenikase etj. Janë të paktë ata që mund të merren seriozisht me leximin e tyre – dhe sidomos, nuk ka arsye pse në këtë punë të përzihen studiues shqiptarë. Sepse nuk kemi të tillë dhe, sepse edhe sikur të kishim, këta do të merreshin me gjëra të tjera.

      Siç e shpjegova në shkrimin më lart, të shpjegosh një mbishkrim fenikas në Jordani, me anë të shqipes, nuk ka të bëjë fare me albanologjinë; e shumta, do të ishte një kontribut në lëmin e studimeve semite. Sepse ashtu shqipja po PËRDORET për të ndriçuar një kinse enigmë të një kulture tjetër.

      Dhe kështu vijojnë pastaj përpjekjet për të ndriçuar, me anë të shqipes, greqishten homerike, Stonehenge-in, strukturën e gjermanishtes, dialektin e një fisi në Afganistan e kushedi ç’tjetër. Këto përpjekje, edhe sikur të kishin sadopak staturë shkencore, do ta kishin vendin brenda ATYRE fushave, JO albanologjisë.

      Këtu më duhet të shtoj se shqipja është aq e pandriçuar dhe e pastudiuar vetë, për arsye të njohura, sa nuk është e përshtatshme për t’u përdorur si “e njohur” për të zbërthyer ose ndriçuar një “të panjohur”, aq më tepër që, brenda gjuhëve indo-europiane, ajo ka INOVUAR fonetikisht dhe gramatikisht shumë më tepër se gjuhë të tjera.

      Për ta mbyllur këtë ndërhyrje, nuk mund të pretendoj që ju t’i lexoni të gjitha ç’kam shkruar te Peizazhet dhe gjetiu, për këtë temë. Por po të kërkoni në revistë, do të gjeni material të pasur, që mbase do t’ju sugjerojë t’i rishikoni personalizimet që keni bërë më lart. Unë, kur ka qenë rasti, nuk kam kursyer me kritika as albanologët e huaj që merren sot me etnogjenezën shqiptare dhe parahistorinë e shqipes. Pa çka se këto kritika i kam bërë jo nga pozita kombëtariste, por nga pozitat e dikujt që është në gjendje të kuptojë, të vlerësojë dhe të kritikojë shtjellime të tilla.

  9. Per Dies Irae: 1. Ndarja e gjuheve ne kentum dhe satem nuk perllogaritet sot fare nga gjuhetaret, dhe me te drejte, (ne ato studimet e mia amatoreske kam pare me shume lidhje te gjuheve, se sa ndarje). 2. C’lidhje ka me vjetersine e nje gjuhe ekzistenca e grykores “h” dhe “k”? Vertet ekziston nje pikpamje ne gjuhesi -dhe me te drejte- se gjuhet semite (arabe me gjithato grykore) jane paraprijse te gjuheve IE, por kjo duhet pare vetem per nje fare kohe hermerisht ne procezin zinxhir, kur njeriu primitiv kishte vetem pak koncepte dhe fjale, gjurme te cilat i gjejme deri me sot tek shume gjuhe europiane dhe disa aziatike, si bie fjala “had” (anglisht), “hat” (gjermanisht), “ha” (italisht) “ka” (shqip), etj. te perngjashme. Ne kohe me te vona evolimet e fjaleve/ gjuheve ecen 100 fish panvarsisht ekzistences dhe mos-ekzistences se grykoreve. Biles, edhe vete gjuhet semite kane evoluar aq shume pas atyre nocioneve te para te njeriut, sa kuptimi/ percaktimi si gjuhe me te vjetra del teresisht pa kuptim. Ketu te mos harrojme, se nocionet e para njeriu i ka patur qysh sa pa u shkeputur mire nga Afrika, e per “cudi” gjuhet afrikane jane palative dhe me mbyllore. 3. Shqipja permban edhe shume fjale qe nuk mund ti shpjegoje me “vetveten”, si bie fjala, fjala “drita”, “rreze”, e qindra te tjera, por te cilave po tu futemi thelle, do te shohim se permbajne rrokje (ose morfema) qe kane kuptime ne thuajse te gjitha gjuhet europiane.
    Me fjaline e fundit kuptojme se gjuhet IE dhe dreqi e shejtani bashke kane shume lidhje dhe jane ndare perhere e me teper prej njera-tjetresh nga procesi i evolimit te sejciles; megjithe kete ndarje, ato kane patur serish gjithmone pika takimi serish te perbashketa, -gjithe keto mesoheshin ne shkolle qysh nga fillorja e deri ne te mesme; sot nuk e di pse nuk mesohen keto gjera kaq te thjeshta!
    Tani, ne lidhje me shkrimin e Albert Nikolles duhet te them se une nuk kam lexuar deri me tani shkrim me koti, me te varfer dhe me te papergjegjshem. Te gjithe studjuesit, profesioniste dhe amatore, bejne gabime. gabimet shoqerojne cilindo. Por kjo qe beni ju “patriotet” e rinj gjuhetare, qe gjuhet e tjera i beni te levizshme, te evoluara, te zhvilluara, ndersa shqipen e jepni nje here e mire, si te jete e zbritur nga qielli brenda nje nate dhe prej kohesh prejhistorike ka mbetur e pandryshueshme, ky esht nje gabim nga koka tek kembet.

  10. MauricE Druon, sekretar i Akademisë frënge: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia. dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojes, të udhehequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”.

    1. Ne fakt eshte problemetike ajo qe ka thene M. Druon. Se perderisa “shqiptaret” (?) dalin nga te dy anet e frontit greko-trojan (sa me Akilin aq edhe me Hektorin), ai vetem se tregon (pa patur qellim te keq, jam i sigurte) se merecenarizmi i “shqiptarve” eshte shume i hershem “pellazgjik”, se nuk kane asnje ideal dhe se jane gati te vrasin edhe njeri tjetrin per para, duke u rreshtuar ne ushtri kundershtare (nuk ka te dhena se kush ua ka paguar bileten e tragetit per te shkuar deri atje dhe mund te hamendesohet nderhyrja keqdashese e ndonje fondacioni…)

      Megjithate M. Druon mbetet nje burre i shkelqyer (Putini ndermerrte edhe vizita private, per ta takar ne shtepine e tij) . Por mbi te gjitha njihet per kenget partizane qe ka shkruar dhe romane te tille si Familjet e medha (u perkthye edhe ne shqip me sukses) dhe Mbreterit e mallkuar, sa per te cituar veprat me te sukseseshme. Por as edhe nje kontribut ne fushen e shkences…

Lini një Përgjigje te r.th.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin