CA TË NJOHUR, CA TË SHQUAR

Për ca shprehje nuk ka mëshirë – të tilla si studiuesi i njohur. Këtë sot ia sheh e ia dëgjon të ngjitur me pështymë kujtdo: një topografi që pozicionohet për çështje të etnogjenezës, një profesor-doktori në agronomi që angazhohet në konstitucionalizëm, një vjelësi entuziast të arkivave, një arkivuesi dorëshkrimesh të humbura.

“Siç e vuri në dukje edhe studiuesi i njohur…”

Po çfarë është kjo studiues i njohur tamam? Është, para së gjithash, pleonastike: një studiues i njohur nuk ka arsye të quhet “studiuesi i njohur”, nëse është vërtet i njohur (përveçse po të mos jetë aq i njohur, në ç’rast nuk është i njohur). Pastaj është edhe mjaftueshëm e vagullt, sa t’u shërbejë të gjithë atyre që nuk bëjnë dot pa bullshit. Më e pranueshme do të ishte: entomologu i njohur Leo Asllani, ose leksikografi i njohur Mark Trashani, sepse këta të dy janë të njohur në fushat e tyre, por jo (domosdo) nga publiku. Mirëpo shprehje si entomologu i njohur duket sikur i kumtojnë publikut mesazhe të tipit “nuk e kam idenë se ç’është ky, por nuk më takon mua ta shpjegoj”, nga ana e gazetarit prezantues përkatës.

Dhe kush e përdor? Si çdo shprehje tjetër parazitare, edhe këtë e kanë fort për zemër mediat. Gazetari që thotë studiuesi i njohur Sabri Sabriu mund edhe të mos e ketë idenë se ç’është ky Sabri, çfarë ka bërë, për çfarë është dalluar pikërisht – a është inxhinier nafte, metrolog, demograf apo thjesht mjek urolog, e kështu pa ndalë. Por duhet ta quajë, duhet ta specifikojë këtë person njëfarësoj, meqë emri në vetvete nuk i thotë gjë – dhe këtu i hyn në punë xholi studiuesi i njohur.

Shprehja mëton t’ia zërë vendin cilësimit intelektual (publik), që sot nuk e përdorin më, sepse ata që e mbajnë veten për intelektualë – dhe ndoshta janë vërtet, nuk po guxoj t’ua vë në dyshim – lëndohen menjëherë, po të dëgjojnë dikë tjetër të quhet “intelektual”. Aq më tepër që intelektualët sot i ngatërrojnë shpesh me analistët, që nga ana e tyre e kanë humbur përfundimisht luftën me antipatinë e publikut.

Atëherë, ja ku vjen në ndihmë studiuesi i njohur. I cili i jep fjalës së vet autoritetin e kujt “ka studiuar”, madje aq sa të bëhet “i njohur” për publikun. Jo më kot, shprehja të shpifet në ato argumente që kanë nevojë për një injeksion autoriteti: studiuesi i njohur përndryshe nuk flet shpesh në publik, sepse nuk e lë serioziteti i madh me të cilin e merr veten; prandaj edhe mjafton fakti që ai ka folur për të dëshmuar gravitetin e çështjes.

Dhe jo vetëm kaq: studiuesi i njohur nuk futet në debate për të marrë pjesë, por për t’u vënë atyre kapakun. Fjala e tij zë vend si rrasa e varrit dhe do të ishte deri edhe moralisht e dyshimtë që dikush ta kundërshtonte.

Shprehjen e ndesh, përndryshe, edhe në nekrologjitë: ndërroi jetë, pas një sëmundjeje të pashërueshme, studiuesi i njohur Jorgji Gaqi. Në këto kontekste, cilësimi jo vetëm synon të nderojë të ndjerin, por edhe – e sidomos – të justifikojë vetë nekrologjinë: sepse bëhet fjalë për një studiues të njohur, që nuk mund ta linim dot pa e përcjellë.

Madje po kam fort frikë se, të paktën në ligjërimin e mediave, shprehja e merr deri edhe origjinën nga diskursi nekrologjik; dhe që andej nuk është ndalur më, duke e sjellë me vete afshin e një funerali shtetëror, ku përzihet era e luleve të kalbura të kurorave me duhmën e igelitit të këpucëve formale dhe efektin lotsjellës të losionit ruajtës për kufomat.

Si personazh në debatet e ditës, studiuesi i njohur vjen gjithnjë pak i balsamosur.

Ka edhe një kontekst tjetër ku hyn në punë e njëjta shprehje – ai ku i duhet prezantuar publikut (lexuesit, etj.) një studiues krejtësisht i panjohur, ose edhe më mirë, ndonjë drejtor muzeu fshati, çelësmbajtës i kishës rrënojë a mbledhës leksiku popullor; ose autor i ndonjë ndonjë monografie për pellazgët e zonës dhe pararendësit e tyre, të botuar në pak kopje, me ndihmën bujare të një biznesmeni lokal.

Me arsyetimin si vijon: ne nuk e dimë ç’është ky, por do të ketë studiuar ndonjë gjë, se përndryshe nuk do të ishte kaq tuhaf; prandaj, sa kohë që po merr guximin dhe flet në publik duke cituar deri edhe Mendelejevin, le ta quajmë studiues i njohur. Kush do të na kundërshtojë? Pikërisht.

Në çdo rast, studiuesi i njohur është i tillë vetëm jashtë sferës ku është bërë i njohur me studimet e veta; në kuptimin që është i njohur nga të gjithë ata që nuk ia njohin kontributin e mirëfilltë (me fjalë të tjera, është i njohur si studiues i njohur). Por edhe në këtë cilësi, nuk duhet ngatërruar me doktorin e shkencave, sidomos atë doktor të shkencave që e ka fituar titullin tani së voni, dhe që parapëlqen të rrijë në klandestinitet, larg vëmendjes dhe rrezikut për ekspozim ndaj ndonjë pikëpyetjeje të beftë.

Më në fund, studiuesi i njohur nuk duhet ngatërruar kurrsesi me studiuesin e shquar – ky i fundit ka bërë emër si shqytar, shkoqitës dhe riformulues virtuoz i shqiptarisë dhe tani e kalon pleqërinë e gjatë duke shëtitur nga një talk show në tjetrin: shqipja hyjnore, dardha dardane, Kollokotroni, Universiteti i Durrësit Mesjetar, gjaku i shprishur i arbëreshëve, i mrekullueshmi Pjetër Budi… Nëse studiuesi i njohur, që ëndërron për t’u gdhirë një ditë studiues i shquar, nuk ngurron të përfshihet në gjithfarë kacafytjesh të tipit “unë nuk të ndërpreva ti kur fole, tani mos më ndërprit ti mua”, kolegut të tij më fatlum, studiuesit të shquar, i mjafton të jetë i pranishëm në një studio, për të narkotizuar çdo lloj debati, që në farë, që në embrion. Kjo sepse studiuesi i shquar është legjendë e gjallë dhe vetëlëvizëse, edhe pse tashmë e derdhur në bronz. Dhe nëse studiuesit të njohur nuk ka sapun që t’ia heqë kutërbimin funeral që i blaton titulli, studiuesi i shquar e ka kapërcyer fazën nekrologjike, për t’u stabilizuar si monument.

Tani po ju ftoj që të bëni ju vetë një kërkim, në Google, për togfjalëshin shkrimtari i njohur. Fillojeni javën duke u dëfryer.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat.

4 Komente

  1. Percaktimi, emertimi, definimi “studjuesi i njohur” do te gjeje ne te ardhmen perhere e me teper vend, nga fakti se sot ekziston nje liri e atille -sic thote Shvejku- qe as socialistet nuk e kane njohur! Permjet kesaj lirie ekzistojne sot gjithfare teorish dhe tezash nga me te ndryshmet e te kundertat. (Kjo nuk eshte gje e keqe.) Keshtu shkruesi, kur flet per dike, me tezat e te cilit nuk eshte aq dakort, apo nuk ka guximin tu perngjitet atyre tezave, ai nuk thote “doktori i njohur”, as “shkencetari yne”, as profesori i nderuar”, por permend kete mw neutrale: “studjuesi i njohur”, apo “studjuesi XY”, qe d.t.th. se shkruesi e vlereson sado pak punen studimore te Filan Fistekut, por “shkencetar”, apo “doktor”, “profesor” nuk mund ta konsderoje.
    Si shembull mund te marrim shume figura te viteve te fundit, si Arif Matje, Niko Stillo, Petro Zheji, Arsim Spahiu, Elene Kocaqi, etj, te cilet kane tituj shkencore, por megjithate jane te diskutueshem me shume prej tezave te tyre ne historiografine zyrtare dhe ate jo-zyrtare. Keshtu, nderkohe qe shume studjues te tjere, me tituj e pa tituj, nuk jane dakort me tezat e tyre, m.gj.t. te gjithe jane dakort qe keta historiane jane te pakten studjues, e biles te njohur. Ndaj -mendoj se- perdorimi i termit “studjuesi” dhe “studjuesi i njohur XY” do te gjeje ne te ardhmen perhere e me teper perdorim, si mw neutrali qe eshte.

    1. Pas ketin shkrimi te Vehbiut mendoj seriozisht qe ne Tirane, krahas monumentit te Partizanit te Panjohur duhet ndertuar dhe nje monument anonim i Studiuesit te Njohur.

Lini një Përgjigje te PFAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin