AURA E KATEDRALES

Veç një ditë pas shkatërrimit të saj nga zjarri është ndoshta herët për të pyetur nëse katedralja e Notre-Dame-it ka apo jo aura, në kuptimin që ia pat dhënë termit Walter Benjamin-i. Përballë shokut, dëshpërimit dhe vajtimit kolektiv, të amplifikuar në kitsch nga rrjetet sociale, çdo tërheqje për reflektim rrezikon edhe ajo kitsch-in antikonformist. E megjithatë, le të pyesim veten, të paktën, se çfarë ishte Notre-Dame-i dhe çfarë është.

Ose le t’ia pranojmë vetes sa të vështirë e kemi ta rrokim ekzistencën e objekteve të tilla komplekse, të shtrira në kohë dhe në traditë. Vittorio Sgarbi sqaronte mbrëmë se një pjesë e madhe e strukturës materiale të atij monumenti u përket kohëve të vona, ose është shtuar atje gjatë riparimeve, rindërtimeve dhe restaurimeve. Duke filluar nga spira që u përfshi nga flakët dhe ra, lis i goditur nga rrufeja – por që ishte shtuar në shekullin XIX. S’kemi humbur ndonjë gjë të madhe, thoshte.

Pyetja për aurën e Notre-Dame-it nuk ndahet dot nga pyetja tjetër se çfarë u shkatërrua pikërisht dje dhe çfarë mund të shpëtohet. Por mua, sapo dëgjova për spirën që qenkësh shtuar atje kaq vonë, më shkoi mendja tek anija e Tezeut, së cilës në rrjedhë të kohës ia ndërrojnë të gjitha pjesët – ngaqë i vjetrohen, ngaqë i dëmtohen… e megjithatë mbetet po ajo. Ose edhe trupi i një qenieje të gjallë, me qelizat që i ndërrohen pareshtur.

Më shkoi pastaj mendja te tempulli Ise, në Japoni, hierorja supreme e shintoistëve, ku miliona japonezë dynden çdo vit në pelegrinazh. Tempulli është ngritur para 1300 vjetësh; por në realitet ai rindërtohet çdo njëzet vjet që nga themelet, duke qenë rindërtimi pjesë e praktikës fetare.

Filozofi koreano-gjerman Byung Chul-Han, nga i cili e kam marrë këtë shembull, mendon se njëlloj mund të pohojmë se “kopja” e tempullit sot është më origjinale se ç’do të kish qenë tempulli, sikur thjesht të ish ruajtur (preservuar). Në fakt, thotë ai, riprodhimi i herëpashershëm – si pjesë e kultit – e zhduk dallesën mes origjinalit dhe replikës.[1]

Kësisoj edhe një tempull – ose katedrale – mund të vijë e t’i ngjajë një romani ose një partiture: ta zëmë, veprës “Notre-Dame de Paris” të Hugo-it, ose simfonisë së 5-të të Beethoven-it.

Një ndërtesë, sado e përkryer, “plaket” në rrjedhë të shekujve; plakja është pjesë e identitetit të saj, sikurse është pjesë e identitetit të saj shkatërrimi, qoftë edhe nga zjarri. Çfarë i ndodhi edhe Notre-Dame-it; me zjarrin e djeshëm si aktin e fundit, sado dramatik, të një teatri në slow motion.

Por ka edhe një Notre-Dame tjetër, objekt kompleks, shumë-përmasor, të shtrirë në hapësirë, në kohë dhe në kulturë (në kujtesë); i cili do të lejojë tani restaurimin, madje do ta mundësojë restaurimin.

Ringjalljen nga hiri; ja një metaforë e krishterë!

Po a do të jetë një Notre-Dame i rindërtuar e njëjtë, kulturorisht, me atë që shkatërroi zjarri? Aq më tepër, çfarë do të ndodhte sikur zjarri ta kish rrafshuar krejt katedralen? Mund ta fetishizojmë materien dhe të themi që druri i shekullit XIII ka një veti “të mbinatyrshme” ose një atribut “hyjnor” që qeresteja (ose karbon-fibra) i shekullit XXI nuk e ka; ose do të pranojmë me marrëveshje që Notre-Dame-i i ri do të jetë vazhdim i pashkëputur i atij tjetrit; duke qenë shkatërrimi nga zjarri vetëm një “lemzë”, ose një incident shtegu.

Në fakt, ndryshe nga kulturat e Lindjes së Largme, Krishterimi i jep peshë të madhe shenjtërisë materiale të sendeve[2] – p.sh. relikeve (edhe në Notre-Dame kishte të tilla, p.sh. kurora e shenjtë me gjemba, të cilën disa e konsiderojnë si të rreme). Madje prej Krishterimit ky kult i “mbetjes” materiale ka kaluar edhe në muzeologjinë laike – p.sh. gishti i Galileut që ruhet në një muze të shkencës në Itali, ose stilografi i Luigj Gurakuqit dhe kështu me radhë. Vështirë të thuash ku mbaron koleksionizmi këtu dhe ku fillon fetishizimi i objektit.[3]

Një shembull tjetër: Duomo i Firenze-s filloi të ndërtohej që në 1294 dhe katedralja u konsakrua në 1436; por fasada polikrome është e vitit 1887; çfarë nuk e cenon estetikën e kompleksit (besoj). Sikurse nuk e cenon kambanaren e Giotto-s fakti që pesë nga kambanat janë të shekullit XX. Sërish mund të diskutohet rreth raportit mes moshës së një objekti (çfarëdo kuptimi që të ketë kjo) dhe perceptimit të moshës. Nëse e përjetojmë Piazza Duomo-n në një mënyrë aq specifike, kjo nuk ka aq lidhje me kohën kur u prenë pllakat e mermerit ose u derdhën kambanat, por me arkitekturën, raportet, harmonitë, gjeometritë, etj. Për t’u shënuar megjithatë se, për dikë fetar, ndërtesat e kultit nuk vlejnë përveçse kur me to është kryer edhe performativi (konsakrimi etj.) nga një autoritet i Kishës; por nuk besoj që datimi i lëndës së ndërtesës (guri, druri, metali) të luajë ndonjë rol kushedi çfarë në (ri)konsakrim.

Djegia e djeshme na pyeti – shpresoj të gjithëve – nëse i ka ruajtur ende kultura e sotme motivet për ta rindërtuar katedralen e Parisit; duke qenë rindërtimi, si në rastin e tempullit shintoist në Japoni, edhe ai pjesë këtij objekti, që është për ne i shenjtë përtej valencës së tij katolike (fetare).

Motivet dhe vullnetin për t’iu referuar Notre-Dame-it në kontekstin e shekullit XXI, ku realiteti virtual po konkurron dhëmb më dhëmb me muzeizimin e së kaluarës, ose shndërrimin e saj në spektakël për turmat turistike – një konkurrencë kjo ku nuk merr dot anën e asnjërës palë.

Vullnetin dhe vendosmërinë për t’iu referuar Notre-Dame-it si pjesë përbërëse të përjetimit tonë të identitetit, jo si element skenografik a sfondi të selfie-ve tona.

Kjo dramë – e konfliktit midis ruajtjes dhe rindërtimit – e përkufizon më së miri traumën që përjetuam dje; të shpresojmë, pra, në virtytin e saj ripërtëritës.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Shanzhai: Deconstruction in Chinese, The MIT Press, Untimely Meditations, Book 8., 2017. Problemet e Japonisë me autenticitetin në arkitekturë i gjen edhe në Kinë. Simon Leys, ky njohës i shkëlqyer i historisë dhe i artit kinez, përmend një poemë të Victor Segalen, Aux dix milles années, të shkruar në vitin 1912, pasi autori kish kaluar një periudhë të gjatë duke shëtitur në Kinë.  Segalen vë përballë njëra-tjetrës qasjen kineze me qasjen gjetiu në botë, ndaj efektit shkatërrues të kohës. Nëse gjetiu kulturat përpiqen të ndërtojnë me materiale që t’i rezistojnë kohës dhe të sfidojnë entropinë, p.sh. me gur, kinezët – sipas Segalen-it – e lënë kohën të bëjë punën e vet, duke ndjekur një strategji tjetër. Ata ndërtojnë me materiale të dobëta e të brishta, që e kanë jetën të shkurtër; duke u dhënë monumenteve të tyre një “built-in obsolescence”, thotë Leys duke komentuar vargjet në fjalë; çfarë kërkon pastaj nga njerëzit mirëmbajtje të pandërprerë. Sipas kinezëve, përjetësia nuk duhet të bujë tek arkitektura, por tek arkitekti (Leys, Simon, “L’attitudine dei cinesi nei confronti del passato,” në La foresta in fiamme, Saggi sulla Cina, Casa editrice Le Lettere, 2006, f. 7-28).

[2] Megjithatë, specialistët e ruajtjes së monumenteve kulturore përmendin ndonjëherë edhe historinë e kishës Fantoft stavkyrkje në Norvegji; e cila, e ndërtuar origjinalisht në fshatin Fortun in Sogn, rreth vitit 1150, rrezikoi të rrënohej krejt në shekullin XIX dhe prandaj një qytetar privat, Fredrik Georg Gade, e bleu dhe e çmontoi, për ta rindërtuar në Fantoft, në 1883. Sikur të mos mjaftonte kjo, kisha u shkatërrua krejt nga një zjarr që ia vunë satanistët në vitin 1992, dhe u rindërtua nga e para në 1997. Çfarë i ka mbetur autentike kishës, përveç një tërësie abstrakte, që kombinon moshën e saj, praninë e pandërprerë në vetëdijen kolektive norvegjeze dhe besnikëria strukturore ndaj origjinalit?

[3] Por vjetërsia reale mund të luajë një rol, bie fjala, në cilësinë e tingullit që përftonte organoja e katedrales, prej 7,800 tubash, e vitit 1868; dhe që mund të jetë e vështirë, në mos e pamundur, për t’u riprodhuar.

2 Komente

  1. Per fat Notredami qendron akoma ne kembe, ndonese i djegur dhe paksa i shkaterruar. Padiskutim qe do te rindertohet, sepse eshte pjese e shpirtit francez. Biles, kjo djegie pati nje te mire, se u kujtoi francezve historine e tyre, kulturen, artin, keshtu i lidhi sado pak. Ndoshta tashme edhe te rinjte do i rikthehen Viktor Hygoit te tyre te harruar.
    Ne ne Shq. per histori tonen kombetare kemi vetem 2-3 kala te vjetra. Ne Tirane, edhe nje pallat pionieresh qe mund ti lidhte njerezit e brezit 40-70 vjecare, qe mund ti lidhte edhe femijet e sotem te Tiranes ekstra-ultra heterogjene, edhe ky pallat pionieresh u emulsua ne objekte te tjera!

  2. Interesant. Duke i hedhur nje sy permbledhjeve te konsultave qe po mbahen gjithandej per tekniken e rikonstruksionit te katedrales se ND, gjithnje e me teper verehet tendenca per t’ju larguar rindertimit identik te asaj qe quhet flèche (qe mund te perkthehet per lehtesi kembanore, por qe nuk eshte aspak e tille sepse kembanat jane gjetiu), edhe pse arkitekti gjenial Viollet le Duc aty nga mesi i shk 19 kur e rikonstruktoi beri nje kryeveper me to, por duke u kujdesur edhe ai qe te mos kishte asgje te perbashket me ate te origjines. Edhe ajo e reja jo vetem qe do te jete e nje forme tjeter, por gjithnje e me teper po perpunohet ideja qe te behet prej kapriatash metalike.
    Mbase keshtu shppjegohet qe ND eshte nje liber i vertete i historise dhe arteve ne shekuj dhe jo vetem nje faqe e tyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin