1X10: LETRA GRUES SEME TË VDEKUN

Titulli: Letra grues seme të vdekun
Autori: Gjovalin Gjadri
Përktheu: Ardian Ndreca
Botime Onufri (2017)

Përgatiti për “Peizazhe të fjalës”: Gresa Hasa

“Gjovalin Gjadri në çastin kur ulet me shkrue ketë libër asht nji inxhinier 43 vjeçar. Ka lindë më 2 korrik 1898 në Shkodër, tek Arra e Madhe, në nji familje të thjeshtë. I dërguem me nji prej bursave të shumta që Perandoria Hasburge i jepte të rinjve shqiptarë gjatë Luftës I Botnore në territoret e kontrollueme prej saj, ai do të mbarojë liceun në Krems të Austrisë. Ma vonë do të diplomohet inxhinier ndërtimit në Universitetin e Vjenës.

Mbas kryemjes së studimeve kthehet në Shqipni, ku bashkëpunon në vitet 1926-27, në zbatimin e projektit të Urës së Matit. Në vitet 1927-31 e gjejmë pranë Institutit të Projektimeve në Moskë, atëherë kur Rusia, e vorfën në specialista, tërhiqte sidomos inxhiniera dhe arkitekta amerikanë, gjermanë, anglezë. Por si rrjedhojë e nji sëmundje të mushknive, tue mos e durue klimën e ashpër moskovite, ai kthehet në vitin 1932 në Tiranë, ku projekton disa ura, mbi të gjitha, Urën e Gomsiqes. Në projektet e tija tregon talent dhe origjinalitet në llogaritjen statike të urave me harqe dhe në përgjithësi në aplikimin origjinal të matematikës në shkencat e ndërtimit.

Ka kalue pak kohë prej kthimit të tij në Tiranë, kur në frekuentimet e rralla që ka në rrethet kryeqytetase, pikërisht në shtëpinë e Hivzi Korçës, njeh nji vajzë të re që sapo asht kthy prej Vjenet, ku ka jetue dhe asht shkollue qysh në moshë të njomë. Vajza quhej Zejnep Toptani. Ajo kishte lindë me 9 gusht 1914. Shkollimi dhe jeta në Vjenë e kishin formue në mënyrë të atillë sa mos me u stepë përpara ndjenjes për inxhinierin shkodran. Jemi në gjysmën e parë të viteve ‘30 dhe sado përparimtar të ishte i jati, Abdi bej Toptani, i cili kishte lindë në vitin 1864 dhe kishte dobësi të veçantë për Zejnepin, s’mund ta pranonte martesën e së bijës me nji njeri që s’i përkiste shkallës së vet, dhe mbi të gjitha me nji të krishtenë.

Vajza e re ka nji karakter luftarak e të paepun. Nuk e ndal asgja, madje as rreziku i prishjes së marrdhanjeve me prindët e saj. Në fakt, ajo nuk përkulet para asnji vështirsije dhe kundër dëshirës së prindit dhe të vëllait të madh, ikë prej shtëpijet dhe celebron martesën civile me 24 nandor 1934 në Shkodër.

Fillimviti 1935 e gjen çiftin e ri tue jetue përkohsisht në nji bujtinë të kryeqytetit, por nuk shkon shumë kohë dhe ata vendosin me ndërtue nji shtëpi e me jetue në Qerekë, një fshat i qetë në veriperëndim të Tiranës, mes blerimit të natyrës dhe drandofilleve që ua hijeshojnë dritaret. Ndërkaq vjen në jetë fëmija i tyne i vetëm, Egoni, prania e të cilit ndihet tragjikisht e fortë në këtë libër.

Dashunia dhe jeta e lumtur bashkëshortore e çiftit, përfundon me 15 gusht 1941 në Merano (Itali), ku Zejnepi pas luftës me një sëmundje të rëndë në mushkni, mbyll sytë përgjithmonë në moshën 27 vjeçare.

Historia e këtij libri asht e lidhun me nji tubëz letrash që dy të dashunuemit kishin shkëmbye mes tyre në vitet e para të njohjes. Rileximi i tyne mbas vdekjes së grues, jo vetëm      që nuk e shutitë dhimbjen por e përtrinë atë. Në fund të fundit, ky libër nuk lind si ngushëllim. Në antikitet kemi autorë si Ciceroni që shkruen nji libër me ngushëllue veten për humbjen e së bijës, Tulies. Edhe Seneka i shkruen Marcies, nji libër për me e ngushëllue për humbjen e të birit, Metilit.

Gjovalin Gjadri e shkruen librin e tij tue dashtë me përthellue fuqinë zharitëse të vuejtjes për gruen e vdekun. I vetmi raport që mund të ketë me të dashunën e tij asht nëpërmjet dhimbjes dhe shì këtë rrugë ndjek ai për me mbetë i pandamë me të.


Asht e kuptueshme pse ky libër ka pa dritën e botimit gjermanisht dhe ka qarkullue vetëm në nji rreth tepër të ngushtë miqsh të afërm. Pakkush mund ta kuptonte asokohe në Shqipni nji burrë, që i shkatërruem prej humbjes së grues, i shkruente asaj letra mbas vdekjes!

Në historinë e letërsisë sonë kemi vetëm nji shembull, elegjinë “Vaje”, që Andon Zako Çajupi i kushtonte grues së vdekun.

Por ajo që e vendos këtë libër shumë ma nalt se nji krijim i ndiem që evokon dhimbjen e sinqertë bashkëshortore dhe përshkon me tone prekëse terratisjen e kalesës njerzore, asht mendimi i thukët filozofik rreth ekzistencës, Zotit, së mirës dhe së keqes, jetës dhe vdekjes, dhe mbi të gjitha kërkimi i lumnisë. Zbulimi ma i madh që shenjon ardhja e kësaj vepre në gjinin e letrave tona, asht ndërthurja e mendimit filozofik me rrëfimin e sinqertë, i cili ven në lëvizje mekanizmin e zbulimit të unit të autorit prej plotnisë së qenjes deri tek ftohtësia e dëshprimit ma të thellë.

Në libër ndeshen ide dhe motive filozofike që të bajnë me mendue për nji njohje jo të sipërfaqshme të filozofisë së idealizmit gjerman dhe disa autorëve bashkëkohorë të kulturës gjermane.

Pasunia e gjuhës dhe larmia e figurave i bajnë ballë forcës qendërikëse të dhimbjes, e cila nuk estetizohet, madje mbërrin herë-herë me i zharit frazat dhe me rroposë gjithçka.

Intensiteti i naltë i vuejtjes që përçohet si eksperiencë e jetueme, ban që fjala në këtë libër të kthehet në nji ortek që përfshin gjithçka që i del para tue i dhanë trajtën e vuejtjes. Autori, si nji shtegtar, përshkon jetën me ngushëllimin e vetëm se nji ditë ajo mbaron. Pikërisht aty ku qëndron shpresa e përfundimit të vuejtjes nis edhe dëshpërimi: a ka me e takue të dashunën apo shpresat në nji jetë të përtejme janë të shprazta?! Dëshprimi i mirëfilltë asht ai të cilit s’mund t’i jepet fund me asnji gjest, e para të cilit edhe vetë lirija asht e pafuqishme. Edhe këtë breg të shkretnuem e prekë uni pothuejse i përhumbun i shkrimtarit.”

 Ardian Ndreca 

1.

E dashuna jeme! Sot me 3 shtator janë mbushë shtatë vjetë qysh se jemi martue e ti nuk jeton ma. Ti ke vdekë e votra jonë asht shqimë, nuk kemi me zanë vend bashkë rreth saj për me u ngrohë, nuk kemi me u ulë bashkë në tryezë për me hangër, e s’kemi me kremtue ma përvjetorin e martesës sonë. Un s’kam me puthë ma duert tueja të dashuna, me vdekjen tande kam bjerrë çdo gja të mirë dhe të bukur.

2. 

Ti m’a ke mbushë jetën plot, un isha shumë krenar për ty. Të afërmit tanë, që u anmiqsuen me ne, pse un isha katolik e ti muhamedane, u detyruen me e pranue ma vonë se ishin gabue. Tash që ti ke vdekë ata qajnë, por askënd vdekja yte nuk e prekë kaq afër sa mue. Këtë gja un e kuptoj ngaqë nuk mbërrij me ndrrue me askend as dhjetë fjalë për ty.

E un do të kisha dashtë aq fort me folë për ty! Kam shumë me thanë, por fjalët e idhnimit tem mundem me t’i besue veç ty. Kurrkush s’mundet me matë dhimbjen teme, në vuejtjen teme të papërshkrueshme më duket se edhe dashunia për fëmijën tonë asht shqimë. Zemra jeme dhe mendimet e mija të përkasin veç ty, kam nji mall për ty, aq të thellë si atëherë para tetë vjetësh, kur martesa jonë ngjante e pashpresë. Asokohe i shkruenim letra njeni-tjetnit e megjithatë mandej gjithçka shkoi mbarë. Tash un due me të shkrue rishtas për me kuvendue me ty për gjendjen tonë tragjike, si të ishe gjallë, mbasi due prap me besue, si në kohën e femijnisë, se ka nji jetë edhe mbas vdekjes. Un due, si atëherë kur ishe gjallë, me perëndue pafund mbas tejet, e mandej me vdekë pa gajle për me të pa përsëri.

 3.

Ajo çka na ra ne për hise e dashun asht e mnershme! Kur jam vetëm, s’mundem me i mbajtë lotët, vikas fjalët e dhimbjes seme, qaj e kam ndjesinë e dhimbshme se edhe ti qan me mue. Vajtoj rininë tande e hirin tand e më duket se të pezmatoj. Me ke lanë nji gjendje të mjerueshme e dashun! Vdesin miliona njerëz në ketë luftë, por për mue veç vdekja jote ka kuptim.

4.

Jeta jeme asht bjerrë. Kam arsye të mjaftueshme me vra veten, por ngurroj, pse nji dorë, nji fuqi mistike më ndalë. Në vragën e humbjes tande të pamatë jeta jeme shpirtnore ka pësue shndrrime të thella. Në lojën e mshehtë mes ligshtisë dhe guximit, mes dyshimit dhe besimit në Zotin, e njoh veten ma pak, por nji gja e di me siguri, lakmoj i zhuritun vdekjen. Të lutem e dashun, më merr me vete! S’mund të rrnoj pa ty! Më librò! Due me vdekë e me u varrosë së bashkut me ty. Kur të vijë vjeshta, tragjedia e dashunisë sonë do të gjejë plotninë e saj. Atëherë due me u preh nën dhé me ty e s’bashkut me festue përvjetorin e tetë të martesës sonë. Ky asht synimi jem, nuk lakmoj tjetër tashma.

5.

E di, ti don që un ta mbaj veten, që të tregohem i fortë para njerzve, siç e lypin doket e vendit tonë, si e kërkon edukata dhe krenija jote. Ti e din, edhe un jam kryenaltë e dashun, por ti s’e ke përjetue çka don me thanë me humbë njeriun ma të dashun tandin, shokun e jetës. Ti ke braktisë për mue nanë e babë, ti erdhe në shtëpinë teme e un s’të deshta vetëm si gruen teme, ti ishe për mue e shtrenjtë si fëmija jem, pse ishe ma se dhjetë vjet ma e re se un. Ti e din e dashtun sa të lidhun ishim me njeni-tjetrin, gjatë martesës sonë s’ka pasë as tri net që njeni nesh të flente jashtë e të ketë lanë tjetrin vetëm në shtëpi. Edhe në klinikë, ku u shtërngove me u shtrue prej sëmundjes, un fleja së bashku me djalin në të njejtin mjedis me ty, të rrinim te kryet e s’të braktisëm deri në fund. Ishim shumë të lidhun me njeni-tjetrin, nuk kishim asnji mik ma të mirë se njeni-tjetrin, ne mvareshim prej njeni-tjetrit.

Kishte me na çue shumë larg me dashtë me tregue arsyet që kushtëzuen gjendjen tonë të pazakontë gjatë martesës, asht fakt se ti s’kishe kend tjetër përposë mejet për me folë lirshëm. Shtegun që ti kërkove s’e gjete, dera e shtëpisë prindnore të mbeti e mbyllun. Pse ti për mue braktise shtëpinë e prindve e mue më dhe provën e nji dashunije të madhe, tek un ti kërkoje mbrojtje e un me mend dhe me shpirt ta jepja, ti m’a çilje zemrën e un isha vullnetmirë që besimin tand me e shpërblye me miqsi të kulluet… këto janë hallka të nji vargoni të pashkëputshuem e dashun, a mund të mos m’i mbushin sytë me lotë këto gjana?

6.

Dhoma m’u ngushtue. Fillova me ec nalt e poshtë, kisha nevojë për ajr e nisa me rendë nëpër shtëpi. U turra në banjë, prej aty në kuzhinë, madje nalt në dhomën e vogël si kullë, mandej poshtë në odën e ndejes e rishtas në dhomën e gjumit. Nuk gjeja qetësi. Rrëmova në sirtaret poshtë, pashë dhe putha bordurat e këpucëve tueja, kërkova prap dhe gjeta letrat tona të dashunisë. Shtëpija filloi me m’u sjellë.

7.

Tani jam pa shtëpi, por shpejt, kur të jem sistemue, kam me të ngritë nji altar. Sendet e tueja s’kanë me m’mungue, mbasi kam mbledhë mjaftueshëm. Edhe dje nuk u largova duerbosh prej shtëpijet e dashun! Mora me vete nji dhanti të paçmueshme që ishte e shtrenjtë për të dy: letrat tona të dashunisë.

8.

Herën e kalueme u ktheva së bashkut me ty në qytet. Dje e bana rrugën e kthimit vetëm. Qava gjithë kohën në makinën bosh. Nuk kisha turp prej lotëve, pse krenija m’i kishte lanë të lira. Ndihesha i plaçkitun, por lotët më thonin se Ai që më dha aq shumë të mira, nuk mundet me m’i marrë rishtas përgjithmonë. Ti ishe për mue dhanti e jetës e un due që dhantija jeme të më kthehet prap prej Dhuruesit të madh. S’kam kundërishtim, për mue asht njilloj, si të ngjallesh ti, si të vdes un. Due me të pa rishtas e mandej me të ndejt krah besnik. Dje qava shumë, por i dhashë lamtumirën shtëpisë sonë e jo ty. Në shtëpinë tonë due me u kthye prap me ty i vdekun e në livadhin tonë të rrethuem prej pemësh due me ndërtue një kriptë për ne të dy. Dashnia nuk ka fe dhe vorri ynë nuk duhet t’ia dijë për këtë mospërkim. Ky vendim asht nji përshendetje prej meje e prej shtëpisë sonë për ty në këtë letër.

9.

Shumë shpirtna jetojnë tek un. Ata përbûjnë tek un rrokopujë, njeni mbi tjetrin, e s’më lanë të qetë. Njeni prej shpirtnave të mij zhaurinë si Deti i Veriut. Gjithmonë stuhi mbas stuhijet. Thellë ai ruen bruztinë që përpin me rreshk prej qiellit dhe e thith plotsisht në rrymat e veta të ftohta. Jeton i ndamë prej shpirtnave tjerë, siç jeton deti i ngrimë i ndamë prej detnave tjerë, pa fis e pa vllazni, me mallin e prushit të nxehtë, me mallin e diellit…

10.

S’praj tue i thanë vetes se m’ka ndodhë nji padrejtësi e madhe dhe në fund të fundit e ngarkoj Zotin me përgjegjësi për këtë fatkeqësi temen. Sa ma i madh asht dëshpërimi jem, aq ma fort dyshoj në ekzistencën e tij, pse në fund të fundit besimin te Zoti ia atribuoj thjesht nji cilësise së ulët të njeriut, frikës së tij. Padyshim e dashun! Në orët e qeta ndërhyn pajtimtare dashunia jote dhe un mandej arsyetoj: njeriu s’e njeh Zotin pse asht frikacak, por pse Zoti e ka krijue atë frikacak në mënyrë që ai ta njohin. E mbërrij kështu në përfundimin se nuk ekzistojnë ateistat e vërtetë. Po çka më hyn në punë kjo gja, e dashun! Kjo bindje s’ma fashitë dhimbjen teme, pse asnji Zot s’mundet me m’dhanë çka kam humbë me ty.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin