DY ANË TË BANALITETIT

Kur qëllon të citohet në shqip vepra e Hanna Arendt-it për gjyqin e Eichmann-it në Jerusalem dhe të përmendet “banaliteti i së keqes”, do të ketë gjithnjë shqipfolës që do ta keq-interpretojnë shprehjen, duke menduar se Arendt e ka fjalën për “ndyrësinë” e së keqes. Dhe kjo ngaqë mbiemri banal, në shqipe, përdoret shpesh me kuptimin “i pahijshëm, i ndyrë, i turpshëm” që është sanksionuar edhe në fjalorët, si në togjet fjalë banale, fjalor banal, humor banal dhe njeri banal (nga goja); që do t’i përgjigjej anglishtes vulgar ose obscene; kuptim pastaj që është bartur edhe në emrin banalitet. Ky kuptim, megjithatë, nuk ndeshet në gjuhët nga është huazuar fjala, me gjasë italishtja dhe frëngjishtja.

Në këto të fundit, por edhe në anglishte, banal ka kuptimin “pa origjinalitet ose interes të veçantë”, “i zakonshëm”, “pa peshë”, “pa domethënie të veçantë”, çfarë do të thotë se, në italishte, parole banali janë fjalë të dala boje, të zakonshme, ndoshta klishe, që nuk shprehin asgjë; çfarë edhe do të ishte e kundërta e fjalëve banale në shqip, të cilat kanë tepricë ekspresive, meqë u rëndon kandari nga konotacioni (mëtojnë të shokojnë, duke iu referuar tabuve leksikore me natyrë seksuale ose koprologjike). Prandaj edhe kalimi kuptimor meriton vëmendje.

Nga pikëpamja etimologjike, fjala banal në gjuhët neolatine e ka origjinën nga frëngjishtja e vjetër banel, “komunal”, nga ban, “dekret, autorizim, akt ligjor”, që nga ana e vet rrjedh nga proto-gjermanikishtja *bannan “shpall, flas publikisht”. Mbiemri përdorej në krye për të cilësuar objekte të tilla si furrat ose mullinjtë që përdoreshin nga të gjithë, ose me kuptimin “i hapur për të gjithë”. Që këtej edhe kalimi në “diçka e mirënjohur, ngaqë përdoret prej të gjithëve.”

Gjithsesi, në kulturën europiane moderne, koncepti i banalitetit lidhet gjithnjë ngushtë me mungesën e origjinalitetit – prandaj edhe ka fituar vlerë krahas promovimit të origjinalitetit si virtyt artistik dhe intelektual. Por ky kuptim, edhe pse i qartë dhe i adoptuar gjerësisht nga kultura shqipe, ende nuk është rrënjosur në gjuhë. Tek e fundit, flasim për një kulturë si e jona, që ende ruan marrëdhënie të forta me oralitetin dhe mbetet tejet konservative nga ky këndvështrim, për ç’arsye edhe përsëritja dhe rimarrja kanë valencë më të lartë se sfida ndaj stereotipisë, sikurse ka referenca ndaj ekzistueses dhe traditës valencë më të lartë se risia, ose distancimi i vetëdijshëm nga e njohura, e sprovuara, popullorja.

Edhe kur mbiemri banal përdoret me kuptimin e parë, ose “që ka humbur forcën shprehëse për shkak të përsëritjes së shpeshtë, që është bërë bajat e pa shije, tepër i përdorur dhe i njohur prej të gjithëve”, folësi i shqipes do të priret ta asociojë këtë veti me shijen e keqe, e cila i bashkëlidhet klishesë dhe stereotipisë. Nuk më duket rastësi që shqipja ende nuk ka një fjalë a shprehje të konsoliduar për it. luogo comune, angl. commonplace; meqë klishe tingëllon librore dhe gjithsesi e specializuar, njëlloj si truizëm, stereotipi ose platitudë (kjo e fundit nga anglishtja). Gati-gati të vjen të mendosh që brenda kulturës shqipe kjo sëmundje ende nuk po diagnostikohet si dhe sa duhet; për të mos thënë që në disa kontekste ende përjetohet si virtyt retorik, gjithnjë për shkak të mbijetesës së oralitetit.

Këtyre stereotipive u është rithemeluar, me sukses të pashembullt, vendi gjeometrik në rrjetet sociale; ku edhe janë profiluar kampionët përkatës (influencers), njëlloj stereotipikë sa edhe performancat e tyre, përfshi këtu edhe anti-konformizmin. Për të njëjtën arsye, në këto rrjete përjetohet, ndonëse si rregull subjektivisht dhe në heshtje për shkak të nevojës imperative për konformim, shija e keqe e shumë teksteve, letrare dhe jo-letrare, që rregullisht ofrohen për konsum masiv. Dhe duke qenë rrjetet sociale banale me përkufizim (ose “të hapura për të gjithë”, në kuptimin etimologjik të atij mbiemri), atëherë edhe marrëdhënia e banalitetit me vulgaritetin, si “shije e vulgut” vjen e bëhet më e qartë. Ashtu dëmtohet edhe vetë statusi i letërsisë, tekstit kulturor dhe komunikimit letrar-kulturor, për shkak të iluzionit që letërsia, dhe kultura në përgjithësi, nuk kanë nevojë për filtra. E megjithatë, brenda një kulture orale të mirëfilltë gjithnjë vepron një lloj darvinizmi diskursiv – jo të gjitha klishetë përfundojnë në proverba; ndërsa në rrjetet sociale janë emrat dhe personalitetet e thënësve që seleksionohen, në afat të gjatë. Që këtej edhe përfundimi i pashmangshëm se personalitetet/personazhe të këtyre sferave virtuale rrezikohen të bëhen po aq banale sa edhe tekstet dhe imazhet e tyre.

Këtu vijmë sërish te nevoja për të shpjeguar kalimin nga “i zakonshëm, i shpëlarë” te “i ndyrë”, në përdorimin e mbiemrit banal në shqipe. Një arsye do të jetë vetë paqartësia e kuptimit me të cilin përdoret mbiemri në gjuhë si italishtja, frëngjishtja dhe anglishtja; sa kohë që shqipja, ose më mirë kultura “e mveshur” në shqip, ende nuk e ka stërholluar perceptimin e klishesë, dhe as e ka ngritur në kult të vetvetishëm origjinalitetin. Që këtej fjala ka hyrë, por pa një kuptim specifik të konsoliduar – çfarë e ka ekspozuar ndaj metonimisë, që edhe ka ndodhur. Të mos harrohet këtu edhe që, paralelisht, është dashur të kristalizohet edhe një term libror për fjalët lapërdhi – meqë fjalë të ndyra, fjalë të pahijshme, etj. nuk e kanë saktësinë e nevojshme, ndërsa lapërdhi ka kuptim disi të ndryshëm, meqë u referohet edhe akteve dhe gjesteve të pajijshme, por edhe tingëllon si e shqipes bisedore. Është ofruar, për ta mbushur këtë zbrazëti, fjala vulgare, me kuptimin “diçka që është karakteristike për shtresat e ulëta, vulgun; diçka e trashë, e pagdhendur, e ulët”; pa çka se, në vitet e sundimit të regjimit totalitar, asocimi i fjalës vulgar me vulgun do t’i referohej doemos një vizioni elitist, aristokratik të shoqërisë dhe, në analizë të fundit, do të konsiderohej ideologjikisht i papranueshëm. Që këtej, mbiemrit banal iu ngarkua edhe barra për të shprehur rëndom “obscenitetin”, për shkak të disa mbivendosjeve të trashëguara, në kuptim dhe përdorim, me mbiemrin vulgar.

Diçka e ngjashme do të ketë ndodhur, në paralel, me rusishten банальный (banalnij) e cila mund të ketë përjetuar të njëjtin tension ideologjik në marrëdhëniet me вульгарный (vulgarnij), dhe nuk mund të përjashtohet një ndikim i rusishtes mbi këtë zhvillim kuptimor në shqipe, sidomos nëpërmjet përkthimeve letrare të viteve 1950-1960.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin