H A B I A

(Fragment romani)

Ai porositi konjak, ndërsa ajo tha se i kishte shkuar mendja për një ëmbëlsirë. Ajri i mbrëmjes që po binte ishte i lehtë dhe plot aroma, por hëna po vononte të dilte pas qiparisave të lashtë të oborrit të asaj kishe të dikurshme, ku gjendej lulishtja e restorantit me pistën e saj të vallëzimit. Vetëm ata më të vjetrit që ishin aty e dinin se ajo ishte ndërtuar në truallin e varrezave së dikurshme të murgjve.

– Je mirë, – e pyeti ai?

– Rezistoj, – Ani buzëqeshi duke u përpjekur të fshehë lodhjen.

Një copë herë gjatë ai mendoi t’i tregonte atë çfarë i kishte ndodhur të atit të tij, por pastaj hoqi dorë. Ajo nuk ishte e gatshme të dëgjonte një histori aq të pabesueshme.

Muzikantët nisën të vijnë një e nga një. Flisnin duke u përkulur nga njëri-tjetri dhe një kohë e kaluan duke luajtur mjaft ulët e qetë, si për të ngrohur instrumentet dhe shpirë gishtërinjtë. Ndonjëri vështronte rrotull dhe përshëndeste të njohurit e rastit në tavolinat më pranë. Në ajër ngrihej era e këndshme e barit të thatë të fushave të anës tjetër të liqenit dhe ndriçimi në trajtë hinke që zbriste nga lampadarët mbi tavolina i jepte tërësisë së tyre imazhin e ishujve të një arkipelagu të largët të humbur në hapësirën siderale.

Disa burra, në moshë të mesme, rrinin tutje gardhit rrethues të lulishtes dhe nuk ua ndanin sytë çifteve që kishin përpara, gjë që i vinte në siklet shumë prej tyre, por që me kohë mësonin të mos e kthenin kokën pas.

Orkestra ishte plotësuar me të gjithë personelin e saj dhe në mënyrë diçka më të organizuar, filloi të interpretonte fragmente pjesësh të ndryshme muzikore, të cilave nuk u shkonin deri në fund, si të qe fjala për një paraqitje të përmbledhur të repertorit të ardhshëm. Kjo deri kur u dëgjua një gërvimë e fortë e mikrofonit, që u pasua nga një heshtje e shkurtër e cila i parapriu masave të para të një foxtroti, që më të rinjve u kujtoi muzikën me të cilën kishin kërcyer prindërit e tyre. E megjithatë, u krijua një atmosferë e pëlqyeshme miqësore, gati familjare. Qe një muzikë që edhe pse nuk entuziazmonte njeri, endej këndshëm përmes tavolinave me elegancën e një valltareje të shkuar në moshë, por pa mundur të gjente admirues të shumtë që t’i kushtonin vëmendje.

Muzika që filloi më pas, qe krejt e ndryshme. Në fillim ajo dukej sikur nuk kishte guxim të ngrihej shumë lart, e sigurt se do të ndihej më mirë ta kalonte në heshtje radhën e saj. Por ja, ndodhi që jo vetëm ata që ishin brenda lulishtes, por edhe çiftet që pëlqenin të qëndronin tutje buzë liqenit e të kundronin atë imazhin e lashtë romantik të hënës mbi sipërfaqen e ujit, edhe ata mbetën pak si të hutuar. I kërkuan njëri-tjetrit të mbanin qetësi, deri sa nuk kishin më asnjë dyshim: grupi i vogël i muzikantëve po luante Take five të Paul Desmond- it.

Për disa nga çiftet që kishin nisur të merreshin seriozisht me bërxollat që u kishin vënë përpara dhe për të cilat ai lokal gëzonte emër të mirë, introduksioni solo me bateri kaloi thuajse pa u vënë re, e njëjta gjë edhe me ata të tjerët, që në gëmushat ku ishin fshehur po kërkonin me ngulm në gjinjtë e partnereve që kishin pranë, por hyrja në skenë e saksofonit dhe dueti i tij me baterinë, i detyroi, kë më shpejt e kë më vonë, të ndërprisnin mbllaçitjet e të mbanin vesh për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodhte.

Në lehtësinë dhe ëndjen e përhumbur të atyre tingujve, orkestra në platformën e saj të rrumbullakët prej betoni  midis lulishtes, kishte nisur t’i ngjante një barke magjike, që u ishte shfaqur njerëzve të një bregu të huaj e të panjohur, të cilët e vështronin si të qe fjala për një mirazh që disa çaste më tutje do të tretej në ajër, si të mos kishte ekzistuar kurrë.

Anit i lindi dëshira ta merrte nga dora burrin që kishte pranë e të dilte në pistë për të kërcyer. Qe diçka që e habiti edhe atë vetë. Kishte dëgjuar nga prindërit e saj se dikur ata vinin aty e vallëzonin çdo fundjavë, por kohët kishin ndryshuar. Në të vërtetë askush nuk kishte thënë se tani ishte e ndaluar të vallëzoje në një pistë publike, por të gjithë e dinin se sa e pakëshillueshme ishte një gjë e tillë. Kur disa pyesnin përse atëherë aty vazhdonte të luante një orkestër, kishte që u përgjigjeshin se më shumë se për forcë zakoni, ato shërbenin për të ruajtur dekorin e një jete normale, ndërsa më pesimistët i krahasonin me pezhishka merimange ku hera herës binin ata për të cilët gara e seleksionimit ndërpritej kur emri tyre hynte në listat aspak të lakmueshme të personave me prirje për t’u shthurur.

Ajo buzëqeshi me naivitetin e vet dhe u mbështet në karrige e mbylli sytë. Ndihej mirë duke shijuar atë ndjenjë nostalgjie të thellë e të ëmbël, që i kishin ngjallur në shpirt tingujt e asaj muzike.

Leka, shtriu krahun mbi supin e vajzës së bukur që kishte pranë, por u ndie pak xheloz tek e pa të buzëqeshte me sy të mbyllur. Pati dëshirë ta puthë, por druhej se ajo do të hapte sytë.

Porositi t’i sjellin një konjak tjetër, dhe vazhdoi ta pijë ngadalë atë çka i kishte ngelur në gotën e parë, duke qenë i bindur se gjëja më e mirë që mund të bënte ishte të mos mendonte për asgjë. Por atë çast pa se një çift ishte ngritur dhe po kërcente në pistë. Drejtoi shtatin në karrige që të shihte më mirë. Nuk ishte vetëm ai që ndihej si i zënë në befasi. Kishte edhe të tjerë që nuk po e kuptonin se çfarë po ndodhte, por ishte tamam ashtu: një çift ishte ngritur të kërcente në pistë!

Disave u tërhiqte vëmendjen fustani i bukur me lule të vogla e të çelura i gruas së re, ndërsa të tjerëve sjellja prej kavalieri e kohëve të shkuara të partnerit të saj, që kishte veshur një këmishë me kuadrate në ngjyrë portokalli dhe pantallona të prerë drejt, mbase pjesë e një kostumi veror, xhaketën e të cilit e kishte lënë diku në mbështetësen e karriges së tij. Mbi kryet e tyre llambadarët e vjetër ndriçonin me ndrojtje, ndërsa akoma më lart, qiparisat e lashtë të varrezave të dikurshme vështronin  indiferentë, si monumente të një qytetërimi tjetër.

Leka preku Anin në sup.

– Do kërcejmë? – e pyeti ajo e terrorizuar kur drejtoi sytë andej nga po shikonte ai.

Por ishte një çift tjetër që u drejtua para tyre në pistën e vallëzimit. Leka e mori gati për fyerje një gjë të tillë. Kaloi krahun poshtë harkut të mesit të Anit dhe sa hap e mbyll sytë u ndodhën në mes të pistës. Nuk u mbeti veçse të kapnin ritmin e muzikës dhe të hynin në një dimension gati të panjohur këndelljeje e mahnitjeje. Ishin të bindur se nuk po ëndërronin, por duhej të qe diçka e përafërt.

Pas tyre plot çifte të tjerë nisën të nxitonin drejt pistës.

Në tavolinat rrotull nisi të flitej se çifti që ishte ngritur i pari të kërcente, ishte korrieri diplomatik i ambasadës zvicerane me të shoqen. Të tjerë, ishin të sigurt se ishte fjala për dy pedagogë francezë të fakultetit të gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës. Kishte vetëm pak muaj që kishin ardhur në Tiranë dhe sapo e kishin zbuluar atë lokal në periferi të qytetit.

Dukej të ishte ashtu. Mjaftonte të shihje lëvizjet e tyre të shpenguara, pa komplekset e drojës e vetëfrenimi së vendasve, pa folur pastaj për lirshmërinë me të cilin gruaja kishte lidhur gishtërinjtë e duarve të saj mbi supet e partnerit me të cilin vallëzonte gjithë hir dhe elegancë.

– Dua të lidh edhe unë gishtërinjtë mbi shpatullat e tua, – foli  Ani si të qe zgjuar me përshtypjen se një hir i magjishëm kishte zbritur e prehej në supet e tyre.

– Ka edhe më mirë se aq, – ia bëri Leka dhe u shkëput krejt prej saj, duke përthyer pak gjunjët e tundur lehtë duart para vetes, si një gjest i largët që ia ndillte ajo muzikë jazz e cila ishte në të njëjtën kohë tingull e lëvizje trupore dhe shprehte hare e dëshirë për të jetuar jetën, por edhe dhimbje, ironi, nostalgji…

Kur asaj nisi t’i dukej se kishin guxuar më shumë se sa kishte ëndërruar ndonjëherë, ndodhi e vetmja gjë që nuk pritej. Orkestra heshti. Tingujt e saj të fundit, një improvizim i vogël i xhazbandistit mbi temën bazë të muzikës, pritën pak në ajër, të habitur që nuk po pasoheshin nga të tjerë dhe u shuan në qiellin mistik e me yje të asaj nate të mrekullueshme, siç janë shpesh netët e periferive të Tiranës. Njerëzit ndaluan të hutuar dhe u kthyen të shohin nga orkestra. Midis saj ishte futur dikush që po i fliste në vesh kitaristit. Nuk vëreheshin lëvizje të nervozuara, tundje gishti apo britma qortimi. Asgjë e tillë. Të gjithë shpresuan se gjithçka do të fillonte nga e para, pas ndonjë shpjegimi të rastit. Ishte kitaristi që kishte marrë përsipër t’i përgjigjej atij tipit që ishte futur aq papritur midis orkestrës dhe përnjëmend, u duk sikur gjithçka u mbyll me aq. Kitaristi i ra një akordi, si për të rivënë në punë kolegët e vet, që aq gjë prisnin, dhe gjithçka nisi nga e para. Por atë çast ai personi që gjendej midis tyre, bëri diçka që nuk pritej, zgjati dorën dhe mbërtheu fort bishtin e kitarës. Kordat e saj të bllokuara heshtën mjerueshëm. Edhe instrumentistët e tjerë nuk vazhduan më tej, por nuk ndaluan të gjithë në të njëjtën kohë. Të fundit qenë çaparet e xhazit, që xhazbandisti u hodh t’i mbërthejë me dorë, për t’i detyruar të heshtnin menjëherë.

Çiftet në pistë kishin zbritur njëri pas tjetrit në një realitet që e kishin harruar, me përshtypjen e çuditshme se ai i panjohuri kishte guxuar të hynte brutalisht në dhomën e tyre, në kulmin e një çasti intim, të papërsëritshëm. Por ende shpresonin se gjithçka do të rikthehej si më parë, edhe pse minutat kalonin dhe në ajër tensioni nisi të bëhej i prekshëm. Dy tre çifte u kthyen në vendet e tyre, duke ndjerë se nuk ishte fort e këshillueshme të tregonin kureshtje se çfarë po ndodhte me orkestrën. Të tjerë menduan se mbase nuk kishin gabuar në fillim kur u qe dukur se ishin në ëndërr.

Vetëm çifti i të huajve nuk ndihej fort i sëkëlldisur. Madje për të treguar se e kishte marrë gjithçka me humor e vullnet të mirë, gruaja duke pritur që gjithçka të fillonte nga e para, filloi të tundte këmbët me vend, sikur po vazhdonte të kërcente me ritmet e muzikës që nuk dëgjohej më.

Dikush më vonë tregoi se para vështrimit të skandalizuar të kitaristit, ai personi qe i kishte bllokuar telat e instrumentit, i kishte thënë në vesh se nuk kishte asgjë me kitarën e tij, por ishte vonë dhe lokali duhej të mbyllej. Nuk është muzikë e ndaluar, kishte tentuar kitaristi ta bindte, po luajmë versionin e orkestrës së Dave Brubeck– ut që deri vonë e transmetonte edhe Radio Tirana. Tjetri, kishte tundur kokën i nervozuar duke i thënë se edhe atij i pëlqente orkestra e Brubeck- ut, por për gjëra të tilla do të kishin kohë të bisedonin në një vend tjetër.

Çiftet e vallëzuesve vendas, që dukej se e kishin më të zhvilluar instinktin e vetëruajtjes, u larguan të gjithë nga pista e vallëzimit. Disa prej tyre u vunë të kërkonin me sy kamerierin që të paguanin, të tjerët lanë paratë mbi tavolinë e ikën pa e kthyer kokën. Ndiheshin të shqetësuar dhe donin të zhdukeshin prej aty.

Vetëm çifti i të huajve shpresonte ende në rikthimin e atyre tingujve, heshtja e menjëhershme e të cilëve sikur i kishte zbritur në një stacion që nuk e njihnin e mezi prisnin të vazhdonin udhëtimin e tyre ekzotik, pas një incidenti të rastit.

Me të mbërritur në tavolinë, Ani hodhi çantën në krah  dhe mbërtheu trikon duke pritur Lekën që kishte shkuar të paguante në banak. Atij kishin filluar t’i merreshin këmbët dhe ajo u shqetësua tek e vuri re se ai qëndroi te orkestra.

– Po qe se keni marrë vendim ta rifilloni muzikën nesër në mëngjes na thoni të shkojmë e të marrim një sy gjumë… – i tha kitaristit.

– As nesër në mëngjes nuk do ta fillojë. – i u përgjigj ai personi tjetër që kishte kërkuar ndërprerjen e muzikës. – I kërkova unë të ndalojnë.

– Po ti kush je? – e pyeti Leka, pa vënë re se kitaristi sikur u tkurr i gjithi.

– Një qytetar i thjeshtë. Quhem Gjikë Luçi, – tha ai dhe i zgjati dorën.

– Edhe unë qytetar i thjeshtë jam, – iu përgjigj Leka, duke bërë sikur nuk e vuri re dorën e tij të shtrirë, – por nuk e di nëse ka ndonjë orkestër në botë që më bindet po t’i them të ndalojë menjëherë së luajturi.

– Varet nga toni, – ia tha ai që quhej Gjikë Luçi, gati si me ironi.

– Jo, – ia bëri Leka, – varet nga pozicioni, – unë mund të bërtas deri në qiell dhe këta kurrë nuk do të ndalonin. Ti nuk pate nevojë fare të bërtasësh.

Deshte të thoshte edhe diçka tjetër, por Ani që ishte afruar aty e tërhoqi menjëherë nga krahu.

Duke zbritur tatëpjetë kodrës që do t’i nxirrte te sheshi i Universitetit, ajo ndjeu frikë dhe kthente kokën nga pas. Nuk e kuptoi pse nuk morën rrugën e asfaltuar, por u futën përmes një monopati të zhveshur nga bari e gjithë dredha e gunga dheu. Në të vërtetë qielli ishte gjithnjë i ndriçuar e plot yje, por ishin trajtat e hijeve të pyllit ato që e paralizonin nga frika. Por shpejt u kujtua se duhej ta harronte frikën e saj e të kujdesej për Lekën, që kishte vështirësi të ruante drejtpeshimin e tij dhe ndalonte herë pas here të mbahej në trungjet e pemëve.

Dikur, ai mbështeti kurrizin pas një akacieje dhe tërhoqi atë pas vetes. Ajo e puthi fare shpejt dhe i kërkoi të iknin sa më shpejt prej aty. Veçse ai nuk ishte fort i gatshëm për një gjë të tillë. E shtrëngoi dhe e tërhoqi edhe më fort nga vetja. Ajo nuk bëri asnjë përpjekje të ikë, madje do të kishte dëshirë të rrinin ca aty, por ishin gjithnjë ato hijet e frikshme të pemëve dhe shkurreve që i kujtonin se duhej t’ia mbathnin sa më shpejt.

– E lëmë për një herë tjetër, – i tha duke parë rrotull.

Ai i kapi kokën me të dy duart e tij dhe e puthi në gushë e pastaj në buzë.

– Eja nesër në shtëpi, – ia bëri ajo duke u përpjekur të largohej, por ai i hapi trikon dhe si i zbërtheu kopsat e para të fustanit, u vu në kërkim të gjinjve të saj.

– Kam frikë këtu! Më kupton? – gati bërtiti ajo.

– Ku të shkojmë? Te monumenti i Skënderbeut?

– Të pres nesër mbasdite në shtëpi. Do jemi vetëm.

Atë çast, në dritën e hënës që zbriste përmes degëve të varura të një eukalipti të madh asaj iu duk se pa një hije që po afrohej drejt tyre. E shtyu fort Lekën dhe mbështolli trikon para gjoksit të saj, lakuriq.

– Ka njerëz, – gati bërtiti, – ka njerëz që na shohin.

– Mua më pëlqen këtu! – gulçoi ai i inatosur.

– Po unë? Nuk kam drejtë të më pyesësh nëse dua këtu?

Asaj vërtet i erdhi keq që i fliste ashtu, por ndjente shumë frikë. Megjithatë i uli duart dhe e la të lirë. Nuk e kishte parë të nxehej ndonjëherë ashtu. E dëgjonte ndërsa dihaste duke u marrë me klipset e zharrtjerës së saj dhe mbylli sytë duke shpresuar që gjithçka do të mbaronte sa më shpejt.

– Kujdes, mos më bësh fustanin me njolla, – i tha dikur.

– Çfarë?

– Asgjë.

Ai u përmend vetëm kur ndjeu trupin e saj të dridhej e t’i ikte nga duart. Nuk e kuptoi çfarë po ndodhte, por edhe nuk ishte fort i gatshëm të vriste mendjen për një gjë të tillë.

– Janë dy hije këtu pas, – fërgëlloi ajo e gjitha.

Ai vetëm sa tundi kokën me një lëvizje pakënaqësie.

– Më prekin mua!- klithi ajo rrëzë veshit të tij, – i ndjej duart e tyre…

Këtë radhë ishte ai që u drodh. Ktheu kokën dhe i tmerruar pa dy vetë që po qëndronin pothuaj ngjitur në anë të tij dhe po masturboheshin me zell. Tërhoqi Anin pas vetes, si për ta mbrojtur, ndërkohë që ajo uli menjëherë fustanin e saj dhe u tkurr pas tij. Duke mbajtur kokën pas, nga frika se mos hijet u hidheshin përsipër, ai e tërhoqi teposhtë kodrës. Ishte errësirë dhe me sa mundnin, ata vrapuan duke shmangur  gropat ku mund të binin e thyenin këmbët.

– Po na ndjekin? – pyeti ajo, duke patur frikë të kthente vetë kokën.

– Mos ki frikë, – i tha ai, si për të qetësuar edhe veten, – me mua nuk duhet të kesh frikë.

Së largu u shfaqën dritat e rrugëve të Tiranës, që ngjanin si qirinj të zbehtë në një varrezë të madhe. Kishin përshtypjen dërmuese se njëherazi, duke dalë nga errësira e pyllit po dilnin edhe nga një ëndërr e ligë, e shëmtuar, e pisët.

Lebetia ende ishte e dukshme në fytyrën e saj, edhe kur po ecnin pa shkëmbyer asnjë fjalë përmes sheshit para Universitetit, ndërsa ai vetë ndjehej më fort i fyer e i poshtëruar, se sa i frikësuar. Ishte një çast i ëmbël e i vrullshëm intimiteti që ia kishin rrënuar brutalisht. Madje, ende ndjente një si ereksion që nuk e qetësonte dot. Ereksion post mortem, tha me vete, që siç kishte dëgjuar ishte diçka që u ndodhte shumë burrave në çastin e ekzekutimi me varje.

E tërhoqi Anin nga krahu dhe e shtrëngoi fort pas vetes, si për t’i kërkuar falje që i kishte shtyrë gjërat deri aty, por nuk mundi të flasë.

(c) 2019, autori

 

………….

Romani Habia i D. Kokonozit, botim i Sh. B. UEGEN,  u paraqit së pari në Panairin e librit 2018.

Nëpër faqet e tij, lexuesi ndjek fatin e një familjeje krejt të zakonshme, babai i së cilës, një specialist thuajse i panjohur edhe për punonjësit e dikasterit ku punon,  ndihet i nderuar kur e ftojnë të jetë i pranishëm në një analizë pune të Sekretarit të përgjithshëm. Veçse dikur nuk arrin të përmbajë dot habinë e tij, kur i duket se ato që po dëgjon aty nuk janë gjëra të panjohura për të. Dhe ky çast i pakontrrolluar habie do t’i kushtojë shumë. Jashtëzakonisht shumë. Atij dhe familjes së tij.

 

16 Komente

  1. Me keaq sa lexova do ta blija librin. Më pëlqeu. Më ngjan pak me stilin e F. Kongolit, megjithëse më i drejtpërdrejtë.
    Gjithsesi, më ra në sy fjala “zharrtjerë” dhe mendoj se mund ta kishte zëvendësuar me një fjalë tjetër.

  2. Hm. E lexova me kujdes pjesën e shkëputur më lart. Kam disa probleme me të. Së pari, fjalitë janë të gjata e të ngarkuara, për pasojë, të lodhshme. Përshkrimet tingëllojnë të panatyrshme. Ato janë të tejmbushura me detaje të panevojshme një pjesë e të cilave, po të liheshin jashtë, do të kuptoheshin njëlloj nga lexuesi, pa e çorientuar këtë të fundit.

    Së dyti, skena kur Leka e detyron Anin që t’i nënshtrohet pushtetit të tij për të kryer marrëdhënie seksuale në park, kundër dëshirës së saj, teksa ajo është e frikësuar, në ankth dhe qartazi, aspak rehat, përcillet në një mënyrë që më shqetëson. Ndoshta Leka është thjesht një horr, pa kurrfarë empatie, prototipi i burrit patriarkal që përpara shuarjes së ereksionit nuk merr parasysh asgjë tjetër e ndoshta në tërësi në libër ky personazh përcillet kësisoj por më lart, për ne që nuk e kemi lexuar librin dhe njihemi me të vetëm nëpërmjet këtij pasazhi, çdo gjë duket e gabuar me Lekën. Sjellja e tij ndaj Anit duket abuzive dhe vetë Ani tingëllon si stereotipi klasik i figurës së gruas në letra: viktima e brishtë që kërkon mbrojtje në krahët e heroit, një burri të fortë që do ta shpëtojë, paçka se duket kryekëput trap nëpër rreshta. Mos më thoni ju lutem që ky është një tjetër libër në treg që e shet këtë gjë si “romantizëm”, “dashuri” e një sërë gjërash të ngjashme që nuk i përfaqëson.

    Së treti, nga sa më lart, të krijohet përshtypja se historia është e vendosur në Tiranë gjatë periudhës së diktaturës. Nëse është kështu, fakti që “të huajt” dhe vendasit kërcejnë lirshëm jazz nën tingujt e Dave Brubeck tek liqeni, duket e çuditshme, e pavërtetë… Me të drejtë, shumëkush mund të më thotë se këtu s’po bëjmë shkencë, por art dhe arti na jep mundësinë t’i manipulojmë faktet reale sipas interesit tonë, mjafton që të nxjerrim në fund një vepër përsëmbari, Por a është vërtetë kësisoj? Po sikur manipulimi i disa fakteve të ndërhyjë në kujtesën kolektive tonën, duke na ofruar një imazh të përçudnuar të diktaturës, një imazh soft, hokatar madje! A s’do të ishte problematik një “rehabilitim” i këtillë i atij sistemi? Madje, fyes për të gjithë ata që u vrau të dashurit e u shkatërroi jetën. Ky përngjan më shumë me një imitim të keq të artit se sa me artin në vetvete.

    Së fundmi, pasazhi më lart më lë të ftohtë dhe skeptike ndaj librit. Nuk jam e sigurt nëse do të doja të nxirrja para nga xhepi apo të investoja kohë me të. Ndoshta, përshtypja ime fillestare mund të jetë e gabuar. Subjekti i përshkruar shkurt në fund duket megjithatë, interesant por unë nuk e di se si mund të jetë trajtuar konkretisht në libër.

    1. GH, ndjese qe munda te shoh vetem tani komentin tend. Nuk e di me çfare merresh ne jete, por tek ben komente letrare te le pershtypjen e nje te dehuri qe perpiqet te beje pirueta ne nje piste akulli.
      E perkrah idene tende per imazhin e nje gruaje pergjate aktit seksual dhe te inkurajoj te kembengulesh ne nje gje te tille, ne seminare, konferenca etj, se mundet qe te jete nje problem i vertete per shume vete. Tani nuk e di sa sukses do te kem te ju per ta kuptuar se ai ankthi i Anit qe ju shqeteson, eshte thelbesor dhe i qellimshem nga ana ime, sepse ne erresire ka sy te perveluar qe shikojne lakuriqesine e saj. Por sado qe te ta shpjegoj une, ti kurre nuk do ta kuptosh se vuajerizmi i kohes, pasoje e represionit seksual, kishte marre permasat e nje patologjie kombetare.
      Gjithsei te pergezoj qe e ke kuptuar qe ngjarja zhvillohet gjate periudhes se diktatures, por ajo qe ti nuk di eshte se diktaura kurre nuk ka qene njedimensioneshe, linerae.Pa shkuar me tej ke qene nje kohe ne fillim te viteve ’70 kur u lirua ndonje vijaske.
      Ngjarjet ne roman flasin per fundin e kesaj periudhe. Kishte persona te huaj, ne kalim, specialiste te industrise, individe te personelit te sherbimit diplomatik, profesore te gjuhes, shofere apo te tjere ne kalim qe hynin ne lokalet shqiptare, qe ishin disi me te mbajtura, sidomos ne ate qe pershkruaj une.
      Por ne kete periudhe te fundit te “liberalizmit”, gjithmone do te gjendej ndonje “qytetar”, qe do t’i jepte fund gjithçkaje, sikunder pershkruhet me siper. (pak sens letrar do te jepte te kuptoje se qellimi eshte te nderhyrja brutale e diktatures dhe jo se shqiptaret na kercenkan me te huajt qe ti tund kercenueshem)
      Ne ngjarjen e mesiperme qe kam integruar ne roman, kam qene vete i pranishem. Fyerjen qe kam provuar per ate qe ndodhi e ndjej edhe sot ne lekure, dhe meqe leresia eshte shume e pershtypjeve personale…
      Gjithsesi, nuk te kundershtoj ne gjithçka, as ne patetizmin tend politik e karakteristik te kompetenteve te periferive dhe friken qe ke se une po rehabilitoj sistemin e shkuar dhe po fyej ata qe ai u ka vrare te dashurit etj., etj. (Zot i madh, Sa lehtesisht transmetohet ne gjak impulsi i dikurshem i eger i akuzes se rrezikeshme politike!).
      Dhe tridhjete e kusur vjet pasi kam botuar romanin e pare, Shtrati i Prokustit (qe u nderua edhe me çmim ne nje konkurs kombetar), te siguroj se do i mbaj parasysh keshillat e tua se si duhen ndertuar fjalite dhe sidomos se nuk duhet te jene shume te gjata.
      Dhe mbetem i hapur edhe per keshilla te tjera.

      1. Përshëndetje Dashnor!

        E konsideroj keqardhëse që komentin tim e keni marrë si sulm personal ndaj jush dhe nuk jeni kursyer në fyerje. Leximi im ishte i vëmendshëm. Unë zgjodha të shpenzoj kohën time për t’ju lexuar e për të lënë një përshtypje të sinqertë mbi gjithçka ky lexim më shkaktoi. Mendoj që një autor do ta vlerësonte këtë e nuk do të ishte aq i vogël sa të priste apo të kërkonte vetëm lavde e rrahje krahësh për një vepër apo për një pjesë të veprës në rastin tonë.

        Afërmendsh, duke mos qenë në brendësi të librit e duke e hulumtuar këtë të fundit vetëm nga pasazhi më lart, i jap vetes lirinë të hamendësoj mbi të bazuar në të gjitha informacionet që më janë ofruar. Mund të qëllojë që hamendësimet e mia të bien poshtë nga një lexim i plotë i veprës ose të konfirmohen. Kjo mbetet për t’u parë por njohja ime me këtë libër erdhi nga sa më lart dhe sa më lart nuk është se më entuziazmoi mjaft.

        Nga ana tjetër, nuk mund të zhvlerësoni një lexim feminist që i bëhet një vepre apo një pjesëze të saj. Unë jam grua përpara se të jem thjesht lexuese apo “kritike letrare” dhe më intereson të kuptoj se si trajtohet imazhi ynë në letërsinë e sotme shqip, aq më tepër teksa jetoj në shoqëri thellësisht patriarkale e të dhunshme ku prej kësaj dhune sistemore nuk ka shpëtuar as letërsia e arti në përgjithësi. Për t’ju sjellë një shembull: Kadare mund të konsiderohet një shkrimtar i madh i cili e ka pasuruar mjaft botën e letrave shqip dhe vetë shqipen madje, por ai mbetet një shkrimtar mizogjin që i diskriminon gratë e për pasojë përjashton shumë syresh nga audienca e tij. Gruaja te Kadare përdhoset e kjo do duhet të përbënte një fyerje e të shkaktonte një reagim prej të gjithë intelektualëve e qytetarëve të angazhuar kulturalisht sepse diskriminimi gjinor nuk është “punë grash” por çështje e të gjithë shoqërisë. Mua do të më interesonte të dija se nga një perspektivë e tillë sociale dhe politike, ku qëndron një vepër. Padyshim që s’do të doja të merresha më me vepra që thjesht legjitimojnë rolin e nënshtruar të gruas apo më keq, e shesin atë si “vlerë”. Haruki Murakami, autor japonez dhe kandidat për Nobel, jo vetëm që është një mjeshtër i fjalëve dhe rrëfimit, por kujdeset që në veprat e tij t’i nxjerrë në pah të këqijat e një sistemi shtypës si patriarkalizmi dhe të mbajë një qëndrim për vetë këtë sistem. Ne jemi qenie politike dhe leximet tona nuk mund të jenë të shkëputura nga ky kontekst. Fundja, ju vetë e keni integruar politiken në veprën më lart (paçka se unë nuk mendoj që ekziston deri më sot ndonjë vepër apolitike), si e mohoni një lexim të këtillë të saj? Nuk më bën fort sens kjo.

        Ndër të tjera, ju jap të drejtë kur thoni që ka patur njëfarë liberalizmi brenda sistemit të hekurt për një periudhë tejet të shkurtër e ndoshta kjo gjë reflektohet qartë në vepër. Nuk di të them më tej. E ripërsëris: nuk jam e njohur me veprën. Megjithatë, nuk e mohoj që konteksti i mësipërm politik më tërhoqi vëmendjen e bëri që të kem një sërë pyetjesh. Ndoshta ju e përcillni në mënyrë të shkëlqyer atë kohë, ndoshta jo. Mbetet për t’u kqyrur.

        Së fundmi, nuk e shoh fare të nevojshme përmendjen e çmimeve që mund të keni fituar apo vitet e krijimtarisë suaj. Duket si një lloj justifikimi apo retushimi që i bëni imazhit tuaj publik nga droja e sëkëlldisja që shkakton kritika e cila s’është as një kritikë mirëfilli por një koment skeptik ndaj një copëze të librit tuaj. Njerëzit do t’ju vlerësojnë punën. Kjo mjafton. S’është e nevojshme që ju të listoni sukseset. Ju mund të jeni një njeri i jashtëzakonshëm, me talente po të tilla dhe i vlerësuar anëembanë por mundet që diku mos t’ia keni qëlluar me diçka dhe persona të ndryshëm të shprehen (ju e nxirrni në publik veprën për të nxitur diskutim e jo thjesht për ta reklamuar atë në heshtje, apo jo?). Pastaj, unë po merrem vetëm me pasazhin më lart, jo me ju.

        Mirëmbetshi!

        1. Per te kuptuar simboliken e akuzes tende politike (se kompetenca letrare mbetet relative per te gjithe, mua te parin) te keshilloj te lexosh nje nga shkrimet e fundit te Ardianit mbi rrezikshmerine e gjysme te diturve. Se shpesh here jemi te prirur te shikojme nje gje te tille te te tjeret…

        2. Padronizimi është sjellja më dëshpëruese në një debat dhe tregon shumë për ata që “shpëtimin” e shohin aty. Ju priftë e mbara!

        3. Gjithsesi ju falenderoj qe diku me siper me vini ne dijeni se jeni grua. Nuk vereja dot asnje shenje tjeter per te kuptuar nje gje te tille dhe prej kohesh i beja pyetje vetes perse levizja feministe ne Shqiperi kishte rene ne dore te burrave.

        4. Ja pra që u desh thjesht një provokim i vogël që autori i librit të binte në grackë me këmbët e veta dhe të më konfirmonte shqetësimin që shpreh më lart. Faleminderit Dashnor! Të jeni i sigurt që ky do të jetë një tjetër libër që do të ketë të gjithë vëmendjen time, me laps e letër në dorë!

        5. Meqenese ekziston rreziku i madh qe ta merrni si personale, edhe une po ju jap te njejten keshille qe me dhate ju. Mos e merrni kete shprehje si personale: Ajo qe kam parasysh eshte nje direktive e paradokohshme e qeverise per emancipimin gjinor qe mund ta gjeni ketu: https://peizazhe.com/2015/09/28/harta-dhe-toka/

  3. Dashi, urime te perzemerta per librin !

    Ky eshte pasazhi i dyte qe lexoj dhe me pelqen shume. E kam porositur librin ne Shqiperi dhe sapo te kem mundesi do ta marr ta lexoj me shume deshire e kuriozitet.

    GH, pa dashur te nderhyj ne debatin tend me autorin, por mendoj se nxitohesh shume dhe gabon me gjykimin tend.

    Per piken e pare eshte e drejta jote te mos te te pelqeje stili i Dashit, por pak me finese verejtjet, nuk behen keshtu keto pune me kaq vrazhdesi.

    Per piken e dyte, ti nuk mund ti kerkosh personazhit te asaj kohe, te gjykoje si sot, ku ceshtjet feministe dhe kultura e pergjithshem ndaj femres jane shume te ndryshme. Libri mesa kuptoj perpiqet qe te trajtoje me aq realitet sa mundet, ngjarje te asaj kohe, ndaj edhe personazhet ketu duhen marre me te mirat e keqijat e veta. Nuk me duket se autori mbaj ndonje qendrim spcifikisht mbrojtes ndaj Lekes aty, ose te pakten jo ne ate pasazh. Duhet lexuar libri. Per me teper qe ti mund te lexosh dhe te fokusohesh ku te duash kur lexon nje liber, e drejta jote, por tema kryesore aty eshte jeta nen totalitarizem, dhe jo ceshtjet feministe.

    Per piken e trete je thjesht gabim, dhe nuk po zgjatem kot. Ke nje perceptim te gabuar mbi ate kohe. Behet fjale per nje periudhe shume te gjate kohore e cila JO GJITHNJE ka qene lineare.

    1. Kam përshtypjen se më keni keqkuptuar: unë nuk po përpiqem të gjykoj personazhet e asaj kohe të shkëputur nga konteksti i kohës së tyre. Mua më intereson të mësoj qëndrimin e autorit ndaj fenomenit në fjalë dhe marrëdhënien që ai vendos me personazhet e tij. Megjithatë, jam dakord me ju kur thoni që duhet lexuar libri. Debati ynë mbetet i cunguar për aq kohë sa sillet rreth një pasazhi të shkurtër të shkëputur nga libri, pasaz, gjithsesi, interesant dhe grishës për debat.

      Nga ana tjetër, më duhet t’ju kundërshtoj kur bëni një ndarje mes “jetës nën totalitarizëm” dhe “feminizmit”. Zotëri, gruaja nuk është subjekt alien që ekziston ndarazi sistemeve socio-politike. Ajo është pjesë integrale e tyre. Jeta nën totalitarizëm nuk i përket vetëm burrave por burrave dhe grave të shoqërisë sonë ku madje të dytat e kanë vuajtur dyfish atë sistem: si gra po aq sa si qytetare nën një regjim terrori. Nëse ju nuk arrini të kuptoni rëndësinë që mbart kjo çështje, nuk e di se sa vlerë ka vazhdimi i këtij shkëmbimi.

      Për sa i përket periudhës specifike historike së cilës autori i referohet, kam përshtypjen që u qartësuam mbi të më lart.

      Së fundmi por jo për nga rëndësia, nuk e kuptoj se ç’doni të thoni që “vërejtjet duhen kryer me finesë”. Nuk më duket se kam ofenduar kënd me kritikën time paçka se e kuptoj që ajo mund të mos tingëllojë e pëlqyeshme për autorin dhe dashamirësit e tij e të veprës. Ama kjo puna e “trazimit të ujërave” pa i trazuar realisht ujërat, tingëllon ca hipokrite. Ndoshta çështje duhet shtruar ndryshe. Ndoshta do duhet të kemi parasysh faktin se jemi të gjithë të rritur e mjaftueshëm të civilizuar për ta kundërshtuar njëri-tjetrin pa degraduar në ofeza, sjellje padronizuese apo hatërmbetje personale.

  4. kam idene se letersia me tematike periudhen socialiste eshte e veshtire te tretet nga brezi i ri. Dikur edhe librat e D. Çulit apo A. Tufes dukeshin te pazakonte ne rrefimin e ketyre skenave. Sot ata tingellojne “soft”. P.sh. ne krahasim me “Norwegian Woods” te Murakamit, apo novelat e Kunderes qe permbajne ca me shume detaje dhe jane te promovuara tej vleres se tyre letrare, per mendimin tim, (shih diskutimin e fundit te A. Vehbiut mbi aftesine e dikujt per te shijuar edhe pa qene profesionist apo i talentuar), por me nje synim te caktuar komercial per femrat, keto te shkrimtareve shqiptare tingellojne si vulgare apo edhe maciste. Kjo, se paraqesin nje realitet jo aq romantik, femeror etj.

    1. Të reduktosh veprat e Murakamit dhe Kunderës në plane komerciale marketingu për një treg po të tillë për “femrat”, do të thotë në rastin më të mirë, të mos ia kesh haberin këtyre autorëve në veçanti dhe letërsisë në tërësi dhe në rastin më të keq, të rrekesh të ruash status quo-në e një sistemi pervers e banal si ky patriarkal.

      Pjesa dërrmuese e autorëve shqiptarë janë mizogjin paçka se ka plot përjashtime nga rregulli. Ky është fakt lehtësisht i vërtetueshëm.

      Nga ana tjetër, nuk e kuptoj mirë se kujt i referoheni kur flisni për një realitet “jo aq romantik” apo “femëror”, megjithëse mund ta marr me mend se ku ju rreh çekani. Ka një fjalë të lezetshme në anglisht për gjykime të kësaj natyre. Ajo është: BULLSHIT.

      1. kujdes goce me vrullin revolucionar! Une kam mendimin tim, dhe kur i kam lexuar une keta autor qe te kane magjepsur ty me cektesinen e tyre, ti i thoje kakes “koko”. I leshoke keto etiketimet si napa te ndyta. Gjithe kohes komenton komentuesit: “njeri nuk ja ka idene”, tjetri eshte “mizogjen” etj. Nuk po shpik boten tende, e gjete gati.

        Pak me respekt per veten, se ndoshta e ke ti gabim, e kur te dale rrudha e pare ne balle, do te ulesh e te mendosh pikerisht per kesi historish te thjeshta ne jeten tende, nje koment i vrazhde e kryenecesi e pamerituar, zbutur ndoshta pas zhgenjimesh te renda me veten, qe pakenaqesia e dikujt e frymezoi te lexonte nje fjali te gjate, perpjekje kjo e deshtuar per te imituar William Faulkner ne Absolom, te cilin liber autori i ketyre rreshtave nuk e ka lexuar, por mburret ta citoje si gjysmake i dijes, per te cilen nuk e njeh ende veten.

  5. Ekstrakti nga romani me pelqeu dhe mu duk shume realist. Ajo rraca e pergjuesve nga liqeni mbase nuk ka qene me e rrezikshmja, po sigurisht me e peshtira. Te kerkosh pastaj qe tregimi per ngjarje te dekadave me pare te perditesohet me mentalitetin post#meetoo me sjell ndermend ate kerkesen per “fillin e kuq” qe duhet te pershkonte te gjithe letersine e kohes kur zhvillohet ngjarja. E cuditshme si perputhen nganjehere gjerat. 🙂

    1. PF, ne veshtrimin tim dhe per aq sa me ze fjala, gjithnje jam perpjekur te ve ne dukje se letersia “normale” nuk eshte ne funksionin e saj kur pershkruan skena seksi per seks. Ka nje letersi te tere erotike me autore te respektuar qe jane mjeshter te rindertimit te skenave erotike (ne nderveprim dhe respekt reciprok te rolit te secilit, qe mund te merret edhe si barazi gjinore, po deshet), se nuk fshihet fare qellimi final i i saj qe eshte eksitimi i lexuesit. Nuk eshte ky qellimi i ketij romani.(A ka gje me anormale te flasesh per seks normal pasi ke thene se ata po kercenin mbi varreza) Shkurt, gjithçka qe ndodh eshte ne funksion te marredhenieve te ndera, mjedisit kercenues e morbid, te tensionit politik shoqeror qe rrezikon kete çift si pasoje e gershetimit te nje sere “fatkeqesish”, qe do te kene si pasoje (pa nxjerre shume sekrete) qe njeri, per te mbijetuar do te behet nje fare toy sex i jerarkise se tij e tjetren tronditja do ta shpjere deri ne shkaterrim te plote psiqik. Skena ne fjale paralajmeron nje drame te tille.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
error: Content is protected !!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: