1X10, SPQR, NJË HISTORI E ROMËS SË LASHTË

Titulli: SPQR, Një Histori e Romës së Lashtë
Autori: Mary Beard
Shqipëroi: Gjergj Erebara
Shtëpia botuese: Shtëpia e Librit
Viti: 2018

Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Gjergj Erebara

 

1.

Roma e lashtë është e rëndësishme. Të injorosh romakët nuk do të thotë thjesht të mbyllësh sytë ndaj një të shkuare të largët. Roma vijon të ndihmojë përkufizimin e mënyrës se si ne e kuptojmë botën dhe se si mendojmë për veten, nga teoria e lartë te komedia më banale. Pas dy mijë vjetësh, ajo vijon të kushtëzojë kulturën perëndimore dhe politikën, çfarë shkruajmë, si e shohim botën, si dhe rolin tonë në këtë botë.

2.

Përgjigjja e ashpër e Ciceros – përfshirë ekzekutimet në masë – përfaqësonin në mënyrë të zymtë çështjet që na shqetësojnë ne edhe sot e kësaj dite. A është e ligjshme të eliminosh ‘terroristët’ jashtë procesit të rregullt ligjor? Deri në çfarë pike duhet të sakrifikohen të drejtat civile në interes të sigurisë së brendshme? Romakët nuk pushuan kurrë së debatuari ‘Komplotin e Katilinës’, siç u njoh ai më vonë. A ishte Katilina tërësisht i keq apo ka diçka që mund të thuhet në mbrojtje të asaj që ai bëri? Me çfarë çmimi u shmang revolucioni? Ngjarjet e vitit 63 p.e.s. dhe shprehjet frazeologjike të krijuara në atë kohë, vijuan të përdoren përgjatë të gjithë historisë së Perëndimit.

3.

Nuk u desh shumë dhe fjalët hapëse të fjalimit që Cicero mbajti më 8 nëntor (Katilinariani i Parë) u bënë një nga citimet më të njohura dhe lehtësisht të dallueshme të botës romake: ‘Quo usque tandem abutere, Catilina, patientia nostra?’ (‘Edhe për sa kohë ti, Katilinë, do të vijosh të abuzosh me durimin tonë?’); dhe këto fjalë u pasuan shpejt disa rreshta më poshtë në tekstin e shkruar me sloganin e ashpër dhe ende shumë të përsëritur: ‘O tempora, o mores’) (Oh në çfarë bote jetojmë!’, ose, fjalë për fjalë, ‘Çfarë kohe, çfarë zakonesh!’). Në fakt, fraza ‘Quo usque tandem …’ duhet të ketë hyrë bindshëm në ndërgjegjen letrare romake në kohën kur Salusti shkroi raportin e tij mbi ‘luftën’, vetëm njëzet vjet më vonë. Kaq shumë qenë trupëzuar ato sa, me qëllim apo me ironi të fortë, Salusti i vendosi në gojën e Katilinës. ‘Quae quo usque tandem patiemini, o fortissimi viri?’ (‘Edhe sa kohë ju, shokët e mi trima, do të vijoni të duroni?’) Kjo është mënyra se si revolucionari i Salustit nxit ndjekësit e tij, duke iu rikujtuar atyre padrejtësitë që po vuanin nga elita. Fjalët janë pastër imagjinare. Shkrimtarët e lashtë vazhdimisht u vinin fjalime në gojë protagonistëve të tyre, pak a shumë siç bëjnë historianët e sotëm, të cilët pëlqejnë të përshkruajnë ndjenja apo motive për personazhet e tyre. Shakaja këtu është që Katilinës, armikut më të madh të Ciceros, i vihet në gojë slogani më i famshëm i kundërshtarit të tij.

4.

Gjithsesi është e qartë se gratë romake në përgjithësi kishin shumë më tepër pavarësi sesa gratë në shumicën e vendeve të Greqisë klasike apo të botës së Lindjes së Afërme, sido që kjo pavarësi ishte e kufizuar në kuptimin modern. Kontrasti është veçanërisht goditës me Athinën klasike, ku gratë e familjeve të pasura supozohej se duhej të bënin një jetë të mënjanuar, jashtë syve të publikut, në përgjithësi të segreguara nga burrat dhe jeta shoqërore e meshkujve (nuk është e nevojshme të themi se të varfrit nuk kishin as paranë dhe as hapësirën për të zbatuar ndasi të tilla). Që të jemi të qartë, kishte kufizime të konsiderueshme për gratë edhe në Romë: për shembull, perandori August i kufizoi ato te radhët e pasme në teatro dhe në arenat e gladiatorëve; mjediset e grave në banjat publike qenë zakonisht ndjeshëm më të populluara sesa ato për burra; dhe në praktikë aktivitetet e meshkujve ka gjasa që dominonin zonat më luksoze të një shtëpie romake. Por gratë nuk qenë gjithsesi të padukshme publikisht dhe jeta familjare nuk duket të ketë qenë e ndarë në hapësira veçmas për burrat dhe veçmas për gratë, me zona të ndaluara për secilin seks.

5.

Rrethimi i gjatë dhe shkatërrimi final i Kartagjenës më 146 p.e.s. ishte i tmerrshëm i edhe nëse krahasohet me standardet e lashtësisë, me mizori të shumta të kryera nga të dyja palët. Humbësit mund të ishin po aq të pamëshirshëm sa edhe fitimtarët. Në një rast, kartagjenasit supozohet se i shfaqën të burgosurit romakë në muret e qytetit, i rropën ata të gjallë dhe i copëtuan para syve të shokëve të tyre poshtë mureve.

6.

Korinthi ishte bërë i pasur nga pozicioni tregtar kyç, me porte në secilën anë të një rripi të ngushtë toke që ndan Peloponezin nga pjesa tjetër e Greqisë. Nën komandën e Lucius Mumius Akaius, siç u njoh ai më vonë nga fitorja mbi këta ‘akeanë’, legjionet romake e bënë vendin copash, grabitën veprat përrallore të artit, skllavëruan popullin dhe i vunë flakën. Kishte aq shumë zjarr sa përzierja e metalit të shkrirë të shkaktuar nga flakët supozohet se gjendet në origjinën e një materiali të çmuar dhe jashtëzakonisht të kushtueshëm, i njohur si bronzi korinthas. Ekspertët e lashtësisë nuk e besonin fare këtë rrëfenjë, por imazhi i nxehtësisë së stërmadhe të shkatërrimit që solli shkrirjen, fillimisht të bronzit të çmuar, pastaj të argjendit e në fund, të arit, deri sa ato avulluan sëbashku, është një shembull i gjallë dhe i fuqishëm në lidhjen mes artit dhe pushtimit në imagjinatën romake.

7.

Një shembull akoma më goditës gjendet në dekorimet e një bari të dizajnuar në shekullin e dytë të e.s. në qytezën port të Ostias. Tema kryesore e pikturave është shprehje standarde e filozofëve të lashtësisë greke dhe guruve, të cilët tradicionalisht janë grumbulluar nën titullin ‘Shtatë Dijetarët’: ata përfshijnë Talesin e Miletusit, mendimtarin e shekullit të gjashtë p.e.s., i cili është i famshëm për pretendimin se uji ishte origjina e universit, si dhe afërsisht bashkëkohësit e tij, Solonin e Athinës, një ligjvënës pothuajse legjendar, dhe Kilonin e Spartës, një intelektual tjetër luminar të hershëm. Disa nga pikturat nuk kanë mbijetuar, por në origjinë supozohet se që të shtatë duhet të kenë qenë aty, të shfaqur të ulur në karrige elegante dhe duke mbajtur dorëshkrime. Por kishte një surprizë. Secili prej tyre shoqërohej jo nga një slogan i përshtatshëm për subjektet e tyre të specializimit si politika, shkenca, ligji apo etika, por një shprehje mbi jashtëqitjen, e cila fliste për një temë të njohur skatologjike (shiko ilustrimin 15). Mbi Talesin, slogani i shkruar ishte ‘Tales këshillon që ata që dhjesin rëndë të merren seriozisht me këtë çështje’; mbi Solonin, ‘Për të dhjerë mirë, Soloni ledhaton barkun’; dhe mbi Kilonin, ‘Finoku Kilon na mësoi se si të pjerdhim pa bërë zhurmë’.

8.

Sundimi i një njeriu shpesh i ngre gratë në plan të parë, jo për shkak se ato kanë domosdoshmërish ndonjë pushtet real por për shkak se, kur një person merr vendimet kyçe të shtetit në mënyrë private, çdokush me akses të afërt te ky person perceptohet si me ndikim gjithashtu. Gruaja që mund t’i pëshpëritë bashkëshortit në vesh, ushtron më shumë pushtet de facto, ose siç aludohet shpesh, më shumë se sa kolegu që vetëm mund të dërgojë kërkesa zyrtare apo memo. Në një rast, Augusti pranoi në një letër për qytetin grek të Samosit se Livia e kishte nxitur atë shumë pas kuintave për këtë. Por ai duket se e ka promovuar aktivisht rolin e saj, si një person kyç për ambiciet e tij dinastike.

9.

Përplasja e vitit 133 p.e.s. zbuloi këndvështrime dramatike të ndryshme të pushtetit të popullit. Kur Tiberiusi i bindi ata të votonin rrëzimin e tribunit kundërshtar, argumenti i tij ishte që ‘nëse tribuni i popullit nuk bën më atë që populli dëshiron, atëherë ai duhet të rrëzohet’. Kjo ngriti një çështje ende të njohur në sistemet moderne elektorale. A janë, për shembull, deputetët delegatë të votuesve, të detyruar për të ndjekur vullnetin e elektorateve të tyre? Apo janë përfaqësues të tyre, të zgjedhur për të ushtruar gjykimin e tyre në rrethanat e ndryshueshme të qeverisjes? Kjo ishte hera e parë, për aq sa ne dimë, që kjo pyetje u ngrit haptazi në Romë dhe përgjigjja e saj ishte më e lehtë në atë kohë nga sa është sot.

10.

Në një nga talljet më të cituara romake, satiristi Juvenal, duke shkruar në fund të shekullit të parë të e.s., ktheu kritikën e tij përbuzëse nga ‘turma e Remusit’, e cila, pretendoi ai, dëshironte vetëm dy gjëra: ‘bukë dhe cirk’ (panem et circenses). Siç tregon edhe vlera e kësaj fjale, ajo ishte një kritikë e shkëlqyer për horizontin e kufizuar të turmave urbane, të prezantuara këtu sikur ishin pasardhësit e binjakut të vrarë: ata nuk shqetësoheshin për asgjë veç garave me karroca dhe ushqimit falas, me të cilat perandorët i kishin korruptuar dhe efektivisht i kishin depolitizuar ata. Ky ishte gjithashtu një keqprezantim cinik i traditës romake të shpërndarjes së ushqimit bazë falas për njerëzit me shpenzim të shtetit, praktikë që e kishte origjinën nga vëllai më i vogël i Tiberiusit, Gaius Sempronius Grakus, një tribun i popullit për dy vite radhazi, 123 dhe 122 p.e.s.

 

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin