HAGJIOGRAFIA POST-KOMUNISTE

nga Arjan Shahini

Andrea: “Mjerë ai vend që nuk ka heronj”

Galileo: “Jo, mjerë ai vend që ka nevojë për heronj.”

Andrea: “Me popullin në rrugë thamë: Ai do të vdesë, por nuk do ta tërheqë mrapsht. –  Ju na u kthyet: Unë e tërhoqa, por do të jetoj. – Duart tuaja janë të njollosura. Ju thoni: Më mirë të njollosura, se të zbrazta.”

Galileo: “Më mirë të njollosura, se të zbrazta. Tingëllon realiste. Tingëllon si unë. Shkencë e re, etikë e re.”

(B. Brecht, 1998, Leben des Galilei, Suhrkamp Verlag)

Jemi mësuar të lexojmë çudira dhe dokumente historike të hedhura pa kurrfarë përgjegjësie apo përpunimi në faqet e të përditshmeve si Panorama, Gazeta Dita, Gazeta 55 dhe të tjera që kopjojnë prej tyre apo nga njëri-tjetra. Por, ndërsa janë shtuar kritikat (shih këtu p.sh. S. Çungën, 2019) dhe përpjekjet për trajtime shkencore të ngjarjeve dhe figurave historike, këto përpjekje nuk janë të bashkërenditura. Jo vetëm që ato shpeshherë dublohen, por bartin edhe misione politike për venerimin e figurave të caktuara, pa u shqyrtuar në mënyrë kritike.

Janë 8 faqe interneti që bazohen në nisma të veçanta për trajtimin e së kaluarës komuniste. Nga këto, 3 administrohen nga organizatat joqeveritare, një është partneritet publik-privat, dhe 4 janë të qeverisë.  Dy organizata janë afër së djathtës në Shqipëri (Fondacioni Kujto, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë). Një  është e pavarur (F. Lubonja, Përpjekja), një është partneritet publik-privat (Bunkart.al) dhe të tjerat janë të qeverisë, administruar kryesisht nga Autoriteti i Dosjes. Për të kuptuar sesa të izoluara janë nga njëra-tjetra, shihen lidhjet e jashtme të faqes së internetit. Sa i referohen nismave simotra apo artikujve të ngjashëm? Aspak. P.sh. Kujto.al që ka rreth 290 artikuj, ka vetëm 17 lidhje të jashtme dhe kryesisht i referohen rrjeteve sociale. Edhe faqet e internetit që administrohen nga i njëjti autoritet, Autoriteti i Dosjeve me tre prezantime në rrjet, nuk kanë lidhje të jashtme me njëra-tjetrën (veç vetëm një lidhje me “Edhe muret kanë veshë”).

Edhe nga vëzhgimi i rrjetit, në dukje regjimi i kujtesës është i fragmentuar.

Por, nëse do të ndërtonim një hartë të formave apo strategjive politike të trajtimit të ngjarjeve dhe figurave historike gjatë regjimit komunist, thënë ndryshe: regjimin e kujtesës në Shqipëri, besoj se këtu po shkojmë drejt një regjimi kujtese të unifikuar. Kjo së paku duket të jetë politika e qeverisë dhe e projektit të fundit të mbështetur nga një fond i Federatës Zvicerane, programi Perform[1] (Performing and Responsive Social Sciences, 2018-19). Projekti mbështeti studimin e disa profileve studiuesish shqiptarë, një pjesë e të cilëve ishin survejuar nga Sigurimi i Shtetit,  ishin persekutuar nga regjimi komunist apo thjesht duheshin rehabilituar në një farë mënyre.

Rezultatet e projektit u prezantuan në datën 7 Mars 2019, në Akademinë e Shkencave. Profilet ishin: S. Kasimati, E. Çabej, A. Pipa, A. Buda, Gj. Gjadri, Gj. Kokoshi dhe P. Pepo. Në prezantim u fol se ishte zbatuar një metodologji për përzgjedhjen e tyre, por nuk u sqarua se çfarë ishte – ose më ka shpëtuar mua kur u shpërqëndrova nga vazhda e pambarimtë e falenderimeve dhe fjalimeve pa lidhje. Forma e prezantimit të punimeve ishte njoftuar edhe si çelja e platformës ndërvepruese.

Fokusi ishte jo i qartë: tematika ishte njoftuar si “Mbi rolin e shkencës në zhvillimin e shoqërisë gjatë viteve të para të vendosjes së regjimit komunist (1945-1954)”, ndërsa u shpërnda përmbledhja e punimeve me titull “Kur Sigurimi merrej me Shkencë”. Punimet u prezantuan vetëm pas 2 orësh falënderimesh të ndërsjellta të financuesve dhe të Autoritetit të Dosjeve. Shumë shkurt, përciptaz, pa diskutime dhe përfundonin sërish me falënderime të tepërta. Ishte e njëjta formë e nxituar paraqitjesh sikur edhe në Tetor 2018, kur brenda një ditë (“Ditët e Kujtesës”) organizoheshin disa konferenca në ditë nga organizata të ndryshme. Për fat që u shpërnda një përmbledhje e punimeve, pasi faqja e internetit që ishte reklamuar për këtë projekt nuk ishte ende tërësisht funksionale (www.dosjet.gov.al).

Bernhard dhe Kubik (2016[2]), të cilët kanë zhvilluar një teori politike të regjimeve të kujtesës, mendojnë se prej tre tipeve (strategjive) të regjimeve të kujtesës (fragmentuar, unifikuar dhe tolerante) që ata identifikojnë, në vendet post-komuniste kemi dy lloj regjimesh: të fragmentuara, ose të unifikuara. (Në studimin  e tyre mbi revolucionet e viteve 1989-90, janë 17 vende, por rasti i Shqipërisë u ka shpëtuar). Këto regjime veprojnë nën ndikimin e kushtëzimeve strukturorë, kulturorë dhe strategjive kulturore të vendeve përkatëse. Për të kategorizuar vendet sipas tre tipeve të regjimeve të kujtesës ata dallojnë ndërmjet aktorëve të kujtesës (mnemonic actors), të cilët janë: (1) luftëtarët, që nuk tolerojnë narrativa të tjera; (2) pluralistët, që lejojnë këndvështrime të tjera; (3) të dorëhequrit, që nuk merren fare me politikat e kujtesës; (4) dhe të ardhshmit (prospectives). Aktorët e kujtesës e trajtojnë historinë në mënyrë instrumentale, pasi ndërtojnë një vizion të së kaluarës që përligj përpjekjet e tyre për të qëndruar apo marrë pushtetin. Prej këtej, regjimet e kujtesës janë: (1) të copëzuara (fragmented), që kanë së paku një aktor luftarak (warrior); (2) regjime të kujtesës që lejojnë bashkëjetesën e regjimeve të ndryshme dhe nuk kanë luftëtarë në radhët e tyre; dhe (3) regjime të unifikuara kujtese, që përbëhen nga të dorëhequrit, e nuk kanë ndër vedi luftëtarë apo pluralist. Autorët shkojnë më tej dhe shohin ndikimin e regjimeve të kujtesës mbi sistemin politik dhe cilësinë e demokracisë: sa më i fragmentuar regjimi i kujtesës, aq më i polarizuar është vendi politikisht.

Si një aktor i rëndësishëm kujtese, përpjekjet e Autoritetit të Dosjeve për tu angazhuar në historiografinë e së kaluarës komuniste (Bernhard & Kubik 2014, “mnemonic field“) janë për tu vlerësuar. Sidomos nëse ai merr rolin e prospectives, një lloj misionarësh të së ardhmes, për të cilët e ardhmja (telelogjike) është e qartë. Besoj se projekti i fundit, paçka trajtimit thuajse hagjiografik dhe të njëtrajtshëm, qoftë i atyre të përsekutuar nga regjimi, e qoftë i bashkëpunëtorëve të tij, është një përpjekje për të unifikuar disi këtë fragmentizëm. Autoriteti gjithashtu i bën vend vetes në rrjetin e aktorëve të kujtesës. Ndërkohë që përligj edhe njëherë pushtetin e personelit akademik në Universitetin e Tiranës apo Akademisë së Shkencës (sipas Bernahard & Kurbrik, 2014, “mnemonic entrepreneurs“), që gjejnë rastin të riprodhojnë shëmbëlltyra të vetes tek të rinjtë.

Në kuadrin e “pajtimit” të gjitha figurat historike cilësohen heronj e të përvuajtur dhe kështu i largohemi skemave të ndikuara nga politikat aktuale e vështrohet drejt së ardhmes. Por këtu nuk është vetëm problemi i përplasjes së narrativave, për shkak të misioneve të ndryshme të organizatave dhe ndjeshmërisë së personave që merren me këtë të kaluar, apo edhe familjarëve të tyre. Përmendur këtu jo vetëm qëndrimet politike, por edhe interesat e konkurrenca e ashpër (mbijetesë) për fonde nga organizatat ndërkombëtare.

Problem më i madh se fragmentarizimi i regjimit të kujtesës, është mungesa e trajtimit shkencor. Trajtimet që lexova, nëse publikohen sikur u paraqitën në prezantim dhe në libërthin shoqërues, nuk janë aspak shkencore, dhe as gazetareske. Nuk janë shkencore se u mungon një trajtim kritik i burimeve, perspektivë teorike dhe kontekstuale, duke përfshirë edhe pikëvështrimet përkatëse të regjimit e institucioneve të tij. P.sh. mungon perspektiva e Sigurimit të Shtetit, një njësi që vlerësonte riskun e mbijetesës së partisë-shtet, pa e cilësuar atë medoemos si institucion terrori apo thjesht “armë” të Partisë. Fundja tema ishte mbi Sigurimin e Shtetit dhe jo thjesht krijimi i një narrative të re për figura të caktuara historike, një pjesë e të cilëve kanë qenë gjithsesi të vlerësuar.

Nuk janë as gazetareske, se gazetarët u qëndrojnë fakteve dhe nuk thurrin lavde apo të përdorin epitete letrare që nuk janë në funksion të paraqitjes së ngjarjes, rëndësisë së saj etj. ; ca më keq të fokusohen në karakteristika apo tipare të personalitetit që nuk shpjegojnë ndonjë sjellje të caktuar, apo pasojat prej tyre, por thjesht mbushin faqe me patetizma.

Patjetër që këto personalitete përdoren për ndonjë qëllim. Ky është pak a shumë i njëjti diskutim që është cekur disa herë në “Peizazhe Të Fjalës” në lidhje me historiografinë e Skënderbeut. P.sh. A. Vehbiu e cilëson “rëndësinë që ka Skënderbeu sot në kulturën kombëtare shqiptare” jo “aq produkt [të] historisë së Skënderbeut vetë, sesa produkt [të] përdorimit që i është bërë kësaj historie nga ideologët.” Ndërsa N. Bardhoshi (2018) në një diskutim refuzon trajtime të tilla të historisë, që udhëhiqen nga politika apo ideale të paracaktuara, dhe propozon “të shkojmë drejt një historigrafie shqyrtuese që i bën njerëzit të mendojnë në mënyrë kritike.”

A është hagjiografia mënyra më e mirë për të rrëfyer jetët dhe marrëdhëniet e shkencëtarëve me regjimin dhe institucionet e tij të dhunës?

Më poshtë janë shkëputur disa pjesë për të ilustruar sesi ishte konceptuar libërthi i përmbledhjeve, dhe unë uroj që studimet, mbi të cilat bazohet teksti i mëposhtëm, të mos jenë shkruar në këtë frymë.

Mbi Sabiha Kasimatin: “Ende adoleshente, e rritur ne Adrianopojë (Turqi) ku kishte lindur në kohën që Shqipëria shpallte pavarësine prej Perandorisë Osmane, asgjë prej saj nuk të fliste për një vajzë të Orientit. … Po ndërtonte një kështjellë në shkretëtirë. Dhe e dinte. Atëkohë ishte veçse 31 vjeçe, e re, e bukur, e zgjuar, elegante, e veshur me sqimë, e shkolluar, e formuar, ishte e bija e një mjeku … Sabihaja e kritikonte regjimin më 1950 me të njëjtën gjuhë që mund ta bëjë dikush sot në liri … Vajza e re që erdhi e strukur në krahët e të atit, nuk u la të thinjej. Mbeti përjetësisht e re me pengjet e atyre që nuk e lanë t’i bënte.” (fq. 10-18, bazuar mbi studimin e L. Dushku & D. Pasha).

Mbi Eqrem Çabej: “arsyeja pse ai mbeti gjallë, qe dija e tij, e në këtë vazhdë megjithë rrekjet e herëpashershme, regjimi nuk ia doli t’i gjente jo vetëm pasardhës, po as zëvendësues. Atë që e rrezikoi dija e tij, e mbrojti po dija e tij. Ndaj kjo, është historia e një burri – një prej më të zgjuarve që ka pasur vendi ynë; është historia e një burri që barti mbi vete dhembjen e madhe të humbjes së miqve, dhembjen e lirisë së kontrolluar e të rrezikuar; mbase edhe frikën se dija vret, se mendimi vret, se aftësia vret, se kultura e formimi vret; është historia e një burri me të cilin do të duhej të krenoheshim pa drojë, që kur ai ishte gjallë dhe frymonte, pa pritur që vitet të kalonin e të gërmonim për të gjetur historinë e tij; ne do të duhet të na e kishte rrëfyer ai historinë e tij dhe historia e tij, nuk do të duhej të ishte kjo që po tregojmë.” (fq. 18, bazuar mbi studimin e L. Dushku).

Mbi Gjovalin Gjadrin: “Por kur Shqipëria pushtohet, jeta e çiftit të ri, ndryshon përgjithnjë. Zejnepit (bashkëshortja) i shfaqet tuberkulozi. … Nën urat e tij lumenjtë kalojnë vrullshëm, por ato janë ende në këmbë dhe ndodh që dikush pëshpërit: “Këtë e ka ndërtuar inxhinier Xhadri” (fq. 26-31, bazuar mbi studimin e A. Nikolla dhe J. Doda).

Mbi Aleks Budën: “Historia e atij potreti në dukje të paqtë [“me një buzëqeshje të ndrojtur… shikim pyetës dhe depërtues [dhe] i palexueshëm”], nis në vitin 1910, kur ai lind në një familje intelektuale. … Prof. Kristo Frashëri theksonte se Prof. Buda zgjodhi rrugën e mesme që i diktoi nevoja që kishte vendi për punë kulturore dhe edukata rilindase që kishte marrë në familje. Qëndroi larg temave ideologjike dhe iu kushtua historisë së kaluar të largët. … Ndonëse në heshtje, gjurmët e lëna tregojnë se nuk pajtohej me luftën e klasave, me mungesën e lirive, me persekutimet politike dh eme kufizimet drastike të kontakteve njerëzore, shkencore e kulturore me botën e jashtme.” (fq. 38-44, bazuar mbi studimin e A. Pinari).

Mbi Petraq Pepon: “Historiani që ruante frymën e shkollës së Parisit duhej ta shkruante historinë sipas shkollës marksiste të mendimit historik, me të cilën nuk ishte familjar. … Në Arkivin Qendror të Shtetit janë gjetur disa letërkëmbime të tij me Enver Hoxhën, ku i kërkonte ta ndihmonte për t’iu akorduar çmimi i Republikës (1974) apo të merrte titullin Profesor (1972). … Vetë këto letra dhe përgjigjet e tyre janë dëshmi e kontrollit të fortë shtetëror mbi shkencën. Me rastin e 70 vjetorit të lindjes, Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi Urdhërin e Naim Frashëri të Klasit të I-rë.” (fq. 58-63, bazuar mbi studimin S. Boçi & K. Kolçe).

(c) 2019, autori. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

 


[1] Bernhard, M. H., & Kubik, J. (Eds.). (2014). Twenty years after communism: the politics of memory and commemoration. Oxford University Press.

[2] Perform. (2019) Kur Sigurimi merrej me shkencë. Profile të: S. Kasimati, E. Çabej, A. Pipa, A. Buda, Gj. Gjadri, Gj. Kokoshi, P. Pepo. Shtëpia Botuese? Vendi?

2 Komente

  1. Perpjekjet per t’u marre me te shkuaren jane gjithmone per t’u vleresuar, sidomos ne Shqiperi, ku politikat zyrtare shteterore kane munguar ne procesin e drejtesise tranzicionale. Por ndodh qe edhe kur nisemi nga nje vullnet i mire per te sqaruar nje çeshtje, ne vend qe te vendosim vetullat, mund te nxjerrim syte. Kam frike se kjo ka ndodhur edhe me shtjellimin ne artikullin qe Peizazhe të Fjalës ka shperndare. Nuk do te kisha komentuar fare, nese nuk do te kisha respekt per faqen qe menaxhohet nga kolegu i nderuar Ardian Vehbiu. Por mendoj se per ata persona qe nuk jane ne brendesi te “fushes se kujteses” ne Shqiperi, eshte me vend te rreshtoj disa pika qe bien ne sy kur e lexon kete shkrim, sidomos nga perspektiva e nje nder “aktoreve” te kujteses qe citohen aty.
    1) Nuk ka nje metodologji se cfare po analizon autori; cilat jane institucionet dhe kontributet perkatese te tyre; cilat jane nenproduktet e tyre (website-t, publikimet), per te kaluar pastaj te pyetja se cilet jane aktoret dhe axhendat e tyre dhe nen cilat ndikime veprojne ata ne kete fushe (qe saktesohen nder te tjera edhe te vepra e cituar nga autori e Bernhard & Kubik).
    2) Ne baze te kujt kriteri seleksionohen institucionet qe trajtojne kujtesen ndaj komunizmit ne te majta, te djathta, te varura e te pavarura, te qeverise, te opozites etj? Mua personalisht qe punoj modestisht ne kete fushe prej vitesh do te me interesonte nje analize e thelluar nga dikush jashte fushes, e bazuar ne argumente. Per fat te keq autori nuk na thote asgje per kriteret e perdorura, por na shpalos thjesht nje perceptim personal. Do te isha teresisht dakord me kete qasje, nese autori nuk do te kritikonte (me te drejte) aktore te tjere, si mediat p.sh. per mungese pergjegjesie ne lidhje me publikimet qe bejne cdo dite mbi dokumentet arkivore mbi komunizmin.
    3) Qe autori nuk ka informacione te qenesishme per fushen ku veprojne aktoret shqiptare te kujteses duket te harresa, mosnjohja, ose shkurt, mosperfshirja ne shkrim e institucineve te rendesishme si Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK(ISKK- http://www.iskk.gov.al) që kanë mbi 100 botime (autobiografi, studime shkencore, ekspertiza etj) ne kete fushe.
    4) Ka informacione jo te verifikuara sakte, siç duket te ngaterrimi qe behet mes IDMC-Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (www.idmc.al) me Observatori i Kujtesësi (www.observatorikujteses.al) dhe mbi te gjitha i personave pergjegjes per observatorin (ku Agron Tufa ne fakt eshte drejtor ekzekutiv i ISKK dhe Godole eshte drejtore e IDMC, dhe jo e Observatorit, i cili operon si platforme e IDMC dhe menaxhohet nga nje staf i caktuar). Per IDMC, nje institucion i pavarur i themeluar me 2014 dhe me nje historik te gjere tashme ne aktivitetet e saj shumeplaneshe, ne sherbim te ballafaqimit me te shkuaren per brezi e ri dhe shoqerine shqiptare, autori mund t konsultoje faqen zyrtare.
    5) Autori flet per “mungese te trajtimit shkencor” dhe “punë përciptazi” të aktoreve te kujteses – duke qene se IDMC eshte një nder keta aktore qe citohen, dua t’i rekomandoj te analizoje botimin e konferences nderkombetare “Between Apathy and Nostalgia” (me te njejtin titull botim dy-gjuhesh) me pjesemarrjen e zerave me serioze ne fushen e studimeve mbi komunizmin, apo te konsultoje botime te tjera tonat si “(Mos)Rehabilitimi i ish-te perndjekurve”, “Komunizmi permes dokumenteve arkivore”, Vellimi 1 dhe 2; “Manuali mbi historine gojore” etj. Nuk kam informacione se kush eshte kontributi i tij shkencor ne fushen studimore ku kerkon te beje ekspertizen, por qasja ka ndaj problemit, mangesite metodologjike dhe nje trajtim aspak kritik i burimeve, me bejne skeptike.
    6) Gjithashtu informacione te pasakta jepen edhe per “Ditet e Kujteses”/Memory Days qe organizohen nga IDMC prej vitit 2016, aktivitet qe zgjat 7-10 dite ku akore te ndryshem prezantojne punet e tyre, në takime ndergjegjesuese, simpoziume, konferenca shkencore nderkombetare, prezantime botimesh, konkurse per te rinj etj, per me teper shikoni faqen zyrtare te IDMC.
    Mbase autori ka dashur te analizoje punen e Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991 dhe botimet e tij, dhe ne kete koment nuk marr persiper te gjykoj nese ka apo jo te drejte ne kritikat qe ben. Por une nuk kuptoj pse futet IDMC ne kete vorbull, apo autori i bie per shkurt, “te gjithe njesoj jane”? Kjo nuk eshte serioze dhe nuk ndihmon askend – as kauzen e tij per te rregulluar kete “fragmentarizim te regjimit te kujteses” qe me te drejte mbizoteron ne Shqiperi ne vitet e fundit. Me shume se “fragmentarizimi” qe eshte nje fenomen i njohur ne vendet ish-komuniste, mua me shqeteson stigmatizimi pa kriter dhe dashakeq ndaj kujtdo qe PUNON.

    1. Autori ne fillim vizaton nje panorame te aktorve te kujteses, pa kritikuar kend. Me pas merret me nismen e fundit te Autoritetit te Dosjeve, duke kritikuar qasjen per hartimin e narrativave ne studim.

      Kritika ndaj autorit qendron ne:

      1. Qe panorama e paraqitur nuk eshte e plote. Ka harruar pa permendur ISKK.
      2. Qe nuk ka shpjeguar rrjetin ne grafik, lidhjen ndermjet IDMC, Konrad Adenauer Stiftung, CDU dhe PD. Me pas lidhjen ndermjet PD dhe deputetit te PD A. Shehaj dhe fondacionit qe financon Kujto.al. Si edhe lidhjen ndermjet IDMC dhe Observatorit (ky eshte nje projekt i IDMC, e te tjerat jane detaje qe nuk i duhen publikut.)
      3. Qe nuk e ka ndare vizualisht pjesen ku paraqitet panorama, nga pjesa ku kritikohet nisma e fundit.

      Sidoqofte, nese kjo ceshtje do te trajtohej me thelle, ku fokusi te mos jete kritika ndaj qasjeve hagjiografike, por vete fusha dhe regjimet e kujteses ne Shqiperi, kritikat dhe referencat perbejne material shume te vlefshem.

Lini një Përgjigje te Arjan ShahiniAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin