DIASPORA E PËRDORUR

I zhurmshëm ka qenë marketingu mediatik, këto ditë, i të ashtuquajturit “samit” të diasporës, që po mbahet në Tiranë.

Duke u njohur me programin e këtij eventi, ne të revistës “Peizazhe të fjalës” kemi krijuar, megjithatë, bindjen se, me gjithë makijazhin propagandistik, “samiti” po përvijohet tashmë si panair i simpatisë, i organizuar nga një elitë politike e mbetur pa ide dhe ndoshta e dëshpëruar.

Sikurse të gjitha kategorive të lexuesve tanë, edhe kësaj elite ne, si revistë dhe institucion kulturor, i kemi ofruar falas prej vitesh kritikë konstruktive dhe serioze, si alternativë ndaj karnavalit të përditshëm të përplasjeve, debateve dhe argalisjeve në Parlament, në televizion dhe në rrjetet sociale dhe që tashmë nuk bëjnë as për të qeshur.

Jemi përpjekur që, si zë i pavarur nga jashtë Shqipërisë, të japim një kontribut sistematik në ecurinë e jetës sociale dhe kulturore në Shqipëri dhe në Kosovë, gjithashtu duke tërhequr në revistë me dhjetëra e dhjetëra bashkëpunëtorë nga të gjitha anët e botës, pa çka se kurrë nuk kemi pasur mbështetje financiare institucionale. Na mban gjallë dëshira për ta thënë fjalën tonë në logun publik, mbështetja dhe simpatia e lexuesve dhe dhuratat sporadike, por gjithnjë tejet të vyera, të individëve dashamirës të revistës, të cilët – le ta themi sërish dhe fort – janë të gjithë nga diaspora.

Duam ta përfytyrojmë atë çfarë bëjmë si shembull të gjallë të kontributit që mund të japin shqiptarët e diasporës për shqiptarinë anembanë botës, si individë por edhe të organizuar në institucione të pavarura. Shpresojmë që edhe shumë prej jush që na lexoni, e shihni përpjekjen tonë kështu.

E kuptojmë, nga ana tjetër, pse regjimi i sotëm në Tiranë, tashmë i përfshirë në një krizë të gjithanshme, të cilën e ka shkaktuar në masë të madhe vetë, por edhe i përballur me pakënaqësi të përgjithshme nga shoqëria civile dhe qytetarët, kujton se nuk ka nevojë për praninë tonë dhe as për fjalën tonë.

Dhe pse, përkundrazi, kujton se ka nevojë për një dorë tjetër suvaje, në fasadën laramane dhe tashmë të rrjepur që po ia mirëmban vetes dhe po ia tregon botës prej vitesh si kopertinë broshure turistike të zbërdhulur; një dorë suvaje që shpreson se do t’ia japin këtë herë pjesëmarrësit në të ashtuquajturin “samit”.

Flamujt kuqezi, qeleshet, tupanët, Kuvendi i Lezhës dhe turizmi patriotik nuk janë gjë tjetër, veçse xhingla shumëngjyrëshe, që mjeshtrit e public relations në Tiranë po u blatojnë vizitorëve të radhës, me shpenzimet e taksapaguesve të urtë.

Edhe vetë motoja e këtij panairi kaotik, “E gjithë vëmendja për diasporën”, nuk dëgjohet veçse si version i sloganit të Partisë Socialiste: “E gjithë vëmendja për ju”; të thuash se bëhet fjalë për aktivin e një dege të kësaj partie.

Ky slogan shpejt e shpejt i ricikluar duhet lexuar veç si kërkesa in extremis për vëmendje, nga ana e parisë së tanishme në Tiranë, drejtuar një publiku që tashmë nuk mjaftohet me bojëra dhe fasada.

Pavarësisht nga dëshirat e tyre të mira dhe ndjenjat patriotike që nuk ua vë kush në dyshim, pjesëmarrësit e tanishëm në “samit” janë duke kontribuuar, para së gjithash, në normalizimin e krizës politike dhe kushtetuese që ka pushtuar shtetin shqiptar.

Ne si “Peizazhe të fjalës” prej vitesh e kemi kuptuar dhe shpjeguar se paria që ka sot pushtetin në Tiranë, me gjithë pozat kulturore dhe kitsch-in e përgjithshëm, e ka bërë zakon të rreket të rekrutojë kulturën në shërbim të interesave të veta politike imediate. Publikun e kulturës kërkon ta bëjë publik të vetin dhe pastaj serbator votash të ardhshme.

Efekt anësor i neveritshëm i këtij politizimi ka qenë dhe mbetet degradimi i kulturës në spektakël sheshi dhe i eksperiencës kulturore në dëfrim masiv.

Protestat heroike në mbrojtje të Teatrit, protestat masive të studentëve, protestat e tjera qytetare dhe tani së fundi djegia e mandateve nga deputetët e Opozitës kanë krijuar në Tiranë dhe në Shqipëri një klimë të rënduar. Ajo çfarë po ndodh me gjyqësorin dhe Gjykatën Kushtetuese janë shenja të qarta të një krize kushtetuese. Edhe Presidenti i Republikës, që duhej të merrte iniciativën në zgjidhjen e krizës, po mjaftohet të ujitë kopshtin e vet. Shtetit i ka humbur partitura dhe po luan si një orkestër që veç akordon veglat.

Qytetarët, nga ana e tyre, nuk kanë siguri për vete dhe fëmijët, nuk kanë shpresë, nuk kanë shërbime publike elementare, si ato të arsimit dhe të shëndetësisë. Një pjesë e madhe e tyre thjesht duan të ikin nga Shqipëria, për ta ndërtuar të ardhmen gjetiu, refugjatë të luftërave primitive mes oligarkëve në Shqipëri, për të grumbulluar miliona në llogaritë e tyre, duke ia marrë njëri-tjetrit dhe, veçanërisht, qytetarëve.

Deri edhe mediat e regjimit nuk ngurrojnë t’i bëjnë reklamë verbuese lotarisë së përvitshme amerikane!

Mbase te panairi i tanishëm, në Tiranë, duheshin ftuar edhe përfaqësues nga të gjithë ata shqiptarë që – me dhjetëra mijëra – janë dyndur në qendrat e azilantëve anembanë Europës, në pritje që t’ua certifikojnë vullnetin për t’u larguar nga atdheu.

Në këto rrethana, organizimi i “samitit” të diasporës nuk mund të interpretohet veçse si shenjë e një shurdhërie terminale, nga ana e një regjimi që vazhdon t’u ofrojë zgjidhje paljative të vjetra e të konsumuara krizave të reja dhe sfidave të reja në vend dhe në Europë.

Shqiptarët që jetojnë larg Shqipërisë, gjatë këtyre 30 vjetëve, nuk janë sjellë gjë ndryshe nga sivëllezërit e tyre në histori – duke u përpjekur të bëjnë atë çfarë bashkatdhetarët e tyre në Shqipëri nuk e kanë bërë dot.

Në lëmin kulturor, revista jonë “Peizazhe të fjalës” ka kërkuar të japë një kontribut unik, në dialog me faktorët e tjerë kulturorë dhe intelektualë në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetiu mes shqiptarëve në botë.

Pjesë e këtij kontributi është edhe denoncimi ynë i tanishëm i “samitit” të diasporës, si një spektakël pa shije i marketing-ut të regjimit në Tiranë, me pjesëmarrjen dhe angazhimin e bashkatdhetarëve tanë herë naivë, herë përfitues dhe herë të papërgjegjshëm.

Ky denoncim do lexuar edhe në vijim të kritikave të ashpra që patëm shprehur për “samitin” e parë të diasporës: vetëm se këtë herë pjesëmarrësve, që janë gjithashtu objekt i kritikës sonë, u mungon alibia e padijes.

Ne mendojmë se, në botën e sotme, e vetmja shprehje dhe provë e vëmendjes për atdheun është vendosmëria për të dhënë një kontribut në çështjen publike – prandaj edhe çdo diskurs kinse patriotik dhe nacionalist, që po shoqëron spektaklin e “samitit”, nuk provon veçse vendosmërinë e regjimit për ta vënë edhe atdhetarizmin spontan të shqiptarëve në shërbim të mbijetesës së vet.

Ajo çfarë bëjmë përditë te “Peizazhet” është përkushtimi ynë dhe atdhetarizmi ynë. Këtë e njohin edhe ata mijëra lexues që vijnë te ne çdo ditë, dhe ata miliona që janë akumuluar në këto 13 vjet. Që regjimi në Tiranë ka zgjedhur të na kthejë kurrizin si edhe herë të tjera, pse nuk i gëlltit dot qëndrimet tona të kthjellëta dhe të pavarura, na konfirmon se jemi në rrugë të drejtë.

31 Komente

      1. Kazan tashme eshte cdo media, gazetar e individ. Ka marre edhe grupin e kontrollit te fejsbukut, se pashe ne fejsbuk qe kishin bllokuar nja dy shperndarje te hershme, ku shahej qeveria. Besoj se tashme kazan dhe kunder Rames jane e njejta e gje per KM-ne.

  1. Pse “regjimi”?
    Ku e bazoni kete pershkallezim te termave?
    Njerez te arsyeshem mund te mos e aprovojne punen e qeverise aktuale, por “regjim”?
    Si e tepert me duket, por mbase ju dini dicka qe une nuk e di… akoma.

    1. Do t’ju përgjigjesha me dëshirë, por nuk mund ta bëj te kjo temë. Sepse do të hapja një diskutim krejt tjetër. Prandaj po e ruaj të drejtën t’i rikthehem, si diskutim, në një moment të përshtatshëm.

      Deri atëherë, le të biem dakord se e kam përdorur termin me kuptimin e parë fare, që e gjen te ky përkufizim relativisht i hollësishëm i enciklopedisë Treccani:

    2. VT:
      Ne baze te ekzistences se nje institucioni eshte ekzistenca e nje regjimi. “Regjim” i perdorur ketu jo si “regjim i urryer”. Sido qe ka filozofi qe konsiderojne negative vete dukurine e “institucionit”

  2. Une nuk e mendoj keshtu dhe po reagoj vetem per faktin qe me bezdisin kritikat e pafundme per cdo gje qe prodhon ky vend. Nuk kam asnje lidhje me qeverite dhe nuk kam punuar asnje dite ne shtet (per te sqaruar pozicionin tim) nderkohe qe shkollimi im ka lidhje me emigracionin dhe diasporen. Dje mora pjese ne aktivitetin kryesor te Samitit dhe ndoqa panelin per perfshirjen e Diaspores ne zhvillimin e qendrueshem te Shqiperise. Pjesemarrja dhe komentet e te interesuarve (nuk po flas per prezantuesit) ishin dinjtoze dhe teresisht te perkushtuara ndaj subjektit, u ndane ide dhe shkembuj konkrete suksesi dhe deshtimi qe sigurisht shoqeroheshin me nje doze malli dhe nostalgjie per vendlindjen, u denoncua dhe u pranua nga te gjithe nivel i larte i korrupsionit me te cilin jane perballur shpesh, u prezantuan menyra lehtesimi per dergimin e remitancave, aktet ligjore qe mbeshtesin dhe do te lehtesojne nderhyrjet e Diaspores ne vend, etj. U propozua nga pjesemarresit edhe qe Samitet e tjere te organizohen nga vete Diaspora e organizuar, jo me nga shteti shqiptar apo ai i Kosoves.

    Nese deshironi mund te rrime ketu gjithe diten e te gjejme gjera qe nuk shkojne, por do te ishte mire te pranonit qe ky eshte nje fillim, qe njerezit e larguar mezi cpresin qe te perfaqesohen ne vendin e tyre te origjines, qe t’u njihet e drejta e votes dhe mbase edhe te kontribuojne per zhvillimin e tij. Personalisht do te deshiroja qe kontributi i Diaspores te mund te kanalizohej ne parandalimin e emigracionit nga Shqiperia, pasi vendi po zbrazet per shume nga arsyet qe permendni ju ne artikull. Nderkohe kam zgjedhur ta ndjek nga afer punen qe po behet duke i dhene nje mundesi dhe duke shpresuar qe dicka do te ndodhe dhe gradualisht gjerat do te ndryshojne. Nuk mund te vazhdojme te sillemi ‘Nese nuk je me mua, je kunder meje’ sidomos per nocione kaq te rendesishme per vendin, sic eshte Diaspora. Duhet te punojme sebashku, qofte edhe me nje qeveri ndaj se ciles jemi kritike duke i mbajtur syte nga e ardhmja, qe duket boll e zymte.

    1. E nderuar Sonila, nuk di pse kam përshtypjen që ju keni marrë pjesë edhe në Samitin e Parë të Diasporës, në dhjetor të vitit 2016. Më thoni, nëse gjeni pak kohë, a nuk ishin temat që përmendni më lart të njëjta me ato që u ngritën dhe u diskutuan para dy vjetësh? A ndiet ju, si pjesëmarrëse, se është bërë vërtet diçka, nga ana e institucioneve në Shqipëri, gjatë këtyre dy vjetëve që ndajnë Samitin e parë nga i dyti, në interesin tuaj ose të grupit me të cilin identifikoheni ju? Ju pyes, sepse argumentin tuaj, që e gjej me bazë në vetvete, e kam dëgjuar ekzaktësisht edhe dy vjet më parë, në përgjigje të qëndrimit tim kritik ndaj veprimtarive të tilla. Më thoni edhe, nëse nuk po ju bezdis dhe nuk po ju kërkoj shumë, nëse u përmend gjëkundi SAMITI I PARË, gjatë punimeve të këtij të dytit? Ju pyes, sepse në materialet që kam parë, Samiti i Parë nuk përmendet gjëkundi, në asnjë program dhe asnjë axhendë, dhe se kur kërkoj materiale për të në Google, më dalin përpara diskutimet tona në Peizazhe të fjalës, të asaj periudhe… Dhe nuk ju pyes për t’ju ngacmuar, por sepse më duket e papranueshme praktika – tashmë e përsëritur – e administratës Rama, për t’i nisur gjërat gjithnjë nga e para dhe për të bërë krahasime, nëse kjo ndodh, vetëm me kohën kur Shqipërinë e qeveriste Berisha. Në kuptimin që ekipi i tanishëm sillet me pafajësinë e atyre që sapo e kanë marrë pushtetin…

      1. I nderuar Ardian, e prisja reagimin tuaj, sepse rendom ne shqiptaret kur hasim nje pergjigje qe nuk i shkon qendrimit tone personal duhet te reagojme patjeter. Per habine tuaj une nuk kam qene pjese e Samitit te Pare e nuk e bej dot diferencen. Por a mund ta beni dot ju qe nuk keni marre pjese ne te dytin? Une fola per diskutimet e pjesemarresve jo per organizatoret, e fare mire mund te ishit edhe ju aty midis tyre. Diaspora i duhet ketij vendi, ky eshte qendrimi im i vetem, nese deshironi t’u jepni nje kuptim politik fjaleve te mia, nuk mundeni sepse nuk e kane gjekundi.

        1. Nëse nuk keni qenë pjesë e Samitit të Parë atëherë nuk keni çfarë të më thoni. Unë po kërkoj një informacion që nuk ma jep kush. As online nuk e gjej.

    2. Sonila si mund të shpresosh te nje qeveri e cila në të vetmen gje qe pati sukses ishte te shtonte në numer disporen?!

      1. Evis, Diaspora mund ta perdore kete moment per t’u zgjuar e te veteorganizohet. A nuk eshte nje shprese e bukur kjo?

        1. Sonila,

          Diaspora ka me qindra organizata që funksionojnë, dhe kanë dhënë kontributin e tyre për dekada. Si qenka e llogjikshme që një pushtet që jo vetëm i injoron vazhdimisht, por tash kërkon edhe të përmbysë vlerat e hierarkisë së kontributit të tyre, duke përdorur një samit për të nxjerrë në krye figura anonime.

          Pastaj, nuk e di ku e bazoni idealizmin, por me siguri jo në ndonjë realitet. Përndryshe me fjalime dhe idealizma shqiptarët janë të mbingopur.

          Realiteti është që Rama pasi vuri nën kontroll të plotë biznesin vendas, disa duke i falimentuar, disa duke i korruptuar, tash po e përdor kundër çdo kauze qytetare në atë vënd. Ndiqni rrugën e valixhes së zezë të Spartak Brahos (gjithmonë sipas ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri) dhe fatin e lëvizjes studentore për të kuptuar se hapi i parë drejt instalimit të fashizmit është kryer në Shqipëri.

          Kurse Samiti është hapi i dytë për të kontrolluar diasporën.

          Problemi është që shumica e disporës jeton në vende të lira ku është integruar dhe ka adoptuar qëndrimin e këtyre vëndeve përsa i përket vlerave të lirisë dhe demokracisë. Asnjë nga këto vlera nuk i interesojnë pushtetit në Shqipëri.

  3. Iu kanë sharë të blerë tek serbi dhe greku. Iu kanë quajtur çmitizues të heronjve të kombit që nga Skendërbeu deri tek Kadare. Iu kanë quajtur të majtë e kozmopolitan. Iu kanë quajtur nihilist, dhe së fundmi edhe Kazan.

    Por me gjithë vështirësitë që një emigrant ka në dhé të huaj, për të mbajtur veten dhe familjen, dhe përkundër të gjitha shanceve, tek Peizazhet e Fjalës gjatë këtyre njëzetë e kusur viteve, përndryshe çoroditëse për kombin, ju keni treguar se dini të jeni patriotë dhe intelektualë të vërtet.

    Faleminderit Peizazhet e Fjalës!

    1. Sipas Xhufit, tek Dita, nuk ka rendesi si-ja, ka rendesi pse-ja; thote qe Rama na shpeton nga fashizmi qe ka pllakosur Perendimin. Pas Skenderbeut te Spiropalit kemi edhe Komandantin Legjendar te Xhufit. Pastaj nqs jemi ne pa eshte Ai, ndonje menyre bashkimi ne bashkeqeverisje duhet te gjendet, psh platforma internetore, ku ne mund te shprehim verejtjet, keshillat, paqartesite, problematikat, propozimet etj.

      1. Cloud computing? E-government? Këto janë rrobat e reja të mbretit?

        Është tepër vonë për rrobaqepës tani, Hyllin.

        1. Ta kthen Ai; ti nuk je për bashkëqeverisje, nuk je per dialog, nuk je për bashkëpunim, atëherë je e keqja e vendit. Janë taktika të vjetra, antike në fakt, të diplomacisë; unë bërtas për paqe, kërkesa te moderuara, zgjidhje me dialog, kurse ti që nuk pranon je ekstremist, luftënxites e gjakatar.

  4. Atëherë:

    Nga ç’shkruan Sonila, diaspora duhet të vetëorganizohet dhe në vend që të përdoret prej regjimit të Tiranës, në njëfarë mënyre ta përdorë atë/investimin e tij. Më vjen keq të shpehem kësisoj, po kjo është utopi.

    Hyllin, diplomacia vlen kur thika (lexo varfëria) nuk ka shkuar në asht.

  5. Meqe po flasim per diasporen, dhe maredheniet e saj me shtetin ame, dhe me gjuhen e pakujdesshme qe ja vervisim sho-shojit pa te keq, me kujtohet viti 1998. Misioni i Shqiperise ne OKB shtronte nje darke per Vit te Ri, ne Hilton.
    Shoqata Vatra i bente thirrje njerezise qe ta bojkotonin darken e shtruar nga “Tirana kuislinge”.
    Kuislinge, sipas Karagjozit te Vatres, sepse bashkepunonte me Serbine.
    Ironia e ketij termi i kish shpetuar Zotit Karagjozi, po te mendosh historine e Vatres pas L2B. Megjithate, edhe sikur ky term te mos ishte kaq me spec kur dilte nga zyrat e Vatres, perseri, ishte term kaq i forte sa qe une pas kaq vjetesh nuk e harroj.
    I njejti term, megjithate i pelqeu shume nje tjeter personi – redaktorit te gazetes Bota Sot – me banim ne Zvicer. Ky tjetri, nisi ta perdorte kete term ne te gjitha lajmet qe kishin lidhje me qeverine e Shqiperise.
    Pastaj lufta ne Kosove mbaroi, interneti shkoi ne cdo shtepi, dhe une nuk isha me i detyruar te perballesha me keshtu termash ne perpjekje qe te mesoja c’po ndodhte ne vendet tona.

      1. Rezistojini harbutllekut, paedukates dhe rrugacerise ne komunikim, tha…
        Sidomos kur i drejtoheni nje te panjohuri!
        Ka vlere, ne vetepermbajtje dhe ne te rezistuarit te impulsit per te thene dicka sarkastike cdo here qe lexoni dicka me te cilen nuk bini dakort.

    1. Vendet Tona,

      Kjo “stuhi e vogël” mendimesh të kundërta këtu në logun e PtF, të bën të mendosh për përçarjen reale.
      Në fund të këtij aktiviteti, bilanci më i rëndësishëm ka të bëjë me +/- në kohezionin e diasporës dhe qendërsimin e interesit të saj drejt shtetit amë.

      A i intereson Tiranës zyrtare, në këtë moment që ky bilanc të jetë pozitiv? Ndoshta, po.

      Supozojmë se ata që dalin në përballje me forcat e Llesh-kimikut (kështu kanë nisur ta quajnë këto kohë, ish-gjeneralin në krye të M.B.) janë alienë dhe jo të afërmit e atyre që jetojnë jashtë vendit e që shpesh u dërgojnë para për të mbajtur frymën (rrofshin remitancat!).

      Supozojmë gjithashtu që përkrahja që shfaqi diaspora për protestat e studentëve në dhjetor, nuk ishte veçse një makth i keq prej të cilit u zgjuam.

      Sigurisht që ka edhe mjaft arësye të tjera që PtF të konsiderojë mundësinë e fshirjes së këtij shkrimi, por sidomos, të jenë të kujdesshëm me shprehje të tilla si “kontrolli i horizontales”, ose “rrjetëzimi i kundërshtimit” që hasen ndonjëherë këtyre anëve.

      https://peizazhe.com/2018/10/07/sheshi-dhe-kulla/

  6. E kuptoj sesi sarkazma për dikë mund të merret edhe për hartbutllëk. Por ky është problem i atij që nuk e kupton. Aq më tepër po të konsiderosh komentin për Vatrën që nuk kishe se si të merrej seriozisht.

    Përndryshe kujdes me etiketimet. Nuk kishte as harbutllëk, as rrugaçëri, dhe as paedukatë në ato që thashë.

    Dhe po e lë me kaq.

  7. Ju lutem mjaft me shkëmbimet personale.

    Gjithashtu: ju lutem, komentoni brenda temës. Komentet jashtë temës do të fshihen pa paralajmërim.

    Po ashtu: ju lutem, mos hapni tema të reja në komentet dhe sidomos mos interpeloni të tjerët për tema të reja.

    Hapësira e komenteve rezervohet vetëm për mendimet tuaja në lidhje me shkrimin përkatës.

    Më ndihmoni edhe ju që ta mirëmbaj këtë hapësirë pa humbur shumë kohë nga imja. Nuk ia kam askujt me të keq.

  8. Vendet Tona,

    Po iu jap një përgjigje për respekt të këtij blogu, por edhe për hir të emrit tim si komentues i vazhdueshëm në këtë blog. (ndonëse shoh që komenti juaj i dytë tashmë është fshirë.)

    Për mendimin tim, në publik hyjmë në debat jo vetëm për të shprehur opinionet tona, por edhe për të bashkëbiseduar, komunikuar, dhe zbuluar mendimet e njeri-tjetrit. Duam të dimë se si mendojnë bashkëqytetarët tanë spse kjo ndikon edhe tek ne, ngase jemi të detyruar të bashkekzistojmë. Edhe ndërhyrja në komentin tuaj mu duk e natyrshme për sa kohë ishte në suazën e shkëmbimeve të opinioneve dhe jo të ofendimeve personale. Përndryshe lehtësia e komunikimit në këtë blog nuk vjen gjë nga prirjet individuale, por mundësohet nga teknologjia, ndaj kam frikë se për këtë të fundit ka një keqkuptim. Për hir të etikës, rrethanave dhe zakonit, unë u nënshtrohem këtyre rregullave. Por këto nuk janë rregulla që i kam mësuar gjë nga familja. As i kam të imponuara nga ndonjë autoritet. Por më janë dukur mëse të llogjikshme nga pikpamja e etikës së komunikimit.

    E theksoj “etikë” dhe jo “edukatë” sepse ky term i fundit merr qartësisht nga terminologjia totalitare e edukimit moral të masave, apo “orës së edukatës morale” po deshët. (Mbase keni dashur të thoni I sjellshëm?) Por edhe sepse mijëra e mijëra orë “edukimi” nuk është se na kanë lartësuar gjë si shoqëri. Nuk e di nëse edhe për këtë mund të fajsohet Vatra! Gjithashtu, termi “(i pa) edukatë” është përdorur së fundmi kaq shpesh edhe nga kryeministri ynë i nderuar në dialog me studentët, si për t’iu kundërvënë kritikave të tyre sa herë vihej në pozitë, por edhe si për t’iu kujtuar se kush ishte Autoriteti në dialog, saqë përdorimi i të njëjtës gjuhë dhe taktikë nuk ju nuk më duket fare rastësi. Kurse me termat e tjerë që më keni etiketuar nuk po merrem, dhe po i konsideroj si derivate të termit “i paekukatë” sipas renditjes që i keni bërë ju. Të më falësh për konsideratën e ulët që kam për këtë lloj terminologjie, por më vjen e kushtëzuar.

    Për t’iu kthyer edhe njëherë komunikimit tim me ju: ironia, apo sarkazma po deshët, është një lloj komunikim i opinionit që e vendos argumentin në përiferi, pa denjuar ta shtjellojë atë. Ndaj, jam i ndërgjgjshëm që nuk është mënyra më e mirë e komunikimit. Por mendoj se është i pranueshëm përsa kohë qëndron brenda argumentit – apo e ka në thelb argumentin i shtjelluar apo i pashtjelluar qoftë ky – dhe nuk kalon në ofendime personale. Komenti juaj për Vatrën i cili aludonte se Vatra na paskësh pasur qëndrime kolaboracioniste (kuislinge jo se jo sepse nuk ia ka lejuar ndonjëherë statusi) e supozova se është marr direkt, i papërpunuar, nga historiografia e Hoxhës. Për aq histori sa njoh unë, kjo nuk meriton të analizohet. Ndaj unë zgjodha t’i përgjigjem me ironi. Dhe po e citoj edhe njëherë komentin tim si për t’I hequr cdo dyshim vetes dhe baskëbiseduesve se përse po flasim:

    “ Thuaj shyqyr që ua solli Partia internetin që paskeni shpëtuar nga indoktrinimi i Vatrës.”

    Asgjë nga këto nuk thonë më tepër se ç’keni thën ju për Vatrën dhe personat që në mënyrë direkte apo indirekte kanë ndonjë lidhje me Vatrën. Unë nuk ndërhyra me ofendime personale, por theksova atë çka ishte ashiqare në komentin tuaj (the obvious), përfshi këtu edhe referencën për Partinë e Hoxhës si i vetmi burim i kësaj propagande kundër Vatrës.

    Që ju zgjodhët ta kanalizoni debatin në ofendime personale them se është problem vetëm i juaj, as i imi, as i familjes time.

    Ju uroj shëndet!

Lini një Përgjigje te L.A.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin