DETI QË THAHET

“Mëmëdhe quhetë toka/ku më ka rënurë koka,” shkruante dikur Çajupi, për të vazhduar me vargjet që ia njohim të gjithë. Po çfarë është atdheu, përtej dheut ku kemi mbirë si shqiptarë? Për disa, asgjë më tepër se sipërfaqja gjeografike që i brendashkruhet kufirit shtetëror; real ose imagjinar. Për disa të tjerë, hapësira kulturore e shqiptarisë – ose vendi ku kultivohen vlerat shpirtërore dhe etike të shqiptarit. Të tjerë akoma, e kanë atdheun te gjuha shqipe (për hebrenjtë dikur kanë thënë se e kanë atdheun te një libër, Bibla).

Nuk kalon javë pa lexuar në shtyp ndonjë artikull ose ndërhyrje për kufijtë: detarë të Shqipërisë me Greqinë, të Kosovës me Malin e Zi dhe tani me Serbinë, e kështu me radhë. Edhe ne në Peizazhet e kemi bërë, me vetëdijen se ka dobi, sidomos kur problemi trajtohet me kompetencën e duhur teknike. Por pa harruar, megjithatë, se kufiri nuk është veçse një vijë, që ndan tonën nga e tyrja: meqë zbatohet ndaj hartës, ka gjithnjë diçka nga demarkimi i pronës, diçka agrare në mos mirëfilli fshatare. Ka njerëz që për të mbrojtur “kufijtë” janë gati të lënë kokën, njëlloj siç vriten e gjakosen ata që zihen për pronën – madje edhe kur pronën e lënë pastaj djerrë (të tjerë lënë djerrë hapësirën që u ka dhënë Perëndia brenda kafkës).

Qëllon pastaj të lexosh, por shumë rrallë, ndonjë lajm si ky që më zuri syri te “Dita” dje: “Popullsia e Shqipërisë ra me 17.4 për qind vetëm gjatë vitit 2018.” Artikulli u referohet të dhënave të INSTAT-it, që po i marr të mirëqena (edhe pse me shtypin shqiptar duhet gjithnjë guxim i çartur, që t’u besosh lajmeve: gjithsesi, pas një verifikimi në faqen e INSTAT-it, rezulton që 17.4% të ketë qenë rënia e shtesës natyrore të popullsisë): shqiptarët ikin, zakonisht mërgojnë gjetiu, ose rinia që shkon të studiojë jashtë; por popullsia ulet edhe ngaqë ulet numri i lindjeve. Për mua, ky është atdheu që gërryhet nga erozioni social; por nuk shoh gjëkundi ndonjë alarm për këtë katastrofë që i ka rënë në kokë Shqipërisë.

Qëndrimi zyrtar i qeverisë Rama është se të paktën ikja e shqiptarëve është efekt anësor i natyrshëm i hapjes së kufijve – dhe se qytetarët janë të lirë të qarkullojnë sipas dëshirës. Të tjerët, përfshi këtu edhe hiper-patriotët, nuk dinë si t’ia faturojnë këtë gjëmë ndonjë armiku të jashtëm, prandaj nuk i kushtojnë dot rëndësi. Por mund t’i përfytyroj këta të fundit duke shkulur leshrat, para një lajmi të tipit “Kufijtë detarë të Shqipërisë tkurren me 17.4 për qind vetëm gjatë vitit 2018.” Nuk do të gjendeshin dot mjekë, që t’u bënin autopsitë të vetëvrarëve, pa folur për të rënët në fushë betejë dhe të vdekurit e tjerë kolateralë.

“Prej vitit 2001, popullsia e Shqipërisë ka rënë me të paktën 300 mijë banorë”, thuhet në artikull. Unë e kam të vështirë t’i përfytyroj 300 mijë vetë: më lehtë e kam të përfytyroj numrin e protestuesve në protestën e fundit të opozitës. Pa çka se edhe këta 300 mijë që ikin, përfaqësojnë një protestë nga më tronditëset: njerëz që ikin, sepse në Shqipëri – ose në vendin ku u ka rënurë koka – nuk jetojnë dot.

Për t’u ngushëlluar: “Tirana, si qendra e zhvillimit ekonomik dhe politik, vazhdon shtesën me 12 për qind në vit.”

Kjo zbythje e përgjithshme e gjeografisë, përballë urbanizimit, nuk shoqërohet nga ndonjë riformulim i shprehjeve publike të patriotizmit. Sërish dëgjon dhe lexon mburrje se “kufijtë tanë na i ruan NATO-ja”; për fat të keq, kufijtë e siguruar nuk vlejnë as një metelik, për ata që vendosin t’i kalojnë me biletë një-udhëshe.

Klasës politike vërtet i duhet të shqetësohet për integritetin gjeografik të vendit – por prej saj qytetarët presin, para së gjithash, që t’u sigurojë shpresën për të ardhmen, të tyren dhe të fëmijëve. Përndryshe, një i ri që largohet nga vendi, për ta kërkuar fatin gjetiu, nuk mund të ngushëllohet me faktin që të paktën detin nuk do të lëmë njeri të na e marrë.

Shqipëria po zbrazet. Edhe në kuptimin që shqiptarët po ikin, edhe në kuptimin që shqiptarët po e ndryshojnë konceptin për vendin ose territorin: dhe këtu kam parasysh edhe të gjithë ata bujq, të cilëve çdo vit u kalben me mijëra ton produkte, sepse nuk arrijnë dot t’i sjellin në tregjet e Tiranës, ku shiten lirisht fruta dhe perime nga ekonomitë fqinje.

Edhe të gjitha ato familje – me dhjetëra mijëra – që nuk arrijnë dot të sigurojnë punësim ose kujdes shëndetësor dhe arsimor në zonat ku jetojnë.

Çfarë është, pra, atdheu? Do të guxoja këtë përkufizim: është ai vend, ku fëmijëve në shkollë u mësohet ende vjersha e vogël e Çajupit, që citova në krye të shkrimit:

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes.

Në sa shkolla vargjet e Çajupit nuk do të mësohen dot më tash e tutje, sepse nuk do të ketë më fëmijë as mësues? E kam kështu si pyetje, se nuk gjej dot paqe, sa herë që hapen ca tema…

Dhe tani që e hoqëm këtë siklet-muhabet, si ishte ajo puna e kufirit detar?

© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

10 Komente

  1. Nuk me duket aq te theshte keto dy vargje, ne veshtrim antropologjik: Mëmëdhe quhetë toka/
    ku më ka rënurë koka…
    Flitet per nje koke qe bie drejt e ne toke! Nuk e di nese duhet menduar se ka qene nje kohe kur zanati i mamise ishte fort i rralle e per pasoje nje pjese e mire e shqiptarve sapo lindnin kishin nje kontakt dinamik te drejteperdrejte me token mëmë, nga nje fare lartesie? Megjithate nuk jam i sigurte se ky fenomen perligj nje gazete zviceriane qe kohet e fundit i cileson shqiptaret “kokeshshte me benz”, nje perfundim ky, qe midis te tjerash, gazetari i saj e ka arritur edhe pa i hedhur nje sy parlamentit te Tiranes.

  2. Eqerem Bej Vlora sjell ne Kujtimet e tij nje bisede ku ministri i brendshem te Turqise ne vitin 1908, sic duket qarte i inatosur i thote “Shqipëria është e vogël dhe e varfër, shqiptarët nuk janë as qytetarë të mirë dhe as punëtorë të mirë, e shumta ata mund të jenë sundimtarë të mire dhe ca më tepër kusarë të mirë. Një ditë prej ditësh, kur të mos keni më kullotat e pafundme të kësaj Perandorie, ju do të mund të hani njeri-tjetrin në atë Shqipërinë tuaj të ngushtë dhe të varfër!!” ……………….. Dhe kishte pasur të drejte”.- thote Vlora. Ky veshtrim – qe kullotat nuk mund te mbajne popullsine eshte ne thelb justifikimi qe kish sjelle edhe Enver Hoxha ne pergjigje te pyetjes se profesorit francez qe e mjekonte, raportuar nga disa media.
    Duhet thene nga ana tjeter, se ne kundershtim me te kendveshtrim, ekziston edhe plani italian per te vendosur ne Shqiperi 5 million kolone.

  3. Shifra 17.4% eshte gabim shtypi se nuk ka asnje korrelacion nga te permendurit, ku mund te dale nje shifer e tille. Ne 1990 Shqiperia kishte rreth 3.3 milion banore/rezidente. Sot ka 2.8 milion, renia rreth 15%. Duhet nje periudhe kur ka qene 3.4 mln qe nga renia 17.4% te jape 2.8 mln. Vetem nqs Instati ka llogaritur 3.4 mln rezidente ne viti 2001, po kete informacioni i Dites nuk e jep. Lajmi me shifrat eshte lesh e li. Brenda nje viti, 2018 popullsia mund te kete rene me 1.74%, diku tek 50 mije individe, keshtu nga 2.85 mln ka rene ne 2.8 mln. Nderkohe 300 mije aty i referohet periudhes 2001-2019, pra nga 3.1 mln ne 2.8 mln, qe i bie diku tek renie 10% .

  4. Shifrat menjane, nqs Instati llogarit 2.8 mln rezidente, i bie qe te jene rreth 1.7 mln emigrante, duke qene se gjendja civile ka rreth 4.5 mln te regjistruar, pak a shume po i afrohemi 40% te popullsise ne emigracion, qe eshte perqindja e vendit te pare ne bote per emigracion. Gjendja eshte kritike, fajin e ka sistemi. Nqs gjendja nuk eshte kritike, rrofte sistemi. Ne vitet e ardhshme do filloje kthimi i emigranteve qe do dalin ne pension jashte shtetit. Pensionet do jene te vogla per te jetuar jashte, shume prej tyre do te jene gjys pensioni, keshtu qe do kemi kthim te vazhdueshem. Qeveria do jete ne rregull me valuten nga emigrimi, keta pensioniste nuk do te jene barre per financat, perpos per sistemin shendetesor, po gjithsesi pensione nga 500-1000 euro ne muaj do i japin hov spitaleve private. Shqiperia do behet dicka si Gjirokastra e Kadarese, ku njerezit punonin diku per burokracine osmane, pastaj ne pension vinin e ndertonin shtepi dykateshe e kalonin pleqerine.

  5. Citoj zotin Vehbiu: “… por nuk shoh gjekundi ndonje alarm per kete katastrofe qe i ka rene ne koke Shqiperise”.
    Ne te vertete eshte nje alarm qe ka kohe qe bie papushim, qe kur filloi ikja masive e shqiptareve aty nga gjysma e dyte e mandatit te pare te atyre qe jane ne pushtet sot.
    Ketij alarmi i bie Opozita; edhe gazetare, analiste dhe studiues qe merren posacerisht me fenomenin, por me shume dhe me shpesh, ketij alarmi, i bie Opozita.
    Natyrisht, qe ky alarma nuk mund te degjohet ne territoret esktreme mediatike te majta, sic edhe eshte Dita, se ciles i referohet i nderuari, zoti Vehbiu.

    1. Më jep të lutem një listë minimale me analiza serioze të fenomenit – po aq serioze sa ato që janë botuar për çështjen e kufirit të detit.

      Mund të më kenë shpëtuar shumë gjëra: je i mirëpritur të kontribuosh, duke i plotësuar ato që kam lënë unë mangut.

      Gazeta “Dita” nuk hyn në këtë mes: ajo i referohej – madje pa e kuptuar – një raporti të INSTAT-it.

      Që ti e sjell gazetën “Dita” në muhabet, më flet shumë për ty, Imdat, por nuk më thotë asgjë për çështjen e tanishme.

      Prandaj më vërteto, nëse dëshiron, që vjen këtu me synime konstruktive, jo për të riprodhuar karshillëqet e opozitës.

  6. Zoti Vehbiu , po jane bere kaq shume emisione televizive, jane dhene kaq shume intervista, ne tv, ne shtyp e kahmos, te specialisteve te fushes qe ka Opozita. Edhe ata i referohen INSTAT-it. Opozita e quan pikerisht keshtu sic e quani edhe ju , zoti Vehbiu : katastrofe! Dhe per kete ia ve fajin keqqeverisjes. Nga ana tjeter, maxhoranca thote qe kjo nuk eshte nje katastrofe, por nje fenomen i zakonshem emigrimi.
    Vetem per kaq ishte “verejtja” ime, sepse shkrimi, ashtu si gjithe shkrimet tjera tuajat, jane shume te mira.
    ( Ju e dini qe ne rroben e bardhe, edhe ajo pikeza me e vogel e njolles vihet re)

    1. Megjithatë, unë e kisha fjalën për studime, analiza serioze, jo komente (përfshi këtu edhe komente si ky imi). Për kufirin detar ka të tilla. Edhe ne në PTF kemi botuar. Po për krizën demografike? Nuk ngrenë peshë gjëra që thuhen në TV – as në Facebook. Natyrisht i përket administratës dhe institucioneve buxhetore, që të merren me këtë punë – duke sugjeruar edhe zgjidhje. Por këtyre demografia u intereson vetëm si aspekt i fushatave zgjedhore; përndryshe, çdo e dhënë strukturore u vlen aq sa mund ta përdorin për dekor gjëkundi. Rita Ora ka më shumë peshë, në vëmendjen mediatike, se zbrazja e 1000 fshatrave. Ky shtet jo vetëm ka dështuar, por edhe nuk arrin më të kuptojë se ka dështuar. Ka dështuar si model. Nuk ka fiasko më të madhe për shtetin, se të dëgjosh si aspirata kryesore e prindërve sot është që t’i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë (kur kanë guxuar dhe kanë bërë fëmijë). Një qeveri që lejon ta shndërrojë territorin e shtetit të vet në truall ku vetëm krimi i organizuar ndihet mirë duhej të ishte larguar prej kohësh: por jo para se të përgatiste kushtet për një rithemelim të republikës. Faji fatal i opozitës këtu është jo se kërkon të vijë në pushtet, por se kërkon të vijë në pushtet dhe të qeverisë siç qeveriste deri më sot Rama me të vetët. Ose transferim të fiaskos.

  7. Sikurse vetë Ardiani më shumë se njëherë i është referuar në shkrime të tjera “Simulacres et simulation” të Jean Baudrillard-it, probemet me “hartat” si nocion abstrakt është se krijojnë hiper-realitete. Por në këtë rast them se ka një mbivendosje që e konfirmon realitetin, pra që përpjekjet për tkurrje të hartës veçse konfirmojnë tkurrjen reale të popullatës.

    Përndryshe, që elitat shqiptare nuk kanë ndonjë ndjeshmëri, përkubndrazi ushqejnë edhe përbuzje, ndaj ndaj popullatës, aka njeriut me kërkesa të rëndomta ekonomike dhe bazike, kjo tashmë është e konfimuar. Copëtimi i territoreve është thjesht qershia mbi tortë.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
error: Content is protected !!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: