BATUTA E POLITIKANIT (II)

Ngaqë është e shkurtër dhe kompakte, batuta, përfshi këtu edhe batutën e politikanit, mbahet mend lehtë dhe mund të përcillet goja-gojës, mes të tretëve, për t’u dëfryer ose për ndonjë qëllim tjetër. Ajo zë vend mirë në kulturën gojore (orale), që i ka ende të forta rrënjët mes nesh; madje duke i ri-derdhur protagonistët në trajtat e personazheve folklorike (gnomike), të tillë si Qosja (Qerosi) ose Hoxhë Nastradini, të cilët jetojnë dhe riprodhohen, në hapësirën orale, nëpërmjet batutave të tyre. Të vetëdijshëm për këtë përmasë folklorike të komunikimit me batuta, politikanët dhe ekipet e tyre të PR përpiqen t’i shfrytëzojnë me aq sa munden, duke mbrehur edhe mediat në zgjedhë.

Kjo e afron batutën me memet, jo në kuptimin e një elementi kulturor ose të sjelljes që përhapet nëpërmjet imitimit viral, por në kuptimin tjetër të një imazhi ose teksti që kopjohet dhe shpërndahet në rrjetet sociale. Edhe batuta, edhe memi ia detyrojnë suksesin aftësisë për ta komunikuar mesazhin menjëherë, qoftë edhe nëpërmjet rikontekstualizimit: duke e nxjerrë një thënie a ngjarje nga konteksti i vet dhe duke e futur në kontekstin e ri të batutave dhe të memeve ekzistuese. Çfarë edhe i shndërron politikanët – meqë jemi në politikë – në personazhe folklorike, të cilat funksionojnë sërish si pika referimi, por tashmë për spektaklin e politikës.

Aq e vërtetë është kjo, sa edhe politikanët vetë duket sikur i planifikojnë disa thënie, batuta ose sjellje të tyret duke pasur në mendje shfrytëzimin e tyre për meme; njëlloj sikurse i kooptojnë memet, për synime të propagandës ose të PR, edhe kur nuk i krijojnë ata vetë, ekipet e tyre ose simpatizantët e tyre. Në vija të përgjithshme, ky rekrutim i formave elementare të komunikimit çon në zëvendësimin e politikës me politikanin; dhe të procesit politik me komedinë e përditshme të sjelljes dhe të fjalëve të politikanit personazh në publik. Politikani, nga ana e vet, jo vetëm e ka të qartë dyzimin mes imazhit të tij folklorik dhe agjencisë së tij brenda shtetit (dhe pushtetit), por shpesh e ushqen, sepse kjo edhe i jep popullaritet, edhe e lejon ta bëjë punën e vet si politikan larg vëmendjes së publikut dhe të mediave. Në fakt, të paktën në Tiranë, politikanët mund t’i japin shfaqje edhe njëri-tjetrit, por gjithnjë me Të Tretin në mendje – publikun, si mundësi konsensus-i dhe votash.

Edhe pse mediat shpesh fokusohen te batuta, për shkak të efektit të saj zbavitës, gjithnjë është për t’u mbajtur parasysh që batuta është pjesë e një dialogu të sëmurë, në kuptimin që asaj, batutës, mund t’i ketë paraprirë një pyetje provokuese, një akuzë skandaloze, ose një lloj ligjërimi tjetër që tërheq vëmendjen ndaj folësit. Edhe pse trolli është bërë i njohur si rol dhe personazh në epokën e Internetit, trollimi ka qenë gjithnjë i pranishëm në komunikimin politik, veçanërisht në kultura të dobëta të ligjërimit publik, si jona; ku komunikimi nuk synon dialogun, por bllokimin (neutralizimin) e kundërshtarit, mposhtjen e tij totale, demaskimin, madje poshtërimin. Prandaj, nëse e veçojmë batutën në këtë analizë, e bëjmë vetëm për t’iu përgjigjur një përzgjedhjeje analoge, nga kanalet e komunikimit publik.

Në çdo rast, batuta përmbush së paku dy funksione: ta sulmojë bashkëfolësin, duke e vënë në pozicion të vështirë (mbrojtës) ose duke e lënduar; dhe, njëkohësisht, duke e ndërprerë dialogun e natyrshëm, ose shkëmbimin e argumenteve, zakonisht ngaqë autori i batutës gjendet ai vetë në vështirësi. Çfarë do të thotë se, gjatë një dialogu a debati, batuta e zhvendos vëmendjen nga argumenti, te personi, gjithë duke e reduktuar shkëmbimin e ideve – potencialisht produktiv a konstruktiv – në një riprodhim pozicionesh të thjeshtuara. Në këtë kuptim, Edi dhe Sala përplasen në parlament jo ngaqë kanë mendime të kundërta për këtë apo atë çështje, por ngaqë Edi dhe Sala, si personazhe që lëshojnë batuta dhe zbavitin publikun (dhe ndoshta veten), përftohen si të tillë, si personazhe, nëpërmjet farsës së përplasjeve.

Një batutë ka disa lloje publiku: lëshuesin e batutës, personin të cilit i drejtohet batuta, sallën ku ndodh kjo, publikun që e ndjek këtë skenë drejtpërdrejt në TV ose në streaming dhe publikun difuz të mediave në përgjithësi. Autori i batutës mund të ndihet i lehtësuar ose i shkarkuar psikologjikisht; marrësi i batutës mund të ndihet i fyer ose të karikohet psikologjikisht për kundërpërgjigjen; publiku i pranishëm – p.sh. në parlament – mund të qeshë ose të indinjohet (shpesh “të indinjohet”), sipas përkatësisë politike; dhe publiku tjetër të zbavitet, qoftë edhe nëpërmjet neveritjes. Çfarë duhet veçuar, nga gjithë kjo fenomenologji, është që ky lloj komunikimi priret të zëvendësojë atë lloj dialogu që duhej të përbënte thelbin e politikës, madje edhe si spektakël për publikun. Krijohet përshtypja sikur palët në konfliktin politik nuk kanë çfarë t’i thonë më njëra-tjetrës; e vërteta është se palët në konfliktin politik nuk duan – për arsyet e tyre – që ta luajnë teatrin e dialogut për publikun. Për këtë, i ndihmon edhe konstatimi – jo doemos i hidhur – se publiku që kanë krijuar, pas kaq e kaq vitesh performimi në skenën politike, preferon të qeshë me ta, në vend që të dëgjojë se çfarë i thonë njëri-tjetrit.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin