DEMODEX FOLLICULORUM

nga Lyss

Jam këtu, ushtari im, ia bëri ajo që nga salloni i ndenjjes, por nuk nxitoi t’i dalë përpara, edhe pse, pa ia ndarë sytë ekranit të televizorit, hodhi nja dy hapa drejt derës. Ai nuk e kuptoi menjëherë nga i erdhi zëri i saj. Kyçi pas vetes derën e apartamentit dhe si u hodhi një sy të shpejtë të gjitha dyerve, vendosi të shtyjë tutje atë të dhomës së gjumit, pa e kuptuar se ashtu tradhëtonte dëshirën e fshehtë për ta gjetur aty.

I zhgënjyer u lëshua mbi shtratin e madh për t’u hedhur pastaj në këmbë me një lëvizje të fuqishme. U kthye në korridor dhe priti që ndonjëra nga dyert e tjera të hapej dhe ajo do t’i hidhej në krahë. Asgjë e tillë.

U shkreh diçka, sikur dikush t’i kishte thënë “qetësohu!”. Mori të zgjidhte lidhëset e këpucëve e të vendoste armën mbi një tavolinë të vogël, por padurimi dhe kureshtja e shtynë të linte gjithçka përgjysmë dhe të mësyjë në dhomën e ndenjjes me vrullin e një kali të trembur.

Ajo, nuk e ktheu kokën. Vetëm ngriti pak dorën si për t’i kërkuar ta linte edhe disa çaste të ndiqte deri në fund atë çka po shikonte në tv. Pastaj do të ishte e gjitha e tij. Ai rregulloi gjimnastorkën, ktheu në vend rripin e armës nga i cila deshi të çlirohej pak më parë dhe iu afrua nga pas. E mbështolli ngadalë në mes, me ngasjen e fortë që t’i ulte duart edhe më poshtë, por më parë ndjeu nevojën të ngjeshë mjekrën e tij pas qafës së saj. Nuk i ndodhte çdo herë të mos kishte siguri se çfarë ndjente më shumë, mall apo dëshirë. Veçse tani ishte i gatshëm ta priste ashtu me orë të tëra. E kishte të gjithën në duart e tij dhe si me magji ndjeu t’i rrjedhë deri në fund të shpirtit një si elikzir qetësues për të cilën kishte aq nevojë.

Një gjendje të tille shpirtërore nuk ia trazoi as forma e neveritshme e disa larvave që lëviznin në plazmën e ekranit, pas të cilave ajo dukej sikur ishte mahnitur. Këmbëngulja e saj për të ndjekur gjëra të tilla të çuditshme e bëri të buzëqeshë. Mbylli sytë dhe shijoi ato çaste për të cilët kishte ëndërruar jo pak. Por edhe në atë gjendje kalamendjeje të ëmbël e kishte të pamundur të mos dëgjonte zërin e folëses që shoqëronte ato imazhet që me siguri ishin filmuar me ndihmën e ndonjë mikroskopi.

Ju mbase nuk e dini, tha folësja, por këto kafshëza të vogla që quhen demodex folliculorum vazhdojnë ekzistencën e tyre të lumtur në fytyrën tuaj. I përkasin familjes së akarianëve dhe banojnë në poret e lëkurës së të gjitha qënieve njerzore, por ju do ta keni të pamundur t’i shporrini prej aty edhe sikur ta fërkoni lëkurën me një rrjetë teli. Kanë një gjatësi prej 0.3 mm. dhe përveç trupit të ngjashëm me larvat e bretkosave, kanë edhe katër këmbë që i lëvizin pareshtur. Ushqehen me sebum, atë sekrecionin natyror të lëkurës sonë.

Ai ndjeu në ije dy bërrylat e saj, si të sigurohej se ai ishte aty. Dhe kjo i ngjalli kureshtjen të dëgjonte më tej shpjegimin e folëses. Tamam aty në lëkurën e fytyrës suaj ato çiftohen dhe shumëzohen, vazhdoi ajo, ndërkohë që ai ndjeu përsëri bërrylat në ije. Femrat pjellin rreth njëzet vezë dhe secila prej tyre shkon e zë venë në rrënjën e qimeve të fytyrës apo flokëve tonë. Në shumë raste aty e kanë origjinën edhe mjaft sëmundje të lëkurës, kruarje, përskuqje të saj.

Ai ngriti kokën, t’i shihte më me vëmendje. Forma e këtyre parazitëve që sapo ishin filmuar në laboratorin e një universiteti të njohur, të ngjallte krupën dhe të bënte të ndiheshe keq, por megjithatë jo aq sa ta detyronte të lironte duart nga mesi i saj. Të paktën jo në ato çaste kur dëshira për t’i ulur edhe më poshtë po e tundonte gjithnjë e më shumë.

Së fundi ajo ktheu kokën ta shohë, por duke e tërhequr pak trupin nga pas. Më shumë se një lëvizje e tillë atë e shqetësoi përqendrimi i pazakonshëm i syve të saj në fytyrën e tij. Nuk ishte vështrimi që e njihte aq mirë, ai vështrimi i veçantë më të cilin ajo depërtonte në dëshirat e tij të thella e të errëta, për të cilat shpesh nuk ishte as vetë i vetëdijshëm.

Pastaj e ndjeu të shkëputej prej tij me një lëvizje të nervozuar të krahëve. Ai deshi të kuptonte çfarë po ndodhte dhe e ndoqi nga pas, ndërkohë që ajo u drejtua nga salla e banjës, ku ndezi dritën dhe afroi fytyrën para pasqyrës së saj.

Ai u mundua të çlirohet menjëherë nga një gjendje e tillë e amullt. Nxitoi ta mbërthejë përsëri me forcë nga pas dhe e ktheu nga vetja, por askush nuk mundi të flasë. Nuk gjenin dot asnjë fjalë të përshtatëshme për të shqiptuar me zë. Të dy mendonin ethshëm dhe shihnin njëri-tjetrin në sy.

Nga dyert e hapura të sallonit mundën të dëgjojnë përsëri zërin e folëses. Gjatë gjithë ekzistencës së tyre demodex folliculorum grumbullojnë mbeturina në bark për t’i zbrazur vetëm kur kanë ngordhur. Dhe kur ndodh një gjë e tillë ekziston gjithnjë rreziku i inflamacionit të lëkurës.

Sot jemi shumë vonë, i tha ajo, duke e shtyrë anash. Më duhet të iki.

Ai pa portën e jashtme të apartamentit të mbyllej pas krahëve të saj dhe dëgjoi ulërima brenda kokës së tij. U kthye menjëherë në sallën e banjës dhe zgjati kokën te pasqyra e madhe, sikur aty do të gjente shpjegimin e  asaj që po ndodhte.

Me sy të shqyer u vu të përgjonte praninë e atyre kafshëzave në çdo milimetër katror të fytyrës së tij. Nxorri armën, që kishte ende në brez dhe me grykën e saj nisi të shoqërojë trajektoren e syve të tij. Nuk ishte veçse rruga e zakonëshme që ndiqte një pikë loti që ridhte nga syri.

Kur nuk kishte zbritur ende në gropëzën e faqes së tij, shtrëngoi nofullat dhe tërhoqi fort këmbëzën e armës së tij të fuqishme.

(c) 2019, autori.

2 Komente

  1. eshte fat qe jemi mesuar t’i rrime larg qenies sone biologjike dhe ta shohim veten shume me shume si qenie sociale. Ndjesia e dy personazheve eshte nje ndjesi qe perftoja kur isha e vogel kur hyja neper spitale. Sidomos ne spitale ku shihje paciente te fashuar, me pucrra gjigante, me plage te hapura e sidomos te zverdhur e vuajtur neper shtreter te mjere. Me dukej sikur u ndieja nje ere te forte gjakrash e te perbrendshmesh. Mbaj mend qe mezi haja ushqim pas momentesh te tilla. neveria eshte ndaj trupit tend jo te tjetrit; nje lloj kuptimi i plote i vetes. Nuk eshte e drejte qe jemi qenie mbushur me krimba dhe me gjallesa brenda nesh, dhe gjithashtu kemi aftesine ta kuptojme ate. Se pastaj po e kuptove tamam tamam, nuk i ben dot balle krizes ekzistenciale. Zot na ruaj! 🙂

    1. Përtej, te themi problematikes se prekeshme, materiale te ekzistences sone, qe ju e percaktoni mjaft mire, ideja eshte (te pakten ajo qe kuptova une nga ky zbulim i fundit, pasi pata si refleks te pare naiv te kerkoj si mund te shpetonim prej tyre dhe kuptova se kjo ishte e pamundur) se ne marredheniet tona te perditeshme, lidhjet sociale etj., veç atyre gjerave qe keshillohet t’u rrime larg, ka te tjera te cilave nuk duhet t’u afrohemi shume, perndryshe magjia prishet:-)). Ne nje fare menyre, eshte ajo qe thoni ne fjaline e fundit, veçse une dua ta shoh te vlefeshme edhe pertej dimensionit fizik.

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: