PASHALLARËT NË NËNTË PAMJE

Për poemën e Ismail Kadaresë “Në mesditë byroja politike u mblodh” – të cilën po e quaj tash e tutje “Pashallarët” – ka pështjellim të madh: më poshtë po provoj të vë pak rregull në ato çfarë thuhen dhe çfarë mund a duhet të thuhen:

  1. Vlera letrare: Vlerën letrare mund ta shohësh nga anë të ndryshme. Meqë kjo vepër nuk u botua në kohën e vet, dhe nuk u lexua praktikisht nga askush, ajo mbeti në hapësirën e mitit (të thashethemit) dhe nuk u fut dot në qarkullimin letrar. Kadareja kish ndikim të madh si poet në atë kohë dhe jo vetëm, por këtë s’e thua dot për “Pashallarët”, e cila mbetet dokument, por pa e fituar dot statusin e një vepre letrare të plotë, që realizohet në marrëdhënie me lexuesin e synuar (ose publikun shqiptar të viteve 1970).
  2. Vlera artistike intrinseke: Ose si tekst, si poemë. Le të themi se nuk hyn në më të mirat e autorit, edhe pse mund të ketë lexues që të lektisen pasj saj. Por mund të provohet se një pjesë e mirë e vargjeve janë të dobëta. Për shembull:

I shoh atje thellë tek rrëmojnë.
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu
pse trupat e dëshmorëve
Kthejnë djathtas, majtas dhe
përmbys?
Pa shiko,
trupat sikur i lajnë.
Nga themelet gjakun duan të fshijnë
shpejt.
Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt.
Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,
Oh, e dijnë se është lehtë pastaj
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve
thelbin e saj.

Fjalë të tepërta si pikërisht, krejt (kjo e fundit, për të rimuar me shpejt), klishe si amanetet q’ata lanë, togje të drunjta si idealet dhe parimet, diktaturën e punëtorëve asonanca të lodhura si lajnë/fshijnë/lanë. Njëlloj duhet thënë edhe se poema as nuk pretendon shkëlqim artistik; tingëllon më tepër si pamflet, ose kryeartikull në vargje, për të mos thënë dacibao. Letërsi e angazhuar, që nuk ka kohë të merret me përsosje formale, sa kohë që i duhet të çojë përpara “revolucionin” ose ta mbrojë atë prej “burokratëve me duar të përgjakura”. Më shumë se vepër letrare, “Pashallarët” duket e menduar si gjest, si akt politik; si breshëri diskursive kundër bastionit përballë.

  1. Vendi në krijimtarinë e Kadaresë poet: e shkruar në vitet 1974-1975, “Pashallarët” e ndan poezinë e Kadaresë përgjysmë: kronologjikisht mes vëllimeve Motive me diell (1968) dhe Koha (1976), ajo funksionon si një cesurë, ose më mirë një shenjë e madhe pikësimi, duke lajmëruar shndërrimin e poetit proletar, futurist, entuziast dhe herë-herë radikal të majtë të viteve 1960 në poetin më refleksiv dhe simbolist të Kohës. Është edhe hera e fundit, në mos gabohem, që autori shkruan drejtpërdrejt vargje për Enver Hoxhën, ose edhe që zgjedh si temë zhvillimet politike të ditës në Shqipëri. Qasja te Koha është tjetër, për të mos thënë krejt tjetër. Ndalimi i botimit dhe akuzat e rënda që iu lëshuan Kadaresë, luajtën rolin e tyre në këtë evoluim letrar. Duket sikur autori e kuptoi se nuk mund të pretendonte të merrte pjesë, si poet, në drejtimin politik të vendit dhe aq më pak të ndikonte në vijën e PPSH-së. Analiza e tekstit të “Pashallarëve” tregon lidhjet e saj të vijueshmërisë edhe në etos, edhe në patos, me poezinë haptazi politike të Kadaresë të viteve 1960, pozicionimet e tij anti-burokratike[1] dhe sidomos përpjekjet e tij për t’i ndërtuar heroit të vet lirik (egos poetike) një profil prej komunisti “ndryshe” ose “cool”, gjithë duke mbetur entuziast i rrënjëve “revolucionare” të pushtetit totalitar – siç del, mes të tjerash, te poema aq e njohur në vitet totalitare dhe aq e mësuar përmendsh nga kalamajtë e shkollave, “Shqiponjat fluturojnë lart”. Në fakt, Kadareja që shkruan “Pashallarët e kuq” nuk ndryshon shumë nga Kadareja autor i romaneve “Dasma” dhe “Nëntori i një kryeqyteti”, tek të cilët struktura relativisht eksperimentale nuk i shpëton dot pozicionimet ideologjike të sforcuara dhe simpatinë autoriale për personazhe të sojit të Mete Aliut.
  2. Vendi në biografinë e Kadaresë qytetar dhe njeri: duke qenë vepra që ia rrezikoi seriozisht autorit statusin si shkrimtar por edhe lirinë e krijimit dhe, tërthorazi, jetën (madje jo vetëm atij, por edhe madje sidomos familjes – çfarë harrohet, mbase qëllimisht, nga detraktorët e shkrimtarit), “Pashallarët” meriton vëmendjen e biografëve të Kadaresë, për të ilustruar atmosferën e terrorit që rrethonte krijimtarinë e tij letrare në vitet e totalitarizmit. Dhe jo vetëm. Poema mund të shihet dhe ndoshta duhet parë si reagim i ankthshëm, i zhbalancuar i autorit ndaj fushatës linçuese kundër tij, pas botimit të “Dimrit të vetmisë së madhe” – jo aq si pranim faji dhe autokritikë dhe auto-da-fé, sa si orvatje për t’i treguar publikut se ai ishte gjithnjë pjesë e elitës jo vetëm letrare por edhe politike, ose njeri i besuar i pushtetit; dhe sidomos, për t’ia kthyer Enver Hoxhës favorin (meqë ky e pat mbrojtur për “Dimrin”) dhe për t’i treguar se ishte në anën e tij, gjatë viteve të turbullta të spastrimeve në kokë të shtetit (në fakt duart e lyera me gjak gjer në bërryla i kishin jo burokratët që kërkonin në poemë aleanca imagjinare me zombiet e klasave të përmbysura, por Enveri vetë, si frymëzuesi dhe ekzekutori i terrorit totalitar në Shqipëri dhe si nismëtari i spastrimeve të ashpra në vitet 1970: Pashallarët mund të ishin vërtet të kuq, por edhe ngaqë i kish mbuluar gjaku i tyre, pas pushkatimit).
  3. Poema si manifest politik. “Pashallarët” nuk u botua, por ishte dorëzuar dhe bërë gati për botim – dhe mund të provojmë të përfytyrojmë se çfarë do të kish ndodhur, sikur të ishte botuar vërtet. Edhe pse letërsia shqipe e Realizmit Socialist i shërbente “edukimit komunist të masave” dhe i nënshtrohej vijës politike të PPSH-së, nuk duket normale për sistemin e censurës në fuqi, as e pranueshme nga botuesit e “Dritës”, që një poet të shkruante në atë mënyrë – ose duke u përfshirë drejtpërdrejt në konfliktet e mëdha politike në krye të shtetit. Nga ky këndvështrim, kjo mund t’i lejohej vetëm një autori të besuar si Kadareja, dhe vetëm si privilegj. Kështu, teksti i “Pashallarëve” mund të lexohet dhe të analizohet si dokument mirëfilli politik – përtej statusit të tij si poemë ose vepër letrare. Këtë e kanë bërë tashmë një numër kritikësh dhe komentuesish që kanë vënë re atje mesazhin anti-burokratik, ose akuzën se udhëheqja në Shqipëri po “borgjezohej”, madje duke i lyer duart me gjak. Të tjerë kanë vënë re frymën maoiste të tekstit, idenë se “kontrolli punëtor” do ta shpëtojë pushtetin nga burokracia dhe thirrjen për revolucion nga poshtë, me mbështetjen e Enver Hoxhës (dhe të poetit në krah të politikanit). Duke e çuar poemën për botim, Kadareja guxon shumë; meqë, ndryshe nga ndërhyrjet e tij të tjera në politikë, ku ka përshkruar ngjarjet e ndodhura në rolin e kronikanit të revolucionit, tani synon të bëhet pjesë, madje protagonist në transformimet e mëdha politike. Ndoshta edhe me shpresën që shënjestra e dhunës totalitare të zhvendoset nga “liberalizmi” (si pas Plenumit IV) te “burokracia”. Askush tjetër nuk do të guxonte ta bënte këtë në publik, dhe aq më tepër në një kohë kur kokat e pashallarëve vetë kishin filluar të rrokulliseshin në çimenton e thertores totalitare. Marrëdhëniet e tekstit dhe të “mesazhit” të poemës me dokumentet kryesore të PPSH-së të asaj kohe dhe veçanërisht me fjalimet e Enver Hoxhës i ka trajtuar K. Myftaraj në librin Gjyqi intelektual i Kadaresë (Buzuku, Prishtinë 2008; f. 492-503); për t’u ndalur në luftën kundër burokratizmit të shpallur nga Hoxha në atë periudhë.[2] Myftaraj, i cili heq një numër paralelesh mes fjalimeve të Hoxhës dhe predikimeve në tekstin e poemës, shkruan se poema e Kadaresë do të botohej në numrin e gazetës “Drita” të datës 12 tetor 1975, dhe se mbledhja e Byrosë për të cilën flitet te “Pashallarët” (madje së cilës i referohet poema që në titull) është ajo e datës 27 qershor 1975, nga e cila doli një “Vendim i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së mbi disa masa për luftën kundër burokratizmit veçanërisht për thjeshtimin e organikave” (vendimi mund të lexohet këtu), ku mes të tjerash theksohet se “lufta kundër burokratizmit është luftë klasash që do të vazhdojë derisa të ekzistojnë klasat, derisa të ekzistojë shteti.” Në analizën e vet, Myftaraj artikulohet në pozicionin e kundërt me atë të Sinanit dhe të së tjerëve: sipas tij, jo vetëm që “Pashallarët” nuk është vepër e një disidenti, por përkundrazi, ajo dëshmon për tundimin radikal të majtë, ose “polpotizmin” (siç e quan ai) e Kadaresë, i cili e paskësh irrituar (në mos trembur) deri edhe Enver Hoxhën vetë, që nuk ish gati dhe as kish ndërmend që t’i ngrinte në këmbë grupet e kontrollit punëtor “për të marrë ministritë”. Ky analist, edhe vetë krye-metaforën e “pashallarëve të kuq” e lidh me një batutë të Enver Hoxhës, në një fjalim të vitit 1974, ku për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku thuhet se “Ai ishte kthyer në një Esat Pashë Toptani i dytë”.
  4. Poema si dokument historik: gjë që ka lidhje me historinë e ndalimit të saj, përndjekjes që iu bë Kadaresë dhe krejt dokumentimit të reagimeve të instancave të larta, duke përfshirë ato të Enver Hoxhës vetë, që dolën në dritë më pas. Kjo do të vlente për të shkoqitur historinë e politikave kulturore të regjimit totalitar dhe të marrëdhënieve të regjimit të Hoxhës me shkrimtarët, artistët dhe intelektualët. Bazë e analizës sipas këtij këndvështrimi mbetet libri i Shaban Sinanit, Një dosje për Kadarenë, OMSCA-1, Tiranë 2005, ku janë riprodhuar dokumente të kohës, përfshi këtu kritikat që iu drejtuan autorit në mbledhjet politike sekrete të instancave më të larta dhe autokritika e Kadaresë vetë, por edhe rezervat e kolegëve të Kadaresë, mes të cilëve edhe D. Agolli. Fakt është që teksti i poemës përfundoi i shqyrtuar nën xhamin zmadhues të Enverit; dhe jo vetëm ngaqë te “Pashallarët” ky, Enveri, dilte si personazh kryesor, si pishtar-mbajtës dhe pastrues i haureve të kundërrevolucionit; por edhe ngaqë kupola shqetësohej seriozisht për efektin e fjalës së Kadaresë dhe të artit të angazhuar në shtjellën e konflikteve dhe në raportet e forcave. Duke përcjellë me lahutë punimet e plenumeve të Komitetit Qendror, autori i “Pashallarëve” e vinte veten, dashur pa dashur, në rolin e një Demodoku të Shqipërisë totalitare – si bardi a rapsodi që jo vetëm i rrëfente historitë, por edhe u jepte kuptim, duke i sistemuar dhe duke i bërë gati për hapësirën mitologjike. Duket sikur, në vizionin e Kadaresë së atëhershëm, arti “proletar” jo vetëm i përcjell dhe i rrëfen bëmat e politikës, por edhe ndërhyn drejtpërdrejt në to, duke i ndikuar. Këtë teori, të maskës për princin, ai autor e ka shtjelluar pastaj gjetiu; dhe pikërisht shpresën e tij se, duke i ofruar Enver Hoxhës një model të idealizuar për veten, mund ta tundonte këtë që të fillonte t’i ngjante modelit. Le të mos harrojmë, në këtë kontekst, që poema “Pashallarët” vërtet u dënua me vdekje, por autori u ruajt, u kursye; kinse me arsyen se mbetej i vlefshëm për regjimin, pavarësisht “lajthitjeve”.
  5. Poema si objekt imagjinar. Deri vonë në vitet 2000, “Pashallarët” mbetej objekt imagjinar – për të flisnin të gjithë, por askush nuk e kish lexuar; madje kish nga ata që deri edhe dyshonin në ekzistencën e saj. Ngaqë i ish refuzuar qarkullimi letrar, pesha e saj në atë masë opinionesh që qarkon letërsinë dhe shkrimtarët u stërzmadhua. Që prej mesit të viteve 1970, kur publiku mori vesh, me fjalë goje, se kjo poemë e Kadaresë ishte “dënuar”, miti i saj zuri vend në vetëdijen kolektive dhe, që andej, filloi të veprojë në historinë e kulturës dhe të artit në Shqipëri, duke komunikuar me të si nga një univers paralel. Dhe këtu s’e kam fjalën vetëm te ndikimi që pati ndalimi dhe dënimi i poemës në fatin e Kadaresë shkrimtar, por edhe dhe sidomos te ndikimi i kësaj ngjarjeje politike në letërsinë shqipe: meqë, në kontekstin e terrorit ndaj njerëzve të kulturës që lëshoi nga zinxhirët Plenumi IV, shkrimtarët në Shqipëri e kuptuan se nuk mund të merreshin drejtpërdrejt me politikë nëpërmjet veprës së tyre, përtej përsëritjes së klisheve dhe tropeve të njohura të Realizmit Socialist. Edhe pse, në imagjinatën e njerëzve, vendin e poemës vetë e kish zënë rrëfimi rreth poemës, ose një mish-mash përshkrimesh të turbullta se për çfarë bëhej fjalë, sërish autorët e teksteve letrare e nxorën mësimin e duhur, madje incidentin me “Pashallarët” filluan ta shohin si pedagogji emblematike të politikës së regjimit ndaj krijimtarisë artistike. Aq më tepër që statusi i Kadaresë si shkrimtar i regjimit kish pësuar ndoshta ca të krisura, por gjithsesi kish rezistuar: por me çfarë kostoje?[3] Kjo mund të jetë një nga arsyet që, në letërsinë e Realizmit Socialist të viteve 1980, vërehet një tërheqje e përgjithshme nga angazhimi i shkrimtarëve me temat e mëdha: siç mund të shihet jo vetëm në trajektoren e veprës së Kadaresë vetë (nga salla Komsomolskaja te Tabir Saraji), por edhe të shkrimtarëve të tjerë: edhe Agolli kaloi nga Zyloja te Trëndafili në Gotë; ndërsa poetët e viteve 1980 (si grupi i lezhianëve) kërkuan me këmbëngulje hapësirë shprehëse tek intimja, minimalja dhe simbolikja. Në këtë kuptim, goditja që iu dha “Pashallarëve” ishte ekuivalenti shqiptar i vetëvrasjes së Majakovskit.
  6. Poema si mjet për të rishkruar historinë dhe biografinë. Kanë dashur ta paraqitin, “Pashallarët”, si provë të “disidencës” së autorit të saj, Kadaresë; sidomos një grup njerëzish që, nëpërmjet këtij operacioni, kanë dashur të përfitojnë nga statusi i konfirmuar i Kadaresë si shkrimtar i kalibrit botëror. Leximi i poemës nuk më duket se e konfirmon këtë pretendim: mesazhi i saj politik nuk më duket ai i një disidenti, por i një autori militant që kërkon të marrë pjesë dhe të luajë rolin e vet në politikën e regjimit totalitar. Duke pasur parasysh rrethanat kur u shkrua, “Pashallarët” mund të lexohet edhe si një përpjekje in extremis, e Kadaresë poet komunist, për t’i deklaruar solidaritetin dhe besnikërinë Enverit, në përleshjet e këtij me “burokracinë”: fryt i një leximi qëllimisht të njëanshëm të asaj çfarë po ndodhte në kupolën totalitare, mbase edhe përpjekje për të ndikuar tek Enveri vetë; por që s’ka të bëjë me disidencën. Tek e fundit, autori i poemës (si kategori tekstuale, jo Kadareja person) e shpreh ende frikën dhe armiqësinë ndaj klasave të përmbysura dhe vetëdijen e rrezikut se, po të mos angazhohet politikisht në favor të spastrimeve enveriste të kohës, mund të përfundojë “para skuadrës së pushkatimit te Bulevardi i Madh.” Me fjalë të tjera, që Kadareja u bë objekt akuzash dhe kritikash të rënda për poemën, kjo në vetvete nuk e shndërron gjë atë në disident. Në viktimë mbase po, por disidenti është diçka tjetër: disident është ai që kritikon, jo ai që kritikohet.
  7. Cili variant i poemës? Sikurse e kam vënë tashmë në dukje (Filologjia e shkurtimit), “Pashallarët” është (ri)botuar e cunguar, tani së voni, në një version të cilësuar si “përfundimtar” nga redaktorët dhe, me gjasë, edhe nga Kadareja vetë. Në këtë version të ri, poemës i janë hequr rreth 50 vargje (ose një e treta), me arsyen se bëhet fjalë për “shtojca artificiale”, ose për një taksë që çdo autor i kohës detyrohej t’ia paguante censurës, në mënyrë që vepra të mund të botohej dhe t’i arrinte publikut. Pa ia vënë në dyshim të drejtën autorit për ta retushuar, rishikuar madje edhe rishkruar veprën e vet, duhet theksuar se “Pashallarët”, nëse e ka ende ndonjë relevancë për historinë e letërsisë dhe të kulturës shqipe në marrëdhënie me politikën dhe censurën, këtë ia detyron versionit origjinal, jo këtij të të tanishmit. Madje versioni i tanishëm, i shkurtuar, shembëllzon një dëshirë – mbase të pavetëdijshme, mbase të vetëdijshme – për t’i bërë historisë makijazh, duke faktorizuar atje objektet jo siç kanë qenë, por “duhej të kishin qenë”. Me interes të madh duket edhe përpjekja, e redaktorëve të vëllimit të botuar rishtas (“Kadare, Vepra poetike në një vëllim”, Onufri 2018) dhe Kadaresë vetë, për t’i dhënë një mbështetje si të thuash teorike kësaj ndërhyrjeje në tekstet, duke e lidhur me të drejtën morale të autorit për ta “restauruar” veprën, madje edhe në atë formë siç ajo nuk e ka pasur kurrë. Për mua, në çdo rast të dyja versionet e poemës “Pashallarët” mbeten të rëndësishme: i pari, për të kuptuar marrëdhëniet e regjimit totalitar me letërsinë dhe shkrimtarët; i dyti, për të kuptuar konfliktin midis realitetit dhe dëshirës.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi: Kopjuesit do të ndiqen penalisht.

Imazhi në krye: detaj nga kopertina e librit “Kadare, Vepra poetike në një vëllim”, Onufri 2018.


[1] Antiburokratizmi shpallet nga një numër poemash dhe poezish të viteve 1960; edhe Fatos Arapi ka një poemë të titulluar “Antiburokratike”. Kjo mbase duhet vendosur në kontekstin e luftës së brezave, përpjekjes së “poetëve të rinj” (të kulturës letrare post-staliniste) për t’iu imponuar establishmentit të Lidhjes së Shkrimtarëve (aso kohe, kombinim i idilikës baritore me intrigën dhe toksikologjinë bizantine), por edhe lëvizjes për Revolucionarizimin e përgjithshëm të jetës së vendit, në Shqipërinë e viteve 1960; ku “burokratizmi” po përdorej më tepër si fjalë e koduar për ndikimin ende të fortë sovjetik (si kulturë, si formim profesional dhe si praktikë pune) në strukturat e shtetit, së cilit ndikim Enver Hoxha i druhej shumë. E vështruar nga sot, “burokracia” e anatemizuar e asaj kohe duket më tepër një përpjekje për të vënë rregull dhe për të bërë shtet, nga ana e brezit të kuadrove dhe specialistëve që kishin studiuar në Universitetet e Lindjes në vitet 1950.

[2] Unë nuk pajtohem me metodën e analizës së Myftarajt historian dhe publicist, as me lehtësinë me të cilën ai i propozon spekulimet madje edhe fantazitë e veta, shpesh konspiracioniste dhe sensacionaliste, si përfundime logjike; dhe ato çfarë ai thotë për “Pashallarët” po i marr në konsideratë vetëm në atë masë që konfirmohen nga dokumentet e botuara dhe provat e tjera materiale të kohës, të cilat gjithkush mund t’i konsultojë dhe të nxjerrë përfundime të pavarura. Myftaraj më rezulton, megjithatë, i vetmi që ka provuar ta vendosë tekstin e poemës në kontekstin e dokumenteve kryesore të PPSH-së të atyre viteve.

[3] Kadareja ka shkruar, më vonë, se pas “Dimrit të vetmisë së madhe” dhe “Koncertit në fund të dimrit” censorët e regjimit ia patën ndaluar të shkruante romane – për ç’arsye filloi t’i nxirrte prozat e veta si novela. Ndoshta duhet shtuar këtu edhe ndalimi për të shkruar vargje – që nuk i erdhi nga lart, por nga “thellësitë” e pavetëdijes; me vëllimin Koha që duhet parë, në këto rrethana, si një colpo di coda, ose goditje me bisht e një poeti që përndryshe po i ulte qepenat.

23 Komente

  1. keto barazimet e kacit me duken mjaft interesante edhe pse pergjithesisht nuk merren parasysh ngaqe ndoten nga fryma konspirative e shkrimeve te tij.

    shume teme interesante ke prekur xhaxha, por me duhet te them se prite minella aleksin te dali nga nje ane 😛

  2. Ёshtë vërtet e çuditshme se si leximi i së njëjtës poemë mund të përftojë dy pamje kaq të kundërta, si të ishin pozitivi dhe negativi i një fotografie të vetme: për apologjetët e Kadaresë, poema është një vepër mirëfilli disidente, që e godet në mënyrë frontale regjimin komunist, pavarësisht se i duhet të paguajë haraçin ndaj diktatorit duke e veçuar atë artificialisht prej diktatures; për kritikët e Kadaresë (“detraktorët” e tij, sipas apologjetëve), poema duhet parë si një përpjekje e autorit për të marrë pjesë në zhvillimet politike të kohës, por në frymën e një gardisti të kuq, i cili, duke adhuruar udhëheqësin e madh e duke sulmuar burokratët, kërkon rikthimin kohës heroike kur revolucioni ishte ende i ri e i kulluar.
    Ec e merre vesh këtë punë: të duket si ato leximet që pozita e opozita u bëjnë raporteve të ndërkombëtarëve për cilësinë e zgjedhjeve: lexohet i njëjti tekst, por nxirrën përfundime skajshmërisht të kundërta.

    1. Vepra i përmban të dyja leximet – sidomos po ta nxjerrim nga konteksti politik i kohës. Por si letërsi tejet e angazhuar që është, unë them se duhet mbajtur në kontekst. Aq më tepër edhe që kupola e dënoi jo për mangësi artistike, por ngaqë “nxinte” realitetin, pra duke i dhënë lexim drejtpërdrejt politik. Autori e dinte që poema do të lexohej politikisht; mbase nuk gaboj po të them se edhe prandaj e shkroi.

      Sot disa rrethana kanë ndryshuar, disa të tjera jo. Teksti mbetet ai që është, por tani ka nevojë për interpretim të thellë, sepse lexuesit të ri në moshë i duhet shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë: vargje kaq “context sensitive” nuk mund të lexohen pa shpjegimet përkatëse: është si të lexosh “Ferrin” e Dantes pa e pasur idenë për politikën në Firenze-n e asaj kohe. Rrethanat historike tani janë bërë njëfarësoj pjesë e veprës, në kuptimin që, pa u njohur me to, poema do të lexohet “keq”, ose leximi do të ekspozohet ndaj manipulimit.

    2. Ec e merre vesh këtë punë: të duket si ato leximet që pozita e opozita u bëjnë raporteve të ndërkombëtarëve për cilësinë e zgjedhjeve: lexohet i njëjti tekst, por nxirrën përfundime skajshmërisht të kundërta.

      Për mendimin tim kjo ka të bëj me moralitetin e dyzuar të klasës politike, apo akoma më keq, amoralitetit – një  sëmundje që së fundi duket se ka kapur edhe Kadarenë.

  3. Kam përshtypjen, pa qenë plotësisht i sigurt, se i vetmi kontekstualizim që lexuesit e sotëm marrin për poemën – nga mediat apo tekstet shkollore – është ai i raportit gjithnjë të vështirë të Kadaresë me censurën, në kuadër të të cilit ajo (poema) përfaqëson pikën më kritike. Kaq. Askush nuk u flet të rinjve për kontekstin politik të kohës kur u shkrua vepra – për fushatën kundër të ashtuquajturave “izma”, apo për frymën e ardhur prej Revolucionit Kulturor Kinez e Maoizmit në përgjithësi. Ky dekontekstualizim i poemës në ndërgjegjen e lexuesit, bashkë me riemërtimin e saj popullor “Pashallaret e kuq”, ka bërë që në vetëdijen kolektive ajo të përfytyrohet si një “j’accuse” e drejtpërdrejtë e shkrimtarit ndaj regjimit, ndërkohe që e vërteta është shumë më e ndërlikuar se kaq.

  4. Eshte interesante se si per drejtues te ndryshem te shtetit te asaj kohe, perceptimi i poemes ne fjale ka qene krejt i ndryshem. Pa dyshim, problemi ka qene ideologjik. Duket se Hoxha ka qene me i lexuar (më ‘i pergatitur’ – me terminologjine e kohes) se Alia apo Shehu. Per shembull, për Mehmet Shehun (po e citoj), “…mjafton të përmendim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit: Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është kalbur me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj, dhe drama “Fytyra e dytë” (kjo eshte tek tek lidhja e meposhtme). Hoxha duket te kete patur mendim te kundert nga Shehu (perderisa romani ne fjale u lejua).
    E njejta gje ka ndodhur edhe per poemen ne fjale.Link :
    https://www.classlifestyle.com/d/84/194/7479/zbulohet-ditari-sekret-i-enver-hoxhes-ismail-kadare-nje-poet-korbash-borgjez/?fbclid=IwAR14n_AAgte4LJ-CbWjc0sUsIrp8kyXglIa-wdWDbuImfMPjN9Y6h92RXac

  5. Personalisht do t’i qasesha ketij argument me nje pyetje. Cili ka tager ta cilesoje nje veper si mbeshtetese te regjimit apo si armiqesore ndaj tij? Po te perdorim nje metode eleminuese, mendoj se me pak se gjithkush kemi ne sot mbas gjysme shekulli, nese nuk marrim pasasysh elemente te tjere.Dalim pastaj te dy protagoniste te tjere, regjimi i kohes i perfaqesuar nga kreu i tij dhe lexuesit e asaj kohe. Regjimi eshte shprehur dhe e ka cilesuar poemen zjarrvenese per te (prit kur te flase per sulltanin e kuq, thote Hoxha qe duket se e ka kuptuar me mire nga te gjithe nenteksin e saj te mbuluar me gjithe fiku) dhe (po i lejoj vetes te pergjithsoj keshtu) ne lexuesit e asaj kohe. Ne te vertete ne as qe e kemli lexuar fare tamam ne ate kohe, kjo eshte e vertete, por vesh me vesh erdhi fjala se ai i ka cilesuar disa antare te byrose politike si pashallare te kuq. Kaq mjafton. Per here te pare qe hedhur fara e dyshimit ne moralin e atyre qe propoganda ua kishte shitur shqiptareve si gjysme perendi me portrete disa katesh te larte ne parakalime, tv etj.
    Ishte hera e pare qe u desakralizuan apostujt qe nga fundi i Luftes. Ishte gjesendi aq e forte, sa per te kaluar nje hapje te tille kaq te hidhur, perligjej çdo lavd tjeter.

    Ne mos me ate qe shkruante cilesojeni po te doni Kadarene si nje informator te regjimit, qe e njoftoi ate per nje rrezik te madh qe i kecenohej e qe Hoxha nuk po e kuptonte. Por megjithate, i duhet gjetur pergjigje pyetjes perse kreut te regjimit nuk i pelqeu nje “informacion” i tille? Se akuza qe e teper e zellshme dhe shkonte tej fajit? Aspak, personave te akuzuar ai vete u preu kryet.

    Mbase eshte pjese e talentit te Kadarese qe shume vepra te tij ndryshe lexoheshin nga regjimi e ndryshe nga lexuesit e tjere.
    Per rastin ne fjale magjia nuk veproi shume. Si lexuesit ashtu edhe regjimi kapen te njejtin mesazh ne ate poeme. Atehere deri ne çmase mund ta veme ne dyshim sot nje gje te tille?

    1. Ishte hera e pare qe u desakralizuan apostujt qe nga fundi i Luftes. Ishte gjesendi aq e forte, sa per te kaluar nje hapje te tille kaq te hidhur, perligjej çdo lavd tjeter.

      Por me siguri nuk ishte hera e parë për një “pakicë”, po të doni, që mëndonin se për këta “apostuj” kishte vend vetëm në ferr.
      Këtu nuk është çështja nëse vepra e Kadarësë mund të konsiderohet disidente ose jo. As nuk diskutohet për disidencën në sensin absolut, apo për gjurmët e saj në vepër (a.k.a. postmodern concerns). Por diskutohet për llojin e disidencës. Të asaj disidence që arrin të krijojë vlera morale. Të mënyrës se si Kadareja lexohet , dhe mund të lexohet në vazhdimësi, dhe jo thjeshtë në një moment të caktuar kohor mbi skrivaninë e Enver Hoxhës.
      Është e qartë se ata disidentë që nuk filtruan me regjimin e paguan ose me heshtje ose me jetë. Për ata ne nuk mund të flasim dot, sepse nuk arritëm t’ua masim asnjëherë “talentin”. E megjithatë, përkundër këtij realiteti, ende sot nuk e kemi për gjë që “disidencën” e Kadaresë t’ia faturojmë “talentit” (si shkrimtar!). Apo mos duhet të themi “talentit” në përdredhjen morale, këtij etalonin bosh me të cilin kjo shoqëri ende i gjykon vlerat e saj?
      Sot, të gjithë lexojmë se si Kadare nuk e ka për gjë të vendos emrin në rresht midis tridhjetë shkrimtarëve Europian në letra dhe peticione, si për të çimentuar emrin e vet në “kulturën” europiane. Por, po ky njeri, nuk e gjen dot një minutë kohë për tu prononcuar për problemet sociale dhe politike të vendit të vet, që nga ndarja eventuale e Kosovës, deri tek mbështetja e munguar për studentët, kuksianët, kulturën, teatrín, ekologjinë, dhe ekonominë e këtij vëndi që po rrënohet dhe kriminalizohet përditë. So much for the dissidence!

      1. L. A. Veç një vërejtje kisha. Se çka mendon Kadareja për çështjen e Kosovës a për klasën politike të sotme, e gjenë tek librat e tij: Mosmarrëveshja, Çlirimi i Serbisë nga Kosova, Tri këngë zie për Kosovën etj etj. Unë mendoj se ai nuk duhet të bëjë dhe punën e gazetarit. Ose, më mirë, nëse nuk don ta bëjë, askush s’ka tagër t’ja kërkojë. Diçka do duhej të bënim dhe të ‘tjerët’. A thua nuk e ka bërë Kadareja pjesën e tij për shoqërinë dhe kulturën e saj? Në fund të fundit ai është një shkrimtar shqiptar.

        1. E, I nderuar E. Hora,

          Feel free to throw the book(s) at me.

          Rrisku që merr dikush kur vendos ta gjykoj Kadarenë përmes rrjeshtave, është se do duhet të përballet me gjithë veprën e Kadaresë. Dhe kjo është mëse e drejtë (and fair). Por edhe duhet të përballet me perceptimin se është duke e “mohuar” (negate) veprën e tij, reminishencë kjo e kritikës komuniste: ose e gjitha e mirë; ose e gjitha e keqe.

          Këtu akush nuk po ia vë në dyshim kontributin dhe talentin, në totalitet. As nuk janë shumë prej diskutatntëve këtu, përfshi edhe mua, në gjëndje ta vlerësojnë apo ta zhvlerësojnë veprën e tij.

          Por, këtu po diskutohet për etikën dhe moralin e këtij kontributi. Edhe kjo është mëse e drejtë (and fair).

          E humba fillin në komentin tuaj kur thoni: “Diçka do duhej të bënim dhe të ‘tjerët’. A thua nuk e ka bërë Kadareja pjesën e tij për shoqërinë dhe kulturën e saj?”

          Nuk e di për kë e keni fjalën me “të tjerët”, por duke gjukuar nga përdorimi i foljes “të bënim” mendoj se keni dashur të thoni (ne) të “tjerët” duke lënë të supozohet se këtu fusni edhe veten tuaj? As nuk e di nëse juve personalisht iu është mohuar ndonjëherë mundësia për të bërë ndonjë gjë për kulturën apo për shoqërinë shqiptare! Por di të them se një pjese të mirë të shqiptarëve me siguri që iu është mohuar, dhe e kanë paguar edhe me jetë, po nga i njëjti regjim që promovoi Kadarenë në Francë dhe në perëndim. Në një kohë që zërat që vinin jo vetëm nga Shqipëria, por nga gjithë lindja, ishin shumë të rrallë.

          Sikur të mos mjaftonte kjo, ende edhe sot shumica e shqiptarëve as që kanë mundësi për të kontribuar për vendin e tyre, dhe në vendin e tyre, pavarësisht nga lloji i talentit, apo cilësia e karakterit (apo pikërisht për këto).

          Ndërkohë të jesh kritik ndaj pushtetit nuk do të thotë të marrësh rolin e gazetarit, përndryshe një profesion shumë i nderuar, por do të thotë të marrësh rolin e intelektualit. Dhe Kadareja këtë rol e ka marrë pa ia kërkuar njeri, biles edhe më shumë; atë të intelektualit të vetëm aristokrat shqiptar i cili cakton deri edhe kush intelektual është i talentuar dhe kush nuk është (shih për Lubonjën); apo, kur dërgon letra përulëse në drejtim të ambasadorëve të Bashkimit Eurpian për t’u kerkuar falje për ndonjë gazetar kokëkrisur të principatës së Arbërit; apo kur vë firmën midis tridhjetë shkrimëtarëve intelektualë në një manifest kundër populizmit, për të dëshmuar se këta të tridhjetë janë vetw aristokratët e fundit të Europës.

          Veçse Kadareja ndaj pushtetit nuk ka zgjedhur të bëjë intelektualin, por ka zgjedhur heshtjen. E cila për vetë pushtetin përkthehet në ár. (And boy, have they taken it to the bank!) Dhe kush nuk është naìv dhe e njeh sadopak elitën e Tiranës e kupton se një manipulator i rëndomtë si p.sh. Veliaj nuk ka bØthë të manipuloj nëse nuk merr garanci për heshtjen.

          Kurse, për ata që besojnë tek Kadareja intelktual, ngase edhe ia adhurojnë veprën sikurse edhe unë, heshtja vret. Për kukësianët, studentët, artistët që protestojnë tek Teatri Kombëtar, kjo heshtje thotë më shumë sesa “Qu’ils mangent de la brioche”.

      2. Ishte diçka midis dy trajtave, që se vura re. “Të bënim dhe ne të tjerët”, ose “të bënin të tjerët”. Ndjesë për këtë. Tek “të tjetër” bëj pjesë dhe unë. Po aq sa tek “ne të tjerët”.

        Përsa thua për pengesat, të tilla ka kudo, në çdo shoqëri. Kam pasur rastin të rri me letrar të Tiranës, ose ato që mendohen si të tillë, që mbajnë një qëndrim goxha të shëndoshë në publik për Kadarenë, por në tryezë thonë një mijë të zezat. Me këtë dua të them, ndryshe nga ç’mendohet, se jo se çdo e mirë ose e keqe vjen prej tij (të kuptohemi, gjë që ti nuk po thua).

        Këtë ngarkesë mbi-supet e aristokratit me tituj e sharje, nuk e kuptoj. Drama të llojit: U fikën dritat në lagjen filan? Çfarë mendon zoti Kadare? Do ish’ mirë të pyesnim çfarë mendojnë ato të lagjes, e të tjerë të lagjes përbri, e akoma njerëzit e qytetit. Tjetër dramë: Nuk ka përkthyes të mirë të letërsisë shqipe në gjuhë të huaj? Po Kadareja, ç’bën? Kjo vjen nga një shoqëri me mendësi fëminore. Në këtë pikë besoj se qasja ndaj tij është akritike. Duam mendomin e një të rrituri! Dhe për sa i përket teatrit: jam një mijë herë kundra prishjes së ngrehinës vjetër. Kam shkruar për të, kam shkuar atje të protestoj. Ky është një problem i shoqërisë, jo (vetëm) i shkrimtarit.

        Tani për veprën: Unë e dua letërsinë e tij, por nuk e adhuroj. Kështu është këtejpari: ka shumë adhurim dhe pak dashuri. E adhurojnë shkrimtarin por nuk i lexojnë veprën. Më bën të njëjtën habi qasja kundër tjetrit shkrimtar të ‘madh’ Camajt, ose të tjerëve që s’po përmend. Unë nuk i blatoj Kadaresë hymne a ditirambe. Sidoqoftë, rrethanat e jetës i ka patur, të thuash pak, të vështira.

        Ajo që në pjesë të madhe nuk i falet, është përse i mbijetoj asaj kohe. Meqë ishte dhe “disident”. Sa shumë po i kujtojmë H. Zelën e të tjerët?

        Përsa i përket asaj hedhjes me hobe të Kadaresë në Francë, kjo është e pavërtetë. Mjafton të ndiqet historia e përkthimit të romanit të eshtrave. Gjenerali u përkthye dhe u botua në Bukuresht, Rumani, në ’67. Bëri bujë pasi u lexua dhe u ribotua në Francë nga një botues francezë që i ra në dorë libri. Atje në Rumani e gjetkë ishin përkthyer dhe të tjerë para e pas tij. Por nuk kanë pasur sukses. Është ky faji i Kadaresë? Apo i talentin të tij që nuk mori “shokët” me vete?

        U zgjata shumë, e të kërkoj ndjesë për të dytën herë. Uroj të jem shpjeguar më mirë se mëparë.

        1. I nderuar E. Hora,

          Ju thoni:

          Ajo që në pjesë të madhe nuk i falet, është përse i mbijetoj asaj kohe.

          Ndoshta zelli për të zbuluar të vërtetën e mardhënieve të pushtetit me Kadarenë mund të perceptohet edhe kështu, por nuk besoj se ka nevojë ta them se sa i gabuar është si interpretim. Mbijetesa e Kadaresë nuk është vetëm e tij, por personifikon edhe mbijetesën e një pjese të mirë të shoqërisë shqiptare gjatë komunizmit. Pra, këtu po pyetet se si i mbijetoi, jo se përse i mbijetoi. Në kuptimin që, a i ka mbijetuar Kadare regjimit si shkrimtar i talentuar dhe jo politikë; si disident; apo si shërbëtor këtij regjimi? Apo diçka midis këtyre tre mundësive? Ndonëse dy të fundit janë në kontradiktë me njëra tjetrën, ky ishte edhe absurditeti i atij regjimi pasojat e të cilit po i përjetojmë edhe sot. Në kuptimin që, nuk mund të ishe shkrimtar nëse nuk ishe pjesë e makinerisë propagantistike. Ndaj pyetja që vjen natyrshëm është: cilat janë pasojat e këtij dyzimi, ose shumëfishimi, të personalitetit? Kjo është çështje themelore për shoqërinë dhe kulturën shqiptare, dhe aspak një cështje inati apo zilie me Kadarenë.

          Dhe ndryshe nga sa pretendoni ju, unë personalisht (se nuk po flas për të tjerët), pretendoj nga Kadare të jetë konsistent me rolin publik të intelektualti (jo të shkrimtarit) që ai vetë e ka marrë përsipër më shumë se njëherë, por edhe rishtaz. Dhe, problemet që pres Kadare të prononcohet nuk janë probleme lokale, të lagjes, sikurse i karakterizoni ju.

          Sot elita e Tiranës dhe Prishtinës po akuzohen për asgjë më pak sesa për tradhti të interesave kombëtare dhe të publikut. Është e vërtet se këto akuza shprehen më lirshëm nëpër kafene, nëpër protesta kuksianësh, studentësh të anatemuar, aktorësh të braktisur. Por fakti që këto akuza vijnë nga shtresa me status të ulët shoqëror, pa ndonjë zë të veçantë në vendimmarrje, nuk i bën gjë të pavërteta dhe të parëndësishme. Përkundrazi tregon sesa të dehur nga pushteti dhe të shkëputur nga realiteti i kemi elitat. Dhe, të jesh sot pjesë e këtyre elitave është së paku një njollë në histori, dhe nuk mund të fshihesh dot as pas heshtjes, as pas minimizimit të ngjarjes.

      3. I dashur Zotëri, unë nuk lashë të kuptohej një smirë nga ana juaj ndër rreshta. Nuk ju njoh, dhe do ishte diçka e ulët.
        Ngjarjet që po përmendni janë fort të rëndësishme. Siç ishte vdekja e minatorit në Bulqizë. Siç ishte protesta për çeljen e shkollës në Mëngel. Shembujt e mi ishin karikaturë e ‘pretendimit’, mendojë unë, që Kadareja të japë mendime mbi çdo gjë publike, përfshirë dhe këto ngjarje, nëse ai nuk don ta bëjë. Sepse ka lirinë ta bëjë.

        Kadareja ka ndërhyrë më se njëherë për të fshikulluar ato miklimet e çuditshme me Turqinë në vitet e fundit, si ajo e rishkrimit të historisë. Ka marrë pjesë në ngjarjet e Kosovës, gati në vet të parë. Ka bërë shumë për letërsinë shqipe, për lëvrimin e gjuhës, për njohjen e vendit etj etj. Besoj se nuk duhet t’i ngarkohet dhe detyra e kronikanit. Por s’është fatkeqësi të kemi mendime të kundërta.

        Nuk është një shpjegim krejt i gabuar ajo që si falet Kadaresë “si” e “përse” mbijetoj. Në katër-pesë vitet e para të pluralizmit ai ka qenë krejtësisht i tronditur. Ishte më shumë andej se këndej.

        1. Edhe njëherë, ajo që ju po anashkaloni është garancia për heshtje që merr elita politike e Tiranës dhe e Prishtinës nga eleita intelektuale përkatëse para se t’u hyjë në këmb aventurave groteske, qoftë kjo për ngjarje të mëdha si ndarja e Kosovës, apo ngjarje të vogla, por jo pa lidhje, si ajo e prishjes së Teatrit Kombëtar apo taksa në rrugën e kombit.

          Dhe dihet botërisht se asnjë intelektual nuk ka më shumë ndikim mbi Ramën dhe Thaçin, dy protagonistët e maskaradës kombëtare, sesa Kadare.

          Pastaj këto historitë me të persekutuar, me gazetar dhe me kronikan përdoren për t’u fshehur pas gishtit dhe nga përgjegjësitë si intelektual.

    2. Lyss,
      kronologjikisht desekralizimi i apostujve ne ate periudhe nuk eshte shume i vertete: “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo” eshte botuar ne 1973-shin (nje roman i tere!!), ndersa poema ne fjale në 1975.

      Nga linku i mesiperm qe solla mesojme se Mehmet Shehu ka qene kunder romanit te Driteroit, por pro poemës se Ismailit (ndersa Hoxha ka patur qendirm te anasjellte). Te kene qene Ramizi dhe Mehmeti më pak vigjilente se Hoxha? Veshtire… .

      Mbetet leximi brenda kuadrit ideologjik. Domethene: dialektikes materialiste (lufta e klasave… etj etj). Në kete prizem, qendrimi i Hoxhes eshte 100% ne perputhje me te (prej nga dhe fjalia ne ditarin e tij: “I thashë Ramizit të therrase Kadarenë, […] Unë vetë e kam mbrojtur, por me qëllim kurdoherë të korrigjojë shumë pikëpamje jo marksiste që spikatin mjaft herë në veprat e tij”.

      https://www.classlifestyle.com/d/84/194/7479/zbulohet-ditari-sekret-i-enver-hoxhes-ismail-kadare-nje-poet-korbash-borgjez/?fbclid=IwAR14n_AAgte4LJ-CbWjc0sUsIrp8kyXglIa-wdWDbuImfMPjN9Y6h92RXac

  6. Tagrin nuk e ka njeri, po identifikimi i disa kokave si armiq te diktatures se proletariatit, nuk eshte ndonje prove qe te con logjikisht tek qasje disidente apo antisistem. Hoxha nuk kishte nevoje per maoizmin e poemes, prandaj ndaloi maoizmim, jo Kadarene. Nje dite do flase per Sulltanin e Kuq ishte frika e sulltanit, i cili ka cdo gje ne kontroll. 3 pjeset per Hoxhen jane nxitje per te, qe te prese koka. Hoxha del sylesh qe ka lene gjendjen te degradoje, dhe nqs nuk pret kokat qe propozon Kadareja, atehere Hoxha nuk del sylesh, por Sulltani i kuq. Poema ishte politikisht invazive, qe vuri ne pozita te veshtira Hoxhen. Kadareja me mire t’i kish shkruar nje leter-lutje per mbrojtje, sa beri ate poeme qe e vinte Hoxhen dukshem ne veshtiresi. Mund te jete edhe si pasoje e leximit te gabuar te politikes, Kadareja mund te kete menduar se do bien shume koka, nje thellim i revolucionit kulturor, qe do merrte edhe kokat e armiqve te Kadarese. Gjeja nuk ndodhi, Hoxha e mbrojti serisht duke mos lejuar botimin e lajthitjes poltike te Kadarese, qe e nxirrte Enverin o sylesh o sulltan.

  7. Ja po aty kthehemi. Ti besoj nuk dyshon se sot pas 40 vjetesh ketu, nga lartesia e divanit tim, edhe une keshtu mendoj. Pa a e kemi vertet kete te drejte ?

    1. Doren ne zjarr nuk e veme dot, mbase Kadareja ate periudhe ishte me faqore ne xhep (kush ia mbajti pishtarin) dhe thoshte qe rakia eshte me e mire se Zoti, pasi ta merr mendjen e ta kthen prape. Vepra eshte e perbere nga 5 pjese ku Hoxha del sylesh qe nuk shikon se pashallaret e kuq po gerryejne ngrehinen nga themelet dhe 3 pjese ku Hoxha hyn ne skene si Krishti me kamzhik. Pastaj supozimi se Kadareja ia kish me te futur Enverit qe ta nxirrte qellimisht o sylesh o sulltan, ne kushtet kur te shumte kerkonin koken e Kadarese, nuk ka shume kuptim, se Kadareja me mire t’ia kish hequr vetes, sesa t’i futej atij deti ne kembe. Dmth nqs nuk e ka bere vepren faqorja e rakise, atehere interpretimi me logjik ky eshte. Kadareja ka nje sjellje kostante ndaj pushtetit qe e ka treguar edhe ne keto 28 vjet, cka nuk e mundeson hipotezen e perballjes kamikaze, kuptohet nqs Kadareja ka qene me kapacitete te pacenuara psiqike kur ka bere poemen. Ne fund te fundit, prerja e Hoxhes me kamzhik, lejon per lexuesin nje interpretim te Hoxhes sylesh, cka i shton piket ne syte e lexuesit te sotem e te ardhshem. Kadareja di ta hedhe ujin ne mullirin e vet, po ketu pyetja eshte, nese nje veper maoiste duhet lejuar ne antologjine e letersise shqip, si veper disidente. Se Kadareja mund te beje cte doje me vepren e vet, por jo me antologjine e letersise qe do mesojne brezat e rinj ne shkolle. Se ketu rreziku eshte qe nxenesit ta mesojne permendesh si veper disidente. Kadareja prandaj e ka hedhur ne treg te shkurtuar, se do qe te shitet e te zere vend. Ndoshta mund ta mbyllim nje sy si kemi bere shume here te tjera dhe te themi kemi nevoje per poezi disidente, dmth ky popull ka nevoje te frymezohet nga modele te mira, prandaj le ta pranojme kete poeme te shkurtuar, por Kadareja i nderron shpesh arsyet justifikuese dhe pelerinat e tashme kane ngelur te pakte ata qe e kuptojne. Shqiptaret e ringjallen Fishten pas 1990-s, sepse besojne tek sinqeriteti i asaj qe ka shkruar dhe i falin nje lajthitje ne pleqeri, po ketu rrezikojme te fusim kopilce ne antologjine e letersise, mizen e kalit per blete punetore.

  8. Nuk eshte se nuk kam patur çaste kur e kam pare veten te gatshem per t’iu dorezuar ftohtesise se analizes post événementiel dhe komoditetit te gjykimit pasi eshte ulur perdja, por kam parapelqyer te ruaj emocionet qe me dha drejteperdrejte shfaqja.

    Do te isha shumefish i zhgenjyer po qe se do te zbuloja se nje gje e tille kishte ndodhur vetem ne imagjinaten time e te miqve te mi, se ishin fjale te “armiqve” etj., por kur me tej nga shenimet e Lamas mesova per terbimin e Hoxhes qe ne menyren me te pabesueshme e ka pare veten te projektuar si sulltan te kuq, atehere them çfare mund te kerkohet me shume nga nje poeme insinjifikante (te ciles mbase ne origjine autori i kishte ngarkuar edhe ndonje mision humanitar e ulilitar, siç e analizon Ardiani,, ne pozicionin skiç ne te cilin ndodhej atehere )?

    Disa gjera duhen gjykuar me shume nga efekti qe bejne (te cilat, mund te ndodhe qe edhe vete autori nuk i kishte parashikuar, por qe eshte e veshtire te mos i njihen atij) se sa nga valenca qe kane. Kjo poeme eshte ilustrimi model.
    Por per hir te se vertetes duket qe edhe vete autori me fort ishte i interesuar qe ajo te harrohej atje ku ishte, po qe se ndonje Max Velo a nuk e di se kush, e çvarrosi, e çpluhurosi dhe u perpoq t’i jape vlerat qe nuk i kishte, gje qe te tjere, jo pa te drejte, e kundershtuan me force. Po ne çdo rast kam pershtypjen se u gjykua vepra letrare jashte kontekstit me shume se sa efekti dhe roli i saj ne çastin e botimit. Per mua duhen ndare.

    Edhe pse me nje zjarrmi te habiteshme Kadareja i peshperit ne vesh Hoxhës nevojen per masakra te reja ne radhet e lidershipit te kohes, Hoxha nga ana e tij nuk iu kthye ta akuzoje se “po me shtyn te shkel te Drejtat e njeriut” . Neper vargjet shpesh te çala e aspak te bukura te poemes atij dukej se krejt papritur i ishte shfaqur imazhi i vetvetes (duhet pranuar se ishte lexues i shkelqyer) kuptoi se ai vete nuk ishte gje tjeter veçse shefi i nje bande çakejsh. Se me çfare formulash alkimie autori arriti te shtyje drejt atij vizioni eskatologjik, kjo mbetet te shihet veç, por siç thashe mund te jete fjala edhe per veprime dytesore te vargjeve te tij, qe pas botimit ai nuk i kontrrollonte me,por qe nuk mund te mos i njihen atij.

    Me tej, e veçanerisht ne kete moshë qe ka tani, autorit te saj nuk nuk i mbeti tjeter gje veçse te ndiqte trajektoren kaotike te rrethit me te afert te fansave te tij, gje qe nuk mund te thuhet se eshte zgjidhja me e mire qe beri.

    1. Një hipotezë imja për tërbimin e Enverit: këtij, pas infarktit të vitit 1973, i ishte acaruar keqazi paranoja – dhe shihte armiq nga të gjitha anët. Ashtu edhe nuk e mbajti dorën me spastrimet në kulturë dhe në art, në ushtri dhe, më në fund në ekonomi. Ngushëllimi dhe ilaçi i tij i vetëm, gjatë këtyre spastrimeve, ishte se e kishte Partinë me vete. Identifikimi i tij me Partinë ka qenë gjithnjë më i fortë se identifikimi me “klasën punëtore” ose me “popullin”: kjo mund të ndiqet nga ato që ka thënë e ka shkruar. Vjersha e Kadaresë mëkaton pikërisht kur e nxjerr si të vetëm, përballë “pashallarëve” – pse ashtu ia përforcon paranojën, ose dyshimin se ka qenë dhe është akoma i rrethuar nga armiq.

    2. “… autorit te saj nuk i mbeti tjeter gje vecse te ndiqte trajektoren kaotike te rrethit me te afert te fansave te tij…”.
      I nderuar, zoti Lyss, ju citova kete pjese te paragrafit, sepse, sipas mendimit tim, ketu mund te gjendet edhe nje “celes” per te shpjeguar “kompleksitetin”, sic e quajti dikush me lart, e kesaj poeme, dhe te gjithe letersise se “angazhuar” te Kadarese ne pergjithesi.
      Kadareja eshte nje shkrimtar, dhe jo, bie fjala, nje yll rroku a sportist i famshem, qe te kete fansa. Ai ka lexues qe e admirojne e adhurojne, ose te dyja bashke. Une jam nje prej tyre; dhe kjo, jo ashtu kot, se me teket mua, por se eshte i vetmi shkrimtar i madh i nivelit boteror, te cilin, e lexoj ne origjinal; dhe ky origjinal eshte gjuha shqipe. Po te isha fans, sic thoni ju, shkrimi i zotit Vehbiu do te me lendonte ( per me shume, qe duket si nje urim origjinal per ditelindjen e 83-te te tij), por nuk ndodh keshtu; perkundrazi, me ben te mendoj per nje mori gjerash qe kane te bejne me raportin e individit Kadare me shkrimtarin Kadare, dhe ketyre dyve me lexuesit, shoqerine, politiken, shtetin etj.
      Shkrimet qe jane bere per Kadarene ne revistat e huaja letrare, shume te kualifikuara dhe prestigjoze, me bejne te shoh se ne c’menyre te ngushte, meskine dhe skuthe, zhvillohet kritika nda vepres se tij nder shqiptaret, ku, ose duhet te jesh “fans” i Kadarese, ose “saint-beuve” i tij.
      Por, ajo qe me duket vecanerisht e cuditshme, ka te beje me faktin qe antikadarenjte , ne shumice derrmuese, per te mos thene te gjithe, jane te majte, te majte shqiptare, dmth, socialista! Dhe, keta zoterinj socialista , meseshumti, e akuzojne per flirtet e tij me regjimin qe krijoi llojin e tyre! Duhej te ishte e kunderta: te djathtet duhet ta akuzonin ne kete aspekt.

  9. Imdat, e pashe edhe nje here ate fraze qe citoni ju dhe nuk gjeta asnje arsye per ta ndryshuar. Flitet per fansa (qe ne shume raste jane njohesit me te keqinj te Kadarese dhe qe e gllaberojne duke mbyllur syte e duke mbajtur frymen) dhe jo per dashamiresit e shumte te letersise se tij, qe nuk kane asgje me te paret dhe te cileve nuk u mungon shpirti i analizes. Nderkohe, ne asnje rast nuk di te kem marre inisiativen per te kyçur nje lexues si ju ne rrethin e pare. Do te kete ndonje keqkuptim.

Lini një Përgjigje te Brian de Bois-GuilbertAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin