CILI NIETZSCHE?

Në biografinë që ka shkruar për Nietzschen (Nietzsche, L’apolide dell’esistenza, Marsilio, 2002), Massimo Fini rrëfen për një udhëtim të tijin, në fillim të viteve 1970, në vendlindjen e filozofit prusian, në Saksoni – e cila aso kohe bënte pjesë në Gjermaninë Lindore. Martesa e komunizmit me disiplinën tradicionale gjermane kish pjellë një përbindësh, thotë ai: një klimë të obtuzitetit ideologjik dhe intelektual, të vrazhdësisë, të shkretisë dhe zymtisë, që nuk e gjeje dot, të paktën në ato nivele, në vende të tjera të Lindjes, madje as në Bashkimin Sovjetik. Gjermania Lindore, si shumë simotra të kampit socialist, i kushtonte vëmendje të madhe kulturës, aq sa libraritë dhe dyqanet me muzikë klasike i gjeje gjithnjë plot; por në atë klimë kulture prej vitrine, emri i Nietzsche-s mbetej i panjohur për brezat e Pasluftës: “i panjohur, i anuluar, i shtyrë në harresë, i ndaluar,” shkruan Fini.

Në kufi, Fini-t gati i kishin çmontuar aparatin fotografik dhe ia kishin mbajtur Njeriun me një përmasë të Marcuse-s; por nuk i kishin thënë asgjë për ca libra të Nietzsche-s që kish pasur me vete – jo nga dashamirësia, por nga padija, thotë ai. Regjimi në Gjermaninë Lindore e konsideronte filozofin si pararendës të nazizmit dhe e kish “çrrënjosur” nga kujtesa kolektive e shtetasve – deri në atë shkallë sa të përftonte efektin paradoksal të një emri aq tabu, sa të tolerohej thjesht nga padija. E megjithatë, varrin e Nietszche-s në Röcken, një katundth me aso kohe veç shtatë banorë, Fini e gjeti të paprekur, edhe pse të mbuluar nga barërat: “një sistemim që ndoshta filozofit do t’i kish pëlqyer, meqë i përgjigjej shpërfilljes, braktisjes dhe vetmisë në të cilën kish jetuar.”

Studiuesit sot nuk gjejnë ndonjë afëri domethënëse mes filozofisë së Nietzsche-s dhe nazizmit; dhe akuzojnë të motrën, Elisabeth, për këtë gjykim përndryshe të gabuar. Në fakt, Elisabeth – që ishte martuar me një farë Bernhard Förster, nacionalist i njohur dhe antisemit – u kujdes për dorëshkrimet e të vëllait, sidomos pasi ky u sëmur rëndë; dhe ashtu edhe futi duart në veprën e tij, duke ia bashkëlidhur militarizmit gjerman dhe, më pas, nacional-socializmit. Ndërkohë ideologjia sovjetike tashmë e kish futur Nietzsche-n në listën e zezë; duke i dhënë rolin e nevojshëm të “armikut”.

Ajo çfarë rrëfen Fini, ose indiferenca e përfaqësuesve të shtetit gjerman ndaj emrit të një armiku tashmë të fshirë nga libri i kujtesës, mund të ndodhte vetëm brenda një kulture të mësuar t’u shkonte gjërave deri në fund, dhe ku ndalim-leximi i një filozofi të madh respektohej si të ishte komandë e një oficeri të lartë në fushën e betejës. Kjo lloj fshirjeje me gomë nuk do të kish sukses në Shqipëri – në fillim të viteve 1970 kish ende njerëz që e lexonin Nietzsche-n, në botime të Paraluftës; dhe që dënoheshin për këtë. Për këtë arsye, ishte krijuar, në mjediset disidente në Tiranë dhe gjetiu, një lloj kulti i Nietzsche-s, mu për shkak të ndalimit të tij nga regjimi (për arsye krejt të tjera, i njëjti kult ekziston edhe sot, por i kitsch-ifikuar). Një shqiptar që udhëtonte jashtë, nuk do të guxonte të sillte me vete një libër të filozofit: jo vetëm që do t’ia mbanin në doganë, por edhe do t’i krijonin probleme të mëtejshme. Njëlloj si në Gjermaninë Lindore, edhe në Shqipëri Nietzsche-ja ishte tabu; por tek ne tabuja ishte ende e dukshme, e ulur këmbëkryq, e pashmangshme.

Nuk di nëse e studionin apo jo Nietzsche-n në fakultetet e filozofisë në universitetet gjermano-lindore; ndoshta i rezervonin të njëjtin trajtim që i bënim ne, në Shqipëri, Ernest Koliqit, Mit’hat Frashërit, Faik Konicës. Natyrisht që elitat intelektuale të DDR-së e njihnin filozofin dhe ia kishin lexuar veprën; por kjo nuk ka lidhje me indiferencën e policisë kufitare, me të cilën u përball Fini: sepse ishte po kjo polici, që ia sekuestroi Njeriun me një përmasë të Marcuse-s. Duke pasur parasysh disiplinën prusiane të forcave të rendit atje, do të supozojmë se ky i fundit u ndalua thjesht e vetëm ngaqë figuronte në një listë librash të ndaluar: nuk ishte diskrecioni i policit, as bindja e këtij personale se Marcuse mund të ishte me rrezik për mirëqenien ideologjike të Gjermanisë Lindore; por një gjest mirëfilli burokratik. Në një farë mënyre, burokracia vepronte edhe në Shqipëri – vetëm se në doganat tona çdo libër i huaj do të ndalohej, përveçse kur lejohej në mënyrë eksplicite.

Kjo që i ka ndodhur Fini-t ilustron, më duket mua, tensionin midis regjimit represiv totalitar dhe censurës: në atë masë që funksionon/që duhet të funksionojë, censura dëshmon se totalitarizmi ende nuk ka vepruar mirë, ose nuk e ka bërë punën e vet. Më kujtohet këtu një anekdotë që e tregon Zhizheku: një mysafir në një vilë, teksa kërkon të gjejë banjat, hap gabimisht derën e një dhome ku gjendet e zonja e shtëpisë, lakuriq: “Më falni zotëri,” i thotë, dhe del nga dhoma duke e mbyllur derën. Në të njëjtën mënyrë, një sistem kontrolli totalitar do të kujdeset që t’i zhdukë krejt nga vetëdija kolektive emrin dhe veprën e një autori subversiv – dhe nëse e realizon këtë atëherë, paradoksalisht, vepra përkatëse mund të lejohet të qarkullojë lirisht. Paradoksi këtu është se, dikush që nuk e njeh Nietzsche-n dhe nuk e ka idenë se çfarë qëndrimi kanë mbajtur sovjetikët ndaj tij dhe as akuzat që i janë bërë si pararendës i nazizmit mund të lejohet t’ia lexojë Nietzsche-s veprën lirisht – meqë teksti i inkriminuar është toksik vetëm në atë masë që pritet të jetë toksik. Për të njëjtën arsye, Freud-i censurohej ashpër në Tiranë për shkak të famës së tij si guru i çlirimit seksual; dhe censurën e impononin njerëz që Freud-in nuk e kishin lexuar, ose kishin provuar ta lexonin dhe nuk kishin marrë vesh gjë. Sërish një anekdotë: një aktor komik e qortuan se, gjatë një monologu, kish bërë një shaka shumë të rëndë. Nuk e kam fajin unë, tha në mbrojtje të vetes; por ata që e kuptuan dhe qeshën.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

3 Komente

  1. Mjafton ta lexosh Nietzsche-n sadopak per te kuptuar qe filozofia e tij bie ndesh katerciperisht me barazitarizmin e predikuar nga diktaturat marksiste (ne te, madje, ka pasazhe te tera kunder socializmit, te shkruara, per me teper, me stilin tipik nicean: totalisht asgjesues, qe nuk le vend per interpretime), ndaj nuk mendoj se librat e tij do ta humbisnin toksicitetin po t’u binin ne dore lexuesve te painformuar paraprakisht per autorin. Qe dicka e tille te ndodhe, duhet qe autori te shkruaje ne menyre abstrakte (per shembull, ndonje filozof i tipit Heidegger) ose qe shkaku i ndalimit, me shume sesa me permbajtjen subversive te veprave, te lidhet me veprimtarine e tij, per te cilen, sigurisht, lexuesit tane nuk do te dinin gje.

  2. Aty nga fillimi i viteve ’70 nje person i afert i familjes, violinist, pushohet nga puna per nje histori te te vellait gjate Luftes, por me shume se frika e arrestimit te pritshem ai shqetesohej per bibloteken e tij qe e kishte sjelle nga Italia. Mori kontakt me shume vete dhe u ra dakord qe ta shperndante midis tyre. Mua me ra te ruaj veprat e plota te Nietzsche-s, qe i kam sot e gjithe diten, sepse edhe kur i kaloi frika e arrestimit, ai nuk m’i kerkoi me.
    Kjo qe rastesia ime e takimit me Nietzsche-n. Nuk eshte se kaloja kohe te gjate me ato libra ne duar, por me duhet te pranoj se ai kurre nuk me terhoqi. Edhe sot e kesaj dite ai nuk me figuron gjekundi. Shoh fare mire Hegelin Marksin Shopenhaurin, pak Huserlin dhe me shume Heideggerin (dhe vlerat e shtuara artificialisht te H. Arendt, per shkak te asaj nga ardhem). Te kuptohemi, e shoh Nietzsche-n tek ulerin e ve kryqet e tij mbi fene e moralin e te gjithe idealizmit gjerman, por ne kete fushe pas Marksit atij nuk i kishte mbetur shume hapesire.
    Duke qene se me duket se e kuptoja me mire, i kthehesha shpesh Lindjes se tragjedise. Kurre nuk me bindi e kurre nuk me pelqeu. Me vriste veshin pasioni histerik (me ngjante si ato çupat qe u binte te fiktit sapo Bidellsat dilnin ne skene) per Vagnerin, mungesa e çdo filtri kritik dhe ideja se ne thelbin e muzikes se tij arrinte te kapte arsyet e lindjes se tragjedise, qe e gjente dhe shihte edhe ne thellesi te shpirtit gjermant ku e tejçonte muzika e Vagnerit etj, etj.,tekst qe me teper e shihja si nje pusille dashurie per Vagnerin se sa nje lloj ndriçimi a mjeti per lindjen e tragjedise .Me vone mesova se Liszt e kishte kritikuar shume, por tek i thoshte se Nietzsche nuk kuptonte asgje nga hellenizmi (nuk eshte per t’u habitur se librin e shkroi mjaft i ri) gjithmone kam menduar se ka dashur t’i thote se nuk merr vesh nga muzika. Them se koha i dha te drejte, se ka aq libra e studime madheshtore per tragjedine greke, por ne asnje rast nuk kam degjuar qe Nietzsche te citohet per ndonje tulle qe ka shtuar ne shpjegimin e saj. Pertej se mires e se keqes e hapja ralle, por me Zarathustren u mora gjate, e degjova te fliste e bertiste sa te donte, por duke mos pâtur informacionin e duhur per fete e lashta perse, nuk eshte se kuptoja mjaft, megjithe stlin disi letrar. Ne fakt qe nje kureshti pak formale, sepse ne ate veper flitej se ai ka pershkruar Mbinjeriun dhe shpjegon esences e tij, nderkohe qe perseri nuk me interesonte çfare mund te kishte nxjerre nazizmi prej tij, por perse nje poezi e Migjenit, qe nuk shfaqej shpesh neper antologji, cilesohet (nen ze) si e frymezuar nga Mbinjeriu i Nietzsches.

    1. Nicja lexohet ne kuader te Kulturkampf-it, zbulimit darvinian, pozitivizmit shkencor, rivleresimit romantik te irracionales, mistikes neopagane gjermanike qe pershoqeroi bashkimin e Gjermanise, friken ndaj revolucionit komunist ( 1848 e sidomos komuna e Parisit) qe e beri elitist dhe padyshim nihilizmi, te cilin ndryshe nga Hegeli i cili e luftoi, Nicja e perqafoi, duke hapur keshtu mundesite per nje filozofi te re morale, ku integrohet edhe pasioni i tij per Greqine e lashte ( nga e cila kerkoi dhe gjeti principe morale antikristiane). Nicja ishte produkt i epokes se vet dhe nuk kuptohet pa kuptuar me pare epoken kur jetoi. Nuk ishte nacionalist, aq me pak nazist, sikunder kane dashur ta pershkruajne, ishte humanist nihilist darvinist i llojit te vet. Gjithe puna ishte si do i pergjigjej Perendimi nihilizmit. Sot, mund te thuhet( kendveshtrimi im) qe njeriu u pajtua me asgjene, e perjeton pa frike asgjesimin e ekzistences se vet, po njeriu prej dhjetera mijera vjetesh deri ne kohen e Nices, ishte i obsesionuar me konceptin e kthimit ne asgje. Cikli asgje-qenie-asgje ne fakt na ben parmenidiane, qenia eshte si e ka konceptuar ai, realiteti eshte iluzion, ku asgjeja kthehet ne ekzistence dhe ekzistenca ne asgje. Me logjiken formale qenia nuk mund te kthehet ne mosqenie, dhe kjo vlen per materien nga e cila jemi perbere, po nuk vlen per aspektin jomaterial i cili duket se nuk u bindet logjikes fornale, sepse kemi ciklin asgje-qenie-asgje. Nicja e perqafoi i pari asgjene, pa medyshje e cfaredo hezitimi, cka e ben njefaresoj modelin e pare te njeriut aktual, i cili e koncepton ekzistencen jashte logjikes formale ( sipas te ciles asgje nuk vjen nga asgjeja dhe gjeja sjell gjene).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin